LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

30 vjet RENEA/ Çuçi: Kurorën e lavdisë e keni fituar me sakrifica

12 Nëntor 2021, 10:51, Aktualitet CNA
30 vjet RENEA/ Çuçi: Kurorën e lavdisë e keni fituar me

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka dhënë mesazhin e tij për 30-vjetorin e themelimit të RENEA-s.

Në fjalën e tij, ministri theksoi se këto tre dekada ishin të mbushura me sukses të arritur përmes punësdhe sakrificës së njerëzve.

Çuçi shprehet se kurorën e lavdisë, RENEA e ka fituar përmes sakrificash të pafundme, me jetë të humbura e të plagosur nga radhët e saj, në betejat pa kompromis me krimin.

Ministri e ka quajtur RENEA-n ?elitë? jo vetëm sa i përket përgatitjes profesionale, efikasitetit në aksione apo rezultateve të arritura, por edhe sa i përket pastërtisë së figurës morale në raport me fenomenet rrënuese të korrupsionit, favorizimeve të ndryshme apo në rastin më të keq, bashkëpunimit më krimin.

Fjala e plotë e ministrit Çuçi:

Kanë kaluar plot tre dekada, të mbushura me suksese të jashtëzakonshme, e të arritura përmes punës dhe sakrificës së njerëzve si ju, në dukje të zakonshëm, por edhe me mësime të vyera për të ardhmen, qëkur, më 12 nëntor 1991, kjo njësi u pagëzua me emrin RENEA. Që prej atij nëntori të largët, ky emër ka bashkëshoqëruar çdo aksion të bujshëm, të rrezikshëm, e njëherësh të suksesshëm të Policisë së Shtetit.

Sot, kjo njësi është ?elita? e trupës së Policisë së Shtetit, e ky titull glorifikues, nuk i është dhënë as përmes një procedure të mistershme, e as përmes një akti burokratik. Kurorën e lavdisë, RENEA e ka fituar përmes sakrificash të pafundme, me jetë të humbura e të plagosur nga radhët e saj, në betejat pa kompromis me krimin!

 E ka fituar me djersë në stërvitje të përditshme, me stërmundime fizike gjatë aksioneve në terrene të vështira, në përballje jo vetëm me krimin, por edhe me forcat e natyrës, me privacione të panumërta, larg syrit të publikut, përgjatë tri dekadash! Gjatë rrugëtimit të vet në këto 30 vite, ky repart ka pësuar ndryshime të rëndësishme, për të arritur në modelin që kemi sot. Por kjo rrugë nuk ka qenë aspak e lehtë.

Që nga krijimi i saj, kjo njësi ka organizuar dhe zgjidhur me sukses plot 2,827 operacione me rrezikshmëri të lartë, mesatarisht 94 operacione në vit, ose afërsisht 1 operacion çdo 4 ditë. Janë operacione, në të cilat rreziku i humbjes së jetës është i pranishëm gjatë gjithë kohës. Është fakt i njohur se RENEA ka shpëtuar dhjetëra jetë njerëzore në operacione me shkallë të lartë vështirësie, ashtu sikurse në raste fatkeqësish natyrore, zjarre e aksidente të ndryshme. Detyrat që kryen kjo njësi elitë e Policisë së Shtetit, kapin një fushë të gjerë që nis nga çlirimi dhe shpëtimi i pengjeve, te kapja dhe neutralizimi i grupeve të armatosura me rrezikshmëri të lartë shoqërore e deri te dhënia e ndihmës në rastet e emergjencave civile.

Ka pasur disa operacione, ku ekspertët zhytës të RENEAs kanë gjetur trupat e shtetasve të mbytur në lumenj të rrëmbyer, që kishin dalë nga shtrati apo raste të ngjashme. Këto janë akte tejet të guximshme, pasi përballja me forcat e natyrës tregon një nivel mjaft të lartë përgatitjeje, por edhe një përkushtim tejet të lartë njerëzor.

 Më trishton sigurisht fakti që, nga radhët e RENEA-s kanë humbur jetën në përballje me krimin, 5 djem të shkëlqyer, oficerë shembullorë, të cilët sot prehen në varrezat e dëshmorëve. Emrat e tyre sot janë përjetësuar jo vetëm në memorien e secilit prej nesh, por edhe në ?Murin e kujtesës?. I fundmi në radhë nga këta emra të spikatur të RENEA-s, është ai i Ibrahim Bashës, që humbi jetën në Lazarat, në përballje me trafikantët e kanabisit, që kishin krijuar një shtet brenda shtetit, që e zhbëmë përfundimisht. I përjetshëm qoftë kujtimi i dëshmorëve të Policisë së Shtetit!

 Gjatë jetës sime, kam mësuar se njerëzit mund të harrojnë se çfarë është thënë apo çfarë është bërë, por ata nuk do të harrojnë asnjëherë se si i keni bërë të ndihen. Sot, jo vetëm Policia e Shtetit në përgjithësi, por forcat RENEA në veçanti kanë bërë që qytetarët e këtij vendi, dhe të gjithë ne, të ndihemi më të sigurt dhe komod në shtëpitë, rrugët dhe punët tona. 

 Puna juaj e jashtëzakonshme, ka krijuar stabilitetin që ne ndjejmë dhe perceptojmë çdo ditë, e që shërben si garanci për rendin dhe sigurinë tonë kombëtare. Sot ne ndihemi krenarë që në radhët e Policisë së Shtetit, kemi oficerë kaq të përgatitur, që vlerësohen jo vetëm nga kolegët e të njëjtës organizatë, por edhe nga ekspertët e fushës nga vendet mike. Me përgatitjen tuaj të lartë, taktikat që ju keni përvetësuar dhe standardet që keni përdorur, ju keni shkëlqyer edhe ndaj forcave speciale homologe të vendeve partnere.

 RENEA është ?elitë? jo vetëm sa i përket përgatitjes profesionale, efikasitetit në aksione apo rezultateve të arritura, por edhe sa i përket pastërtisë së figurës morale në raport me fenomenet rrënuese të korrupsionit, favorizimeve të ndryshme apo në rastin më të keq, bashkëpunimit më krimin.

 Standardi i lartë moral e profesional është njëkohësisht një shfaqje e qartë e dimensionit qytetar e patriotik dhe e rrezatimit vezëllues të djemve dhe vajzave të kësaj njësie. Nga ana tjetër, asnjë situatë e thjeshtë në dukje, apo komplekse, nuk mund të zgjidhej pa frymën dhe shpirtin e skuadrës, të cilën ju e keni krijuar, jo vetëm përmes cilësive tuaja profesionale, por mbi të gjitha përmes besimit të pakushtëzuar te njëri-tjetri.

 Unë jam i vetëdijshëm për të gjithë kontributin tuaj, siç jam në dijeni edhe për ngarkesën e madhe psikologjike dhe stresin gjatë punëve pa orar, natë e ditë, apo edhe për privacionet në jetën e përditshme, që ju duhet të përballoni. Ne si qeveri, kemi treguar një vëmendje e kujdes të veçantë e të vazhdueshëm për RENEA-n, duke përmirësuar kuadrin ligjor dhe trajtimin financiar, e pa diskutim, edhe duke modernizuar, rinovuar e forcuar bazën materiale, pajisjet dhe mjetet logjistike, për ta ngritur atë në nivelet e forcave homologe të vendeve të Bashkimit Evropian.

Në buxhetin e vitit 2022, kemi parashikuar investime dhe fonde shtesë për policinë, posaçërisht për forcat speciale, përfshirë dhe RENEA-n, për blerjen e teknologjive moderne dhe mjeteve të sofistikuara si dronët inteligjentë, kamera e radarë, si dhe çdo pajisje tjetër që do të lehtësojë punën tuaj.

 Sot, RENEA është akomoduar në ambiente të reja, të projektuara dhe ndërtuar enkas për një trupë të tillë elitare. Ambientet e qëndrimit, stërvitjes, programet e përgatitjes komplete etj., janë konceptuar dhe hartuar me asistencën teknike të specialistëve më të mirë gjermanë te Forcave Speciale GSG-9, si dhe të homologëve të ndryshëm të forcave speciale nga shumë vende partnere.

  Trajnimet e përbashkëta me disa nga njësitë e specializuara perëndimore, ndër më të mirat në botë, kanë rritur kapacitetet profesionale të secilit, duke shërbyer si një përvojë e çmuar, për të përballuar më së miri situatat në terren. RENEA gjithashtu është e pajisur me armatim modern dhe pajisje bashkëkohore, të cilat rrisin sigurinë e efektivëve, në zgjidhjen me sukses të operacioneve me rrezikshmëri të lartë shoqërore, në terren.

 Mbështetja financiare dhe investimet në pajisje dhe teknologji moderne, do të shtohen vit pas viti në këtë mandat 4-vjeçar, por edhe më tej si pjesë e vizionit tonë Shqipëria e Sigurtë – 2030, për të transformuar Policinë e Shtetit dhe Forcat e saj Speciale në shëmbëlltyrën e modeleve më të mira të forcave policore të vendeve të Bashkimit Evropian.

Në mbyllje, me rastin e këtij përvjetori, dëshiroj të siguroj çdo oficer të RENEA-s, e njëherësh çdo punonjës të organizatës së madhe të Policisë së Shtetit, për mbështetjen time dhe të kësaj qeverie në çdo përpjekje dhe betejë në përballje me krimin dhe fenomenet e tjera të paligjshme.

 Ndaj, duke qenë përherë me mendje dhe zemër pranë jush, dëshiroj t?ju inkurajoj që të vazhdoni edhe më tej në realizimin e objektivave të punës suaj, me devotshmëri të lartë, profesionalizëm dhe sakrificë, për të kontribuar në krijimin e një të ardhme më të sigurt  për fëmijët, familjet dhe vendin tonë.

Lajmet e fundit nga