Connect with Us

Kriza e refugjatëve/ Një shfrytëzim tjetër i dobësive të Evropës nga autokratë si Llukashenko

Blog

Kriza e refugjatëve/ Një shfrytëzim tjetër i dobësive të Evropës nga autokratë si Llukashenko

Publikuar

-

cna lajme blog

Nga Judy Dempsey “Carnegie Europe”

Në javët para shpërthimit të krizës, udhëheqësit e BE-së u sollën sikur nuk e kuptonin potencialin e përshkallëzimit të situatës. Që nga korriku i këtij viti, mijëra njerëz nga Iraku dhe vende të tjera të Lindjes së Mesme, kanë përfituar nga ajo që ata e konsideronin si një mënyrë relativisht të lehtë për të hyrë në një vend të BE-së.

Të nxitur nga regjimi i liderit bjellorus Aleksandër Llukashenko, ata blenë bileta avioni, morën lehtësisht vizat dhe fluturuan për në Minsk, kryeqytetin e Bjellorusisë. Kur mbërritën atje, ata shoqëroheshin shpesh nga forcat bjelloruse të sigurisë në kufirin me Lituaninë, anëtare e BE-së dhe NATO-s.

Aty shumë prej tyre kaluan ilegalisht kufirin. I pamësuar me flukse të tilla emigrantësh, Vilniusi u garantoi strehim refugjatëve të mbërritur, por në të njëjtën kohë e forcoi kufirin. Skenat shpeshherë dramatike në këto vendkalime, ishin vetëm një shembull i vogël i gjërave që do të vinin më pas në kufijtë e Polonisë dhe Letonisë me Bjellorusinë.

Situata u përshkallëzua me shpejtësi:disa video të publikuara në internet më 8 nëntor, treguan mijëra emigrantë emigrantë të grumbulluar në kufirin polako-bjellorus, me disa prej tyre që kërkonin të hynin me forcë në Poloni. Varshava kishte ngritur tashmë një gardh me tela me gjemba për të mbrojtur kufirin e saj, dhe e ndaloi praninë në zonë të mediave dhe organizatave të shoqërisë civile.

Mbi 12.000 ushtarë dhe policë janë dërguar për të mbrojtur kufirin. Kushtet në terren për emigrantët janë të tmerrshme. Ata kanë ngritur çadra jashtë në motin e acartë. Dhe rrihen nga ushtarët bjellorusë dhe shtyhen mbrapsht me dhunë nga pala polake.

Pavarësisht se janë instrumentalizuar nga Lliukashenko dhe nga Kremlini, emigrantët po i vazhdojnë përpjekjet e tyre për të hyrë në Bashkimin Evropian. Llukashenko mbetet në pushtet falë shtypjes së dhunshme ndaj çdo forme të kundërshtimit ndaj rezultateve të zgjedhjeve presidenciale të manipuluara të gushtit të vitit 2020, por edhe falë aleatit të tij, presidentit rus Vladimir Putin.

Llukashenko, pa dyshim edhe më mbështetjen e Putinit, e ka përdorur çështjen e emigracionit si një armë për ta ndëshkuar BE-në për vendosjen e sanksioneve ndaj regjimit të tij të diskredituar. Minsku dhe Moska, e dinë shumë mirë se një nga dobësitë më të mëdha të Evropës është reagimi i saj i dobët ndaj çështjes së emigrimit ilegal.

Kjo dobësi, e cila u pa qartë gjatë krizës së refugjatëve të vitit 2015, kur blloku u përça mbi strehimin e refugjatëve që iknin nga lufta në Siri, dhe e cila nuk është riparuar ende. Në vend se ta trajtojë ballazi krizën e fundit, Evropa po ndërton një fortesë brenda kufijve të saj, diçka për të cilën kryeministri hungarez Viktor Orban u kritikua në vitin 2015, kur ai ndërtoi një kufi të fortifikuar për të penguar kalimin tranzit të emigrantëve dhe refugjatëve drejt vendeve të tjera anëtare të BE-së.

Orban filloi në atë kohë një tendencë. “Sot ka një forcim masiv të politikave në këtë fushë”- thotë Stefan Lene, ekspert i migracionit. Brukseli vendosi sanksione më të ashpra disa muaj më parë, kur Bjellorusia rrëmbeu një avion të kompanisë “Ryanair”, duke e detyruar atë të ulej në Minsk, në mënyrë që të arrestonte një nga pasagjerët e tij, gazetarin dhe aktivistin e opozitës Roman Protasevich.

