Connect with Us

Çfarë është kanceri, të vërtetat dhe keqkuptimet

Blog

Çfarë është kanceri, të vërtetat dhe keqkuptimet

Publikuar

-

cna lajme blog

Nga Jennifer Welsh “Live Science”

Kanceri është një gjendje shëndetësore e vështirë dhe shumë shpesh e keqkuptuar nga njerëzit. Një diagnozë me kancer, mund të duket si një dënim me vdekje, por e vërteta mund të jetë shumë më e komplikuar.

Kanceri është një term përmbledhës për çdo rritje të pakontrolluar (ndonjëherë të quajtur tumor) në trup që përhapet nga pika ku filloi të shfaqet. Përhapja e bën tumorin malinj, gjë që do të thotë se ai është më vdekjeprurës.

Por nëse rritja ndalet dhe ai nuk përhapet, atëherë konsiderohet beninj, gjë që do të thotë se nuk është kancerogjen, dhe ka shumë më pak gjasa që të jetë i dëmshëm ose e rrezikshme. “Një qelizë kanceroze ka qenë në një moment një pjesë normale e trupit tuaj.

Por diku me kalimin e kohës ajo e humbi aftësinë e saj për të funksionuar si një qelizë normale. Ajo që e shndërron në kancer një qelizë, është pikërisht humbja e funksionit vetë-rregullues, dhe tashmë ajo rritet në mënyrë të pakontrollueshme dhe përhapet në pjesë të ndryshme të trupit”- thotë dr.Ishvaria Subiah, një mjek i kujdesit paliativ dhe onkolog mjekësor në Qendrën e Kancerit MD Anderson në Universitetin e Teksasit.

Shumë raste me kancer mund të trajtohen në mënyrë efektive, dhe kjo sigurisht në varësi të llojit dhe se sa herët e zbulojnë mjekët. Por teksa përhapet, kanceri mund të prekë organet thelbësore të trupit, duke e vrarë në fund pacientin. Kjo është arsyeja pse njoftimi i menjëhershëm i mjekut për ndonjë simptomë apo ndryshim të pazakontë në trup, dhe bërja e analizave të rekomanduara janë thelbësore për kapjen e hershme të kancerit.

Disa kancere, veçanërisht ato në organet pranë sipërfaqes së trupit, mund të zbulohen me prekje – ndjenja për gunga ose gunga. Për shembull, vetë-kontrollimi mujor i gjirit për gunga është një mënyrë e rëndësishme për të zbuluar herët kancerin e gjirit. 

Por në varësi të vendit ku shfaqet kanceri, sa e madhe është rritja e tij dhe nëse kanceri është përhapur, disa pacientë me kancer mund të mos ndjejnë fare simptoma për shumë kohë. “Disa nga kanceret më të vështira për t’u trajtuar, janë pjesërisht ato që janë zbuluar nga vetë pacienti sepse ka ndier simptoma e tyre, ata janë bërë shumë të mëdhenj ose janë përhapur në pjesë të tjera të trupit. Në fakt nuk ka shumë gjasa që ta ndjeni atë, ndoshta derisa kur të bëhet më i madh dhe të fillojë të ngacmojë disa nga kanalet dhe organet e tjera”-thotë Subiah.

Kështu, sipas Shoqërisë Amerikane të Kancerit, disa nga simptomat e hershme të kancerit që një person mund të ndiejë para se të diagnostikohet me tumor, përfshijnë një ndjenjë të përgjithshme të lodhjes fizike përtej normales, rënie peshe pa ushtruar ndonjë aktivitet fizik të madh, dhe simptoma të tjera përfshirë djersitjen gjatë natës.

“Ka shumë sëmundje në trupin e njeriut, të cilat shfaqen me këto simptoma të paqarta. Nëse dikush djersin gjatë natës ose ndihet shumë i lodhur, ai nuk duhet të mendojë automatikisht për kancerin. Por këto sinjale duhet ta nxisin atë që të shkojë dhe të vizitohen tek mjeku”- thekson Subiah.

Sipas Institutit Kombëtar të Kancerit, në rast se një pacient ka simptoma për të cilat një mjek dyshon se mund të sinjalizojë praninë e kancerit, ai zakonisht duhet t’i nënshtrohet disa testeve, para se të ketë një diagnozë zyrtare.

Në fillim mjeku e pyet gjerësisht pacientin mbi historinë familjare dhe personale, për të kontrolluar për çdo faktor rreziku për kancerin. Po ashtu mjeku mund të kërkojë kryerjen e testeve për të analizuar gjakun e pacientit dhe për të kërkuar për shenja të mundshme të kancerit.

Pastaj, mjeku do të analizojë imazhet e skanerave CT, MRI ose lloje të tjera të skanimeve, që kërkojnë të zbulojnë rritjet anormale. Zakonisht këto skanime nuk mund t’i tregojnë mjekut nëse tumori është malinj, por ato mund të tregojnë madhësinë e tij, nëse ai ndikon në organet kryesore, nëse është përhapur përtej indit nga ka ardhur, dhe nëse është përhapur shumë në më tepër se një organ.

LEXO EDHE:  Terrorizmi nuk mposhtet, vetëm duke i mbyllur njerëzit nëpër burgje

“Në gati çdo rast, kanceri duket ndryshe nga indi normal që e rrethon. Në varësi të llojit të imazhit të përdorur, kanceri mund të shfaqet si një pikë e ndritshme ose një pikë e errët në krahasim me indet normale”- thotë ajo.

Gati të gjithë kancerat shkaktohen nga ndryshimet në kodin gjenetik të qelizave normale apo  ADN-në . Ai kod u tregon qelizave se çfarë të bëjnë dhe kur të bëjnë diçka. Po ashtu, ai përmban udhëzime se si të ndërtohen të gjitha proteinat aktive dhe strukturore që u japin qelizave të trupit formën e tyre, dhe dikton se si i kryejnë qelizat detyrat e tyre të përditshme.

“Qelizat e trupit tonë, zhvillojnë mutacione të reja gjatë gjithë kohës, dhe janë mekanizmat tanë natyralë në trup ato që e kapin atë mutacion dhe vendosin nëse ajo qelizë mund të vazhdojë në atë mënyrë apo do të zhduket”– shprehet Subiah.

Tumoret bëhen malinje apo kancerogjene, kur zhvillojnë këto mutacione, të cilat u shpëtojnë mekanizmave natyralë të trupit. Zakonisht janë 3 lëvizje që mund të bëjë një qelizë për t’u bërë kancerogjene. Një mutacion e lejon qelizën të ndahet në mënyrë të pakontrollueshme, e ndihmon atë t’i shmanget sistemeve normale të riparimit të qelizave, ose e bën atë rezistente ndaj proceseve të trupit për të zhdukur qelizat që po plaken, dhe ADN-ja e tyre është duke u prishur dhe zhvillon mutacione.

Shumë kancera fitojnë mutacione që mundësojnë më shumë se një nga këto lëvizje. Ndërsa shkaqet e mundshme të disa kancerave janë të mirë-përcaktuara, si pirja e duhanit që shkakton kancer të mushkërive, ekspozimi ndaj rrezatimit ultravjollcë që çon në kancer të lëkurës, dhe virusin e papillomës njerëzore (HPV) që shkakton kancerin e qafës së mitrës, shumica e kancereve nuk kanë një shkak të drejtpërdrejtë.

Ndodh kryesisht rastësisht që disa nga mutacionet që ndodhin, të ndikojnë mbi mënyrën se si ADN-ja kontrollon vetitë e qelizës të lidhura me kancerin, dhe po rastësisht ato qeliza vazhdojnë të rriten dhe të bëjnë gabime të reja, duke u shndërruar në qeliza kanceroze.

Ndërkohë dieta ushqimore dhe aktiviteti fizik i një personi, gjithashtu mund të rrisin shanset e trupit për të zhvilluar mutacione, duke ndikuar potencialisht në rrezikun e zhvillimit të kancerit. Tek disa njerëz, sindromat gjenetike me origjinë tek pjesët e prishura të ADN-së së një personi, luajnë një rol në rrezikun e prekjes nga kanceri.

Por fakt është se shumica e kancerave nuk janë për shkak të gjeneve të veçanta të trashëguara. Ndërsa studiuesit kanë mësuar më shumë mbi shkaqet e kancerit gjatë dekadave të fundit, trajtimi i kancerit ka përjetuar një transformim total.

Trajtimet tradicionale të kancerit përfshijnë kirurgjinë, terapinë me rreze dhe kimioterapinë. Këto mjete janë përdorur për dekada për të trajtuar kancerin, dhe po përmirësohen vazhdimisht. Operacioni e heq fizikisht kancerin nga trupi.

Teknikat e kirurgjisë janë duke u përmirësuar, duke u bërë më pak invazive dhe duke lënë më pak efekte afatgjata.

Për shkak se kirurgjia mund të lërë pas pjesët mikroskopike të kancerit ose t’i shpëtojnë qelizat e kancerit që tashmë janë përhapur në inde apo organe të tjera, mjekët zakonisht rekomandojnë edhe trajtime të tjera. Për shembull, një pacient mund t’i nënshtrohet një operacion për të hequr një tumor, pastaj t’i nënshtrohet një trajtimi me rreze ose kimioterapi për të vrarë qelizat kanceroze që kanë mbetur.

Gjatë 20 viteve të fundit, studiuesit i kanë shtuar shumë mjete të reja arsenalit në luftën kundër kancerit. Terapitë e reja janë ilaçet e dizenjuara për të goditur qelizat kanceroze bazuar në karakteristikat e tyre unike. Imunoterapitë janë një klasë tjetër e barnave, të cilat funksionojnë duke forcuar aftësinë natyrore të trupit për të sulmuar kancerin.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Blog

Kriza e refugjatëve/ Një shfrytëzim tjetër i dobësive të Evropës nga autokratë si Llukashenko

Publikuar

-

Nga

cna lajme blog

Nga Judy Dempsey “Carnegie Europe”

Në javët para shpërthimit të krizës, udhëheqësit e BE-së u sollën sikur nuk e kuptonin potencialin e përshkallëzimit të situatës. Që nga korriku i këtij viti, mijëra njerëz nga Iraku dhe vende të tjera të Lindjes së Mesme, kanë përfituar nga ajo që ata e konsideronin si një mënyrë relativisht të lehtë për të hyrë në një vend të BE-së.

Të nxitur nga regjimi i liderit bjellorus Aleksandër Llukashenko, ata blenë bileta avioni, morën lehtësisht vizat dhe fluturuan për në Minsk, kryeqytetin e Bjellorusisë. Kur mbërritën atje, ata shoqëroheshin shpesh nga forcat bjelloruse të sigurisë në kufirin me Lituaninë, anëtare e BE-së dhe NATO-s.

Aty shumë prej tyre kaluan ilegalisht kufirin. I pamësuar me flukse të tilla emigrantësh, Vilniusi u garantoi strehim refugjatëve të mbërritur, por në të njëjtën kohë e forcoi kufirin. Skenat shpeshherë dramatike në këto vendkalime, ishin vetëm një shembull i vogël i gjërave që do të vinin më pas në kufijtë e Polonisë dhe Letonisë me Bjellorusinë.

Situata u përshkallëzua me shpejtësi:disa video të publikuara në internet më 8 nëntor, treguan mijëra emigrantë emigrantë të grumbulluar në kufirin polako-bjellorus, me disa prej tyre që kërkonin të hynin me forcë në Poloni. Varshava kishte ngritur tashmë një gardh me tela me gjemba për të mbrojtur kufirin e saj, dhe e ndaloi praninë në zonë të mediave dhe organizatave të shoqërisë civile.

Mbi 12.000 ushtarë dhe policë janë dërguar për të mbrojtur kufirin. Kushtet në terren për emigrantët janë të tmerrshme. Ata kanë ngritur çadra jashtë në motin e acartë. Dhe rrihen nga ushtarët bjellorusë dhe shtyhen mbrapsht me dhunë nga pala polake.

Pavarësisht se janë instrumentalizuar nga Lliukashenko dhe nga Kremlini, emigrantët po i vazhdojnë përpjekjet e tyre për të hyrë në Bashkimin Evropian. Llukashenko mbetet në pushtet falë shtypjes së dhunshme ndaj çdo forme të kundërshtimit ndaj rezultateve të zgjedhjeve presidenciale të manipuluara të gushtit të vitit 2020, por edhe falë aleatit të tij, presidentit rus Vladimir Putin.

Llukashenko, pa dyshim edhe më mbështetjen e Putinit, e ka përdorur çështjen e emigracionit si një armë për ta ndëshkuar BE-në për vendosjen e sanksioneve ndaj regjimit të tij të diskredituar. Minsku dhe Moska, e dinë shumë mirë se një nga dobësitë më të mëdha të Evropës është reagimi i saj i dobët ndaj çështjes së emigrimit ilegal.

Kjo dobësi, e cila u pa qartë gjatë krizës së refugjatëve të vitit 2015, kur blloku u përça mbi strehimin e refugjatëve që iknin nga lufta në Siri, dhe e cila nuk është riparuar ende. Në vend se ta trajtojë ballazi krizën e fundit, Evropa po ndërton një fortesë brenda kufijve të saj, diçka për të cilën kryeministri hungarez Viktor Orban u kritikua në vitin 2015, kur ai ndërtoi një kufi të fortifikuar për të penguar kalimin tranzit të emigrantëve dhe refugjatëve drejt vendeve të tjera anëtare të BE-së.

Orban filloi në atë kohë një tendencë. “Sot ka një forcim masiv të politikave në këtë fushë”- thotë Stefan Lene, ekspert i migracionit. Brukseli vendosi sanksione më të ashpra disa muaj më parë, kur Bjellorusia rrëmbeu një avion të kompanisë “Ryanair”, duke e detyruar atë të ulej në Minsk, në mënyrë që të arrestonte një nga pasagjerët e tij, gazetarin dhe aktivistin e opozitës Roman Protasevich.



LEXO EDHE:  SHBA e ka rrënuar ekonomikisht Iranin, regjimi nuk e përballon dot një luftë me superfuqinë e botës

LEXO EDHE:  Vdekja e tmerrshme e Princeshës Diana, dhe teoritë e komplotit rreth saj

Tashmë në kundërpërgjigje ndaj zhvillimeve të fundit, disa qeveri evropiane po bëjnë thirrje për një grupim të ri sanksionesh. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka propozuar dërgimin e një zyrtari të lartë “në vendet kryesore të origjinës dhe transitit”. Këto vende, tha ajo “duhet të veprojnë për të parandaluar që shtetasit e tyre të bien në grackën e ngritur nga autoritetet bjelloruse”. Unioni duhet të shqyrtojë se si të vendosë sanksione të reja, përfshirë përmes listave të zeza, ndaj linjave ajrore të vendeve të treta që janë më aktive në trafikimin e qenieve njerëzore.

Por mos prisni ndonjë vendim të shpejtë. Reagimi i BE-së ndaj këtij fenomeni të ri të emigracionit, konfirmon mungesën e një politike të emigracionit dhe azilit, qoftë edhe afatshkurtër. A do të kishte qenë kaq e vështirë, që me ndihmën e BE-së, Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të migracionit, të organizohej ngritja e kampeve brenda kufijve polakë dhe lituanez, për të dokumentuar dhe vlerësuar statusin e emigrantëve?

Kjo do të kishte parandaluar vuajtjet e tyre. Kuptohet që qeveritë e BE-së në rajon, të cilat kanë qenë shumë kritike ndaj represionit së Llukashenkos dhe kanë miratuar sanksionet, nuk kanë dëshirë që ta pranojnë këtë ide. Ata argumentojnë se kjo do të legjitimonte përdorimin e emigrantëve si një armë nga lideri bjellorus.

Pavarësisht nga dhuna e ushtruar ndaj tyre, ai do të vazhdojë që t’i shtyjë emigrantët përtej kufijve. Sa për krahasim, në Brandenburg, landin gjerman ngjitur me Poloninë, 100-150 emigrantë kanë kaluar çdo ditë nga Polonia në Gjermani gjatë javëve të fundit, dhe atyre u ofrohet strehim dhe kujdes.

Autoritetet po shqyrtojnë kërkesat e tyre për azil. Këto procedura janë të ngadalta dhe burokratike, të ngjashme me kthimin e emigrantëve të paligjshëm në vendin e tyre të origjinës. Në vitin 2016, BE-ja, e udhëhequr nga Gjermania, arriti një marrëveshje me Turqinë për të ndalur fluksin e emigrantëve dhe refugjatëve drejt unionit.

Pra Ankaraja u pagua për ta importuar problemin e emigracionit në Evropë. Por nuk mund të bëhet e njëjta gjë me Llukashenkon. Pasi kjo do të nënkuptonte negocimin me regjimin e tij, diçka që BE-ja e urren. Dhe për më tepër, kjo do të nënkuptonte faktin që Llukashenko dhe Putin do të korrnin fitore nga instrumentalizimi i emigrantëve.

Ndërkohë, një zyrtar i NATO-s ka thënë se aleanca “është e gatshme të ndihmojë më tej aleatët tanë, dhe të ruajë sigurinë në rajon”. Në këto kushte, shumëkush pyet veten nëse Bjellorusia dhe Rusia po mendojnë mbi atë që mund të jetë një konfrontim i rrezikshëm me NATO-n.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al

https://carnegieeurope.eu/strategiceurope/85735

LEXO TE PLOTE

Blog

A është “Apokalipsi i klimës” një mashtrim global?

Publikuar

-

Nga

cna lajme blog

Nga Lucio Leante “Opinione.it”

A jemi vërtet – siç thonë shumë njerëz – në pragun e një katastrofe klimatike? Ish-presidenti i SHBA-së, Barak Obama, i pranishëm në punimet e samiti të klimës COP26 në Gllasgou mendon se po:“Koha po ikën… kjo është një dekadë vendimtare për të shmangur katastrofën”.

Asnjë befasi edhe nga deklarata e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, më 26 tetor:”Gjendemi në pragun e katastrofës klimatike!”. Dhe këtu mund të përmendim shumë figura të tjera globale, për harruar as besimtarët dhe ndjekësit e shumtë të asaj para-feje të shpëtimit nga Apokalipsi, që gjeti një profete tek adoleshentja Greta Tunberg.

Parashikimi i një Apokalipsit të afërt, i cili mund të shmanget vetëm nëse bota eliminon emetimet në atmosferë të dioksidit të karbonit CO2 “deri nga mesi ose rreth mesit të këtij shekulli”, ndahet nga thuajse të gjithë “të mëdhenjtë” dhe “të vegjlit” e botës.

Tashmë është një e vërtetë praktikisht zyrtare, e cila përsëritet nga masmediat e mëdha dhe të vogla, me raporte, artikuj, filma dhe dokumentarë të panumërt. Skenari që ata ilustrojnë përsëritet çdo ditë:valët e të nxehtit ekstrem, shpyllëzimi dhe shkretëtirëzimi, përmbytjet për shkak të shkrirjes së akullit polar, shirat e rrëmbyeshëm nga Siberia në Kanada, nga SHBA-na një Evropën Veriore dhe Mesdhe.

Për të mos harruar miliarda refugjatët e klimës, apo zhdukjen e ariut polar. Megjithatë, disa shkencëtarë e kundërshtojnë këtë pretendim, edhe nëse injorohen nga mediat kryesore. Disa prej tyre janë edhe në Itali si Antonino Zikiki dhe Franko Prodi, të cilët, edhe në intervistat e kohëve të fundit dolën kundër shumicës, dhe kundërshtuan vlerën shkencore të këtyre parashikimeve, duke mbështetur besimin e tyre të palëkundur tek origjina kryesisht antropogjene e ngrohjes aktuale globale.

Midis shkencëtarëve skeptikë është edhe Stiven Kunin, një fizikant i specializuar mbi klimën, që ka mbajtur postin e Nënsekretarit të Shkencës dhe Energjisë në qeveritë e Barak Obamës. Kunin mohon pretendimet e ish-presidentit të tij Obama në librin e tij të fundit “Unsettled” (2021), që po bën bujë në të gjithë botën.

Bazuar në të dhënat që zotëron, ai pretendon se nuk ka dhe s’do të ketë një Apokalips të shkaktuar nga ndryshimet klimatike. “Që planeti po ngrohet ky është një fakt”- thotë Kunin. Sipas tij ka shumë të ngjarë që një pjesë e vogël e ngrohjes globale, të jetë shkaktuar për shkak të emetimeve të CO2 nga lëndët djegëse fosile.

Por Kunin thotë se përfundimet e nxjerra prej saj janë të gabuara, dhe se në fakt nuk pritet të përballemi me asnjë katastrofë. Dhe është e gabuar të besohet, që ne mund të rregullojmë sipas dëshirës ​​sasitë e gazeve që emetojmë në atmosferë, dhe të besojmë se kjo masë në vetvete, ka një efekt direkt mbi temperaturat e planetit tonë.

Për këto besime të rreme që janë përhapur, Kunin bën më shumë fajtor sistemin mediatik sesa IPCC (Panelin Ndërkombëtar për Ndryshimet Klimatike të OKB- së). Media i dramatizon enkas ngjarjet klimatike për të tërhequr audiencë.

Dhe duket se narrativa e ndryshimeve të klimës po shitet shumë. Për shembull, skenarisipas së cilit përmbytjet, thatësira, shtërngatat e forta të shiut, stuhitë, ciklonet tropikale do të intensifikohen në një lidhje të drejtpërdrejtë me ndryshimet klimatike, përcaktohet në raportin e IPCC si e “një besueshmërie të ulët”.

E megjithatë, ai përsëritet në mënyrë obsesive në media. Katastrofizmi ngjall tek publiku dy reagime:së pari që ndryshimet klimatike janë shkaktuar nga njeriu, dhe se “diçka radikale dhe urgjente” duhet bërë menjëherë. Mjerisht, përgjigja e qeverive përfundon duke u bërë ritualistike dhe frustruese:“Është faji i CO2, le të reduktojmë emetimet!”.

Kunin beson se shkencës i atribuohen shumë keqkuptime, klishe, pasaktësi, të cilat e shtrembërojnë debatin publik për klimën. Thjeshtëzimi sakrifikon saktësinë, por e shton shumë audiencën. Të njëjtat modele dhe skenarë që ndërton dhe projekton IPCC deri në vitin 2050 e më tej janë sipas Kunin vetëm hipoteza.

LEXO EDHE:  BE duhet të ndahet në 2 nivele për të përfshirë shpejt Ballkanin dhe Turqinë

LEXO EDHE:  Vdekja e tmerrshme e Princeshës Diana, dhe teoritë e komplotit rreth saj



Ato nuk ofrojnë asnjë siguri, dhe mbi të gjitha nuk kanë asnjë vlerë përshkruese. “Të gjitha modelet janë të gabuara, por disa bëhen të dobishme”- thotë ai. Duhet pasur parasysh se kur flet për një hipotezë të IPÇ, dikush shkruan:”Këtë e thotë shkenca!”.

Klima mbetet në çdo rast kaotike, dhe ajo zhvillohet pothuajse gjithmonë në një mënyrë shumë të ndryshme nga modeli. Kunin thotë se është sigurisht e vërtetë që prania e CO2 në atmosferë është rritur shumë gjatë 2 shekujve të fundit. Ajo ka qenë rreth 280 ppm (pjesë për milion) për shekuj me radhë.

Më pas, në fillim të shekullit XIX që përkon edhe me industrializimin, nisi që të rritet, dhe sot është në 410 ppm, gati dyfishi, ose më saktë 130 ppm më shumë. Kjo sasi që i atribuohet përdorimit të lëndëve djegëse fosile, besohet të jetë e tepërt, dhe ngrohja aktuale globale i atribuohet vetëm asaj.

Por këtu kemi një gabim serioz, pasi kjo sasi shtesë – vëren Kunin – nënkupton vetëm 2.8 molekula CO2 më shumë për 10.000 gaze të tjera serrë. Ky shtim bën që nxehtësia, e kapur dhe e mbajtur nga gazrat serrë, të shkojë nga 81.1 në vetëm 81.7 për qind.

Si përfundim, është praktikisht e pamundur që vetëm ai ndryshim i vogël të shpjegojë të gjithë rritjen e temperaturave (+1.5 gradë Celsius) gjatë 250 viteve të fundit. Për më tepër, CO2 është një gaz shumë i qëndrueshëm.

60 për qind e gazit të emetuar mbetet në atmosferë për 20 vjet, 55 për qind e tij mbetet për një shekull, dhe 15 për qind madje edhe 1 mijë vjet. Pra CO2 që është tashmë në atmosferë, është e destinuar të mbetet atje. Politikat kundër emetimeve nuk e prekin atë, por kanë të bëjnë vetëm me emetimet e reja.

Është e vërtetë, vëren Kunin, që nëse do të vazhdonim të emetonim si zakonisht, në vitin 2070 dioksidi i karbonit në ajër do të dyfishohej sërish (në 820 ppm). Por edhe në këtë hipotezë, nxehtësia e kapur dhe e mbajtur nga gazrat serrë, do të shkonte vetëm nga 81.7 në 82.1 për qind.

Nëse nga ana tjetër, do të vinim në zbatim shkurtimet e parashikuara nga marrëveshjet e gjelbra, do të stabilizonim përqindjen aktuale të nxehtësisë së evidentuar. Në fakt, asgjë nuk garanton që zerimi i emetimeve deri në vitin 2050 (duke supozuar se këtë do ta bëjnë që të gjithë), dhe stabilizimi i sasisë aktuale të CO2, do të jetë i mjaftueshëm për ta mbajtur rritjen e temperaturës brenda 2 gradë Celsius.

Ky është thjesht një bast me rrezikshmëri por dhe me kosto shumë të lartë. Të dhënat dhe argumentet e ofruara nga Kuin thonë se në çdo rast, Apokalipsi është i përjashtuar si mundësi, pavarësisht se ai merret si i mirëqenë nga të mëdhenjtë dhe të vegjlit e botës.

Atëherë pse Apokalipsi i klimës, trajtohet si një e vërtetë thuajse e padiskutueshme?

E vërteta është se çdo hipotezë, sado e çmendur dhe e pabazuar në fakte, kur është e aftë të ngjallë terror apo shpresë, bëhet shpejt shumë popullore dhe “e vërteta e kohës”. Sidomos nëse ngjall njëherazi terror dhe shpresë. Dhe prandaj është shumë e vështirë që ta kundërshtosh atë.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al

https://opinione.it/editoriali/2021/11/09/lucio-leante_cop-26-apocalisse-climatica-bufala-koonin

LEXO TE PLOTE

Blog

Pse nuk po vaksinohen evropiano-lindorët?

Publikuar

-

Nga

cna lajme blog

Nga Kristen Ghodsee& Mitchell A.Orenstein “Project Syndicate”

Teksa javët e fundit Evropa është bërë sërish epiqendra globale e pandemisë COVID-19, rritja e rasteve të koronavirusit, shtrimeve në spital dhe vdekjeve, kanë nxjerrë në pah hezitimin e vazhdueshëm ndaj vaksinave, sidomos nga një grup evropianësh:atyre në Lindjen e dikurshme komuniste.

Ndërsa 75.6 për qind e qytetarëve të Bashkimit Evropian janë plotësisht të vaksinuar, përqindja në Bullgari është vetëm 26.2 për qind, ndërsa në Rumani dhe 39.6 për qind. Në vendet jashtë BE-së, shifrat janë akoma më të ulëta. Kështu, vetëm 20.2 për qind e popullsisë së Ukrainës dhe 36.3 për qind e asaj ruse është vaksinuar plotësisht.

Por çfarë nuk shkon me Evropën Lindore? Kjo dukuri përmblidhet me një fjalë:dezinformim. Rajoni është zhytur në këtë të fundit, çka është një trashëgimi e dëmtimit të besimit të publikut tek institucionet qeveritare pas komunizmit. Teoritë e ethshme të konspiracionit, i kanë mbërthyer këto vende si hija e koronavirusit.

Një mjeke ukrainase e përmblodhi kështu situatën në vendin e saj:“Historitë e rreme janë përhapur gjerësisht në vend, duke i bërë njerëzit të besojnë tek mikroçipet dhe mutacionet gjenetike … Disa priftërinj ortodoksë u kanë kërkuar hapur dhe në mënyrë agresive njerëzve që të mos vaksinohen, ndërsa rrjetet sociale janë mbushur me thashethemet nga më absurdet. Ukrainasit kanë mësuar që të mos i besojnë çdo lloj nisme të autoriteteve, dhe vaksinimi nuk përbën një përjashtim”.

Ndërsa normat e vdekjeve po i tejkalojnë tashmë kulmet e mëparshme dhe frika është duke u shtuar, ndërkohë po rritet edhe shkalla e vaksinimit. Por në shumë vende janë shumë të përhapura certifikatat e rreme të vaksinimit dhe rezultatet e testit PCR.

Për shembull, në Bullgari certifikatat e vaksinimit dhe rezultatet e testeve mund të blihen për 150-300 euro, dhe askush nuk e di se sa shumë dokumente të tilla janë në qarkullim. Edhe ata që kanë parë shumë prej miqve të tyre të ndërrojnë jetë,ende këmbëngulin se vaksinat janë të rrezikshme, pasi përmbajnë nanobote, apo se ato do të rishkruajnë ADN-në e tyre, apo se siguria publike nuk mund të lihet në dorë të korporatave globale farmaceutike që i prodhojnë ato.

Sigurisht që thashethemet dhe dezinformimi janë gjithashtu të përhapura edhe në Perëndim. “Fox News”, që është edhe kanali më i ndjekur i lajmeve kabllore në Shtetet e Bashkuara, ka përhapur për vite me radhë informacione të pasakta për sa i përket vaksinave.

Por aktualisht 70 për qind e amerikanë në moshë madhore, janë plotësisht të vaksinuar. Pse atëherë kaq shumë evropianolindorë janë më të ndjeshëm ndaj tyre ? Niveli i ulët i besimit të publikut që spikat në Evropën Lindore, ka mbetur si trashëgimi që prej rënies së komunizmit, recesioneve të thella tranzitore në shumë vende, dhe dështimit të qeverive postkomuniste për të zbutur efektet.

Ndërsa një artikull shumë i njohur i “Reuters” raporton se opinioni i të ashtuquajturve “ekspertë” të paidentifikuar fajëson “dekadat e sundimit komunist për humbjen e besimit të publikut tek institucionet shtetërore”, kur në fakt besimi i publikut tek autoritete ishte shumë më i lartë në komunizëm.

Gjatë kohës që shkruanim librit tonë më të fundit, “Analiza e tronditjes:Pasojat sociale të revolucioneve të 1989-ës”, ne shqyrtuam mungesën e besimit tek publiku evropiano-lindor, duke përdorur të dhëna nga anketa e “Vlerave Botërore” dhe anketa e “Jetës në Tranzicion” të mundësuara nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Me pak përjashtime, anketa e “Vlerave Botërore” tregonte një rënie të vazhdueshme në vendet ish-komuniste të përqindjes së njerëzve, që pajtoheshin me thënien se “shumicës së njerëzve mund t’u besohet”.

Kjo rënie ishte më e dukshme në vendet që u prekën më shumë nga recesioni postkomunist, dhe nuk u kthye më kur pati rritje ekonomike. Ndërkohë, besimi i publikut vazhdonte të binte edhe më shumë. Në Bullgari, midis viteve 1995-1998, ndër vitet më të vështira tranzitore të recesionit, 23.7 për qind e të anketuarve kishin besim tek bashkëkombasit e tyre, krahasuar me vetëm 17.1 për qind në vitet 2017-2020.

LEXO EDHE:  Terrorizmi nuk mposhtet, vetëm duke i mbyllur njerëzit nëpër burgje

LEXO EDHE:  SHBA e ka rrënuar ekonomikisht Iranin, regjimi nuk e përballon dot një luftë me superfuqinë e botës

Në Rumani, besimi mes qytetarëve ra nga 17.9 për qind, në 12.1 për qind po në atë periudhë. Edhe në rastet relativisht të suksesshme të Polonisë dhe Republikës Çeke, për të cilat anketa e “Vlerave Botërore” ka të dhëna më të plota, besimi ra gjatë tranzicionit postkomunist.



Në vitet 1989-92, 31.3 për qind e polakëve dhe 30.2 për qind e çekëve besonin se mund t’i besohej shumicës së njerëzve. Në vitet 2017-2020, kjo përqindje ishte dukshëm më e ulët -respektivisht 24.1 për qind, dhe 21.1 për qind.

Në mënyrë të dukshme, ndërsa besimi social ra në Evropën Lindore midis viteve 1991-2007, ai pësoi rritje në Evropën Perëndimore. Në vitin 2006, BERZH kreu anketën e saj masive “Jeta në Tranzicion”, duke zhvilluar 1000 intervista ballë për ballë në 28 vendet postkomuniste.

Ajo zbuloi se ndërsa para vitit 1989, 2/3 e të anketuarve besonin se mund t’i besoje shumicës së njerëzve, 17 vjet më vonë vetëm rreth 1/3 ranë dakord se mund t’i besohej shumicës së njerëzve. Ky rezultat, ishte i konstant në të gjitha rajonet dhe vendet, ku shumica e të anketuarve nga të gjitha grupmoshat dhe kategoritë, ishin të mendimit se njerëzit ishin “më të besueshëm” në periudhën e komunizmit.

Nuk ishte për t’u habitur që zhgënjimi i pësuar për shkak të pasojave të tranzicionit, e uli në mënyrë të ndjeshme besimin e përgjithshëm për institucionet publike (përfshirë qeverinë, parlamentin, gjykatat, ushtrinë dhe policinë) në të gjithë rajonin post-komunist duke nisur nga viti 1990 deri në vitin 2010.

Nga viti 1990 deri në vitin 2013, besimi tek institucionet politike në Evropën Qendrore dhe Lindore u përgjysmua. Duke analizuar këto të dhëna, Erik Berglöf, që në atë kohë ishte krye-ekonomist i BERZH, arriti në përfundimin se:“Është e rëndësishme të kihet parasysh se nuk duhet nënvlerësuar dëmi i shkaktuar gjatë atyre kohërave të vështira, jo vetëm në aspektin e mirëqenies materiale, por gjithashtu edhe në nivelet e përgjithshme të besimit dhe mirëqenies subjektive.”

Në fakt, të dhënat e sondazhit nxjerrin në pah një fakt jo shumë të njohur:recesionet postkomuniste, ishin më të këqijat në historinë moderne, edhe më të këqija se sa Depresioni i Madh. Por jo të gjitha vendet vuajtën njësoj.

Ndërsa një pjesë e madhe, veçanërisht vendet e Evropës Qendrore, e rimorën relativisht shpejt vetën, dhe patën progres në arritjen e normave të BE-së, shumë të tjerë pësuan humbje të paimagjinueshme.

Vendet postkomuniste me nivele mesatare të rritjes, u rikthyen në nivelet e prodhimit ekonomik të para vitit 1989 vetëm pas 17 vjetësh, duke ushqyer kështu një trashëgimi të thellë të mosbesimit, dhe ndjenjën e thellë të braktisjes së këtyre vendeve, që nën komunizëm kishin nxitur kulturën e ndihmës reciproke mes njëri-tjetrit.

Përvoja e Evropës Lindore me pandeminë, tregon se disa vende ende nuk e kanë rikuperuar humbjen e thellë të besimit të publikut që ka nisur pas vitit 1989. Shumë më përpara se të shpërthente kriza, këto vende ishin bërë një terren mjaft pjellor për fushatat dezinformuese -në shumicën e rasteve me origjinë ruse – që përpiqeshin ta kthenin opinioni publik kundër BE-së, Perëndimit dhe kundër ekspertëve të suksesshëm në vendet e tyre.

Shkalla e lartë e mosbesimit ndaj vaksinave që mbizotëronte në rajon, si dhe shkalla në rritje e fataliteteve janë rezultat i dukshëm i këtij mosbesimi – një rezultat ky që nuk pasqyron dekadat e sundimit komunist, por më së shumti pasojat sociale që kanë zgjatur ndër dekada që prej kohës së rënies së tij.

Shënim:Kristen Ghodsee, profesore e Studimeve Ruse dhe të Evropës Lindore. Mitchell A. Orenstein, profesor i Studimeve Ruse dhe Evropës Lindore dhe Shkencave Politike në Universitetin e Pensilvanisë.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al

https://www.project-syndicate.org/commentary/explaining-low-vaccination-rates-in-eastern-europe-by-kristen-ghodsee-and-mitchell-a-orenstein-2021-11

LEXO TE PLOTE