Connect with Us

Nga Parajsa në Ferr/ Historitë e pabesueshme të miliarderëve që mbetën trokë

Blog

Nga Parajsa në Ferr/ Historitë e pabesueshme të miliarderëve që mbetën trokë

Publikuar

-

Dihet se në këtë botë gjërat ndryshojnë me kalimin e kohës. Nuk ka rëndësi se sa i pasur apo i varfër mund të jesh në një moment të caktuar. Situata mund të ndryshojë sa hap e mbyll sytë. Ne kemi parë jo pak fatlumë, që kanë punuar shumë, duke arritur ta ndryshojnë statusin e tyre financiar, por edhe shumë manjatë të biznesit që e shkatërruan perandorinë falë stilit të jetës, apo vendimeve të gabuara. Ja cilët janë disa prej tyre.

1. Xhoslin Uajlldenshtein

E njohur edhe si “Catwoman”, Xhoslin Uajldenshtein, shpenzonte çdo muaj 1 milion dollarë për blerje luksoze, dhe paguante 5.000 dollarë vetëm për faturat e telefonit. Ajo ishte e fiksuar pas operacioneve plastike, dhe donte patjetër që të kishte tiparet e fytyrës së maces. Në majin e vitit 2018, ajo paraqiti pranë organeve tatimore formularin e falimentimin, duke pretenduar se kishte 0 dollarë në llogarinë e saj bankare.

Në dosje thuhet se 77 vjeçarja nga Manhatani fiton jo më shumë se 900 dollarë në muaj, në formën e asistencën nga sigurimet shoqërore. Ajo pretendon se disa nga shpenzimet e saj paguhen tani nga miqtë dhe familja e saj. Dikur ajo zotëronte shumë prona, mes të cilave 3 apartamente në katin 51 të Kullës Trump, me një vlerë të përbashkët prej 11.75 milion dollarësh.

2. Berni Medof

Bernard Medof ngriti skemën më të madhe piramidale në histori, duke mashtruar mijëra investitorë për një shumë prej miliarda dollarë, gjatë një periudhe prej të paktën 17 vjetësh. Në vitin 2009, ai u dënua me 150 vite burg. Meqë ai ishte një financier me një reputacion të mirë; disa investitorë ia besuan atij paratë e tyre.

Medof u premtoi në këmbim fitime të qëndrueshme. Por në fund investitorët humbën në total 65 miliardë dollarë, dhe mashtrimi i tij mbeti i pazbuluar për dekada të tëra. Deri vitin e kaluar, vetëm 3.2 miliardë dollarë u ishin rikthyer viktimave të Medof nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë.

Medof ngriti që në vitin 1960 kompaninë e tij, e cila luajti një rol udhëheqës në fillimin e bursës së Nju Jorkut, NASDAQ. Përveç kësaj, ai ishte pjesë e bordit të Shoqatës Kombëtare të Tregtarëve të Letrave me Vlerë. Prandaj, shumë njerëzit besuan se ajo që po bënte ishte e drejtë. Por gjërat filluan të marrin tatëpjetën kur investitorët e tij kërkuan një pagesë totale prej 7.5 miliardë dollarësh, në një kohë që ai kishte gati vetëm 200-300 milion dollarë.

3. Elizabet Holms

Elizabet Holms kishte dikur një pasuri neto prej 5 miliardë dollarësh, dhe ishte një figurë

e shquar e Silicon Valley. Ajo zotëronte një laborator të madh të analizave të gjakut, “Theranos”, me vlerë 9 miliardë dollarë. Më vonë, u zbulua se testet e gjakut të “Theranos” ishin shumë të pasakta.

Në qershorin e vitit 2018, ajo u akuzua për mashtrim, teksa “Forbes” e uli në gati zero vlerësimin e pasurisë së saj. Afro 50 për qind e pasurisë së Holms vinte nga “Theranos”, të cilën ajo e themeloi në vitin 2003 për të revolucionarizuar testet diagnostikuese.

Sot aksionet e “Theranos” nuk tregtohen në asnjë bursë. Ato u blenë nga investitorët në vitin 2014 me një çmim të fryrë, që nënkuptonte një vlerësim prej 9 miliardë dollarësh për kompaninë.

