Connect with Us

Tmerret e “Revolucionit Kulturor”/ Kur Garda e Kuqe e Mao Ce Dunit shtronte bankete me mishin e kundërshtarëve politikë

Blog

Tmerret e “Revolucionit Kulturor”/ Kur Garda e Kuqe e Mao Ce Dunit shtronte bankete me mishin e kundërshtarëve politikë

Publikuar

-

cna lajme blog

Qarku Vuxuan në rajonin autonom Guangxi Zhuang në Kinës Jugore, është sot një zonë relativisht e qetë e vendit komunist, e karakterizuar nga fushat e mëdha të fermave bujqësore dhe qytetet e vogla të zhurmshme.

Asgjë që ekziston sot atje, nuk tregon ndonjë shenjë të tmerreve të përjetuara gjatë viteve 1960, në kulmin e Revolucionit Kulturor të drejtuar nga Mao Ce Duni, kur Gardistët e Kuq i nënshtruan kundërshtarët e tyre në nivele makabre poshtërimi dhe dhune.

Por shkalla e atij terrori do të kishte mbetur e panjohur, po të mos ishte për dëshmitë e një shkrimtari kinez në fillim të viteve 1990, që zbuloi nivelet e pashembullta të mizorisë, shthurjes morale, madje edhe kanibalizmit gjatë asaj që ka hyrë në histori si Masakra e Guangxi.

Në vitin 1958, udhëheqësi kinez Mao Ce Dun nisi zbatimin e të ashtuquajturit Hapi i Madh Përpara, një fushatë e konceptuar shumë keq për të transformuar vendin e varfër në një fuqi të madhe industriale. Rezultatet ishin katastrofike:mbi 50 milionë njerëz vdiqën gjatë Zisë së Madhe të Bukës që e pasoi atë reformë, dhe dhjetëra e mijëra të tjerë humbën jetën në një seri fatkeqësish të lidhura me të.

Mao u detyrua ta pranonte hapur dështimin e tij në vitin 1962 dhe të largohej nga drejtimi i qeverisë, por ai e mbajti udhëheqjen e Partisë Komuniste. Ndërkohë udhëheqësi i poshtëruar nga dështimet filloi të planifikonte hakmarrjen e tij.

Ai e bëri këtë më 16 maj 1966, kur akuzoi publikisht disa udhëheqës të rangut të lartë se ishin “revizionistë kundër-revolucionarë”, që po komplotonin për të sabotuar nga brenda Partinë Komuniste. Menjëherë pas atij fjalimi, Mao dha bekimin e tij për formimin e Gardës së Kuqe, një grup studentësh militantë, idealistë, të cilët e adhuronin Maon dhe kundërshtuan dhunshëm cilindo që dyshohej për pabesi ndaj kryetarit.

Ndërsa qeveritë lokale u shkatërruan nën sulmet e vazhdueshme të Gardës së Kuqe dhe përleshjeve midis fraksioneve, qytetarët e zakonshëm e humbën besimin tek politika kombëtare dhe u kthyen plot tërbim kundër njëri -tjetrit.

Në një atmosferë aq të tensionuar, qytetarët e zakonshëm e shihnin njëri-tjetrin si armiq të klasës që duheshin asgjësuar. Ajo që pasoi ishte një përplasje civile me linçime publike, tortura dhe një dhunë të përhapur në të gjithë rajonin.

Mao cilësoi “Pesë kategoritë e zeza” si kundërshtarë të tij, dhe këtu përfshiheshin të djathtët, kundërrevolucionarët, “ndikimet e këqija”, fermerët e pasur dhe pronarët. Në të gjithë vendin, shpërthyen rebelime të dhunshme.

Të ashtuquajturat “sesione të luftës” u bënë një formë e njohur e ndëshkimit, gjatë së cilës anëtarët e Partisë Komuniste Kineze poshtëruan dhe torturuan publikisht kundërshtarët e tyre. Por jo rrallë këto seanca u bënë jashtëzakonisht të dhunshme, dhe në disa rajone degraduan në kanibalizëm.

Ndërsa kanibalizmi kishte ndodhur në Kinë gjatë Urisë së Madhe, nga fundi i viteve 1960, furnizimet me ushqim ishin kryesisht të garantuara. Prandaj, dëshmitë masive të kanibalizmit në Guangxi, nuk mund të ishin për shkak të urisë.

Shkaku i vërtetë ishte urrejtja politike. Sipas një dëshmitari okular “Kanibalizmi ndodhte për shkak të përplasjes së luftës së klasave, dhe u përdor për të shprehur një lloj urrejtje. Vrasja e njerëzve ishte e tmerrshme, më e keqe se kafshët”.Disa nga shfaqjet më makabre ndodhën në qarkun Vuxuan, ku zyrtarët komunistë hanin zemrat, mëlçitë dhe organet gjenitale të rivalëve të tyre.

Kjo praktikë e tmerrshme filloi në vitin 1968, kur studentët në shkollën e mesme të Vuxuanit, rrahën për vdekje mësuesen e tyre të gjeografisë,dhe e çuan trupin e saj në bregun e lumit Qian. Aty ata e detyruan një mësuese tjetër që t’i nxirrte nga trupi zemrën dhe mëlçinë. Pastaj nxënësit shkuan në shkollë ku gatuan dhe hëngrën organet e mësueses së tyre.

Thuhet se në “bankete me mish njeriu” morën pjesë edhe zyrtarë të lartë të Partisë Komuniste. Për ta rezervoheshin zemrat dhe mëlçitë më të buta të kundërshtarëve të tyre, të cilat konsumoheshin të përziera me erëza dhe mish derri. Ndërkohë qytetarëve të rangut më të ulët “u lejohej të konsumonin krahët dhe kofshët e viktimave”.

LEXO EDHE:  “Mao më frymëzoi më 1949-ën, por ëndrrat e mia u shkatërruan shumë shpejt”

Një anëtare e Partisë Komuniste, e quajtur Uang Uenliu, u bë e famshme për ngrënien e organeve gjenitale mashkullore apo ruajtjen e tyre në pije alkoolike. Pasi u promovua në detyrë, Pekini mësoi mbi zakonin e saj kanibalesk, dhe kërkoi shpjegime pse ajo nuk ishte dëbuar nga Partia.

Një hetim i mëvonshëm zbuloi se në fakt ajo kishte ngrënë vetëm mish dhe mëlçi njeriu.

Uang u shkarkua nga postet e larta drejtuese edhe pse u lejua të mbante një post modest në Parti. Pastaj në majin e vitit 1968, në një rebelim shumë të dhunshme në Partinë Komuniste, një nga drejtuesit e partisë u rrëmbye, trupi iu copëtua dhe u var me kokë poshtë në një shesh publik.

Militantët e Gardës së Kuqe gjetën edhe vëllain e tij, të cilin e rrahën rëndë, dhe e hodhën në një gropë të ujëra të zeza ku i shkulën zemrën dhe mëlçinë teksa ishte ende gjallë. Të tjerët zhveshën mishin nga kockat, dhe eshtrat e tij u hodhën në lumë.

Për gati një dekadë, qytetarët e Guangxit u shokuan nga aktet mizore të“prerjes së kokave, rrahjeve brutale, varrimeve përsëgjalli, vrasjeve me gurë, përmes mbytjes, vlimit në ujë të nxehtë, therjeve në grup, copëtimit të kufomës, vrasjeve me dinamit, duke mos kursyer asnjë metodë”.

Numri zyrtar i njerëzve, trupi i të cilëve u konsumua nga të tjerët në të gjithë rajonin

mendohet të jetë 137. Por numri realka të ngjarë të përfshijë edhe qindra të tjerë. Nga rastet e dokumentuara, të paktën 38 incidente të kanibalizmit ndodhën në Qarkun Vuxuan.

Siç pretendoi më vonë me krenari një pjesëmarrës në Masakrën Guangxi:“Në Vuxuan … hëngrëm më shumë njerëz se kudo tjetër në Kinë!”.

Faza më e dhunshme e Revolucionit Kulturor përfundoi në fundin e vitit 1968, kur Mao urdhëroi që mijëra Gardistë të Kuq të “dërgoheshin” me punë në fshat. Më 9 shtator 1976, Mao vdiq, dhe bashkë me të edhe Revolucioni Kulturor.

Por rastet e linçimit dhe dhunës politike vazhduan. Më pas nisi një periudhë spastrimi, në një fushatë që synonte të “eliminonte kaosin dhe rikthimin në normalitet”.Një pjesë e vogël e atyre që konsideroheshin përgjegjës për dhunën në Guangxi u dënuan me burg, dhjetëra të tjerë u përjashtuan nga Partia Komuniste, ndërsa shumë të tjerëve iu ulën rrogat.

