LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Kontrata kriminale/ KESH, humbje miliona euro me shkëmbimin e energjisë

7 Tetor 2021, 12:42, Politikë CNA

Kryeministri Edi Rama disa ditë më parë, në një konferencë për mediat paralajmëroi krizë energjitike dhe rritjen e çmimit të energjisë.

Por, ndërkohë që kreu i Qeverisë paralajmëron krizë, ajo çfarë ndodh në institucionet shqiptare duket të jetë një skandal.

Pra, pasuritë e shqiptarëve po zhvaten në momentin që kryeministri Rama paralajmëroi një krizë energjitike, duke parë bursën e cila pritet të shkojë 1 megavat rreth 220 euro në muajin dhjetor.

Dhe në një situatë të tillë, KESH, (Korporata Elektroenergjitike Shqiptare), e cila është prodhuesja kryesore e energjisë në vend e gjitha nga burimet ujore, sot po eksporton energji elektrike.

Për ata që duan ta kuptojnë më thjeshtë, Shqipëria ka krizë dhe blen energji me 200 euro megavatin dhe nga ana tjetër, KESH-i rreth 4 mijë megavat energji elektrike në ditë ia jep një kompanie private.

Kjo sipas vendimit 782 të Autoritetit të Konkurencës, në muajin mars.

Kontrata jo vetëm është firmosur në KESH, por ka marrë OK, edhe tek Autoriteti i Konkurencës.

CNA.al ka mësuar se KESH edhe pse e ka ditur situatën problematike hidrike, edhe pse është në dijeni të një krize, shet energji jashtë.

Dhe kjo jo duke arkëtuar të ardhura, por jep një sasi energjie e cila del jashtë, në pikun e kërkesës për energji. Pra, rreth orës së mesditës kur dhe kërkesa është më e lartë dhe një kompani private që merr këtë energji e kthen atë pas mesnate.

Dhe sot një kompani private fiton qindra mijëra euro në ditë, dhe miliona euro në muaj, kurse KESH merr vetëm lëmoshë.

Burimet për CNA.al bëjnë të ditur se në bazë të kësaj kontrate, energjia është shkëmbyer deri ditët e fundit.

Kontrata që CNA.al do ta publikojë në vijim tregon se KESH po kryen një akt kriminal.

Kur vendi po përjeton krizë energjitike. Kur energjia blihet me çmim të shtrenjtë, në kohën e pikut dhe kërkesës më të lartë të kësaj energjie KESH e nxjerr jashtë dhe e merr gjatë natës, kur çmimi është shumë i lirë dhe askush nuk ka nevojë për energji.

CNA.al ka kryer një investigim dhe ka verifikuar çdo të dhënë, të konfirmuar edhe nga zyrtarë të lartë të KESH, nga burimet e saj konfidenciale, nga Autoriteti i Konkurencës, për një akt kriminal që po ndodh ditë pas dite dhe e cila çon disa miliona euro në xhepat e një kompanie private dhe jep disa cikërrima KESH-it, i cili në kohë krize, në vend që këtë energji ta fusë në sistemin shqiptar, të ulet çmimi dhe t?iu jepet qytetarëve, çohet jashtë dhe merret pas mesnate.

Vijon?/CNA.al

Lajmet e fundit nga