Por kur u akuzua për kryerjen e testeve të pasakta, dhe u vendos nën hetim nga një sërë agjencish federale, “Forbes” bëri një vlerësim të ri, sipas së cilit të ardhurat e “Theranos” janë më pak se 100 milion dollarë.

4. Björgólfur Gudmundsson

Gudmundsson ishte dikur njeriu i dytë më i pasur i Islandës, me shumë aksione në bankën “Landsbanki”. Por banka e tij falimentoi gjatë krizës financiare të vitit 2008, dhe u ble në fund të atij viti nga qeveria Islandeze.

Deri në marsin e atij viti, Gudmundsson kishte një pasuri neto prej 1.2 miliardë dollarësh në, por “Landsbanki” dështoi vetëm pas 7 muajsh. Ish-miliarderi Islandez kishte pasur një karrierë të gjatë, si drejtues në një kompani birre dhe si pronar i një ekipi futbolli. Ai nisi të kishte probleme me drejtësinë që në mesin e viteve 1980 kur kompania e tij, Hafskip, falimentoi dhe ai u dënua me 1 vit e gjysmë burg për zhvatje.

Pas daljes nga burgu ai shkoi në Rusi për të rimarrë pasurinë e tij. Ai dhe i biri blenë një kompani të prodhimit të pijeve freskuese, të cilën e shndërruan në një fabrikë birre, duke pasur sërish sukses. Gudmundsson u bë sërish një miliarder. Por në dhjetor 2008, pasuria e tij ishte zhdukur. Në gushtin e vitit 2009, ai paraqiti formularin e falimentimit, duke deklaruar më shumë se 500 milion dollarë borxhe.

5. Eike Batista

Në vitin 2012, biznesmeni brazilian ishte njeriu i shtatë më i pasur në botë, dhe njeriu më i pasur në Brazil. Ai kishte një pasuri neto prej 35 miliardë dollarësh. Por në vitin 2014, ai e  humbi të gjithë pasurinë e tij, dhe madje kishte një borxh bankar prej 1.2 miliardë dollarësh.

Batista u bë i pasur nga minierat që zotëronte babait të tij, duke qenë milioner që në moshën 23 vjeçare.

Më vonë, ai ngriti kompaninë e tij të minierave të arit, që çoi në krijimin e “EBX Group”.

Në vitin 2000, ai kishte një pasuri neto prej 20 miliardë dollarësh, duke pasur në pronësi 8  miniera ari në Kanada dhe Brazil, dhe një minierë argjendi në Kili.

Ai ngriti 5 kompani të tjera, “MPX” në energjitikë, “MMX” në miniera, “LLX“ në logjistikë, “OGX” në naftë dhe “OSX” për industrinë e parajsave fiskale. Të gjitha kompanitë e tij lulëzuan, duke e çuar pasurinë e tij në 35 miliardë dollarë në vitin 2012.

Por prodhimi i naftës në zonat e blera prej tij, ishte shumë më i vogël nga sa ishte parashikuar. Kjo e zbehu  besimin e investitorëve, dhe ia vështirësoi financimet e mëtejshme. Në vitin 2013, kompania kishte 5.1 miliardë dollarë borxhe. Sot Brazili ka konfiskuar të gjitha pasuritë e Batistas, dhe ky i fundit është dënuar me 13 vite burg./ unbelievable-facts.comPërshtatur nga CNA.al

(Pjesa e parë)

 

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Blog

Nuk u pushtua për 874 vjet, cili ishte sekreti i Kostandinopojës, qytetit më të mbrojtur në histori

Publikuar

-

Nga

Konstandinopoja, e njohur gjithashtu si Bizanti në Greqinë e Lashtë dhe sot si Stambolli, ishte një nga qytetet më të rëndësishme në historinë e njerëzimit. E pozicionuar në një vend strategjik ideal, Ngushticën e Bosforit, Kostandinopoja kontrollonte trafikun detar midis Detit të Zi dhe Detit Mesdhe dhe rrugët tregtare midis dy kontinenteve më të pasura të Mesjetës, Azisë dhe Evropës.

Sigurisht, përgjatë historisë kanë ekzistuar qytetet me mbrojtje më të mirë se sa ajo e Kostandinopojës. Gjithsesi, nuk ka pasur asnjë qytet që të ishte aq i pasur dhe i rëndësishëm sa ishte Kostandinopoja, dhe që i rezistoi çdo rrethimi për më shumë se 800 vjet!

Perandori romak me ndikim Konstandini I (ose Konstandini i Madh) e bëri Kostandinopojën kryeqytetin e Perandorisë Romake Lindore në vitin 330 Pas Krishtit. Për shkak të pozicionit të tij unik gjeostrategjik, qyteti u bë një qendër tregtare super e fuqishme. Ai ishte po ashtu qendra kulturore, fetare dhe politike e Perandorisë Bizantine dhe Kishës Ortodokse.

Fati i Kostandinopojës dhe fati i Perandorisë Bizantine ishin të ndërthurura midis tyre. Kostandinopoja u rrethua mesatarisht çdo 50 vite gjatë një periudhe kohore prej 1.100 vjetësh(midis viteve 330-1453) nga sllavët, vikingët, arabët, persët, turqit, bullgarët, avarët dhe gotët.

Por sulmuesit patën sukses vetëm në 3 raste. Vlen të theksohet se 2 pushtimet e para (në vitet 1204 dhe 1261) ndodhën për shkak të luftimeve të brendshme midis vetë të krishterëve. Ndërkohë në 1453, turqit osmanë, numerikisht superiorë dhe duke përdorur barutin dhe topat, e pushtuan Kostandinopojën dhe bashkë me të edhe Perandorinë Bizantine. Gjashtë ishin faktorët e që e bënë Kostandinopojën të pathyeshme.

Muret gjigantë të Teodosit

Qyteti shpenzoi sasi të mëdha ari për ndërtimin e mureve të padepërtueshme nga armiqtë. U ndërtuan mure të dyfishta që e mbronin Kostandinopojën nga sulmi tokësor. Muret e ndërtuara në kohën e perandorit Teodos ishin 5.5 kilometra të gjata, dhe cilësoheshin ndër më të mirët në botë.

Muri i brendshëm ishte 12 metra i lartë dhe 6 metra i trashë, me 96 kulla në total. Çdo kullë ishte 20 metra e lartë. Muri i jashtëm ishte 9 metra i lartë dhe 2 metra i trashë me mbi 60 kulla. Çdo kullë ishte 14 metra e lartë. Hendeku mes tyre ishte 20 metra. Deri në shpikjen e artilerisë me barut, ishte e pamundur çarja e mureve të Kostandinopojës.

Zinxhiri novator i porteve

 Ana lindore e qytetit gjendej në grykëderdhjen e Bririt të Artë. Edhe pse të mbrojtur me mure të mëdha, Bizantinët e rritën mbrojtjen me një vepër të mrekullueshme inxhinierike, një zinxhir të madh prej hekuri. Zinxhiri ishte mbi 750 metra i gjatë. Ai mbronte hyrjen në Bririn e Artë. Nëse zinxhiri ngrihej, anijet nuk mund të hynin apo dilnin brenda Bririt të Artë.

Versioni i lashtë i napalmit

 

Bizantinët kishin një super-armë vërtet të jashtëzakonshme:zjarrin grek. Napalmi i lashtë ishte i pashueshëm, dhe mund të digjej edhe në ujë. Receta e këtij lloji zjarri ishte një sekret shtetëror. Vetëm disa njerëz në Perandori dinin ta përgatisnin atë. Për të parandaluar që kjo super-armë të binte në duart e armikut, asnjë individ i vetëm nuk mund ta dinte të gjithë recetën.



Sidomos gjatë të dy rrethimeve arabe (shekujt VI-VII), zjarri grek bëri diferencën. Bizantinët shkatërruan plotësisht flotat shumë më të mëdha arabe duke i djegur ato me zjarrin grek, dhe duke e çliruar kështu qytetin nga bllokada detare.

Diplomacia e shkathët

Bizantinët e dinin nga përvoja se luftërat ishin shumë të kushtueshme. Për më tepër, atyre u mungonin burimet njerëzore për të ngritur ushtri të mëdha. Ndaj ata u bënë mjeshtra të diplomacisë dhe intrigave. Për bizantinët, ishte shumë më e lirë që të jepnin ryshfete, të shkaktonin një luftë civile apo të nënshkruanin një traktat paqeje, sesa të fillonin një luftë.

Bizantinët i vunë kundër njëri-tjetrit kundërshtarët e tyre, ndërhynë në luftimet e njëpasnjëshme, u martuan dhe u korruptuan për të shmangur luftërat.

Garda vdekjeprurëse Varangiane

Garda Varangiane, ishte truproja personale elitare e perandorëve bizantinë nga shekulli X deri në shekullin XIV. Besnikëria dhe aftësia e tyre në betejë ishin legjendare. Garda përfshinte vikingë, anglo-saksonë dhe normanë. Arma e tyre e zgjedhur ishte sëpata.

Bizantinët ishin dëshmitarë të këtyre luftëtarëve kur ata sulmuan Kostandinopojën në shekullin IX-të. Por në vend se të luftonin ndaj tyre, ata i punësuan ata. Në vitin 1204, kur kryqtarët pushtuan qytetin, Garda Varangiane u shkaktoi shumë viktima sulmuesve, por në fund qytetit u dorëzua kur u largua perandori bizantin.

Çisternat me furnizime të mëdha me ujë

 

Në kulmin e saj në shekullin XI-të, Kostandinopoja ishte shtëpia e gjysmë milionë njerëzve. Si pasojë, bizantinët ndërtuan çisterna të mëdha, të furnizuara nga dy ujësjellës, për të krijuar një sistem të madh furnizimi me ujë. Shumë qytetërime të lashta përdornin çisternat për të ruajtur ujin.

Por 200 çisternat e Kostandinopojës ishin të pashembullta për sa i përket madhësisë. Çisterna më e madhe nëntokësore, ajo e Bazilikës, mbante 80.000 metra kub ujë. Për krahasim, çisterna më e madhe në mjedis të hapur në Kostandinopojë, Çisterna e Mosiusit, mbante mbi 300.000 metra kub ujë. Pra qyteti kishte ujë të mjaftueshëm për t’i mbijetuar një rrethimi të gjatë. Kapaciteti i kombinuar i çisternave në Kostandinopojë ishte mbi 1 milionë metra kub ujë.

https://historyofyesterday.com/constantinople-best-defended-city-in-history-a7a55595ddab

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Ja pse prapa krizës energjitike në Evropë qëndron Rusia e Vladimir Putin

Publikuar

-

Nga

cna lajem blog

Nga Daniel Boffey & Pjotr ​​Sauer “The Guardian”

Tregu i gazit natyror ka hyrë aktualisht në një territor të panjohur. Luhatjet e çmimit të këtij karburanti më 6 tetor ishin sipas fjalëve të një analisti “të pashembullta që nga viti kur u liberalizua çmimi i gazit në Evropë”. Me një ndryshim rekord, çmimi i gazit me shumicë në Holandë – një pikë referimi për tregun evropian – u rrit me 30 për qind brenda 3-4 orëve, duke arritur një nivel shumë të lartë.

Këto janë shifra që i tmerrojnë të gjitha qeveritë evropiane sidomos tani që dimri është në prag. Dhe kur“teshtin” Bashkimi Evropian, edhe Britania e Madhe, që është shumë e varur nga importet nga ana tjetër e Kanalit, përjeton gjithashtu një“situatë gripale”.

Kjo mungesë gazi është shkaktuar nga konvergjenca e fakteve të ndryshme në të gjithë botën, ku ekonomi të ndryshme janë të etura për energji, pas ngadalësimit të shkaktuar vitin e kaluar nga pandemia e Covid-19. Prapa kësaj krize qëndron Rusia. Edhe pse furnizon vetëm 1 për qind të gazit që përdor aktualisht Britania, Rusia është furnizuesja më e madhe e Evropës, me rreth 40 për qind të të gjithë gazit që konsumohet në BE. Dhe një rënie e vëllimeve të gazit evropian, shkakton rritjen e çmimeve në Mbretërinë e Bashkuar dhe gjetkë.

Nuk ka asnjë dyshim se Rusia e furnizoi Evropën Veriperëndimore me vëllime më të ulëta të gazit këtë verë sesa në vitet para pandemisë. Midis shtatorit dhe tetorit të këtij viti, eksportet ruse të gazit ranë me rreth 17 për qind, sipas Tom Marzek-Manser, i kompanisë së analizës së tregut të energjisë “Icis Lng”.

Fakti që kompania ruse “Gazprom” nuk ka rezervuar kapacitete shtesë për gazin që eksporton përmes Ukrainës drejt vendeve evropiane këtë muaj, ka bërë që disa ta akuzojnë Kremlinin se po e nxit vullnetarisht krizën energjitike.

“Ndërsa ka përmbushur teknikisht detyrimet e saj kontraktuale me Perëndimin, Rusia nuk kishte interes që të përfitonte nga kërkesa e lartë për gaz shtesë nga klientët e saj evropianë. Rusia është i vetmi vend që mund të lehtësojë presionin e çmimeve, por ka vendosur të mos e bëjë këtë gjë”-thotë Maria Shagina, studiuese e politikave energjitike në Universitetin e Zyrihut në Zvicër.

Kremlini ka dashur gjithmonë të jetë për Perëndimin një furnizues i besueshëm i gazit natyror. Por zhvillimet e fundit mund të shënojnë një fazë të re në politikën e tij të jashtme. Në fakt, disa analistë besojnë se Kremlini i sheh çmimet rekord të gazit, si një mundësi për ta ndihmuar “Gazprom” të ushtrojë presion mbi partnerët e saj perëndimorë që të përshpejtojnë miratimin e gazsjellësit të shumë-diskutuar “Nord stream 2”. Ky i fundit, i cilësuar si një projekt me rëndësi jetike nga Kremlini, pritet që të dyfishojë furnizimet me gaz natyror nga Rusia në Gjermani. Megjithatë ai ka shkaktuar përçarje midis vendeve evropiane, por edhe midis Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.

Gazsjellësi nuk do të kalojë përmes Ukrainës, duke e privuar atë nga rreth 1 miliardë euro që fitonte nga e drejta e tranzitit.

“Rusia synon që të ndihet në një pozitë fuqie, dhe do të tentojë që t’i përdorë furnizimet e saj si një levë për të përshpejtuar miratimin përfundimtar të “Nord Stream 2. Moska nuk e kishte përdorur kurrë më parë gazin e saj si një mjet presioni ndaj Evropës Perëndimore”- thekson Shagina.

Fatih Birol, drejtor ekzekutiv i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), deklaroi më 6 tetor se “nëse do të donte”Rusia e ka aftësinë për të lehtësuar krizën e energjisë.



Një analizë e fundit e IEA, pretendon se Moska mund të ketë kapacitet për të rritur me deri në 15 për qind furnizimin me gaz të Evropës.

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç e cilësoi Vladimir Putinin si “personin më me ndikim” në tregun energjitik global. Por zëdhënësi i Kremlinit, Dimitri Peshkov, e mohoi ekzistencën e ndonjë komploti. Ai tha se vetë Rusia ka nevojë të garantojë nevojat e brendshme të saj pas të ftohtit ekstrem gjatë 3-mujorit të parë të këtij viti.

Ishte kancelarja gjermane, Angela Merkel, ajo që i bëri jehonë këtij përgënjeshtrimi. Pavarësisht rritjeve të pashembullt të çmimeve më 6 tetor, ajo që ndodhi më vonë gjatë ditës sugjeron sipas disa analistëve, se perceptimi i plotfuqisë së Vladimir Putinit është i ekzagjeruar.

“Ne po shqyrtojmë një rritje të mundshme të ofertës në treg. Por duhet të veprojmë me kujdes. Duhet të bisedojmë dhe të biem dakord me “Gazprom”- deklaroi Putin, në një koment që shkaktoi menjëherë një rënie të çmimit në krahasim me fillimin e asaj dite.

Pasditen e 6 tetorit pati një rritje të konsiderueshme të furnizimit me gaz nga Rusia përmes Polonisë dhe Ukrainës. “Flukset e furnizimit ishin më të larta se një ditë më parë. Pati një ndryshim të menjëhershëm të ritmit”- thotë Marzek-Manser, duke shtuar se sipas disa ekspertëve“kjo tendencë mund të konfirmohet në ditët dhe javët në vazhdim”.

“Gazprom” synon që të arrijë magazinimin e 72.6 miliardë metrave kub gaz deri në fillim të nëntorit për nevojat e brendshme. Pas asaj date, Rusia duhet të ketë më shumë gaz në dispozicion për eksport. Shumica e analistëve nuk shohin ndonjë fitim të rëndësishëm nga “Nord Stream 2” këtë vit, edhe nëse sigurohet miratimi i tij, pasi infrastruktura ka të ngjarë të funksionojë me vetëm 10 për qind të kapacitetit të saj.

Nëse do të ketë një rrugëdalje apo jo nga kjo krizë, kjo do të bëhet më e qartë më 18 tetor, data në të cilën do të rezervohet kapaciteti i transportit përmes Ukrainës dhe Polonisë. Sipas Jakob Kirkegard, bashkëpunëtor në qendrën studimore të Fondit Marshall Gjerman, këto zhvillime tregojnë se Putini nuk po vepron nga pozitat e forcës, por të dobësisë.

“Ai ka nevojë të shesë gaz. Ai ndoshta po luan disi me tregjet evropiane të gazit, por po reagon ndërkohë edhe ndaj dobësisë së vet… Ai nuk ka asnjë interes të imponojë de-karbonizimin e përshpejtuar të ekonomive evropiane”- thekson ai.

https://www.internazionale.it/notizie/daniel-boffey/2021/10/11/russia-gas

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Tirania e turmave gjatë shekullit XXI

Publikuar

-

Nga

cna lajme blog

Nga Robert D.Kaplan “The Wall Street Journal”

Ideologjitë e mëdha të shekullit XX-të, nazizmi dhe komunizmi, përfaqësonin një poshtërim të thellë të arsyes. E megjithatë, ato ideologji zbulojnë më shumë sesa do të donim ta pranonim mbi ekstremet tona politike. Nazizmi dhe komunizmi kishin origjinë të shumëfishtë.

Diplomati amerikan Robert Shtraus-Hupe (1903-2002), një realist i politikës së jashtme, besonte se nuk ishte rastësi që Karl Marksi dhe Frederik Engels publikuan “Manifestin e tyre komunist”pikërisht në vitin 1848, vitin e revolucioneve demokratike të dështuara të Evropës.

Pra në kohën kur liberalizmi dhe nacionalizmi “luftuan në të njëjtën anë të barrikadës”.

Nëse kryengritjet e vitit 1848 do të kishin pasur sukses në të gjithë kontinentin, mund të mos kishte ndodhur Lufta e Parë Botërore dhe rrjedhimisht mund të mos kishim asnjë Vladimir Lenin dhe Adolf Hitler.

Por kishte diçka edhe më themelore sesa dështimi i vitit 1848, që shkaktoi tmerret ideologjike të shekullit XX-të:teknologjia. Dhjetëra miliona “të shpronësuar të Revolucionit Industrial”, sipas fjalëve të Shtraus-Hupe, ranë pre e luftës klasore dhe racore, të mbështetur nga forca e re e mediave masive.

Është e pamundur të imagjinohet ndryshe Hitleri dhe Stalini, përveçse në sfondin e industrializimit që bëri gjithçka, nga tanket dhe hekurudhat, deri tek radio dhe lajmet.

Në fund të fundit, propaganda ka një rezonancë të veçantë në shekullin XX-të, si një pjesë integrale e teknologjisë së komunikimit.

Teknologjia ka evoluar, ndaj edhe rrënjët e krizës sonë të tanishme qëndrojnë në atë çka shkoi keq në shekullin XX-të. Nazizmi dhe komunizmi ndanë dy elementë vendimtarë: sigurinë e turmës dhe dëshirën për pastërti.

Në librin e tij “Turmat dhe fuqia”, botuar për herë të parë në gjermanisht në vitin 1960, Elias Kaneti mund të ketë shkruar librin më intuitiv mbi krizën e Perëndimit gjatë 100 viteve të fundit. “Rënia e Perëndimit” e Osvald Shpenglerit argumenton se qytetërimi perëndimor, si të gjitha qytetërimet e tjera, është përfundimisht i përkohshëm.

Por libri i Kanetit shpjegon edhe atë që po ndodh. Turma, thotë Kaneti, lind nga nevoja e individit të vetmuar për t’u përshtatur me të tjerët. Për shkak se ai nuk mund ta ushtrojë dominim i vetëm, ai e ushtron atë përmes një turme që flet me një zë.

Kërkesa e turmës është gjithmonë që të rritet, duke konsumuar të gjitha hierarkitë, edhe pse ndihet e persekutuar dhe kërkon ndëshkim. Turma e sheh veten si krejtësisht të pastër, pasi ka arritur virtytin më të lartë. Kështu, një nga qëllimet e turmës është të godasë ata që nuk janë mjaftueshëm të virtytshëm.

Tirania e turmës ka shumë aspekte, por Kaneti thotë se forma e saj më e hapur është ajo e “pyetësit” dhe akuzuesit. “Kur përdoret si ndërhyrje në pushtet”, turma akuzuese “është si një thikë që pret mishin e viktimës. Pyetësi e di se çfarë ka për të zbuluar, por ai dëshiron që ta prekë dhe ta nxjerrë në dritë”.



Një jehonë e fortë e kësaj vërehet tek librat “Bota e re e guximshme” e Aldous Hakslit dhe “1984” i Xhorxh Oruell, dhe veçanërisht në librin “Origjinat e totalitarizmit”të Hana Arend.

Por Kaneti e izolon psikologjinë e turmës si një subjekt intelektual në vete. Turmat kanë ekzistuar që nga fillimi i njerëzimit.

Por teknologjia moderne -në fillim radio dhe gazeta, dhe tani Twitter dhe Facebook – ka krijuar peizazhe të panjohura mbi tiraninë e turmës. Ajo tirani, e lindur nga një grumbull njerëzish të vetmuar, ka si synim shkatërrimin e individit, ekzistenca e të cilit dëshmon mungesën e virtytit të tij në sytë e turmës.

Gjithsesi, ekziston një dallim midis shekujve XX dhe XXI. Shekulli XX-të ishte një epokë e komunikimeve masive të kontrolluara shpesh nga qeveritë e mëdha.

Prandaj ideologjia dhe frikësimi i saj ndodhte nga lart-poshtë. Shekulli XXI ka prodhuar një përmbysje, ku individët punojnë përmes rrjeteve dixhitale për t’u tubuar nga poshtë lart.

Por ndërsa tirania e prodhuar ka një stil tjetër, rezultati i saj është i ngjashëm:dekurajimi i kundërshtimit përmes një monopoli të shpallur mbi virtytin. Nëse nuk pajtoheni me ne, nuk jeni gabim vetëm politikisht, por edhe moralisht, dhe si të tillë duheni jo vetëm denoncuar, por edhe shkatërruar.

Mos harroni, si nazizmi ashtu edhe komunizmi ishin ideologji utopike. Në mendjet e besimtarëve të tyre ato ishin sisteme të virtytit, dhe pikërisht për shkak të kësaj arsyeje krijuan një imazh të ri të tiranisë. Gjermania naziste dhe Bashkimi Sovjetik u mundën nga fuqia ushtarake dhe industriale amerikane.

Qytetërimet mbështeten jo vetëm tek themelet intelektuale dhe kulturore, por edhe në aspekte më të ashpra të fuqisë dhe pushtetit. Perëndimi historik, që tek e fundit ka të bëjë me lirinë e individit për t’u ngritur mbi turmën, mbijetoi në shekullin XX-të falë fuqisë së madhe amerikane, dhe u mbajt deri diku vetë edhe nga një sistem i përsosmërisë individuale në artet dhe shkencat, dhe u ushqye nga media pavarur.

Por tani ajo media po zhytet në turmë, e cila i kërkon virtytet në formën e saj ideologjike më të pastër, ndaj shumica e mediave luajnë shpesh rolin e akuzuesit që përmend Kaneti.

Dëshira për pastërti morale, e kombinuar me tiraninë e teknologjisë së mediave sociale në duart e të rinjve, të cilët kanë pak informacioni për të kaluarën dhe traditën-kërcënon të krijojë epokën më të frikshme të turmave në histori.

Rezultati i një imponimi të tillë nga turma është autocensura e shumë-përhapur:guri themeltar i të gjitha formave të totalitarizmit. Kjo çon përfundimisht drejt një shoqërie të kontrolluar

të drejtuar nga e parëndësishmja dhe e rëndomta. Me siguri që e keqja e drejtpërdrejtë mund të trajtohet, por është më e vështirë t’i rezistosh konformizmit të vetë-sigurisë. Nëse kjo lihet pa pakontrolluar, atëherë kjo do të jetë mënyra sesi Perëndimi do të vdesë dalëngadalë.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE