LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

KQZ: Sot do të publikohen rezultatet preliminare të zgjedhjeve

17 Tetor 2021, 15:19, Kosova & Bota CNA
KQZ: Sot do të publikohen rezultatet preliminare të zgjedhjeve

Votat e qytetarëve në zgjedhjet lokale të 17 tetorit në Kosovë do të numërohen sot pas mbylljes së vendvotimeve.

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Valmir Elezi, për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, procesi i numërimit të votave në zgjedhje lokale është më i lehtë se ai i zgjedhjeve të përgjithshme dhe se sipas tij, votat pritet të numërohen më shpejt.

“Përfundon procesi i numërimit të fletëvotimeve për kryetar, një zyrtar e merr një kopje të formularit me rezultate dhe të njëjtat i ngarkon në aplikacioni e KQZ-së. Pastaj, vazhdon numërimi i fletëvotimeve për kuvende komunale dhe pasi të përfundon i gjithë ky proces materialet kthehen në komision komunal të zgjedhjeve dhe prej aty në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve”, tha Elezi.

Elezi ka shpjeguar se pas procesit të numërimit të votave rezultatet pritet publikohen gjatë mbrëmjes.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), për kryetarë të komunave të Kosovës janë certifikuar 166 kandidatë.

Në garën për asamblistë në kuvendet e të gjitha komunave janë certifikuar 5,198 kandidatë.

Bazuar në të dhënat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri në orën 15:00 kanë votuar rreth 26.8 për qind e votuesve në nivel vendi.

Qytetarët e Kosovës do të zgjedhin kryetarët e rinj dhe asambletë komunale në 38 komuna.

Sipas KQZ-së, numri i qytetarëve me të drejtë vote është 1 milion e 885 mijë e 448 votues.

Në këto zgjedhje, qytetarët do të mund të votojnë për kryetarin e komunës dhe një asamblist./REL

Lajmet e fundit nga