Connect with Us

Nga Blendi Kajsiu/ PD përtej Berishës dhe Bashës, që duan veç ushtarë për të sulmuar “djallin” Edi Rama

Opinione

Nga Blendi Kajsiu/ PD përtej Berishës dhe Bashës, që duan veç ushtarë për të sulmuar “djallin” Edi Rama

Publikuar

-

cna news, cna lajme, lajme cna, lajme flash cna, cna.al, cna lajme politike,

Dy elementet bazë të opozitarizmit berishist janë denoncimi hiperbolik dhe agresiviteti, që nga ai verbal deri tek ai fizik. Denoncimet e Berishës ndaj kundërshtarëve të tij politikë kanë qenë gjithnjë totale dhe degraduese, duke prodhuar një urrejtje të thellë tek opozitarët. Shumë prej tyre dje e urrenin me pasion Fatos Nanon, si mishërim i … djallit, ndërsa sot, me të njëjtin pasion, urrejnë Ramën, si njeriun më pervers dhe të ligë që ka parë bota. Tashmë kësaj kategorie i është bashkangjitur edhe Basha, humbësi dhe pengu më i madh i të gjitha kohërave.

Këto karakteristika të berishizmit shfaqeshin jo vetëm gjatë opozitës, por edhe në pushtet. Mjafton të kujtojmë vrasjet e 21 Janarit kur kryeministri Berisha, pasi vrau protestuesit në shesh, filloi të sulmonte presidentin dhe prokuroren e Përgjithshme se po organizonin një grusht shteti. Madje këtë të fundit me një agresivitet verbal maskilist tronditës e quajti “lavire të bulevardit”, edhe pse ishte, dhe mbetet, një nga juristet më dinjitoze që ka prodhuar Shqipëria.

Denoncimi total e ka reduktuar rolin e opozitës në atë të prokurorit dhe protestuesit, duke ulur besueshmërinë e saj si alternativë. Sidomos kur të njëjtët oligarkë që ajo denoncon sot si zgjatime të Ramës pasuronin atë dje. Mjafton të kujtojmë që Delijorgji që sot ndërton pallate në qeverisjen e Ramës dje bënte biznes në Gërdec me djalin e doktorit.

Është e njëjta opozitë që po bën Basha sot, edhe pse e ka lënë Berishën jashtë Grupit Parlamentar. Krizën energjetike ai e redukton thjesht te korrupsioni i Ramës, të cilin në mënyrë shumë berishiste e etiketon “tellalli i së keqes”, ndërkohë që largimin e tij e premton përsëri me protesta. Problemi është që opozitën nuk e sjell në pushtet protesta, por alternativa qeverisëse.

Që Rama dhe qeveria e tij duhet të largohet është e qartë për shumicën e qytetarëve. Pjesa dërrmuese e shqiptarëve nuk janë të kënaqur me qeverisjen. Sondazhet që i pyesin nëse Shqipëria po shkon apo jo në drejtimin e duhur, tregojnë se shumica e tyre janë të pakënaqur me drejtimin e vendit.

Ama e njëjta shumicë nuk e sheh opozitën si alternativë. Kjo është edhe një nga arsyet se përse vendi po zbrazet. Brezi i ri nuk ka shpresë as te qeveria dhe as tek opozita, ndaj do të vazhdojnë të largohen edhe sikur Basha t’u dalë përditë te stacionet e autobusit dhe t’u lutet të rrinë.

Ndaj, denoncimi duhet të shërbejë jo vetëm për të nxjerrë në pah keqqeverisjen dhe korrupsionin në pushtet, por edhe për të ndërtuar alternativën qeverisëse. Parlamenti dhe komisionet parlamentare janë mekanizma të fuqishëm që opozita mund të përdorë jo vetëm për të hedhur baltë mbi qeverinë, por edhe për të pastruar veten si alternativë. Për këtë arsye opozita bëhet shumë më mirë brenda Parlamentit sesa në rrugë.

Kriza energjetike që po afrohet ofron një mundësi të artë për opozitën jo vetëm për të nxjerrë në pah korrupsionin në këtë sektor, mungesën e një vizioni afatgjatë të qeverisë, por mbi të gjitha, alternativën që ajo ofron. Denoncimi i korrupsionit të Ramës dhe 7 pikat e Bashës që propozojnë në mënyrë kontradiktore edhe uljen e taksave edhe rritjen e subvencioneve, nuk përbëjnë alternativë.

Përballë krizës që po afrohet, opozita duhet të propozojë ngritjen e një komisioni hetimor për energjetikën. Synimi i tij duhet të jetë skanimi i situatës aktuale energjetike jo vetëm për të nxjerrë në pah prezencën e korrupsionit, por edhe mungesën e vizionit afatgjatë në këtë sektor. Më konkretisht, ky komision duhet të hetojë masat që janë marrë për pavarësinë energjetike të vendit, politikat që janë bërë për diversifikimin e burimeve energjetike diellore dhe eolike, për të shmangur varësinë nga uji, mënyrën se si po menaxhohen sektorë strategjikë, si KESH apo OSHEE.

Në një nga të paktët artikujt investigativë mbi këtë sektor, kryeredaktori i BIRN, Gjergj Erebara dhe një nga gazetarët më seriozë që kemi, vë në dukje se “KESH sh.a.”, e cila menaxhon tri hidrocentralet e lumit Drin, nuk ka publikuar bilanc vjetor dhe as raportet e menaxhimit, siç është detyrimi ligjor, në Qendrën Kombëtare të Biznesit për vitet 2019 dhe 2020. “OSHEE Group” nuk ka dorëzuar bilancin e vitit 2020 ndërsa OST, e cila menaxhon linjat e tensionit të lartë, nuk ka publikuar bilancin e vitit 2020

Një komision parlamentar ka të gjitha mundësitë ligjore, administrative dhe mediatike të hetojë menaxhimin e këtyre kompanive. Mund të thërrasë në seanca dëgjimore ekspertë të fushës, si dhe drejtuesit e ministrive përkatëse dhe të kompanive kryesore energjetike dhe t’u kërkojë llogari në lidhje me menaxhimin e sektorit dhe investimet e kryera në të.

Seanca të tilla shërbejnë jo vetëm për të sensibilizuar qytetarët në lidhje me keqqeverisjen në sektor, por edhe për të shpalosur alternativën e opozitës. Ajo duhet t’u shpjegojë shqiptarëve se çfarë dhe si duhet bërë ndryshe në këtë sektor. Nëse diversifikimi dhe pavarësia energjetike që na mbron nga luhatjet e tregut global duhet bërë nëpërmjet kompanive private, shtetërore, nëpërmjet një kombinimi të të dyjave apo nëpërmjet politikave që nxisin pavarësinë energjetike të konsumatorit duke instaluar panele diellore në shtëpi dhe apartamente.

T’u thuash shqiptarëve se kriza buron nga fakti se Rama është një plehrë e korruptuar dhe se zgjidhja është ardhja e Bashës në pushtet është qesharake. Herën e fundit që Basha me Berishën ishin në pushtet ARMO shkoi për lesh në duart e Rezar Taçit, të cilit pas keqmenaxhimit të ARMO-s, donin t’i jepnin edhe “Albpetrolin”, pa folur për katastrofën e privatizimit me ÇEZ-in famëkeq.

Për të njëjtën arsye nuk ka sens t’u thuash shqiptarëve se kriza e karburantit, çmimi i tij i lartë dhe monopolet në këtë sektor burojnë nga ligësia e Ramës, sepse oligarkët e këtij sektori si Kastrati u fuqizuan që në qeverisjen e PD-së. Ndaj, problemet e sektorit dhe të ekonomisë në përgjithësi nuk mund të reduktohen te ligësia e një njeriu apo tek emra të përveçëm, ato duhen parë si fenomene që kërkojnë zgjidhje ligjore dhe ekonomike jo thjesht britma “Rama ik!”.

LEXO EDHE:  Nuk ndalet Rama/ Sulmon sërish mediat

Në rastin konkret, kapitalizmi ka një tendencë, që nuk e ka identifikuar vetëm Karl Marksi, drejt monopolizimit. Edhe nëse gara ekonomike fillon e ndershme, ai që fiton raundin e parë ka më shumë shanse të fitojë edhe raundet në vijim dhe pas çdo fitoreje konkurrenca me të bëhet gjithnjë e më e vështirë. Po të fusim këtu edhe faktin që ekzistojnë ato që quhen “economies of scale” (ekonomitë e shkallës) – sektorë ku firmat e mëdha prodhojnë më lirë sesa firmat e vogla – tendenca drejt monopolit bëhet e pandalshme dhe ndërhyrja e shtetit për thyerjen e monopoleve, e domosdoshme.

Ky është një problem themelor me të cilën përballet edhe tregu më konkurrues dhe më i madh në botë, SHBA-ja. Aty sistemi bankar u përqendrua në pak banka që kontrollonin dhe vazhdojnë të kontrollojnë shumicën e sektorit financiar dhe që janë “too big to fail” (shumë të mëdha për të dështuar), që do të thotë se falimentimi i tyre rrëzon të gjithë ekonominë amerikane dhe globale. Për pasojë, kur plasi kriza financiare në vitin 2008, qeveria amerikane u detyrua të ndërhyjë për t’i shpëtuar.

Ironia është që sot oligopoli bankar në SHBA është fuqizuar edhe më shumë se dje, pavarësisht premtimeve të administratës Obama për ta shkërmoqur. E njëjta gjë ka ndodhur me “Facebook”, që pasi bleu edhe “Instagram” edhe “WhatsApp”, është kthyer faktikisht në monopol. Sot jemi aq të varur nga “Facebook” sa është e pamundur të konkurrosh me të në treg.

Një fenomen i ngjashëm ndodh edhe në kapitalizmin shqiptar, të fortët forcohen dhe të dobëtit dobësohen duke prodhuar tendencat monopolistike. Natyrisht që në këtë proces Kryeministri Rama ka dorë dhe përgjegjësi. Atij duket se i pëlqejnë monopolet, sepse me ta qeveris dhe e kontrollon ekonominë më thjesht sesa me rrëmujën që prodhon konkurrenca.

Ndaj, Rama jo vetëm nuk e lufton tendencën monopolistike apo oligarkike të kapitalizmit, por e ushqen atë. Kështu, nëse firma “Kastrati” ka pozicion tejet dominues në tregun e karburanteve, ai i jep edhe aeroportin e Rinasit, edhe Rrugën e Kombit, duke e betonizuar edhe më tej pozicionin e kësaj kompanie në treg. Ashtu sikurse një kompanie tjetër i dhjetëfishon tenderët e qeverisë.

E megjithatë fenomenin e monopolizimit apo të oligopolizimit nuk e prodhon Rama, por kapitalizmi. Ndaj, zgjidhja nuk është thjesht duke hequr Ramën, por duke implementuar politika konkrete kundër monopoleve dhe oligopoleve. Edhe këtu hapi i parë që duhet të ndërmarrë opozita është ngritja e një komisioni hetimor në lidhje me tregun e karburanteve për të parë nëse kemi të bëjmë më monopol, oligopol apo konkurrencë të lirë.

Në bazë të këtij hetimi, opozita duhet të propozojë politika dhe ligje konkrete për thyerjen e monopoleve, si atë karburantit, ashtu edhe të miellit, që rrisin çmimin e produkteve jetike për qytetarët. Minimalisht mund të propozohen politika që limitojnë numrin e tenderëve apo pjesëmarrjen në to të aktorëve monopolistë apo oligopolistë në treg. Në këtë mënyrë, shteti nuk forcon monopolet, por konkurrencën.

Pa politika të tilla, zëvendësimi i Ramës me Bashën jo vetëm nuk e zgjidh, por thjesht e përkeqëson problematikën e monopoleve, oligopoleve, krizës energjetike apo të oligarkëve në Shqipëri. Ndaj, fabula që Rama është fatkeqësia më e madhe që i ka ndodhur Shqipërisë, që artikulon si opozita politike, edhe ajo mediatike, shërben thjesht për të zhvendosur vëmendjen nga zgjidhjet konkrete për bukën, energjinë, oligarkinë apo për pastrimin e parasë në ndërtim. Të gjitha këto nuk mund të trajtohen si probleme që burojnë thjesht nga vullneti djallëzor i Ramës.

Kjo është diçka që qytetarët e kuptojnë. Ata tashmë e dinë se zgjedhja e së keqes më të vogël nuk është zgjidhje. Ata nuk besojnë më te shpëtimtarët, qoftë ky Rama, Berisha dhe aq më pak Basha. Ata kërkojnë propozime dhe politika konkrete që zgjidhin hallet e tyre dhe jo një opozitë që vetëm denoncon, por nuk ofron alternativë.

Dhe nuk mund t’u vësh faj. Opozita ngriti një komision për të hetuar zgjedhjet e 25 prillit, por nuk ka propozuar asnjë komision për të hetuar çmimin e bukës dhe tregun oligopol të miellit; nuk ka ngritur asnjë komision për të hetuar sektorin e energjetikës dhe tregun e karburanteve; asnjë komision për të hetuar çfarë po ndodh në bizneset kriminale të minierave në Bulqizë, ku kanë vdekur më dhjetëra minatorë, pa folur për çështje edhe më komplekse si pastrimi i parave. Ndaj, te qytetari krijohet përshtypja se PD-ja e përdor Parlamentin për hallet e veta dhe jo të popullit.

Deri tani Basha ka treguar se opozita që di të bëjë është vetëm ajo berishiste: denoncime dhe protesta pa propozime. Komisionet hetimore që ai propozon shërbejnë thjesht për denoncim dhe jo për të ndërtuar alternativa qeverisëse. Dhe kjo është e kuptueshme kur Basha ende nuk është distancuar nga Berisha. Ai sot e menaxhon PD-në njësoj si Berisha dje, thjesht pa karizmën e këtij të fundit. Nëse dje PD ishte një bunker entuziast, sot është një bunker i trishtë.

Ndaj, në këtë pikë, për të ndërtuar një opozitë post-berishiste është e nevojshme largimi i berishizmit nga PD-ja, babë e bir, dhe dalja e një udhëheqjeje të re, që u ofron shpresë dhe alternativë shqiptarëve. As Berisha dhe as Basha nuk kanë kredibilitetin e nevojshëm për ta hapur PD-në. Ata mund të ofrojnë aty vetëm ushtarë dhe jo profesionistët dinjitozë që mund të ndërtojnë alternativën qeverisëse që kaq shumë i mungon Shqipërisë.

 

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Opinione

Anti-amerikani n’oborr të PD/ Basha midis tre narrativash

Publikuar

-

Nga

cna lajme politike

Nga Zef Zefi

Narrativa e parë është “mitralimi armik” anti-opozitar i propagandës së pushtetit i cili mbetet legjitim dhe duhet ta “vuajë” çdokush që ka zgjedhur të prijë opozitës, deri aty ku fillojnë dhe shquhen lidhjet e këtij pushteti me krimin faktual.

Në shërbim të së keqes, klientelizmi mediatik jo vetëm ia ka dalë ta banalizojë keqbërjen qeveritare por ka qënë efikas po aq sa krimi në mjegullimin dhe okultimin e evidencës.

Fakti është se e shprehur me gjuhën ambasadoriale, zgjedhjet e Pergjithshme i ka fituar “Krimi,” dhe jo tjetri…,dmth “Ndryshimi…”

Për rrjedhim institucionet politike, legjislativ, ekzekutiv dhe ato të drejtësisë, janë në duart e jo-Ndryshimit.

Levizja anti-soros ose zjarri-mik, për hir të vertetës, sa ç’nuk i ka kursyer asgjë rama-qeverive si kriminale e sorosiane, po aq ka goditur lidershipin opozitar si të varur apo peng i filantropit filobolshevik e filoserbian për të shpopulluar e varrosur sovranitetin e shtetit shqiptar dhe atë të Kosovës, bashkë me to dhe të formacioneve politike ku ato gjejnë shprehje.

Në këtë narrativë Basha është paraqitur si sipëmarrës i skemës sorosiane, kozmopolite në krye të partisë së qendrës së djathtë gjë që do të duhej të ishte e pamundur, sidomos e panatyrshme.

Replikë kjo me një pikëpyetje të madhe, për të cilën Basha duhej ta kishte dhënë një përgjigje esplicite edhe sikur të flitej për ndonjë bashkëdrejtues të tij.

Po Basha ndryshe nga të djathtat e tjera euro-amerikane, as nyjëtuar nuk e ka emrin e këtij spekulanti në leksikun e tij të rrudhët, edhe pse akuza ka qënë e drejpërdrejtë e në emër të përveçëm të tij.

Për hir të së vertetës as mediet modeste që u përpoqen me dalë në krah të Opozitës me mjaft pak përjashtime, kur vinte fjala tek “spekulanti” fjalëve të tyre humbnin bashtingëlloret.



Zjarri tjetër “mik” ka qënë narrativa “consociativiste” nga ana e të përjashtuarve në menyrë sektare nga forumet drejtuese të PD.

Këta e kanë përshkruar lidershipin e PD si bashkëpunues të nëndheshëm dhe të mesnatshëm me Ramen e co. pas kuintave të politikës, pas shpinës së PD, të përndjekurve politikë, aleatëve  dhe opozitarëve pa parti.

LEXO EDHE:  Rama “tallet” me PD-në/Ka filluar të qajë prej kohësh se nuk fiton!

LEXO EDHE:  “Imazhe sa 1000 fjalë”/ Fatmir Xhafaj sfidon hapur Bashën

Të tria këto narrativa pavarësisht se vijnë nga  interesa, premisa dhe llogore krejt të ndryshme, kanë konverguar.

E siç po shihet Partia Demokratike nën drejtimin e Bashës jo vetëm s’është perballuar me to, por nuk ka mundur t’i devijojë as t’i absorbojë siç bën fiziologjia politike e partive të mëdha. Përkundrazi ka hyrë në një “entropi” thuajse të pakthyeshme.

Po. Partia Demokratike e ka një anti-amerikan.

Askush nuk mund të akuzohet për karizmen e munguar apo përmasimin e liderit sipas klisheve ballkanike.

Përjashtuar militantët, anëtarësia e thjeshtë dhe intelektualët e PD, po dhe ata afër apo larg, që në mandatin e parë të Bashës si Kryetar i PD, paten hequr dorë nga pritshmëria për liderin tradicional ballkanas apo të tipit “tepsija” tek Basha.

Ajo për të cilën është pretenduar fort, ishte për një kryetar opozite normal, koeziv dhe koherent, veçanërisht të ndershëm dhe juridikisht korrekt.

Janë këqyrur e analizuar shterueshëm të gjitha qëndrimet e raportimet e Bashës me njerëzit që e kanë zgjedhur në krye, me institucionet e shtetit dhe me faktorin nderkombëtar me të cilët ka negociuar, dhe përveç rezultateve mungesore pa asnjë fitore, dinamika e drejtimit flet për zhgenjim.

Dhe pas gjithë këtyre t’i thuash anëtarësisë që të kanë zgjedhur kryetar, opinionit publik dhe atij nderkombtar se mbrapshtitë politike, juridike, institucionale e forumore i bëj për të mbrojtur PD nga anti-amerikanët, se për ndryshe do ta shkatërrojnë amerikanët, ma shumë se infantile është me vendos duart në kokë, jo më për liderin që s’u lind a kryetarin që s’u bë dot, po për ata që akoma besojnë marrina./CNA.al

LEXO TE PLOTE

Opinione

Nga arrestimi i Gëllçit, tek shpërdorimi i parave publike/ Saga e vjedhjeve në RTSH

Publikuar

-

Nga

cna lajme aktulitet

Nga Adriatik Doci

Nuk ka dyshim se RTSH është një lubi korrupsioni, nepotizmi, vegjetimi, klientelizmi, mediokriteti, dembelizmi, erotizmi, kaosi etj., – ndoshta një lubi e natyrshme për shtetin, organin e akuzës dhe shoqërinë shqiptare. I pazakontë është fakti se drejtuesit e RTSH (martinlekabungot) e pranojnë degradimin e RTSH para Kuvendit me një zell të çuditshëm, kërkojnë mbështetje buxhetore dhe askush nuk vepron. 1300 punonjës, 90 % parazitë, miliona euro buxhet vjetor nga paratë publike, dhe produkti përfundimtar në interes të publikut është asgjë. Mendoj se duhet të flasim dhe denoncojmë deri sa ajo godinë korrupsioni dhe turpi kombëtar të shembet. Disa nga aferat në RTSH, të konstatuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, vitet e fundit. Ja pse tenderi për të cilin u arrestua Thoma Gëllçi është një thërrime në sofrën e madhe të shpërdorimit të parave publike. Dhe një nga protagonistët e këtij abuzimi historik, Martin Leka, synon të marrë përfundimisht vendin e Gëllçit, për të vijuar avazin në aleancë interesash me Leka Bungon.

Një pjesë e sagës së vjedhjeve në RTSH

-7.6 mijë USD për gjoja fjetje në hotele në tre raste, pa paraqitur asnjë faturë justifikuese.

-6 përfaqësues të RTSH kanë fjetur për 15 ditë në një hotel në Lisbonë, me çmim 180 euro për dhomë, kur vendimi i Këshillit Drejtues në këto raste parashikon maksimumi deri në 110 euro nata për person.

-Anëtarët e Bordit të Administrimit pagesa pa marrë fare pjesë në mbledhje.

-13 mijë USD dreka dhe darka, të cilat duhet të paguheshin palët e tjera.

-Drejtori i Fotografisë nëpërmjet dy kontratave të sponsorizimit ka marrë 10 750 euro në mënyrë të paligjshme.

-Një pronar mobilierie ka marrë 25 mijë USD për skenografinë e programit ‘Gjyshet milionere’.

-Një numër i konsiderueshëm i punonjësve të RTSH marrin në të njëjtën kohë edhe pagën, por edhe dhe honorarë për projekte, në mënyrë abuzive dhe konflikt interesi.

-12 punonjës marrin pagën në RTSH edhe pse kanë mbushur moshën e pensionit.

-Punonjësit e rinj merren në punë pa asnjë kriter, si dhe nuk ka vlerësohet performanca e tyre.

-Shumë punonjës mbahen jashtë strukturës dhe pa e ditur se për çfarë pune paguhen.

-Kontratat individuale të punës janë kaotike dhe të paligjshme, mungojnë afatet, pagesa, koha e pjesshme apo e plotë, në kundërshtim flagrant me Kodin e Punës.

-Emërime të paligjshme dhe pa plotësuar kriteret në pozicione drejtuese.

-Pagat orkestrës janë rritur në mënyrë të paargumentuar.

-Me tenderin për ndriçimin e studios së re të lajmeve janë vjedhur 270 mijë USD, viti 2019, pasi kompania ka mashtruar duke sjellë pajisje më të lira ndryshe nga kërkesa në dokumentet e tenderit, dhe kjo gjë është pranuar nga dyshja Gëllçi-Leka.

LEXO EDHE:  Lulzim Basha, karrocieri që braktisi senatorët amerikanë

LEXO EDHE:  Nga Andi Bushati/Çadra po e çmend Ramën

-Me tenderin për pajisje për studio janë vjedhur 100 mijë USD, pasi kompania ka sjellë pajisje më të lira dhe të ndryshme nga kërkesat në tender, dhe kjo gjë është pranuar nga dyshja Gëllçi-Leka.

-Me tenderin për blerje licenca për përdorues të sistemit MAM Etere dhe Playout ETX, viti 2018’, janë vjedhur 111 mijë USD.



-Me tenderin për blerje pajisje për kanalin RTSH Agro janë vjedhur të paktën 190 mijë USD.

-200 mijë euro nga moszbatimi i qëllimshëm i kontratave me palët e treta.

922 milionë lekë dëm nga keqadministrimi i fondeve të RTSH, organ që marr para edhe nga buxheti i shtetit, por edhe taksën nga çdo familje përmes faturës së dritave.

-1.2 miliardë lekë dëm për 3 investime kryesore në RTSH.

-Me tenderin e rikonstruksionit të stacioneve ekzistuese janë vjedhur 30 mijë USD.

-Me tenderin për furnizim vendosje depozita karburanti janë përvetësuar 17 mijë euro.

-Me tenderin për rikonstruksionin e disa stacioneve ekzistuese janë vjedhur 67 mijë USD.

-Me tenderin për mbikëqyrjen e punimeve për rikonstruksionin e disa stacioneve ekzistuese janë vjedhur 14 mijë USD.

-Me tenderin e rikonstruksionit të godinës së radio televizionit të Korçës janë vjedhur 10 mijë USD.

-Në disa tendera është vendosur një kriter arbitrar dhe i çuditshëm që e plotëson vetëm një kompani klienteliste.

-Me projektin “Masterchef Junior” janë vjedhur 6 mijë euro, pasi shërbimi nuk është ofruar.

-Për projektin “Eurovision Song Contest 2018” janë pagua 3.3 mijë USD dieta për 3 veta pa bërë asgjë.

-Për ndërhyrje në tarracën e radio Kukësit janë vjedhur 2.7 mijë USD.

-Me projektin Asambleja e Përgjithshme e EBU janë vjedhur 1.7 mijë USD me një faturë fiktive.

-Me Festivalin e 58 i këngës në RTSH janë vjedhur të paktën 15 mijë USD.

-Me projektin “Gjyshet milionere” janë vjedhur 5 mijë USD.

-Me projektin “Kongresi i Lushnjës” janë vjedhur 15 mijë USD.

-Kompania fituese e tenderit për rikonstruksionin e stacioneve ekzistuese është zgjedhur pa plotësua kriteret, duke përjashtuar kompanitë me ofertë 40 mijë USD më të ulët, të cilat i plotësonin kriteret.

-60 mijë euro janë vjedhur për gjoja largime të padrejtë nga puna, ku për të marrë paratë kanë bashkëpunuar drejtuesit e RTSH me punonjësit.

LEXO TE PLOTE

Opinione

Reagim me keqardhje, drejtuar Gazment Bardhit!

Publikuar

-

Nga

Nga Paulin Marku

Reagim me keqardhje! Drejtuar z.Bardhi si sekretar i përgjithshëm i Partisë Demokratike.

1. Gjatë karrierës time personale në politikë, si në detyrën e Kryetarit të PD-së Dega Lezhë dhe sot në detyrën e anëtarit të Këshillit Kombëtar të PDSH-së nuk jam marrë me emra, familjarë apo etiketime personale, por me parimet dhe shkeljet të cilat më janë dukur të arsyeshme dhe politike.

2. Jam ndjerë mjaft i zhgënjyer nga ju z.Bardhi, nisur nga deklaratat tuaja personale, aspak në lidhje me demokratët shqiptarë dhe interesat e tyre, si për argumentat për statutin, ashtu edhe komentet dhe përgojimin e disa figurave politike të PD-së.

3. Duke qenë se jeni rritur me fotografinë e doktorit në familje, nuk është aspak denjitoze dhe e moralshme që në respekt të atyre familjarëve tuaj që kanë vënë kornizën me foton e liderit historik, të silleni në këtë mënyrë, sot në postin që mbani në Partinë Demokratike.

4. Demokratët e Lezhës dhe gjithë Shqipërisë kanë firmosur për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar jashtë çdo presioni apo ndikimi nga dikush, jashtë çdo interesi personal të çdo individi, kushdo qoftë ai, por duke u nisur nga gjendja alarmante që ka realisht Partia Demokratike.

5. Të gjithë demokratët e dinë mjaft mirë se ju jeni zgjedhur dhe nuk jeni kontestuar së bashku me kryetarin sepse demokratët mendonin se kishit mbështetjen e liderit historik, të cilin sot e quani të shkuarën dhe do t’i hiqni tubin e oksigjenit që po i shërben Ramës.



6. Ju bashkë me stafin tuaj keni qenë abuzues dhe aspak të sinqertë me demokratët, nga protestat, çadra e lirisë, marrëveshja e 17-Majit kokë më kokë me Ramën dhe emërimi juaj si ministër Drejtësisë i këtij kabineti, lista me deputetët të dorëzuara pas orarit zyrtar në KQZ dhe me mungesat me emra në vitin 2017, fushata elektorale gjysmë e vdekur në vitin 2017, djegja e mandateve, mosmarrja pjesë në zgjedhje vendore, ndikimi në komisionin e vlerësimit të kandidaturave, lista e kandidatëve në vitin 2021, organizimi i fushatës dhe humbja e këtyre zgjedhjeve.

LEXO EDHE:  Rivalë dhe akuza/A do t’i mjaftojë Bashës mbështetja e Berishës për të mbijetuar?!

LEXO EDHE:  Zbulohet ultimatumi i 1 gushtit/Çfarë iu tha Rama kriminelëve

7. Asnjë analizë nuk është bërë në asnjë degë apo organet drejtuese të PD-së për shkaqet e rezultateve, problemet gjatë fushatës, por vetëm me deklaratën e masakrës zgjedhore, gjë për të cilën nuk organizuat asnjë protestë të vetme, të paktën në respekt të punës dhe mundit të demokratëve të ndershëm.

8. A jeni në dijeni të mbeshtetjes reale tuajen nga baza e partisë dhe pse nuk merrni guximin të dilni dhe të sqaroni strukturat drejtuese të partisë për gjendjen aktuale, situatën, mendimet e demokratëve.

9. Bashkëbisedimi me demokratët në foltore është pakënaqësia që ju i keni shkaktuar demokratëve duke i lënë në opozitë për 12- vite, duke mos i respektuar, takuar apo bashkëbiseduar sinqerisht me to dhe jo interesat personale të asnjë individi.

10. Partia Demokratike nuk është vula, por janë ato demokratët që kanë firmosur me kënaqësi mbledhjen e Kuvendit, kanë shprehur mendimet e tyre në ‘Foltore’ dhe kjo vulë nuk është pronë private e askujt, por është vullnet dhe dëshirë e atyre që kanë punuar e mbështetur realisht Partinë Demokratike dhe jo mandatet tuaja të listës së kryetarit.
Kush po i shërben realisht qeverisë Rama!

Anëtar Keshilit Kombëtar të PDSH-së, ish-kryetar i degës së PD, Lezhë*

LEXO TE PLOTE