Connect with Us

Pandemia e Covid-19, mund t’i shtyjë shoqëritë drejt autoritarizmit

Blog

Pandemia e Covid-19, mund t’i shtyjë shoqëritë drejt autoritarizmit

Publikuar

-

cna lajme bote

Nga Leor Zmigrod “The Conversation”

Është një fakt pak i njohur se njerëzit kanë në të vërtetë jo një, por dy sisteme imunitare. I pari, sistemi imunitar biofizik – për të cilin të gjithë kemi dëgjuar shumë -reagon ndaj infeksioneve kur ato hyjnë në trupin e njeriut, duke zbuluar dhe eliminuar ndërhyrës si koronavirusi që shkakton Covid-19.

I dyti është sistemi imunitar i sjelljes, që e përshtat sjelljen tonë për të shmangur në mënyrë parandaluese njerëzit, vendet dhe gjërat potencialisht infektive. Sistemi imunitar i sjelljes është vija e parë e mbrojtjes kundër sëmundjeve infektive. Ai i nxit njerëzit të përshtaten në aspektin social me traditat e njohura dhe të shmangin grupet e huaja, të pangjashme dhe potencialisht infektive.

Në një studim të botuar së fundmi nga Universiteti i Kembrixhit,kolegët e mi dhe unë shqyrtuam ndikimin e sistemit imunitar të sjelljes tek qëndrimet tona ndaj bindjes dhe autoritetit.

Ne zbuluam se përqindjet e larta të sëmundjeve infektive-dhe shmangia e sëmundjeve që promovojnë ato-mund të formojnë në thelb opinionet politike dhe institucionet sociale.

Ne mblodhëm të dhëna nga mbi 250.000 njerëz në 47 vende, dhe analizuam marrëdhënien midis rrezikut të infeksionit (para-Covid) ku ata jetonin dhe qëndrimeve të tyre autoritare, pra shkallën në të cilën ata miratuan konformitetin dhe bindjen ndaj autoritetit.

Ne ishim kuriozë të mësonim nëse rreziku i lartë i infektimit do të aktivizonte sistemin imunitar të sjelljes në mënyra që promovonin besimin e verbër ndaj autoriteteve. Ne u siguruam që ta masim autoritarizmin në një mënyrë politikisht neutrale, për të shmangur rrezikun që rezultatet tona që pasqyronin bindjet apo angazhimet fetare të njerëzve ndaj partive të caktuara politike.

Në fund ne zbuluam një marrëdhënie të qartë midis qëndrimeve autoritare të njerëzve dhe niveleve të sëmundjeve infektive në rajonin e tyre:zonat me një përhapje më të lartë të sëmundjeve infektive, kishin më shumë qytetarë me mendësi autoritariste.

Për më tepër, zonat me përqindje të larta të infeksionit priren të votojnë në mënyrë konservative dhe qeverisen nga ligje më autoritare, pra nga ligje që u imponohen disa anëtarëve të shoqërisë, por jo të gjithëve. Shkalla e infektimeve lidhej veçanërisht me këto ligje hierarkike “vertikale”, dhe jo me ligje “horizontale” që prekin të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë, dhe kjo sugjeron se normat e sëmundjeve infektive ndikojnë në mënyrë unike mbi preferencat e njerëzve ndaj strukturave hierarkike të pushtetit.

Modeli i këtyre rezultateve ishte çuditërisht i qëndrueshëm kur krahasoheshin 47 vendet përfshirë këtu dhe shtetet amerikane,si dhe rajonet dhe qytetet metropolitane amerikane. Këto efekte vazhduan edhe pas llogaritjes së variablave demografikë rajonalë si arsimimi, pasuria dhe pabarazitë, gjë që sugjeron ekzistencën e marrëdhënieve të drejtpërdrejta dhe domethënëse midis sëmundjeve infektive dhe besimeve, si dhe sjelljeve autoritare.

Po ashtu, ne zbuluam më tej se marrëdhënia midis niveleve të infeksionit dhe autoritarizmit, ishte specifike për infeksionet që mund të merren edhe nga të tjerët, si fruthi apo kolera.

Efekti mungonte për sëmundjet infektive që mund të merren vetëm nga speciet jonjerëzore, si tërbimi apo sëmundja Lyme.

Këto rezultate mbështesin idenë se ekziston një mekanizëm social dhe i sjelljes, që lidh rrezikun e infeksionit dhe autoritarizmin. Një përhapje e lartë e infeksioneve nga njeriu te njeriu duket se çon në sjellje shoqërore konformiste dhe që potencialisht e zvogëlojnë rrezikun e infektimit të njerëzve nga ata që nuk përputhen apo që nuk i ngjajnë shumicës. Prandaj, sëmundjet infektive si Covid-19 mund të ndikojnë shumë tek ideologjitë dhe institucionet shoqërore.

Në epokën e Covid-19, ne të gjithë jemi duke jetuar me sisteme imunitare të mbivlerësuara të sjelljes. Ne e kemi ndryshuar mënyrën se si shoqërohemi dhe lidhemi me njerëzit e tjerë; kujt i lejojmë të hyjë në hapësirat tona; dhe si e llogarisim ekuilibrin midis lirisë personale dhe sigurisë kolektive.

Po çfarë do të thotë kjo për të ardhmen tonë politike? A do të na shtyjë frika nga Covid-19 drejt jetesës në shoqëri më autoritare? Si mund të rivendosim një ekuilibër psikologjik-dhe një preferencë ndaj anti-autoritarizmit politik-pa rrezikuar veten dhe të tjerët?

Hapi i parë i pashmangshëm është zvogëlimi i rreziqeve reale të infeksionit. Pa një zvogëlim të rreziqeve të vërteta shëndetësore përmes programeve efektive të vaksinimit dhe politikave shëndetësore, trupat tanë shumë njerëzorë do të priren natyrshëm drejt mbrojtjes, konformitetit dhe frikës ndaj rrezikimit të shëndetit.

Në fakt, Covid-19 ka sjellë me vete një valë globale politikash autoritariste që e kanë justifikuar forcimin e kufijve kombëtarë dhe kufizimin e të drejtave të përditshme. Në studimin tonë, ne zbuluam se edhe nivelet historike të infeksionit nga dekada më parë parashikojnë atë që besojnë qytetarët, se për kë votojnë dhe si qeverisen sot.

Pandemitë mund të kenë pasoja afatgjata dhe të thella për politikën.

Gjithsesi, ndërsa instinktet tona për të shmangur infeksionin janë të ndërtuara prej kohësh- sistemi imunitar i sjelljes është dokumentuar tek specie të ndryshme si minjtë, bretkosat dhe shimpanzetë – njerëzit janë të pajisur me kapacitete të mëdha mendore për të kapërcyer paragjykimet dhe për t’u përshtatur me fleksibilitet ndaj ndryshimeve.

Nëse është imagjinata jonë shumë e evoluar ajo që e lehtëson sistemin imunitar të sjelljes, atëherë është imagjinata jonë e pasur dhe emfatike që mund të na shpëtojë nga efektet anësore toksike.

Kontakti i sigurt me ata që jemi udhëzuar të shmangim – madje edhe kontaktet imagjinare, intelektuale apo virtuale, përmes filmit, literaturës, lajmeve apo miqve – është një antidot i fuqishëm ndaj ksenofobisë që mund të shfaqet kur kemi frikë nga infeksionet.

Këto forma të prekjes jo fizike, mund të na kujtojnë gjithçka kemi të përbashkët dhe gjithçka që mund të humbim nëse i shmangim kontaktet dhe kujdesin. Ndoshta zgjidhja qëndron në pasjen e qëndrimeve anti-autoritare që mbrojnë hapjen, përfshirjen dhe arsyetimin shkencor në vend të mendimit mitik, ideologjik apo konspirativ.

Kapërcimi i pandemisë COVID-19 dhe përçarjet ngjitëse brenda politikës sonë mund të jenë detyra të ndërthurura që kemi përpara. Shëndeti i shoqërisë -“organi politik” kolektiv – kërkon shëndetin dhe elasticitetin e trupave dhe mendjeve tona. Imuniteti është në thelb politik.

https://theconversation.com/covid-19-could-nudge-minds-and-societies-towards-authoritarianism-168540

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Blog

U plagos në kokë në luftë, dhe nuk fjeti për 40 vjet/ Historia e çuditshme e hungarezit Paul Kern

Publikuar

-

Nga

cna lajme blog

Gjatë një beteje kundër rusëve në Luftën e Parë Botërore, ushtari hungarez, pjesë e ushtrisë së Austro-Hungarisë u plagos rëndë në kokë nga një plumb. Por në vend se të vdiste, siç mund të pritej nga një plagë e tillë, Kern mbijetoi dhe në fund u shërua.

Ai nuk humbi aftësinë për të dëgjuar apo edhe parë, por kishte humbur diçka tjetër të rëndësishme:aftësinë për të fjetur. Rasti i Kern i la pa fjalë mjekët për 40 vjet me radhë.

Kern ishte një ushtar hungarez që luftonte në frontin e Luftës së Parë Botërore.

Ai iu bashkua luftës që prej fillimit të saj, pas vrasjes së Arkidukës Franc Ferdinand. Kern ishte anëtar i trupave elitare hungareze, dhe merrte pjesë në misione speciale kundër  pozicioneve të armikut. Gjatë një aksioni në vitin 1915, ai u qëllua në kokë nga një plumb rus.

Plumbi i hyri në kokë përmes lobit të tij të djathtë, duke e rrëzuar përtokë. Kern u dërgua me shpejtësi në spitalin e Lembergut, për ta trajtuar plagën e tij në dukje fatale. Plumbi i kishte hequr një pjesë të lobit të tij frontal, që dihet se është përgjegjës për një gamë të gjerë të aktiviteteve të trurit, përfshirë lëvizjen, planifikimin, emocionet, zgjidhjen e problemeve dhe shumë më tepër.

Kjo pjesë e trurit konsiderohet si qendra e sjelljes dhe kontrollit emocional tek njeriu. Kur Kern erdhi ne vete, ai nuk ishte menjëherë i vetëdijshëm pasi sapo kishte humbur aftësinë për të fjetur. Në fakt, ai nuk fjeti më kurrë.

Lobi frontal i trurit të njeriut është përgjegjës për shumë aspekte të ndryshme të sjelljes njerëzore. Prandaj dëmtimi i tij mund të sjellë një numër të lartë simptomash. Por edhe duke qenë një dëmtim i lobit frontal, rasti i Kern është në fakt një anomali shkencore.

Kern nuk fjeti më kurrë

Kern u largua nga ushtria menjëherë pas asaj ngjarje dhe u kthye në jetën civile. Ai kishte humbur jo vetëm aftësinë për të fjetur, por edhe çdo lloj dëshire për ta bërë këtë. Pa gjumin, ditët e tij ishin 8 orë më të gjata se ato të të tjerëve, dhe kjo ishte sa bekim aq edhe një mallkim për të.

Së pari, Paul Kern u përpoq ta detyronte veten që të flinte. Por shumë shpejt pa se kjo gjë ishte shumë më e lodhshme sesa po të qëndronte thjesht zgjuar. Gjumi është jashtëzakonisht i rëndësishëm për të mbajtur një trup të shëndetshëm, si në aspektin fizik po ashtu edhe në atë mendor.

Gjatë kohës që jeni në gjumë, trupi juaj rindërton dhe rikthen sistemet vitale përfshirë trurin, që mendohet se është në fakt përparësia kryesore e procesit ripërtëritës gjatë gjumit.  Ndërkohë gjumi mendohet se ka një efekt të madh në gjendjen e aftësive njohëse të një personi.



Mungesa e gjumit mund të dëmtojë rëndë shëndetin e trupit,madje mund të shkaktojë halucinacione dhe ndryshime të tëra në personalitetin e njeriut. Ai është aq i rëndësishëm, saqë besohet se një mungesë ekstreme e gjumit ka pasoja fatale për jetën e njeriut.

Megjithatë për Kern asnjë nga këto nuk ishte ndonjë problem, dhe kjo është një nga arsyet pse rasti i tij është kaq i jashtëzakonshëm nga pikëpamja shkencore. Në fakt, ishte vetëm çështja praktike e të qenit zgjuar për 24 orë në ditë, ajo që e mërziste Kern.

Hungarezi ishte në gjendje të bënte një jetë kryesisht normale, pa u shtrirë asnjëherë për të fjetur gjumë,dhe nuk kishte efekte të dëmshme shumë të dukshme. Ai e kaloi kohën e tij shtesë në krahasim me të tjerët duke lexuar dhe duke takuar të dashurit e tij. Për rreth 1 orë çdo ditë, Kern mbyllte sytë edhe pse mbetej zgjuar për të qetësuar nervat e tij optikë, diçka që duhej ta bënte detyrimisht, përndryshe do të kishte dhimbje koke.

Natyrisht, shumë mjekë ishin mosbesues në lidhje me pretendimet e Kern. Por ai udhëtoi nëpër botë dhe ishte në dispozicion të cilitdo mjek që donte ta ekzaminonte, duke i çuditur

të gjithë këta të fundit. Një teori që u propozua në atë kohë, ishte se ai bënte një lloj mikro-gjumi gjatë ditës, dhe për të cilën nuk ishte i vetëdijshëm as vetë Kern.

Gjithsesi, Kern nuk u pa në asnjë rast në ndonjë gjendje tjetër përveçse plotësisht i zgjuar. Një ide tjetër ishte se plumbi i hoqi një pjesë të caktuar të trurit që kërkonte gjumë. Pavarësisht hipotezave, shumica e mjekëve besonin se nuk mund të kesh diçka falas, dhe në këtë rast, trupi i Kern nuk mund të funksiononte edhe për shumë kohë pa u relaksuar, ndaj  ata besonin se kjo do të çonte në një vdekje të tij të hershme.

Dhe ata patën pjesërisht të drejtë, pasi ai do të ndërronte jetë në vitin 1955 në një moshë relativisht të re. Sidoqoftë, Kern i jetoi 40 vitet e fundit të jetës pa gjumë, duke e bërë atë një rast vërtet të jashtëzakonshëm.

https://www.warhistoryonline.com/war-articles/sleep.html

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

E meta e madhe në luftën e Perëndimit kundër autokracisë

Publikuar

-

Nga

cna lajme blog

Nga Casey Michel “Foreign Policy”

Kur dëgjon atë që thonë politikanët perëndimorë, duket sikur demokracitë liberale gjenden në një luftë ekzistenciale kundër forcave të autokracisë, despotizmit dhe diktaturës në mbarë botën. Me këtë situatë përputhet dhe retorika e presidentit amerikan Xho Bajden, dhe synimi i tij për të organizuar Samitin global për Demokracinë.

Bajden dhe politikanët e tjerë perëndimorë që i bëjnë jehonë thirrjeve të tij, janë të saktë në diagnozën e tyre. Rritja e frymës jo liberale, autokracive dhe diktaturave gjithnjë e më agresive nga Pekini në Moskë, po zbehin përpjekjet demokratizuese në terren dhe janë duke kërcënuar rendin liberal.

Por përpjekjet e tyre për të penguar forcimin e mëtejshëm të autokracisë, kanë anashkaluar një aspekt përmes të cilit vetë demokracitë perëndimore u japin mundësi regjimeve të tilla që të lulëzojnë:ato u sigurojnë mjetet përmes të cilave kleptokratët në të gjithë botën fshehin dhe pastrojnë pasuritë e tyre të fituara përmes shkeljes së ligjeve.

Dokumentet e “Pandora Papers” të sapo publikuara, zbulojnë me detaje rolin jetik që luajnë vendet kryesore perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar, Kanadanë, Francën dhe Gjermaninë në aftësimin e diktatorëve dhe autokratëve, duke lejuar lulëzimin e flukseve të paligjshme transnacionale të parave të gatshme.

Miliarda e miliarda dollarë janë derdhur në këto demokraci nga e gjithë bota, me industritë e shumta perëndimore që nuk janë në gjendje të kontrollojnë nëse pasuria rrjedh apo jo nga thesaret kombëtare të grabitura, nga pasuria e konfiskuar nga pakicat e shtypura, apo nga lloji i korrupsionit elitar që çon në kapjen e shtetit.

Kështu, u zbulua se diktatura në Azerbajxhan ka zhvendosur qindra miliona dollarë në Londër. Nuk ishte hera e parë që Londra – një qytet që duket gjithnjë e më shumë si i ndërtuar kryesisht falë përfitimeve nga pastrimi i parave – e gjeti veten në qendër të këtyre llojeve të flukseve të paligjshme.

Familja sunduese në Azerbajxhan ndoqi një model të konsoliduar:kompanitë anonime off-shore, blerjet anonime të pasurive të patundshme, dhe profesionistët ligjorë britanikë që ndihmojnë në ecurinë e këtij procesi. Po ashtu, pretendohet se kompanitë britanike kanë ndihmuar të dashurën e presidentit rus Vladimir Putin të bëjë një jetë luksoze.

Ndërkohë, Mbreti i Jordanisë Abdullah II-një njeri që ironikisht jep çdo vit një çmim për transparencën, rezulton se ka fshehur shumë pasuri të patundshme në Shtetet e Bashkuara dhe Mbretërinë e Bashkuar. Edhe ish-diktatori i Kazakistani, Nursulltan Nazarbajev, një pionier i manualit modern të kleptokratëve, i kishte fshehur paratë në llogaritë e “gruas së tij të tretë jozyrtare” në parajsat fiskale.

Duke folur për Nazarbajev, mendja më shkon tek një nga ish-shkruesit e fjalimeve të tij, askush tjetër përveç ish-kryeministrit britanik Toni Bler, të cilit gjithashtu iu zbuluan pasuritë e fshehura.

Bler mund të mos jetë personi i parë që të vjen në mendje kur mendon për kleptokracinë moderne. Gjithsesi, ish-kryeministri britanik është shndërruar në një mazhordom në shërbim të politikanëve të tjerë perëndimorë që synojnë të përfitojnë sa më shumë nga këto mekanizma kleptokratikë.

Në vend se të veprojë si një forcë kundër këtij fenomeni dhe në dobi të demokratizimit apo transparencën financiare, Bler i ka kaluar vitet e tij post-kryeministrore duke fituar jo pak para për të promovuar regjimet e Kazakistanit, Azerbajxhanit dhe Serbisë, në mesin e një game të tërë autokracish të tjera.

Prandaj, nuk ishte shumë e habitshme që“Pandora Papers”, zbuloi se Bler ishte përfshirë në një operacion të fshehjes së të ardhurave me lidhje direkte me drejtuesit e diktaturës së Bahreinit. Por ndoshta nuk është e drejtë të shigjetojmë vetëm Blerin.

Tek e fundit, ai është angazhuar së bashku me shumë ish-udhëheqës të tjerë demokratikë,duke braktisur përpjekjet demokratizuese dhe duke u fokusuar më shumë tek pagesat e majme që marrin nga kleptokratët e lindjes. Ish-kancelari gjerman Gerhard Shrëder është bërë një nga promovuesit më të mëdhenj të Putinit në Perëndim.



Ndërkohë ish-kancelari austriak Alfred Gysenbauer, ish-kryeministri italian Romano Prodi, dhe ish-presidenti polak Aleksander Kvashnjevski, kanë marrë gjithashtu fonde gjoja për të këshilluar diktatorët në rritje. Pra sërish, udhëheqësit demokratikë kanë hequr dorë nga çdo pretendim për të punuar në shërbim të interesave më të mira të Perëndimit, për demokracinë.

Përkundrazi, ata kanë krijuar një grupim të tërë të ish-udhëheqësve perëndimorë, që e kanë mendjen vetëm tek xhepat e këtyre figurave kleptokratike, dhe kjo në një kohë kur të njëjtat figura përdorin dhe abuzojnë për nevojat e tyre me mekanizmat lehtësues që i ka vënë në dispozicion Perëndimi.

Nga ana tjetër, edhe kur Perëndimi gjen guximin për t’i goditur këta despotë, le të themi përmes programeve të sanksioneve që synojnë të bllokojnë dhe shkatërrojnë rrjetet e tyre financiare,mekanizmat e parajsave fiskale u japin atyre mundësinë që t’i shmangin këto sanksione.

Ato i lejojnë figura të tilla të shmangin hetimet, të pengojnë çdo përpjekje për rikthimin e pasurive të grabitura, dhe të shijojnë frytet e sundimit të tyre brutale dhe pasi rrëzohen nga pushteti.“Princat e kuq” në Kinë dhe oligarkët në Rusi, biznesmenët pro-regjimit në Venezuelë dhe zyrtarë që mbështesin qeverinë në Iran, rrjetet e ekstremit të djathtë në Hungari dhe gangstero-politikanët në Azerbajxhan, që të gjithë ata mbështeten tek të njëjtat shërbime, rrjete, të njëjtat mekanizma të parajsave fiskale të ofruara nga Perëndimi.

Ne tashmë e dimë se çfarë duhet bërë. Çelësi është transparenca. Transparencë në lidhje me kompanitë, trustet dhe fondacionet. Transparencë sa i përket pasurive të patundshme, veprave të artit dhe produkteve luksoze.

Të kombinuara me rregullore të reja dhe të shtuara që synojnë të ashtuquajturit mundësues të parajsave fiskale në Perëndim – pra avokatët, kontabilistët, konsulentët etj – transparenca do të ndihmojë në nxjerrjen në dritë të diellit të këtyre rrjeteve financiare sekrete.

Vitet e fundit kemi parë disa përparime, përfshirë lëvizjen e qeverisë britanike që krijoi një regjistër publik të kompanive të caktuara. Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja po ndërmarrin kohët e fundit hapa për të pastruar sektorët e tyre të kompanive off-shore.

Edhe Bashkimi Evropian ka vazhduar të ushtrojë presion për një mbikëqyrje shumë më të madhe rregullatore mbi avokatët dhe kompani të tilla. Të gjitha këto hapa janë të mirëpritura, por vështirë se gjendja mund të ndryshojë vetëm me to.

Pjesa tjetër e zgjidhjeve të propozuara më sipër, do të kërkojnë vullnet politik, dhe ndërgjegjësimin se sa qendror mbetet roli i Perëndimit në këtë aspekt.

Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe Franca, Gjermania dhe Balltiku:Të gjitha janë shtylla të ekonomisë së parajsave fiskale. Që të gjitha janë përdorur dhe abuzuar nga kleptokratët e botës. Dhe nuk ka asnjë arsye të mendohet se kjo do të përfundojë me zbulimet e fundit të“Pandora Papers”.

Shënim:Casey Michel, është një gazetare investigative, dhe autore e librit të ardhshëm “Kleptokracia americane:Si SHBA-ja e krijoi skemën më të madhe të pastrimit të parave”.

The Fatal Flaw in the West’s Fight Against Autocracy

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Dhjetë vrasësit më të mëdhenj të krimit të organizuar në histori

Publikuar

-

Nga

cna lajme blog

(Pjesa e dytë)

Sot ka shumë filma, libra, madje edhe shfaqje televizive që flasin mbi mafien. Që të gjithë përpiqen të ofrojnë një përshkrim të thellë të stilit të jetës brenda pjesëtarëve të krimit të organizuar. Dhe popullariteti i tyre vetëm sa po rritet. Njerëzit janë të magjepsur pas kësaj mënyre jetese, dhe janë shumë kureshtarë të mësojnë më shumë rreth saj.

Nuk dihet me saktësi se çfarë e intrigon auditorin, por mund të jenë axhendat e fshehura, aktivitetet kriminale,apo jeta luksoze që bëjnë disa nga anëtarët e grupimeve mafioze.

Sido që të jetë e vërteta, një gjë është e sigurt:organizatat kriminale janë të rrezikshme, dhe nuk kanë frikë të vrasin cilindo që u prish punë. Por pse këta njerëz u bashkohen grupeve të tilla, dhe si nisi gjithçka? Ja cilët janë 10 nga vrasësit më famëkeq të mafies në histori:

Tomas Pitera

Tomas Pitera ishte një vrasës i pamëshirshëm që punonte për familjen e njohur mafioze

italo-amerikane Bonano në SHBA gjatë viteve 1980. Pitera ishte i njohur për aftësitë e tij luftarake, dhe kjo është arsyeja pse njihet me nofkën “Tomas Karate”. Disa pretendojnë se Pitera ka vrarë mbi 60 njerëz gjatë gjithë karrierës së tij kriminale.

Atij i pëlqente të mbante trofe nga secila prej viktimave të tij si bizhuteri dhe veshje, diçka që nuk është tipike për një pjesëtar të mafias. Pitera u kap dhe u dënua në vitin 1990 dhe sot vuan dënimin me burgim të përjetshëm në një burg të Pensilvanisë.

Xhozef Barboza

 

Xhozef Barboza, ishte në fillim i njohur si një kuzhinier i shkëlqyer. Madje ai ishte diplomuar në një shkollë franceze të gatimit. Por nga mesi i të 20-tave, Barboza u bë pjesë e mafias në zonën e Nju Inglend në SHBA.

Ai fitoi pseudonimin “Kafsha”, pas një incidenti të ngjashëm me një nga skenat e filmit të famshëm “Goodfellas”. Ndërsa ishte duke pirë një natë në bar, një i moshuar i tha të mos bënte shumë zhurmë. Barboza i inatosure goditi me shuplakë, ndërsa shefi i tij e paralajmëroi që të mos e prekte kurrë më me duar një person të moshuar.

Por Barboza bëri të paimagjinueshmen, duke i kafshuar veshin dhe shkëputur një copë mishi nga faqja e tij. Ai u arrestua, por qëndroi vetëm 1 vit në burg pasi i dha policisë informacione për anëtarët e tjerë të mafias. Barboza u gjet i vrarë në vitin 1976jashtë shtëpisë së tij. Ai ishte qëlluar në gjoks me 4 plumba.

Roi DeMeo

 



Roi DeMeo, ishte drejtues i grupit famëkeq me të njëjtin emër“DeMeo”, një bandë vrasësish me pagesë. Gjatë viteve1973-1983, ai dhe bashkëpunëtorët e tij vranë 150-200 njerëz, kryesisht duke përdorur atë që disa e quajnë “Metoda e Binjakëve”.

Ai i joshte njerëzit të shkonin tek bari “Gemini Lounge”, ku një anëtar i grupit do t’i qëllonte në kokë me një pistoletë me silenciator, ndërsa një tjetër do t’i mbështillte menjëherë me një peshqir rreth kokës për të ndaluar gjakderdhjen. Pastaj DeMeo do t’i godiste me thikë në zemër për të ndaluar rrjedhjen e gjakut në kokë.

Më pas viktimat do të vareshin në banjo, derisa gjaku të kullonte plotësisht, dhe më pas

trupat e tyre dërgoheshin në depozitën e mbetjeve urbane në Bruklin, Nju Jork.

De Meo e krijoi atë metodë si një mënyrë të lehtë për të pastruar trupat. Për shkak se skema funksionoi në përgjithësi shumë mirë, FBI arriti që të gjente vetëm një pjesë të trupave të viktimave.

Xhovani Bruska

Xhovani Bruska, ishte një pjesëtar i rëndësishëm i mafies siciliane “Cosa Nostra” në Itali, duke pretenduar se ka vrarë deri në 200 njerëz. Ai mori nofkën “Derri” për pamjen e tij të çrregullt dhe sjelljen e egër. Në një rast Bruska vrau një informator të policisë, që ishte një djalë vetëm 11 vjeç.

Bruska u arrestua pas vrasjes së gjykatësit Xhovani Falkone, gruas së tij, si dhe 2 truprojave, në një sulm brutal me bombë. Pasi pranoi të bashkëpunojë më drejtësinë ai fitoi. Madje pretendoi se ish-kryeministri Silvio Berluskoni, paguante shuma të rregullta ndaj mafias.

Riçard Kuklinksi

Riçard Kuklinksi, është një nga vrasësit me pagesë më pjellorë që ka punuar ndonjëherë për mafian. Vrasjen e parë e kreu kur ishte vetëm 13 vjeç, ndërsa kur u kap u pohoi autoriteteve se kishte kryer mbi 250 vrasje. Ai vriste njerëz të pastrehë pa asnjë lloj arsyeje. Por sipas dëshmisë së tij, e bënte këtë për të praktikuar teknika të ndryshme vrasjesh.

Ai mori nofkën nofkën “Njeriu i Akullit”, pasi shpesh i ngrinte trupat e viktimave të tij, për të ngatërruar policinë në lidhje me kohën e saktë të vdekjes së tyre. Kuklinski u arrestua më në fund në vitin 1986, dhe u dënua me disa dënime të njëpasnjëshme me burgim të përjetshëm dhe vdiq në burg në vitin 2006.

10 Of Deadliest Mafia Hitmen In History

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE