Connect with Us

Dhjetë mrekullitë më të mëdha inxhinierike, që e ndryshuan historinë e botës

Blog

Dhjetë mrekullitë më të mëdha inxhinierike, që e ndryshuan historinë e botës

Publikuar

-

cna lajme blog

(Pjesa e parë)

Për mijëra vjet, njerëzimi ka krijuar struktura të mrekullueshme, siç janë piramidat e Egjiptit dhe Muri i Madh i Kinës. Kohët më të fundit, inxhinierët vizionarë kanë denjuar dhe zbatuar projekte të mëdha në fushën e transportit dhe komunikimit,të cilat kanë shtyrë kufijtë e zgjuarsisë njerëzore. Ja cilat janë10 mrekullitë inxhinierike, të cilat e ndryshuan historinë botërore.

Kanali i Panamasë

 

Duke lidhur Oqeanin Atlantik dhe Paqësorin, Kanali i Panamasë me një gjatësi prej 88 kilometrash i transformoi rrugët tregtare globale kur u hap në vitin 1914. Pas një përpjekjeje të dështuar nga francezët në vitet 1880, Shtetet e Bashkuara rifilluan zbatimin e projektit në vitin 1904.

Inxhinieri kryesor i tij, Xhon Stivens e ndryshoi modelin e projektit nga një kanal në nivelin e detit, në një kanal që kërkonte një sërë kataraktesh, dhe shndërrimin e lumit Çagres në liqenin më të madh në botë të krijuar deri në atë kohë nga njeriu.

Punëtorët u përballën me shumë sfida të vështira, si rrëshqitjet e vazhdueshme të tokës dhe sëmundjet tropikale si malaria dhe ethet e verdha, teksa hapnin kanalin nëpër xhungël dhe terrene malore, duke zhvendosur një sasi të madhe toke dhe shumë rrënoja.

Sipas Muzeut të Kanalit të Panamasë, 10 për qind e 56.000 punëtorëve që punuan për projektin gjatë viteve 1904-1913 vdiqën. Aspekti më i spikatur i atij projekti gjigant?

Kanali ndërkombëtar u përfundua në kohë dhe sipas buxhetit fillestar.

Ura e famshme “Golden Gate” në San Francisko, SHBA

 

Ajo mbetet ende ura më e gjatë e varur në botë, edhe pse ka 27 vite që është hapur që në vitin 1937. Golden Gate me një gjatësi prej 2.8 kilometrash ngrihet mbi ngushticën gati 400 metra të thellë që lidh Gjirin e San Franciskos me Oqeanin Paqësor.

Ajo përmban aq shumë kabllo, saqë janë të mjaftueshme për ta rrethuar 3 herë globin. Ura mund të zhvendoset më shumë se 70 centimetra anash, për t’i bërë ballë erërave të forta që fryjnë zakonisht në këtë ngushticë.

Kryeinxhinieri i projektit Zhozef Shtraus i dha shumë prioritet sigurisë në zbatimin e këtij projekti gjigant. Ndaj vetëm 11 punëtorë – 10 gjatë një incidenti të vetëm – vdiqën gjatë ndërtimit. (Sa për krahasim, 28 punëtorë vdiqën gjatë ndërtimit të urës pranë San Franciskos – Oklend Bej, e cila u hap 6 muaj më parë.) Një rrjet sigurie inovativ, i shpëtoi në një rast jetën të paktën 19 punëtorëve.

Sistemi i Autostradës Ndërshtetërore në SHBA

 

Duke parë Gjermaninë naziste që përdorte rrjetin e saj të autostradave të shpejtësisë së lartë, për të lëvizur me efikasitet trupat në të gjithë vendin gjatë Luftës së Dytë Botërore, presidenti amerikan Duajt Ajzenhauer dekretoi Aktin e Fondit të Autostradës Federale të vitit 1956, që autorizoi zbatimin e projektit më të madh të punëve publike në historinë botërore.

LEXO EDHE:  Dhimbjet e kokës/ Tre këshilla se si të shpëtoni prej tyre

Ndërtimi i 41.000 kilometrave autostrada me një qasje të kontrolluar në rrugë dytësore, pa kryqëzime të mëdha, por vetëm me mbikalime dhe nënkalime, synonte pjesërisht të forconte mbrojtjen kombëtare, dhe të lejonte evakuimin më të shpejtë të qyteteve në rastin e  një sulmi bërthamor gjatë Luftës së Ftohtë.

I quajtur ndryshe si Rrjeti Ajzenhauer në vitin 1990, Sistemi i Autostradës Ndërshtetërore e transformoi në mënyrë drastike ekonominë dhe mënyrën e jetesës amerikane, duke nxitur zhvillimin e periferive, por duke boshatisur ndërkohë disa zona urbane.

Kabllot transatlantike

Në vitin 1854, tregtari amerikan Sajrus Filld siguroi lejen për të vendosur një kabllo telegrafike në dyshemenë e Oqeanit Atlantik. Pas katër përpjekjeve të dështuara, anijet detare amerikane dhe britanike, ia dolën që të vendosnin një kabllo gati 3200 km që lidhte Irlandën dhe Njufaundlendin në verën e vitit 1858.

Mesazhi përurues i Mbretëreshës britanike Viktoria me 98 fjalë drejtuar presidentit amerikan Xhejms Bukanan kërkoi plot 16 orë për t’u transmetuar. Shumë i ngadaltë krahasuar me standartet e sotme, por gjithsesi shumë më i shpejtë se sa udhëtimet 10-ditore transatlantike të anijeve me avull.

Megjithatë linja e komunikimit, pushoi së funksionuari vetëm pas disa javësh. Por biznesmeni amerikan këmbënguli dhe kontraktoi anijen britanike “Great Eastern”, anija më e madhe e kohës, për të vendosur një kabllo telegrafike të përhershme në vitin 1866, dhe ai akt e shpejtoi shumë komunikimin transatlantik.

Diga Huver

E ndërtuar nga një armatë prej më shumë se 21.000 punëtorësh, Diga Huver ishte struktura më e madhe e betonit në botë, dhe diga më e lartë në kohën kur përfundoi në vitin 1935. Projekti, që kërkonte devijimin e lumit Kolorado përmes katër tuneleve, përfundoi 2 vjet para afatit.

Diga me hark në kufirin midis Arizonës dhe Nevadës, kontrollon rrjedhën e lumit Kolorado, dhe grumbullon mjaftueshëm ujë për të ujitur 2 milionë hektarë, teksa furnizon me energji elektrike më shumë se 1 milionë banesa. Diga Huver solli zhvillimin e qyteteve të tilla si Las Vegasi dhe Feniksi, dhe krijoi Liqenin Med, rezervuari më i madh në Shtetet e Bashkuara në aspektin e kapacitetit ujëmbledhës.

https://www.livescience.com/why-humans-back-pain 

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Blog

Lidhjet e shumëfishta të Frenk Sinatrës me botën e krimit në Amerikë

Publikuar

-

Nga

Frenk Sinatra është i njohur për shumë gjëra:për aftësinë e tij të jashtëzakonshme në të kënduar; për fitimin e dy çmimeve Akademy Awards, si dhe për  Çmimin Oskar si “aktori më i mirë në një rol dytësor” për rolin e tij në filmin “Nga këtu në përjetësi” të vitit 1953.

Por ai është gjithashtu i famshëm për lidhjen e tij me mafian amerikane, diçka që nuk pëlqente shumë që ta dinte publiku. Lidhjet e Sinatras me mafian e kanë origjinën që tek familja e tij, pasi xhaxhai i tij Bob Garavante, ishte pjesë e familjes mafioze italo-amerikane Gjenoveze.

Ndonëse Bob nuk pati një ndikim të drejtpërdrejtë në aktivitetet e tij të mëvonshme me botën e krimit të Amerikës, ai me siguri që i tregoi të riut Frenk se si të sillej dhe vepronte në një mjedis të tillë. Gjatë rrugëtimit të tij drejt famës, por dhe për vite pasi u bë një nga figurat kryesore të Hollivudit, Sinatra mbajti kontakte shumë të afërta  me mafian, duke përfshirë Benxhamin “Bagsi” Sigëll dhe Çarls “Laki” Luçiano.

Shumica e atyre me të cilët rrinte, ndanin pasionet e tij për gratë, lojërat e fatit dhe paratë, dhe takoheshin shpesh mbrëmjeve në klube nate dhe kazino. Duke folur për “Page Six”, ish-menaxheri i Sinatrës, Toni Opedisano, thotë se mafiozët ishin në një garë mes tyre për të pasur vëmendjen e artistit.

“Ata donin që të ishte në rrethin e ngushtë të Frenk. Vetë ai bëri çmos që të mos ta ekspozohej shumë me këta njerëz, por disa njerëz do ta tepronin. Me kalimin e kohës disa nga mafiozët u bënë miq të ngushtë me të, dhe ata do të përpiqeshin të bënin për të gjëra, të cilat ai nuk ua kërkoi asnjëherë. Frenk thoshte:Nëse këta njerëz duan vërtet të më bëjnë një nder, do të doja që të mos më bënin më ndere!”- thotë ai.

Sipas Opedisano, Frenk Sinatra e urrente lidhjen e tij me mafian, dhe fajësoi për këtë kryesisht ndjenjat anti-italiane që dominonin në atë kohë në SHBA. Ai vetë pretendonte se ra në kontakt me mafiozët, pasi ata kishin në pronësi ambientet ku ai këndonte.

“Toni, nuk e kuptoj. Nëse klubet e natës, do të ishin të gjitha në pronësi të Kardinalëve dhe Imzotëve, mendoj se do ta kisha kaluar kohën time me Kardinalët dhe Imzotët. Por kjo gjë nuk do të më bënte as Kardinal apo Imzot. As puna në një klub në pronësi të njerëzve të mafias, nuk do të bëjë mafioz”- i tha në një rast menaxherit të tij.

Megjithatë, kjo deklaratë nuk shpjegon arsyen se pse ai dilte aq shpesh foto me mafiozët e njohur. Ai vetë pretendonte se kjo ishte mënyra e tij e të qenit i sjellshëm, pasi “kur një burrë më zgjat dorën për të më takuar, unë nuk e pyes kurrë se si i ka fituar paratë, mirësjellja është mirësjellje”.

Ai ishte veçanërisht i ndjeshëm për lidhjen e tij të pretenduar me mafian, për të cilën shkruhet në librin e Mario Puzos “Kumbari”. Duke folur për “New York Magazine” në vitin 1972, Puzo tha se Sinatra ishte paksa i emocionuar nga lidhja midis tij dhe mafiozit Xhoni Fonten.

LEXO EDHE:  Troja e lashtë, një qytet real apo thjesht një legjendë?

LEXO EDHE:  Enigmatike, spiune, biseksuale/ Kush ishte aktorja e famshme suedeze Greta Garbo



Të dy u ballafaquan një mbrëmje kur u prezantuan nga të njohur të përbashkët në një klub nate në Beverli Hills. Puzo kujton se Sinatra e kritikoi ashpër për librin e tij. Madje thuhet se këngëtari e kërcënoi se do ta rrihte, nëse ai do të ishte pak më i ri në moshë, gjë që e ofendoi Puzon.

“Ajo që më lëndoi ishte se Frenk, një italian nga veriu, po më kërcënonte me dhunë fizike mua, një italian nga jugu. Kjo është përafërsisht njëlloj sikur Ajnshtajni të kërcënonte me thikë Al Kaponen. Thjesht nuk shkon. Italianët e veriut, nuk ngatërrohen kurrë ata të jugut, përveçse kur i futin në burg ose i deportojnë në ndonjë ishull të shkretë”- tha më vonë Puzo.

FBI-ja amerikane nuk u besonte pretendimeve të Frenk Sinatrës, se nuk kishte personalisht lidhje me mafian. Organizata qeveritare kaloi mbi 40 vjet duke e survejuar, duke grumbulluar mijëra faqe që dokumentonin lëvizjet e tij, miqësitë dhe gjithçka tjetër rreth jetës së tij, duke nisur që me deklaratën e tij se për arsye shëndetësore, nuk ishte në gjendje të angazhohej me ushtrinë amerikane gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ndërsa FBI-ja nuk ishte asnjëherë në gjendje të provonte se ai ishte i përfshirë në akte kriminale, ajo regjistroi ndërveprime të shumta midis Sinatrës dhe disa emrave të mëdhenj të botës së krimit. Kishte shumë zëra rreth miqësisë së tij me bosin e mafias të Çikagos, Sam Xhankana.

Sipas vajzës së tij, Tina, Sinatra e prezantoi Xhon F.Kennedy me të dashurën e Xhiankana, Xhudith Eksner, e cila dyshohet se shërbeu si një ndërlidhëse midis presidentit dhe Xhankanës, gjatë hartimit të një plani për të vrarë udhëheqësin kuban Fidel Kastro.

Po ashtu në dosjet e FBI-së kishte raporte për dhuratat e marra nga Xhozef dhe Çarls Fisketi, kushërinj të bosit të mafias Al Kapone, si dhe për një performancë të Sinatrës në dasmën e vajzës së bosit të mafias së Filadelfias, Anxhel Bruno.

Madje ka dokumente që tregojnë se mafia ushtroi ndikimin e saj për ta ndihmuar Sinatrën të dilte nga një kontratë e nënshkruar në vitin 1951. Një incident i spikatur, ishte ai kur agjentët e FBI-së panë Sinatrën të takohej me mafiozët e Detroitit, Vito dhe Entoni Xhakalone.

“Disa herë në vit, ne e shihnim Xhanalonen të shkonte në aeroport për të marrë Sinatrën. Ata e kalonin fundjavën së bashku, duke u shoqëruar para dhe pas shfaqjeve të tij… Dhe Frenk nuk kërkoi ndjesë për këtë. Ata ishin miqtë e tij. Për të nuk kishte rëndësi fakti që ata ishin gangsterë dhe vrasës të njohur. Atij nuk i interesonte, por do të rrinte me ata që donte”- thotë agjenti në pension Sem Rufino./CNA.al

https://www.thevintagenews.com/2021/11/12/frank-sinatra-mob-ties/

LEXO TE PLOTE

Blog

Dhuna në Bosnje e mundur, por lufta nuk ka gjasa të përsëritet

Publikuar

-

Nga

Nga Valentino Grbavac “European Western Balkans”

Kriza politike në Bosnje Herzegovinë (BiH), ka arritur nivele të tilla, saqë disa po argumentojnë se vetë paqja është e kërcënuar, dhe se një luftë e re është shumë pranë. Ndërsa kriza aktuale politike është më e rënda që nga Rregullimi i Brendshëm Kroat i vitit 2001, një luftë e gjithanshme që të kujton konfliktin e tmerrshëm të viteve 1990, është jashtëzakonisht e pamundur.

Kjo s’do të thotë se nuk është i mundur shpërthimi i akteve sporadike të dhunës, apo që kriza aktuale nuk është shumë serioze apo e vështirë për t’u kapërcyer. Por lufta, e cila shkaktoi 100 mijë të vdekur në Bosnje në vitet 1990, dhe mbi 2.3 milionë refugjatë, ka shumë pak gjasa që të rindizet edhe njëherë.

Dhe arsyeja për këtë nuk është mungesa e urrejtjes apo e retorikës nacionaliste, pasi marrëdhëniet ndër-etnike janë më të këqija në vitin 2021, sesa në vitin 1991. Por të tria kombeve përbërëse të Bosnjës u mungojnë 3 elementët e nevojshëm për të filluar dhe zhvilluar luftën:fuqia punëtore, burimet ushtarake dhe motivimi.

Në vitin 1995, forcat boshnjake (ABiH) numëronin 230 mijë ushtarë (ku 96 për qind ishin boshnjakë), forcat kroate (HVO) kishin rreth 45 mijë ushtarë, ndërsa forcat dhe serbe (VRS) numëronin 155 mijë ushtarë (praktikisht të gjithë serbë). Pra në vitin 1995 të tria ushtritë kishin 430.000 ushtarë, ose afro 10 për qind të gjithë popullsisë së paraluftës prej 4.4 milionë banorësh .

Sot forcat e armatosura në Bosnje përbëhen nga vetëm rreth 8.800 ushtarë, ku 20 për qind janë kroatë, 34 për qind serbë dhe 46 për qind boshnjakë, që në shifra përkthehet respektivisht në 1.800 ushtarë kroatë, 3.000 ushtarë serbë dhe 4.000 ushtarë boshnjakë. Forcat e armatosura kanë 3 brigada këmbësorie multi-etnike, dhe një numër të vogël njësish mbështetëse. Por brigadat përbëhen nga 3 batalione mono-etnike të stacionuara në qytete të ndryshme, gjë që do të thotë se ushtria është e ndarë në 3 forca të veçanta.

Të dhënat e 4 viteve më parë tregojnë se në vend kishte 7300 policë boshnjakë, 2500 kroatë dhe 8500 serbë. Pra në total nën armë janë 11.300 boshnjakë (42 për qind), 4.300 kroatë (16 për qind) dhe 11.500 serbë (42 për qind), gjithsej 27.100 njerëz të trajnuar.

Popullsia aktuale e Bosnjës vlerësohet në pak më shumë se 2.6 milionë, me rreth 350 mijë kroatë, 950 mijë serbë dhe 1.3 milionë boshnjakë. Ndërsa një 60-vjeçar mund ta shtypë këmbëzën po aq lehtë sa një 18-vjeçar, lufta sidomos në terrenin e thyer dhe malor të vendit,  kërkon djem të rinj.

Bosnja ka përjetuar një rritje të paprecedentë të emigrimit në dekadën e fundit, dhe sipas një sondazhit të fundit afro gjysma e të rinjve (të moshës 15-30 vjeç) planifikojnë të largohen nga vendi. Popullsia ka mesatarisht një moshë mesatare 5 vjet më të madhe se në vitin 1991, dhe kjo do të thotë se ka më pak qytetarë të moshës për t’u rekrutuar në ushtri.

Dhe në një skenar të mobilizimit të plotë të ngjashëm me vitet 1990, maksimumi që mund të grumbullojnë të tria palët, përfshirë policë dhe ushtarë, do të ishte 20 mijë për kroatët, 55 mijë për serbët dhe 75 mijë për boshnjakët, ose 150.000 mijë në total, pra vetëm 1/3 forcave që ekzistonin në luftën e viteve 1990.

Në këto kushte, jo vetëm që nuk do të kishte forca të disponueshme për sulme strategjike, por të tria palët do të kishin probleme të mëdha për të mbledhur trupa të mjaftueshme edhe për mbrojtjen statike të vijës së frontit. Ndërkaq, cilësia mund të jetë një faktor edhe më i rëndësishëm.

Të gjithë 18 vjeçarët në kohën e ish-Jugosllavisë ishin të detyruar të shërbenin 1 vit të plotë në ushtri, duke marrë trajnimet bazë dhe ato të specializuara, gjë që ishte një faktor i madh në mobilizimin kaq të shpejtë të ushtarëve në vitet 1990.



LEXO EDHE:  Nga Benito Musolini tek Adolf Hitleri dhe Josif Stalini/ Punët e para të 12 diktatorëve  

LEXO EDHE:  Gjërat më të famshme në botë, që në fakt nuk kanë ekzistuar kurrë

Por shërbimi ushtarak u hoq plotësisht në Bosnje në vitin 2006, gjë që do të thotë se të gjithë të rinjtë të moshave 18-33 vjeç, të cilët përbëjnë shumicën dërrmuese të popullsisë së moshës së aftë për të luftuar, nuk kanë fare stërvitje ushtarake.

Nëse do të duhej të mobilizoheshin, atyre do të duheshin muaj për të pasur edhe forcën më elementare luftarake për një mbrojtje statike. Dhe do të duhej të paktën një vit derisa çdo palë të mund të ndërmerrte një ofensivë të vërtetë strategjike. Edhe veteranët më të rinj nga viti 1995, janë sot në mesin e të dyzetave, që do të thotë se një veteran në të 50-at do të ishte jashtë moshës për t’u angazhuar në front.

Por çështja e furnizimeve ushtarake, do të ishte edhe më penguese se sa ajo e mobilizimit. Bosnja nuk ka asnjë avion reaktiv, dhe helikopterët e saj të paktë operacionalë, përdoren kryesisht për transport. Ajo ka afro 40 tanke operacionale, 80 mjete të blinduara dhe rreth 120 pjesë operative të artilerisë së rëndë.

Pjesa tjetër e stokut është disa dekada e vjetër, dhe kryesisht e papërdorshme. Sa për krahasim, vetëm serbët kishin 500 tanke, 400 mjete të blinduara dhe rreth 1000 copë artileri të rënda në vitin 1992. Pra lufta do të duhej të zhvillohej ekskluzivisht me armë të lehta.

Në vend janë të regjistruara rreth 270.000 pistoleta dhe armë gjuetie, edhe pse shumë njerëz kanë fshehur armë automatike që nga koha e luftës. Megjithatë, ndërsa kallashnikovët dhe mortajat mund të mjaftojnë për të shkaktuar akte dhune në disa qytete të mbetura multi-etnike, ato nuk mjaftojnë për të zhvilluar një luftë në shkallë të gjerë, edhe nëse morali dhe motivimi mund të jetë i lartë.

Lufta në vitet 1990, kishte të bënte me pushtimin e territorit dhe pastrimin e “tjetrit” prej andej, duke krijuar zona homogjene në Bosnje. Mjerisht, ajo skemë ishte shumë efektive. Sot 95 për qind e serbëve jetojnë në Republika Srpska (RS), 85 për qind e boshnjakëve jetojnë në 6 kantone me shumicë boshnjake, dhe 70 për qind e kroatëve jetojnë në 4 kantone me shumicë kroate.

Dhe ky realitet tragjik, nënkupton se mungon motivimi për të nisur një luftë, pasi të gjitha palët kontrollojnë territorin e tyre monoetnik, që përfshin pothuajse të gjithë anëtarët e tyre në Bosnje. Për shembull, kroatët nuk kanë asnjë arsye të rinisin luftën kundër serbëve, pasi në RS kanë mbetur afërsisht 5.000 kroatë të moshuar (nga 145.000 para luftës).

Po kështu, vetëm 8.000 serbë kanë mbetur në territorin etnik të kontrolluar nga kroatët në Kantonin 10. Në këto kushte, çfarë mund t’i motivojë boshnjakët të marshojnë, të pajisur vetëm me armë të vogla, drejt Banja Lukës, e cila është mbi 90 për qind serbe, për t’u përballur me një forcë të barabartë?

Kush është gati të rrezikojë jetën e tij dhe të familjes për një territor, për të cilin nuk ka asnjë mënyrë për ta kontrolluar efektivisht pa gjenocid dhe spastrim etnik? Pohimi i kohëve të fundit i Bakir Izetbegoviç, liderit të partisë më të madhe boshnjake në Bosnje, se boshnjakët do të mobilizonin 200.000 ushtarë për të parandaluar shpërbërjen e vendit, është më shumë një qëndrim politik që i drejtohet votuesve të tij por edhe komunitetin ndërkombëtar, sesa një deklaratë realiste.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë nuk mund të shpërthejë një dhunë e lokalizuar midis boshnjakëve dhe serbëve në Brçko, apo midis boshnjakëve dhe kroatëve në Bosnjën Qendrore. Pavarësisht kësaj mundësie, nuk ka asnjë tregues se kjo dhunë nuk do të qëndronte e lokalizuar.

Por vetëm sepse lufta nuk ka gjasa të nisë, kjo nuk do të thotë se kriza nuk duhet të merret seriozisht. Pas 3 vitesh në stanjacion ekonomik, Bosnja është në prag të kolapsit të plotë të sistemit politik, gjë që mund të çojë në shpërbërjen e vendit./CNA.al

https://europeanwesternbalkans.com/2021/11/12/violence-in-bosnia-and-herzegovina-is-possible-but-war-is-extremely-unlikely/

LEXO TE PLOTE

Blog

Si i shërbejnë njeri-tjetrit paniku, pushteti dhe përfitimi

Publikuar

-

Nga

Nga Steve Apfel “American Thinker”

Titujt e lajmeve që paraqesin një argument, nuk janë aq të zakonshëm. Por ja një titull që parashtron 2 argumente dhe shpall një të tretë:”Samiti COP26: Fokusohuni tek mënyra se

si të arrini objektivin e rritjes së temperaturës globale në vetëm 1.5 °C, dhe tek miliarda financime” .

Fjala panik përkufizohet si një “ndjenjë dërrmuese dhe e papritur tmerri ose ankthi, sidomos një ndjenjë që prek një grup të tërë njerëzish”. Fjala “panik” vjen nga perëndia greke Pan, burimi i frikës irracionale. Paniku në titullin e lartpërmendur, buron nga premtimi i nënkuptuar se ose duhet të arrijmë objektivin e rritjes së temperaturës në nivelin 1.5 gradë Celius ose më pak, në të kundërt do t’i themi lamtumirë njerëzimit.

Shumë njerëz e marrin këtë paralajmërim aq seriozisht, sa kanë planifikuar të mos kenë fëmijë, pasi ata do të ishin jetëshkurtër në një botë të dënuar nga stuhitë e furishme të zjarrit, përmbytjet që kërkojnë rindërtimin e Arkës së Noes, dhe erërat që shkundin nga themelet rrokaqiejt.

Në samitin e Gllasgout, mbretërit dhe princat kënduan parullën se “ndryshimi i klimës po e vret planetin”. Dhe se ilaçi është heqja dorë nga përdorimi i lëndëve djegëse fosile, dhe bashkë me to nga 80 për qind e energjisë në Perëndim, gjë që i shndërrson prodhuesit e mëdhenj të CO2 që e bojkotuan samitin e COP26 – Kina dhe Rusia – në duopolistë të pushtetit .

U mërzitët me kaq? Në fakt sa kemi filluar. Historia e mëposhtme nuk është marrë nga libri ”Liza në botën e çudirave”:Si të stërvitni lopën tuaj të shkojë të tualet, dhe të shpëtoni njëkohësisht planetin. Viçat mund të mësohen ashtu si fëmijët e vegjël!”.

Me shpresën se do të luftojë ndryshimet klimatike, dr.Jan Langbein, i Institutit Fridrih -Lovefler në Gjermani, shpreson se mund t’i trajnojë lopët që të përdorin tualetin. Psikika njerëzore, duket se ka një prirje për t’i “përtypur” historitë e gjata.

Historia na thotë se energjia e rinovueshme, është shpresa e vetme për ta çuar njerëzimin përpara. Dhe njerëzit e arsyeshëm thonë:Faleminderit Zotit që kemi energjinë bërthamore, të rinovueshme, dhe me pak emetime në atmosferë. Çfarë?! Jo, thonë klimatistët. Ajo është një gjë e tmerrshme? A mund të shpëtohet Toka me centrale bërthamore? As mos e çoni nëpër mend.

Në këto momente më kujtohet historia e zonjës së mbytur në det, e cila refuzoi kamerdaren e  shpëtimit, pasi rojtari i plazhit kishte refuzuar flirtin e saj. E megjithatë, e njëjta revistë ekonomike që mbështeti shpresën tek lopët e trajnuara që të jashtëqitin në enë të posaçme, shfaq edhe disa momente maturie:Edhe centralet bërthamore më të sigurta dhe produktive po mbyllen në të gjithë botën e pasur, dhe kjo do të thotë që ekonomitë e përparuara mund të humbasin deri 2/3 kapacitetit të tyre bërthamor deri në vitin 2040.

Prandaj vjen rritja e kostove të energjisë dhe kërcënimi real dhe aktual i inflacionit. Dikush dyshon nëse psikika njerëzore do të pulsojë kur t’i thuhet data e saktë e vdekjes së Nënë Tokë, siç parashikohet nga modelet klimatike. Dhe nëse doni të frenoni paksa panikun, këtë gjë nuk e lejojnë ekspertët.

Edhe kur vendosin një kufi kohor në parashikimet e tyre mbi Apokalipsin, ata nuk tërhiqen në një moment si dikur profetët e rremë. Ishte Martin i Tursit në Francë, ai që parashikoi fundin e botës deri në vitin 400, apo Harold Kamping që dha ditën e saktë:Njerëzimi do të shfarosej më 6 shtator 1994.

LEXO EDHE:  Rikthehen reshjet e dendura të borës/ ARRSH informon mbi gjendjen e rrugëve në vend

LEXO EDHE:  Nga Benito Musolini tek Adolf Hitleri dhe Josif Stalini/ Punët e para të 12 diktatorëve  



Njerëzit e rrethuan me të kuqe atë datë në kalendarët e tyre të varur në derën e frigoriferit. Për vite me radhë, ekspertët kanë paralajmëruar zhdukjen e plotë të akullnajave “deri në vitin 2020”. A është ky fundi i profetëve? Jo.

Në vend të tyre, ato që duhen të zhduken janë shenjat mashtruese, sepse viti 2020 tashmë ka kaluar dhe akullnajat e mëdha, 29 të tilla, mbeten të pashkrirë nga ndryshimet klimatike. A është Nëna Tokë një paciente për t’u kuruar?

Kush ose çfarë e mat temperaturën e saj të synuar prej 1.5°C? Vetë ideja se ajo është e nxehtë është e pakuptimtë. “Nuk mund të ketë një krahasim të mirë midis Detit të Vdekur dhe Malit Everest”- vëren Riçard Lindzen, profesor i shkencave atmosferike në Institutin e Teknologjisë në Masaçusets.

Lindzen përshkruan metodën e mundimshme të përdorur për të llogaritur temperaturën mesatare të tokës. “Ajo mund të mos jetë fare një parametër i mirë i matjes së klimës”- përfundon ai. Edhe nëse temperatura do të ishte një parametër i vlefshëm, kush thotë se një planet me e ngrohtë, është më kërcënues sesa një planet i ftohtë?

Një studim nga 22 shkencëtarë, zbuloi se moti i ftohtë vriste 17 herë më shumë njerëz sesa ai i nxehtë. Sa i përket vdekjeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore, ato ranë me 80 për qind gjatë periudhës kur temperatura u rrit me 1.25 gradë Celcius dhe popullsia u katërfishua.

Nëse paniku mbi klimën është shumë zhurmë për asgjë, përfitimi i gjeneruar nga paniku është shumë real.  Në samitin e COP26, institucionet financiare që kontrollojnë pothuajse 9 trilion dollarë asete, u zotuan që të ndalin shpyllëzimin. Gjesti më i madh erdhi nga Aleanca Financiare e Gllasgout për Zero Emetime.

Pronarët dhe menaxherët e aseteve, bankat dhe kompanitë  e sigurimeve zotërojnë 130 trilion dollarë asete, duke synuar të zvogëlojnë emetimet në zero deri në vitin 2050. Dhe liderëve të korruptuar që drejtojnë vendet e vafra po u shkon goja lëng.

Një ndër shtetet më të korruptuara është shteti i dështuar i Afrikës së Jugut. Ai do të marrë nga samiti një dhuratë prej 8.5 miliardë dollarësh, për të hequr dorë nga energjia e prodhuar nga qymyri. Edhe organizatat kriminale po fërkojnë duart, pasi një pjesë e mirë e tenderave do të fitohen nga miqtë e tyre.

Ashtu siç jemi nxitur që  ta konsiderojmë një virus si një kërcënim ekzistencial për shëndetin, edhe klimën po e cilësojmë një kërcënim ekzistencial për njerëzimin. Bëjini njerëzit të besojnë atë që u thuhet, dhe ata do të vrapojnë që të bëjnë siç u thuhet.

Sa më e madhe që të jetë frika e pakuptimtë, aq më e gjatë është historia që mund ta “përtypin” njerëzit si delet.

Covid-19, ka të bëjë më shumë me fuqinë për të kontrolluar njerëzit sesa me shëndetin. Klima ka të bëjë më shumë me fuqinë për të reformuar sistemin ekonomik, sesa me shkencën. Dhe rreziqet nuk mund të ishin më të larta sesa sot. Në rrezik është liria individuale, ajo e shoqërimit, dhe e lëvizjes./CNA.al

https://www.americanthinker.com/articles/2021/11/panic_power_and_profit_were_made_for_each_other.html

LEXO TE PLOTE