Connect with Us

Ja pse prapa krizës energjitike në Evropë qëndron Rusia e Vladimir Putin

Blog

Ja pse prapa krizës energjitike në Evropë qëndron Rusia e Vladimir Putin

Publikuar

-

cna lajem blog

Nga Daniel Boffey & Pjotr ​​Sauer “The Guardian”

Tregu i gazit natyror ka hyrë aktualisht në një territor të panjohur. Luhatjet e çmimit të këtij karburanti më 6 tetor ishin sipas fjalëve të një analisti “të pashembullta që nga viti kur u liberalizua çmimi i gazit në Evropë”. Me një ndryshim rekord, çmimi i gazit me shumicë në Holandë – një pikë referimi për tregun evropian – u rrit me 30 për qind brenda 3-4 orëve, duke arritur një nivel shumë të lartë.

Këto janë shifra që i tmerrojnë të gjitha qeveritë evropiane sidomos tani që dimri është në prag. Dhe kur“teshtin” Bashkimi Evropian, edhe Britania e Madhe, që është shumë e varur nga importet nga ana tjetër e Kanalit, përjeton gjithashtu një“situatë gripale”.

Kjo mungesë gazi është shkaktuar nga konvergjenca e fakteve të ndryshme në të gjithë botën, ku ekonomi të ndryshme janë të etura për energji, pas ngadalësimit të shkaktuar vitin e kaluar nga pandemia e Covid-19. Prapa kësaj krize qëndron Rusia. Edhe pse furnizon vetëm 1 për qind të gazit që përdor aktualisht Britania, Rusia është furnizuesja më e madhe e Evropës, me rreth 40 për qind të të gjithë gazit që konsumohet në BE. Dhe një rënie e vëllimeve të gazit evropian, shkakton rritjen e çmimeve në Mbretërinë e Bashkuar dhe gjetkë.

Nuk ka asnjë dyshim se Rusia e furnizoi Evropën Veriperëndimore me vëllime më të ulëta të gazit këtë verë sesa në vitet para pandemisë. Midis shtatorit dhe tetorit të këtij viti, eksportet ruse të gazit ranë me rreth 17 për qind, sipas Tom Marzek-Manser, i kompanisë së analizës së tregut të energjisë “Icis Lng”.

Fakti që kompania ruse “Gazprom” nuk ka rezervuar kapacitete shtesë për gazin që eksporton përmes Ukrainës drejt vendeve evropiane këtë muaj, ka bërë që disa ta akuzojnë Kremlinin se po e nxit vullnetarisht krizën energjitike.

“Ndërsa ka përmbushur teknikisht detyrimet e saj kontraktuale me Perëndimin, Rusia nuk kishte interes që të përfitonte nga kërkesa e lartë për gaz shtesë nga klientët e saj evropianë. Rusia është i vetmi vend që mund të lehtësojë presionin e çmimeve, por ka vendosur të mos e bëjë këtë gjë”-thotë Maria Shagina, studiuese e politikave energjitike në Universitetin e Zyrihut në Zvicër.

Kremlini ka dashur gjithmonë të jetë për Perëndimin një furnizues i besueshëm i gazit natyror. Por zhvillimet e fundit mund të shënojnë një fazë të re në politikën e tij të jashtme. Në fakt, disa analistë besojnë se Kremlini i sheh çmimet rekord të gazit, si një mundësi për ta ndihmuar “Gazprom” të ushtrojë presion mbi partnerët e saj perëndimorë që të përshpejtojnë miratimin e gazsjellësit të shumë-diskutuar “Nord stream 2”. Ky i fundit, i cilësuar si një projekt me rëndësi jetike nga Kremlini, pritet që të dyfishojë furnizimet me gaz natyror nga Rusia në Gjermani. Megjithatë ai ka shkaktuar përçarje midis vendeve evropiane, por edhe midis Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.

Gazsjellësi nuk do të kalojë përmes Ukrainës, duke e privuar atë nga rreth 1 miliardë euro që fitonte nga e drejta e tranzitit.

“Rusia synon që të ndihet në një pozitë fuqie, dhe do të tentojë që t’i përdorë furnizimet e saj si një levë për të përshpejtuar miratimin përfundimtar të “Nord Stream 2. Moska nuk e kishte përdorur kurrë më parë gazin e saj si një mjet presioni ndaj Evropës Perëndimore”- thekson Shagina.

Fatih Birol, drejtor ekzekutiv i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), deklaroi më 6 tetor se “nëse do të donte”Rusia e ka aftësinë për të lehtësuar krizën e energjisë.

Një analizë e fundit e IEA, pretendon se Moska mund të ketë kapacitet për të rritur me deri në 15 për qind furnizimin me gaz të Evropës.

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç e cilësoi Vladimir Putinin si “personin më me ndikim” në tregun energjitik global. Por zëdhënësi i Kremlinit, Dimitri Peshkov, e mohoi ekzistencën e ndonjë komploti. Ai tha se vetë Rusia ka nevojë të garantojë nevojat e brendshme të saj pas të ftohtit ekstrem gjatë 3-mujorit të parë të këtij viti.

Ishte kancelarja gjermane, Angela Merkel, ajo që i bëri jehonë këtij përgënjeshtrimi. Pavarësisht rritjeve të pashembullt të çmimeve më 6 tetor, ajo që ndodhi më vonë gjatë ditës sugjeron sipas disa analistëve, se perceptimi i plotfuqisë së Vladimir Putinit është i ekzagjeruar.

“Ne po shqyrtojmë një rritje të mundshme të ofertës në treg. Por duhet të veprojmë me kujdes. Duhet të bisedojmë dhe të biem dakord me “Gazprom”- deklaroi Putin, në një koment që shkaktoi menjëherë një rënie të çmimit në krahasim me fillimin e asaj dite.

Pasditen e 6 tetorit pati një rritje të konsiderueshme të furnizimit me gaz nga Rusia përmes Polonisë dhe Ukrainës. “Flukset e furnizimit ishin më të larta se një ditë më parë. Pati një ndryshim të menjëhershëm të ritmit”- thotë Marzek-Manser, duke shtuar se sipas disa ekspertëve“kjo tendencë mund të konfirmohet në ditët dhe javët në vazhdim”.

“Gazprom” synon që të arrijë magazinimin e 72.6 miliardë metrave kub gaz deri në fillim të nëntorit për nevojat e brendshme. Pas asaj date, Rusia duhet të ketë më shumë gaz në dispozicion për eksport. Shumica e analistëve nuk shohin ndonjë fitim të rëndësishëm nga “Nord Stream 2” këtë vit, edhe nëse sigurohet miratimi i tij, pasi infrastruktura ka të ngjarë të funksionojë me vetëm 10 për qind të kapacitetit të saj.

Nëse do të ketë një rrugëdalje apo jo nga kjo krizë, kjo do të bëhet më e qartë më 18 tetor, data në të cilën do të rezervohet kapaciteti i transportit përmes Ukrainës dhe Polonisë. Sipas Jakob Kirkegard, bashkëpunëtor në qendrën studimore të Fondit Marshall Gjerman, këto zhvillime tregojnë se Putini nuk po vepron nga pozitat e forcës, por të dobësisë.

“Ai ka nevojë të shesë gaz. Ai ndoshta po luan disi me tregjet evropiane të gazit, por po reagon ndërkohë edhe ndaj dobësisë së vet… Ai nuk ka asnjë interes të imponojë de-karbonizimin e përshpejtuar të ekonomive evropiane”- thekson ai.

https://www.internazionale.it/notizie/daniel-boffey/2021/10/11/russia-gas

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Blog

Kreu i shërbimit sekret britanik MI6/ Ku dallon personazhi Xhejms Bond nga agjentët realë

Publikuar

-

Nga

cna lajme blog

Të gjithë e njohin personazhin Xhejms Bond. Një krijesë e shkrimtarit Jan Fleming, ky agjent i guximshëm i MI6 me prirje drejt pijeve alkoolike dhe me sjellje të shkujdesura,është spiuni më i famshëm në letërsi dhe kinematografi.

Edhe pse ai mund të duket si shembulli më i mirë i shërbimit sekret, shefi i MI6 beson se ai në fakt nuk zotëron aftësitë e nevojshme për të pasur sukses në këtë punë. Filmi “Casino Royale” ofron përshkrimin më të mirë të personalitetit të Xhejms Bond.

Ai është i fiksuar pas makinave të bukura, pavarësisht se i shkatërron ato, dhe ka një zakon jo të shëndetshëm të pirjes së duhanit. Gjithashtu ai pi shumë alkool. Aq shumë saqë ky personazh portretizohet shpesh me një Martini ose me ndonjë pije tjetër alkoolike.

Po pasioni i Bond për luksin nuk mbetet vetëm tek makinat. Ai është shpesh i veshur me një kostum elegant, të kompletuar me këpucët mokasino, dhe është i njohur për vaktet ekstravagante gjatë misioneve të tij. Po ashtu, ai konsumon hera-herës drogë, siç ka ndodhur në seritë “Moonraker”, “The Spy Who Loved Me”, dhe “Live and Let Die”.

Si të mos mjaftonin këto zakone për të treguar pamaturinë dhe paaftësinë e tij për të mbajtur nën kontroll vetëkënaqësinë, vetë personaliteti i tij është jo pak problematik.

Në të gjithë librat e Flemingut por edhe në filma, Bond përcjell sjellje homofobike, raciste dhe seksiste. Një pjesë e madhe e jetës së tij sillet rreth femrës që ka në krah, dhe ai ka qenë më pak se i sjellshëm me ata të racave të tjera.

Së fundi, nuk mund të anashkalohet se sa i pamatur është Bond kur lufton kundër armiqve të tij. Çdo film është i mbushur me vrasje, gjakderdhje dhe shumë të shtëna armësh dhe shpërthime. Sigurisht, ai është një film aksion argëtues, por ndërkohë nuk është një shenjë e mirë për një agjenci që shpreson të ruajë një profil sa më të ulët që të jetë e mundur.

Aleks Janger është shefi i MI6, shërbimit sekret të Britanisë së Madhe. Ai iu bashkua organizatës në vitin 1991, i specializuar në luftën kundër terrorizmit, ai ka shërbyer në Lindjen e Mesme dhe Afganistan. Janger vazhdon të mbajë këtë post që prej vitit 2014 dhe është i vetmi anëtar i MI6 që mund të identifikohet publikisht.

Në shumë intervista, Janger ka ndarë opinionet e tij mbi Xhejms Bond, dhe nëse ai beson se spiuni imagjinar mund ta bëjë atë të ngjashëm me një agjent të vërtetë të MI6-ës. Shkurtimisht:ai nuk do ta punësonte fare Bond, kryesisht për shkak të mungesës së etikës dhe inteligjencës emocionale.



“Ne e dimë që nëse minojmë vlerat britanike, edhe në emër të mbrojtjes së tyre, atëherë kemi dështuar. Stafi ynë nuk vjen nga një planet tjetër. Ata janë burra dhe gra të zakonshëm, që veprojnë përballë sfidave komplekse morale, etike dhe fizike, shpesh në mjediset më të ndaluara në Tokë”- tha ai për Black History Month.

“Në dallim nga Xhejms Bond, oficerët e MI6 nuk ndjekin shtigje morale të shkurtra. Në fakt, një mori rregullash të forta të etikës janë një nga cilësitë e para që kërkojmë tek stafi ynë. Është e sigurt të thuhet se Xhejms Bond nuk do t`i kalonte dot testet tona që i paraprijnë rekrutimit. Dhe ndërsa ne ndajmë cilësitë e tij të patriotizmit, energjisë dhe këmbënguljes, një oficer i shërbimit sekret MI6 kë një shkallë më të lartë inteligjence emocionale, e vlerëson punën në grup dhe ka gjithnjë respekt për ligjin…Ndryshe nga zoti Bond!”- shton Janger.

Ndërkohë ai deklaroi për “The Economist”, se preferon më shumë sjelljen e agjentëve sekretë të përshkruar në librin e Xhon Le Karre “Tinker Tailor Soldier Spy”. “Unë zgjedh qetësinë dhe integritetin e Xhorxh Smajlit mbi veprimet e guximshme të agjentit 007”- shprehet kreu i MI6.

Publikimi i filmit më të fundit të Xhejms Bond, “No Time To Die”, e vendos agjentin e famshëm MI6 nën një dritë të re. Në të janë zhdukur mënyrat maksiliste që ai i trajtonte gratë, dhe janë zëvendësuar me më shumë respekt për gratë që janë pjesë e jetës së tij, përfshirë vajzën e re Bond, Lashana Linç.

Ndërkohë, ai nuk duket se pi aq shumë sa më parë, gjë që është e habitshme, duke marrë parasysh dashurinë e tij për pijet alkoolike. Për më tepër, seria e fundit e “No Time To Die”, tregon se Bond ka reduktuar sjelljet e tij të pakujdesshme në terren, pasi nuk vret me të njëjtën shkujdesje si në filmat e mëparshëm.

Më parë, Bond mund të konsiderohej fare mirë si një vrasës, duke vepruar me një lloj pavarësie që nuk do t’i lejohej shumicës së spiunëve, gjë që do të thotë se ai nuk ishte fare një agjent i MI6-së, përkundrazi ishte më shumë një vrasës i paguar nga qeveria britanike.

Në shumë aspekte, duket se tani Xhejms Bond është një agjent i respektuar që ndjek rregullat e përshkruara për spiunët e vërtetë të MI6-ës. Kush e di, ndoshta ky ndryshim në qëndrim do të thotë se ai do të kishte më shumë gjasa të siguronte një vend si një nga agjentët më misteriozë britanikë në jetën reale.

Përkthyer dhe përshtatur CNA.al

https://www.thevintagenews.com/2021/11/11/james-bond-mi6-qualifications/

LEXO TE PLOTE

Blog

El Çapo, kush është “baroni” më i frikshëm i karteleve të drogës në Meksikë

Publikuar

-

Nga

cna lajme blog

Nëse do të lexoni disa nga faktet mbi jetën e Hoakin Guzman i njohur më shumë me nofkën “El Çapo”, do të mendoni se ato janë marrë nga faqet e skenarit të ndonjë filmi hollivudian:tentativa për vrasje, dominim ndërkombëtar i trafikut të drogës, arratisje nga burgu dhe takime në xhungël me yjet e kinemasë.

Të gjitha këto do të ishin shumë të vështira për t’u besuar në rast se nuk do të kishte prova të forta për t’i mbështetur ato. Por fakt është se jeta e Guzman ka qenë larg nga të qenit e zakonshme, madje edhe sipas standardeve të “baronëve” të drogës.

I mbiquajtur “El Çapo?” (në spanjisht Shkurtabiqi) për shkak të gjatësinë së tij prej vetëm 1.67 metrash, Hoakin Guzman Loera e nisi karrierën kriminale në fillim të adoleshencës së tij, si një tregtar i suksesshëm i marijuanës gjatë viteve 1970.

Më pas ai nisi trafikun e kokainës në Meksikën Perëndimore nën drejtimin e mbretit të drogës Migel Gajardo. Pas arrestimit të këtij të fundit në vitet 1980, Guzman u ngjit në rangjet më të larta të trafikut ndërkombëtar të drogës dhe e zgjeroi kartelin famëkeq Sinaloa.

Nuk kaloi shumë kohë dhe Guzman nisi të shquhej si një nga trafikantët më të fuqishëm të drogës në vend, ndaj po vihej në radarin e autoriteteve meksikane por edhe amerikane të zbatimit të ligjit. Ai do të burgosej 8 vjet gjatë viteve 1990, përpara se të arratisej prej andej në vitin 2001.

Por edhe kur ishte pas hekurave, karteli që ai drejtonte vazhdoi që ta zgjeronte ndikimin e tij. Në dekadën që pasoi pas arratisjes së tij, ai u ngrit deri në nivelin e “baronëve” historikë të drogës si Pablo Eskobar. Dhe në një moment, ai trafikonte gati çerekun e të gjitha drogave të paligjshme në botë.

Ndikimi i tij nisi të bjerë kur u arrestua sërish nga policia në vitin 2014. Edhe pse arriti q ëtë arratisej sërish, ai u kap shumë shpejt në vitin 2016. Që prej asaj kohe, ai vazhdon të vuajë dënimin në një burg në Shtetet e Bashkuara. Por pavarësisht kësaj, trashëgimia e tij është e pazakontë dhe ndoshta nuk do të zhduket asnjëherë.

Kjo sepse në kulmin e tij,karteli i Sinaloas transportonte më shumë se 1.8 ton kokainë në Çikago çdo muaj. Për këtë arsye, Guzman ishte krimineli i parë që u emërua “Armiku publik nr.1” në këtë qytet që nga koha e Al Kapones.

Gruaja e tij më e fundit ishte miss-i me origjinë amerikane Ema Koronel. Ata u takuan për herë të parë gjatë festës së ditëlindjes së saj të 17-të, pasi i ati ishte një nga ushtarët e kartelit të Guzman.Ai e dërgoi në SHBA për të lindur fëmijën e tyre, në mënyrë që të kishte një pikëmbështetje të re dhe të sigurt në vend.

Autoritetet u përpoqën që të ndalonin gruan e tij të hynte në SHBA, por në fakt nuk kishin asnjë akuzë zyrtare që të mund të ngrinin ndaj saj. Kështu, ajo ia doli të lindte fëmijën në SHBA, por emrin e babait e la bosh në certifikatën e lindjes.

Perandoria e drogës së Guzman përgjatë kulmit të lulëzimit të saj u zgjerua në 5 kontinente. Hoakin Guzman kishte një të dashur në burg, e cila ishte një ish-oficere policie. Zulema Hernandez kishte përfunduar në burg për ndihmën që u kishte dhënë trafikantëve të drogës. Në burh ajo u lidh me Guzman. Ajo u vra më vonë pas lirimit nga burgu.



Në arratisjen e parë nga burgu, El Çapo përdori 78 bashkëpunëtorë dhe dha në total një ryshfet prej rreth 2.5 milionë dollarësh. Ndërkohë gjatë arratisjes së dytë, përdori një motoçiklete pasi doli nga një tunel nëntokësor i hapur poshtë burgut.

Guzman ka qenë i njohur edhe për replikat e forta në rrjetet sociale me personazhe të njohura publike, përfshirë ish-presidentin e SHBA-së Donald Trump. Në vitin 2015, Guzman iu drejtua duke i thënë: “Unë do të të bëj që t’i të përtypësh fjalët që ke thënë!”.

Në vitin 1993 pati një përpjekje për të vrarë El Çapon, kur atentatorët qëlluan me armë zjarri mbi një makinë që ata besonin se ishte e tija në një aeroport të Guadalajara. Shtatë persona gjetën vdekjen, por El Çapo nuk ishte aty.

Baroni i drogës ndërtoi një shtëpi të madhe për nënën e tij, Konsuelo Loera. Shumë kantautorë vendas janë frymëzuar nga jeta e tij duke krijuar tekste këngësh që tashmë janë bërë shumë të njohura. Por në vend se të kritikohet, jeta e tij është romantizuar në baladat Narcocorrido, një lloj muzike popullore në Meksikën Veriore.

Ai është quajtur edhe si “Osama bin Laden i trafikut të drogës” për shkak të metodave të tij të pamëshirshme, dhe aftësisë së tij për t’iu fshehur policisë. Gjatë qëndrimit në një burg meksikan gjatë viteve 1993-2001, Guzman furnizohej rregullisht me drogë, alkool dhe prostituta.

Karteli i Sinaloas i udhëhequr nga Guzman, ishte objektivi kryesor i SHBA-së. Para se të arrestohej herën e fundit, shpërblimi i vendosur nga qeveria amerikane ishte 5 milionë dollarë. Shumë nga të afërmit e El Çapos, përfshirë djalin, vëllain dhe nipin e tij, kanë punuar së bashku me të në trafikun e drogës dhe janë vrarë nga rivalët e tij.

El Çapo vlerësohet se është përgjegjës i ndërtimit të të paktën 62 tuneleve të kontrabandës që policia ka lokalizuar në kufirin midis Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës. Aktori i njohur amerikan Shon Pen ishte i pari që e intervistoi El Çapon për revistën “Rolling Stone”. Intervista që u zhvillua në thellësi të xhunglës, u vlerësua si një ndihmë e madhe për autoritetet, pasi çoi shumë shpejt në arrestimin e baronit të drogës.

Guzman është martuar 4 herë, dhe është bërë e ditur se ai mbante kontakte me gruan e tij të parë deri në momentet para se të arrestohej herën e fundit. Ai u arrestua pa bërë rezistencë teksa përgatiste mëngjesin për gruan dhe dy vajzat e tij në një apartament të vogël. Në burg ai pati përherë shumë vizita.

Guzman vizitohej rregullisht nga avokatët, familjarë dhe bashkëpunëtorët, gjithsej 500 vizita. Ditëlindja e tij  mbetet ende e paqartë. Dokumentet zyrtare japin 2 variante 25 dhjetor 1954 dhe 4 prill 1957. El Çapo cilësohet si një hero popullor në disa pjesë të Meksikës, dhe imazhi i tij është stampuar nëpër bluza, statuja, madje edhe në maskat që përdoren gjatë festës së Halloweenit.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al

https://allthatsinteresting.com/joaquin-guzman-el-chapo-facts#31

LEXO TE PLOTE

Blog

Si do të jetë politika e jashtme e koalicionit të ri qeverisës në Gjermani?

Publikuar

-

Nga

cna lajme blog

“Der Spiegel”

Është një eksperiment i madh politik. Gati 300 ekspertë nga 3 partitë e përfshira në bisedimet e koalicionit të ri qeverisës, janë takuar gjatë 10 ditëve të fundit në 22 grupe pune, për të përcaktuar politikat e “Koalicionit të Semaforëve”, të quajtur kështu për shkak të ngjyrave që lidhen me flamujt e të tria partive (E kuqe për SPD, e verdhë për FDP, dhe jeshile për Të Gjelbrit).

Ata duan që të mos rrjedhë asnjë informacion për mediat. Liderët e partive besojnë se kjo është mënyrë e vetme për të shmangur presionin publik, që mund të çojë përfundimisht në prishjen e bisedimeve. Gjithsesi është arritur të merret vesh, se palët janë ende shumë larg njëra-tjetrës për shumë çështje të diskutueshme.

Dhe nuk janë vetëm mosmarrëveshjet mbi përmbajtjen. Sidomos Të Gjelbrit, janë veçanërisht të ndjeshëm ndaj çdo gjëje që vendoset me arrogancë në tryezë nga SPD, partia e cila fitoi në zgjedhjet 26 shtatorit. Ata nuk i besojnë as kancelarit të mundshëm të SPD, Olaf Sholc, as ekipit të tij të negociatorëve.

Dhe bisedimet e para të quajtura “eksploruese”, prireshin që ta zmadhonin këtë mosbesim. FDP doli nga negociatat paraprake, sikur kishte mbrojtur shumë nga pozicionet e veta, në një kohë që Të Gjelbrit u përballën me pyetjet se përse kishin sakrifikuar kaq shumë nga parimet e tyre.

Tani kjo parti nuk mund të lejojë një situatë të ngjashme, kur të vijë momenti i bisedimeve mbi marrëveshjen përfundimtare për qeverinë e koalicionit. Socialdemokratët duan që kjo e fundit të jetë e shkurtër, duke besuar se mjafton që të bihet dakord mbi parimet bazë.

Tek e fundit, pse duhet të jenë të nevojshme përcaktimet e detajuara midis aleatëve politikë? Të tria partitë duan në thelb të njëjtën gjë:përparim, modernizim dhe mbrojtjen e klimës. Por për Të Gjelbrit, gjithçka tingëllon shumë e mirë për të qenë e vërtetë.

Ata janë të shqetësuar se sapo të marrë postin e kancelarit, Sholc do të ndjekë shembullin e Merkel në qeverisje, dhe kjo është arsyeja pse duan që dokumenti final të shpjegojë gjithçka, deri në detajet e fundit. Përndryshe, thonë ata, ekziston mundësia reale që të mashtrohen nga socialdemokratët.

Dhe kjo është e vërtetë edhe për politikën e jashtme. Për këtë të fundit u fol pak gjatë fushatës, dhe as “bisedimet eksploruese” nuk e prekën shumë. Por tani duhet qartësi në lidhje me çështjet më të rëndësishme:marrëdhëniet e Gjermanisë me SHBA-në, Kinën dhe Rusinë; mbi të ardhmen e NATO-s; profilin e ushtrisë gjermane jashtë shtetit; dhe rolin e Gjermanisë në botë.

Por mosmarrëveshjet nisën që mbi gjatësinë e tekstit të marrëveshjes. Socialdemokratët thonë se sidomos në lidhje me politikën e jashtme, nuk është e nevojshme që të kodifikohet çdo gjë e vogël. Çështja është të zhvillohet një qasje e përbashkët, një kornizë.

Gjatë fazës fillestare të negociatave, të Gjelbrit dhe FDP arritën të fusin një dispozitë që kërkonte një hetim parlamentar mbi dështimin dhe tërheqjen e Gjermanisë nga Afganistani, një kërkesë që shënjestronte direkt shefin e diplomacisë Heiko Mas. Ndërkohë, ministri i Jashtëm në detyrë, është shumë i përfshirë në diskutime, edhe pse kishte supozuar më herët do ta humbiste portofolin e politikës së jashtme.

Ai ndoshta shpreson që Ministria e Jashtme të mbetet në fundit në duart e SPD-së. Negociatorët e SPD-së, janë të interesuar për të siguruar vazhdimësinë e Merkel. Por të Gjelbrit dhe FDP, duan ndryshime të rëndësishme në qasjen e Gjermanisë ndaj vendeve autoritare si Kina dhe Rusia.

Bashkë-kryetarja e Partisë së Gjelbër, Analena Baerbok, këmbëngul që Gjermania të ketë një qasje më pak të butë ndaj Kinës. Një nga pikat më të ndjeshme të debatit, ka të bëjë me të ardhmen e armëve bërthamore amerikane të stacionuara aktualisht në Gjermani.



Si pjesë e parandalimit bërthamor të NATO-s, armët atomike amerikane ruhen në bazën ajrore “Fliegerhorst Büchel” në landin Rheinland-Pfalz. Në një situatë lufte, pilotëve gjermanë mund t’u kërkohet t’i fluturojnë drejt objektivave të tyre në avionët luftarakë Tornado, që i përkasin Forcave Ajrore Gjermane.

Por këta avionë janë shumë të vjetër, dhe shumë prej tyre duhet të zëvendësohen. Në fushatat e tyre elektorale, Të Gjelbrit dhe SPD-ja kërkuan një Gjermani pa armë bërthamore, ndërsa FDP nuk e përmendi këtë çështje në fushatë.

Pragmatistët si Sholc dhe Baerbok, këmbëngulin se çdo ndryshim në strategjinë e parandalimit bërthamor duhet të bëhet bashkë me të gjithë partnerët e aleancës. Por de fakto, kjo do të thotë refuzim i kërkesës për tërheqjen e armëve bërthamore nga Gjermania.

Por udhëheqësi i SPD-së, Rolf Mytzenish nuk është i përgatitur të heqë dorë nga kjo kërkesë.

Një anëtar i shquar i krahut të majtë të SPD-së, ai është kundër përfshirjes së Gjermanisë në ndarjen e arsenalit bërthamor. “Ne duam të kemi 4-5 vjet qetësi. Ndoshta  mund t’i largojmë armët nga vendi, mundësisht sa më shpejt që të jetë e mundur”- është shprehur ai.

Konflikti midis SPD dhe Të Gjelbërve, nisi që në ditën e parë të negociatave. Edhe aty fokusi i debatit ishte aleanca transatlantike. Negociatori i SPD-së, Nils Shmid, propozoi përdorimin e frazës “potencial parandalues” në lidhje me NATO-n. Por të Gjelbrit refuzuan, duke e cilësuar më shumë aleancën si një “forum dialogu”.

Ndërkaq, ekziston një çështje qendrore, e cila nuk do të mund të zgjidhet nga grupi i punës: çështja e buxhetit të mbrojtjes së Gjermanisë në të ardhmen. Të tria partitë janë të interesuara që ta pajisin në mënyrën e duhur ushtrinë gjermane, Bundeswehr.

Por ka të ngjarë që kjo të lihet në dorë të politikë-bërësve financiarë, që do ta përcaktojnë

se çfarë do të thotë saktësisht kjo. Në një dokument konfidencial të shpërndarë midis negociatorëve, departamenti i buxhetit i Ministrisë së Mbrojtjes ka propozuar krijimin e një “fondi të posaçëm të Bundeswehr”, në mënyrë që “Gjermania të arrijë objektivin prej 2 për qind, mbi të cili është rënë dakord në NATO”.

Palët kanë dallime sidomos mbi gazsjellësin rus “Nord Stream 2”. Si do të zgjidhen përfundimisht mosmarrëveshjet mbi politikën e jashtme? Një metodë veçanërisht e preferuar, është ajo e kalimit të pjesëve më të vështira tek liderët e partive, në mënyrë që të vendosin këta të fundit.

Volfgang Ishinger, kreu i Konferencës së Sigurisë së Mynihut, thotë se “negociatat e koalicionit do të prodhojnë disa formulime konsensuale”. Por ai pret që konfliktet e vërteta

të shpërthejnë vetëm pas bisedimeve.“Marrëveshja e koalicionit është sfida më e vogël. Problemet e vërteta do të fillojnë kur ata të nisin të qeverisin”- thotë Ishinger.

Përkthyer dhe përshtatur nga  CNA.al

https://www.spiegel.de/international/

LEXO TE PLOTE