Pas kësaj, qëndrimi zyrtar i Pekinit ishte të harronte dhe mohonte aktet e kanibalizmit në Guangxi. Megjithatë, qeveria qendrore kishte qenë në dijeni të rastit të Uang Uenliu, dhe studiuesit zbuluan 20 vjet më vonë, se ishte dërguar të paktën një letër në kryeqytet në lidhje me tragjedinë, ku thuhej:“Këtu njerëzit po hanë njëri-tjetrin”.

Ngjarjet e tmerrshme në Guangxi mund të ishin harruar, në rast se eseisti Zheng Ji nuk do të udhëtonte në Guangxi në vitin 1986 për të hetuar mbi këtë çështje. Duke qenë vetë një ish-gardist, që kishte kaluar disa muaj kohë në Guangxi gjatë Revolucionit Kulturor, Ji shmangu me sukses heshtjen zyrtare mbi atë masakër.

Ai pati qasje në regjistrat zyrtarë, të cilët vërtetuan se autoritetet vendore dhe kombëtare ishin në dijeni të makabriteteve gjatë dhe pas ndodhjes së tyre. I frikësuar për sigurinë e tij, Ji nisi të shkruante mbi ato ngjarje pasi u arrestua për pjesëmarrje në protestat e Sheshit Tiananmen në vitin 1989. Pasi qëndroi i fshehur për 2 vjet, ai shkroi një libër që fliste në detaje mbi dhunën në Guangxi, të cilin e botoi me një pseudonim, dhe më pas u arratis në SHBA përmes Hong Kongut./CNA.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Blog

Pse Gjermania është vendi më i rëndësishëm i Perëndimit

Publikuar

-

Nga

cna news, cna lajme, lajme cna, lajme flash cna, cna.al, cna lajme politike, cna kronike, cna lajme bote, cna show

Nga Gideon Rachman “Financial Times”

Faleminderit Zotit që kemi Gjermaninë! Kjo nuk është një ndjenjë që ju mund ta keni dëgjuar shumë gjatë shekullit XX-të. Kur Lufta e Dytë Botërore ishte drejt fundit, Hans Morgentau, Sekretari amerikan i Thesarit, tha se e vetmja përgjigje ndaj çështjes gjermane ishte shkatërrimi i kapacitetit industrial të vendit.

Shkrimtari francez Fransua Moriak, e përshëndeti ndarjen e vendit, duke thënë me ironi:“Unë e dua aq shumë Gjermaninë, sa jam i kënaqur që janë dy Gjermani!”.Kur ndodhi ribashkimi i vendit në vitin 1990, në një takim me intelektualët kryesisht britanikë, i thirrur nga kryeministrja britanike Margaret Theçër, u diskutua mbi karakterin kombëtar gjerman. Këshilltari i saj kryesor për politikën e jashtme, tha se këto ishin “sipas rendit alfabetik, zemërimi, agresiviteti, ngacmimi, egoizmi, kompleksi i inferioritetit, sentimentalizmi”.

Tridhjetë vjet më vonë këto stereotipe mbi karakterin kombëtar gjerman janë përmbysur plotësisht. Sot janë SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar, vendet ku politika duket gjithnjë e më e prirur ndaj “zemërimit, agresivitetit” dhe të gjitha atyre cilësive të tjera jo tërheqëse, gjoja teutonike.

Këto ditë, është jeta publike gjermane ajo që karakterizohet nga virtytet, të cilat britanikët ia atribuojnë shpesh vetes:qetësia,përmbajtja, racionaliteti dhe kompromisi. Zgjedhjet e fundit në Gjermani dhe pasojat e tyre janë një tjetër shembull në këtë aspekt.

Ishte një garë shumë e ngushtë, por humbësit e pranuan me qytetari rezultatin. Askush nuk u përpoq të pretendonte se procesi ishte i manipuluar apo se kundërshtarët e tyre ishin “llum”, apo se përfaqësonin një rrezik vdekjeprurës për vendin. Tani duket se Socialdemokratët do të udhëheqin një qeveri gjermane për herë të parë që nga viti 2005.

Por ky tranzicion i pushtetit nuk do të sjellë ndonjë prishje të papritur të politikave, ose një përpjekje të opozitës politike për të paralizuar qeverinë, siç po ndodh aktualisht në SHBA. Olaf Scholz i SPD, që mund të bëhet kancelari i ri i vendit, garoi në këto zgjedhje si një kandidat i vazhdimësisë së qeverisjes së spikatur të Merkel.

Siç raportuan kolegët e mi të FT, votuesit e panë Scholz “me sjelljen e tij të qetë, përvojën e gjatë në qeveri dhe politikën pragmatike, si pasardhësin natyror të Merkelit”. Sa shumë ndryshe nga profilet e lidershipit që kanë ofruar Donald Trump në SHBA apo Boris Xhonson në Britani.

Kjo përmbysje e roleve nuk është thjesht një nga ironitë e historisë. Është një produkt i historisë. Ndryshe nga çdo vend tjetër që unë njoh, Gjermania ka ngritur në zemër të kryeqytetit të saj një memorial në lidhje me turpin e saj më të madh kombëtar.

Memoriali i Holokaustit në Berlin ndodhet pranë Portës së Brandenburgut, qendra tradicionale e qytetit. Ai është një simbol i vendosmërisë së Gjermanisë moderne për të pranuar tmerret e nazizmit, dhe për të nxënë leksionet e duhura.

Për shkak se e dinë shumë mirë se ku mund ta çojë një vend demagogjia, politikanët kryesorë gjermanë janë alergjikë ndaj kultit të udhëheqësit. Asnjë kandidat për kancelar nuk do të mburrej kurrë, siç bëri Trump, se “vetëm unë mund t’i zgjidh problemet”, apo të inkurajojë thirrjet për“burgosje” të kundërshtarit të tij.

LEXO EDHE:  Të mbijetuarat rikujtojnë tmerret e Srebrenicës

LEXO EDHE:  Çmenduritë e Luftës së Ftohtë/ Kur Stalini dhe Mao Ce Duni, tentuan të vrisnin aktorin e famshëm amerikan Xhon Uejn



Në debatet e fundit gjatë fushatës zgjedhore, drejtuesit e partive në Gjermani e trajtuan njëri-tjetrin me respekt dhe vetëpërmbajtje. Ata e dinë se politika është një punë serioze. Presidenti gjerman Frank-Valter Shtainmajer, thuhet se e ka veçanërisht antipati Boris Xhonson, pasi ai mendon se kryeministri britanik e trajton politikën si të ishte një lojë.

Gjermania moderne nuk është imune ndaj rreziqeve të ekstremizmit politik. Në vitin 2020, një turmë kundërshtarësh të vaksinave dhe ekstremistë të ndryshëm u përpoqën, edhe pse pa sukses, që të sulmonin parlamentin gjerman.

Pas krizës së refugjatëve të vitit 2015, kur Merkel lejoi hyrjen në vend të mbi 1 milionë emigrantëve dhe refugjatëve, shumë vëzhgues, përfshirë edhe mua, parashikuan një rritje të ekstremizmit politik në Gjermani. Atmosfera në zgjedhjet e vitit 2017 ishte në shumë raste e  shëmtuar.

Partia e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD)mori shumë vende në parlament. Por në zgjedhjet e 26 shtatorit, ekstremitetet politike të së djathtës dhe të së majtës humbën shumë vota. Qendra politike në Gjermani jo vetëm ka rezistuar, por ajo është forcuar.

AfD është ende e fortë në Gjermaninë Lindore, por ajo është më larg se kurrë shndërrimit në një forcë kombëtare. Një ndryshim midis Gjermanisë dhe vendeve të tjera të mëdha perëndimore është se nivelet e larta të imigrimit nuk e kanë radikalizuar të djathtën tradicionale.

Trump erdhi në pushtet pas premtimit për ndërtimin e një muri me Meksikën. Xhonson e fitoi referendumin pro Brexit me premtimin për të “rimarrë kontrollin” e kufijve dhe ligjeve të Britanisë. Në Francë, Mishel Barnie, që po synon të jetë kandidati i qendrës së djathtë për presidencën franceze, ka bërë thirrje për një moratorium për të gjithë emigrantët që vijnë nga vendet jashtë BE-së.

Ndërkohë Erik Zemur, ylli në rritje i së djathtës ekstreme franceze, kërcënon të dëbojë nga vendi mbi 2 milionë njerëz. Përkundrazi qeveria gjermane, vazhdon të mbështesë emigracionin. Në gusht të këtij vitit, kreu i agjencisë federale të punës në Gjermani, tha se plakja e fuqisë punëtore të vendit nënkupton se Gjermania duhet të lejojë hyrjen çdo vit të 400.000 emigrantë të rinj, duke argumentuar se pa këtë nivel migrimi “do të ketë kudo një mungesë të punëtorëve të kualifikuar”.

Vetëm Alternativa për Gjermaninë (AfD) e së djathtës ekstreme e kritikoi ashpër këtë ide. Forca e madhe e qendrës politike në Gjermani, nuk do të thotë aspak zhdukje e debatit. Mund të duhen muaj për të formuar një koalicion qeverisës.

Dhe do të jetë e vështirë që të ngushtohen dallimet politike midis të Gjelbërve, Demokratëve të Lirë dhe SPD. Por vetë nevoja për të ndërtuar një koalicion shkon kundër polarizimit politik – dhe demonizimit të opozitës -dukuri që është shndërruar në një standart në botën  anglo-saksone. Në shekullin XXI, politika gjermane është edhe një herë e jashtëzakonshme. Por këtë herë për një arsye të mirë.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Vaksinat, një çështje e shëndetit publik apo një lojë e pushtetit?

Publikuar

-

Nga

cna news, cna lajme, lajme cna, lajme flash cna, cna.al, cna lajme politike,

Nga Mark T.Mitchell “The American Conservative”

Nuk jam vaksinuar ndaj virusit të Covid-19, dhe në parim nuk jam kundër vaksinimit. Deri më sot kam bërë një shumëllojshmëri vaksinash, përfshirë ato që mbrojnë kundër poliomelitit, fruthit dhe shytave. Kur çahem nga ndonjë gozhdë e ndryshkur, nxitoj që të bëj vaksinën përforcuese të tetanozit.

Edhe fëmijët e mi janë vaksinuar kundër këtyre sëmundjeve. E megjithatë unë hezitoj të pajtohem me sugjerimet që muajt e fundit kanë sugjeruar agjencitë e ndryshme qeveritare në SHBA, dhe e gjej veten nën presion nga vaksinimi i detyrueshëm që ka vendosur presidenti aktual.

Po pse hezitoj të vaksinohem këtë herë?Së pari unë e kam kaluar Covid-19. Dhe shumica e të dhënave pretendojnë se imuniteti natyror është të paktën po aq efektiv sa një vaksinë në mbrojtjen kundër infektimeve në të ardhmen.

Dhe ndërsa ka paqartësi se sa gjatë do të zgjasë imuniteti natyror, është domethënës fakti që në një studim të vitit 2008, njerëzit që i mbijetuan Gripit Spanjoll të vitit 1918 kishin ende  antitrupa. Ndaj unë duhet të konsiderohem të paktën po aq i mbrojtur sa edhe dikush që është vaksinuar.

Dhe ky është një lajm shumë i mirë. Në rast se qëllimi është vërtet të kontrollojmë përhapjen e Covid-19, numri që duhet të analizojmë është shuma e atyre që janë vaksinuar dhe atyre që janë shëruar nga virusi. Aktualisht, rreth 181.7 milionë amerikanë janë vaksinuar kundër Covid-19, që përbën afro 55 për qind të popullsisë.

Gati 42 milionë amerikanë kanë qenë të konfirmuar zyrtarisht me Covid-19, dhe më pas janë shëruar. Ky numër ka të ngjarë të jetë shumë më i ulët se numri real, pasi ne e dimë që shumë njerëz përjetojnë simptoma të buta ose aspak të dallueshme, dhe për këtë arsye zhvillojnë antitrupa pa u testuar ndonjëherë pozitivë me këtë virus.

Sipas CDC, nga shkurti 2020 deri në majin e këtij viti, vlerësohet se 120.2 milionë amerikanë janë infektuar dhe më pas shëruar nga Covid-19. Kombinojini këto shifra me faktin se ne po përmirësohemi në trajtimin e simptomave të Covid-it, dhe ka shumë arsye të mendojmë se jemi duke shënuar një progres serioz në zbehjen e efekteve të këtij virusi.

Prandaj është e vështirë të mos nuhasësh që këtu bie erë diçka. Natyrisht, unë nuk jam mjek. Por jam një filozof politik, dhe kam kaluar shumë vite duke reflektuar mbi natyrën e pushtetit dhe prirjen tepër njerëzore për të abuzuar metë. Dhe kjo përvojë më nxit të bëj disa pyetje të caktuara.

Së pari:Pse ata që këmbëngulin për vaksinimin e injorojnë imunitetin natyror që ofron shërimi nga një infeksion viral?Në vend se t’i gëzohen faktit që mbi 1/3 e popullsisë në SHBA ka të ngjarë të ketë antitrupa ndaj Covid-19, ata që janë në pushtet po urdhërojnë vaksinimet për të gjithë pa pasur parasysh imunitetin.

Por fakt është që çdo vaksinë mbart me vete rreziqe të caktuara. Ky rrezik është edhe më real për një vaksinë të sapo-zhvilluar, për të cilën nuk dihen efektet afatgjata. A është e arsyeshme që një person që mbart antitrupa ndaj Covid-19 të marrë një vaksinë eksperimentale pa të dhëna afatgjata?

Pse? Ju lutem na e shpjegoni. Një qasje e bazuar vërtet tek shkenca do të merrte parasysh edhe faktin që njerëzit kanë tashmë një imunitet natyror. Pse nuk po ndodh kjo gjë? Pse ata që këmbëngulin se “i besojnë shkencës” nuk kanë parasysh shkencën e imunitetit natyror? Pra duket se diçka nuk shkon.

Së dyti:Pse informacionet mbi pandeminë Covid-19, censurohen vazhdimisht? Në rast se përmendet teoria e daljes së koronavirusit nga një laborator, kjo gjë hidhet menjëherë poshtë si një fjalim i çmendur Trumpian. Mediat që tentuan ta eksplorojnë këtë hipotezë u censuruan.

LEXO EDHE:  “Mao më frymëzoi më 1949-ën, por ëndrrat e mia u shkatërruan shumë shpejt”

LEXO EDHE:  Qytetarët "kryëzojnë" Ramën/ "Qeveri arrogante"



Individët që shprehën interes mbi këtë këndvështrim, u tallën si të çmendur, si njerëz me mendësi konspirativ, që duhej të ndalnin përhapjen e gënjeshtrave. Por tani hipoteza e një rrjedhje laboratorike, është ndoshta shpjegimi më i besueshëm.

Nëse interesi i vetëm do të ishte shëndeti publik, atëherë një debat publik i fuqishëm dhe ndjekja falas e së vërtetës do të ishte normë dhe jo përjashtim. Atëhere, kush po përpiqet që të fshehë këtë informacion? Çfarë po përpiqen të fshehin? Çfarë kanë për të fituar?

Së treti:Pse ilaçi ivermektinë, u sulmua aq shumë në raportet e qeverisë dhe mediave të establishmentit? Ivermektina është një ilaç kundër parazitëve, të cilin veterinerët e përdorin tek kuajt dhe lopët. Nuk është për njerëzit, por disa po e pompojnë veten plot me ilaçe blegtorale në një përpjekje fatkeqe dhe jo të arsyeshme për ta mposhtur Covid-19.

A është vërtet kështu? Jo tamam. Ivermektina është rekomanduar nga mjekët për dekada të tëra. Në vitin 2015, zbuluesi i këtij ilaçi fitoi Çmimin Nobel për Mjekësi. Ai përdoret vërtet për të vrarë parazitë të caktuar tropikal, dhe cilësohet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë si një “ilaç jetik”.

Ivermektina është përdorur nga disa mjekë për të kuruar Covid-19. Rezultatet janë të përziera. Ndërsa unë vetë nuk kam asnjë mendim mbi Ivermektinën, më duket e habitshme pse mbështetësit e vaksinimit të detyrueshëm kanë prodhuar një realitet alternativ, duke e cilësuar atë si një pilulë për kuajt.

Edhe FDA e ka kritikuar këtë ilaç. Pse ndodh kjo? Kini parasysh një fakt. Sipas rregulloreve të FDA-së, një Autorizim i Përdorimit Emergjent (EUA) lejohet kur ndër të tjera “nuk ka alternativa të përshtatshme, të miratuara dhe të disponueshme”.

Vaksinimet kundër Covid janë vënë në dispozicion të publikut si një EUA. Vaksina e Pfizer mori miratimin e FDA vetëm muajin e kaluar. Vaksinat e tjera ende funksionojnë sipas udhëzimeve të EUA. Nëse do të kishte trajtime të qarta alternative, vaksinimet nuk do të merrnin statusin EUA.

Është e qartë se ka një nxitje të fortë financiare për të dekurajuar testimin dhe miratimin e alternativave të vaksinave aktuale. Patenta e Ivermektinës ka skaduar shumë kohë më parë. Askush nuk do të fitonte miliarda dollarë me të. Ndonjëherë ndjekja e parave është një këshillë mjaft e arsyeshme. A mund të jetë edhe në këtë rast?

Ndoshta, por ne nuk do ta dimë asnjëherë efektivitetin e trajtimeve të mundshme, nëse nuk vazhdojnë provat shkencore të terapive të ndryshme, nëse nuk shpërndahet lirisht informacioni rreth tyre, dhe nëse nuk lejohen zëra të ndryshëm që të debatojnë fuqishëm në mesin e opinionit publik.

Së katërti:Ku përfundon e gjitha kjo?. Nëse grupimi pro-vaksinimit do të triumfojë, çdo amerikan, dhe përfundimisht çdo njeri në këtë botë, do të ketë vaksinën anti-Covid. Por nëse do të vaksinohen që të gjithë, nuk do të ketë asnjë grup kontrolli, ndaj ne nuk do të mundemi të gjykojmë me saktësi efektivitetin e vaksinës.

“Politizimi i shkencës” po përdoret si një justifikimin për të censuruar kundërshtarët e vaksinave. Por kjo nuk është shkencë, sepse shkenca kërkon një hetim të hapur dhe të lirë. Nuk është as politikë, sepse politika legjitime kërkon një debat të lirë dhe të fuqishëm. Përkundrazi është një ushtrim i pushtetit, i maskuar si shkencë. Pra, po përjetojmë një situatë toksike ku pushteti zgjerohet, dhe ku po abuzohet në mënyrë dramatike në emër të shëndetit publik. Shkenca është një viktimë e dukshme, por kur veshim rrobat e pseudo-shkencës, një viktimë tjetër është liria e njeriut.

Shënim:Mark T.Mitchell, është Dekan i Çështjeve Akademike në Kolegjin Patrik Henry, SHBA.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Historia e ekspeditës naziste në Himalaja për të kërkuar racën Ariane

Publikuar

-

Nga

cna lajem blog

Në vitin 1935, kreu i SS-ve nazistë Hajrih Himler krijoi “Ahnenerbe”, një njësi që kishte si synim kryesor përhapjen dhe konfirmimin shkencor të teorive raciste të regjimit nazist.

Në veçanti, akademikët e rekrutuar në këtë organizatë, kishin për detyrë të gjenin gjurmë të qytetërimit më të lartë që kishte jetuar dikur në qytetin legjendar të Atlantidës, nga i cili sipas nazistëve buronte edhe raca superiore Ariane.

Sipas një teorie shumë të popullarizuar në atë kohë, Atlantida – që dikur ndodhej në një pikë të papërcaktuar në mesin e Oqeanit Atlantik – ishte fundosur pasi u godit nga një rrufe, dhe më vonë disa nga banorët e saj kishin gjetur strehë në malet Himalaja.

Ky besim ishte aq i fortë, saqë 3 vjet pas krijimit të “Ahnenerbe”, Himler dërgoi 5 ekspertë në Tibet për të zbuluar çfarë gjurmësh kishin mbetur nga banorët Arianë të Atlantidës, dhe

si ishin përzier ata me banorët vendas. Ekspedita, që do të mbetej sekrete, zgjati rreth 1 vit dhe në të morën pjesë edhe një zoolog i pasionuar pas gjuetisë, si dhe një antropolog.

Siç rrëfen gazetari indian Vaibhav Purandare në librin e tij “Hitleri dhe India”, Hitleri e urrente popullsinë indiane. Ai ishte i bindur se rreth vitit 400 Pas Krishtit, Arianët kishin migruar nga veriu, pikërisht nga Tibeti, dhe indianët ishin përzier me ta, duke e prishur pastërtinë e gjakut të tyre.

Për Hitlerin, kjo çështje – e cila, për më tepër, nuk u mbështet nga asnjë provë – përbënte një krim të vërtetë, dhe për këtë arsye ai e fyente shpesh Indinë dhe indianët në shkrimet dhe në fjalimet e tij publike. Por pavarësisht kësaj, ishte me vlerë që “Ahnenerbe” të kërkonte gjurmë të racës ariane në atë pjesë të botës.

Ndaj në vitin 1938 u organizua ekspedita, në të cilën morën pjesë 5 ekspertë gjermanë. Purandare shkruan se dy prej tyre spikatën mbi të tjerët. Njëri ishte Ernst Shafer, zoologu 28-vjeçar që kishte qenë dy herë në zonën kufitare midis Indisë, Kinës dhe Tibetit.

Ai ishte një njeri shumë i apasionuar pas gjuetisë, edhe pse ky pasion i tij kishte çuar në vrasjen aksidentale të gruas së tij, kur rrëshqiti në momentin që ishte gati të qëllonte një rosë duke qëlluar në drejtim të gabuar (kjo ndodhi rreth 2 muaj para nisjes së ekspeditës, por Shafer nuk besonte se ajo ngjarje tragjike ishte një arsye e fortë për të mos qenë pjesë e saj).

Tjetri ishte Bruno Beger, antropolog dhe një anëtar i SS që nga viti 1935. Detyra e tij ishte të mblidhte të dhëna anatomike të njerëzve që do të takonte në zonë, në mënyrë që të vëzhgonte “proporcionet, origjinën, rëndësinë dhe zhvillimin e racës nordike” në Tibet.

Ekspedita kishte në përbërje edhe fizikantin Karl Vinert, koleksionuesin e kafshëve Edmund Ger dhe fotografin Ernst Krauze, më i moshuari i grupit. Edhe pse nuk kishte filluar ende Lufta e Dytë Botërore, marrëdhëniet midis vendeve evropiane nuk ishin të qeta.



LEXO EDHE:  Çmenduritë e Luftës së Ftohtë/ Kur Stalini dhe Mao Ce Duni, tentuan të vrisnin aktorin e famshëm amerikan Xhon Uejn

LEXO EDHE:  Të mbijetuarat rikujtojnë tmerret e Srebrenicës

Sidomos, Mbretëria e Bashkuar – që në atë kohë kontrollonte Indinë – e pa me shumë dyshim vizitën e këtyre shkencëtarëve gjermanë, nga frika se mos ata ishin spiunë, një hipotezë e parashtruar edhe nga gazeta “Times of India”, e cila shkroi disa herë mbi ekspeditën.

Në majin e vitit 1938, të pestë gjermanët zbarkuan në Sri Lanka, dhe më pas hynë në Indi përmes qytetit të sotëm Çenai (asokohe Madras), dhe vazhduan udhëtimin drejt Kalkutës dhe më pas në veriperëndim, në shtetin indian Sikim. Rrugës ata hasën disa probleme me zyrtarët politikë britanikë, por në fund të vitit ia dolën të shkojnë në Tibet.

Britanikët po ndiqnin në atë kohë politikën e njohur si “pajtimi”, duke mbajtur një qasje pajtuese me Gjermaninë naziste, në mënyrë që të shmangeshin konfliktet ushtarake. Prandaj, nga Londra, erdhi urdhri i drejtpërdrejtë për të mos e penguar ekspeditën, pavarësisht shqetësimeve mbi të.

Dalai Lama XIII – autoriteti më i lartë fetar dhe politik i budizmit tibetian – kishte vdekur disa vite më parë. Ndaj mbretëria tibetiane, që në ato ishte de fakto e pavarur, edhe pse kërcënohej vazhdimisht nga Kina, drejtohej nga një Dalai Lama i ri vetëm 3-vjeçar, si dhe një regjent.

Purandare thotë se ndoshta për shkak të tranzicionit politik në zhvillim, autoritetet tibetiane i trajtuan “jashtëzakonisht mirë” gjermanët. Për më tepër, këta të fundit hasnin shpesh svastikën, një simbol i përdorur gjerësisht në vendet budiste dhe hindu, dhe shumë i përhapur në Tibet, me kuptime dukshëm të ndryshme nga ato naziste.

Për shembull gjatë qëndrimit të tij, Beger pati marrëdhënie shumë paqësore me tibetianët, dhe në disa raste ai kryente edhe funksionet e një mjeku. Megjithatë, në realitet ai mati kafkat dhe karakteristikat fizike të qindra njerëzve, kokat, fytyrat, duart dhe veshët, duke mbledhur gjurmët e gishtërinjve, dhe duke grumbulluar rreth 2.000 fotografi.

Një anëtar tjetër i ekspeditës xhiroi 18.000 metra film dhe kreu mbi 40.000 fotografi. Me sa dihet tani, nuk ka gjasa që tibetianët të ishin në dijeni të qëllimit të atyre matjeve. Në vitin 1939 filloi lufta dhe ekspedita e 5 gjermanëve u ndërpre papritur.

Ata u kthyen në Gjermani, dhe kur avioni i tyre u ul në Mynih, ishte vetë Himler që doli t’i priste. I gjithë materiali i mbledhur u studiua në vitet në vijim, dhe Shafer pati kohë të botonte edhe disa libra mbi kërkimin e kryer.

Gjithsesi në vitin 1945 Gjermania u dorëzua, dhe gjatë pushtimit të aleatëve amerikanë, britanikë dhe rusë, shumica e materialit që përmbante rezultatet e hulumtimit u shkatërrua. Në vitet në vijim, harresa që pësuan disa aspekte të turpshme të nazizmit, bëri që askush të mos përpiqej të rindërtonte përfundimet në të cilat kishin arritur 5 shkencëtarët nazistë.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE