Connect with Us

Pse seriali hit “Squid Games”, është në fakt një kritikë ndaj meritokracisë

Blog

Pse seriali hit “Squid Games”, është në fakt një kritikë ndaj meritokracisë

Publikuar

-

/
cna lajme blog

Nga Matt Bennett “The Conversation”

“Squid Game”, suksesi më i fundit i platformës kinematografike“Netflix”, ka vendosur rekorde të reja të shikueshmërisë, dhe ka nxitur një mori komentesh, memesh dhe një panik moral për dhunën në ekran. Seriali nis me 456 konkurrentë që garojnë në një seri lojërash vdekjeprurëse.

Në lojë është një çmim shumë i madh në para, që rri pezull mbi kokat e garuesve në fjetoren e tyre. Njerëzit që angazhohen në këto lojëra janë të varfër, dhe të zhytur në borxhe. Disa vuajnë nga varësia ndaj lojërave të fatit, të tjerë janë viktima të dhunës së bandave, dhe disa përballen me kërcënimin e dëbimit nga shtëpitë e tyre.

Ky dëshpërim i shtyn ata të rrezikojnë jetën e tyre që të fitojnë paratë që rrinë pezull mbi kokat e tyre.“Squid Game” funksionon pa dyshim si një satirë e pabarazisë materiale

në Korenë e Jugut. Ky problem ka arritur në pikën që aktualisht po merren në konsideratë politika relativisht radikale nga kandidatët për zgjedhjet presidenciale të vendit 2022, përfshirë të ardhurat bazë universale, dhe një rishikim gjithëpërfshirës të sistemit ligjor.

Por edhe pse kritika sociale e “Squid Game” synon haptazi pabarazinë ekstreme, satira e saj është më efektive kur godet një parim që ka shërbyer për të mbështetur, justifikuar dhe përjetësuar një pabarazi të tillë. “Squid Game” është ndoshta në më të mirën e tij, kur shihet si një kritikë ndaj meritokracisë.

Premtimi i meritokracisë

Meritokracia është sot një temë e nxehtë debati. Një numër i madh studimesh kritike të kohëve të fundit nga sociologë, ekonomistë dhe filozofë, janë përqëndruar mbi rolin që luan meritokracia në legjitimimin e niveleve të pabarazisë me të cilat përballemi sot.

Neve na është shitur ideja se një shoqëri meritokratike, do të ishte një vend ku mirëqenia jonë materiale nuk përcaktohet nga klasa, raca apo gjinia, por nga një kombinim i aftësive dhe përpjekjeve tona. Meritokratët besojnë në konkurrencën e ndershme sociale, një fushë loje e barabartë dhe shpërblime për ata që janë të talentuar dhe që punojnë fort për t’u ngjitur në hierarkinë shoqërore.

Por në një shoqëri konkurruese, jo të gjithë mund të fitojnë. Ana e errët e meritokracisë, është se ajo justifikon pabarazinë, me arsyetimin se më të pasurit e kanë fituar vetë pozicionin e tyre, dhe me nënkuptimin se edhe ata që janë në pozitat më të dobëta e meritojnë fatin e tyre.

Dhe kur njerëzit janë të bindur se shoqëria e tyre është vërtetë meritokratike, bëhet shumë më e vështirë rezistenca politike ndaj pabarazisë. Premtimet politike të meritokracisë arritën kulmin në vitet 1980 dhe 1990, dhe janë zbehur që nga kriza financiare globale e

vitit 2008, bashkë me optimizmin ekonomik që ndihmoi për ta bërë të besueshme meritokracinë.

E megjithatë, meritokracia vazhdon që të shoqërojë politikën bashkëkohore. Për shembull, vetëm vitin e kaluar fushata e zv/presidentes amerikane Kamala Harris, përfshiu deklaratën se të gjithë mund të “jenë në pozita të barabarta dhe të konkurrojnë në baza të barabarta”.

Dhe disa të dhëna tregojnë se një pjesë në rritje e publikut, vazhdon të besojë se jeton në një meritokraci. Por problemi me premtimet e kaluara për meritokraci, është se ato kanë rezultuar ose të rreme, pasi ne nuk përfitojmë asnjëherë meritokraci, ose boshe, sepse meritokracia nuk na jep vërtet atë që shpresojmë. “Squid Game” nxjerr në pah të dyja anët.

