Connect with Us

Nga Andi Bushati/ Mallkimi i politikanëve që u thonë “yes” ndërkombëtarëve

Opinione

Nga Andi Bushati/ Mallkimi i politikanëve që u thonë “yes” ndërkombëtarëve

Publikuar

-

/

Pak ditë më parë, një politikan i lartë i LDK në Prishtinë, Arben Gashi, bëri një deklaratë sa të sinqertë po aq edhe të pështirë gjatë një debati televiziv. Kreu i grupit parlamentar të rugovistëve tregoi se partia e tij, atëherë pjesë e koalicionit me Vetëvendosjen, kishte marrë ultimatum nga diplomati kaubojs Rik Grenell, i dërguari special i Trump, për të rrëzuar qeverinë e Albin Kurtit.

Në një rrëfim, që nxjerr në pah më mirë se gjithçka tjetër mendësinë prej lakejsh të shumë prej politikanëve shqiptarë, Gashi tregoi edhe detaje sesi Grenelli u bënte presion krerëve të LDK-së: edhe 5, 4, 3 ditë u kanë mbetur për të përmbysur një kabinet të zgjedhur me votë popullore.

Sesi përfundoi kjo aventurë e shëmtuar, tashmë dihet. Diplomati amerikan me anë të presionit dhe shantazhit e realizoi misionin e tij për të përdorur politikën kosovare në vartësi të interesave meskine elektorale të republikanëve, qeveria Kurti 1 u rrëzua, por personazhet që u shfaqën në foto përkrah Grenellit dhe që propaganduan slloganin “nuk i thuhet jo Amerikës”, dolën nga dera e vogël e skenës politike. Vetëvendosja u rikthye në pushtet me dyfishin e votave.

Pak a shumë në të njëjtën kohë kur në Prishtinë debatohej mbi plagën së cilës i hoqi koren Arben Gashi, në Shkup, një beniamin i ndërkombëtarëve, kryeministri Zoran Zaev, dha në mënyrë të papritur dorëheqjen. Partia e tij LSDM humbi thellë besimin popullor në zgjedhjet lokale në Maqedoni, ndonëse kishte përkrahjen e patundur të perendimorëve, madje pranoi të ndryshonte edhe emrin e shtetit e simbolet e tij, vetëm për të qënë e pranueshme për ta.

Ndonëse në dukje pa lidhje me njëra tjetrën, këto dy episode nuk mund të mos jenë prezente në sfondin e asaj që po ndodh në Tiranë. Që prej shpalljes non grata të Sali Berishës nga SHBA dhe vendimit të turpshëm dhe të paprecedent të diplomatëve amerikanë për t’u bërë pjesë e lojrave brenda partiake në Shqipëri, Lulzim Bashës po i rrëshqet toka nën këmbë. Foltorja po i rrëmben dita- ditës më shumë, krejt bazën e partisë, duke e kthyer liderin e veshur papritmas me flamurin amerikan, në një dordolec qesharak në duart e pushtetit dhe të ambasadores.

Ashtu si Isa Mustafa, Avdullah Hoti e Agim Veliu në Prishtinë, që u zhdukën nga skena, vetëm se u sollën si kukulla të Grenellit, ndoshta si Zaevi që pranoi t’i ndryshojë emrin e vendit (ndonëse kjo nismë e përkrahur nga ndërkombëtarët nuk u miratua dot në referendum popullor), kreu i PD-së duket se po pëson të njëjtin fat.

Këto raste fatale, sado larg njëra- tjetrës të ngjajnë në plan të parë, janë të varura tek një fill i vetëm: tek injorimi që këto personazhe i kanë bërë frymës së njerëzve që i kanë zgjedhur dhe mospërfilljes që kanë treguar ndaj atyre që i kanë besuar.

Krerët e curufiapsur të LDK-së, ndonëse kishin marrë mandat për çkapjen e shtetit dhe për rrëzimin nga froni të banditëve të klanit pronto, u rekën t’i zhbënin këto përgjegjësi duke luajtur bllofin me detyrimin që shqiptarët kishin ndaj aleatit të madh që i çliroi nga zgjedha serbe. Zoran Zaevi shkoi në absurd, aq sa u propagandoi qytetarëve të vet, që ndiheshin të friksuar për zhbërjen e identitetit kombëtar, trashigimisë dhe kulturës, se ato forcoheshin duke e bërë Maqedoninë pjesë të NATO-s dhe BE. Lulzim Basha ndonëse, kur u kërkoi votën për kryetar, nuk u tha demokratëve se kishte ndërmend të përjashtonte Berishën, sot u fshihet atyre pas hipokrizisë, se e ndërmori një akt të tillë, jo ngaqë beson se SHBA ka të drejtë, por sepse e di se, pa fuqinë e tyre, nuk mund të merret pushteti.

Në fakt të treja këto histori, nuk kanë të bëjnë thjeshtë me fatin personal të Bashës, Zaevit apo Avdullah Hotit. Ato shprehin shpesh një mentalitet që po hedh rrënjë në elitat e korruptuara të vendeve si këto tonat. Ato dëshmojnë shpërfilljen e vullnetit të njerëzve të zakonshëm nga kasta e politikanëve, teknicienëve dhe vendimmarrësve, të cilët rreken të zëvendësojnë legjitimitetin e humbur brenda vendit të tyre, me gjoja të qenit të preferuarit e ndërkombëtarëve.

Fatkeqësisht ky shtrembrim, sa anti demokratik aq edhe elitist, nuk është një virus që ka lindur në Ballkan. Atë e kemi eksportuar nga Europa, e cila për ditë e më shumë po ndërtohet mbi mitin e dorëzimit të pushtetit që rrjedh nga vota e qytetarëve drejt sundimit meritokratik prej një kaste të përzgjedhur ekspertësh dhe specialistësh. Shembullin më flagrant për këtë e përbën fakti se ndonëse kushtetuta europiane u hodh poshtë me referendum nga zgjedhësit në 2005, në vende si Franca dhe Hollanda, mjaftuan pak vite për të shmangur votuesit dhe për të miratuar të gjitha parimet e rrëzuara përmes traktatit të ri të Lisbonës. Ky lloj anashkalimi i vullnetit popullor nga një BE gjithnjë e më shumë nën ndikimin e politikave neo liberale dhe peng të ligjeve të tregut, ka ulur ndjeshëm legjitimitetin e klasës politike tradicionale dhe ka tkurrur fuqinë e saj në raport me lëvizjet radikale dhe populiste, gjithmone e më shumë në ekspansion.

Pra, konkluzioni është i njëjtë, si në Bruksel, Paris apo Hagë, si në rajonin tonë apo në Tiranë: fati i politikanëve që zgjedhin të shpërfillin vullnetin e zgjedhësve të tyre, duke e transferuar atë në super struktura të pavotuara, do të jetë i keq. Herët apo vonë.

Përfundimet e këtyre eksperiencave nuk mund të na lënë të pandjeshëm edhe ne shqiptarëve, në kohën që në arenën tonë të brendëshme, ka shpërthyer debati, nëse i duhet besuar deri në absurd Amerikës, nëse kemi luksin për t’i thënë jo asaj edhe kur nuk na duket e drejtë, pasi po veprove ndryshe, e ke të pamundur të vish në pushtet.

Personalisht, unë nuk kam dilema. Në mendjen time jam i prirur t’i jap të drejtë një juristi të ndershëm, që më tregon disfatat dhe dështimet e reformës në drejtësi, sesa një zyrtari perëndimor që do të vazhdojë të ma shesë atë si histori suksesi, një gazetari që filmon në arat me kanabis, sesa ambasadorit të ShBA që lavdëron luftën e Saimir Tahirit kundër drogës, opinioneve të Venecias për mënyrën antikushtetuese që u zgjodhën mititantët e partisë në gjykatën kryesore të vendit, sesa komunikatës që e përkrah këtë shkelje, të dalë nga selia e rrugës së Elbasanit.

Por, kjo është zgjedhje që ka të bëjë me formimin, integritetin dhe besimin e gjithë secilit. Dikush i beson forcës së logjikës, ndërsa një tjetër logjikës së forcës.

Për të zgjidhur dilemën mes këtyre dy grupimeve, pyetja që duhet të shtrojmë sot është themelore: deri në ç’pikë mund të kërrusemi përpara kësaj të dytës? Deri në ç’limit mund të shkallmojmë arsyen, besimin, vullnetin tonë për t’u thënë “yes” ndërkombëtarëve, ambasadorëve dhe atyre që s’mbajnë asnjë përgjegjësi me votë për gafat që mund të shkaktojnë në këtë vend?

Natyrisht, që të shtrosh këtë pyetje, nuk të bën as domosdoshmërisht anti perendimor dhe as përfundimisht anti amerikan.

Synimi dhe qëllimi i këtij debati duhet të jetë tregimi me gisht i të gjithë sharlatanëve që duan të shmangin legjitimitetin popullor dhe vullnetin e shumicës, duke u sjellë si lakej të të huajit të radhës që i ka rënë rruga në këtë vend. Ata janë mbartësit e një virusi të dëmshëm për shoqërinë shqiptare. Ata janë predikuesit e nënshtrimit, frikës, çburrërimit të qytetarit aktiv. E keqja e tyre nuk është se marrin në qafë edhe ata që pretendojnë të mbrojnë, si në rastin e neveritshëm të Agim Veliut në Kosovë, apo atë fatkeq të Bashës në Shqipëri.

Dëmi i tyre është se tentojnë të prodhojnë një sistem ku vendimet e një kaste mbizotërojnë mbi votën e shumicës. Prandaj duhen denoncuar ata që bërtasin: “nuk i thuhet kurrë jo Amerikës”./Lapsi.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Opinione

Gropa e zezë Albpetrol

Publikuar

-

Nga

Nga Klodian Tomorri

Pak javë më parë kur u publikua lista e pagave, qytetarët panë se në skutat e këtij shteti ka njerëz që paguhen edhe më shumë se 5 mijë dollarë në muaj. Një nga këto skuta, faktikisht ndër më të errëtat, është Albpetrol. Sipas listëpagesës, 10 drejtuesit kryesorë të Albpetrol u kushtojnë qytetarëve shqiptarë 50 mijë dollarë në muaj. Dy ndër ta janë ish kryebashkiakë të partisë në pushtet, përkatësisht Selfo Kapllani dhe Baftjar Zeqo.

Pagat e larta në sektorin shtetëror nuk janë domosdoshmërisht abuzive. Në politikat e remunerimit, praktika e shpërblimeve në bazë të rezultateve nuk është e panjohur. Problemi më Albpetrolin është se për herë të fundit kjo kompani ka derdhur fitim në buxhetin e shteti shumë vite me parë. Por kjo është vetëm njëra anë se si na vjedh Albpetrol. E dyta është edhe më flagrante.

Një javë para ndërrimit të viteve Albpetrol shpalli një ankand për të shitur për të shitur 40 mijë tonë naftë, të cilën e merr nga koncesionarët, kryesisht Bankers Petroleum në formën e prodhimit paraekzistues. Çmimi dysheme për shitjen e naftës është përcaktuar sipas formulës 73.88% e Çmimit Brent + K, ku K është koefiçienti mbi të cilin garojnë ofertuesit. Zakonisht kjo K del gjithmonë 0.01 dollarë. Kjo formulë është dhe mekanizmi i vjedhjes.

Ankandi i Albpetrol dështoi në tentativën e parë. Kjo është taktikë, që blerësi monopson e përsërit thuajse në çdo ankand për të ulur edhe më shumë çmimin. Por të kthehemi tek thelbi. Një javë më parë Bankers Petroleum, të njëjtën naftë e shiti me 85 për qind të çmimit Brent. Pra 11.1 pikë mbi çmimin me të cilin e shet Albpetrol. E konvertuar në vlerë fuçie, sot Albpetrol e shet naftën që merr nga Bankersi 9 dollarë më pak për fuçi se sa e shet Bankersi.



Tani pak matematikë të thjeshtë për të kuptuar se sa vidhet vetëm me një ankand. Sasia prej 40 mijë tonë është e barabartë me 270 mijë fuci. Meqë Albpetrol e shet fuçinë 9 dollarë më pak se Bankers, vetëm me këtë dorë qytetarëve u merren 2.4 milionë dollarë.

Por ky është vetëm ankandi i radhës. Albpetrol shet çdo vit gati 200 mijë tonë naftë. E thënë ndryshe janë 10 milionë dollarë që vidhen çdo vit përmes këtij mekanizmi. Këto janë rezultatet e larta, për të cilat drejtuesit e Albpetrol shpërblejnë veten me rroga 5 mijë dollarëshe.

Një qeveri toleron kompani publike me humbje, vetëm kur ato ofrojnë shërbime jetike për qytetarët si ujësjellësi, energjia apo dhe spitalet. Por Albpetrol nuk ofron asnjë shërbim për qytetarët, përveçse grabitjes.

Kjo e bën atë një gropë të zezë korrupsioni, e cila sot kryen vetëm tre role. Punëson militantët e partisë, qeras krimin e organizuar me tendera dhe vjedh pasurinë publike.

Ky është rasti i vetëm në botë, kur një kompani që administron pasuri publike nuk derdh asnjë lek për publikun. Ndaj kjo është një kompani që duhet shkrirë një orë e më parë. Prodhimi paraekzistues mund të merren në cash nga koncesionarët, pa patur nevojë të ketë një Albpetrol që bën tendera. Pastaj paratë duhet të kalojnë në buxhetin e shtetit dhe jo në tendera për krimin apo paga për militantët.

LEXO TE PLOTE

Opinione

Nga Jak Simoni/ ‘Lufta’ në selinë e PD, pas 3 dekadash demokraci, shqiptarët viojnë të jenë të burgosur

Publikuar

-

Nga

Në vitet e fillimit të proceseve demokratike në Shqipëri dhe më pesimistët e kohës thonin se Shqipërisë i duhen dhe tridhjetë vjet për tu bërë shtet vërtetë demokratik. Dhe ja kaluan më se tridhjetë vjet dhe atë demokracinë e ëndërruar akoma nuk e kemi parë.  Dhuna e shëmtuar e para pak ditëve në selinë e PD-së me tokmakë, leva, gaz, shkopinj, ku vetëm për fat nuk pat viktima, të bën të mendosh se nuk jemi në demokraci, por në një farë tokmakracie.

Situata e rëndë  në të cilën ndodhet  sot PD -ja tregon situatën në të cilën gjendet demokracia në Shqipëri. Një ndër shkaqet e kësaj krize është fakti se partitë identifikohen me liderin dhe kur partia është në pushtet  lideri identifikohet  me shtetin. Thënia e ish Mbretit të Francës Luigjit XIV, “shteti jam unë” ka gjetur aktualitet  këtu tek ne, se në Paris nuk mund ta gjente dot prej më se dy shekujsh e gjysëm. Pa trajtuar më gjerë  rrethanat  se si u arrit në këtë situatë, një pjesë e shqiptarëve, dhe jo vetëm, janë të çuditur. Akuzat reciproke te të dy grupimeve në PD për përdorimin e bandave si forca ofensive e defensive, të lenë pa fjalë, për faktin se në këtë rast lufta është brenda llojit dhe këto grupime e njohin mirë njeri tjetrin dhe klientët e njëri tjetrit. Këto akuza tregojnë se bandat kanë qenë të pranishme dhe tek kjo parti, si në çdo force politike në Shqipëri. Banda, gjithnjë sipas akuzave reciproke, për të marrë godina, banda për të mbrojtur godina e për tu kthyer pak mbrapa në kohë; banda për të marrë vota e banda për të mbrojtur vota. Banda që shpërblehen kur partia që mbështesin  është në pushtet; minimalisht duke i lënë të vijojnë aferat e tyre. Në të gjithë këtë spektakël ngjarjesh dhe akuzash duket se votuesit  e thjeshtë janë si spektator të jashtëm të një ndeshje të shëmtuar, por me pasoja dhe për vetë ata.



PD është në një situatë, ku as nuk mund të qëndrojë e bashkuar, as të ndahet.  Dhuna që u pa nga të gjithë tregon se  e ka të vështirë  të qëndrojë e bashkuar. Kurse të ndahet ka frikë se bie në serinë e kurtheve të “lepujve” që ka ndërtuar bashkë  më PS-në për partitë e vogla, partitë e shkëputura, partitë e reja dhe për kandidatët e pavarur. Seria e kurtheve është vendosur, natyrisht nëpërmjet reformave zgjedhore, me këtë strategji: në rast se marrin  vota, nuk kanë numërues; në rast se pas  numërimit u mbetet ndonjë votë, këto vota nuk kanë përqindjen e duhur të prodhojnë deputetë, për rrjedhojë ngelin jashtë skenës politike parlamentare. Politika ka funksionuar si një barkë, ku veprimi i parë i atyre që janë në të  është: të krijojnë pengesa për të panjohurit që kërkojnë të ngjiten në të. Gjithë kjo është bërë për të qeverisur lehtësisht e me radhë e që mos të ketë kush mundësi t’i fusë shkopin nën rrota “qeverisë së ligjshme”. Natyrisht prish rehatinë, po të lihet mundësia të bien qeveritë, qoftë dhe për një deputet, si në Greqi, Maqedoni të Veriut, Itali, Kosovë, Mal të Zi etj. Pikësëpari është stabiliteti  i qeverisë (qeveritarëve). “Idetë e reja”, “qarkullimi i elitave”, “ndryshimet” do bëhen vetëm brenda sistemit.

Kemi më shumë se tre dekada që i themi vetes në demokraci, por shqiptarët vijojnë të gjendën në situatën e të burgosurve të Mitit të Shpellës së Platonit. Si ata nuk shikonin dritën e diturisë,  shqiptarët nuk shijojnë ditët e demokracisë.

LEXO TE PLOTE

Opinione

Ngujimi, gjurma e kryerjes së një “vrasje”

Publikuar

-

Nga

cna news, cna lajme, lajme cna, lajme flash cna, cna.al, cna lajme politike,

Nga Luciano Boci

Ngujimi ndodhi. Së prapthi. Selia u shndërrua në kullë e të ngujuarit në personazhe që shtynë me forcë një lloj vetëgjygjësie të çartur. Me shpresën për të marrë në opinion pozën e viktimës, por duke dhunuar ligj e kanun, gra e burra, të rinj e të moshuar, anëtarë të thjeshtë të familjes së madhe, larg çdo kërkese për t’i thirrur arsyes.

Askush nuk e mendonte të ndodhte ai ngujim aq i izoluar, i blinduar e aq shumë agresues e mizor ndaj atyre që kërkonin thjesht marrëveshjen, ndaj anëtarëve të thjeshtë të selisë. E në vend të marrëveshjes të ngujuarit i përplasën atyre në fytyrë derën e blinduar.

Ishte një ngujim absurd, pa arsye, fyes, cinik, arrogant dhe ngacmues deri në padurim.

Ishte një pabesi e strukturuar mirë ditë më parë, nëpërmjet mohimit dhe ndalimit të hyrjes, nëpërmjet veprimit e deklaratave mashtruese.

Sepse ajo që kërkonin të arrinin të ngujuarit nuk ishte marrëveshja nën besën e votës, por provokimi i reagimit të zemërimit dhe fabrikimi i akuzës.

Për më tepër, askush nga pala “kundërshtare” nuk ia imponoi, apo shtyu ngujimin absurd këtyre të ngujuarve me vullnetarizëm.

Më shumë në fakt ai ishte një vetëngujim. Vetëngujim i pakërkuar nga nderi e burrnia. Por i ardhur nga nën ndërgjegja e thellë, i nxitur nga gjurma e kryerjes së një “vrasje” në shpinë dhe nga instikti për të mbrojtur fajësisë e provuar. Aspak për të mbrojtur kullën-seli, tashmë të përdhosur me dyer prej burgu e as moralin e humbur demokratik.

Disa nga të ngujuarit, i çuan atë ditë aty vetë këmbët e tyre, me idenë e mbrapshtë e të pandodhur më parë, për ta shndërruar selinë në kullë e më pas kullën në kasaphanë. Këta ishin autorët e ngujimit.

Disa të tjerë, shumica, të ngujuarit e pastër, u thirrën nën ngujim nga autorët vetëm për mburojë.

Që me qashtërsinë e profaninë e tyre politike të mund të ndërtonin murin e shfajësimit publik të linçimit fizik të anëtarëve.

Ndërsa pjesa e zezë e të ngujuarve, të ardhur me entuziazëm, të ngujuarit e zinj të veshur me të zeza por jo vetëm, ishin pjesa e azapëve, e grupeve të sulmit që do ta shndërronin sipas dëshirës së urdhëruesit, kullën e ngujimit në kullë kurthi e turpi njëherazi.

Mercenarëve të shpëlarë trush, të armatosur dhe të pajisur me mjete luftarake e rrethanore, detyra e të cilave ishte ruajtja e territorit të kullës e jo ajo e integritetit moral të selisë e anëtarësisë, u ngjante vetja si heronj-kalorës të zinj.

Misioni ishte i qartë-goditja e anëtarëve të selisë me çdo mjet e mënyrë, gaz, shkopinj, tavolina, karrike, hekur, bomba shurdhuese, për t’i vrarë gjënë e fundit që kishin marrë me vete atë ditë- Shpresën. Dhe në fund për t’i ngritur gishtin e akuzës atyre si shpellarë e vandalë.

Por nuk mbaronte me kaq.

Jashtë, i strukturuar me blinda uji dhe batare gazi lotsjellës, ishte instaluar “Hjekësi”, i veshur me uniformë polici, i gatshëm të vepronte egërsisht sapo grupet e sulmit të mos ia dilnin dot zemërimit të anëtarëve.



Pas ngujimit e bashkë me ngujimin absurd kjo ngjau.

Mercenarët u përpoqën pa ia dalë.

Tentativës së anëtarëve për të hyrë në shtëpinë e tyre me mjete naive, për të kërkuar marrëveshjen për besën e votës, ata iu përgjigjen me gaz, tym, dhe plasëse.

Kur inati i anëtarëve mori para gjithçka bashkë me derën e blinduar, vendi u ndez gjak, tymë e flakë nga “Hjeksi” me një ngazëllim e ndjenjë hakmarrje të paparë ndaj demokratëve.

Më djegës dhe më i hidhur se atë ditë ai gaz nuk kishte qenë kurrë më parë.

Tek shihja ata që na kishin dhënë gjithçka nga vetja, mes mijëra sakrificash, të shembur në tokë nga gazi e spray verbues, të gjakosur nga goditjet por më shumë të përkulur nga dhimbja e zhgënjimi që këtë “dhuratë” e kishin nga të vetët, ulërima ime ishte e aq e madhe sa më dilte pa zë.

“Hjeksit” i kishte ardhur dita.

Anëtarët u shpërndanë. Me vete morën e strukën dhe njëherë Shpresën për ta mbrojtur për në rikthimin e rradhës.

Pas disa orësh retë e tymit dëshpërimsjellës u shpërndanë.

Të vetëngujuarit lanë kullën bosh e shpërthyen në festë komike e thirrje histerike.

Ata me “Hjeksin” e tyre kryeministror kishin përzënë me dhunë përkohësisht nga shtëpia e tyre demokratët e kishin shkelmuar besën e votës.

Ndërsa muzgu po binte, mbi kullën e vetëngujimit varej pyetja:

Kush fitoi?!!

….pas disa minutash “Hjekësi” njoftoi se do bënte një bashkëbisedim online me demokratët për t’i shpjeguar atyre se ç’ është demokracia!?

Ngujimi vazhdon!/CNA.al

LEXO TE PLOTE