LEXO EDHE:  Ambasadori spanjoll “shuplakë” politikës/ Tregon rrugën për zgjidhjen e krizës

Tashmë në kundërpërgjigje ndaj zhvillimeve të fundit, disa qeveri evropiane po bëjnë thirrje për një grupim të ri sanksionesh. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka propozuar dërgimin e një zyrtari të lartë “në vendet kryesore të origjinës dhe transitit”. Këto vende, tha ajo “duhet të veprojnë për të parandaluar që shtetasit e tyre të bien në grackën e ngritur nga autoritetet bjelloruse”. Unioni duhet të shqyrtojë se si të vendosë sanksione të reja, përfshirë përmes listave të zeza, ndaj linjave ajrore të vendeve të treta që janë më aktive në trafikimin e qenieve njerëzore.

Por mos prisni ndonjë vendim të shpejtë. Reagimi i BE-së ndaj këtij fenomeni të ri të emigracionit, konfirmon mungesën e një politike të emigracionit dhe azilit, qoftë edhe afatshkurtër. A do të kishte qenë kaq e vështirë, që me ndihmën e BE-së, Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të migracionit, të organizohej ngritja e kampeve brenda kufijve polakë dhe lituanez, për të dokumentuar dhe vlerësuar statusin e emigrantëve?

Kjo do të kishte parandaluar vuajtjet e tyre. Kuptohet që qeveritë e BE-së në rajon, të cilat kanë qenë shumë kritike ndaj represionit së Llukashenkos dhe kanë miratuar sanksionet, nuk kanë dëshirë që ta pranojnë këtë ide. Ata argumentojnë se kjo do të legjitimonte përdorimin e emigrantëve si një armë nga lideri bjellorus.

Pavarësisht nga dhuna e ushtruar ndaj tyre, ai do të vazhdojë që t’i shtyjë emigrantët përtej kufijve. Sa për krahasim, në Brandenburg, landin gjerman ngjitur me Poloninë, 100-150 emigrantë kanë kaluar çdo ditë nga Polonia në Gjermani gjatë javëve të fundit, dhe atyre u ofrohet strehim dhe kujdes.

Autoritetet po shqyrtojnë kërkesat e tyre për azil. Këto procedura janë të ngadalta dhe burokratike, të ngjashme me kthimin e emigrantëve të paligjshëm në vendin e tyre të origjinës. Në vitin 2016, BE-ja, e udhëhequr nga Gjermania, arriti një marrëveshje me Turqinë për të ndalur fluksin e emigrantëve dhe refugjatëve drejt unionit.

Pra Ankaraja u pagua për ta importuar problemin e emigracionit në Evropë. Por nuk mund të bëhet e njëjta gjë me Llukashenkon. Pasi kjo do të nënkuptonte negocimin me regjimin e tij, diçka që BE-ja e urren. Dhe për më tepër, kjo do të nënkuptonte faktin që Llukashenko dhe Putin do të korrnin fitore nga instrumentalizimi i emigrantëve.

Ndërkohë, një zyrtar i NATO-s ka thënë se aleanca “është e gatshme të ndihmojë më tej aleatët tanë, dhe të ruajë sigurinë në rajon”. Në këto kushte, shumëkush pyet veten nëse Bjellorusia dhe Rusia po mendojnë mbi atë që mund të jetë një konfrontim i rrezikshëm me NATO-n.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al

https://carnegieeurope.eu/strategiceurope/85735

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Blog

A është “Apokalipsi i klimës” një mashtrim global?

Publikuar

-

Nga

cna lajme blog

Nga Lucio Leante “Opinione.it”

A jemi vërtet – siç thonë shumë njerëz – në pragun e një katastrofe klimatike? Ish-presidenti i SHBA-së, Barak Obama, i pranishëm në punimet e samiti të klimës COP26 në Gllasgou mendon se po:“Koha po ikën… kjo është një dekadë vendimtare për të shmangur katastrofën”.

Asnjë befasi edhe nga deklarata e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, më 26 tetor:”Gjendemi në pragun e katastrofës klimatike!”. Dhe këtu mund të përmendim shumë figura të tjera globale, për harruar as besimtarët dhe ndjekësit e shumtë të asaj para-feje të shpëtimit nga Apokalipsi, që gjeti një profete tek adoleshentja Greta Tunberg.

Parashikimi i një Apokalipsit të afërt, i cili mund të shmanget vetëm nëse bota eliminon emetimet në atmosferë të dioksidit të karbonit CO2 “deri nga mesi ose rreth mesit të këtij shekulli”, ndahet nga thuajse të gjithë “të mëdhenjtë” dhe “të vegjlit” e botës.

Tashmë është një e vërtetë praktikisht zyrtare, e cila përsëritet nga masmediat e mëdha dhe të vogla, me raporte, artikuj, filma dhe dokumentarë të panumërt. Skenari që ata ilustrojnë përsëritet çdo ditë:valët e të nxehtit ekstrem, shpyllëzimi dhe shkretëtirëzimi, përmbytjet për shkak të shkrirjes së akullit polar, shirat e rrëmbyeshëm nga Siberia në Kanada, nga SHBA-na një Evropën Veriore dhe Mesdhe.