LEXO EDHE:  Tmerri që po përjeton India nga Covid-19, mund të përsëritet kudo tjetër

Padrejtësia e meritokracisë së rreme

Në zemër të konkurrencës së “Squid Game”, është një kod moral që sipas figurës së errët që drejton lojën, u ofron garuesve një mundësi që nuk është në dispozicion jashtë kësaj loje. Sipas vetë fjalëve të tij:“Këta njerëz vuajtën nga pabarazia dhe diskriminimi në botën atje jashtë, dhe ne u ofrojmë atyre një shans të fundit për të luftuar në pozita të barabarta dhe për të fituar”.

Nuk është habi që realiteti i konkurrencës së “Squid Game”, nuk e arrin idealin e tij meritokratik. Shpresa për një fushë loje me rregulla të barabarta,sabotohet nga të njëjtët faktorë socialë që e korruptojnë shoqërinë konkurruese edhe jashtë lojës.

Forma e fraksioneve; gratë shmangen; lojtarët e moshuar braktisen. Një nga skenat e “Squid Game”, është ajo kur një personazh mban një tjetër për të mos e lënë të rrëzohet, të humbasë lojën dhe në këtë mënyrë të qëllohet për vdekje.

Lojtari i vetëm i lojës që nuk është korean, Ali Abdul, është në fillim i mbrojtur, më pas tradhtohet, dhe në fund shfrytëzohet. Në lojën e parë, ai mban Seong Gi-hun, protagonistin e serialit, në një metaforë vizuale mbresëlënëse për varësinë e zhvillimit të vendeve të zhvilluara nga krahu i lirë i punës së emigrantëve të huaj. Jo të gjithë kanë një shans të drejtë për të fituar.

Dhuna e meritokracisë së vërtetë

Por a tregon padrejtësia që vërehet tek “Squid Game”,se konkurrenca është e padrejtë? A do të zhdukej tmerri, nëse konkurrentët do të garonin vërtet “në pozita të barabarta”?“Squid Game” mund të jetë krejtësisht meritokratik, dhe në të njëjtën kohë krejtësisht pervers.

Ai përshkruan një garë ku fituesi rrëmben gjithçka, ku vetëm një pjesë e vogël e lojtarëve do të fitojnë para, dhe ku ndryshimet e papërfillshme në performancën e duhur mund të bëjnë dallimin midis suksesit dhe dështimit, dhe bashkë me të edhe ndryshimin midis jetës dhe vdekjes.

Krahasojeni këtë me tregjet e polarizuara të punës të vendeve si SHBA, ku vendet e punës me të ardhura mesatare, janë zëvendësuar nga një numër i vogël rolesh me të ardhura të larta për fituesit, dhe me punë gjithnjë e më pak të paguara për ata që kanë mbetur prapa.

Në realitet, edhe shoqëritë që kanë përqafuar meritokracinë e vërtetë si SHBA-ja, kanë krijuar megjithatë pak mundësi për të fituar, ndërsa humbja lë të zhytur në varfëri dhjetëra miliona njerëz.“Squid Game” është gjithashtu një garë, në të cilën detyrohen të luajnë më të varfrit e shoqërisë.

Megjithëse rregullat e lojës i lejojnë lojtarët që të zgjedhin ta braktisin atë në çdo kohë – madje organizatorët lejojnë një votim demokratik nëse duan që të vazhdojnë të luajnë ose jo- mjerimi që i pret jashtë lojës, e bën atë zgjedhje aspak të vërtetë.

Fituesi merr gjithçka, humbësit vdesin, dhe pjesëmarrësit nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të luajnë. Meritokracia radikale e “Squid Game”, është një version i karikaturuar i pabarazive që janë shfaqur në shoqërinë konkurruese. Por ajo gjithashtu pasqyron vetëm në formë të ekzagjeruar, rreziqet e meritokracive të rreme dhe atyre të vërteta, që aktualisht kanë zënë në kurth miliona njerëz në mbarë botën.

https://theconversation.com/why-squid-game-is-actually-a-critique-of-meritocracy-170311

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

Kina po shantazhon të tjerët me mjete ekonomike, SHBA dhe BE duhet të reagojnë

Publikuar

-

Nga

cna blog

https://www.newsweek.com/china-using-economic-coercion-blackmail-us-eu-must-fight-back-opinion-1667958

 

Nga Anders Fogh Rasmussen “Newsweek”

Për dekada, Tajvani është bllokuar në një pozicion që iu ri-përshtat të gjithëve:as nuk është pjesë e Kinës kontinentale, dhe as duke shpallur zyrtarisht pavarësinë. Republika Popullore e Kinës mund të ruante pretendimin e saj sovran mbi të. Por Tajvani ishte i lirë të zhvillohej si një demokraci liberale dhe një ekonomi moderne.

Dhe bota demokratike ishte në gjendje të mbante lidhje me të dyja, për sa kohë që ata distancoheshin nga çështja e sovranitetit dhe i përmbaheshin politikës së“Një Kine”.Por gjërat kanë ndryshuar. Nëpërmjet veprimeve të saj dhe retorikës së Sekretarit të saj të Përgjithshëm Xi Jingping, Kina ka treguar vitet e fundit se nuk është më e gatshme ta pranojë këtë statuskuo.

Prandaj, bota e lirë duhet që ta ri-mendojë qasjen e saj.

Gjatë mandatit të Sekretarit të Përgjithshëm Xi si udhëheqës, Pekini i ka shtuar sulmet hibride ndaj Tajvanit. Kina po bombardon me dezinformata demokracinë e Tajvanit.

Ajo po përdor gjithë peshën e saj diplomatike në të gjithë skenën botërore, për t’i detyruar organet dhe institucionet shumëpalëshe që të mos përfshijnë Tajvanin. Dhe muajt e fundit ka ndërmarrë inkursione ushtarake gjithnjë e më agresive dhe të rrezikshme në hapësirën ajrore të ishullit.

Edhe pse Kina po kërcënon në mënyrë aktive Tajvanin demokratik, deri më sot shumë njerëz në botën e lirë kanë bërë një sy shurdh ndaj këtyre sulmeve. Ata kanë pasur frikë nga kërcënimet dhe presioni ekonomik i Pekinit,ndaj kanë qenë të gatshëm të tolerojnë përpjekjet e njëanshme të Kinës për të ripërcaktuar atë që Pekini tani e quan “parimi i një Kine”.

Pekini dëshiron që kjo të nënkuptojë, se asnjë vend tjetër nuk mund të ketë marrëdhënie ekonomike apo politike me Taipein. Statuskuoja e Tajvanit ekziston krahas një politike amerikane të përshkruar më së miri si paqartësi strategjike.

Me këtë të fundit nënkuptohet se Shtetet e Bashkuara do të mbështesin Tajvanin nëse Kina do të sulmonte, por shkalla e saktë e çdo përgjigjeje, është lënë qëllimisht e papërcaktuar. Disa herë, presidenti Xho Bajden ka qenë shumë më pak i paqartë në pikëpamjet e tij.

Kina dhe Tajvani janë një fushë e politikës së jashtme, që bashkon të dyja partitë e mëdha në Uashington. Doktrina e “paqartësisë strategjike”, mund të ketë funksionuar mirë në të kaluarën. Por Kina e Xi Jinping nuk është Kina e së shkuarës. Tani duhet pak më shumë qartësi strategjike.

Kjo nuk do të thotë se SHBA-ja duhet t’i japë Tajvanit një garanci sigurie të ngjashme me klauzolën e mbrojtjes reciproke që përcakton neni 5 i traktatit themeltar të NATO-s. Por Shtetet e Bashkuara mund të bëhen më pak të fshehta në mbështetjen e tyre për Taipein.

Shtetet e Bashkuara kanë një interes shumë vetjak për mbrojtjen e Tajvanit. Nëse Tajvani do të bjerë, ndryshimi i ekuilibrit të fuqisë në Indo-Paqësorin më të gjerë do të ishte shkatërrues për kauzën e lirisë dhe demokracisë në mbarë botën.

Në këtë aspekt, as Evropa nuk mund të qëndrojë mënjanë, duke e kritikuar Amerikën për qasjen e saj më agresive ndaj Kinës, duke e lenë SHBA-në të mbajë të gjithë barrën e sfidave në rajonin e Indo-Paqësorit, ndërsa në të njëjtën kohë përpiqet që të ruajë një statuskuo merkantiliste me Pekinin.

Ne po shohim tashmë disa shenja të mira të hershme. Kohët e fundit, Parlamenti Evropian mbështeti me shumicë dërrmuese një rezolutë që kërkon përmirësimin e lidhjeve midis BE- së dhe Tajvanit, duke përfshirë një marrëveshje të re në fushën e investimeve.



Qeveria e re gjermane, me një Ministër të Jashtëm nga radhët e të Gjelbërve, është e orientuar më shumë drejt një politike të jashtme të bazuar tek vlerat. Ndërkohë Lituania ka braktisur një platformë ekonomike kinez në Evropën Qendrore, të njohur më shumë si 17+1, dhe ka lidhur haptazi marrëdhënie ekonomike me Tajvanin.

Këto veprime janë plotësisht në përputhje me “politikën e një Kine”, pasi ato nuk bëjnë asnjë njohje të sovranitetin e Tajvanit. Gjithsesi Kina po lufton kundër të drejtave sovrane të shteteve evropiane për të zhvilluar lidhje me Taipein.

LEXO EDHE:  Kush janë 10 tradhtarët më famëkeq në histori

LEXO EDHE:  Tmerri që po përjeton India nga Covid-19, mund të përsëritet kudo tjetër

Prandaj në kundërpërgjigje të lëvizjes së Lituanisë, Kina ka ndërmarrë një sërë lëvizjesh në fushën ekonomike kundër shtetit të vogël evropian, duke kufizuar eksportet e tij, dhe duke bllokuar në portet kineze më shumë se 1 mijë kontejnerë me mallra,për të cilat bizneset lituaneze kanë kryer tashmë pagesën.

Me këto sjellje Kina po ngacmon një aleat të NATO-s dhe një anëtar të BE-së, për të ndikuar tek vendimet e saj sovrane ekonomike dhe politike. Ky është një test për botën e lirë. Nëse e lëmë Lituaninë të vetme në përballje me Pekinin, super-arma e presionit ekonomik do t’u drejtohet edhe të tjerëve, për t’i detyruar më pas demokracitë t’i nënshtrohen vullnetit të Pekinit.

Në një periudhë afatshkurtër, ne duhet t’i ofrojmë Lituanisë hua të buta për të zbutur efektet e goditjeve ekonomike nga Kina. Edhe BE-ja duhet të deklarojë zyrtarisht se veprimet e Kinës po shtrembërojnë të gjithë tregun e përbashkët të BE-së, dhe të veprojë me kundërmasa ndaj Pekinit.

Bashkimi Evropian po punon për krijimin e një instrumenti kundër këtyre sjelljeve të Kinës, dhe kjo gjë që do t’i japë atij mjetet e duhura për të luftuar pikërisht kundër kësaj lloj sjellje. Por sfida e vërtetë e Brukselit nuk është nëse ai zotëron instrumentet e duhura ligjore; por nëse ka vullnet të mjaftueshëm politik për të mbrojtur të drejtën e Lituanisë për të bërë zgjedhjet e veta.

Në terma afatgjatë, bota e lirë mund të krijojë “Nenin 5” në fushën e ekonomisë për të reduktua abuzimet e Kinës me investimet strategjike dhe presionet ekonomik për qëllimet e saj gjeopolitike. Neni 5 i famshëm i NATO-s, thotë se një sulm ndaj një aleati është një sulm ndaj të gjithëve.

Po kështu, një “Nen 5 ekonomik” do të nxiste një përgjigje nga demokracitë,për të mbështetur një shtet apo biznes që përballet me presionet ekonomike që vijnë nga një autokraci. Pekini po e përdor fuqinë e tij ekonomike për të shantazhuar vendet dhe korporatat, pasi ky është një mjet efektiv.

Kjo praktikë ka funksionuar në rastet e kompanive të veshjeve, që u përballën me bojkot pasi vunë në dyshim shkeljet e të drejtave të njeriut, si dhe ndaj prodhuesve australianë të verës, të cilët janë përballur me tarifa të larta pas përkeqësimit të marrëdhënieve midis 2 vendeve.

Edhe Rusia përdor mekanizmat ekonomikë si një mjet për të arritur qëllimet e saj gjeopolitike, sidomos duke përdorur si një armë furnizimet e saj me gaz ndaj Evropës Perëndimore. Ne duhet të neutralizojmë efektet e këtyre taktikave që përdoren nga shtetet autoritare.

Ndërkohë, Evropa dhe Shtetet e Bashkuara kanë gjithashtu një interes të përbashkët në rajonin e Indo-Paqësorit:ta mbajnë këtë të fundit të lirë, të hapur dhe sa më demokratik që është e mundur. Roli i Evropës në këtë aspekt, mund të mos jetë domosdoshmërisht dërgimi i një flote avionësh në zonë.

BE mund të përmirësojë marrëdhëniet e saj politike dhe ekonomike me Tajvanin.

Për shembull, duke zhbllokuar një marrëveshje dypalëshe investimi që u pezullua në kohën kur Brukseli po synonte të nënshkruante një marrëveshje të ngjashme me Kinën.

Përmirësimi i lidhjeve ekonomike, është po aq në interesin tonë sa edhe të Tajvanit, duke pasur parasysh asetet e konsiderueshme që ka Tajvani në fushate teknologjisë së lartë sikurse janë gjysmë përçuesit. Evropa dhe SHBA-ja duhet të kërkojnë së bashku një qasje të re ndaj Kinës, diçka që administrata Bajden ia kërkoi BE-së edhe para inaugurimit të saj në detyrë.

Marrëdhënia jonë me Tajvanin nuk duhet të reduktohet vetëm tek mbështetja ushtarake apo në një marrëveshje specifike investimesh. Ajo ka të bëjë me pyetjen nëse ne jemi të gatshëm të ngrihemi për garantimin e lirisë dhe demokracisë në një rajon, ku që të dyja gjenden në një presion në rritje nga autokracia dhe diktatura.

Shënim: Anders Fogh Rasmussen, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s në vitet 2009-2014, dhe kryeministër i Danimarkës në vitet 2001-2009./ Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Si u vendos, dhe pse e masim ende fuqinë e mjeteve motorike me njësinë “kuaj-fuqi”?

Publikuar

-

Nga

cna news, cna lajme, lajme cna, lajme flash cna, cna.al, cna lajme politike,

Nëse jeni duke blerë një makinë dhe nuk keni përvojë me matjet e fuqisë apo parametrat  e tjerë të automjeteve, mund të habiteni nga njëra prej cilësive kryesore të automjetit:forca e tij motorike e shprehur në termin “kuaj-fuqi”.

Bazuar në këtë të fundit, mund të supozoni se një kalë mund të prodhojë rreth 1 kuaj fuqi. Kjo ka shumë kuptim edhe në aspektin gjuhësor. Por në realitet, e vërteta është shumë ndryshe.

Po sa “kuaj fuqi” mund të prodhojë një kalë ? Dhe si nisi të përdorej ky term?

Sipas faqes së internetit të Edukimit mbi Energjinë të Universitetit të Kalgarit në Kanada,prodhimi maksimal i një kali të vërtetë është në fakt shumë më afër 15 kuajve fuqi. Në fakt, një term më i përshtatshëm për këtë njësi matëse mund të jetë “fuqia njerëzore”, duke pasur parasysh se një person mesatar i shëndetshëm, mund të prodhojë pak më shumë se 1 kuaj fuqi.

Pra, si lindi ky term?

Ai u shpik për herë të parë në fundin e viteve 1700 nga Xhejm Uot, një inxhinier skocez i famshëm për motorët e tij tepër efikasë me avull. Gjatë kërkimeve mbi një mënyrë për të reklamuar konstruksionet e tyre, Uot shpiku një njësi matëse që do të tregonte në mënyrë efektive epërsinë e motorëve të tij me avull, në krahasim me diçka tjetër, fuqinë e të cilit njerëzit e njihnin shumë mirë: kuajt.

Pas një vëzhgimi personal dhe jo nga ndonjë studim rigoroz shkencor, Uot llogariti se një kalë mund të rrotullonte një rrotë mulliri 144 herë në 1 orë. Duke përdorur këtë shifër, ai vlerësoi se kuajt ishin në gjendje të shtynin rreth 14.774 kilogramë për 1 metër në minutë. Për lehtësi, ai e rrumbullakosi këtë shifër në 14.968.55 kilogramë, dhe kështu lindi njësia “kuaj-fuqi”.



Uot nuk u shqetësua shumë mbi saktësinë e matjes, por e vinte theksin tek përmirësimet drastike të produktivitetit që do të përjetonin që blerësit,në rast se blinin një nga motorët e tij me avull. Në fakt makineritë e tij ishin vërtetë shumë më të fuqishme dhe më të besueshme se sa kuajt.

LEXO EDHE:  Koronavirusi mund t’i shkaktojë dëme të mëdha ekonomisë botërore

LEXO EDHE:  Ekspertët: Si të ajrosni ambientet e brendshme, për të parandaluar përhapjen e Covid-19

Prandaj shumë pak njerëz vunë në dyshim vërtetësinë e llogaritjeve të tij. Uot u cilësua nga bashkëkohësit e tij si një gjeni i inxhinierisë mekanike,dhe në shenjë mirënjohje njësia “watt”mori këtë emër në vitin 1882. Gjithsesi, duke pasur parasysh që ne tani e dimë se një kalë mund të ushtrojë shumë më tepër fuqi se sa 1 “kuaj-fuqi”, pse përdorim ende sot
termin“watt”që u krijua si pjesë e një fushate marketingu?

“Për shkak të mënyrës se si po ndryshon gjuha, ka më shumë fjalë që janë të distancuara nga origjina e tyre sesa njerëzit mund ta kuptojnë”- thotë Erik Lasej, pedagog i gjuhës angleze në Universitetin e Uinçesterit në Britani.

Kuptimi i një fjale mund të harrohet me kalimin e kohës. Por çfarë e bën një term t’i rezistojë kohës? Dhe pse disa fjalë kanë mbetur në histori, ndërsa të tjerat, si “kuaj-fuqi”, bëhen të kudondodhura?

“Së dyti, njerëzit mund të zgjedhin fjalë të caktuara për shkak të panoramës më të madhe të ndërveprimeve të tyre të ndryshme. Ato mund të marrin pjesë në tendencat sociale, ose t’u përgjigjen ngjarjeve kulturore ose të përpiqen të imitojnë fjalorin e dikujt që ata aspirojnë t’i ngjajnë”-thekson Lasej.

Në nivel grupi, njerëzit mund të përdorin fjalë për të sinjalizuar identitetin dhe vlerat e tyre, për të treguar se janë të përditësuar me të reja e fundit apo për t’u tallur me diçka. “Në këtë aspekt, ne mund të shohim se si i mbijetoi kohës një fjalë kaq e rëndësishme kulturore si “kuaj-fuqi”. Në rast se kuajt nuk do të kishin qenë burimet më të dukshme të energjisë industriale në fillim të shekullit XIX-të, është e dyshimtë nëse ky term do të kishte qenë po aq popullor./ livescience.com–Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Foto/ Historitë më të çuditshme dhe misterioze të mbijetesës

Publikuar

-

Nga

(Pjesa e parë)

Trupi i njeriut është një gjë e çuditshme dhe e mrekullueshme. Ndonjëherë ne dukemi më të brishtë në krahasim me të gjitha krijesat e tjera në botë. Por nuk jemi të projektuar për të jetuar në botën e egër dhe të vegjlit tanë nuk mund të kujdesen për veten për vite të tëra, në krahasim me disa kafshë që mund të ngrihen në këmbë dhe vrapojnë brenda disa orësh nga lindja. Por pavarësisht brishtësisë sonë të dukshme, ka raste kur njerëzit mund të mbijetojnë në mënyra shumë të çuditshme, duke sfiduar të gjithë probabilitet e mundshme…

Bukëpjekësi i dehur në bordin e anijes Titanik

Çarls Xhogin ishte krye-bukëpjekësi në bordin e anijes së famshme Titanik. Kur ajo u mbyt bashkë me rreth 1.500 njerëz, Xhogin u bashkua me ta në ujë, dhe notoi deri në mëngjes, kur u shpëtua shëndoshë e mirë. Kjo bëri që shumë njerëz të pyesnin veten se si arriti të mbijetonte në të njëjtat kushte që shkaktuan vdekjen e shumë njerëzve të tjerë.

“Sekreti” i mbijetesës së Xhogin ishte se ai priste që të vdiste. Dhe për nder të vdekjes së tij të afërt, piu sasi të mëdha alkooli. Ishte një përzierje e habitshme e rrethanave ajo që e mbajti bukëpjekësin në jetë.

Normalisht, alkooli e bën njeriun më të ndjeshëm ndaj hipotermisë. Por në situata të rrezikshme për jetën, alkooli ka një efekt tjetër unik në trupin e njeriut. Në thelb, ai ju bën të injoroni rrezikun fizik në të cilin ndodheni. Shumë prova kanë treguar se midis viktimave të traumave të rënda, si plagët me thikë dhe të shtënat me armë zjarri, ata që kanë më shumë gjasa të mbijetojnë janë pijanecët.

Kështu, ndërsa Titaniku po fundosej, Xhogin e dërgoi stafin e tij tek varkat e shpëtimit për t’u shpërndarë ushqim njerëzve. Më pas i detyroi njerëzit që hezitonin të hipnin në to, duke e lënë pas dore sigurinë e tij, dhe duke synuar të shpëtonte sa më shumë njerëz që të ishte e mundur.

Teksa ata që mbetën në bord nisën të kapeshin nga paniku sa më shumë që anija po zhytej nën ujë, Xhogin ruante qetësinë dhe vazhdonte të pinte. Kur uji vërshoi rreth këmbëve të tij, ai nisi të hidhte shezllone në bord, në mënyrë që të paktën njerëzit të kishin një pajisje të përkohshme mbi të cilën të kapeshin për të notuar.

Pastaj ai u rikthye në kabinën e tij dhe mori një pije tjetër. Kur të gjithë ranë në ujërat e acarta të oqeanit, shumica vdiqën brenda disa minutash, duke reaguar ndaj ndryshimit të madh të temperaturës, apo duke u mbytur si pasojë e panikut. Xhogin notoi pak dhe kryesisht nisi të qëndronte i shtirë pezull mbi ujë. Alkooli në trupin e tij nuk e bëri atë më të ngrohtë, por i dha mundësi ta përballonte më me qetësi atë tragjedi, dhe ishte kjo me gjasë që e mbajti gjallë.

I mbijetuari i sulmeve të 11 Shtatorit

Të gjithë e dinë tashmë se çfarë tragjedie katastrofike ishin ngjarjet e 11 Shtatorit 2001. Por nëse të gjithë dimë bilancin e rëndë në jetë njerëzore, ajo që kanë dëgjuar pak njerëz janë historitë e atyre që mbijetuan përkundër të gjitha gjasave në ato rrethana të pabesueshme.

Një rasti i tillë ishte ai i Paskuale Buxelit, një inxhinier 34-vjeçar. Ai e kishte zyrën në katin e 64-të të Kullës Veriore dhe ishte në punë në mëngjesin e 11 shtatorit. Atë ditë a u përpoq të evakuohej së bashku me të tjerët, por kur kishte arritur vetëm në katin e 22-të të ndërtesës, gjithçka përreth filloi të dridhej, ndërsa shkallët u shembën.

Në ato kushte ai u ul në një cep duke shpresuar për më të mirën. Muret e godinës ranë mbi të dhe ai përjetoi ndjesinë e rënies. Mos harroni, ndodhej në katin e 22-të të Kullës së Veriut. Dy orë më vonë ndodhej mbi një pllakë gjigante prej betoni, 180 metra më e ulët se ku filloi.

LEXO EDHE:  Koronavirusi mund t’i shkaktojë dëme të mëdha ekonomisë botërore

LEXO EDHE:  Ja si Biden i manipuloi zgjedhjet presidenciale në SHBA

Rreth e rrotull kishte tym, pluhur dhe zjarr, por ai ishte gjallë, dhe njëra nga këmbët i dhembte shumë. I riu përdori këmishën e tij si maskë dhe filloi të thërriste për ndihmë.



Një zjarrfikës aty pranë e dëgjoi, dhe ekipet e shpëtimit e nxorën jashtë. Por dëmi emocional ishte edhe më i rëndë, dhe Paskuales iu desh shumë kohë që të përballej me të. Historia e tij e mahnitshme e mbijetesës ishte vërtetë e rrallë, pasi ai ishte 1 nga vetëm 42 njerëzit që ne njohim që i mbijetuan sulmit të asaj dite mbi Kullat Binjake.

Luis Zamperini

Historia e jetës së tij është aq e pabesueshme sa që është përshtatur në një film. I njohur si disi problematik në rininë e tij dhe i tërhequr nga bota e krimit, Luis nisi të ndryshojë sjellje në shkollën e mesme, duke u bërë një nga atletët më të mirë të Kalifornisë. Zamperini ishte vrapuesi më i ri i distancave që ka qenë ndonjëherë pjesë e ekipit olimpik kombëtar.

Ai ishte pilot i një avioni B-24 gjatë Luftës së Dytë Botërore. Një ditë avioni i tij u qëllua nga japonezët. Shumica e ekuipazhit u vra, por pjesa tjetër, përfshirë Zamperinin, u rikthyen në bazë të gjallë, pavarësisht 600 vrimave të hapura nga plumbat në avionin e tyre.

Në vitin 1943, avioni i tij u rrëzua mbi Paqësor. Tre nga 11 anëtarët e ekuipazhit mbijetuan. Mes tyre edhe Zamperini. Ata qëndruan në mes të detit për 47 ditë, por gjithsesi arritën të mbijetojnë. Marina japoneze i gjeti dhe i mbajti robër. Për 2 vite Luis Zamperini iu nënshtrua shumë torturave përpara se të lirohej. Më vonë ai shkroi një letër duke i falur ish-torturuesit e tij për atë që bënë.

Brajan Udell i mbijetoi rënies me shpejtësi supersonike

Udell është i vetmi njeri në botë deri më sot që i ka mbijetuar rënies me një shpejtësi supersonike. Kjo do të thotë se kur u hodh nga bordi i avionit, ai po udhëtonte më një shpejtësi më të lartë se sa shpejtësia e zërit. Udell ishte duke udhëtuar me një shpejtësi

gati 1287 km/h,kur një defekt në sistem e nxori jashtë funksionit avionin.

Avioni nisi të rrëzohej poshtë në oqean me shpejtësi supersonike. Në lartësinë 3 mijë metra, Udell dha urdhër për të shtypur parashutën. Ndërsa bashkë-piloti Denis Uajt u hodh në lartësinë 900 metra, Udell u hodh kur avioni ndodhej vetëm 460 metra mbi oqean.

Presioni ishte aq i madh saqë i hoqi menjëherë nga koka helmetën dhe maskën e oksigjenit. Parashuta e tij u hap në lartësinë 150 metra. Uajt vdiq menjëherë pas hedhjes, ndërsa Udell mbijetoi, edhe pse me shumë dëmtime. Mjekët i thanë se ndoshta nuk do të ecte më kurrë. Por ai vërtetoi se ata e kishin gabim dhe brenda 6 muajsh u ngrit në këmbë. Pas 10 muajsh ai nisi të fluturonte sërish me avion.

Ushtari i parë që zbarkoi në Normandi në qershor 1944

Kur ushtarët amerikanë zbarkuan në Normandi të Francës, duhet të ketë qenë një skenë shumë kaotike. Shumë kineastë janë përpjekur ta rikrijojnë atë moment në vitet që pasuan. Por të qenit atje vërtet do të kishte qenë absolutisht e tmerrshme për secilin prej atyre ushtarëve.

I pari që do të shkelte në atë plazh ishte Leonard Shrëder. Gjatë udhëheqjes së kompanisë së tij në plazhin e pagëzuar me emrin Utah, Shrëder u qëllua dy herë nga gjermanët. Por pavarësisht plagëve që mori, arriti t’i çojë njerëzit e tij disa km në brendësi të tokës, dhe më pas humbi ndjenjat nga hemoragjia. Ai i mbijetoi luftës dhe u kthye në shtëpi, ku dhe jetoi deri në moshën 90-vjeçare./ Toptenz.net-Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE