Connect with Us

Nga Fatos Lubonja/ Si bashkëpunuan Rama dhe amerikanët për eleminimin e Berishës

Opinione

Nga Fatos Lubonja/ Si bashkëpunuan Rama dhe amerikanët për eleminimin e Berishës

Publikuar

-

Fatos Lubonja kritikon PD/ Pastrimi i partisë duhej bërë më herët

Lulzim Basha dhe mbështetësit e tij, pasi kanë shpalosur një çarçaf me meritat e mëdha të kapitenit “historik” të anijes PD, shtojnë në fund se ai duhet hedhur nga anija pasi lundrimi drejt pushtetit nuk mund të vazhdojë kështu, pasi me Berishën në anije na bombardojnë amerikanët.

“Nec plus ultra”, mos shko më tej, duket sikur i thonë ata mendimit të tyre. E kërkojnë amerikanët dhe pikë! Por a është vallë kështu? Absolutisht jo. Në këtë vendim të Lulzim Bashës ka që ç’ke me të një mendim kalkulues – fatkeqësisht të gabuar – që karakterizohet nga një hipokrizi alla shqiptarçe e katërfishtë: ndaj amerikanëve, ndaj Berishës, ndaj shqiptarëve dhe ndaj vetes.

Pse e them këtë? Pasi as ai dhe as mbështetësit e tij, duke menduar me dinakëri, s’kanë ndaluar asnjë çast tek argumenti që kanë dhënë amerikanët për të kërkuar largimin e Berishës nga Grupi Parlamentar i PD-së: “korrupsion i nivelit të lartë” që “ve në rrezik interesat amerikane”, – që do të thotë automatikisht edhe ato shqiptare.

Madje, tashmë argumenti amerikan i korrupsionit sikur është harruar edhe nga vetë amerikanët duke mbetur debati te vlerësimi i personit Berisha, aq sa Lulzim Basha ka bërë disa aludime, sipas të cilave informacione që i di vetëm ai, të bëjnë të mendosh se amerikanët kanë për Berishën prova shumë më të rënda sesa korrupsioni. Në këtë pikë vlen të shtrohet pyetja nëse vërtet korrupsioni përbën një shqetësim të vërtetë të opozitës shqiptare dhe të amerikanëve, apo është një pretekst për luftë politike – siç ka qenë këta tridhjetë vjet në Shqipëri?

Që në PD, me në krye Berishën, Bashën etj., nuk ka pasur e nuk ka impenjim të vërtetë në luftën kundër korrupsionit, kjo është provuar me kohë. Një nga karakteristikat kryesore të berishizmit (përveç shumë të tjerave, ku hyn edhe hipokrizia e shumëfishtë që po manifestojnë trashëgimtarët e tij) ka qenë pikërisht përdorimi i korrupsionit të kundërshtarit për të bërë korrupsion vetë.

Nuk ka person që e kupton më mirë këtë që sot po i bie mbi shpinë, sesa dora vetë Sali Berisha, sepse është ai që e inauguroi përdorimin e korrupsionit për korrupsion në vitet ‘90 me arrestimin (edhe me mbështetjen amerikane) të liderit të opozitës Fatos Nanos me qëllim dobësimin e opozitës. Për hir të së vërtetës, duhet thënë se ky moment shënon një pikë kulminante të berishizmit, si forma më e egër e luftës për eliminimin e kundërshtarit që kemi njohur.

Në periudhën e mëvonshme 1997 – 2013, ky mjet lufte mbeti në nivele retorike, pa arritur të bëhet agresiv deri në arrestime dhe konfiskime pronash të kundërshtarëve. Por me Ramën në pushtet, me kapjen e drejtësisë nëpërmjet së ashtuquajturës Reformë në Drejtësi, po arrijmë me shpejtësi në nivelet e berishizmit të fillimviteve ‘90, edhe pse në një trajtë më të sofistikuar dhe shumë më të vështirë për t’u luftuar. Dhe një nga vështirësitë është kontributi agresiv amerikan në këtë demagogji.

Po të lexosh analizat e përvojës së dështimit amerikan në Afganistan, siç është p.sh. shkrimi i “The Economist”, “Pse amerikanët vazhdojnë të ndërtojnë shtete klientelare të korruptuara?”, do të shohin se në vend që të çmontojnë sistemin e lidhjeve klientelare të korrupsionit, amerikanët i kanë paguar të pushtetshmit e korruptuar atje, për hir të paqes e stabilitetit.

Edhe atje amerikanët kanë ndihmuar në ngritjen e një institucioni që duhet të luftonte korrupsionin, por që në fakt u dobësua shpejt nga afganët e amerikanëve. Edhe atje, kur Karzai i fitoi për herë të dytë zgjedhjet me manipulim, gëzoi mbështetje amerikane. Si përfundim, doli se kishin ndërtuar një shtet fasadë “të ngjashëm me fshatin Potemkin”, që u shkërmoq sapo ata vendosën të ikin.

Pyetja në rastin tonë shtrohet nëse amerikanët – ose ai grup lobistësh amerikanë që po përdorin etjen e papërballueshme për protagonizëm të ambasadores Kim – janë të paaftë të mësojnë nga dështimet e tyre apo e përdorin edhe ata korrupsionin me të njëjtën metodë. Të vjen vetvetiu kjo pyetje duke parë se argumenti amerikan se Berisha po ndëshkohet pasi, nëpërmjet korrupsionit, ka vënë në rrezik interesat strategjike amerikanë çalon me të dyja këmbët: si mjet dhe si rezultat.

Çalon si mjet sepse, sikurse do të thoshte edhe vetë Rama i fushatës elektorale të 2013-tës, Berisha nuk ka bërë korrupsion vetë, por në sajë të ngritjes së një sistemi korruptiv, ku biznesi shqiptar, ndryshe oligarkët shqiptarë, nuk funksionojnë sipas rregullave të tregut të lirë, por si klientë të partive në pushtet – çka dora-dorës i ka shndërruar ose në kapës të shtetit duke i bërë deri deputetë e ministra, ose në të kapur prej shtetit.

Ky është thelbi i berishizmit për sa i përket korrupsionit. Dhe problemi është se ky berishizëm gjatë tetë vjetëve të Ramës është fuqizuar dhe sofistikuar në nivele shumë më të larta, sepse oligarkët që akuzoheshin nga Rama për korrupsion me Berishën, sot punojnë të gjithë me Ramën, sipas të njëjtit sistem; sepse shumica e mediave të këtyre oligarkëve (apo të sponsorizuara prej tyre), deri edhe gazetarë që i kanë shërbyer berishizmit më të egër të viteve ‘90, sot i shërbejnë Ramës me të njëjtin stil.

Dhe, po t’u shtosh këtyre faktin se gjatë qeverisjes Rama, krimi i organizuar ka njohur një hop cilësor drejt kapjes së jetës politiko-ekonomike shqiptare, nuk mund të mos vijmë në konkluzionin e Ramës së viteve 2013 se në Shqipëri edhe një gjerman, po të vijë do të korruptohet. Në këto kushte, çështja shtrohet: çfarë ndodh në një vend ku zor të gjesh “gjerman”, të cilit, për shkak të sistemit, të mos mund t’i ngresh dot një akuzë për korrupsion dhe ku pushtetarët nuk punojnë për çlirimin e “gjermanit” nga ky sistem, por për sundim dhe përfitim korruptiv nëpërmjet kapjes së tij?

LEXO EDHE:  Firma nuk i jep rrogën/ Qytetari e denoncon për herë të dytë, por...

Përgjigjja është ajo që po ndodh sot me “gjermanin” Berisha: “gjermanin” e shantazhon, deri dhe e fut në burg po të doli kundër, për t’i hapur rrugë një abuzimi të pakontrolluar me pushtetin. Sulmi ndaj Berishës është bërë me këtë metodë që inauguroi Berisha në 1993.

I kthehemi edhe një herë pyetjes: a janë kaq miopë amerikanët sa Rama ka arritur t’i manipulojë apo po e përdorin edhe ata luftën ndaj korrupsionit si instrument për të mbështetur autokratin për interesat e tyre? Sa më shumë kalon koha, aq më shumë po provohet se kemi të bëjmë me një përdorim të ndërsjellë. Për sa i përket Ramës manipulator, vlen të kujtojmë se përdorimin e luftës ndaj korrupsionit për të eliminuar kundërshtarët, duke përdorur ndërkombëtarët, e ka zanat të vjetër.

Kujtoni “Mjaft” të Erjon Velisë, sesi lindi me mbështetje financiare ndërkombëtare ambasadash dhe fondacionesh si ai Soros, kundër ish-komunistëve të korruptuar Nano-Berisha, por që i mbajti sytë mbyllur ndaj supermekanizmit korruptiv me oligarkë ndërtues dhe pronarë mediash që kishte ngritur Rama në Bashkinë e Tiranës – aq sa i doli shprehja “një pallat, një votë”.

Se kush qëndronte prapa “Mjaft”-it, sot e kanë të gjithë të qartë. Edhe rezultatin po ashtu e kemi, po e shohim nëpërmjet masakrës që po i bën krimi i organizuar qytetit të Tiranës. Eliminimi i dyshes Berisha – Meta me dorën ndërkombëtare është stratagjemë së njëjtës mendje ku, paradoksalisht, vendin e Erjon Velisë sikur po kërkojnë t’ia ngarkojnë Lulzim Bashës. Për sa u përket amerikanëve, nuk gjykoj se kanë rënë pre e manipulimit të Ramës nga naiviteti.

Sepse duke parë veprimet e tyre, nuk mund të mos shtrosh disa pyetje parimore: nëse Shqipëria qenka vend kaq i pasigurt për interesat amerikane, saqë një ish-President, ish-Kryeministër shpallet armik i Amerikës, si ka mundësi që e trajtojnë këtë vend kaq të brishtë si vend të sigurt ku mund të depozitojnë armët kimike siriane për t’i çmontuar, ta bëjnë vendstrehimin e muxhahedinëve opozitarë të regjimit iranian apo të sjellin edhe afganët, ndërkohë që vende të tjera të NATO-s, shumë të konsoliduara e të fuqishme, hezitojnë për shkaqe sigurie të vendeve të tyre?

Poende, nëse vërtet kanë hallin e popullit shqiptar që, për shkak të korrupsionit, po ikën masivisht në emigracion, aq sa në 10 vjetët e fundit 60000 fëmijë në moshën e adoleshencës janë braktisur qëllimisht nga prindërit nëpër Europë pasi nuk shohin të ardhme për ta në Shqipëri, si ka mundësi që nuk reagojnë fare ndaj korrupsionit të Ramës. Poende, si nuk reagojnë as ndaj Lulzim Bashës dhe mbështetësve e tij kur i shohin të vazhdojnë ta ngrenë në qiell trashëgiminë e Berishës në vend se të përqafojnë seriozisht argumentin amerikan të korrupsionit?

Madje, po t’i besojmë së dhënës që qarkullon nëpër media se kanë përdorur si presion ndaj Bashës kërcënimin se përndryshe do ta shpallnin edhe atë “non grata”, a nuk na çon edhe kjo, së bashku me çka rreshtova më sipër, në idenë se ata nuk kanë hallin e liderëve të korruptuar, por se si t’i përdorin liderët e korruptuar për qëllimet e tyre?

Megjithatë, tek e fundit, përtej qëllimeve e mjeteve, që mbeten të diskutueshme, rezultati është se amerikanët – gjithmonë në kuptimin e grupit të lobistëve amerikanë që po përdorin etjen e papërballueshme për protagonizëm të ambasadores Kim – po kontribuojnë në fuqizimin dhe sofistikimin e berishizmit si në partinë në pushtet, edhe në partinë më të madhe opozitare, të cilën e kanë çuar në pikën më të dobët historike për sa i përket forcës dhe kredibilitetit.

Me këto praktika, dështimi i tyre në Shqipëri është i garantuar. Madje, mund të them se tashmë ai është një realitet që nuk duan ta shohin sepse “talebanët” e kanë marrë tashmë pushtetin në Shqipëri, – kam parasysh me këta krimin e organizuar në pastrimin e parasë.

Prokurori i mirënjohur italian, Gratteri, autor midis të tjerash i librit “Si Ndrageta u bë klasë drejtuese” në një intervistë të dhënë kohët e fundit, thotë: “nëse askush (në Perëndim) nuk i kundërvihet mafies shqiptare në Shqipëri, këta do të bëhen shumë të fuqishëm shumë të pasur sepse kanë mbrojtje në të gjitha nivelet dhe do të shpërhapen e të hyjnë në Evropë…”.

Problemi amerikan është se ata po i trajtojnë talebanët tanë si “our son of the bitch” (birin tonë të kurvës) dhe siç e ka provuar historia, ka shumë rrezik të veprojnë kështu deri kur këta t’u bien ndesh interesave të tyre. Do të doja ta mbyllja këtë shkrim duke shtuar: prandaj është detyre e shqiptarëve të përveshin mëngët nëse nuk duan të jetojnë nën sundimin e “talebanëve” të tyre, por duke i parë shqiptarët kaq të nënshtruar dhe kaq të tradhtuar, po e mbyll duke uruar të ndodhë ndonjë mrekulli që t’i shpëtojë./ CNA.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Opinione

Nga Ilir Levonja/ Ca pika të përbashkëta me Korenë e Veriut

Publikuar

-

Nga

Nga Ilir Levonja/ Koliqi dhe Camaj do qeshinin po të ishin gjallë

Puna e ujit njëzetë e katër orë, nuk është zgjidhur akoma. Ishte kjo arsyeja që gjatë viteve të demokracisë, tarracat e pallateve u mbushën me bolierë të të gjitha llojeve. Kurrë nuk pati një studim mbi peshën e ujit që flinte në ‘to, ndaj duhet t’i jemi mirënjohes fatit që nuk pamë ndonjë katastrofë.

Mirëpo çfarë është më tragjikja, është fakti që e dëgjon rishtas si një premtim elektoral. Po kështu edhe energjia elektrike. Pavarsisht potecianlit që zotërojmë, akoma nuk kemi drita njëzetë e katër orë, për më tepër zonat rurale vuajnë dyfish.

Mungesën e saj orë e pa orë, por edhe kur u shkon, nuk është e mjaftueshme, e dobët duke u shkaktuar probleme në pajisjet shtëpiake.

Shumë shpejt mos u habisni kur të shikoni ballkonet edhe me panele diellore. Një model të tillë aktualisht e ka Koreja e Veriut. Nëse i qasesh Koresë do e shikosh se ballkonet e pallateve gëlojnë nga pasqyrat e paneleve. Madje edhe në zonat rurale të Koresë së Veriut, i gjen në qoshe të shtëpive, si një agregat normal në raport me kondicionerët e Koresë së Jugut. Ka materiale filmike që t’i ofron bota e internetit, fal medias së lirë dhe atyre blogerëve që nuk njohin kufij.

Sa për kuriozitet, qytetari korean kursen edhe gropat septike, duke i kthyer ato në pleh për prodhimet e bujqësisë. Kur e pyetën një qytetar të Koresë së Veriut se, sa orë përballonte paneli që kishte në qoshe, ai u përgjigjë: -4 orë. Janë bollë për mua dhe familjen time. Natën nuk na duhet dritat. Na zbulon armiku vendodhjen.

LEXO EDHE:  Vdekja e shoferit të Xhafajt/ PD akuza të rënda Prokurorisë

LEXO EDHE:  Nga Armir SHKURTI/ Dilema hamletjane për Metën



Ky lloj qytetari të kujton atë të kohës së Enver Hoxhës. Për një si puna ime që e ka jetuar që e ka jetuar socializmin, portretet ishin sinonim i njëri-tjetrit. Lëkurë thatë, eshtë lexueshëm, sidomos nofullat tek tëmthi. Dhe një vështrim i çuditshëm brenda një xhakete doku ngjyrë ushtarake.

Ajo çfarë dua të them është fati i të përbashkëtave  midis Shqipërisë sime dhe Koresë së Veriut të largët. Bolierët e taracave, transformatorët e energjisë, pompat e ujit në hyrje pallatesh, në banesa etj., e tashmë në horizont panelet diellore në ballkone.

Ndërsa në botën perëndimore, panelet janë projekte me yshtjen e vet korporatave energjitike, pra nxitëse. Kjo për menaxhimin sa më efiçent të energjisë, tek ne korporatat majmin drejtuesit. Nëse nuk e dini, posti më i kushtueshëm në një vend si Shqipëria, është ai i institucionit të energjisë.

Sot dalin studiove disa gagarelë dhe gjoja u shpjegojnë shqiptarëve bursën, kohën kur energjia shitet lirë dhe kur blihet shtrenjtë. Janë mirëfilli lëndë e parë për drejtësinë, jo për publikun. Por tek ne vetëm drejtësia duket se kurrë nuk ka për të funsionuar, sikur një herë të vetme. Dhe a e dini përsenë? Se shqiptari e urren shqiptarin.

LEXO TE PLOTE

Opinione

Nga Kreshnik Spahiu/ Lulzim Basha ka dy alternativa: Dorë-heqje ose shqelm-heqje

Publikuar

-

Nga

Kush e futi Shqipërinë në NATO?/ Basha i “vjedh” meritat Berishës: Ju e dini rolin tim

Ta themi troç: Lufta e Amerikës ndaj Berishës, nuk përkthehet në “Dashuri” për Lulzimin.

Urrejtja dhe dashuria amerikane nuk personifikohen aspak tek këta dy njerëz.

Amerikanët nuk po çmontojnë Berishën, që t’i lehtësojnë hipotekimin e partisë Lulzimit.

Luli është thjesht vegla, që me hir apo pahir, u përdor për të arritur objektivin.

SHBA fuksionon me parimin: “Qëllimi justifikon mjetet”.

Lulzim Bashës i kanë ngelur vetëm dy alternativa:

– Të japë dorëheqjen duke bërë pazar me Berishën

– Ta heqin me shqelma nëse reziston dhe tenton ta mbajë me forcë.

Çfarë rruge do zgjedh Lulzim Basha?

Unë kam bindjen se Basha ka kohë që e ka mbyll këtë histori.

Ai ka gënjyer të gjithë.

– Basha gënjeu Amerikanët para zgjedhjeve, duke i thënë: Mos e shpallni Berishën tani Non-Grata, por më prisni pas zgjedhjeve sa të bëjë listën time me deputet besnik.

– Basha gënjeu Berishën dhe i tha: “I xhirova amerikanët dhe i binda të jesh në listë për deputet.”

– Basha gënjeu partinë dhe u tha: “Unë di ca gjëra që nuk thuhen për familjen Berisha”

– Basha gënjeu miqtë e tij dhe u tha: “Berisha se ka të gjatë do vdesë se është plak, ose do e burgosin amerikanët.”

– Basha gënjeu familjen Berisha dhe iu betua: “Unë do ju qëndroj besnik po aq sa babai juaj”



Lulzim Basha e kishte të qartë fundin e tij, prandaj 6 muaj para zgjedhjeve bleu qyl, 4 vila (2 në Gjirin e Lalzit dhe 2 në Lundër)

A mundet një person të blej 4 vila, 6 muaj para nëse ka bindjen se do bëhej kryeministër?

Jooo aspak. Do duronte edhe 6 muaj sepse do i falnin 6 pallate po të fitonte, por ai e dinte rezultatin e humbjes.

Besoni çfarë po ju them: Lulzim Basha e ka mbyllur këtë histori.

Lulzim Basha nuk do rezistoj as me forcë dhe as me gjykatë.

LEXO EDHE:  Ish-ministri i Ramës i nxjerr “bojën” qeverisë/ Numëron ngjarjet historike që firmosi Berisha

LEXO EDHE:  Raportonte për ngjarjen kriminale/ Pas Lalës kërcënohet një tjetër gazetar

Ai s’ka këllqe të organizoj një mbledhje jashtë partisë, madje dhe kafen me 4 deputet e piu i rrethuar me 14 bodyguard. Ai e ka tepër frikë Berishën.

Ai do largohet, sepse e njeh mirë Berishën, dhe rruga e rezistencës është fatale për kokën e Lulzim Bashës.

Ai nuk e përballon dot Saliun as kokë për kokë dhe jo më pastaj, që ta mund kur Berisha ka turmën me vehte.

Do thoni ju: A do e mbrojnë amerikanët Lulzim Bashën?

Nuk besoj që amerikanët të mbrojnë një lider që ka ulur “brekët” dhe po dorëzohet. Lulzim Basha u konsumua nga amerikanët si një “prezervativ” një përdorimsh.

Qeveria amerikane shquhet për një strategji perfekte.

Qeveria Amerikane nuk i ndan Bashën dhe Berishën si “Engjëll me Djallin”, përkundrazi nëse Berishen e shpallën Non-Grata si lider që ka pasuruar klanin e tij apo ka minuar demokracinë, atëhere përfituesi numër 1-sh i korrupsionit Berisha është Lulzim Basha.
Nëse Berisha ka minuar demokracinë, atëherë ekzekutori ishte Lulzim Basha.

Për amerikanët Basha e mbylli misionin e tij.
Ata nuk do mbështesin dot një lider që as familja nuk e përkrah, madje bashkshortja as pasaportën shqiptare nuk e morri kurrë sepse ishte e bindur se burri nuk do kishte asnjë të ardhme në Shqipëri.

Ai po largohet dhe qëllimish i ka lënë terren Berishës të rikthehet me triumf.

Lulzim Basha nuk ja merr dot me forcë partinë Sali Berishës, edhe sikur ky i fundit të arrestohet, me dy “telefonata” nga burgu do e hiqte për leckash Lulzim Bashën.

Lulzimi ka dy alternativa: Dorë-heqje ose shqelm-heqje….
Nëse ndodh dorëheqja është lojë e paramenduar Basha-Berisha.
Nëse ndodh shqelmheqja, është skenar për shkërmoqjen totale të Partisë Demokratike.
Në të dyja rastet fundi i Lulzimit, është më i turpshmi i 100 viteve histori politike shqiptare.

LEXO TE PLOTE

Opinione

Në 90-vjetorin e lindjes/ Dritërofsh përjetë Dritëroi ynë

Publikuar

-

Nga

cna news, cna lajme, lajme cna, lajme flash cna, cna.al, cna lajme politike,

Nga Luan Rama

Nuk ka një rast e as një shembull tjetër ku emri i shkrimtarit të na sjellë të përmbledhur në një, madhështinë e epërme e po aq të fisme e tokësore të njeriut, të jetës dhe të veprës së tij, sa në rastin e Dritëroit.

Ai ishte dhe është ndër ne i përveçuar prej emrit, pikërisht prej kësaj përmase të pazakontë.

Njësoj si Naim Frashëri që në vetëdijen shqiptare është përveçuar e përjetësuar si Naimi ynë, aq sa boll të thuash Naimi e menjëherë në mendje të vjen vetëm “Naim beu i tokës time” siç e quan atë Dritëroi, edhe Dritëro Agolli është bërë e ka mbetur përjetësisht Dritëroi ynë.

Në çdo ditë të jetës e në çdo gjurmë të veprës, në çdo fjalë e në çdo gërmë të saj, është Dritëroi.

E gjithkund ku është Dritëroi, ka shumë zemër, ka shumë mirësi.

Dritëroi njihte me emër njerëz nga e gjithë Shqipëria, nga të gjitha viset e saj, nga çdo trevë, nga çdo krahinë.

Nuk lodhej kurrë së takuari njerëz, nuk mërzitej me ta.

Ata e gjallëronin, e gëzonin, e frymëzonin, por edhe e trishtonin kur flisnin për hallet e tyre, e vinin në mendime.



I ndjente dhe i respektonte me shpirt.

Mund ta them me bindje që asnjë shkrimtar tjetër në Shqipëri nuk mund të ketë takuar e njohur aq shumë njerëz sa Dritëroi e t’i ketë bërë ata pjesë të veprës së vet sa ai.

LEXO EDHE:  Vdekja e shoferit të Xhafajt/ PD akuza të rënda Prokurorisë

LEXO EDHE:  Vdekja e shoferit të Xhafajt/ PD akuza të rënda Prokurorisë

Në marrëdhëniet me njerëzit shfaqej përmasa e ndjeshmërisë së tij; e ndjeshmërisë, e dashurisë, e vëmendjes, e respektit, e mirënjohjes dhe e mirësisë së një shpirti që nuk mund të ishte tjetër, por shpirti prej apostulli i Dritëroit.

Sido që të shkruhet, nga kushdo që do të shkruhet, historia e letërsisë shqipe, do t’i ruajë Dritëro Agollit kryet e vendit.

Përmes librave të tij, brezat e sotëm dhe breza të tjerë, të rinj, që u mungon çdo përfytyrim për jetën në shoqërinë e dikurshme, do të rinjohin të shkuarën e prindërve të tyre.

Ndaj shqiptarët nuk do ta harrojnë e gjithmonë do ta kujtojnë e nderojnë Dritëronë, sepse disa breza një pas një për më shumë se një gjysmë shekulli e mësuan bukurinë e gjuhës shqipe përmes poezive, tregimeve dhe romaneve, dramave dhe filmave, reportazheve dhe artikujve, fjalimeve të njërës kohë dhe të tjetrës.

E në ardhtë një ditë që gjysmëshekulli letërsi të gjykohen prej pranisë së njeriut, Dritëroi mund t’ia shpëtojë nderin asaj!

Shqiptarët nuk do ta harrojnë dhe do ta nderojnë përjetë Dritëronë, sepse në veprën e tij ka aq shumë Shqipëri e shqiptari sa nuk mund të krahasohet thuajse askush tjetër me të!

Dritërofsh përjetë Dritëroi ynë!/CNA.al

LEXO TE PLOTE