Për të mos harruar miliarda refugjatët e klimës, apo zhdukjen e ariut polar. Megjithatë, disa shkencëtarë e kundërshtojnë këtë pretendim, edhe nëse injorohen nga mediat kryesore. Disa prej tyre janë edhe në Itali si Antonino Zikiki dhe Franko Prodi, të cilët, edhe në intervistat e kohëve të fundit dolën kundër shumicës, dhe kundërshtuan vlerën shkencore të këtyre parashikimeve, duke mbështetur besimin e tyre të palëkundur tek origjina kryesisht antropogjene e ngrohjes aktuale globale.

Midis shkencëtarëve skeptikë është edhe Stiven Kunin, një fizikant i specializuar mbi klimën, që ka mbajtur postin e Nënsekretarit të Shkencës dhe Energjisë në qeveritë e Barak Obamës. Kunin mohon pretendimet e ish-presidentit të tij Obama në librin e tij të fundit “Unsettled” (2021), që po bën bujë në të gjithë botën.

Bazuar në të dhënat që zotëron, ai pretendon se nuk ka dhe s’do të ketë një Apokalips të shkaktuar nga ndryshimet klimatike. “Që planeti po ngrohet ky është një fakt”- thotë Kunin. Sipas tij ka shumë të ngjarë që një pjesë e vogël e ngrohjes globale, të jetë shkaktuar për shkak të emetimeve të CO2 nga lëndët djegëse fosile.

Por Kunin thotë se përfundimet e nxjerra prej saj janë të gabuara, dhe se në fakt nuk pritet të përballemi me asnjë katastrofë. Dhe është e gabuar të besohet, që ne mund të rregullojmë sipas dëshirës ​​sasitë e gazeve që emetojmë në atmosferë, dhe të besojmë se kjo masë në vetvete, ka një efekt direkt mbi temperaturat e planetit tonë.

Për këto besime të rreme që janë përhapur, Kunin bën më shumë fajtor sistemin mediatik sesa IPCC (Panelin Ndërkombëtar për Ndryshimet Klimatike të OKB- së). Media i dramatizon enkas ngjarjet klimatike për të tërhequr audiencë.

Dhe duket se narrativa e ndryshimeve të klimës po shitet shumë. Për shembull, skenarisipas së cilit përmbytjet, thatësira, shtërngatat e forta të shiut, stuhitë, ciklonet tropikale do të intensifikohen në një lidhje të drejtpërdrejtë me ndryshimet klimatike, përcaktohet në raportin e IPCC si e “një besueshmërie të ulët”.

E megjithatë, ai përsëritet në mënyrë obsesive në media. Katastrofizmi ngjall tek publiku dy reagime:së pari që ndryshimet klimatike janë shkaktuar nga njeriu, dhe se “diçka radikale dhe urgjente” duhet bërë menjëherë. Mjerisht, përgjigja e qeverive përfundon duke u bërë ritualistike dhe frustruese:“Është faji i CO2, le të reduktojmë emetimet!”.

Kunin beson se shkencës i atribuohen shumë keqkuptime, klishe, pasaktësi, të cilat e shtrembërojnë debatin publik për klimën. Thjeshtëzimi sakrifikon saktësinë, por e shton shumë audiencën. Të njëjtat modele dhe skenarë që ndërton dhe projekton IPCC deri në vitin 2050 e më tej janë sipas Kunin vetëm hipoteza.

LEXO EDHE:  Aleati i Ramës: Basha po kërkon marrëveshjen me McAllister!

LEXO EDHE:  Macron propozon ndërmjetësimin BE-Rusi në Bjellorusi



Ato nuk ofrojnë asnjë siguri, dhe mbi të gjitha nuk kanë asnjë vlerë përshkruese. “Të gjitha modelet janë të gabuara, por disa bëhen të dobishme”- thotë ai. Duhet pasur parasysh se kur flet për një hipotezë të IPÇ, dikush shkruan:”Këtë e thotë shkenca!”.

Klima mbetet në çdo rast kaotike, dhe ajo zhvillohet pothuajse gjithmonë në një mënyrë shumë të ndryshme nga modeli. Kunin thotë se është sigurisht e vërtetë që prania e CO2 në atmosferë është rritur shumë gjatë 2 shekujve të fundit. Ajo ka qenë rreth 280 ppm (pjesë për milion) për shekuj me radhë.

