Connect with Us

Festivali i Filmit Polak “Visua” mbërrin në Shqipëri/ Prodhimet kinematografike polake ju ftojnë në CINEPLEXX TEG

Kultura

Festivali i Filmit Polak “Visua” mbërrin në Shqipëri/ Prodhimet kinematografike polake ju ftojnë në CINEPLEXX TEG

Publikuar

-

cna lajme kulture

Një program i larmishëm i pret shikuesit, përfshirë prodhimet më të fundit polake, të njohura nga publiku polak dhe i huaj. Do të shfaqim për ju vepra të reja kinematografike dhe debutime të shkëlqyera, fituese të çmimeve kinematografike nga regjisorë puna e të cilëve njihet dhe vlerësohet në Poloni dhe në gjithë botën. Hyrja në të gjitha shfaqjet është falas.

Emigrimi ekonomik, mungesa e stabilitetit financiar, indiferenca emocionale janë temat kryesore të prodhimit të dytë kinematografik me metrazh të gjatë të Piotr Domaleëski, të titulluar “Sa më larg nga këtu”. Megjithëse, është ky një film rrugëtimi në të cilin personazhi kryesor nga një qytet i vogël niset e vetme për në Irlandë, rrjedha kryesore e ngjarjeve përqendrohet në udhëtimin emocional të Olës. Prodhimi i ri kinematografik i regjisorit të “Natës së heshtur” u vlerësua me çmimin për regjisorin Polityka Passport, çmime për debutimin në aktrim, skenarin dhe muzikën e kompozuar nga Hania Rani në festivalin Gdyniës.

Repertori gjithashtu përfshin filmin e Maciej Pieprzyca, “Ikar. Legenda e Mietek Kosz”, i cili fitoi Luanët e Argjendtë dhe çmimin për rolin kryesor të Daëid Ogrodnik në Festivalin e 44-të të Filmit Polak në Gdynia, dhe gjithashtu triumfoi në Eagles 2020 në kategorinë: zëri më i mirë dhe  muzika  më e mirë.  Skenari është frymëzuar nga ngjarje të vërteta, historia e një pianisti virtuoz të xhazit – Mietek Kosz. Pianisti fitoi Festivalin prestigjioz të Xhazit Montreux. Pavarësisht kësaj, këtij gjeniu të ardhur nga  provinca polake, karriera mahnitëse nuk i sjell lumturi.

Gjatë festivalit, do të shihni filmin e fundit të animuar të Mariusz Ëilczyński “Vrite dhe ik nga ky qytet”, fitues i çmimit kryesor në vitin 2020 në Festivalin e 45 -të të Filmit Polak në Gdynia. Filmi u realizua për 14 vjet dhe është filmi i parë me metrazh të gjatë i regjisorit. Historia e një heroi i cili, duke ikur dëshpërimit pas humbjes së të dashurve të tij, fshihet në një vend të sigurt kujtimesh, ku koha ndalet dhe të gjithë të dashurit e tij jetojnë. Me kalimin e viteve, qyteti zhvillohet në imagjinatën e tij. Një ditë, mbërrijnë heronj dhe idhuj të paftuar nga fëmijëria, të njohur nga letërsia dhe karikaturat, të cilët janë përjetësisht të rinj në mendjet e brezave të ardhshëm. Kur heroi ynë zbulon se të gjithë janë plakur dhe rinia e përjetshme nuk ekziston, ai vendos të kthehet në jetën reale.

LEXO EDHE:  Luli kthehet pas festës së 8 Marsit/ Sonte shfaqet tek Çani

“Supernova” e Bartosz Kruhlik është një dramë që dëshmon se ndonjëherë ngjarje të parëndësishme zbulojnë të vërtetën jo vetëm për veten, por edhe për vendin në të cilin jetojmë. Një nënë dhe dy fëmijë goditen nga një makinë qeveritare, në një rrugë pranë një fshati të vogël. Oficerët e zbatimit të ligjit duhet të merren me kaosin në rritje, e vërteta u del nga duart, ndërsa banorët mblidhen si dëshmitarë dhe akuzues.

Për dashamirët e filmave dokumentarë, kemi përgatitur diçka shumë të veçantë. Jola, protagonistja e “Mësime dashurie” nga Małgorzata Goliszeëska dhe Katarzyna Mateja, për vite bëri vetëm atë që të tjerët prisnin prej saj. Si nënë e gjashtë fëmijëve dhe gruaja e një burri abuziv, ajo do të bënte çdo ditë grimin, vishte rrobat e saj shumëngjyrëshe dhe hiqej sikur çdo gjë ishte në rregull.  Megjithatë, një ditë diçka thyhet brenda saj – Jola gjen forcën të lërë burrin e saj dhe të fillojë të jetojë jetën. Ajo takohet me mikeshat e saj, vallëzon në Café Smile, shkruan poezi dhe këngë. Këndon për dashurinë – diçka që e ka ëndërruar gjithmonë, por nuk e ka përjetuar kurrë. Papritur, ajo takon Vojtek, i cili e trajton atë si një mbretëreshë.  A do të jetë ajo në gjendje të hapet dhe të përqafojë dashurinë për herë të parë?

Përveç filmave artistikë, programi përfshin gjithashtu një bllok filmash me metrazh të shkurtër nga studentët e Studio Munk. Midis etydeve, të tilla si “Fundi i sezonit” nga Stanisłaë Cuske dhe “Ondyn” nga Tomasza Śliëińskiego.

Të gjitha informacionet mund të gjenden në FB Polish Film Festival „Vistula” dhe në Instagram vistula_festival. Ju ftojmë!/CNA.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Kultura

Dritëroi “pa çati”/ Shtëpia e poetit e mjerueshme në 90-vjetorin e lindjes

Publikuar

-

Nga

Në 1 mars të këtij viti Euronews Albania do të udhëtonte drejt fshatit ku ka lindur e jetuar Dritëro Agolli, në Menkulas.

Po atë ditë kryetari i bashkisë, Eduart Duro na tha:

“Kemi dorëzuar projektin e shtëpisë muze të Dritëroit, besoj se në këtë 90-vjetor të tij ne do të arrijmë qëllimin për të nxjerrë financimin e krijimit të muzeut”.

Në këtë 90 vjetor të tij shtëpia qëndron njësoj, si një gangrenë pa histori.

Ceremonia e përvitshme nuk u mbajt në ndonjë muze, apo  pranë ndonjë bustit të Dritëroit të madh por në një lokal dasmash.

Miqtë e shkrimtarit të madh tregojnë se muzeu ka qenë një kërkesë e vetë Dritëro Agollit.



Endri Fifo Këngëtar “Une isha mik me Dritëroin dhe sa herë shkoja në Tiranë e kisha për detyrim që ta takoja, më tha “ç ‘behët me atë muze”. Arritën deri aty ku e shpërfytyruan atë muze, kishin futur qepë e dreq.

LEXO EDHE:  Luli kthehet pas festës së 8 Marsit/ Sonte shfaqet tek Çani

LEXO EDHE:  Shifrat e Universitetit Amerikan/ Ja sa viktima ka shkaktuar Covid- 19 në botë, ku renditet Shqipëria

“Ka vite që ne këtë e kërkojmë por Shoqata “Devolli” dhe vet qytetarët devollinj kanë veç fjalën, kërkesën, dëshirën. Ata që kanë investimin, buxhetin dhe paranë janë pushteti lokal e pushteti qendror. Ne nuk kemi reshtur se kërkuari që vitin 2002”, tha Guri Seferi kryetar i shoqatës kombëtare “Devolli”.

Ndryshe nga më parë, tani kryebashkiaku Duro thotë se gjithçka ngelet ne dorën e ministrisë, pasi pushteti lokal është në gatishmëri për gjithçka i lejon ligji.

