Connect with Us

A do të ndryshojë diçka pas skandalit “Pandora Papers”?

Blog

A do të ndryshojë diçka pas skandalit “Pandora Papers”?

Publikuar

-

cna lajme bota

Nga John Steele Gordon “The Spectator”

Më 3 tetor, Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Investigativë, me seli në Uashington, publikoi ​​një sasi të madhe prej 11.9 milionë dokumentesh të dekonspiruara, që kanë të bëjnë me pasurinë e qindra udhëheqësve botërorë, zyrtarëve publikë dhe miliarderëve.

Ashtu si “Panama Papers” që u bënë publike në vitin 2016, edhe “Pandora Papers” ofron informacione të detajuara mbi pasuritë e mëdha të fshehura në kompanitë off-shore, me një shumë që shkon ndoshta deri në 32 trilionë dollarë, dhe që i ka dhënë mundësi përfituesve që të shmangin taksat, të cilat do të ishin të detyrueshme nëse pasuria do të mbahej në vendin e tyre.

Për shembull, një kompani britanike e kontrolluar nga Sheri Bler, gruaja e ish-kryeministrit Toni Bler, bleu një pronë në shumën 6.45 milionë paund (8.8 milionë dollarë) në Londër jo drejtpërdrejt, por duke blerë një kompani me seli në Ishujt Virxhin.

Në rast se prona do të ishte blerë drejtpërdrejt, do të paguhej një Taksë prej 312.000 paund (425.000 dollarë).

Mbreti Abdullah II i Jordanisë, zotëron prona të paluajtshme në Shtetet e Bashkuara, në parajsat fiskale asete me vlerë më shumë se 100 milion dollarë, përfshirë shtëpitë në Malibu, Uashington, Londër dhe Askot.

Në biologji ekziston një parim i njohur si bashkë-evolucion. Për shembull,ndërsa speciet që bien pre e specieve të tjera evoluojnë për t’u përmirësuar në shmangien e grabitqarëve, grabitqarët evoluojnë për t’u bërë më të aftë në kapjen e tyre. Kjo ligjësi nuk ndryshon as me autoritetet tatimore dhe ato që tatohen.

Koditatimor mbi të ardhurat në SHBA ishte vetëm 11 faqe me Aktin e Tarifave të vitit Ai ishte edhe viti kur u miratua Amendamenti i 16-të i Kushtetutës, që i dha mundësi qeverisë federale të tatonte të ardhurat. Sot Kodi është 70.000 faqe.

Ndërsa avokatët dhe kontabilistët e taksave zbuluan shumë boshllëqe ligjore, Kongresi u angazhua për t’i kufizuar apo mbyllur ato. Por Kongresi ka ndihmuar ndërkohë edhe donatorët kryesorë politikë, duke miratuar në heshtje favore tatimore për ta.

Kodi ndryshohet qindra herë në vit, dhe nga shumica e këtyre ndryshimeve përfitojnë vetëm disa, apo edhe një kompani apo individ. Sistemi tatimor amerikan është i korruptuar në thelbin e vet.

Natyrisht, askush nuk paguan më shumë taksa se sa duhet, dhe pasi tatimet janë bërë më të larta dhe më komplekse, sidomos për ata me të ardhura të mëdha. Prandaj nxitja për të gjetur mënyra për të shmangur taksat, është bërë akoma më e fortë.

Dhe të pasurit e kanë luksin të përballojnë këshillat e avokatëve dhe kontabilistëve tatimorë, dhe mund të përdorin shumë mënyra për të mbrojtur të ardhurat dhe pasuritë. Kjo është arsyeja pse, siç tha Robert Silverman, këshilltar në organizatë bamirëse “Oxfam America”:“Pandora Papers” përbën një kujtesë të hidhur se Shtetet e Bashkuara kanë dy sisteme të veçanta tatimore, një për të pasurit dhe shumë lidhje, dhe një për të gjithë të tjerët”.

LEXO EDHE:  Pse populizmi mund t’i mbijetojë pandemisë

Nuk ka asgjë të re në lidhje me strehimin e pasurisë në parajsat fiskale. 14 ofruesit e shërbimeve të tilla, dokumentet e të cilëve u zbuluan në “Pandora Papers”, datojnë që nga viti 1961. Llogaritë bankare zvicerane janë shumë më të vjetra.

Ndërsa komunikimi jashtë shtetit është bërë shumë më i lirë dhe më i shpejtë, lehtësia e mbajtjes së aseteve në parajsat fiskale, është rritur shumë dhe po ashtu edhe përdorimi i tyre. Vende të tilla si Panamaja, Ishujt Kajman, Hong Kongu dhe Ishujt e Virxhin, kanë mësuar se mund të fitojnë tarifa të mëdha në këmbim të ruajtjes së pasurisë së shumë njerëzve.

Pjesa më e madhe e tyre është një veprimtari krejtësisht e ligjshme. Për disa-është e pamundur të thuhet se sa – është natyrisht evazioni fiskal. Robert F.Smith, themeluesi miliarder i “Vista Equity Partners”, u gjobit me 139 milionë dollarë tetorin e kaluar për përdorimin e llogarive bankare off-shore pse kishte strehuar të ardhurat e tij në mënyrë të paligjshme.

Por a mund të bëhet diçka për të zvogëluar aftësinë e shumë të pasurve për të shmangur taksat nëpërmjet parajsave fiskale? Duke mos i detyruar parajsat fiskale që të ndryshojnë ligjet e tyre, është e vështirë t’i nxitësh subjektet sovrane të ndryshojnë ligjet që sjellin përfitime për veten e tyre.

Por thjeshtëzimi radikal i Kodit Tatimor të Shteteve të Bashkuara, do të zbehte ndjeshëm nxitjen për të përdorur skema të ndërlikuara me synim shmangien e taksave, përfshirë llogaritë në parajsat fiskale.

Një taksë e sheshtë, do të ndihmonte shumë në eliminimin e korrupsionit që përshkon sot kodin tatimor.

Do të ishte shumë më e vështirë që anëtarët e Kongresit t’u bënin në heshtje dhurata donatorëve të tyre, pasi kjo gjë do të ishte shumë më e dukshme. Tek e fundit, vendi më i mirë për të fshehur një libër është një bibliotekë. Dhe Vendi më i mirë për të fshehur një shumë të madhe parash është tek 70.000 faqe prozë juridike.

Taksa e sheshtë shpesh kritikohet pse nuk është progresive, me norma më të larta për të ardhura më të larta. Por në mënyrë kundër-intuitive, taksa e sheshta është progresive në kuptimin që norma efektive e tatimit, përqindja e të ardhurave që tatohen, rritet në mënyrë të pashmangshme me rritjen e të ardhurave.

Do të jetë interesante të shihet se çfarë do të ndodhë kur dokumentet e “Pandora Papers” të shqyrtohen nga autoritetet e ndryshme tatimore dhe gazetarët. Ndoshta do të kemi skandale edhe më të mëdha. Miliarderi amerikan Robert Brokman, është tashmë nën akuzë për 39 shkelje për evazion fiskal me mbi 2 miliardë dollarë, të ardhurat e tij të strehuara në parajsat fiskale. Ai është ndër ata që kanë dokumente të dekonspiruara nga “Pandora Papers”.

Është gjithashtu e mundur që këto dokumente ta konfirmojnë edhe një herë thënien:“Kam qenë i pasur dhe i varfër. I pasur është më mirë!”.

https://spectatorworld.com/topic/pandora-papers-change-wealth-tax/#

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Blog

Kur lejohet dëbimi i dhunshëm i personave që ilegalisht kalojnë kufirin?

Publikuar

-

Nga

cna news, cna lajme, lajme cna, lajme flash cna, cna.al, cna lajme politike,

Persona të maskuar me uniformë me shkopinj drejtojnë një grup njerëzish përtej lumit në zonën kufitare mes Kroacisë dhe Bosnjë-Hercegovinës. Zbulimet e gazetarëve investigativë kanë nxitur debat.

Gazetarët hulumtues nga disa vende evropiane arritën të dokumentojnë të ashtuquajturat “Pushbacks” (shtyrje apo dëbime me dhunë), të paktën në pesë vende të ndryshme në kufirin boshnjako-kroat. Në regjistrimet e gazetarëve, të cilat u morën midis majit dhe shtatorit 2021, u dokumentuan njëmbëdhjetë raste, në të cilat personat që përpiqeshin të kalojnë ilegalisht u dëbuan me dhunë. Më shumë se 140 persona thuhet se janë dëbuar përtej zonës së gjelbër të kufirit, me sa duket pa kontrolluar fare statusin dhe të drejtat e tyre për mbrojtje.

Sipas informacioneve nga organizatat e të drejtave të njeriut, ka pasur më shumë se 16.000 pushbacks vetëm vitin e kaluar në kufirin kroato-boshnjak. Incidente të ngjashme janë regjistruar kohët e fundit edhe në kufirin midis Bjellorusisë dhe Polonisë, e vazhdimisht ka pasur raporte për dëbime të tilla edhe në kufirin turko-grek dhe në det të hapur.

Refuzimi i dhunshëm i udhëtarëve të parregullt është kritikuar nga politikanët dhe organizatat e të drejtave të njeriut për shumë vite. “Pushbacks janë thjesht të paligjshme”, tha Gillian Triggs, zëvendëskomisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët. Por “pushback” është një term politik që nuk është përcaktuar qartë në terma juridikë. Situata ligjore në kufij është komplekse.

A ka të drejtë një vend të parandalojë me forcë njerëzit që të hyjnë atje?

Në parim, një shtet ka të drejtë të vendosë, nëse mund të futen në territorin e tij shtetasit e vendeve të tjera. Edhe në Bashkimin Evropian, mënyra në të cilën një shtet mbron kufijtë e jashtëm dhe sovranitetin territorial është në duart e secilit shtet anëtar. Qeveria përkatëse vendos për veten se sa “i fortë” është një regjim kufitar. Mirëpo, autoritetet e mbrojtjes së kufirit duhet të respektojnë ligjin ndërkombëtar. Ata duhet të veprojnë në mënyrë të përshtatshme dhe të ruajnë proporcionalitetin – veprimet e qeverisë nuk duhet të shkelin të drejtat e njeriut.

Jo të gjithë njerëzit që kalojnë ilegalisht kufijtë e një shteti mund të kthehen në shtetin fqinj prej nga janë futur: Kjo kundërshtohet nga ndalimi i dëbimit kolektiv dhe i ashtuquajturi refuzim i rikthimit i përmendur edhe në Konventën e Gjenevës për Refugjatët në vitin1951 (nga Refuler francez – refuzoj), që është një parim i vlefshëm global i futur në të drejtën ndërkombëtare. Ky parim ndalon shtetet t kthejnë njerëzit në vendet ku ata rrezikohen nga torturat apo shkeljet e tjera serioze të të drejtave të njeriut.

Cilat të drejta i mbrojnë personat që futen ilegalisht në një vend?

LEXO EDHE:  Zbulohet skandali me Hetimin Tatimor/ Akuza të renda “krahut të djathtë” të Ramës

LEXO EDHE:  Ja ku ndodhen ambientet më ekstreme në botë



Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ), e nënshkruar nga 47 shtete, përcakton ndalimin e dëbimit kolektiv në Protokollin shtesë me numër IV. Por personat që futen ilegalisht nuk mund të thirren thjesht në këtë ndalim për të parandaluar riatdhesimin e tyre ose për të kërkuar rifutjen në një vend. Në një vendim që ka zgjuar shumë vëmendje, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (KEDNJ) legalizoi pushbacks në mënyrë retrospektive në shkurt të vitit 2020. Ankuesit nga Mali dhe Bregu i Fildishtë nuk mund t’i referohen ndalimit të dëbimit kolektiv, sepse ata kanë përdorur dhunë për të kaluar kufirin në eksklavën spanjolle Mellila në Marok – megjithëse kishte një kalim tjetër të hapur legal të kufirit.

Për dallim prej emigrantëve ilegalë, refugjatët kanë në Konventën e Gjenevës për Refugjatët një mbrojtje shumë më të mirë kundër riatdhesimit përmes ndalimit të rivendosjes.

Dëbimet e azilkërkuesve të cilët tashmë janë në territorin e BE-së janë në kundërshtim me rregullat, nëse nuk janë shikuar të drejtat e individit për mbrojtje. “Sapo dikush arrin territorin e një shteti anëtar të BE-së, personi në fjalë ka të drejtë të aplikojë për azil, dhe kjo kërkesë duhet të kontrollohet nga autoritetet”, shpjegon eksperti i së drejtës detare në Hamburg, Alexander Proelß.

Organizata e OKB-së për refugjatët UNHCR dhe avokatët kryesorë ndërkombëtarë tani thonë se këto rregulla futen në fuqi menjëherë kur të kalohet kufiri – pavarësisht faktit që ligjërisht personi ende nuk është futur në territorin e BE-së.

Rastet e veçanta të Pushbacks në ujëra

Tek pushbacks në det luan një rol të rëndësishëm edhe largësia nga bregdeti. Sovraniteti i një shteti zakonisht përfundon dymbëdhjetë milje detare nga bregdeti. Nëse roja bregdetare – siç ka ndodhur disa herë në të kaluarën – i detyron varkat e refugjatëve të kthehen jashtë kësaj zone në det të hapur, kjo nuk përbën shkelje të rregullave legale. Por njëkohësisht të gjthë kapitenët janë të detyruar t’i japin ndihmë një varke që ka nevojë për ndihmë.

Hyrja në Bashkimin Evropian megjithatë mund t’u refuzohet atyre që kërkojnë ndihmë. “Nuk ka asnjë detyrim sipas ligjit detar ndërkombëtar, i cili e detyron një vend, për shembull Italinë ose Greqinë, që të tolerojë futjen e njerëzve në bregdetin e tyre”, shpjegon juristi Proelß. Qoftë në det apo në tokë: vetëm pak persona të prekur nga pushbacks kanë në fund mjete ligjore për të vepruar kundër dëbimit të tyre nga një vend./DW

LEXO TE PLOTE

Blog

Simfonia e 10-të e Beethovenit përfundohet nga inteligjenca artificiale

Publikuar

-

Nga

cna news, cna lajme, lajme cna, lajme flash cna, cna.al, cna lajme politike,

Me ndihmën e algoritmeve studiuesit kanë arritur të kompozojnë deri në fund simfoninë e 10-të të Beethovenit. Janë programet kompjuterike aq kreativë sa gjenitë e muzikës?

Algoritmet janë pjesë e jetës sonë të përditshme. Qoftë tek ecja me automjet, në botën e punës e të tjera, pa inteligjencë artificiale shumë gjëra njeriu nuk bën dot më. Në këtë drejtim të paktën kreativiteti dukej sikur ishte një ekskluzivitet i trurit të njeriut. Por po shtohen shenjat se edhe ky bastion po bie. Pasi kompjuterat i përfunduan deri në fund kompozimet e Gustav Mahlerit dhe Franz Schubertit, i erdhi radha Ludwig van Beethovenit. Kur kompozitori ndërroi jetë në vitin 1827, ai e la të papërfunduar simfoninë e tij nr 10-të. Nga kjo vepër kanë mbetur skica me dorë, pjesërisht fragmente të papërnuara. Me rastin e 250 vjetorit të lindjes së Beethovenit, vepra e tij, – disi e vonuar për shkak të Coronës,- me ndihmën e inteligjencës artificiale prezantohet në 9 tetor 2021 në kuadër të Festës së Beethovenit në Bon. Për këtë koncerni Telekom, me seli po në Bon ngriti një ekip ekspertësh. Një grup kompozitorësh, studiuesish dhe informaticienësh u përpoq të analizonte stilin e kompozitorit gjeni dhe të mbaronte “të pambaruarën”.

Ludwig van Beethoven X –

Mësuam stilin e Beethovenit

Inteligjenca artificiale u furnizua me skica e shënime të Beethovenit si edhe partitura të kompozitorëve të kohës. “Këtë duhet ta kuptosh kështu, që Beethoveni në momentin që kishte ide të reja mbante shënime. Disa herë si fjalë, disa herë si nota muzikore”, thotë Matthias Röder, drejtor i Institutit Karajan në Salcburg. Duke u nisur nga ky material, drejtuesi i projektit me ekipin e tij bënë supozime, se “si do t’i kishte zhvilluar ai vetë gjëra të caktuara”, thotë Röder. Muzika bazohet në njësi të caktuara si gjuha. Prandaj bëhet fjalë fillimisht që inteligjenca artificiale të mësonte. Simfonitë, sonatat në piano, kuartetet në violinë iu ofruan inteligjencës artificiale rregullisht për “ta trajnuar”, Si në trurin e njeriut që ka rrjetin neuronal, kompjuteri është në gjendje të krijojë vetë lidhje të reja. Rezultatet që përshtateshin më mirë me njëra-tjetrën u rifutën në sismtem duke iu dhënë nota të reja.

Njeriu dhe makineria plotësojnë njëri-tjetrin

LEXO EDHE:  Pse populizmi mund t’i mbijetojë pandemisë

LEXO EDHE:  Zbulohet skandali me Hetimin Tatimor/ Akuza të renda "krahut të djathtë" të Ramës



Kështu u krijua kompozimi i ri artificial. “Ajo që na lejon inteligjenca artificiale është mundësia e ofrimit të një sekuence në 20 apo 100 variante të ndryshme. Kjo është e mrekullueshme, sepse nëse është punuar mirë me algoritmin, atëherë çdo tentativë bën sens”, thotë Robert Levin, studiues i muzikës nga Universiteti Harvard.

Për studiuesit bashkëpunime të tilla janë mjaft interesante, sepse ato japin të dhëna si makineritë mund të mbështesin njeriun, ose të imitojnë kapacitetin kreativ. “Ne u përpoqëm të kuptonim se cila është gjendja e teknikës në zhvillimin e muzikës dhe jemi përpjekur të testojmë kufijtë. Në fund përdorëm disa module të të ashtuquajturit  Natural Language Processing, që janë frymëzuar nga përpunimi natyror i gjuhës”, thotë Ahmed Elgammal, drejtor i i Art&Art Lab të Universitetit Rutgers në Nju Jork dhe zhvillues i inteligjencës artificiale të Beethovenit. Por e kanë vlerë projekte të tilla për muzikantët?

“Mund të thuhet se kompjuteri vepron në bazë të algoritmit. Po, por njeriu e bën në bazë të përvojës dhe arsimimit. Ata nuk janë patjetër shumë larg njëri-tjetrit”, thotë profesori Levin.

Orkestra e Bonnit gjatë Festivalit të Beethovenit, 2018

Se sa ndjehet kalimi nga origjinali tek kompozimi i inteligjencës artificiale, këtë publiku mund ta kuptojë kur të ndjekë simfoninë e luajtur nga orkestra e Bonnit nën drejtimin e drejtorit të përgjithshëm muzikor të saj, Dirk Kaftan./DW

LEXO TE PLOTE

Blog

Dhjetë mrekullitë më të mëdha inxhinierike, që ndryshuan historinë e botës

Publikuar

-

Nga

cna blog

(Pjesa e dytë)

6. Tuneli i Kanalit

I hapur në vitin 1994 pas 6 vitesh punime, Tuneli i Kanalit lidhi Britaninë e Madhe me kontinentin evropian për herë të parë që nga Epoka Akullnajore. I njohur ndryshe si “Chunnel”, ai përbëhet nga 3 tunele prej betoni që u ndërtuan nga një makineri që peshonte mbi 1.100 tonë.

Sistemi i tunelit 50 km i gjatë që transporton pasagjerë, mallra dhe automjete përfshin një shtrirje nënujore 37 km, më e gjata në botë, me një thellësi mesatare prej 45 metrash nën shtratin e detit. Tuneli i ka dhënë mundësi udhëtarëve në trenat me shpejtësi të lartë “Eurostar” që të udhëtojnë nga Londra në Paris në pak më shumë se 2 orë.

7. Hekurudha Transkontinentale

Kur në lindje të SHBA-së shpërtheu Lufta Civile, në perëndim filloi puna për të ndërtuar një hekurudhë që do të lidhte Shtetet e Bashkuara nga bregu lindor në atë perëndimor. Projekti i autorizuar nga Akti i Hekurudhave të Paqësorit i vitit 1862, dhe i zbatuar nga kompania hekurudhore “Central Pacific”nisi punimet në Sakramento të Kalifornisë, ndërsa kompania hekurudhore “Union Pacific” u zhvendos në Omaha dhe Nebraska.

Ndërsa punëtorët punuan gjatë dimrave të ashpër dhe verërave përvëluese, fuqia punëtore kineze kryesisht emigrante e kompanisë“Central Pacific”pati veçanërisht pjesën më të vështirë për të hapur tunelet nëpër malet e Sierra Nevadës.

Kur projekti përfundoi më në fund në vitin 1869, hekurudha transkontinentale lehtësoi zgjerimin e SHBA-së drejt pjesës perëndimore, duke e shkurtuar kohën e udhëtimit brenda SHBA-së nga disa muaj në më pak se 1 javë.

8. Statuja e Lirisë

Një simbol i miqësisë midis Francës dhe Shteteve të Bashkuara, Statuja e Lirisë 46 metra e lartë u porosit në vitin 1886. Në Paris, skulptori francez Frederik-August Bartold krijoi fletë të mëdha bakri për të krijuar pjesën e jashtme të statujës, e cila ishte e paketuar në më shumë se 200 arka, të cilat u dërguan me vapor në qytetin e Nju Jorkut.

Gjatë një periudhe 4-mujore, punëtorët bënë bashkë me kujdes pjesët e statujës, e montuan në një piedestal, dhe e vendosën në një skelet prej hekuri dhe çeliku të projektuar nga Eugjen-Emmanuel Violet-le-Dyk dhe Gustav Eifel, projektuesi i Kulës Eifel. Ajo e lejoi statujën të zhvendoset disa herë gjatë erërave të forta.

LEXO EDHE:  Si mund të jetë mandati i dytë i Donald Trumpit?

LEXO EDHE:  A është “imuniteti natyror” ndaj Covid-19, më i mirë se ai i një vaksine?



9. Digat holandeze për mbrojtjen nga vërshimet e Detit të Veriut

Për shkak se pjesa më e madhe e vendit ndodhen nën nivelin e detit, Holanda është detyruar të ndërtojë kohë pas kohe një sistem digash dhe barrierash për të parandaluar përmbytjet, dhe për të shmangur mundësinë që sipërfaqe të mëdha toke të përmbyten nga Zuiderze, një deltë e cekët buzë Detit të Veriut.

E quajtur nga Shoqëria Amerikane e Inxhinierëve Civilë si një nga Shtatë mrekullitë e botës moderne, projekti nisi të zbatohet në vitin 1927 me ndërtimin përgjatë 5 viteve të ardhshme të një dige 19 kilometra të gjatë që mbylli Zuiderze. Më pas për dekada të tjera pati një sërë projektesh të bonifikimit të tokës. Gjatë viteve 1954-1997, u zbatua një projekt tjetër gjigant për të kontrolluar rrjedhat e ujit në grykëderdhjet e lumenjve Rin dhe Meuze.

10. Metrotë e Nju Jorkut dhe Bostonit

Në kushtet kur karrocat me kuaj bllokonin vazhdimisht rrugët e Nju Jorkut dhe Bostonit, dhe kur trenat shpërndanin blozë mbi fytyrat e këmbësorëve, drejtuesit e këtyre 2 qyteteve kërkuan një alternativë transporti, e cila të ishte më e shpejtë dhe më e pastër.

Ata iu drejtuan një zgjidhjeje radikale, udhëtimit nëntokësor me tren, të cilin shumë amerikanë e konsideruan si jo-praktik dhe të rrezikshëm. Bostoni e hapi metronë e parë në SHBA në vitin 1897. Nju Jorku ndoqi të njëjtin shembull 7 vjet më vonë. Të dy qytetet përdorën një metodë ndërtimi të tillë që të minimizonte prishjen e jetës normale të qytetit.

Teksa metroja e parë në botë, ajo e Londrës, përdorte ende lokomotiva me avull, sistemet amerikane ndryshonin në përdorimin e trenave me energji elektrike. Këto metro nxitën shumë zhvillimin e Bostonit, Nju Jorkut por edhe qyteteve të tjera që ndoqën më pas të njëjtin shembull./ History.com-Përshtatur nga CNA.al

Dhjetë mrekullitë më të mëdha inxhinierike, që e ndryshuan historinë e botës

LEXO TE PLOTE