Connect with Us

Policimi i dhunshëm i kufijve nuk funksionon/ Është koha të hiqet dorë nga kjo praktikë çnjerëzore

Blog

Policimi i dhunshëm i kufijve nuk funksionon/ Është koha të hiqet dorë nga kjo praktikë çnjerëzore

Publikuar

-

cna lajme blog

Nga Heba Gowayed “Al Jazeera”

Më 22 shtator, teksa ishte duke zbritur nga trageti në portin e zhurmshëm të ishullit të Lesbosit në Greqi, u ndalova nga një oficer policie. “Mos u shqetësoni, është vetëm një kontroll për arsye sigurie!”- tha ai, duke më bërë shenjë që ta ndiqja, dhe duke këmbëngulur që të vinte me ne edhe mikesha ime.

Ne u drejtuam drejt një makine ngjyrë bezhë në fund të portit, ku unë, një grua arabe, bashku me shoqen time të bardhë gjermane, u bashkuam me një burrë afgan, dhe një burrë tjetër me ngjyrë. Sendet personale të këtij të fundit u shpërndanë në tavolinë, teksa oficeri e mori në pyetje për secilin objekt që kishte me vete.

Karta e tij e qëndrimit, e identifikoi atë si një kërkues azili. Pastaj oficeri i policisë e goditi me forcë në secilën nga këmbët e tij. Një oficere policie, i kontrolloi me imtësi sendet e mia personale, ndërsa një polic, mbante në dorë pasaportën time amerikane, duke më pyetur disa herë nëse isha gazetare.

“Po jua përsërit për herë të tretë, jam një profesoreshë në një universitet amerikan”- i thashë. Ai u afrua drejt meje në mënyrë agresive, duke më bërtitur:”Askujt nuk i plas për atë që bëni ju atje!”. Profilizimi racor në kufirin jugor të Bashkimit Evropian ishte qartazi i përhapur.

Në javët në vijim në ishujt Lesbos dhe Samos, si dhe në kryeqytetin, Athinë, unë takova azilkërkues nga vende të ndryshme, nga Afganistani në Siri, dhe nga Republika Demokratike e Kongos tek Eritrea. Që të gjithë më rrëfyen historitë e tyre traumatike të përpjekjes për të arritur në brigjet evropiane, me synim kërkimin e mbrojtjes dhe sigurisë, një e drejtë e garantuar sipas ligjit ndërkombëtar.

E megjithatë, ata ishin trajtuar si kriminelë dhe shkelës të ligjeve. Ata ishin midis miliona të tjerëve që të dëbuar nga shtëpitë e tyre për shkak të luftës, degradimit të mjedisit apo persekutimit, janë pjesë e asaj që mediat e quajnë një “krizë emigrantësh”, një fluks i “të padëshiruarve”.

Në një përpjekje për të frenuar migracionin, vendet në Hemisferën Verore dhe në kufi me Hemisferën Jugore, përfshirë Greqinë dhe Shtetet e Bashkuara, po përdorin gjithnjë e më shumë taktika të dhunshme të policisë, përfshirë profilizimin racor, dhunën në kufi, dhe burgosjen e emigrantëve.

Gjithsesi, këto masa të dhunshme kanë pasur efekt në pengimin e ardhjes së njerëzve që nuk kanë ku të shkojnë, dhe që nuk kanë asgjë për të humbur. Përkundrazi, kjo qasje brutale, çnjerëzore dhe e kushtueshme për ta trajtuar emigracionin, vetëm sa po e përkeqëson problemin e shpërnguljes, dhe shkakton shumë vuajtje dhe vdekje.

Greqia është lavdëruar shpesh se është “mburoja” e BE-së kundër emigrantëve. Për këtë ajo merr miliarda euro nga BE, për infrastrukturën dixhitale dhe fizike të kufirit. Kufiri tokësor në Evros dhe ai detar, përfshirë atë përgjatë ishujve të Egjeut, Lesbos, Kios dhe Samos, 1 orë udhëtim me barkë nga bregdeti turk, janë në qendër të këtyre përpjekjeve.

Ato janë vendet e praktikës ilegale të dhunës ndaj refugjatëve, ku oficerët grekë të kufirit dhe rojet bregdetare, nën vëzhgimin e Frontex, i kthejnë azilkërkuesit mbrapsht në Turqi. “Mare Liberum”, një organizatë që gjurmon abuzimet me emigrantët në det të hapur, regjistroi një rekord prej 91 dëbimesh me 2.289 njerëz vetëm gjatë muaji shtator.

Në të gjithë BE-në, praktika të tilla i kanë marrë jetën rreth 2.000 njerëzve. Nga ana tjetër, këto dëbime vetëm sa kanë krijuar një sistem, ku azilkërkuesit detyrohen të ndërmarrin vazhdimisht të njëjtat udhëtime, duke rrezikuar çdo herë jetën e tyre.

Një burrë sirian që takova në një kamp refugjatësh në Athinë, dhe që kishte plagë të dukshme në anën e majtë të trupit, si pasojë e një bombardimi ajror nga regjimi i Bashar Al-Asadit, u detyrua të provonte plot 9 herë për të kaluar kufirin tokësor në Evros.

Ai tha se çdo herë që ai dhe 2 anëtaret femra të familjes së tij, kapeshin në anën greke të kufirit, rojet ua merrnin sendet personale, i burgosnin për disa orë, dhe më pas i kthenin në anën tjetër të kufirit mëngjesin  e ditës tjetër.

LEXO EDHE:  Si u bë zemra simbol i dashurisë, epshit dhe shpirtit

Gjatë qëndrimit në Greqi unë bisedova me azilkërkuesit afganë dhe ata kongolezë, të cilët gjithashtu ishin detyruar të provonin disa herë të hynin në Greqi nga deti. Ata më thanë se edhe rrjeti i trafikantëve i ishte përshtatur këtij “normaliteti” të ri. Tarifat e këtyre të fundit janë rritur, dhe tani paratë i paguhen një ndërmjetësi, i cili ua jep vetëm pas një mbërritjeje të suksesshme në destinacion.

Politikat kufitare amerikane, ofrojnë një shembull tjetër se si policimi i kufirit, dhe veçanërisht dëbimet e dhunshme, i përkeqësojnë krizat e zhvendosjes. Kohët e fundit, pamjet e oficerëve të Patrullës Kufitare mbi kalë që fshikullonin me kamxhik emigrantët haitianë, u kritikuan gjerësisht nga opinioni publik.

Por në themel të asaj skene, është dhuna e vazhdueshme e dëbimeve të shpejta. Duke ndjekur shembullin e paraardhësit të tij, presidenti Xho Bajden ka vazhduar ta përdorë Nenin 42 të Ligjit të Shërbimeve të Shëndetit Publik të vitit 1944, që e lejon qeverinë të refuzojë hyrjen e të huajve, të cilët mund të kenë sëmundje ngjitëse.

Sipas kësaj dispozite, të paktën 1 milion njerëzve iu është mohuar e drejta, sipas ligjit ndërkombëtar, për të aplikuar për azil. Në ishullin grek të Samosit, paraburgimet janë kthyer në një burgim të mirrfilltë. Unë fola me njerëz që kishin mbetur atje prej më shumë se 2 vjetësh, qëkur u gjykuan kërkesat e tyre për azil.

Shumica jetonin në kampet-xhungël, në tenda pa ujë të rrjedhshëm dhe energji elektrike. Më 21 shtator, unë pashë së bashku me punonjësit e OJQ-ve dhe gazetarët, sesi ata u zhvendosën me forcë, para syve të policisë grekë, në një qendër kontrolli, që ishte në fakt një burg i mirrfilltë, i rrethuar nga 3 shtresa tela me gjemba, prej nga ku emigrantët nuk mund të largohen pa leje.

Sidoqoftë, as këto politika brutale nuk kanë qenë një pengesë për njerëzit që lëvizin. Në SHBA, Agjencia e Doganave dhe Mbrojtja e Kufirit, kjo e fundit me një buxhet 17.7 miliardë dollarësh, raportoi një rekord prej 213.534 emigrantësh të kapur vetëm në korrik të këtij viti, një shifër që mbeti e përafërt edhe në muajin gusht.

Në Evropë, me lehtësimin e kufizimeve të udhëtimeve për shkak të Covid-19, Frontex raportoi një rritje prej 64 për qind të kalimeve në det në 8 muajt e parë të vitit 2021, krahasuar me vitin e kaluar, me 103.630 njerëz. Këto statistika pasqyrojnë dështimin e taktikave të shtrenjta, brutale të policimit kufitar.

Është e qartë, se për emigrantët dhe refugjatët, ajo drejt të cilës po shkojnë është ende më e mirë sesa ajo nga e cila po ikin; aq sa ata do të rrezikonin edhe përballjet e dhunshme me autoritetet, apo dhe jetën e tyre. Siç kanë argumentuar prej kohësh abolicionistët, policimi përjashton sigurinë e tyre, duke i trajtuar njerëzit si kërcënime dhe jo si qenie njerëzore.

Zgjidhja e vetme për këtë krizë është heqja dorë nga policia dhe kufijtë që ata mbrojnë, dhe investimi tek njerëzit. Kjo nënkupton jo vetëm njohjen e të drejtave ligjore të njerëzve, por edhe të aspiratave të tyre. Do të thotë mbështetje materiale ndaj tyre, qoftë edhe në mënyrë simbolike, si dhe përmes kujdesit shëndetësor, arsimit dhe ndihmës publike.

Kufiri midis veriut dhe jugut global, është shndërruar në një zonë të mbushur me njerëz të lënë në harresë të përhershme, të cilëve u mohohet shansi për një jetë të mirë apo për të dhënë çdo lloj kontributi shoqëror. Në rast se besojmë se jeta e tyre vlen po aq se jona, dhe që ata janë të aftë të bëjnë shumë më shumë sesa presin, atëherë mohimi i mundësive të tyre si njerëz është një krizë morale e rëndë, dhe një humbje e madhe për të gjithë ne.

Shënim: Heba Gowayed është asistente/profesore e sociologjisë në Universitetin e Bostonit, SHBA.

https://www.aljazeera.com/opinions/2021/10/19/the-inhumane-futility-of-border-policing

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Blog

Pse vendet e Evropës Veriore, kanë qytetarët më të lumtur në botë?

Publikuar

-

Nga

cna lajme blog

Nga Benjamin Plackett “Discover Magazine”

Dielli gjatë muajit dhjetor nuk lind kurrë mbi horizontin e veriut Arktik të Finlandës. Edhe në jugun e largët të këtij vendi, ku jeton pjesa më e madhe e finlandezëve, banorët shohin vetëm 6 orë dritë dielli në ditët më të shkurtra të dimrit.

Pavarësisht nga kjo errësirë, Finlanda është zyrtarisht vendi më i lumtur në botë, dhe është renditur e para në këtë listë për 4 vjet me radhë. Kjo edhe sipas Raportit Botëror të Lumturisë të vitit 2021 të Kombeve të Bashkuara , që bazohet tek një pyetje të vetme (edhe pse subjektive).

Pjesëmarrësve anembanë globit, u kërkohet që të vlerësojnë lumturinë e tyre në një shkallë nga 1 deri në 10. Vendet e tjera nordike, duke përfshirë Islandën, Danimarkën dhe Suedinë, mbajnë gjithashtu vendet e para në këtë listë.

I vetmi vend jo-evropian, që renditet në mesin e 10 vendeve më të lumtura në botë është Zelanda e Re. Ndërkohë, shumë vende duke përfshirë Afganistanin, Sudanin e Jugut dhe Zambian, klasifikohen vazhdimisht në fund të listës. Shtetet e Bashkuara, renditen për këtë vit në vendin e 14-të.

Renditjet e tjera tregojnë rezultate të ngjashme. Indeksi i Prosperitetit Legatum, që mat mirëqenien ekonomike dhe sociale të vendeve, raporton gjithashtu nivele relativisht të larta lumturie brenda vendeve të Evropës Veriore, në krahasim me ato që përjetojnë konflikte intensive.

Dhe ndërsa mungesa e pasurisë, mund ta pozicionojë një vend në fund të tabelës, nga ana tjetër vetëm paratë nuk janë të mjaftueshme për ta renditur një vend në krye të kësaj liste.

Për shembull marrin rastin e Hong Kongut.

Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Botërore, ai është vendi i dhjetë më i pasur në botë, kur është fjala për të ardhurat kombëtare bruto (GNI). Por Hong Kongu pozicionohet në gjysmën e fundit të indeksit të OKB-së, pas vendeve me një GNI më të ulët si Shqipëria, Gana dhe Ekuadori.

Në përgjithësi, studiuesit thonë se një sistem politik i qëndrueshëm, një sistem i mirë i sigurisë sociale, kujdesi shëndetësor falas, dhe nivelet e larta të besimit të publikut në një sistem politik, demokratik janë elementët e duhur për të pasur një popullatë të lumtur.

“Tek e fundit thelbësore nuk është kultura, por janë institucionet e një vendi”- thotë Frenk Martela, studiues i psikologjisë në Universitetin Aalto në Finlandë, që kontribuon në raportin e përvitshëm të Kombeve të Bashkuara.



LEXO EDHE:   Si vdiq Hitleri?/ Historia e vërtetë e ditëve të tij të fundit, dhe vetëvrasja në bunker

LEXO EDHE:  Koronavirusi, cili do jetë ndikimi ekonomik dhe politik i tij në Kinë

Performanca jo shumë e mirë e Hong Kongut, është sipas një raporti nga Indeksit të Prosperitetit Legatum, pjesë e një tendence rajonale. Ky raport arrin në përfundimin se “progresi u ngadalësua në rajonin e Azi-Paqësorit, kryesisht për shkak të një përkeqësimi të sigurisë dhe sigurisë, lirive personale, cilësisë së ekonomisë dhe sistemit arsimor”.

India shënon një shembull tjetër, në të cilin rritja e pasurisë nuk përkthehet domosdoshmërisht në rritje të lumturisë, thotë Martela. ”Gjatë 10 viteve të fundit, PBB-ja e saj është rritur me shpejtësi, por lumturia e saj po zvogëlohet. Kjo renditje, mund të jetë një manifestim i paqëndrueshmërisë politike në nën-kontinent, dhe tensioneve në rritje midis komuniteteve fetare të Indisë- shton ai.

Por si e ka arritur saktësisht Evropa Veriore këtë gjendje shpirtërore kaq të mirë? “Kur kemi analizuar të gjitha fazat e hulumtimet për këtë pyetje, duket sikur institucionet më të afta, janë ato që parashikojnë lumturinë në nivel kombëtar”- shprehet Martela.

“Vendet nordike ofrojnë shumë gjëra pozitive për qytetarët, si një sistem të gjerë të mirëqenies sociale, kopshte dhe kujdes shëndetësor falas. Këto gjëra janë shumë thelbësore, pasi nënkuptojnë se njerëzit mund t’i besojnë shoqërisë që të kujdeset për ta, në rast se diçka shkon keq në jetën e tyre”- nënvizoi ai.

Sipas të dhënave të mbledhura nga organizatat “Reporterët pa Kufij”, qytetarët e Evropës Veriore, kanë më pak censurë në media dhe korrupsion se sa kudo tjetër në botë. “Prandaj, cilësia e institucioneve demokratike, është shumë e lartë”- thotë Martela.

Nëse qytetarët kanë besim se sistemi demokratik është duke funksionuar, atëherë ata kanë më shumë gjasa që të ndihen sikur vota e tyre ka vërtet rëndësi. Kjo është një tjetër nxitje për mirëqenien e banorëve.

“Çfarë do të thotë e gjitha kjo? Që zyrtarët e qeverive, duhet të ri-mendojnë se si e vlerësojnë ndikimin e politikave të tyre. Produkti i Brendshëm Bruto, është përdorur për një kohë të gjatë si një simbol për suksesin e një vendi. Synimi përfundimtar i qeverive, duhet të jetë sigurimi që të jenë të lumtur sa më shumë qytetarë”- thotë Martela.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al

https://www.discovermagazine.com/planet-earth/are-some-countries-happier-than-others

LEXO TE PLOTE

Blog

Franca po i përdor si armë emigrantët, ashtu si Bjellorusia

Publikuar

-

Nga

cna lajme blog

Nga Gavin Mortimer “The Spectator”

Ishte e vështirë të mos qeshje me një farë cinizmi me deklaratën e fundit të anëtarëve perëndimorë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që e dënuan Bjellorusinë për përdorimin e emigrantëve në kufirin e saj me Poloninë si një armë të krizës.

Pas mbledhjes urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të enjten e shkuar, anëtarët perëndimorë botuan një deklaratë të përbashkët, duke e akuzuar Minskun se po rrezikon jetën e emigrantëve “për qëllime politike”.Kjo është sigurisht e vërtetë, por si mund të dëgjosh fjalë të tilla nga Franca. Çfarë hipokrizie!

Këtë vit ka shumë më pak emigrantë që jetojnë nëpër kampe prej kartoni në periferitë e ë Parisit. Pse? Sepse këto kampe janë shkatërruar, dhe emigrantët, shumica të rinj nga Afrika dhe Lindja e Mesme, janë nisur drejt veriut për në qytet-portin e Kalesë.

Pasi atje mund të shkosh në Angli përmes një udhëtimi të shkurtër përmes Kanalit. Dhe këtë udhëtim e kanë bërë këtë vit mbi 24 mijë njerëz, gati 3-fishi i numrit që ia doli të kalojë Kanalin në vitin 2020.

“Duket se francezët u kanë lënë dorë të lirë trafikantëve të qenieve njerëzore. Ky dështim i tmerrshëm i zbatimit të ligjit, do të ngrihet me forcë në diskutimet me Ministrit të Brendshëm Zherald Darmanin dhe qeverinë franceze”- citohet të ketë thënë një burim i qeverisë britanike, mbi paaftësinë e Francës për të ndaluar emigrantët ilegalë që kalojnë në Angli përmes territorit të saj.

Ndoshta, Boris Xhonson duhet të mendojë të dërgojë ushtarë britanikë në Kale, si dhe në kufirin polak. Protestat e britanikëve ndaj Parisit, nuk do të sjellin ndonjë gjë të mirë. Presidenti francez Emanuel Makron, ka nisur tashmë fushatën për zgjedhjet presidenciale të prillit të ardhshëm.

Dhe sfidantët e tij kryesorë vijnë nga e djathta:Marinë Lë Pen e Tubimi Kombëtar, analisti i krahut të djathtë Erik Zemur, dhe republikanët e qendrës së djathtë, të cilët nuk kanë zgjedhur ende një kandidat, e kanë bërë emigracionin një pikë qëndrore të manifestit të tyre.

Për më tepër, në 15 muajt e fundit në Francë ka pasur një numër sulmesh islamike të kryera nga burra që kanë hyrë ilegalisht në vend, përfshirë vrasjen e tre besimtarëve nga një tunizian në një kishë të Nisës.

Prandaj, Makron e di shumë mirë se duhet të bëjë diçka për numrin e madh të emigrantëve të paligjshëm që ndodhen aktualisht në Francë – dhe që vlerësohet të jetë rreth 900.000- dhe a ka ai zgjidhje më të mirë se sa transferimi i këtij problemi tek britanikët?

Një reportazh në mediat franceze të enjten në mbrëmje, vërtetoi para shikuesve se autoritetet franceze po e lehtësojnë migrimin e emigrantëve ilegalë drejt Anglisë nëpërmjet Kanalit. Gazetari që realizoi reportazhin, përshkroi se si emigrantët ishin zhvendosur në perëndim nga Kaleja në Dunat Dë La Slak, me pamje nga plazhet e arta të Vimero-së, një destinacion popullor turistik për britanikët në periudhën midis 2 luftërave.

LEXO EDHE:  Shtimi i madh në peshë midis moshës 20-40 vjeç, rrit gjasat e vdekjes së parakohshme

LEXO EDHE:  Frikërat, pseudonimi, marrëdhënia me një të mitur/ Legjendat dhe të vërtetat mbi Stalinin



Një peshkatar vendas i shpjegoi gazetarit frekuencën me të cilën ai sheh gomonet që nisen për në Britani. “Anglezët nuk janë të lumtur më këtë situatë”- i thotë gazetari. Duke buzëqeshur, peshkatari u përgjigj:“E kush e çan kokën për këtë!”.

Ekipit të televizionit nuk iu desh të priste shumë përpara se të shihte një grup të madh emigrantësh ilegalë që mbanin në duar një gomone të fryrë buzë detit. Në përpjekjen e dytë ata e lëshuan me sukses gomonen dhe u nisën.

Nga dunat, 5 policë francezë të cilët qëndronin në makinën e tyre të patrullës shihnin gjithçka. Gazetari tha se ata kishin mbërritur shumë vonë për të parandaluar nisjen e gomones, por ata “kontaktuan rojen bregdetare, e cila e shoqëroi gomonen në ujërat territoriale britanike”.

Por sipas organizatës “Human Rights Watch”, policia francezë nuk ka qenë gjithmonë kaq e butë me sjelljen e saj ndaj emigrantëve. Muajin e shkuar HRW akuzoi policinë në Kale për “praktika abuzive”, të tilla si shembja e çadrave të ngritura nga emigrantët apo konfiskimi i sendeve të tyre.

E vërteta është se policisë, ashtu si njerëzve të mirë të Kalesë, u është sosur durimi pasi gjatë 2 dekadave të fundit emigrantët kanë ngritur kampe brenda dhe rreth portit, ndërsa dhuna dhe krimi janë një realitet shoqërues, të cilin ka dështuar që ta adresojë klasa politike franceze.
Inercia e tyre nuk është e ndryshme nga ajo e Brukselit, që ishte tepër i hutuar mbi mënyrën sesi ta trajtonte krizën e emigrantëve në vitin 2015, kur Angela Merkel hapi kufijtë e kontinentit. Presidenti i Bjellorusisë Aleksandër Lukashenko e di mirë këtë.

Dhe ndërsa ai akuzohet për “përdorimin e emigrantëve si një armë”, sa ndryshon në fakt sjellja e tij nga ajo që po ndodh sot në Kale? Franca supozohet se paguhet nga qeveria britanike për të ndaluar emigrimin e paligjshëm, por ata nuk po bëjnë asgjë të tillë.

Kjo të kujton paksa sjelljen e tyre të vitit 2018, kur policia franceze në juglindje të vendit u akuzua nga Italia për lejimin e kalimit të emigrantëve që ata kishin kapur përtej kufirit. Mos-veprimi i autoriteteve franceze, madje mund të thuhet edhe inkurajimi i tyre i heshtur, po vë në rrezik jetën e emigrantëve.

Dy burra u mbytën në përpjekje për të kaluar Kanalin, teksa të premten u raportua zhdukja e 3 të tjerëve pasi ishin nisur drejt Britanisë me një varkë të vogël të tipit kajak. Ndoshta Britania duhet të thërrasë një mbledhje tjetër urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, dhe këtë herë të dënojë sjelljen e Francës.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al

https://www.spectator.co.uk/article/france-is-using-migrants-just-like-belarus

LEXO TE PLOTE

Blog

Lidhjet e shumëfishta të Frenk Sinatrës me botën e krimit në Amerikë

Publikuar

-

Nga

Frenk Sinatra është i njohur për shumë gjëra:për aftësinë e tij të jashtëzakonshme në të kënduar; për fitimin e dy çmimeve Akademy Awards, si dhe për  Çmimin Oskar si “aktori më i mirë në një rol dytësor” për rolin e tij në filmin “Nga këtu në përjetësi” të vitit 1953.

Por ai është gjithashtu i famshëm për lidhjen e tij me mafian amerikane, diçka që nuk pëlqente shumë që ta dinte publiku. Lidhjet e Sinatras me mafian e kanë origjinën që tek familja e tij, pasi xhaxhai i tij Bob Garavante, ishte pjesë e familjes mafioze italo-amerikane Gjenoveze.

Ndonëse Bob nuk pati një ndikim të drejtpërdrejtë në aktivitetet e tij të mëvonshme me botën e krimit të Amerikës, ai me siguri që i tregoi të riut Frenk se si të sillej dhe vepronte në një mjedis të tillë. Gjatë rrugëtimit të tij drejt famës, por dhe për vite pasi u bë një nga figurat kryesore të Hollivudit, Sinatra mbajti kontakte shumë të afërta  me mafian, duke përfshirë Benxhamin “Bagsi” Sigëll dhe Çarls “Laki” Luçiano.

Shumica e atyre me të cilët rrinte, ndanin pasionet e tij për gratë, lojërat e fatit dhe paratë, dhe takoheshin shpesh mbrëmjeve në klube nate dhe kazino. Duke folur për “Page Six”, ish-menaxheri i Sinatrës, Toni Opedisano, thotë se mafiozët ishin në një garë mes tyre për të pasur vëmendjen e artistit.

“Ata donin që të ishte në rrethin e ngushtë të Frenk. Vetë ai bëri çmos që të mos ta ekspozohej shumë me këta njerëz, por disa njerëz do ta tepronin. Me kalimin e kohës disa nga mafiozët u bënë miq të ngushtë me të, dhe ata do të përpiqeshin të bënin për të gjëra, të cilat ai nuk ua kërkoi asnjëherë. Frenk thoshte:Nëse këta njerëz duan vërtet të më bëjnë një nder, do të doja që të mos më bënin më ndere!”- thotë ai.

Sipas Opedisano, Frenk Sinatra e urrente lidhjen e tij me mafian, dhe fajësoi për këtë kryesisht ndjenjat anti-italiane që dominonin në atë kohë në SHBA. Ai vetë pretendonte se ra në kontakt me mafiozët, pasi ata kishin në pronësi ambientet ku ai këndonte.

“Toni, nuk e kuptoj. Nëse klubet e natës, do të ishin të gjitha në pronësi të Kardinalëve dhe Imzotëve, mendoj se do ta kisha kaluar kohën time me Kardinalët dhe Imzotët. Por kjo gjë nuk do të më bënte as Kardinal apo Imzot. As puna në një klub në pronësi të njerëzve të mafias, nuk do të bëjë mafioz”- i tha në një rast menaxherit të tij.

Megjithatë, kjo deklaratë nuk shpjegon arsyen se pse ai dilte aq shpesh foto me mafiozët e njohur. Ai vetë pretendonte se kjo ishte mënyra e tij e të qenit i sjellshëm, pasi “kur një burrë më zgjat dorën për të më takuar, unë nuk e pyes kurrë se si i ka fituar paratë, mirësjellja është mirësjellje”.

Ai ishte veçanërisht i ndjeshëm për lidhjen e tij të pretenduar me mafian, për të cilën shkruhet në librin e Mario Puzos “Kumbari”. Duke folur për “New York Magazine” në vitin 1972, Puzo tha se Sinatra ishte paksa i emocionuar nga lidhja midis tij dhe mafiozit Xhoni Fonten.

LEXO EDHE:  Shtimi i madh në peshë midis moshës 20-40 vjeç, rrit gjasat e vdekjes së parakohshme

LEXO EDHE:  Frikërat, pseudonimi, marrëdhënia me një të mitur/ Legjendat dhe të vërtetat mbi Stalinin



Të dy u ballafaquan një mbrëmje kur u prezantuan nga të njohur të përbashkët në një klub nate në Beverli Hills. Puzo kujton se Sinatra e kritikoi ashpër për librin e tij. Madje thuhet se këngëtari e kërcënoi se do ta rrihte, nëse ai do të ishte pak më i ri në moshë, gjë që e ofendoi Puzon.

“Ajo që më lëndoi ishte se Frenk, një italian nga veriu, po më kërcënonte me dhunë fizike mua, një italian nga jugu. Kjo është përafërsisht njëlloj sikur Ajnshtajni të kërcënonte me thikë Al Kaponen. Thjesht nuk shkon. Italianët e veriut, nuk ngatërrohen kurrë ata të jugut, përveçse kur i futin në burg ose i deportojnë në ndonjë ishull të shkretë”- tha më vonë Puzo.

FBI-ja amerikane nuk u besonte pretendimeve të Frenk Sinatrës, se nuk kishte personalisht lidhje me mafian. Organizata qeveritare kaloi mbi 40 vjet duke e survejuar, duke grumbulluar mijëra faqe që dokumentonin lëvizjet e tij, miqësitë dhe gjithçka tjetër rreth jetës së tij, duke nisur që me deklaratën e tij se për arsye shëndetësore, nuk ishte në gjendje të angazhohej me ushtrinë amerikane gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ndërsa FBI-ja nuk ishte asnjëherë në gjendje të provonte se ai ishte i përfshirë në akte kriminale, ajo regjistroi ndërveprime të shumta midis Sinatrës dhe disa emrave të mëdhenj të botës së krimit. Kishte shumë zëra rreth miqësisë së tij me bosin e mafias të Çikagos, Sam Xhankana.

Sipas vajzës së tij, Tina, Sinatra e prezantoi Xhon F.Kennedy me të dashurën e Xhiankana, Xhudith Eksner, e cila dyshohet se shërbeu si një ndërlidhëse midis presidentit dhe Xhankanës, gjatë hartimit të një plani për të vrarë udhëheqësin kuban Fidel Kastro.

Po ashtu në dosjet e FBI-së kishte raporte për dhuratat e marra nga Xhozef dhe Çarls Fisketi, kushërinj të bosit të mafias Al Kapone, si dhe për një performancë të Sinatrës në dasmën e vajzës së bosit të mafias së Filadelfias, Anxhel Bruno.

Madje ka dokumente që tregojnë se mafia ushtroi ndikimin e saj për ta ndihmuar Sinatrën të dilte nga një kontratë e nënshkruar në vitin 1951. Një incident i spikatur, ishte ai kur agjentët e FBI-së panë Sinatrën të takohej me mafiozët e Detroitit, Vito dhe Entoni Xhakalone.

“Disa herë në vit, ne e shihnim Xhanalonen të shkonte në aeroport për të marrë Sinatrën. Ata e kalonin fundjavën së bashku, duke u shoqëruar para dhe pas shfaqjeve të tij… Dhe Frenk nuk kërkoi ndjesë për këtë. Ata ishin miqtë e tij. Për të nuk kishte rëndësi fakti që ata ishin gangsterë dhe vrasës të njohur. Atij nuk i interesonte, por do të rrinte me ata që donte”- thotë agjenti në pension Sem Rufino./CNA.al

https://www.thevintagenews.com/2021/11/12/frank-sinatra-mob-ties/

LEXO TE PLOTE