LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Rezultatet e marrëveshjes së Brukselit/ Njësia Speciale fillon tërheqjen, veriu i Kosovës i rikthehet nomalitetit

2 Tetor 2021, 15:00, Kosova & Bota CNA
Rezultatet e marrëveshjes së Brukselit/ Njësia Speciale fillon

Pas 13 ditësh tensione, marrëveshja e arritur në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë po çon veriun e Kosovës drejt normalizimit. Me largimin e kamionit të fundit dhe tendave, edhe Njësia Speciale e Policisë së Kosovës është larguar nga pjesa veriore e Kosovës.

Njësitë speciale ishin vendosur aty të hënën e 20 shtatorit, pas vendimit të qeverisë për reciprocitet me targat e automjeteve të Serbisë, janë larguar vetëm sot, pasi 2 tetori ka qenë dita dhe afati i tërheqjes sipas marrëveshjes së arritur nga Kosova e Serbia në Bruksel.

Sipas asaj që raporton gazeta express, tërheqja e policisë së Kosovës, ka ndodhur pas largimit të barrikadave nga serbët lokalë, që e kishin bllokuar rrugën me kamionë e mjete tjera të rënda ditën kur policia ishte vendosur në dy pikat kufitare Jarinje e Bërnjak.

Kujtojmë se delegacionet e Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, kanë arritur pajtueshmëri më 30 shtator për çështjen e targave dhe zhbllokimin e veriut. Sipas 3 pikave të marrëveshjes Njësitë Speciale tërhiqen pasi pjesëtarët e KFOR-it vendosen në dy pikat kufitare dhe hiqen barrikadat.

Njësitet speciale policore të vendosura në pikëkalimet e përbashkëta kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, do të largohen bashkë me barrikadat, duke nisur nga 2 tetori, ora 08:00 deri në orën 16:00 të asaj dite. Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, do të angazhohet në këto dy pika në Jarinjë dhe Bërnjak, para nisjes së tërheqjes të zyrtarëve policorë dhe barrikadave, dhe do të mbetet aty për dy javë për të garantuar sigurinë.

Nga 4 tetori, do të nisë së zbatuari përkohësisht regjimi i letrave ngjitëse, në vend të heqjes së targave të makinave të regjistruara në Kosovë dhe Serbi, deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme.

Më 21 tetor do të nisë punën një ekip i përbërë nga zyrtarë të Bashkimit Evropian, Prishtinës dhe Beogradit për të gjetur një zgjidhje të përhershme./ CNA.al

Lajmet e fundit nga