Gjykata Kushtetuese sot shkarkoi Ilir Metën

4 Nëntor 2021, 18:06, Politikë CNA
Gjykata Kushtetuese sot shkarkoi Ilir Metën

Presidenti Ilir Meta, dy vite më parë ishte njeriu që trazoi ujërat e politikës shqiptare, njeriu i cili në mënyrë të papërgjegjshme, duke provokuar edhe konflikt social, pra deri në përplasje të palëve politike shtyu datën e zgjedhjeve.

Ilir Meta, presidenti i zgjedhur nga rilindasit e Edi Ramës, pasi doli në opozitë në 2017, dy vite më pas po i shërbente në mënyrë të pandalshme opozitës. Megjithëse presidenti duhet të jetë mbi palët, ai u bë thuajse vegla kryesore e tentativës për një destabilitet politik në vend. Pas djegies së mandateve nga PD dhe LSI, opozita në atë kohë kërkoi shtyrjen e zgjedhjeve lokale, megjithëse në muajin dhjetor të vitit 2018 palët politike ishin ulur me presidentin dhe kishin dhënë të gjithë dakordësinë për datën e zgjedhjeve dhe data 30 qershor ishte dekretuar me dakordësinë e Metës, Kryemadhit, Bashës dhe Ramës. Pra presidenti me gjithë faktorët politik në vend, përfshirë edhe disa parti të tjera të vogla.

Më pas ?çmendet? presidenti dhe thotë se në datën 30 qershor nuk do të ketë zgjedhje. Ato do të shtyhen sepse ka protesta nga opozita e cila ka djegur mandatet. Në fakt, djegien e mandateve nga opozita e kundërshtuan të gjithë. Shumica e njerëzve që të paktën e kuptonin se ç’do të thotë që një parti politike të dilte nga sistemi dhe të mos rezistonte për të luftuar në Parlament, pikërisht për atë fakt që ishte zgjedhur. Pa shkuar më tej tek protestat e dhunshme apo te gazi lotsjellës që hidhte Garda e Republikës për të mbrojtur institucionet.

Por protestat e demokratëve tregonin qëndresë. Në fakt, ndërkombëtarët, ata që sot Lulzim Basha i quan mbështetës, pra SHBA, në atë kohë i kërkonin kreut të PD të tërhiqej nga protestat e dhunshme dhe të mos bënte djegien e mandateve, si dhe të merrte pjesë në zgjedhjet lokale.

Por Basha vendosi të kundërtën, së bashku me Ilir Metën. Presidenti shtyu datën, ndërsa Luli deklaronte se nuk do të hynte në zgjedhje. SHBA dhe ndërkombëtarët, pra partnerët europian deklaronin se zgjedhjet duhet të zhvilloheshin. Dhe zgjedhjet u zhvilluan.

PS garoi me disa parti të vogla në këto zgjedhje, përfshi Bindjen Demokratike që u krijua  në ato momente, megjithëse starti i saj ishte më i vjetër dhe zgjedhjet lokale u zhvilluan në 30 qershor.

Në atë kohë, u ngrit alibia se në tetor do të bëheshin sërish zgjedhjet lokale, por kjo nuk ndodhi. Lulzim Basha  e përdori si mashtim duke thënë se në pranverën e 2020 do të kishte zgjedhje të tjera lokale. Më pas, demokratëve u tha se do të kishte zgjedhje në vjeshtë. Kështu pretendonte edhe Ilir Meta.

Presidenti i Republikës thoshte se duhet të prisnin qëndrimin e Venecias, duhet të prisnin vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Në fakt erdhi vendimi nga Venecia, nga Gjykata Kushtetuese dhe vendimi është publik, rrëzohet shtyrja e datës së zgjedhjeve. Gjykata thotë qartë se Kushtetuta nuk njeh çdekretimin, por njeh  vetëm dekretimin dhe presidenti Ilir Meta e kishte dekretuar më parë datën e zgjedhjeve. Pra nuk mund të ketë lojra, e dekretoj, e çdekretoj dhe më pas dekretoj një datë tjetër, pa hyrë tek palët politike, që japin në fillim konsensusin për datën e zgjedhjeve dhe më pas tërhiqen nga ato.

Lojra të tilla politike, skema për të pasur përplasje sociale dhe për të çuar në  tek një palë politike ujë dhe për të dëmtuar palën tjetër, qofshin socialistët apo demokratët, mesa duket me këtë vendim morën fund.

Por ky vendim nxorri hapur në sy të opinionit publik shkeljet e Kushtetutës nga presidenti Ilir Meta, i cili ka një numër të caktuar përfaqësuesish në Gjykatë Kushtetuese të cilët janë zgjedhur prej tij dhe ata, disa prej tyre kanë votuar kundër , pasi nuk do të pranonin kurrësesi të ishin pjesë e çmendurisë të bërë nga ish presidenti dy vite më parë.

Sot është koha për të shkarkuar presidentin Ilir Meta, për ta ndaluar atë të shkojë më në zyrë. Parlamenti e ka thënë të qartë: Presidenti është kapur në shkelje dhe sot  i është konfirmuar zyrtarisht nga Gjykata Kushtetuese se e ka shkelur Kushtetutën dhe për shkelje të Kushtetutës ai është shkarkuar nga Parlamenti.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese tregon qartazi se presidenti është shkarkuar dhe këtë, Parlamenti edhe pse mund ta ketë bërë për arsye politike, pra Komisioni Hetimor mund të ketë pasur probleme, sot Gjykata Kushtetuese na tregoi se ka një fakt dhe një provë pse duhet shkarkuar presidenti.

Fakti është sepse ai nxiti një konflikt social, duke qenë një president i zgjedhur për të qëndruar mbi palët, çdekretoi zgjedhjet kur në fakt  nuk ka kompetencë, që do të thotë qartazi se tashmë në vendimin e ardhshëm të Gjykatës Kushtetuese do  të presim vetëm konfirmimin e shkarkimit të Ilir Metës nga President i Republikës. Në fakt, asgjë nuk ngelet më për tu parë nga Ilir Meta, një president i turpshëm, i papërgjegjshëm që thjesht dhe vetëm u shërbeu palëve politike, egos së tij  dhe nxitjes së konflikteve sociale në vend./CNA.al

Lajmet e fundit nga