Connect with Us

Kush ishin masonët shqiptarë/ Lëvizjet për ngritjen e lozhës së Shkodrës

Blog

Kush ishin masonët shqiptarë/ Lëvizjet për ngritjen e lozhës së Shkodrës

Publikuar

-

cna lajme kuriozitete

Nga Hasan Bello

Shekulli i XVIII-XIX-të për shkak të revolucioneve dhe dekompozimit të strukturave të vjetra shoqërore, për shumë vende europiane dhe vetë Perandorinë Osmane do të shoqërohet me krijimin e organizatave të fshehta. Qëllimi i tyre ishte lufta kundër absolutizmit dhe klerikalizmit, të cilët konsideroheshin si pengesë kryesore për shekullarizimin, ndryshimin e regjimeve politike dhe krijimin e shteteve kombëtare. Një nga këto organizata sekrete do të jetë edhe lëvizja masonike, e cila do të krijoi celulat e saj, sipas një rregulloreje strikt për çdo anëtar.

Në vende të ndryshme të botës, pjesë e lozhave masonike kanë qenë personalitete të njohur të politikës, artit dhe shkencës. Por ekzagjerimi që i bëhet këtij fenomeni ka marë natyrë pandemike. Me këtë kemi parasysh se, jo çdo figurë e njohur ka qenë domosdoshmërisht mason.

Prandaj, nëse meremi me tema kaq sensitive që i përkasin botës së konspiracionit, duhet të bëjmë kujdes. Shqipëria nuk shquhet për intensitet organizatash masonike.

Kjo është arsyeja që arkivat e tyre si në disa shtete si Franca dhe Italia mungojnë. Dokumentacioni është i pakët, për shkak se masonët shqiptarë, në shumicën e rasteve ishin anëtarë të shoqërive të shteteve fqinjë. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se ata nuk kanë ekzistuar tek ne.

Në fund të shek.XIX-të masoneria dhe socializmi ishin dy armiqtë kryesorë të Vatikanit. Kjo për shkak se këto dy lëvizje ishin organizatat më antiklerikaliste të kohës. Nga mesi i tyre dolën personalitete të politikës, artit dhe shkencës, shkrimtarë dhe filozofë që si armik kryesorë të shoqërisë konsideronin klerin dhe besimet fetare. Në vende të ndryshme, siç ishte Italia, lëvizja masonike u mpleks me përpjekjet për krijimin e shteteve kombëtare.

Përplasja me klerin që përfaqësonte interesa të ndryshme, i kishte armiqësuar akoma dhe më tepër palët. Për këtë arsye, Selia e Shenjtë do të krijoi “Këshillin e Përgjithshëm të Bashkimit Antimason”, i cili sipas një letre që i dërgonte argjipeshkvit të Shkodrës, Paskuale Guerini-t më 6 shtator 1897 kërkonte që të merreshin masa, për të mos lejuar përhapjen e masonerisë.

Në fakt nga dokumentacioni i shqyrtuar, nuk rezulton që brenda territorit shqiptar të kishte lozha masonike. Por, nga ana tjetër, kontaktet e para të shqiptarëve me lëvizjen masonike kishin filluar tek arbëreshët e Italisë dhe një pjesë e studentëve, oficerëve dhe drejtuesve shqiptarë në shërbim të Perandorisë Osmane.

Kështu, një nga themeluesit e lëvizjes xhonturke, shqiptari nga Struga Dr.Ibrahim Temo, në librin me kujtime tregon hapur, se si model i organizatës së tyre politike, që vonë do të marë emrin “Bashkim dhe Përparim” do të shërbejnë lozhat italiane. Madje, për të fituar eksperiencë, ai me disa xhonturq të tjerë do të nisen drejt Italisë. Pothuajse i gjith organizimi, komunikimi dhe celulat e saj kësaj organizate do të ndërtohen sipas këtyre lozhave.

Me kalimin e viteve pjesë e lëvizjes xhonturke dhe e lozhave masonike do të bëhen edhe disa shqiptarë të tjerë. Protagonizmi i tyre në qendrën e Komitetit Xhonturk, në qytetin e Selanikut, i cili konsiderohej si epiqendër e masonëve të Perandorisë Osmane, është një tregues tjetër.

Kjo nuk do të thotë se roli i tyre në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare duhet nënvlerësuar. Përkundrazi, në periudha të caktuara të historisë, ata kanë luajtur një rol pozitiv. Anëtarësimi i tyre në këto lozha shihej si trend dhe si mënyrë për t`i shërbyer çështjes kombëtare.

Një rast i tillë është ai vëllezërve Mirash e Martin Ivanaj apo i kushëririt të tyre Nikoll Ivanaj. Këto personalitete kanë luajtur një rol shumë pozitiv para dhe pas krijimit të shtetit shqiptar. Për të gjith është i njohur fakti, se reformat e Mirash Ivanaj-it si ministër Arsimi në periudhën e Mbretit Zog, përbëjnë një akt patriotik.

Por kontributi i tyre shtrihet edhe në pozicione të ndryshme të administratës. Pavarësisht faktit, se tek këto personalitete, përsa i përket laicitetit kishte doza ekstremiteti.

Në vitet 20-30-të çdo person që punonte në administratën shtetërore dhe që ishte simpatizant i reformave sekulariste, kleri e konsideronte mason. Në fakt, kjo nuk është e vërtetë. Për të qenë pjesë e këtyre lozhave, ka disa kritere. Këto akuza më tepër bëheshin për të ngjallur frikën e besimtarëve.

Në këtë periudhë pati përpjekje për t`i përdorur lozhat masonike jashtë Shqipërisë në funksion të intereave politike: e para, nga kundërshtarët politik të A.Zogut pas largimit të disa prej tyre drejt Turqisë, e dyta, po nga Mbreti Zog për interesat e kombit shqiptar.

Kështu, duke ditur influencën që ato kishin në Turqi, ai do të dërgoi personalitetin e njohur kosovar Ferhat bej Dragën, që të lobonte pranë tyre për të penguar marrëveshjen jugosllavo-turke për dëbimin e popullsisë shqiptare.

Arbëreshi Terenc Toçi (1880-1945): patriot, mason dhe shtetar i njohur shqiptar

Një nga masonët më të njohur shqiptar që ka dhënë një kontribut të madh para e pas krijimit të shtetit shqiptar është padyshim arbëreshi Terenc Toçi. Ai ka lindur në mars të vitit 1880 në Sh.Kozmo Albaneze, në provincën e Kozencës.

Përveç figurave të njohura arbëreshe për formimin e tij do të ndikoi jashtzakonisht njohja me personalitetin republikan, masonin Felice Albani, i cili në vitin 1900 pati themeluar partinë maciniane republikane. Kjo bëri që ai, ndryshe nga avokati i njohur arbëresh Anselmo Lorecchio dhe revista e tij e famshme “La Nazione Albanese” që mbështeste pikëpamjen e një procesi çlirimi kombëtar gradual dhe të moderuar për shqiptarët, për T.Toçin duhej hequr dorë ndaj taktikave të përdorura deri atëherë.

Sipas tij, “Liria nuk lypet! Kur një popull don të jetë i lirë, nuk bën politikë, por luftë, nuk e lë veten në dorë të diplomatëve, por të guximit të vet: dhe nëse bie, ai rilind”. Këto ide revolucionare, bënë që ai të bashkohej shumë shpejt me Riçoti Garibaldin, i cili kishte luftuar disa herë përkrah popujve ballkanikë kundër Perandorisë Osmane.

Njohja e tij me Felice Albanin bëri që brenda një kohe të shkurtër T.Toçi të integrohej mirë në rrethet masonike, duke patur kontakt direkt me Mjeshtrin e Madh të Italisë, skulptorin, piktorin dhe deputetin radikal, Ettore Ferrari.

Ky ishte një personalitet i spikatur i së majtës irredentiste dhe nacionaliste italiane e shumë aktiv në çështjen e çlirimit të popujve ballkanikë. Kjo ndoshta do të ketë qenë edhe arsyeja e miqësisë së T.Toçit me të, si dhe aktviteti i mëvonshën i tij në Shqipëri.

Sidoqoftë, njohja dhe anëtarësimi i T.Toçit në lozhat masonike bëri që rrethi i tij miqësorë me politikanë e intelektualë të njohur italianë të zgjerohej gjithnjë e më shumë. Gjatë kësaj periudhe, ai do të njihet dhe me Nikollë Ivanaj-in, një shqiptar patriot nga Mali i Zi, mason dhe mik i Felice Albani-t.

Ivanaj nxirrte prej disa kohësh, fillimisht në Raguzë dhe më pas në Trieste, revistën “Shpresa e Shqypnisë”. Në vitin 1907, ai shprehte kënaqësinë e tij të madhe që kishte zbuluar te T.Toçi “një vëlla luftarak dhe me vlera të mëdha shkencore”.

Një vit më pas, gjatë një vizite në Romë, Ivanaj ra dakord me F.Albanin që selinë e revistës ta zhvendoste në atje, duke ia besuar drejtimin e saj T.Toçit.

Në vitet 1908-1909, T.Toçi do të udhëtoi drejt Argjentinës, Uruguait, Brazilit, SHBA-së etj. Gjatë këtij udhëtimi sipas biografëve të tij, Toçi ktheu edhe në Kubë, duke hyrë në kontakt për llogari të Felice Albanit me komitetet revolucionare.

Me mbështetjen e Mjeshtrit të Madh të Italisë, ai u përpoq të prezantonte organizatën masonike “Orienti i Madh” në Kili. Përveç njohjes e më pas martesës me një vajzë me origjinë arbëreshe, Klementina Raomano-n, pjestare e një familje emigrantësh në SHBA, misioni i Toçit për mbledhjen e ndihmave për çështjen shqiptare përfundoi pa sukses.

Pas kthimit në Itali, me ndihmën e Felice Albanit dhe rekomandimin e Mjeshtrit të Madh Ferrari për mjediset masonike, ata u vendosën në Milano.

Me profesion avokat, T.Toçi fillimisht punoi në një studio ligjore e më pas si i pavarur.

Kryengritjet që shpërthyen në Shqipëri ngjallën entuziazmin e arbëreshëve të Italisë. Në fillim të vitit 1911, ata themeluan komitetin “Pro Albania”, ku Nikoll Ivanaj dhe T.Toçi, luanin një rol të rëndësishëm. Me insistimin e tyre, në këtë komitet, mernin pjesë Felice Albani, Ferrari, deputetë e personalitete të njohur italianë, që ishin njëkohësisht drejtues ose anëtarë të lozhave masonike.

Formimi i tij patriotik i mpleksur me një dell revolucionari e shtynë T.Toçin të hartonte një plan për të shkuar në Shqipëri për të ndihmuar organizimin e një kryengritje antiosmane. Ai punoi gjithashtu për zbarkimin e një ekspedite ushtarake me vullnetarë italo-shqiptarë.

Nga ana tjetër, ai i kërkoi Mjeshtrit të Madh Ferrari që të themelonte një lozhë masonike në Shkodër. Por ky propozim u refuzua, qoftë për arsye financiare, qoftë për shkak se Mjeshtri i Madh Ferrari parashikonte që masoneria e xhonturqve, me të cilën “Orienti i Madh” kishte marrëdhënie të mira, do t`i kundërvihej kësaj nisme që synonte çlirimin e popullit shqiptar. Kjo u duk qartë kur T.Toçi zbarkoi në Shqipëri për të mbështetur kryengritësit.

Pavarësisht përpjekjeve dhe thirrjeve drejtuar qarqeve politike e masonike italiane për ndihmë, ata nuk e ndihmuan. Përkundrazi, Mjeshtri i Madh Ferrari ndërhyri për të bindur qarqet masonike që mos ta mbështesnin kryengritjen shqiptare. Në letrën drejtuar atyre, ai shkruan “arsye të forta politike na sugjerojnë më tepër maturi”.

Shpirti patriotik bëri që më 27 prill të 1911 T.Toçi të shpallte një qeveri shqiptare, e cila nga bashkëpatriotët e tij u konsiderua si një aventurë e rrezikshme.

Pas Shpalljes së Pavarësisë T.Toçi do të luaj një rol të rëndësishëm si publicist dhe aktivist politik, me gazetën “Taraboshi” që dilte në Shkodër. Gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore, ai do të përpiqet të realizojë ëndrrën e tij të vjetër.

Për këtë dëshmon edhe ky dokument, i mjeshtrit G.Valente, i cili e njofton T.Toçin mbi vendimin e degës masonike të Barit për ta lejuar atë të themelonte një lozhë në qytetin e Shkodrës dhe ta zgjeronte atë me anëtarë të rinj. Por, siç duket, koha dhe rrethanat e luftës nuk e lejuan të punonte i qetë. Ai do të detyrohet nga pushtuesit austro-hungarezë të largohet nga Shkodra.

Masoneria e përgjithshme                            

Bashkësia Italiane

Liri – Barazi – Vëllazëri

  1. L. Peucetia

Bari, më 17 shkurt 1914

I dashur Fr.:. Terenc Toçi is .:.

Shkodër e Shqipërisë

Me vendim të kësaj Zyre .:., i votuar mbrëmë, qe vendosur, mbi relacionin e të dashurit fr.:. del-Po, të ngrihet në këtë qendër një trekëndësh në varësi të Peucetisë. Ua besojmë Ju, i dashur Fr.:., detyrën e kushtuar për të kryer atje punën e nevojshme përgatitore, duke na treguar nëse gjenden të tjerë fr.:. përveç jush; nëse keni propozuar të bëheni me elementë të rinj; dhe nëse e shihni me vend të jetësoni menjëherë një themelim të tillë; me modalitetin e posaçëm të të cilit, sugjeruar nga përvoja juaj mass’, dhe nga kushtet e mjedisit besoni se mund të vëmë në jetë vendimin tonë etj.

Me një fjalë, ju lutemi të na tregoni të gjithë atë që është për t’u bërë atje.

Me urimin që shpejt të mundni të mbani atje bulën e themelimit, pranoni përgëzimet tona më të gjalla dhe përqafimet më të përzemërta.

M.:. i përnderuar

Valente

Pas lufte, Toçi do të mbajë disa poste drejtuese si Drejtor i Zyrës së Shtypit, ministër i Ekonomisë etj. Në vitet e pushtimit italian ai do të emërohet kryetar i Këshillit të Epërm Fashist Korporativ. Për këtë arsye, në prill të 1944 Toçi do të pushkatohet me vendim të Gjyqit Special si bashkëpunëtorë i fashizmit.

Kontributi i T.Toçit pasqyrohet edhe në hartimin e botimin e ligjeve, rregulloreve dhe teksteve juridike, si një nga specialistët më të mirë të jurisprudencës shqiptare gjatë viteve 20-30-të.

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Blog

Misteri i “Sindromës së Havanës”, dhe një histori me Bashkimin Sovjetik

Publikuar

-

Nga

cna lajem blog

Nga Serge Schmemann “The New York Times”

 Shumë kohë më parë, sapo mbërrita në Bashkimin Sovjetik si një reporter i ri i një televizioni amerikan, dhe kur u ndërgjegjësova se po më ndiqnin agjentët sovjetikë, sytë nisën të më dridheshin. E pata shumë vështirë të punoja, ndaj shkova në momentin më të parë në Paris për t’iu nënshtruar një kontrolli shëndetësor.

Në momentin që zbrita nga avioni, dridhjet e syve ishin ndalur, dhe mjeku që më vizitoi nuk zbuloi asgjë problematike. Kur u riktheva në Moskë, ia tregova atë incident gjatë një takimi të rastësishëm mjekut të ambasadës amerikane. ”Asgjë e çuditshme. Të gjithë preken nga sindromi i“Syri ttë Moskës” sapo mbërrijnë këtu, por pastaj kjo simptomë largohet shpejt”-më tha ai.

E kuptova kur më tha më tej se dridhja e syve, nuk ishte gjë tjetër veçse një reagim nervoz ndaj stresit të gjendjes në një shtet armik, ku mbikëqyresh dhe përgjohesh fshehurazi. Pra ishte më shumë një loje nervash. Të gjithë kishin një histori mbikëqyrje nga KGB-ja, si për shembull me pajisje e përgjimit që shkëputeshin nga llambadarët, apo pajisje të zbuluara pas një dere të mbyllur.

Një kolegu im u zemërua nga dritat e dyshimta që binin gjatë natës mbi dritaren e zyrës së tij, derisa kuptoi se ato vinin nga trolejbusët e vjetër të Moskës, të cilët merrnin energji nga që ndodheshin mbi të. Motoja ishte:“Vetëm sepse je paranojak, kjo nuk do të thotë se e ke gabim”.

Këto kujtime më kanë ardhur ndërmend këto kohë, teksa e kam ndjekur sagën e “Sindromës së Havanës”, simptomat neurologjike që diplomatët dhe agjentët amerikanë, por edhe disa kanadezë, filluan të raportojnë në Kubë në vitin 2016, dhe që janë raportuar që nga ajo kohë edhe në disa vende të tjera, më së fundmi në Kolumbi.

Simptomat janë të padiskutueshme dhe serioze. Ndër to përfshihen dhimbjet e kokës, të vjellat, humbja e ekuilibrit dhe e dëgjimit. Ato janë po aq reale sa syri im që dridhej dhe sipas raporteve dukshëm më dobësuese në aspektin fizik.

Atëherë, a është kjo një pasojë tjetër e stresit nervor, për shkak të syve dhe veshëve e padukshëm të një aparati të fshehtë mbikëqyrjeje? Apo është shkaktuar nga ndonjë armë e re që zotërohet nga armikja e Amerikës, Rusia, për të përgjuar apo ngacmuar spiunët dhe diplomatët?

Me gjithë përpjekjet e shumta për të shpjeguar “incidentet anormale shëndetësore, burokratët e caktuar nga qeveria, shkencëtarët dhe gazetarët investigativë që janë marrë me këtë rast, nuk kanë dalë dot deri më tani me asgjë variant përfundimtar.

Janë propozuar një sërë teorish, që sillen përgjithësisht rreth armëve-lazer apo ato zanore duke përdorur mikrovalë ose ultratinguj, vetëm për t’u hedhur poshtë ose për t’u konsideruar si jo-përfundimtare. Ndër gjetjet më të rëndësishme të hetimit, ishte fakti që regjistrimet e zhurmave të raportuara në disa nga incidentet e Havanës, ishin në fakt zhurmat e çiftëzimit të një bulkthi veçanërisht të zhurmshëm, Anurogryllus celerinictus.

Një tjetër hipotezë, është një shpërthim i asaj që dikur quhej histeri masive, por që tani përdoret me emra më pak fyes si sëmundja psikogjenike masive, çrregullime të konvertimit, dhe çrregullime neurologjike funksionale. Ideja bazë është se një reagim ndaj një forme stresi ose traume, mund të shkaktojë një sërë simptomash, të cilat nuk mund të shpjegohen me ndonjë sëmundje apo ndonjë gjendje tjetër.

Kur ato shfaqen tek një person, mund të përhapen tek një grup njerëzish që jetojnë në të njëjtat kushte, për shembull midis zyrtarëve që punojnë në një mjedis armiqësor. Reagimet psikosomatike mund të jenë shumë reale dhe po aq dobësuese, sa edhe një sëmundje që ka një shpjegim tradicional mjekësor.

Dhe kjo nuk ka asgjë të turpshme. Ndonëse syri më pushoi së dridhuri pas atij episodi fillestar, unë nuk u mësova asnjëherë gjatë vitet e mia në Bashkimin Sovjetik me përgjimet e autoriteteve vendase. Unë do ta dija se kur ishte koha për të bërë pushim, dhe kur të filloja të bëja gjëra të pakujdesshme, si për shembull të përpiqesha të shmangia Zhigulin (sedanin e vjetër sovjetik) me numrin e pllakës MË3692 përmes manovrave të rrezikshme.



Dhe më kujtohet ngritja e tensionit, kur avioni u nis nga aeroporti Sheremetyevo. Rreth 200 zyrtarë amerikanë që kanë raportuar simptoma neurologjike, meritojnë çdo përpjekje nga qeveria për të zbardhur misterin rreth problemit të tyre.

Por problemi është se “Sindroma e Havanës” është e përfshirë aq thellë në politikën e diskutueshme të kohës sonë, saqë mund të jetë e pamundur konsensusi mbi një shkak objektiv. Pavarësisht mungesës së ndonjë prove përfundimtare për atë që e shkakton atë, apo ndonjë arsye që do të shfaqej në vende të ndryshme si India, Kolumbia, Vietnami, Austria, Kina, Serbia dhe Rusia, apo edhe një numër konkret zyrtarësh të prekur, lobe të fuqishme kanë arritur në përfundimin se simptomat janë vepër e një fuqie armiqësore, dhe se të gjitha shenjat të çojnë tek Rusia.

Vetë Rusia dhe Kuba i mohojnë akuzat. Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit, i rikthyer në punë nga pensioni për të koordinuar një përgjigje ndaj kësaj sëmundje, u lirua nga detyra pas vetëm 6 muajsh, me sa duket pjesërisht pasi nuk donte të përjashtonte mundësinë e një sëmundje masive psikogjenike.

Shefi i stacionit të CIA-s në Vjenë të Austrisë, një fushëbetejë e njohur e spiunazhit botëror, u shkarkua nga detyra në shtator, pasi nuk i mori mjaft seriozisht incidentet. Mark Polimeropulos, një ish-agjent i CIA-s, që pretendon se u prek nga Sindroma e Havanës në Moskë në vitin 2017, shkroi në Twitter se dështimi për të përjashtuar “histerinë masive” si një shkak, ishte “fyes për viktimat, dhe një skualifikim automatik” për ata që drejtonin hetimin.

Në shtator, Kongresi Amerikan miratoi njëzëri Aktin për Ndihmën e Viktimave Amerikane të prekura nga Sulmet Neurologjike (HAVANA), që do të sigurojë mbështetje financiare për ata që vuajnë nga simptomat neurologjike.

Senatori Marko Rubio, një republikan nga Florida, që është djali i dy emigrantëve kubanë dhe një nga autorët e projektligjit, hodhi poshtë pretendimet e atyre që ishin skeptikë ndaj teorisë, se simptomat ishin shkaktuar nga sulmet e drejtuara nga energjia si “agjentë ndikimi” që paguheshin apo që ishin inkurajuar nga “qeveria e huaj ose çfarëdo agjencie tjetër, që nuk duan që kjo të diskutohet atje, dhe që duan të hedhin dyshime për të”.

Megjithatë, skeptikët përfshijnë shumë shkencëtarë seriozë, si Sheril Rofer, një ish-kimiste në Laboratorin Kombëtar të Los Alamos, e cila shkroi së fundmi në “Foreign Policy” se asnjë ithtar i teorisë së energjisë së drejtuar, nuk ka përshkruar se si do të funksiononte një armë e tillë, dhe as nëse ndonjë vend ka arritur ta zhvillojë një armë të tillë.

“Pretendimet e jashtëzakonshme, kërkojnë prova të jashtëzakonshme, dhe deri më sot nuk është ofruar asnjë provë për të mbështetur ekzistencën e kësaj arme misterioze”- shkroi ajo.

Kjo nuk do të thotë se nuk ka një armë misterioze. Në fakt, duke menduar sërish për “Syrin e Moskës”, unë kuptoj se nuk e kam pyetur kurrë veten, nëse ajo sindromë mund të ishte shkaktuar nga ndonjë armë me rreze e KGB-së që ishte drejtuar mbi zyrën sime.

Por pasojat e mundshme të një përfundimi të tillë mbi “Sindromën e Havanë”, dhe simptomat e padiskutueshme neurologjike të amerikanëve që vuajnë prej saj prej disa vitesh, kërkojnë një hetim të paanshëm dhe objektiv, dhe jo teza spekulative.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Kush rrezikon ta shkaktojë Apokalipsin në botë?

Publikuar

-

Nga

cna lajme blog

Nga Luke Kemp “BBC”

Në vitin 1995, sekti i Apokalipsit në Japoni vrau 13 njerëz dhe plagosi më shumë se 6000 të tjerë. Ata ishin viktima të një sulmi me gaz Sarin në metronë e Tokios, i kryer gjatë orës së pikut nga grupi terrorist i Aleph (në atë kohë Aum Shinrikyo).

Autoritetet gjykuan dhe ekzekutuan 13 nga autorët. Një nga linjat e metrosë të sulmuara atë ditë të çon në Stacionin Shinjuku. Në Shinjuku dyshohet se qeveria japoneze varrosi trupat e viktimave të eksperimenteve të kohës së luftës. Viktimat ishin pasojë e eksperimenteve makabre të “Njësisë 731”, programit famëkeq japonez të armëve biologjike gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Për më shumë se një dekadë, “Njësia 731” ishte përgjegjëse për mbi 300.000 të vdekur. Programi që ajo zbatoi eksperimentoi me një sërë agjentësh biologjikë, nga botulizmi dhe murtaja bubonike, deri tek sifilizi dhe sëmundja e lisë. “Njësia 731” u përfshi në disa nga mizoritë më të këqija që mund të imagjinohen, përfshirë viviseksionin e drejtpërdrejtë të të burgosurve.

Pas fundit të Luftës së Dytë Botërore dhe dorëzimit të Japonisë, shkencëtarët e “Njësisë 731”u strehuan në SHBA. Në këmbim të shmangies së ndjekjes penale për krimet e luftës, ata ia dorëzuan SHBA-së të dhëna nga eksperimentet njerëzore dhe kërkimet mbi armët biologjike.

Pasi Lufta e Dytë Botërore mori fund dhe Japonia u dorëzua, shkencëtarëve të Njësisë 731 iu dha imunitet nga SHBA. Historia e Aum Shinrikyo është e njohur dhe e diskutuar në mesin e studiuesve që merrem me rrezikun e katastrofave globale dhe zhdukjet njerëzore.

Ajo përdoret shpesh si një shembull i rreziqeve,në rastin kur terroristët me motive apokaliptike janë të mirë-financuar dhe me dijet e duhura shkencore. Sikurse shkruan astronomi britanik Martin Ris në librin e tij “Shekulli i fundit”, një apokalips i shkaktuar nga njeriu ka të ngjarë të vijë për shkak të një “sulmi terrorist apo një gabimi njerëzor”, pra një veprim keqdashës nga një grupim i vogël njerëzisht ose një gabim nga liderët e plotfuqishëm të botës.

Dhe këtu terroristët dhe të ashtuquajtur “ujqërit e vetmuar” janë padyshim një problem. Por   duket se ata nuk kanë gjasa të jenë burimi i shkatërrimit të botës. Realiteti historik dhe aktual i rreziqeve globale të krijuara nga njeriu, sugjeron se fajtorë mund të jenë një grup i ndryshëm aktorësh.

Shkatërrimi i pjesëve të mëdha të botës kërkon fuqi dhe fshehtësi. Gjatë hulumtimit tim, unë jam bindur se vetëm disa institucione zotërojnë burimet për ta vënë botën në rrezik. Ky është një problem i qëndrueshëm, që nuk ka gjasa të ndryshojë. Kërcënimet më të mëdha nuk vijnë nga qytetarët e zakonshëm, por nga dëshira e të fuqishmëve për kontroll, fitime dhe avantazh ushtarak.

Studiuesit e rrezikut apokaliptik, flasin shpesh për një sërë kërcënimesh globale të krijuara nga njeriu:inteligjenca e përgjithshme artificiale (AGI), kërcënimet nga armët biologjike, ndryshimet klimatike, armët autonome vdekjeprurëse, armët bërthamore dhe mbikëqyrja masive.

Këto quhen shpesh si “Agjentët e Apokalipsit”. Disa studiues janë shumë të shqetësuar se krijimi i inteligjencës artificiale të avancuar, mund të ketë ndikime të tmerrshme. Në vitin 2020, rreth 72 projekte po hulumtonin hapur AGI në 37 vende.

Këto janë kryesisht projekte korporative dhe akademike. Ndërkohë rreth gjysma e tyre janë në SHBA, dhe 8 nga 9 projektet që kanë lidhje me ushtrinë po zbatohen në SHBA. Pas tyre vijnë kërcënimet nga armët biologjike. Zhvillimi i qëllimshëm i armëve të tilla nisi gjatë Luftës së Parë Botërore.



Deri më tani sulmi më i rëndë ishte përdorimi i tifos, kolerës dhe agjentëve të tjerë nga japonezët (përmes Njësisë 731) kundër Kinës gjatë Luftës së Dytë Botërore. Më vonë bio-terrorizmi ka qenë më i shpeshtë, por me pak ndikim. Shumica e sulmeve kanë shkaktuar vetëm disa viktima.

Një tjetër agjent i apokalipsit cilësohet ndryshimi i klimës. Vetëm 100 kompani janë përgjegjëse për 71 për qind të emetimeve globale të gazrave serë që prej vitit 1988. Disa prej këtyre gjigantëve kanë financuar një kompleks firmash, institutesh kërkimore dhe shkencëtarësh, që kanë qenë përgjegjës për hedhjen e dyshimeve mbi shkencën e klimës.

Lista përfshin sigurisht edhe armët bërthamore. Aktualisht, 89 për qind e tyre zotërohen nga dy vende:SHBA-ja dhe Rusia. I gjithë arsenali bërthamor global i përket vetëm 9 vendeve. Ndërkohë prodhimi dhe mirëmbajtja e armëve bërthamore varet kryesisht nga vetëm 28 kompani të mëdha (kryesisht me bazë në SHBA).

Por studiuesit kanë shqetësime jo vetëm për katastrofën globale, por rrezikun e distopive, sikurse është një shtet totalitar afatgjatë, i mbikëqyrur nga Inteligjenca Articiale. Studiuesja Shoshana Zubof e Universitetit të Harvardit e ka quajtur epokën moderne si Epokën e Kapitalizmit të Mbikëqyrjes.

E sotmja është një situatë në të cilën vëmendja, përvoja dhe të dhënat njerëzore kapen dhe komercializohen në masë. Ajo dominohet nga disa gjigantë të mirënjohur:Alphabet (Google), Microsoft, Facebook, Amazon, Tencent, Baidu, Alibaba dhe Apple.

Të gjitha renditen ndër10 kompanitë më të mëdha në botë. Këto shoqërohen nga kompani teknologjike të përshtatura për të ofruar armë kibernetike dhe mbikëqyrje, si Palantir dhe NSO Group. Kohët e fundit është zbuluar se Ky i fundit ka ofruar “malware”, viruse që janë përdorur për të infektuar pajisjet elektronike të aktivistëve, politikanëve, liderëve të sindikatave dhe gazetarëve në mbarë botën, duke përfshirë edhe ato në regjimet represive.

Ndërkohë e ardhmja e teknologjive të mbikëqyrjes së AI, si teknologjia e njohjes së fytyrës dominohet nga kompanitë amerikane dhe kineze. Kina zotëron tashmë sisteme të avancuara mbikëqyrje, përfshirë përdorimin e gjerë të njohjes së fytyrës, madje edhe të dronëve për të ndihmuar në zbatimin e masave në kuadër të pandemisë së Covid-19.

Dhe këtu kemi 3 leksione të spikatura. Së pari, prodhimi i rreziqeve katastrofike globale të krijuara nga njeriu është shumë i përqendruar. Së dyti, prodhuesit e këtyre kërcënimeve kanë luajtur shpesh një rol aktiv në veprimet mbytëse për t’i adresuar ato. Dhe së treti, prodhimi i kërcënimeve më të rënda globale bëhet thuajse gjithmonë në fshehtësi.

Shënim:Luke Kemp, bashkëpunëtor kërkimor në Qendrën për Studimin e Riskut Ekzistencial në Universitetin e Kembrixhit.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al

https://www.bbc.com/future/article/20211014-agents-of-doom-who-is-hastening-the-apocalypse-and-why

LEXO TE PLOTE

Blog

SHBA, BE dhe zjarrvënësit në Bosnje

Publikuar

-

Nga

cna news, cna lajme, lajme cna, lajme flash cna, cna.al, cna lajme politike,

Ekstremistët serbë dhe kroatë duan të shpërbëjnë shtetin boshnjak. BE dhe SHBA kapen pas politikës së ruajtjes së qetësisë duke përsëritur kësisoj gabimet e viteve 1990.

Atmosfera është mbytëse mëngjesin me diell. Përpara Ambasadës së SHBA-së  në Sarajevë, kryeqyteti i Bosnjë-Hercegovinës, është mbledhur një grup demonstruesish. Ata kërkojnë fundin e nacionalizmit toksik në vend dhe ndërhyrjen e presidentit të SHBA-së kundër klanit të fuqishëm politik, që vazhdimisht nxit konflikte mes tre grupeve kryesore të popullsisë: boshnjakëve, kroatëve dhe serbëve. Disa protestues mbajnë lart pankarta. “Ne duam të njëjtat të drrjta për të gjtihë”, thotë një pensioniste e indinjuar. Pozicioni i qytetarëve duhet të forcohet, pushteti i nacionalistëve duhet të marrë fund.

Pak më parë, në fund të tetorit, përfaqësuesi serb në presidencën treshe të Bosnjë-Hercegovinës, Milorad Dodik, formuloi një shpallje lufte: Në një deklaratë ai bënte të qartë, se Republika Srpska, pjesa e dominuar nga serbët në Federatën Bosnjë-Hercegovina, do të shkëputet nga shteti multietnik. Republika Srpska në mënyrë graduale duhet të shkëputet nga shteti i përbashkët dhe të organizojë vet kompetenca të rëndësishme si mbrojtja dhe drejtësia. Kjo kërkesë është sulm ndaj paqes së brishtë, që mbizotëron në vend që nga viti 1995.

Prej vitesh Dodik me retorikën e tij separatiste tërheq vëmendjen. Por kësaj here me gjasë kemi të bëjmë më diçka më shumë se sa vetëm vringëllimat e zakonshme, pasi njësitë e xhandarmërisë të Republika Srpska demonstruan forcën me një stërvitje në shkallë të gjerë në male – veprim ky me simbolikë – nga qyteti i vogël Pale. I dënuari si kriminel lufte ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjes, Radovan Karaxhiç, në vitet 1992-1995 orkestronte sulmet ndaj Sarajevës dhe rrethinave. Tribunali Ndërkombëtar i Hagës për ish-Jugosllavinë e gjykoi si krim kundër njerëzimit rrethimin tre vjeçar dhe sulmet e vazhdueshme ndaj kryeqytetit të Bosnjes.

Për shumë boshnjake dhe boshnjakë kjo zgjon kujtime të hidhura. “A do të ketë luftë?”, me këtë pyetje konfrontohen shpesh gjatë këtyre ditëve të huajt. Kryesisht banorët e moshuar i kujtojnë përgatitjet e luftës dhe se si bashkësia ndërkombëtare e la për një kohë të gjatë në baltë popullsinë e Bosnjes – vetëm pas gjenocidit në Srebrenicë me vrasjen e mbi 8000 të rinjve e burrave myslimanë nga luftëtarët serbo-boshnjakë në korrik 1995 Perëndimi reagoi dhe negocioi Marrëveshjen e Paqes në Dejton, me të cilën iu dha fund luftës.

Një shpallje e mundshme e pavarësisë

Milorad Dodik, presidenti i Republika Srpska

Nismat e fundit të Dodikut synojnë eliminimin e strukturave shtetërore: Ndërkohë është krijuar një agjenci më vehte e shëndetësisë, një ushtri më vehte do të pasojë. Gjithsej mbi 120 dekrete të Përfaqësuesit të Lartë, që u vendosën nga OKB-ja pas luftës për avancimin e ndërtimit të strukturave të përbashkëta, duhet të sprapsen – një sulm frontal ndaj integritetit territorial të Bosnjes. Dodik, paralajmëron partia opozitare multietnike Nasa Stranka, duhet të klasifikohet si “rrezik për sigurinë”.

Që BE pavarësisht nismave riskante nuk ndërmerr asnjë hap për ndërmjetësim në Bosnjë, shumë e konsiderojnë si një dëshmi për mungesë të dukshme strategjie. Një grup parlamentarësh të BE-së, ndër ta edhe deputeti gjerman i ekologjistëve Reinhard Bütikofer, kërkojnë nga Komisioni një qëndrim të ashpër kundër përpjekjeve për shkëputje. Eurodeputeti konservator Michael Gahler paralajëron nga rreziku i një shpalljeje të mundshme të pavarësisë nga Republika Srpska – me legjitimimin nga Moska. Disa zëra paralajmërues vijnë edhe nga SHBA. Eksperti i njohur për Ballkanin, Daniel Server insiston për një ndërhyrje të shpejtë të bashkësisë ndërkombëtare, edhe forca ushtarake duhet demonstruar, për të penguar shkëputjen dhe konfliktet që mund të sjellë ajo si pasojë.

Ultranationacionalistët bashkëpunojnë ngushtë



Nuk ka asnjë diskutim, që veprimet e rrezikshme të udhëheqjes politike në Republika Srpska kanë mbështetjen e Serbisë dhe të Rusisë. Moska përpiqet ta pengojë integrimin e Bosnjes në BE dhe një anëtarësim të mundshëm të saj në NATO. Por nuk janë vetëm udhëheqësit e serbëve të Bosnjes, që minojnë shtetin e përbashkët boshnjak. Ultranacionalistët kroatë të partisë HDZ-BiH nën drejtimin e udhëheqësit të tyre Dragan Covic punojnë ngushtë prej vitesh me Dodikun. Për të siguruar pozicionin e tyre në pushtet HDZ-BiH nacionaliste insiston për ndryshimin e ligjit elektoral. Me ndryshimin e ligjit synohet që të krijohen njësi zgjedhore tërësisht mbi bazë etnike.

Por kjo është në kundërshtim me gjykimet parimore të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, konstaton eksperti konstitucionalist austriak Joseph Marko. Në këtë bazë do të duhej fillimisht të shfuqizohej me ndryshim kushtetues diskriminimi i qytetarëve jo-boshnjakë, jo-kroatë, jo-serbë në vend – pra i pjesëtarëve të minoriteteve si hebrejtë apo romët, që margjinalizohen në sistemin elektoral. Ata p.sh. nuk lejohen të kandidojnë për postin e presidentit. Por në fakt vendimet e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut për barazinë e të gjithë qyetetarëve prej vitesh kanë mbetur pa u zbatuar.

I dërguari i SHBA Mathew Palmer me anëtarët e presidencës treshe të Bosnje-Hercegovinës

Ndërmjetësues të diskredituar

Ndonëse gjykimet e Strasburgut nënkuptojnë qartazi forcimin e standardeve europaine, bashkësia ndërkombëtare me sa duket nuk ka vullnetin për t’i dhënë fund eskapadave etnike. I dërguari i posaçëm i SHBA-së, Matthew Palmer si dhe e ngarkuara e BE-së  Angelina Eichhorst, që javën e kaluar u takuan në Bosnje me udhëheqësit nacionalistë, konsiderohen si kartë e djegur, sepse ata preferojnë zgjidhje kompromisi. Kryesisht Palmer konsiderohet si i diskredituar në rajon, sepse ai qe angazhuar për një shkëmbim territoresh mes Serbisë dhe Kosovës, me qëllim krijimin e tërritoreve të pastra etnike.

Gjendja aktuale ndizet edhe më shumë nga ndërhyrjet e vazhdueshme të vendeve fqinjë si Kroacia dhe Serbia. Të dyja këto vende nuk janë lojtarë neutralë – nën ish-presidentët e Kroacisë dhe Serbisë, Franjo Tuxhman dhe Sllobodan Millosheviç, më 1991 u vendos ndarja e Bosnjes, pasuan krimet e luftës, për arritjen e synimeve serbomadhe e kroatomadhe.

A do të ndërhyjë Përfaqësuesi i Lartë?

Përkrahësit e reformave demokratike i varin shpresat e tyre tek Përfaqësuesi i ri i Lartë i bashkësisë ndërkombëtare, gjermani Christian Schmidt. Një aleancë qytetare kërkoi këto ditë një qendrim më rigoroz: “Ai ose duhet të punojë, ose të largohet”, u tha në mënyrë pllakative përpara selisë së Schmidt-it në Sarajevë.

Nëse kreu i mbikqyrjes së paqes do të jetë i gatshëm, ashtu sikurse bëri së fundi edhe parardhësi i tij Valentin Inzko, të shfrytëzojë të ashtuquajturin Bonn-Power, përmes të cilit mund të largojë politikanë të rrezikshëm nga posti, nuk është e sigurt. Schmidt së fundi la të kuptohet, se ai nuk preferon të përdorë kompetencat e jashtëzakonshme.

Por nëse as SHBA dhe as BE dhe as Përfaqësuesi i Lartë nuk tregojnë gatishmëri për të vepruar kundër tendencave të shkëputjes në Bosnje, ndërkombëtarët rrezikojnë të përsërisin gabimet e fillimit të viteve 1990. Edhe asokohe u nënvleftësua radikalizmi i aktorëve politik. “Eshtë si një Deja-vu”, kritikon publicistja boshnjake Stefica Galic. “Eshtë pra sikur bota të mos ketë mësuar asgjë prej luftërave.”/DW

LEXO TE PLOTE