Më pas, në fillim të shekullit XIX që përkon edhe me industrializimin, nisi që të rritet, dhe sot është në 410 ppm, gati dyfishi, ose më saktë 130 ppm më shumë. Kjo sasi që i atribuohet përdorimit të lëndëve djegëse fosile, besohet të jetë e tepërt, dhe ngrohja aktuale globale i atribuohet vetëm asaj.

Por këtu kemi një gabim serioz, pasi kjo sasi shtesë – vëren Kunin – nënkupton vetëm 2.8 molekula CO2 më shumë për 10.000 gaze të tjera serrë. Ky shtim bën që nxehtësia, e kapur dhe e mbajtur nga gazrat serrë, të shkojë nga 81.1 në vetëm 81.7 për qind.

Si përfundim, është praktikisht e pamundur që vetëm ai ndryshim i vogël të shpjegojë të gjithë rritjen e temperaturave (+1.5 gradë Celsius) gjatë 250 viteve të fundit. Për më tepër, CO2 është një gaz shumë i qëndrueshëm.

60 për qind e gazit të emetuar mbetet në atmosferë për 20 vjet, 55 për qind e tij mbetet për një shekull, dhe 15 për qind madje edhe 1 mijë vjet. Pra CO2 që është tashmë në atmosferë, është e destinuar të mbetet atje. Politikat kundër emetimeve nuk e prekin atë, por kanë të bëjnë vetëm me emetimet e reja.

Është e vërtetë, vëren Kunin, që nëse do të vazhdonim të emetonim si zakonisht, në vitin 2070 dioksidi i karbonit në ajër do të dyfishohej sërish (në 820 ppm). Por edhe në këtë hipotezë, nxehtësia e kapur dhe e mbajtur nga gazrat serrë, do të shkonte vetëm nga 81.7 në 82.1 për qind.

Nëse nga ana tjetër, do të vinim në zbatim shkurtimet e parashikuara nga marrëveshjet e gjelbra, do të stabilizonim përqindjen aktuale të nxehtësisë së evidentuar. Në fakt, asgjë nuk garanton që zerimi i emetimeve deri në vitin 2050 (duke supozuar se këtë do ta bëjnë që të gjithë), dhe stabilizimi i sasisë aktuale të CO2, do të jetë i mjaftueshëm për ta mbajtur rritjen e temperaturës brenda 2 gradë Celsius.

Ky është thjesht një bast me rrezikshmëri por dhe me kosto shumë të lartë. Të dhënat dhe argumentet e ofruara nga Kuin thonë se në çdo rast, Apokalipsi është i përjashtuar si mundësi, pavarësisht se ai merret si i mirëqenë nga të mëdhenjtë dhe të vegjlit e botës.

Atëherë pse Apokalipsi i klimës, trajtohet si një e vërtetë thuajse e padiskutueshme?

E vërteta është se çdo hipotezë, sado e çmendur dhe e pabazuar në fakte, kur është e aftë të ngjallë terror apo shpresë, bëhet shpejt shumë popullore dhe “e vërteta e kohës”. Sidomos nëse ngjall njëherazi terror dhe shpresë. Dhe prandaj është shumë e vështirë që ta kundërshtosh atë.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al

https://opinione.it/editoriali/2021/11/09/lucio-leante_cop-26-apocalisse-climatica-bufala-koonin

LEXO TE PLOTE

Blog

Pse nuk po vaksinohen evropiano-lindorët?

Publikuar

-

Nga

cna lajme blog

Nga Kristen Ghodsee& Mitchell A.Orenstein “Project Syndicate”

Teksa javët e fundit Evropa është bërë sërish epiqendra globale e pandemisë COVID-19, rritja e rasteve të koronavirusit, shtrimeve në spital dhe vdekjeve, kanë nxjerrë në pah hezitimin e vazhdueshëm ndaj vaksinave, sidomos nga një grup evropianësh:atyre në Lindjen e dikurshme komuniste.

Ndërsa 75.6 për qind e qytetarëve të Bashkimit Evropian janë plotësisht të vaksinuar, përqindja në Bullgari është vetëm 26.2 për qind, ndërsa në Rumani dhe 39.6 për qind. Në vendet jashtë BE-së, shifrat janë akoma më të ulëta. Kështu, vetëm 20.2 për qind e popullsisë së Ukrainës dhe 36.3 për qind e asaj ruse është vaksinuar plotësisht.

Por çfarë nuk shkon me Evropën Lindore? Kjo dukuri përmblidhet me një fjalë:dezinformim. Rajoni është zhytur në këtë të fundit, çka është një trashëgimi e dëmtimit të besimit të publikut tek institucionet qeveritare pas komunizmit. Teoritë e ethshme të konspiracionit, i kanë mbërthyer këto vende si hija e koronavirusit.

Një mjeke ukrainase e përmblodhi kështu situatën në vendin e saj:“Historitë e rreme janë përhapur gjerësisht në vend, duke i bërë njerëzit të besojnë tek mikroçipet dhe mutacionet gjenetike … Disa priftërinj ortodoksë u kanë kërkuar hapur dhe në mënyrë agresive njerëzve që të mos vaksinohen, ndërsa rrjetet sociale janë mbushur me thashethemet nga më absurdet. Ukrainasit kanë mësuar që të mos i besojnë çdo lloj nisme të autoriteteve, dhe vaksinimi nuk përbën një përjashtim”.

Ndërsa normat e vdekjeve po i tejkalojnë tashmë kulmet e mëparshme dhe frika është duke u shtuar, ndërkohë po rritet edhe shkalla e vaksinimit. Por në shumë vende janë shumë të përhapura certifikatat e rreme të vaksinimit dhe rezultatet e testit PCR.

Për shembull, në Bullgari certifikatat e vaksinimit dhe rezultatet e testeve mund të blihen për 150-300 euro, dhe askush nuk e di se sa shumë dokumente të tilla janë në qarkullim. Edhe ata që kanë parë shumë prej miqve të tyre të ndërrojnë jetë,ende këmbëngulin se vaksinat janë të rrezikshme, pasi përmbajnë nanobote, apo se ato do të rishkruajnë ADN-në e tyre, apo se siguria publike nuk mund të lihet në dorë të korporatave globale farmaceutike që i prodhojnë ato.

Sigurisht që thashethemet dhe dezinformimi janë gjithashtu të përhapura edhe në Perëndim. “Fox News”, që është edhe kanali më i ndjekur i lajmeve kabllore në Shtetet e Bashkuara, ka përhapur për vite me radhë informacione të pasakta për sa i përket vaksinave.

Por aktualisht 70 për qind e amerikanë në moshë madhore, janë plotësisht të vaksinuar. Pse atëherë kaq shumë evropianolindorë janë më të ndjeshëm ndaj tyre ? Niveli i ulët i besimit të publikut që spikat në Evropën Lindore, ka mbetur si trashëgimi që prej rënies së komunizmit, recesioneve të thella tranzitore në shumë vende, dhe dështimit të qeverive postkomuniste për të zbutur efektet.

Ndërsa një artikull shumë i njohur i “Reuters” raporton se opinioni i të ashtuquajturve “ekspertë” të paidentifikuar fajëson “dekadat e sundimit komunist për humbjen e besimit të publikut tek institucionet shtetërore”, kur në fakt besimi i publikut tek autoritete ishte shumë më i lartë në komunizëm.

Gjatë kohës që shkruanim librit tonë më të fundit, “Analiza e tronditjes:Pasojat sociale të revolucioneve të 1989-ës”, ne shqyrtuam mungesën e besimit tek publiku evropiano-lindor, duke përdorur të dhëna nga anketa e “Vlerave Botërore” dhe anketa e “Jetës në Tranzicion” të mundësuara nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Me pak përjashtime, anketa e “Vlerave Botërore” tregonte një rënie të vazhdueshme në vendet ish-komuniste të përqindjes së njerëzve, që pajtoheshin me thënien se “shumicës së njerëzve mund t’u besohet”.

Kjo rënie ishte më e dukshme në vendet që u prekën më shumë nga recesioni postkomunist, dhe nuk u kthye më kur pati rritje ekonomike. Ndërkohë, besimi i publikut vazhdonte të binte edhe më shumë. Në Bullgari, midis viteve 1995-1998, ndër vitet më të vështira tranzitore të recesionit, 23.7 për qind e të anketuarve kishin besim tek bashkëkombasit e tyre, krahasuar me vetëm 17.1 për qind në vitet 2017-2020.

LEXO EDHE:  Rithemelimi fillon me rrëzimin e ndryshimeve kushtetuese të 2008/ Patozi: Ja pse heshtin Rama, Meta e Basha

LEXO EDHE:  Vala e re goditëse e koronavirusit në Evropë/ Pse normat e vaksinimit do jenë thelbësore

Në Rumani, besimi mes qytetarëve ra nga 17.9 për qind, në 12.1 për qind po në atë periudhë. Edhe në rastet relativisht të suksesshme të Polonisë dhe Republikës Çeke, për të cilat anketa e “Vlerave Botërore” ka të dhëna më të plota, besimi ra gjatë tranzicionit postkomunist.



Në vitet 1989-92, 31.3 për qind e polakëve dhe 30.2 për qind e çekëve besonin se mund t’i besohej shumicës së njerëzve. Në vitet 2017-2020, kjo përqindje ishte dukshëm më e ulët -respektivisht 24.1 për qind, dhe 21.1 për qind.

Në mënyrë të dukshme, ndërsa besimi social ra në Evropën Lindore midis viteve 1991-2007, ai pësoi rritje në Evropën Perëndimore. Në vitin 2006, BERZH kreu anketën e saj masive “Jeta në Tranzicion”, duke zhvilluar 1000 intervista ballë për ballë në 28 vendet postkomuniste.

Ajo zbuloi se ndërsa para vitit 1989, 2/3 e të anketuarve besonin se mund t’i besoje shumicës së njerëzve, 17 vjet më vonë vetëm rreth 1/3 ranë dakord se mund t’i besohej shumicës së njerëzve. Ky rezultat, ishte i konstant në të gjitha rajonet dhe vendet, ku shumica e të anketuarve nga të gjitha grupmoshat dhe kategoritë, ishin të mendimit se njerëzit ishin “më të besueshëm” në periudhën e komunizmit.

Nuk ishte për t’u habitur që zhgënjimi i pësuar për shkak të pasojave të tranzicionit, e uli në mënyrë të ndjeshme besimin e përgjithshëm për institucionet publike (përfshirë qeverinë, parlamentin, gjykatat, ushtrinë dhe policinë) në të gjithë rajonin post-komunist duke nisur nga viti 1990 deri në vitin 2010.

Nga viti 1990 deri në vitin 2013, besimi tek institucionet politike në Evropën Qendrore dhe Lindore u përgjysmua. Duke analizuar këto të dhëna, Erik Berglöf, që në atë kohë ishte krye-ekonomist i BERZH, arriti në përfundimin se:“Është e rëndësishme të kihet parasysh se nuk duhet nënvlerësuar dëmi i shkaktuar gjatë atyre kohërave të vështira, jo vetëm në aspektin e mirëqenies materiale, por gjithashtu edhe në nivelet e përgjithshme të besimit dhe mirëqenies subjektive.”

Në fakt, të dhënat e sondazhit nxjerrin në pah një fakt jo shumë të njohur:recesionet postkomuniste, ishin më të këqijat në historinë moderne, edhe më të këqija se sa Depresioni i Madh. Por jo të gjitha vendet vuajtën njësoj.

Ndërsa një pjesë e madhe, veçanërisht vendet e Evropës Qendrore, e rimorën relativisht shpejt vetën, dhe patën progres në arritjen e normave të BE-së, shumë të tjerë pësuan humbje të paimagjinueshme.

Vendet postkomuniste me nivele mesatare të rritjes, u rikthyen në nivelet e prodhimit ekonomik të para vitit 1989 vetëm pas 17 vjetësh, duke ushqyer kështu një trashëgimi të thellë të mosbesimit, dhe ndjenjën e thellë të braktisjes së këtyre vendeve, që nën komunizëm kishin nxitur kulturën e ndihmës reciproke mes njëri-tjetrit.

Përvoja e Evropës Lindore me pandeminë, tregon se disa vende ende nuk e kanë rikuperuar humbjen e thellë të besimit të publikut që ka nisur pas vitit 1989. Shumë më përpara se të shpërthente kriza, këto vende ishin bërë një terren mjaft pjellor për fushatat dezinformuese -në shumicën e rasteve me origjinë ruse – që përpiqeshin ta kthenin opinioni publik kundër BE-së, Perëndimit dhe kundër ekspertëve të suksesshëm në vendet e tyre.

Shkalla e lartë e mosbesimit ndaj vaksinave që mbizotëronte në rajon, si dhe shkalla në rritje e fataliteteve janë rezultat i dukshëm i këtij mosbesimi – një rezultat ky që nuk pasqyron dekadat e sundimit komunist, por më së shumti pasojat sociale që kanë zgjatur ndër dekada që prej kohës së rënies së tij.

Shënim:Kristen Ghodsee, profesore e Studimeve Ruse dhe të Evropës Lindore. Mitchell A. Orenstein, profesor i Studimeve Ruse dhe Evropës Lindore dhe Shkencave Politike në Universitetin e Pensilvanisë.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al

https://www.project-syndicate.org/commentary/explaining-low-vaccination-rates-in-eastern-europe-by-kristen-ghodsee-and-mitchell-a-orenstein-2021-11

LEXO TE PLOTE

Blog

Ngjarjet dramatike në kufijtë e Evropës/ Më e keqja nuk ka mbërritur ende

Publikuar

-

Nga

cna news, cna lajme, lajme cna, lajme flash cna, cna.al, cna lajme politike,

Nga Daniel Trilling “The Guardian”

Është diçka shumë e keqe kur shtetet i thyejnë rregullat e tyre dhe i keqtrajtojnë njerëzit. Por ne duhet të shqetësohemi kur ata fillojnë që t’i ndryshojnë ato. Tre histori të kohëve të fundit, nga 3 zona të ndryshme të Evropës, sugjerojnë se qeveritë po kalojnë në një prag të ri të dhunës sa i përket mënyrës se si i kontrollojnë kufijtë e tyre.

Këto zhvillime janë të dëmshme në vetvete, por ato vendosin gjithashtu një precedent shqetësues në lidhje me mënyrën sesi vendet në pjesët e pasura të botës mund të përballen me zhvendosjet e ardhshme të njerëzve, jo vetëm nga lufta dhe persekutimi, por edhe nga kriza klimatike.

Në Britaninë e Madhe, Ministria e Brendshme është përpjekur në heshtje që ta ndryshojë ligjin e saj drakonian të kombësisë dhe kufijve, aktualisht në fazën e komisioneve parlamentare, duke miratuar një dispozitë që i jep stafit të Forcave Kufitare imunitet nga ndjekja penale edhe nëse nuk arrijnë që të shpëtojnë jetën e emigrantëve në det.

Ministrja Priti Patel, pretendon se kjo është një masë në thelb dashamirëse:nëse gomonet me refugjatë në Kanal përmbysen, kjo tragjedi do t’i ndalojë njerëzit e tjerë që të tentojnë udhëtimin e rrezikshëm. Në fakt, kjo qasje minon një parim kyç të së drejtës ndërkombëtare detare, që e bën të detyrueshëm shpëtimin e njerëzve në gjendje kritike për jetën.

Në Poloni, qeveria sapo ka miratuar një ligj të emergjencës, që i lejon autoritetet të kthejnë mbrapsht refugjatët që hyjnë “ilegalisht” në këtë vend. Ky është zhvillimi i fundit në një krizë të fortë diplomatike të Polonisë me Bjellorusinë, e cila ka inkurajuar me cinizëm refugjatë nga Iraku, Irani dhe pjesë të Afrikës që të kalojnë në BE, si një kundërpërgjigje ndaj sanksioneve të vendosura ndaj saj nga Brukseli që në fillim të këtij viti.

Reagimi i ashpër i Polonisë ka lënë shumë njerëz të bllokuar në tokën e askujt midis dy vendeve. Me fillimin e dimrit organizatat humanitare paralajmërojnë për një krizë humanitare të afërt. Të paktën 8 persona kanë vdekur ditët e fundit, kryesisht nga hipotermia.

Në Evropën Juglindore, një ekip ndërkombëtar gazetarësh investigativë kanë zbuluar se Kroacia dhe Greqia po përdorin një “ushtri hije”, pra njësi që mbajnë veshur rroba civile por që janë të lidhura me forcat e rregullta të sigurisë të atyre vendeve, për t’i detyruar emigrantët të rikthehen mbrapsht.

Në Kroaci, këto njësi janë filmuar duke rrahur njerëz me shkopinj në kufi me Bosnjën.

Në Greqi, ato akuzohen për përgjimin e varkave që udhëtojnë nëpër Detin Egje dhe për  tërheqjen e gomones me refugjatë deri në ujërat turke. (Kroacia ka premtuar të hetojë raportet mbi këto abuzime, ndërsa Greqia e mohon këtë praktikë).

Po aq tronditës sa vetë pretendimet është fakti se zbulimet janë pritur kryesisht me një lloj indiferentizmi nga zyrtarët e BE-së, financimi i të cilëve ndihmon mbrojtjen kufitare në të dyja këto vende anëtare të unionit. 12 shtete anëtare po kërkojnë madje që BE-ja të rishikojë rregullat e saj në mënyrë që të mund të financojë “masa të mëtejshme parandaluese”, duke përfshirë muret dhe gardhet, në kufijtë e saj të jashtëm.

Të gjitha këto histori të marra së bashku tregojnë se largimi me forcë i emigrantëve nga territori i një vendi, edhe nëse i vendos këta të fundit në rrezik apo e shkel të drejtën e tyre për azil, po bëhet një praktikë e rrënjosur. Dikur diçka që ndodhte kryesisht në hije, po bëhet një praktikë gjithnjë e më hapur, me disa qeveri që përpiqen të gjejnë mënyrat për ta bërë të ligjshme këtë praktikë.



Propozimi i Mbretërisë së Bashkuar është kritikuar ashpër nga agjencia e OKB-së për refugjatët UNHCR, përfaqësuesi i së cilës tha se ai do të rrezikonte “në mënyrë të pashmangshme “jetët e emigrantëve”.

Dhe ky nuk është vetëm një problem sot për sot: është një provë e qartë e qasjes mizore se si qeveritë tona ka të ngjarë të përballen me efektet e krizës klimatike në vitet në vijim. Parashikimet mbi shtimin e migrimit për shkak të ndryshimeve të klimës, janë shumë të paqarta dhe të prirura për hiperbola.

LEXO EDHE:  Rithemelimi fillon me rrëzimin e ndryshimeve kushtetuese të 2008/ Patozi: Ja pse heshtin Rama, Meta e Basha

LEXO EDHE:  Vala e re goditëse e koronavirusit në Evropë/ Pse normat e vaksinimit do jenë thelbësore

Por një raport i ri nga Banka Botërore,thotë se 216 milionë njerëz mund të zhvendosen brenda vendeve të tyre për shkak të mungesës së ujit, shkatërrimit të të korrave dhe rritjes së nivelit të detit deri në vitin 2050. Edhe më shumë të tjerë mund t`u shtohen atyre,nëse do të përballen me perspektiva të dobëta ekonomike apo konflikte dhe paqëndrueshmëri në vendet e tyre.

Mjerisht, shumë nga politikanët tanë janë të prirur që ta shohin zhvendosjen si një kërcënim ndaj civilizimit të tyre. Kjo ishte edhe logjika e komenteve të Boris Johnson përpara nisjes së samiti të klimës në Gllasgou, kur ai pretendoi në mënyrë të gabuar se “emigrimi i pakontrolluar”, ishte përgjegjës për rënien e Perandorisë Romake, dhe se një fat i ngjashëm e pret sot botën.

Sipas kësaj narrative, një fatkeqësi mjedisore që na prek të gjithëve, shndërrohet në një çështje se si të pasurit dhe të fuqishmit mund të ruajnë privilegjet e tyre. Pjesët më të pasura të botës, kanë nisur tashmë që t’i militarizojnë kufijtë e tyre, një proces që është përshpejtuar në përgjigje të lëvizjeve të refugjatëve gjatë dekadës së fundit.

Në këtë fushatë, ato po mbështeten nga një industri në rritje e sigurisë kufitare. Një raport i fundit nga Instituti Transnacional, paralajmëron mbi atë që ai e quan “kompleksi kufitar-industrial”, një industri shumë miliarda dollarëshe në rritje, që varion nga infrastruktura e sigurisë deri te biometria dhe Inteligjenca Artificiale.

Vetëm tregu global i mureve me tela me gjemba dhe i mbikëqyrjes, parashikohet të ketë një kosto 65-68 miliardë dollarë deri në vitin 2025. Por kjo është një lloj sigurie false. Kontrolli kufitar kufizues dhe i dhunshëm, vetëm sa i bën më autoritare shoqëritë që i përdorin ato. Por nga ana tjetër ai nuk ndalon tërësisht lëvizjen e njerëzve.

Kjo qasje vetëm sa i detyron njerëzit të bëjnë udhëtime më të rrezikshme, duke i bërë ata akoma më shpesh objekt të reagimeve ksenofobike. Vendet ose rajonet që shihen si të dëshpëruara për t’i mbajtur jashtë emigrantët, shndërrohen në objektiva për fqinjët e paskrupullt që duan ta përdorin këtë çështje për të ushtruar presion politik.

Dhe rezultati përfundimtar, siç po vazhdojmë ta shohim në kufijtë e Evropës, është një shpërfillje e pashpirt ndaj jetës së njeriut. Në vend të kësaj ajo që kërkohet,përtej veprimeve për të reduktuar emetimet në atmosferë, është një plan për t’i ndihmuar njerëzit të përshtaten me rrethanat në ndryshim të mënyrës së jetesës, reduktim të pabarazisë globale, së bashku me politikat e migracionit që njohin realitetin e situatës së këtyre njerëzve.

Vitin e kaluar, komiteti i OKB-së për të drejtat e njeriut, vendosi që qeveritë nuk duhet t’i kthejnë mbrapsht njerëzit që vijnë nga vendet ku siguria e tyre do të kërcënohej direkt nga emergjenca e klimës. E megjithatë aktualisht nuk ka një kornizë të duhur ligjore për mbrojtjen e njerëzve të zhvendosur për arsye mjedisore.

Një studim i ri në SHBA i porositur nga administrata Bajden, rekomandon ligje të reja për të mbrojtur emigrantët e klimës, por ai është i kursyer në detaje. Vitet e ardhshme ka të ngjarë të shënojnë një pikë kthese sa i përket mënyrës se si qeveritë tona do të reagojnë ndaj zhvendosjes së njerëzve.

Ose ata duhet të punojnë bashkë për të ndërtuar një sistem që mbron jetën dhe dinjitetin e njerëzve, dhe që mund t’i përshtatet realitetit në ndryshim të shekullit XXI-të, ose kufijtë e tyre do të vazhdojnë të forcohen, me një kosto njerëzore shumë të madhe. Në rast se duam të shmangim këtë të fundit, atëherë tani është koha e duhur për të sfiduar logjikën e dhunshme të dëbimit, përpara se ajo të shkruhet në ligjet tona./ Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE