Connect with Us

Nisma “Open Balkan”/ Një alternativë ndaj hezitimit të Bashkimit Evropian për t’u zgjeruar në rajon

Blog

Nisma “Open Balkan”/ Një alternativë ndaj hezitimit të Bashkimit Evropian për t’u zgjeruar në rajon

Publikuar

-

cna lajme blog

Nga Dimitar Bechev “Al Jazeera”

A është e nevojshme që Bashkimi Evropian të ri-angazhohet publikisht në procesin e “zgjerimit”, apo do të mjaftonte që të shprehte vetëm mbështetjen e tij për “perspektivën evropiane” të Ballkanit Perëndimor?

Kjo ishte pyetja që me gjasë kanë ngritur shumë liderë të unionit në prag të samitit BE-Ballkani Perëndimor, të mbajtur më 6 tetor në Slloveni. Në fund, pas mbledhjes së tyre në Brdo pri Kranju, një kështjellë e shekullit XVI-të, udhëheqësit e BE-së lëshuan një deklaratë të përbashkët, përmes së cilës ata “riafirmuan jo vetëm perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor”, por edhe “përkushtimin e BE-së ndaj procesit të zgjerimit”.

Ajo ishte një pikë e nënvizuar nga organizatorja e samitit, Sllovenia, e cila ka kohë që lobon për zgjerimin e bllokut prej 27 anëtarësh në vendet e ish-Jugosllavisë. Shtetet e Ballkanit Perëndimor – Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Mali i Zi, Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Kosova – janë që të gjitha të interesuara që të përparojnë në procesin e anëtarësimit në union.

Por këto kohë, ideja e zgjerimit ngjall pak entuziazëm në Evropën e vjetër. Mbështetja e “perspektivës evropiane” të “partnerëve të Ballkanit Perëndimor”, sado e paqartë që tingëllon, është diçka shumë më e lehtë për shumicën e udhëheqësve të BE-së, sesa përmendja e fjalës “zgjerim”.

Por fakti që Sllovenia e perceptoi deklaratën e samitit të Brdos, si një fitore të madhe kundër skeptikëve të zgjerimit, tregon se procesi i zgjerimit të BE-së është në krizë të thellë. Dhe fakti që shtimi i një ose dy fjalëve në një komunikatë zyrtare, perceptohet si një arritje domethënëse, tregon se sa të ulëta janë pritshmëritë në këtë aspekt.

Në fakt brenda BE-së ka pak oreks për të pranuar anëtarë të rinj. U raportua se presidenca sllovene e Këshillit të BE-së donte të fuste në deklaratë një angazhim, sipas të cilit të paktën një nga vendet e rajonit, do të anëtarësohej brenda vitit 2030. Por kjo kërkesë u refuzua.

“Unë nuk besoj vërtet në caktimin e datave konkrete, por besoj në përmbushjen e premtimeve tona. Sapo të plotësohen kushtet, atëherë mund të ndodhë edhe anëtarësimi”- deklaroi pas samitit kancelarja gjermane në largim Angela Merkel. Mjerisht, as pjesa e “bërjes së premtimeve” nuk tingëllon bindëse.

Pra për shumë arsye dhe qëllime, BE-ja e ka ndërprerë për moment procesin e zgjerimit.

Serbia, që po negocion anëtarësimin e saj që nga viti 2014, nuk ka hapur asnjë kapitull të ri që nga dhjetori i vitit 2019. Liderja e rajonit në këtë proces, Mali i Zi, po zhvillon bisedime për të gjitha dosjet e BE-së, por as për këtë vend nuk ka një datë konkrete për anëtarësim.

Pastaj është Maqedonia e Veriut, fillimi i negociatave të të cilës është bllokuar nga fqinja e saj, Bullgaria, për shkak të një mosmarrëveshje dypalëshe rreth historisë dhe gjuhës. Shqipëria, një tjetër aspirante, është një dëm anësor i kësaj grindje, pasi procesi i saj ka ecur deri më tani paralel me atë të Maqedonisë.

Bosnja dhe Kosova, janë edhe më prapa në radhë. Kosovarët janë të frustruar nga fakti që pavarësisht se kanë plotësuar të gjitha kriteret teknike, u mohohet udhëtimi pa viza në zonën Shengen, ndryshe nga ata që jetojnë në pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor, si dhe republikat post-sovjetike, si Moldavia, Gjeorgjia dhe Ukraina.

Por mesa duket nuk është e vështirë të kuptohet pse BE-ja është bërë kaq  mbyllur në vetvete. Rendi i ditës për Brukselin është konsolidimi i brendshëm, dhe jo ​​zgjerimi.

Ndërsa shqetësohet për fatin e eurozonës, përpiqet që të ecë përpara me Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane dhe po përballet me Covid-19, BE-ja ka shumë pak kohë dhe energji për çështje të tjera.

Për më tepër, disa shtete anëtare me ndikim si Franca, e shohin planin bujar të rimëkëmbjes, të miratuar vitin e kaluar për të ndalur rënien ekonomike të shkaktuar nga pandemia, si një hap drejt rritjes së “autonomisë strategjike”, dhe si një shkallë më e lartë e “sovranitetit evropian”.

Sipas këtij argumenti, BE-ja duhet të forcojë institucionet e saj, dhe të thellojë integrimin midis anëtarëve të saj, në rast se dëshiron që të lulëzojë në një botë gjithnjë e më konkurruese, të dominuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Kina. Dhe shtimi i vendeve të reja, i ndërlikon planet e tilla.

Në sytë e kritikëve, rastet e Hungarisë dhe Polonisë, modelet e dikurshme pozitive të zgjerimit, që tashmë janë euroskeptiket më të mëdha, janë një fabul paralajmëruese. Shumë njerëz besojnë se nëse e pranon Ballkanin Perëndimor në bllok, BE-ja mund ta gjejë veten në telashe, me shumë ngatërrestarë të ngjashëm me hungarezin Viktor Orban, që ka kredenciale të dyshimta demokratike.

LEXO EDHE:  Në rresht para djalit të Sorrosit/ Rama komenton praninë e tij në Open Balkan

Skeptikët ndaj zgjerimit, llogaritin se Ballkani Perëndimor nuk ka ku të shkojë tjetër. Dhe edhe nëse atyre iu mohohet anëtarësimi në bllok, nuk kanë luksin t’i kthejnë shpinën BE-së. Kjo sepse BE-ja mbetet lojtarja kryesore ekonomik në rajon, me rreth 73 për qind të investimeve të huaja dhe 70 për qind të tregtisë.

Njerëzit e Ballkanit udhëtojnë, studiojnë dhe punojnë në BE. Për më tepër, pavarësisht nga zërat që rrethojnë ndihmën e ofruar nga Rusia dhe Kina, është kryesisht BE-ja, ajo që po e mbështet faturën për rimëkëmbjen ekonomike të Ballkanit Perëndimor pas pandemisë së Covid-19.

Bashkë me Bankën Evropiane të Investimeve, BE ka dhënë 3.3 miliardë euro për të  mbështetur 6 vendet e rajonit gjatë pandemisë. Por ashtu si në BE, edhe në Ballkanin Perëndimor, ekziston gjithashtu një oreks domethënës për “autonominë strategjike”.

Për shembull në një konferencë në Shkup të mbajtur javën e kaluar, unë dëgjova disa ministra ballkanikë të flisnin me entuziazëm për “afërsi”, proces që po rikthen në Evropë dhe larg Kinës zinxhirët e furnizimit.

Në përgjithësi, BE-ja dhe Ballkani Perëndimor kanë synime dhe aspirata të ngjashme, dhe fatet e tyre duket se janë të lidhura bashkë në shumë fronte. Por tani shumë aktorë lokalë nuk hezitojnë që të shmangin kërkesat e BE-së, duke u justifikuar me mungesën e përparimit në procesin e anëtarësimit.

Madje disa prej tyre, sikurse është presidenti serb Vucic, nuk ngurojnë ta sulmojnë BE-në për standardet e saj të dyfishta dhe mungesën e besueshmërisë, në mënyrë që të rrisin popullaritetin e tyre në vend.

Vuçiç dhe të ngjashmit e tij kanë shtuar kontaktet me rivalët e BE-së në të gjithë globin, si Rusia dhe Kina, për të siguruar investime, vaksina ose mbështetje diplomatike. Edhe në vendet ku mbështetja ndaj BE-së është tradicionalisht e lartë, si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, rezistenca e bllokut ndaj zgjerimit po bën të vetën.

Edhe në këto vende, të qenit në favor të integrimit evropian, nuk i ndihmon më politikanët të fitojnë zgjedhjet. Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe homologu i tij i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, e dinë shumë mirë këtë. Kjo është arsyeja pse Rama dhe Zaev bashkuan forcat me Vucic për të krijuar nismën e tyre integruese, “Open Balkan”, për të fuqizuar ekonomitë e vendeve të tyre pa ndihmën e BE-së.

Pavarësisht fjalëve të mira që u thanë në samitin e Brdos, ngurrimi aktual i BE-së përt’u zgjeruar në ish-Jugosllavi, mund të përfundojë duke u shndërruar në një qëndrim të përhershëm. Por kjo nuk do të thotë se fundi i ëndrrës evropiane të rajonit do të jetë pa asnjë humbje.

Në vitin 2003, kur BE-ja premtoi për herë të parë anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në samitin e Selanikut, shumë vetë në rajon besuan se evropianizimi do të siguronte një qeverisje të mirë, institucione të përgjegjshme, rritje ekonomike të fuqishme, dhe do t’i

jepte fund konflikteve të nxitura nga nacionalizmi.

Mjerisht, në gati 20 vjet që atëherë, rajoni nuk i është afruar më shumë arritjes së këtyre qëllimeve. Deklarata e Brdos foli gjithashtu edh për “përparësinë e demokracisë, të drejtave, dhe vlerave themelore dhe sundimit të ligjit”.

Por me shumicën e shteteve anëtare të BE-së që ndryshojnë zgjerimin çdo ditë e më shumë, dhe me udhëheqësit e Ballkanit po fillojnë të kërkojnë në mënyrë aktive rrugë alternative për vendet e tyre, nuk ka gjasa që Evropa të luajë një rol të rëndësishëm në afrimin e rajonit me përmbushjen e këtyre qëllimeve të rëndësishme.

https://www.aljazeera.com/opinions/2021/10/21/the-western-balkans-leaving-the-eu-dream-behind

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Blog

Shkencëtarët kundër planeve bërthamore të Bill Gates

Publikuar

-

Nga

cna news, cna lajme, lajme cna, lajme flash cna, cna.al, cna lajme politike,

Kompanitë në pronësi të Bill Gates dhe Warren Buffett planifikojnë të nisin projektin e parë të të ashtuquajturit reaktor atomik “Natrium”. Për ekspertët projekti është përpjekje të gabuar për uljen e CO2.

“TerraPower”, kompania e energjisë bërthamore e Bill Gates, si dhe “PacifiCorp” – në pronësi të kompanisë Holding të Warren Buffett, “Berkshire Hathaway” – u bënë bashkë në shtator të 2020-ës në projektin “Natrium”. Bëhet fjalë për një reaktor të vogël modular për të cilin ata thonë se do të jetë i zbatueshëm deri në vitin 2030.

Shumë vende po mendojnë si zgjidhje reaktorë bërthamorë më të vegjël, të ashtuquajtur modularë, si një mënyrë për të mbështetur prodhimin e energjisë me emetim të ulët, duke shmangur varësinë e deritanishme nga karburantet klasike si gazi apo qymyri dhe duke kaluar tek burimet e rinovueshme të energjisë. “Reaktori do të ndërtohet nga Bechtel, në Wyoming, shteti kryesor i prodhimit të qymyrit në Shtetet e Bashkuara”, tha Gates. “Ne mendojmë se ‘Natrium’ do të ndryshojë historikun e industrisë së energjisë”, theksoi ai.

Akti i Transformimit të Energjisë së Pastër të SHBA-së kërkon eliminimin e qymyrit deri në vitin 2025 dhe dekarbonizimin e plotë të rrjetit deri në vitin 2045. Departamenti i Energjisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës i ka dhënë “TerraPower” 80 milionë dollarë (70 milionë euro) për të çuar përpara idetë e saj. “TerraPower” thotë se uzina do të kushtojë 1 miliard dollarë, duke përfshirë inxhinierinë, prokurimin dhe kostot e ndërtimit, si dhe do të nevojiten shtatë vjet për t’u ndërtuar. Në SHBA, kostoja e ndërtimit të një termocentrali konvencional bërthamor është rreth 25 miliardë dollarë dhe mund të marrë shumë më tepër kohë për t’u ndërtuar.

Bill Gates

“Reaktorët më të vegjël dhe të avancuar, si ata që po zhvillohen nën financimin e Bill Gates dhe të tjerëve, ofrojnë aplikacione, qasje dhe mundësi të reja për një nga burimet më të mëdha në botë të energjisë që nuk emeton karbon, asaj bërthamore” – tha për DW Brett Rampal, drejtor i inovacionit bërthamor në organizatën jofitimprurëse “Clean Air Task Force” (Task Forca e Ajrit të Pastër).

“Nuk janë reaktorë dhe aq të vegjël, sepse janë 345 MW (Megavat)” – tha për DW Antony Froggatt, studiues në Chatham House. “Ndonëse shumë më të vegjël se reaktorët ekzistues (1,000 MW), ata konsiderohen të mëdhenj dhe mund të mos jenë aq modularë sa synohet dhe kjo hedh poshtë argumentin se këto reaktorë mund të ndërtohen në fabrika dhe më pas të dërgohen jashtë” –  paralajmëroi ai.

Rëndësia e fleksibilitetit

Reaktorët “Natrium” pritet të plotësojnë mangësitë e prodhimit të energjisë nga era dhe dielli, siç do të bënte një gjenerator rezervë. Projekti përfshin një reaktor të shpejtë të ftohur me natrium 345 megavat (MW), i cili ruan energjinë nga kripa e shkrirë, me qëllim rritjen e prodhimit të energjisë në 500 MW në kohën kur ka kërkesë maksimale për energji. Teknologjia e natriumit ka aftësinë për të ruajtur nxehtësinë në rezervuarët e kripës së shkrirë për përdorim në të ardhmen, si një bateri.

LEXO EDHE:  LDK, AAK, Nisma për Kosovën bashkë për qeverinë

LEXO EDHE:  Nisma për importin e plehrave/Braçe kundër mazhorancës: Nuk e votoj



“Natriumi përfshin rezervuarët e ruajtjes së nxehtësisë së nitratit – i njëjti që përdoret në sistemet e përqendruara të energjisë diellore. Kjo mundëson prodhimin ekonomik të ndryshueshëm të energjisë elektrike – një zëvendësim për turbinat e gazit dhe impiantet e qymyrit”, i tha DW-së, Charles Forsberg, nga Departamenti i Shkencës dhe Inxhinierisë Bërthamore në Institutin e Teknologjisë në Massachusetts.

Warren Buffet

“Reaktori funksionon me fuqi të plotë, me energji elektrike të ndryshueshme në rrjet. Depozitimi i nxehtësisë është rreth 10 herë më pak i shtrenjtë se depozitimi i baterisë por nevojitet që teknologjia e prodhimit të nxehtësisë të bëhet një me ruajtjen e nxehtësisë. Energjia bërthamore është teknologjia e prodhimit të nxehtësisë me karbon të ulët” – tha Forsberg.

Dobësitë

“Bill Gates ka nënvlerësuar vazhdimisht rolin e sigurt dhe tashmë të provuar të energjisë së rinovueshme në dekarbonizimin e ekonomisë sonë, duke i dhënë rëndësi një teknologjie më të rrezikshme dhe me pasoja si gjeoinxhinieria dhe ajo bërthamore,” tha për DW Michael E. Mann, profesor i shkencës atmosferike në Universitetin Penn State. Mann, nënshkrues i një deklarate të fundit që bën thirrje për dekarbonizim përmes energjisë 100% të rinovueshme, thotë se e sheh shqetësuese që Gates po përpiqet të përfitojë nga ky “drejtim i gabuar”. “Është qasje e rrezikshme, sepse na çon në rrugën e gabuar. Në këtë pikë, veprimet nuk janë më teknologjike. Ato janë politike”  – argumentoi Man.

Të tjerët pajtohen. “Energjia bërthamore është një diversion nga aksioni që duhet ndërmarrë për emergjencën klimatike”, tha për DW Jan Haverkamp i ‘Greenpeace’. “Fuqia e re bërthamore, qofshin reaktorë të mëdhenj ekzistues apo modele të reja të vogla, mund të ofrojnë vetëm një pjesë margjinale të reduktimit të emetimeve të gazeve serrë” shprehet Haverkamp, duke shtuar se një dyfishim i kapacitetit aktual do të sillte më pak se 4% reduktim. “Reaktorët si ‘Natrium’ janë ato që ne i quajmë reaktorë me rritje të shpejtë. Këto reaktorë janë makthe”, sipas Haverkamp. Ato veprojnë së bashku me teknologjinë e përpunimit, e cila është gjithashtu e rëndësishme për izolimin e materialit të bombave bërthamore. Qoftë vetëm për këtë arsye, unë mendoj se idetë e Gates në këtë fushë janë tepër të rrezikshme” – vijoi ai.

“Sot, energjia e erës dhe diellit janë shumë më të lira, shumë më të shpejta për t’u përdorur dhe shumë më të sigurta se centralet bërthamore tradicionale,” tha për DW Robert Howarth, profesor në Universitetin Cornell.

“A mund të jenë më të mira se termocentralet tradicionale bërthamore këto impiante që përfytyrojnë Gates dhe Buffet? Ndoshta, por ky është ende vetëm një eksperiment. Dhe unë dyshoj në pretendimet që ngrihen. Në çdo rast ato janë një shpërqendrim dhe është mirë që ne të heqim dorë nga energjia bërthamore dhe të kalojmë 100% drejt burimeve të rinovueshme, sa më shpejt që të mundemi”, përfundoi Howarth./DW

LEXO TE PLOTE

Blog

Bosnje-Hercegovina rrezikon të ripërtërijë dhunën etnike në Ballkan

Publikuar

-

Nga

cna lajme blog

Nga Iva Vukushic “The Conversation”

Çerekshekulli që prej përfundimit të luftës në Bosnje, ky vend sot ndodhet sërish në një pozitë të rrezikshme. Njerëzit që jetojnë atje janë shumë të shqetësuar. Tek e fundit kanë shumë të drejtë, pasi në konfliktin që përfshiu vendin midis viteve 1992-1995, më shumë se 100.000 njerëz u vranë ose u zhdukën.

Midis tyre ishin rreth 8.000 burra dhe djem të vrarë në gjenocid pas rënies së Srebrenicës në korrikun e vitit 1995. Që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit dhe përfundimi i luftës, është bërë shumë për të zgjidhur problemet e krijuara nga trashëgimia e dhunës së përhapur.

Shumë prej njerëzve të zhdukurve nuk janë gjetur. Disa nga ata që janë përgjegjës për vrasjen, përdhunimin dhe rrahjen e mijëra njerëzve, janë ndjekur penalisht dhe burgosur. Megjithatë, duket se ajo që është arritur nuk është e mjaftueshme. Dhe tani po shtohet frika se dhuna mund të shpërthejë sërish.

Që nga fundi i vitit 1995, Bosnja ka ngecur e mbërthyer në një strukturë kushtetuese jofunksionale. Marrëveshja e paqes krijoi dy entitete:Republika Srpska dhe Federata e Bosnjë-Hercegovinës. Së bashku me qarkun e vogël por që ka një vendndodhje strategjike, Brčko, përbëjnë shtetin federativ.

Federata drejtohet bashkarisht nga përfaqësuesit e boshnjakëve (më parë të referuar si myslimanë boshnjakë) dhe kroatët e Bosnjes. Ndërkaq, krijimi i një Republika Srpska të pavarur ishte projekti politik i parashikuar dhe mbështetur nga ish-udhëheqësit Radovan Karaxhiç dhe gjenerali Ratko Mlladiç së bashku me sponsorat e tyre në Serbi.

Këto të fundit përfshinin ish-presidentin serb Sllobodan Milosheviç, qësiguroi fondet dhe armët e nevojshme për të zhvilluar luftën. Karaxhic dhe Mlladiç u dënuan në Hagë me burgim të përjetshëm për krimete kryera në ndjekje të ambicieve të tyre territoriale dhe demografike.

Pikërisht gjatë fushatës së armatosur për krijimin e Republika Srpska, që sipas tyre do të ishte e lirë nga jo-serbët, u kryen shumica e krimeve më të tmerrshme. Sistemi i krijuar sipas Marrëveshjes së Dejtonit i dha fund luftës, por në të njëjtën kohë e ndau vendin. Ai krijoi stimuj që politikanët të ndiznin flakën e tensioneve etnike, dhe bëri të mundur që ata të kënaqeshin me korrupsionin e përhapur pa e humbur postin që mbajnë.

Ndërkohë, komuniteti ndërkombëtar – kryesisht SHBA dhe Bashkimi Evropian -e ka humbur gradualisht interesin për financimin e përpjekjeve shtet-ndërtuese në rajon. Shumë premtime u bënë menjëherë pas konfliktit. Por që nga ajo kohë, krizat në Siri, Ukrainë dhe së fundmi në Afganistan, kanë kërkuar si reagime po ashtu edhe burime.

Kjo ka sjellë zbehjen e premtimit për integrimin e Bosnje Hercegovinës në BE. Gjatë15 viteve të fundit, nuk ka pasur asnjë vizion, entuziazëm dhe shumë pak shpresë për një të ardhme më të mirë. Së fundmi, reagimi i dobët ndaj COVID-19, nxori një pah se Bosnja është bërë shumë jo-funksionale, dhe se kjo gjë ka pasoja vdekjeprurëse.

Në këtë kontekst të ndërlikuar, udhëheqësit serbë të Bosnjës dhe kryesisht politikani më dominues Milorad Dodik, kanë ngritur ndjeshëm tensionet, duke kërcënuar se do të krijojnë një Ushtri Serbe të Bosnjes, dhe se do të tërhiqen nga institucionet e përbashkëta shtetërore, si dhe kanë deklaruar se do të shpallin pavarësinë.

LEXO EDHE:  Kreu i FRPD del publikisht në krah të Patozit/ E vlerësoj këtë nismë të marrë

LEXO EDHE:  Deputetëve të AAK-së e të ‘Nismës’ u rrezikohet mandati



Planet e Dodik kërcënojnë që ta shkatërrojnë vetë sistemin që e mban Bosnjën të bashkuar dhe në paqe. Herën e fundit që nacionalistët u përpoqën të kishin një Republika Srpska të pavarur, pati gjakderdhje dhe persekutim masiv dhe sistematik të komuniteteve jo-serbe.

Ushtria Serbe e Bosnjës ishte forca që për 4 vite rresht granatoi dhe goditi me snajper civilët në Sarajevës. Oficerët e saj të sigurisë dhe inteligjencës, ishin kryesisht autorët e gjenocidit të Srebrenicës.

Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë, si dhe në gjykata në vend, duhej që të siguronin drejtësi dhe parandalim. Boshnjakët që përballen me krizën aktuale nuk ndihen të sigurt. Ritmi i gjyqeve për të dënuar kriminelët e luftës është ngadalësuar shumë vitet e fundit, duke lënë ende të lirë vrasës dhe përdhunues.

Në fillimin e vitit 2022, do të mbushen 30 vjet që kur doli versioni origjinal i Republikës Srpska, si pasojë e një fushate brutale të spastrimit etnik dhe gjenocidit. Afrimi i atij përvjetori, krahas kontekstit më të gjerë gjeopolitik – me SHBA-në, Britaninë e Madhe dhe BE-në të shpërqendruara, dhe me një Rusi më agresive-po krijon një dimër të trazuar.

Rusia vjen e inkurajuar me përvojat me Ukrainën Lindore dhe Krimenë, ku ajo ka zgjeruar ndikimin dhe kontrollin nëpërmjet bashkëpunimit me aktorët vendas. Analistët e pranojnë se Moska mund të bëjë të njëjtën gjë duke mbështetur planet e serbëve të Bosnjës.

Këtij konteksti i shtohen edhe tensionet e fundit në rajon në zonat kufitare me Kosovën. Edhe në Maline Zi ka shqetësime për një komunitet të radikalizuar, që dëshiron të ketë lidhje më të ngushta me Serbinë. Njerëzit në Bosnje Hercegovinë e kujtojnë mirë fillimin e viteve 1990.

Shumë prej tyre u ndjenë të braktisur dhe jo pa arsye nga komuniteti ndërkombëtar, që mjaftohej me ndjekjen e lajmeve të mbrëmjes kur boshnjakët mblidheshin, futeshin nëpër kampe dhe ndërkohë që shtëpitë e tyre ishin grabitur ose djegur, ose qëlloheshin nga snajperët që ishin pozicionuar në kodrat përreth Sarajevës.

Kjo krizë, si një kulm i viteve të stanjacionit dhe degradimit, duhet të shërbejë si një thirrje për veprim, në mënyrë që gjendet një shteg i arsyeshëm për të ecur përpara pa dhunë, me siguri edhe për të garantuar prosperitet për të gjithë qytetarët e Bosnjë-Hercegovinës, pavarësisht prejardhjes së tyre etnike.

Që kjo të arrihet, duhet që vullneti dhe përkushtimi politik i liderve lokalë të jetë vendimtarë. Por edhe para kësaj, ajo për të cilën ka dëshpërimisht nevojë Bosnje-Hercegovina është vëmendja e politikanëve ndërkombëtarë, për të treguar se dikush ndodhet në një pozicion ku mund t’iu japë ndihmë.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al

https://theconversation.com/bosnia-and-herzegovina-world-leaders-risk-renewed-violence-if-the-country-breaks-apart-171068

LEXO TE PLOTE

Blog

Polonia paralajmëron “përshkallëzim të armatosur” me Bjellorusinë

Publikuar

-

Nga

Polonia paralajmëron për një përshkallëzim të mundshëm të armatosur në kufirin e saj me Bjellorusinë, ndërsa mijëra emigrantë përpiqen të kalojnë kufirin për të hyrë në Bashkimin Evropian.

Qeveria polake akuzon Bjellorusinë se po i drejton emigrantët drejt kufirit, si pjesë e një ‘lufte hibride’. Vlerësohet se mijëra emigrantë kanë ngritur kampe përgjatë kufirit afër fshatit polak Kuźnica. Disa u përpoqën të çanin gardhin me tela dhe rojat kufitare polake përdorën gazin lotsjellës për t’i shpërndarë ata.

Autoritetet polake thanë se janë arrestuar dhjetëra emigrantë. “Në 24 orët e fundit kemi pasur 309 përpjekje të paligjshme për të kaluar kufirin. Roja Kufitare ka lëshuar 85 urdhra për largim nga territori i Polonisë. Shtatëmbëdhjetë të huaj u arrestuan dhe do t’i nënshtrohen një procedure administrative“, u tha gazetarëve të martën zëdhënësja e Rojave Kufitare polake, Katarzyna Zdanoëicz.

Polonia mbyll kufijtë për migrantët, akuza ndaj Bjellorusisë

Nuk është e qartë nëse emigrantët e ndaluar kanë kërkuar strehim në Poloni, që është e drejtë e tyre sipas ligjit ndërkombëtar.

Emigrantët janë nga Afganistani, Lindja e Mesme dhe Afrika, kryesisht të rinj, por edhe disa gra dhe fëmijë. Në pamjet e transmetuara në televizionin shtetëror bjellorus, që nuk mund të vërtetoheshin në mënyrë të pavarur nga Zëri i Amerikës, një emigrant tha se nuk dëshironte të qëndronte në Poloni. “Jo në Poloni. Ne po shkojmë në Gjermani. Gjermania është jeta. Jo Polonia”, tha ai. Gjermania është një synim i përbashkët për shumë emigrantë që hyjnë në Evropë.

Shfrytëzimi i emigrantëve si ‘armë”

Polonia dhe Bashkimi Evropian akuzojnë Minskun për shfrytëzimin e emigrantëve si “armë” duke i ftuar ata të hyjnë në Bjellorusi dhe më pas duke i drejtuar në kufi, ndonjëherë edhe me forcë. Duke vizituar zonën kufitare të martën, kryeministri polak Mateusz Morawiecki, vlerësoi punën e 12,000 trupave që qeveria ka vendosur për të mbrojtur kufirin.

Ne e dimë se ky është një operacion plotësisht i planifikuar, i cili synon të dëmtojë sovranitetin e vendit tonë. Kjo është absolutisht e qartë për ne”, kryeministri polak.

Regjimi i (presidentit të Bjellorusisë Aleksander) Lukashenko po përdor civilët si armë të një lufte hibride. Ajo që mund të shohim sot janë metoda të reja dhe ju jeni një fortesë thelbësore për t’u mbrojtur nga këto metoda të reja”, shtoi ai.

Polonia mbylli të martën vendkalimin kryesor kufitar me Bjellorusinë, që është rruga kryesore për trafikun rrugor midis Evropës veriore dhe Rusisë.

Mbështetja ruse

Bjellorusia mohon akuzat se po i dërgon emigrantët drejt kufirit. Presidenti Aleksander Lukashenko akuzoi Poloninë se “ka marrë armët në dorë. Është e qartë që është një lloj stërvitjeje apo frikësimi. Sigurisht që do ta përballojmë pa asnjë ankth”, tha ai për televizionin shtetëror.

Rusia shprehu mbështetjen për aleaten e saj, Bjellorusinë dhe fajësoi politikat e Bashkimit Evropian mbi migracionin për situatën në kufi. Në një konferencë shtypi të martën pas bisedimeve me zyrtarët e Vatikanit, ministri i jashtëm rus, Sergej Lavrov, i bëri thirrje Evropës që t’i japë ndihmë financiare Bjellorusisë.

Vendet e BE-së duhet të kenë standarde të qëndrueshme kur bëhet fjalë për pranimin ose refuzimin e refugjatëve. Përse, kur refugjatët vinin përmes Turqisë, BE-ja ndau fonde për t’u mundësuar qëndrimin në Turqi? Përse është e pamundur të ndihmosh bjellorusët në këtë mënyrë?”, tha ai

Hakmarrje



Bashkimi Evropian thotë se Bjellorusia po hakmerret për sanksionet që blloku vendosi pas shtypjes brutale të protestave pro-demokracisë, pas zgjedhjeve të diskutueshme të vitit 2020, për të cilat vëzhguesit perëndimorë thonë se ishin të manipuluara.

LEXO EDHE:  Kreu i FRPD del publikisht në krah të Patozit/ E vlerësoj këtë nismë të marrë

LEXO EDHE:  Kreu i FRPD del publikisht në krah të Patozit/ E vlerësoj këtë nismë të marrë

Presidentja (e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen) kërkoi shumë qartë që Bjellorusia t’i jap fund instrumentalizimit të emigrantëve për qëllime politike, gjë që po vë në rrezik jetën e njerëzve“, tha të martën Dana Spinant, një zëdhënëse e Komisionit Evropian.

BE akuzon Bjellorusinë: Po përdor “taktika prej gangsterësh”

Qëllimi ynë është të dërgojmë mesazhin e qartë për autoritetet e vendeve nga vijnë emigrantët se ky është një kurth i rrezikshëm, se njerëzit po joshen nga regjimi në Minsk dhe ata sillen në Bjellorusi dhe dërgohen drejt kufijve të BE-së. Ata po përballen me një situatë vërtet të rrezikshme atje”, tha ajo.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, u bëri jehonë këtyre shqetësimeve. “Shtetet e Bashkuara dënojnë fuqishëm shfrytëzimin politik dhe detyrimin e njerëzve të cenueshëm nga regjimi i Lukashenkos, dhe lehtësimin e pashpirt dhe çnjerëzor nga regjimi të valëve të parregullta të migracionit përtej kufijve të tij“, u tha zoti Price gazetarëve.

Mediat e bllokuara

Polonia ka vendosur gjendjen e jashtëzakonshme në rajonin kufitar, duke bllokuar qasjen e grupeve të ndihmës dhe gazetarëve. Disa emigrantë kanë vdekur tashmë në kufi, ndërsa mijëra janë të bllokuar në temperatura të ulëta me pak ushqime ose ujë.

Bjellorusia po e çon Evropën në një krizë morale, thotë analisti polak, Piotr Buras nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie Ndërkombëtare.

Si evropianë, si qenie njerëzore, ne nuk mund të injorojmë tragjedinë e atyre njerëzve që u bllokuan mes rojeve kufitare bjelloruse, nga njëra anë, të cilët nuk i lejojnë as të kthehen në Minsk ose në vendet e tyre, edhe nëse duan meqë rojat kufitare bjelloruse i shtyjnë ata njerëz drejt kufirit polak, i kërcënojnë dhe përdorin forcë kundër tyre – dhe nga ana tjetër, në anën polake, ka roja kufitare që nuk i lejojnë të hyjnë”.

Lukashenko është i interesuar të ketë trupa të pajetë në kufirin polako-bjellorus sepse, nga këndvështrimi i tij, kjo do të komprometonte vlerat evropiane”, tha analisti Buras për Zërin e Amerikës.

Organizatat humanitare thonë se veprimet e trupave polake për kthimin mbrapsht të strehimkërkuesve të ligjshëm, shkelin ligjin evropian dhe ndërkombëtar. Polonia thotë se veprimet e saj janë të ligjshme.

Në një deklaratë të përbashkët, Komisionari i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) dhe Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) bënë thirrje për një shtendosje të menjëhershme. “Në dritën e situatës alarmante në kufi, të dyja palët duhet të respektojnë detyrimet e tyre sipas ligjit ndërkombëtar dhe të garantojnë sigurinë, dinjitetin dhe mbrojtjen e të drejtave të njerëzve të bllokuar në kufi”, thuhet në deklaratë.

Sanksionet e reja të BE-së

Pavarësisht marrëdhënieve të tensionuara me Varshavën, Bashkimi Evropian tha të martën se Polonia ka mbështetjen e plotë të tij dhe blloku po përgatit sanksione të reja kundër qeverisë bjelloruse.

Evropa duhet të përdorë gjithashtu diplomacinë për të ndërprerë migrimin në burimin e tij, thotë analisti Piotr Buras. “Lukashenko po sjell emigrantë me avion nga një sërë vendesh. Këto vende, shumë prej tyre, varen edhe nga marrëdhëniet e mira me Bashkimin Evropian dhe është absolutisht e papranueshme që ata të tolerojnë këtë lloj sjelljeje”, tha analisti Buras për Zërin e Amerikës.

Lituania, e cila së bashku me Letoninë ka përjetuar gjithashtu një valë emigrantësh muajt e fundit, ka filluar të vendosë më shumë trupa përgjatë kufirit të saj me Bjellorusinë./voa

LEXO TE PLOTE