LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Bilanci i OFL i heq lustrën luftës së qeverisë kundër krimit të organizuar

28 Shtator 2021, 18:06, Aktualitet CNA
Bilanci i OFL i heq lustrën luftës së qeverisë kundër

Kompleksi ?Golden? në afërsi të Shijakut ishte skenë e freskët e një krimi makabër, kur u përdor si trampolinë për operacionin ?Forca e Ligjit?, OFL, më 3 shkurt të vitit 2020.

Me regji të gatshme nga filmat policeskë, resorti me mermer të bardhë u rrethua nga policë me kapuçë të zinj, ndërsa një zëdhënëse policie e shpalli atë pronën e parë të sekuestruar përmes një ligji special të qeverisë, që synonte goditjen e krimit të organizuar në Shqipëri.

Kompleksi luksoz i reklamuar për dasma fitoi reputacion famëkeq në janar, kur trupi i masakruar i 49-vjeçarit Jan Prenga ?një peng i zhdukur i mosmarrëveshjeve të trafikut ndërkombëtar të kokainës, u filmua për herë të fundit në garazhin e tij.

Sipas OFL, resorti ?Golden? i përkiste Altin Hajrit, njërit prej të akuzuarve për rrëmbimin e Prengës. Por një hetim gjyqësor zbuloi një strukturë të ndërlikuar pronësie, përpara se të rrëzonte kërkesën për konfiskim të Prokurorisë.

Sipas vendimit të Gjykatës së Posaçme të Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, kompleksi ?Golden? ishte ndërtuar me burime të ligjshme dhe i ishte nënshtruar më parë hetimit pasuror në kuadër të ligjit ?Antimafia?.

Gjykata gjeti gjithashtu se Hajri nuk ishte pronari i vetëm, por e ndante pronësinë me kompaninë më të madhe të hidrokarbureve në Shqipëri, ?Kastrati? sh.p.k të biznesmenit Shefqet Kastrati.

Kalvari gjyqësor me kompleksin ?Golden? përfaqëson një dështim emblematik për operacionin ?Forca e Ligjit?, por jo të vetmin.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se pavarësisht spektaklit të ofruar nga OFL me kërkesat ndaj ?bosëve të krimit? për të justifikuar pasurinë, disa prej tyre nuk u prekën, të tjerë u penalizuan vetëm me sekuestrime makinash dhe një grup i tretë iu nënshtrua sekuestrimit të plotë të pasurisë.

Nga lista prej 255 subjektesh të deklaruar nga OFL, thuajse gjysma u përballën me procese ligjore të sekuestrimit apo konfiskimit të pasurisë.

Deri në qershor të këtij viti u sekuestruan në total 346 pasuri me një vlerë të përafërt tregu prej 3 miliardë lekësh, sipas të dhënave që BIRN siguroi nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara.

Megjithatë, vetëm 15 pasuri ose 4 për qind e tyre rezultojnë të konfiskuara me vendim gjykate.

Nga analiza e mbi 100 vendimeve gjyqësore në kuadër të OFL, BIRN vërejti gjithashtu kakofoni vendimesh dhe procedurash si dhe paqartësi mbi standardet e aplikuara.

Në raste të përsëritura, hetimet zbuluan investime në pasuri të paluajtshme dhe kompani biznesi, por masat u kufizuan vetëm në sekuestrime makinash. BIRN identifikoi gjithashtu raste kur OFL sekuestroi pasuri të bllokuara më parë përmes ligjit ?Antimafia?.

Ekonomia kriminale konsiderohet një fenomen alarmant në Shqipëri, por operacione të tilla kanë ngjallur pak besim mes ekspertëve. Selami Xhepa, ekonomist dhe ish-deputet i Partisë Demokratike në opozitë i tha BIRN se OFL i shërbeu propagandës politike dhe jo një qasjeje institucionale kundër ekonomisë informale.

?Zgjidhjet ad-hock përmes strukturave të posaçme të krijuara për afate të shkurtra kohore, përgjithësisht janë zgjidhje që i shërbejnë më shumë propogandës politike se sa të krijimit të një disipline permanente të sundimit të ligjit në vend,? tha Xhepa.

?Asnjë mundësi për hetime?

Numri i pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara sipas të dhënave të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara.

Shqipëria është destinacioni kryesor i fitimeve të rrjeteve shqiptare të krimit të organizuar dhe një ndër vendet me rrezikun më të lartë të pastrimit të parave në Europë. Sipas vlerësimeve të Departamentit amerikan të Shtetit dhe Moneyval- komitetit të Këshillit të Europës për vlerësimin e masave kundër pastrimit të parave, Shqipëria nuk ka bërë përparim domethënës.

Në fillim të vitit 2020, kryeministri Edi Rama prezantoi një akt normativ për intensifikimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe e konsideroi OFL-në si kulmin e kësaj lufte. Ai premtoi gjithashtu sekuestrim të pasurive për gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar nga vetingu, të cilët i quajti grupi KÇK [kap ç?të kapësh].

Megjithatë, akti normativ pati afat të kufizuar dhe targetonte personat e dënuar ose të hetuar brenda ose jashtë vendit për krim të organizuar si dhe një listë prej 27 krimesh të tjera të rënda; mes të cilave vrasjet, grabitjet me pasoja të rënda apo shkatërrimet e pronës.

Ligji special fuqizonte strukturën ad-hoc OFL-në dhe kreun e Policisë së Shtetit për gjurmimin e pasurive të subjekteve dhe sekuestrime në kushtet e emergjencës. Procesi ndiqej më pas nga Prokuroria e Posaçme, SPAK dhe Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Për të analizuar rezultatet e operacionit ?Forca e Ligjit?, BIRN kërkoi informacion nga të gjitha institucionet e përfshira, por mori të dhëna kontradiktore.

Në janar 2021, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi deklaroi në Parlament se OFL kishte referuar në SPAK 1877 pasuri me burim të dyshimtë në pronësinë e 255 subjekteve të ligjit.

Të dhënat e siguruara nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, AAPSK, tregojnë se vetëm 346 pasuri ose 18% e totalit të deklaruar nga Çuçi iu nënshtrua procesit të sekuestrimeve apo konfiskimeve.

Sipas të dhënave të SPAK, Policia e Shtetit kishte paraqitur në kuadër të OFL-së 251 materiale pasurore dhe nga këto, 144 ose 57% u përkthyen në kërkesa për sekuestro në gjykatë.

Kreu i SPAK, Arben Kraja i tha BIRN se kishin paraqitur gjithashtu në gjykatë 127 kërkesa konfiskimi dhe se Gjykata e Posaçme kishte dhënë vendime për 44 prej tyre, ndërsa pjesa tjetër ishte në proces.

Por të dhënat e siguruara nga AAPSK tregojnë se deri në fund të qershorit ishin konfiskuar vetëm 13 makina, 1 njësi tregtare dhe një llogari bankare në vlerë minimale.

Drejtuesi i SPAK, Arben Kraja i mbrojti rezultatet, por shtoi gjithashtu se afatet e shkurtra të përcaktuara në aktin normativ shkaktuan problematika si dhe mbingarkesë për të gjithë prokurorët e institucionit që ai drejton.

Kraja shpjegoi gjithashtu se ndërsa hetimet pasurore kushtojnë kohë, prokurorët u vendosën nën presionin e kohës, pasi duhej të vlerësonin brenda 15 ditëve materialet voluminoze të dërguara nga Policia e Shtetit.

?Prokurorët nuk kishin asnjë mundësi ligjore që të kryenin hetime, por kishin vetëm dy alternativa; ose dërgim në gjykatë ose kthim policisë,? tha Kraja në një përgjigje për BIRN.

?Nga ana tjetër, kishte sasi të madhe rastesh që duheshin vlerësuar njëkohësisht brenda afatit 15 ditor dhe kjo ngarkesë pune e prokurorëve u shtohej dhe mbingarkesës që kishin me çështjet penale si dhe me verifikimet pasurore të trashëguara nga Krimet e Rënda në kuadër të ligjit Antimafia,? shtoi ai.

Mbi 100 vendime gjyqësore të analizuara nga BIRN në kuadër të OFL-së kanë si tipar të përbashkët procedurat formale dhe shpesh kakofonike të trajtimit të rasteve.

Për një grup personazhesh të reklamuara me bujë nga OFL, nuk rezulton asnjë procedurë gjyqësore apo pasuri e sekuestruar.

Në këtë listë bëjnë pjesë emrat e Arben Frrokut, i dënuar për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj; Ardian Çapja, i hetuar për konfiktet në Elbasan; vëllezërit Avdyli të hetuar për trafik droge si dhe personazhe të tjerë të lakuar si Ervis Martinaj apo Plarent Dervishaj.

Për gati 35% të subjekteve të ligjit; përfshi edhe personazhe të njohur si Lulzim Berisha, Suel Çela, Durim Bami apo Xhevdet Troplini, hetimi pasuror është kufizuar vetëm në sekuestrime makinash.

Gjatë operacionit ?Forca e Ligjit? u sekuestruan gjithashtu pasuri me vlera të konsiderueshme, të investuara në rrjete hotelesh apo kompani biznesi kryesisht në qytetet turistike të Vlorës, Beratit apo Durrësit. Megjithatë, palët në proces kanë pretenduar se ishin hetuar disa herë radhazi në kuadër të ligjit ?Antimafia? dhe kishin rezultuar të ligjshëm ?çka i vështirëson shanset për konfiskime në gjykatë.

Një kompleks me tre pronarë 

Një makinë policie u stacionua në hyrje të kompleksit ?Golden? pas zhdukjes së Jan Prengës. Foto: LSA

Altin Hajri është një 37 vjeçar nga fshati Pjezë i Shijakut, i cili u përfshi në listën e subjekteve të Aktit Normativ të qeverisë si person nën hetim për rrëmbimin e Jan Prengës. Bashkë me njërin prej vëllezërve, Hajri ka qenë gjithashtu i kërkuar nga drejtësia italiane në vitin 2015 me akuzën e trafikut të heroinës, por nuk rezulton të jetë dënuar.

Sipas vendimit të Gjykatës së Posaçme të datës 12 mars 2021, zanafilla e kompleksit ?Golden? nisi në vitin 2005, kur Altin Hajri u kthye nga emigracioni në Itali dhe vendosi të hapte një biznes, i cili u regjistrua si bare- bufe në vitin 2006.

Për investimin fillestar, gjykata njohu si burime të ligjshme shitjen e një sipërfaqeje toke nga prindërit e Hajrit në vitin 2003, shitjen e një makine prej 29,500 eurosh si dhe një dëmshpërblim prej 52 mijë eurosh, i përfituar nga i vëllai i Hajrit për burgim të padrejtë si i mitur në Itali.

Hajri e zgjeroi biznesin në vitin 2008, kur siguroi një leje ndërtimi për një karburant si dhe një hotel 4-katësh, me subjekt ndërtues kompaninë ?Kastrati?.

Në operacionin e 3 shkurtit 2020, OFL sekuestroi si prona të familjes Hajri jo vetëm kompleksin ?Golden?, por edhe një shtëpi 2-katëshe si dhe një karburant që ndodhej jashtë rrethimit të kompleksit.

Karburanti u hoq nga sekuestrimi me kërkesë të Prokurorisë dhe kompanisë ?Kastrati?, pasi u verifikua se i përkiste kësaj të fundit.

Shqyrtimit gjyqësor iu nënshtrua më pas kompleksi ?Golden? si dhe shtëpia 2-katëshe, e cila pretendohej gjithashtu se ishte blerë nga një person i tretë. Por verifikimet e kryera nga OFL dhe SPAK u rrëzuan sërish në gjykatë, pasi dy ekspertë vlerësuan se edhe kompleksi ?Golden? ndahej në tre pasuri me pronësi të ndryshme, ndonëse ndodheshin të treja brenda të njëjtit rrethim.

Një godinë 2-katëshe në të djathtë, e identifikuar në vendim si ?ndërtesa e emërtuar 1?; ku gjendet salla e eventeve, një llozhë në katin e dytë mbi sallën e eventeve dhe një kat i nëndheshëm i përdorur si magazinë, është sipas gjykatës në pronësi të kompanisë ?Kastrati? sh.p.k.

Një godinë e dytë 2-katëshe që shërben gjithashtu për evente, kuzhinë, magazinë dhe lavanteri është në pronësinë personale të Altin Hajrit, ndërsa godina 4-katëshe që shërben si hotel, bar dhe restorant është në pronësi të ish-kompanisë Alt-Oil 2008, e njohur sot si ?kompleksi Golden? sh.p.k; gjithashtu 100% në pronësi të Hajrit.

Duke iu referuar në gërmë kërkesës për konfiskim të Prokurorisë, gjyqtari Sandër Simoni e ngushtoi shqyrtimin gjyqësor nga pronat e Hajrit tek pasuritë në pronësi të kompanisë ?Kompleksi Golden?.

?Objekt i kërkimit të Prokurorisë së Posaçme në këtë proces gjyqësor është konfiskimi i kompleksit Golden Resort? Për këtë arsye, edhe fokusi i këtij procesi gjyqësor duhet të jenë asetet që ndodhen në pronësi të kësaj shoqërie dhe jo asetet që ndodhen në pronësi të shtetasit Altin Hajri si individ,? arsyeton gjyqtari Simoni.

Gjykata arriti në përfundimin se Hajri kishte pasur burime të ligjshme për ndërtimin e kompanisë së tij; një kontratë shitjeje me vlerë 10 milionë lekë të një sipërfaqeje toke, dy kredi bankare me vlerë totale prej 45.5 milionë lekësh si dhe një hua nga një person i tretë.

Vendimi përcakton gjithashtu se kompleksi nuk duhej të ishte subjekt i OFL-së, pasi i ishte nënshtruar më parë një hetimi pasuror ? procedim i cili ishte pushuar më parë nga Prokuroria.

Prokurori i SPAK, Behar Dibra i tha BIRN pas shpalljes së vendimit se ata i qëndronin konkluzionit se Hajri nuk kishte burime të ligjshme, ndaj e kishin apeluar atë. Dibra shtoi asokohe se nga hetimi i tyre nuk rezultonte gjithashtu që kompania ?Kastrati? të zotëronte ndonjë godinë, përveç karburantit.

?Nuk ka dalë një rezultat i tillë gjatë hetimit,? tha Dibra.

Përfaqësuesit ligjorë të kompanisë ?Kastrati? dhe Altin Hajrit pretenduan se organi i akuzës i ishte referuar provave të pasakta të OFL-së dhe se ngatërresa kishte filluar qysh me vendosjen e sekuestros.

?Pasuria për të cilën bëni fjalë [godina 2-katëshe] shoqëria Kastrati e ka ndërtuar dhe legalizuar në emrin e saj në vitin 2015. Shoqëria ka blerë tokë në vitin 2015 dhe aty ka ndërtuar pikën e kaburantit dhe godinën, e cila ndodhet brenda këtij rrethimi,? tha avokati i kompanisë ?Kastrati?, Sajmir Laçej.

I pyetur mbi marrëdhëniet e biznesit mes kompanisë ?Kastrati? dhe Hajrit, Laçej nuk komentoi, ndërsa tha se: ?përsa i përket subjektit tjetër, nuk kam informacion?.

Përfaqësuesja ligjore e Hajrit, Eniana Isufi Cenmurati i konsideroi gjithashtu të pasakta provat e OFL-së dhe mori si shembull për këtë, kërkesën për sekuestro të një karburanti që është prishur dhe nuk ekziston më.

Ajo shpjegoi gjithashtu se pasuritë e Hajrit ishin hetuar më parë nga Prokuroria dhe në vitin 2017, Prokuroria e Durrësit kishte vendosur pushimin e procedimit penal, duke konkluduar se nuk kishte vepër penale të ?pastrimit të produkteve të veprës penale?.

??Organi i akuzës duke mos sjellë asnjë provë të re apo asnjë shkak të ligjshëm, ka kërkuar sërish sekuestrim dhe konfiskim, duke mos njohur në mënyrë të kundraligjshme një vendim të formës së prerë, të marrë nga një organ tjetër i pavarur,? tha avokatja Isufi Cenmurati.

?Këtë çështje ne e kemi ngritur qysh në fillim, por gjykata nuk e mori parasysh dhe pavarësisht kërkimit tonë, e hetoi sërish këtë pasuri,? shtoi ajo.

Pas apelimit nga SPAK, Gjykata e Posaçme e Apelit pritet të marrë një vendim të formës së prerë për kompleksin ?Golden? më 1 tetor, por nuk priten surpriza. BIRN mësoi se në seancën e fundit të mbajtur më 20 shtator, prokurori ishte tërhequr nga ankimi.

Prokurori i çështjes, Behar Dibra nuk sqaroi arsyet e tërheqjes në një komunikim telefonik me BIRN.

?Konkluzionet janë paraqitur në gjykatë dhe do të jepet një vendim,? tha Dibra.

Dëme kolaterale

Gjatë vitit 2020, ndërtimi dhe tregu i pasurive të paluajtshme lulëzuan përtej çdo logjike ekonomike në Shqipëri, duke sfiduar paralizimin që shkaktoi pandemia e COVID-19.

Gjithashtu, tregu i pasurive të paluajtshme pësoi rritje, pavarësisht rritjes së sipërfaqeve të dhëna për leje ndërtimi.

Sipas Ornela Liperit, kryeredaktore e revistës ekonomike ?Monitor?, këto janë tregues të faktit se paratë e paligjshme po kanalizohen kryesisht në ndërtim.

?Që prej vitit 2018, ka shumë firma që nuk justifikojnë burimet e të ardhurave, të cilat po ndërtojnë masivisht, kryesisht në kryeqytet,? tha Liperi për BIRN.

?Në thelb, rritja e informalitetit vetëm sa po bën më shumë pis ekonominë, duke shtuar pabarazinë dhe nxitur konkurrencën e pandershme,? shtoi ajo.

Edhe ekonomisti Selami Xhepa mendon gjithashtu se ndërtimi është një nga sektorët ku pastrimi i parave ka tashmë një ndikim serioz. Xhepa përmend gjithashtu si sektorë me rrisk segmente të caktuara të industrisë financiare si dhe kontratat e partneritetit publik-privat.

?Shqetësimi i ekonomisë nga rritja e përmasave të këtij fenomeni lidhet në thelb me ndikimin negativ që ka çdo formë e ekonomisë informale: shmangien e konkurencës së lirë të tregut që është themeli mbi të cilët ngrihet dhe funksionion një sistem ekonomik eficient,? tha Xhepa.

Burimi i të ardhurave të kompanive të ndërtimit nuk ishte subjekt i punës së OFL. Por ndryshe ndodhi me një grup personash të tjerë, të cilët u kthyen në dëmin kolateral të luftës me krimin e organizuar.

Skënder Musta, 63 vjeç, është shofer ambulance në Kavajë dhe u bë subjekt i ligjit për shkak të të birit, një ish- i dënuar për vjedhje me pasojë vdekjen. I biri jeton sot në Gjermani, por Musta u përball me sekuestrimin e shtëpisë ?për të cilën thotë se e ka ndërtuar në fillim të viteve ?90 së bashku me të atin e ndjerë.

?I thashë djalit, për atë që bëre ti po më marrin shtëpinë, po më marrin gjakun e babës. Më mirë të më marrin shpirtin,? tha Musta për BIRN.

Një histori të ngjashme tregon edhe Alfred Balla, i licensuar për transport pasagjerësh dhe pjesë e operacionit të OFL-së për shkak se kishte blerë një autobus nga një subjekt i ligjit.

Balla i tha BIRN se nuk kishte pasur asnjëherë probleme me drejtësinë, por një ditë, forcat e OFL-së i zbarkuan në shtëpi, duke shqetësuar nënën e tij 73-vjeçare.

Balla tregon se u sorollat për 11 muaj në Gjykatën e Posaçme derisa mori një vendim për heqjen e sekuestros. Por ende nuk ka mundur që ta marrë autobusin.

?Kam dy vite që nuk punoj dot,? u ankua Balla, ndërsa numëron faturat fikse që duhet të paguajë, së bashku me këstin e kredisë që shërbeu për blerjen e mjetit.

?Kam shpenzuar pafund, me avokat e një sërë telashesh të tjera,? përfundoi ai./reporter.al

Lajmet e fundit nga