Connect with Us

Fryma ndëshkuese e zgjedhjeve lokale në Kosovë

Kosova & Rajoni

Fryma ndëshkuese e zgjedhjeve lokale në Kosovë

Publikuar

-

/

Rezultati i zgjedhjeve të fundit lokale në Kosovë, reflekton frymën e ndëshkimit të partive përmes votës së qytetarëve, por edhe të vlerësimit të kandidatëve në mënyrë individuale nëpër komunat e caktuara, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike, Donika Emini dhe Agon Maliqi.

Partitë opozitare të nivelit qendror, në zgjedhjet lokale të fundit në Kosovë, shënuan fitore përballë Lëvizjes Vetëvendosje, e cila udhëheq me pushtetin qendror, të cilin e kishte fituar në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit me mbi 50 për qind të votave.

Fitueset kryesore të zgjedhjeve lokale janë, Partia Demokratike e Kosovës, në nëntë komuna dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, në shtatë komuna. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar në pesë komuna. Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka pushtetin në nivelin qendror, ka arritur fitoren në katër komuna.

Rezultatet e këtyre zgjedhjeve, sipas tyre Eminit dhe Maliqit, janë reflektim i qytetarëve përballë partive politike në përgjithësi, por edhe reflektim i partive politike opozitare, të cilat kishin marrë mesazhin e qytetarëve në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, kur vota e tyre i dërgoi ato në opozitë.

Emini: Disfata e Vetëvendosjes për mungesë të kapaciteteve

Donika Emini, drejtore ekzekutive në platformën CiviKos, thotë për Radion Evropa e Lirë se humbësja më e madhe në këto zgjedhje është Lëvizja Vetëvendosje, e cila nuk arriti të fitojë në qytetet më të mëdha të Kosovës, përveç në Gjilan, pavarësisht se rezultati i rivalëve të saj ishte mjaft i ngushtë në komunat si Prishtina dhe Prizreni.

“Humbja e këtyre të dyjave (Prishtinës dhe Prizrenit) është disfatë jo vetëm në aspektin strategjik, por edhe me faktin që pikërisht këto dy komuna janë ato me të cilat Lëvizja Vetëvendosje ka qeverisur. Do të thotë, në Prishtinë ka qenë për një mandat e gjysmë, ndërkaq në Prizren ka qenë për dy mandate. Kështu që në këto të dyja, tregon edhe pse ka pasur ndryshim të qeverisjes lokale, ka pasur një humbje të shpresës së qytetarëve dhe kthim të rezultatit, gjë që tregon një disfatë të Vetëvendosjes dhe një mungesë të kapacitetit që të ketë rrëfim suksesi në nivel lokal”, tha Emini.

Fituesit dhe humbësit e zgjedhjeve lokale

Ajo shtoi se në nivelin qendror, Lëvizja Vetëvendosje është ende relativisht e fortë si partia e parë, por jo edhe në nivelin lokal.

Maliqi: Fitore e opozitës dhe ndëshkim ndaj Vetëvendosjes

Njohësi i çështjeve politike, Agon Maliqi, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, thekson që zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë, shënuan rikthimin e partive opozitare të nivelit qendror, në qytetet më të mëdha të vendit, sikurse në Prishtinë dhe Prizren. Por, gjithashtu, sipas tij, votuesit treguan se më shumë i vlerësojnë kandidatët si personalitete sesa partitë politike, siç ishte rasti në Gjilan, ku fitoi kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje përballë të atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Zgjedhjet e fundit lokale, sipas Maliqit, reflektojnë një gjykim pozitiv të elektoratit për ndryshimet që kanë ndodhur brenda partive politike opozitare dhe në të njëjtën kohë edhe për kandidatët e atyre partive. Por, siç thotë ai, këto zgjedhje reflektuan edhe frymën ndëshkuese të elektoratit ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, si dhe thirrje ndaj saj për reflektim sa i përket pushtetit qendror.

“E kemi një rikthim të skenës politike, në shtrirje të përqindjeve dhe në shtrirje gjeografike, diku te viti 2017. Vetëvendosje, të paktën në nivel të zgjedhjeve lokale, u kthye nga një parti me shtrirje nacionale në të kufizuar, pak a shumë në Anamoravë dhe në Llap, pra në lindje të Kosovës, në katër komuna krejtësisht. Është padyshim, fitorja e opozitës, ndëshkim për Vetëvendosjen, por edhe sinjal se çka pritet prej Vetëvendosjes dhe këtë e tregoi fitorja e saj në Gjilan”, tha Maliqi.

“Reflektimi i opozitës pas marrjes së mesazhit nga votuesit”

Njohësit e zhvillimeve politike, vlerësojnë se fitorja në zgjedhjet e fundit lokale e partive opozitare përballë Lëvizjes Vetëvendosje, ka shumë arsye.

LEXO EDHE:  Tayna apo Melinda?/ Ja kë zgjedh Capital T

Emini vlerëson që Lëvizja Vetëvendosje, ka pasur probleme me kandidatët për kryetarë të komunave, sepse duke qenë e vetme në qeverisje në qendrore, kapacitetet humane i kishte të kufizuara. Ndërkaq, sipas saj, mungesa e fuqisë së Partisë Demokratike të Kosovës në nivelin qendror, i hapi rrugën asaj që për kryetar të komunave t’i fusë në garë kandidatët më të mirë që ka, si dhe të shfrytëzojë votuesit e saj të shumtë, siç i quan ajo, klientë.

Lidhja Demokratike e Kosovës, siç thotë ajo, ka shënuar suksesin më të madh me fitoren e kandidatit të saj për kryetar të Prishtinës, ndonëse ai nuk është fare politikan, të paktën i karrierës, ndërkohë që fitoi edhe në gjashtë komuna të tjera, por humbi një nga qytetet e mëdha sikurse Gjilani, ku fitoi kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje.

Kush është Përparim Rama?

Sipas saj, zgjedhjet e fundit lokale treguan që asnjë kandidat i partive politike nuk kishte rehatinë, sepse, siç vlerëson ajo, votuesit janë emancipuar, sidomos për zgjedhjet në nivelin lokal, duke kërkuar projekte konkrete për të ardhmen dhe jo që zgjedhjet të fitohen duke u ankuar për të kaluarën. Kjo, siç thotë Emini, i bëri partitë politike, sidomos ato të opozitës, që paraprakisht të reflektojnë.

“Kështu që, kemi të bëjmë me vetëdijesimin e partive politike, reflektim të opozitës, marrjes së mesazhit të qartë për Vetëvendosjen që qytetari nuk është naiv dhe që nuk harron. Dhe normalisht që edhe partitë politike kanë filluar të reflektojnë, ndonëse kjo mund të jetë vetëm fasadë dhe mund të jetë vetëm për kandidatët dhe për zgjedhjet dhe jo domosdo e reflekton reformimin e thellë që këto parti duhet ta bëjnë së shpejti”, theksoi Emini.

“PDK dhe LDK po e kthejnë elektoratin”

Agon Maliqi thotë që megjithatë, Lëvizja Vetëvendosje nuk pati rezultat shumë të keq edhe në komunat e mëdha, sepse aty humbi me rezultat të ngushtë. Sipas tij, kjo tregon se kjo parti, ndryshe nga ato të opozitës, PDK-ja dhe LDK-ja, nuk kishte bashkëpunim me shumë partnerë.

Lëvizja Vetëvendosje, siç thotë ai, hyri në zgjedhje lokale me bindjen se ka 50 për qind të votuesve, por, një pjesë e madhe e votuesve të presidentes aktuale Vjosa Osmani, e cila në zgjedhjet parlamentare ishte në Listën e Vetëvendosjes, i janë kthyer Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku bënte pjesë dikur Osmani.

Ndërkaq, PDK-ja , siç thotë ai, në masë të madhe i ka strukturat e disiplinuara, ka narracionin e vet historik dhe votuesit besnikë. Maliqi thotë se PDK-ja ka bërë hapin e duhur me lidershipin, duke u hapur rrugën figurave të reja për prirjen e partisë.

“Mendoj që organizimi është fuqia e PDK-së, por edhe kandidatët e mirë. Ta zëmë, Bedri Hamza (Mitrovicë e Jugut) dhe Shaqir Totaj (Prizren) janë figura të respektuara në qytetet përkatëse. Kështu që një kombinim i këtyre faktorëve, tregon që ajo braktisja e PDK-së, por edhe e LDK-së, që ndodhi në zgjedhjet (parlamentare) të shkurtit, ishte më shumë rrethanore dhe ndëshkuese. PDK-ja dhe partitë (opozitare) kanë reflektuar dhe po e rikthejnë elektoratin”, theksoi Maliqi.

Partia Demokratike e Kosovës, sipas rezultatit të rundit të parë dhe rezultateve preliminare të balotazhit në 22 komuna, të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka arritur të fitojë në komunat: Prizren, Vushtrri, Dragash, Drenas, Kaçanik, Mitrovicë e Jugut, Ferizaj, Skenderaj dhe Hani i Elezit.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar në komunat: Prishtinë, Fushë Kosovë, Viti, Junik, Istog, Pejë dhe Lipjan.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka fituar në komunat; Gjakovë, Rahovec, Klinë, Deçan dhe Suharekë.

Vetëvendosje arriti të fitojë në Gjilan, Podujevë, Kamenicë dhe në Shtime.

Sipas rezultateve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), nga një komunë në këtë garë kanë fituar Nisma Socialdemokrate, partia turke KDTP, Lista Serbe dhe Iniciativa Qytetare për Obiliqin.

Lista Serbe ka fituar në dhjetë komunat e banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan, Graçanicë, Novobërdë, Shtërpcë, Ranillug, Partesh dhe Kllokot./rel

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Kosova & Rajoni

Erdogan dhe Vuçiç ndakortësohen për të ndërmjetësuar bisedimet për krizën në Bosnje

Publikuar

-

Nga

Pas vizitës që zhvilloi një ditë më parë në Tiranë, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan priti homologun serb, Aleksandër Vuçiç me të cilin u dakordësua për ndërmjetësimin e bisedimeve në Bosnje.

Në një konferencë shtyp me Vuçiç, Erdogan tha se serbët, kroatët dhe boshnjakët, duhet të përmbahen nga hapa që rrezikojnë integritetin territorial të Bosnjës dhe se të gjithë duhet të veprojnë me përgjegjësi.

“Pas zgjedhjeve të Serbisë, ne duam të bëjmë bashkë liderët e tri grupeve dhe të kemi takim me ta. Përmes këtij takimi, le të marrim hapa për të siguruar integritetin territorial të Bosnjës”, ka thënë ai

LEXO EDHE:  “Kush nuk njeh zgjedhjet është kundër demokracisë”/ Manjani “shuplakë” opozitës

LEXO EDHE:  Nga Mentor Kikia/ “Doktorët” e demokracisë fillojnë ti bëjnë analizat PD-së



Sipas Europa e Lirë, Kriza në Bosnje është përshkallëzuar pasi ligjvënësit nacionalistë serbë kanë miratuar një mocion vitin e kaluar për t’u larguar nga forcat e armatosura të shtetit, sistemi i taksave dhe fusha e gjyqësorit, hap që është mbështetur nga anëtari serb i presidencës trepalëshe të Bosnjës, Milorad Dodik.

Turqia, e ka cilësuar këtë vendim si të gabuar dhe të rrezikshëm dhe ka ofruar mundësinë e ndërmjetësimit të krizës, e cila ka rritur shqetësimet për konflikt etnik në Bosnje-Hercegovinë.

LEXO TE PLOTE

Kosova & Rajoni

Situata e pandemisë/ Rreth 400 fëmijë e të rinj të infektuar me Covid në dy ditë

Publikuar

-

Nga

Në dy ditët e fundit në Kosovë, 27 për qind e të infektuarve me koronavirus kanë qenë fëmijë dhe të rinj të moshës 0-19 vjeç.

Nga shifra totale e të infektuarve më 17 dhe 18 janar – që ka qenë 1,448 – 65 kanë qenë fëmijë të moshës 0-9 vjeç, ndërsa 317 fëmijë dhe të rinj të moshës 10-19 vjeç.

Brikena Hoxha është nënë e dy fëmijëve që u infektuan rreth dy javë më parë.

Njëri 6 muajsh dhe tjetri 8 vjeç shfaqën fillimisht simptoma të lehta të sëmundjes: temperaturë dhe jorehati.

Brikena thotë se trajtimin për ta e kërkuan në Klinikën e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë, pasi ordinancat private nuk i pranuan, me arsyetimin se “nuk kishin terminë të lirë”.

“Aty kanë qenë dy mjekë, të cilët e kanë kontrolluar djalin e madh dhe më kanë thënë se po dëgjojnë një zhurmë në mushkëri. Vetëm kaq, jo më shumë”.

“Pastaj, e kemi dërguar në një laborator privat dhe i kemi bërë rëntgen [incizim], ku ka rezultuar se djali i madh ka fituar broncho-pneumoni në mushkëri”, rrëfen Brikena.

Foshnja e saj e ka kaluar infektimin me simptoma të lehta, ndërsa 8-vjeçari është trajtuar me antibiotikë në shtëpi.

Brikena thotë se nuk ka ide se ku mund të jenë infektuar – ajo, babai i fëmijëve dhe dadoja që kujdeset për ta, kanë qenë negativë.

Fëmijët tani e kanë rimarrë veten, por Brikena kujton stresin e përjetuar:

“Frika që ka nxitur COVID-19 [sëmundja që e shkakton koronavirusi] ka bërë që tepër vështirë ta përballojmë situatën”.

“Nëse do të jetonim në një periudhë të zakonshme, për simptomat që i kanë shfaqur fëmijët fillimisht, ndoshta nuk do t’i dërgonim fare te mjeku. Por, fakti që e kemi ditur se është COVID-19…”, rrëfen Brikena.

Kosova regjistron një viktimë dhe 720 raste me koronavirus

Numri i rasteve të reja me koronavirus në Kosovë ka parë rritje në janar. Në krahasim me pjesën më të madhe të dhjetorit, kur numrat e të infektuarve kanë qenë njëshifrorë, këtë muaj ka pasur ditë me mbi 700 raste të reja të të infektuarve.

Sipas autoriteteve shëndetësore, varianti Omicron i koronavirusit duket se ka marrë hov.

Ky variant është identifikuar për herë të parë në Afrikë të Jugut, në muajin nëntor, dhe që atëherë është përhapur në qindra vende të botës, duke u bërë dominues në disa.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka shpallur atë variant shqetësues, duke konstatuar se përhapet më shpejt.

Pse ende duhet të tentoni t’i shmangeni Omicronit?

Që nga shpërthimi i pandemisë, në mars të vitit 2020, fëmijët kanë pasur shumë më pak gjasa se të rriturit që të sëmuren rëndë nga koronavirusi.

Por, në SHBA dhe Mbretëri të Bashkuar, autoritetet shëndetësore thonë se varianti Omicron ka shkaktuar shifra rekorde të fëmijëve të hospitalizuar.

LEXO EDHE:  Situata pandemike në Kosovë/ Ja sa persona kanë rezultuar pozitivë

LEXO EDHE:  Tayna apo Melinda?/ Ja kë zgjedh Capital T



Sipas mjekëve, këtë gjendje e ka shkaktuar përhapja e shpejtë dhe jo ashpërsimi i infeksionit.

Katër fëmijë të shtrirë në spital

Në Kosovë, autoritetet shëndetësore thonë se, brenda një dite, deri në 15 fëmijë të prekur me koronavrius kërkojnë mjekim në Klinikën e Pediatrisë në Prishtinë.

Drejtoresha e kësaj klinike, Violeta Grajçevci, thotë për Radion Evropa e Lirë se gjendja klinike e tyre është kryesisht e lehtë dhe se ata lirohen për trajtim në shtëpi.

Aktualisht, katër fëmijë me gjendje më të rëndë të sëmundjes janë të shtrirë në spital.

Ata u takojnë moshave nga 1 deri në 12 vjeç.

Klinika e Pediatrisë në Prishtinë (fotografi arkivi).

Simptomat që manifestojnë fëmijët e prekur me koronavirus, sipas mjekëve, janë të lehta: temperaturë, kollë dhe rrjedhje hundësh. Trajtimi i tyre kryesisht bëhet me ilaçe për zbritje të temperaturës, shurupe për kollitje, lëngje, pemë, perime dhe vitamina.

“Në rastet kur fëmija ka simptoma më të rënda të sëmundjes, bëhen analiza laboratorike dhe shikohet situata e tyre. Pastaj, varësisht nga gjendja klinike dhe analizat laboratorike, përshkruhet terapia”, thotë Grajçevci.

Ajo thekson se numri i fëmijëve me koronavirus është rritur ditëve të fundit, pasi që, javë më parë, thotë se nuk ka pasur asnjë rast nga fëmijët që ka kërkuar mjekim.

Kjo situatë ka bërë që disa shkolla fillore në Kosovë apo klasa të shkollave të kalojnë këtë javë në mësim online.

Një prej tyre është shkolla fillore “Ismail Qemali” në Prishtinë.

Drejtoresha Mimoza Krasniqi thotë për Radion Evropa e Lirë se shkolla ka kaluar online pas infektimit me koronavirus të nëntë arsimtarëve dhe mbi 50 nxënësve.

Rritja e rasteve çon një shkollë në Prishtinë në mësim online

Beiqi: COVID-19 në drejtim të një gripi sezonal

Pediatri Ramush Beiqi, i cili punon në Klinikën e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, thotë se pasqyra klinike e fëmijëve me COVID-19 është e lehtë dhe, në bazë të simptomave, “po shkon në drejtimin e një infeksioni viral, apo gripi sezonal”.

“Pasqyra klinike e fëmijëve të prekur me COVID-19 është plotësisht e ngjashme me gripin sezonal që kishim në muajt nëntor dhe dhjetor. Numri i fëmijëve të prekur me COVID-19 mund të jetë edhe më i madh sesa i atyre që janë detektuar”, thotë ai.

Beiqi u sugjeron prindërve që ta marrin me qetësi infektimin e fëmijëve dhe t’i izolojnë për 10 ditë.

Shpërndarja e barabartë e vaksinave “duhet t’i japë fund pandemisë”

Në Kosovë, vaksinimi kundër koronavirusit ka nisur në mars të vitit të kaluar dhe, deri më tash, janë vaksinuar plotësisht mbi 44 për qind e qytetarëve.

Të drejtë vaksinimi kanë të gjithë personat mbi 12 vjeç.

Radio Evropa e Lirë ka kërkuar të dhëna nga Ministria e Shëndetësisë për numrin e fëmijëve të vaksinuar, por deri në publikimin e këtij teksti nuk ka marrë përgjigje./rel

LEXO TE PLOTE

Kosova & Rajoni

Arrihet marrëveshja/ Bullgaria nuk do ta kontestojë emrin “Maqedoni e Veriut”

Publikuar

-

Nga

cna news, cna lajme, lajme cna, lajme flash cna, cna.al, cna lajme politike,

Kryeministri i ri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski deklaroi sot se me homologun e tij bullgar kanë arritur marrëveshje që Bullgaria të mos kontestojë emrin e shkurtër “Maqedoni e Veriut”, raporton Alsat.

“Sot arritëm pajtueshmëri se po hymë në një dinamikë të intensifikuar me qellim të zgjidhjes së çështje të hapura. Me zotin Petkov arritëm marrëveshje që Bullgaria të shfrytëzoj ermin e shkurtër Maqedonia Veriore, njësoj sikurse edhe emrin e gjatë Republika e Maqedonisë së Veriut. Kjo nënkupton se Bullgaria nuk do ta pengoj emrin e shkurtër në ndonjë proces bilateral, dhe për këtë ka njoftuar Kombet e Bashkuara”, tha Kovaçevski.

Kreu i qeverisë që mori dje votëbesimin në Parlament thekson se kjo paraqet një kapitull të ri për të ardhmen e vendit.

LEXO EDHE:  “Basha të japë dorëheqjen”/ Arian Çani: Ja personi që duhet ta zëvendësojë

LEXO EDHE:  Nga Mentor Kikia/ “Doktorët” e demokracisë fillojnë ti bëjnë analizat PD-së



“Kemi një qëllim që të krijojmë të ardhme më të mirë për qytetarët tanë. Kjo vizitë përkon me 30 vjetorin e njohjes së vendit tonë me emrin zyrtar nga ana e Bulgarisë”, tha Kovaçevski duke paralajmëruar njëherit dhe mbledhjen e dy qeverive e cila do të realizohet më 25 janar.

“Më 25 janar mbledhje e përbashkët mes dy qeverive, do të formohen grupe pune që do të punojnë në projekte konkrete dhe në ndërtimin e raporteve më të mira për një të ardhme më të mirë. Presim që së shpejti të realizohen iniciativat të cilat i ka paralajmëruar vetë Petkovi”, tha Kovaçevski.

LEXO TE PLOTE