“Ndërtesa ka nisur rikonstruksionin e saj që prej vitit 2001 e ende nuk ka përfunduar. Nga bashkia Devoll është angazhimi maksimal për vënien në dispozicion të kësaj shtëpie. Kapacitetet për ta kthyer në një qendër muzeale janë detyrim i ministrisë së kulturës”, tha Eduart Duro.

Nëse do të kërkoni diçka për të kaluarën e Dritërorit, fëmijërinë, në fshatin e tij të lindjes është e pamundur. Aty asgjë nuk ekziston, përveç fjalisë “jam nga fshati i Dritëroit”!/euronews

 

LEXO TE PLOTE

Kultura

Nga Astrit Çerma/ Me Dritëro Agollin

Publikuar

-

Nga

cna lajme kulture

Nga Astrit Çerma

Nuk jam i sigurt në 1974 apo në 1975, por, përpara se të botohej i plot romani i Dritero Agollit “Njeriu me top”, në revistën “Nëntori” u botuan disa kapituj të tij.

Ishin 11, që fillonin nga i pari, me gjetien e topit, dhe deri tek i 10 kur Mato Gruda qëllonte kullën e Fizëve, ndërsa i 11 që, me sa mbaj mend, është i 21-ti, kapitulli i fundit, ai që mbyll romanin kur Matua qëllon gjermanët…

Më pëlqeu shumë dhe në vrull e sipër më hipi në kokë ta dramatizoj për teatrin tonë. Por, 10 kapitujt që mungonin ku ti gjeja?… U mundova “sa andej- këtej” me atë “budallallëkun” tim të takoja në një farë mënyre Dritëro Agollin, në shtëpinë e lidhjes së shkrimtarëve por nuk munda.

Edhe sado që u mundova në sekretarin e lidhjes së shkrimtarëve dhe në redaksin revistës “Nëntori” nuk qullosa gjë.. Ata shokët e “Nëntorit” më thanë prerazi se “ kaq kapituj i kishte sjell” autori, dhe, kur morën vesh se unë po “gërrmoja” në shtypshkronjë “me ca marifete” tek rradhitësit, më “këshilluan” zyrtarisht të mos i fus hundët aty ku nuk më takojnë.

Ndërsa sekretaria e Dritëroit, kur i vajta për herë të dytë , mu sul e ndërkryer se..”as ti e as kush nuk ka të drejtë të merret me një roman që akoma nuk është botuar më vete, i plot, nga autori. Do të mbash përgjegjsi..”.. At’here më shkrepi një ide: Nga..“dramatizim” të romanit, krijmin tim ta quaja “dramë sipas një..motivi të romanit”.. Ashtu vendosa…

Mora nga romani, motivin e topit, Mato Grudën, italianin Agush dhe krijova dramën “Hakmarria e madhe” në bazë të..”një motiv” të romanit “Njeriu me top” të Dritero Agollit.. Por për këtë u bë debat nga këshilli artistik se: “A kisha të drejt ta quaja unë “dramë” apo jo”?! Dhe më e keqia ishte, se, sipas ironisë të kryetarit të këshillit Ruzhdi. Q.: “Unë e “titulloja” të tillë vetëm sepse ligji i vlersimit në para i “dramës” ishte pothajse tre herë më i madh se sa i “dramatizimit”..



Drejtori i teatrit Agron Frashëri më siguroi për vlersimin e saktë dhe teatri filloi punën. “Premjera” u dha me sukses në mars të 1976 dhe çfaqet vazhduan dy javë rrjesht me sallën plot, dhe, për të qetësuar Ruzhdiun me antarët e tij tek reklama nuk u shkrua as dramë, as dramatizim.

LEXO EDHE:  Nga Astrit Patozi/ Shqipëria në tre pamje

LEXO EDHE:  Rriten vetëvrasjet në 2019-n/ Depresioni pushton “moshën e artë”

U emërua “Pjesë”..Pjesë nga A.Çerma. Por, kur erdhi puna për të më paguar mua si autor, befas u muar vesh se teatri i Gjirokastrës po vinte në skenë..”dramatizimin” e romanit të posa botuar të Driteroit ”Njeriu me top”. Eh. Kaq u desh U ngrit përsëri si tërbuar Kryetari i këshillit artistik Ruzhdi. Q.., dhe me “ avazin e mukës”,“dramë apo dramatizim”, mori arratin deri në Tiranë, në kryesin e lidhjes së shkrimtarve e artistëve ku kryetar ishte Driteroi.

Unë u largova rreth tre javë me filmin “Fijet që priten”. Kur u ktheva drejtori Agron Frashëri sapo u paraqita në teatër mu drejtua: – Shko në llogari dhe merr paratë, edhe e theksoi,.” të dramës.”. Edhe në reklam ishte hequr ai emërtimi “pjesë”. “Dramë nga A. Çerma” shkruhej… Për gjithë këtë “ri vlersim në emërtim” më tha diçka Demiri: “rreth një telefonate të ardhur nga “Lidhia e shkrimtarëve..” por , as ai nuk e dinte sakt se “si dhe se, qysh”?!.

Të vërtetën e mora vesh nga Dhimitër Xhuvani kur u takuam një ditë në Tiranë dhe pimë një kafe. Kishte qenë në zyrë me Driteroin atë ditë, kur, si i tërbuar kishte ardhur nga Elbasani Ruzhdiu: ”Me këmbë e me duar lëshoi një batare llafesh gjithë vrer kundër teje si hajdut për vjedhje “fare ashiqare” të motivit të romanit të Dritëroit tek vepra që paturpsisht e quaje dramën tënde, dhe që..tërrti e vërrti: Topi, figurat, dialogu,,” – Dale bre Ruzhdi, dale..- e kishte ndërprerë Dritëroi, -Unë kam dëgjuar se teatri i Elbasanit ka vënë një çfaqie “ me topin”, po..Në e ka vënë..mirë ka bërë. Ç’të keqe ka këtu?!.

Ishte një top u bënë dy..Luftë ishte de..Sa për atë që thua tinë se ay djalka ma ka vjedhur mua topin..Po, mirë ka bërë. Ce..që ta dishë tinë.. edhe unë..vjedhur e kam topin o Ruzhdi..Topin me gjithë italian e me gjithë shejtan. Vjedhur e kam..E, oo..

Vjedhur në Librazhd, ce aty ka ngjar dhe aty ma kan rrëfyer historinë..Eee..Në është ay hajdut, po, hajdut dal edhe unë apo jo?! Ik o Ruzhdi, ik o Ruzhdi për kokën tënde dhe lëri më një anë “llafkat”, ce, djalka për deri sa e ka ngjallur veprën vetë, po, vetë di edhe si t’ia vërë emrin: dramë apo..dramushkë..Hë de… A. Çerma. Nga vëllimi ” Me Njerzit që kam ecur rrugës”…/ CNA.al

LEXO TE PLOTE

Kultura

Nga Visar Zhiti/ Tetori, muaji i letërsisë: Elipset e tre jetëve

Publikuar

-

Nga

cna lajm show

Tetori në traditën tonë të re është tashmë dhe Muaji i Letersisë, sepse lidhet me jetët e vdekjet e disa prej shkrimtarëve më të mëdhenj të letrave shqipe.

Në 20 tetor ndërroi jetë poeti kombëtar Naim Frashëri, kurse në 23 tetor lindi poeti tjetër kombëtar Gjergj Fishta

Në tetor kanë lindur dhe sundimtarët e Shqipërisë, Mbreti Zogu I dhe diktatori Enver Hoxha, i pari në 8, i dyti në 16, të cilët kanë lidhje me letërsinë, jo thjesht si personazhë veprash, por që kanë ndikuar dhe në realitetet letrare, për mirë dhe për keq.

Pikërisht si sot, në 13 tetor, kanë datëlindjet dhe 3 poetë: Migjeni, Pano Taçi, Dritëro Agolli dhe dy ditë më mbas është dhe datëlindja e liderit të parë demokracisë, Sali Berisha, president dhe kryeministër në posdiktaturë.

Ndërkaq tetori është dhe muaji i “Sindromës Down”, i vendosur nga Shoqata Kombëtare Amerikane, që mban po këtë emër, për të senbilizuar dhe ndërgjegjësuar shoqëritë. Po kështu tetori është dhe muaji i Kancerit të Gjirit.

Trallisëse. Është muaji i dhjetë i vitit dhe emri i ij do të thotë tetë, vjen nga latinishtja (octo), sepse romakët në kalendarin e tyre gregorian e kishin muajin e tetë, është vjeshta e tyre në hemisferën boreale dhe pranverë ne hemisferën australe.

Tetori ynë i mbart të gjitha këto, shtrudhshëm, universin dhe arin e vjeshtës, poezinë dhe diktaturën, gjëndjen doën dhe cjen e vështirë me një diell të ftohtë si gjiri i murosur i Rozafës.

Dua t’i kthehem ditës së sotme të tre poetëve. Të ndryshëm nga njëri-tjetri, që kujtohen në mënyra të ndryshme, ndoshta harrohen njëlloj, nga njëra palë ose tjetra e admiruesve. Tre poetë që duhej të na bashkonin, por poezia nuk e bën dot gjithmonë këtë akt, se lind dhe nga rrethanat, që shpesh janë konflikte të mëdha. Sepese kanë lindur dhe sundimtarët bashkë me të.

Të tre s’janë më. Dhe i përkasin shekullit XX të Shqipërisë, por dhe fillimit të shekullit XXI. Dhe patën sundimtarët e tyre.

Migjeni dhe Dritëro Agolli. Që përkujtohen. Janë në tekstet shkollore dhe medait flasin për ta. Migjeni jetoi nën mbretërinë shqiptare, Dritëroi nën diktaturë. Migjeni mësues fshati, Dritëroi shkrimtar profesionist, deputet. Migjeni nga diktatura u konsiderua si paraprirës i Realizmit Socialist, Dritëroi poet i shquar i tij, që përjetoi dhe postdiktaturën, ndryshimet demokratike, kur Migjeni sikur u zbeh paksa pa të drejtë dhe Dritëroi u godit me të drejtë. .

Midis tyre, jo vetëm si vitlindjeje, por dhe si fat, është poeti tjetër Pano Taçi, që vjen nga ferri i burgeve dhe që kujtohet më pak.

Një trini poetësh jona. Në kohë diabolike, që morën prej saj dhe i dhanë. Si rrjedhojë dhe tre shqetësime emblematike.Migjeni nuk e përjetoi diktaturën e më pastajme, nxitoi të vdesë i ri, por vepra e tij nuk u ndalua nga regimi siç ndodhi me mjaft autorë të tjerë, u studiua, u vlerësua dhe shkëlqeu mynxyrshëm.

Kurse Dritëro Agolli dhe Pano Taçi janë të njëkohshëm, dy dukuri të tjera nën diktaturë, dy rrugë të ndryshme poetësh, edhe pse e nisën ngjashëm, të dy kishin qenë partizanë qysh fëmijë për çlirimin e vendit, ku pas asaj lufte u vendos diktatura më e egër në të gjithë perandorinë komuniste. Krijimtaria e të dyve u përzgjat dhe në moshë të thyer, në shekullin e ri, XXI.

DEMONI I KRIJIMIT

13 Tetori i tre poetëve si nën shenjën zodiake të djallit metaforik. Jo pse në këtë muaj do të renditen dhe datëlindjet e atyre që kanë sunduar më së shumti Shqipërinë.

Pani Plak, por dhe engjëlli plak e quanim ne Panon tonë. Aq sa me miq, po aq dhe vetmitar, i përvuajtur dhe buzagaz, që, kur ishte në burg në diktaturë, duhej të ishte më i lirë së brendshmi, i një lirie të tmerrshme, të leckosur si rrobat e të burgosurit, ndërsa kur ishte i lirë e në demokraci, mbeti në burgun e varfërisë dhe të mosmirënjohjes, deri dhe të braktisjes. Edhe botimet e tij janë të varfëra, libra të vobektë. Harrohej në gjallje dhe s’e di a nëpërmendet tani, që ka ikur në qiell.

Dritëro Agolli, autor i njohur poemash e romanesh, tregimtar dhe dramaturg, patriarku i socialistëve, siç e quajnë, por dhe i realizmit socialist, i asaj metode letrare vrastare, siç e sulmojnë, me miq shumë e me lavdira e përvjetorë e statuja e me botime të shumta e luksoze.

Migjeni mbetet poeti më i ri i shqiptarëve, që modernizoi poezinë shqipe, europian i viteve ‘30 dhe klasik, ndërkohë themeltar sidomos në prozën e shkurtër, me shtëpi muze dikur dhe me një teatër në qyetin e tij të lindjes, q;e mban emrin e tij.

Tre poetë, të pangjashëm dhe me fate të ndryshëm, me rëndësi të ndryshme, madje jo dhe aq të pakrahasueshme, mendoj, bashkëkohës aq sa mund të ishin, se e njëjta koha s’është e njëjtë për asnjërin, që shpalosin tri drejtime vulnerabile të letrave shqipe, ku i pari, sipas kronologjisë kohore, Migjeni, zë vend të qëndrueshëm, edhe pse me një libër, të realizmit kritik do të thoshim si në shkollë, por që ndikoi ndjeshëm në shkëputjen e letrave shqipe nga romantizmi i vonë, sarkastik deri edhe kafkian, guxoj të shtoj, duke patur parasysh ca parabola të tij, etj, kurse Agolli, ndër më të shquarit e mëvonshëm, prijës në socrealizmin shqiptar, tregimtar spartan dhe romancier me humor popullor, kur lufta e klasave dhe kulti i individit ishin normë, sa entuziast në socializëm, kur sundonte djalli, i vlerësuar ndërkaq nga udhëheqja, nga djajtë thënë më mirë, po aq i zhgënjyer në demokraci, edhe i trishtë, por prapë i vlerësuar nga udhëheqja e re, nga djajtë e rinj, mund të shtojë ndokush, ndërsa Pano Taçi, që u bë i njohur vonë, por asnjëherë sa ata, ishte poeti i pafat, i vetëbërë, edhe pse dënohej për të mos qenë i tillë. I  burgosur dhe internuar gjatë diktaturës, pra i flakur në ferr, me djallin e armatosur mbi kokë, ndërsa pas rënies së diktaturave, edhe pse viti ’90 e gjeti 62 vjeçar, boton libra të shumtë me poezi, tradicional në trajtim, risi në tema,  i përqendruar në dhimbjet e persekutimit, në terrin dhe qëndresën, e thërret djallin për ta damkosur dhe e gjen atë dhe në mashtrimet në demokraci, prandaj dhe sarkazma bëhet më  e hidhët, edhe banale prej lodhjes, besues dhe mosbesues, i avitet qiellit, por flatrat i ka të thyera dhe i kthehet një dashurie cigane, duke nxjerrë libra erotikë me “poezi pornografike”, të parët në llojin e tyre, që e gajasnin lexuesin me një si donzhuanizëm të allasojshëm shqiptar.

Tre poetë – një trini diabolike? Në kohë diabolike, më saktë.

ELIPSET E TRE JETËVE

Duke lënë jashtë rastësinë e 13 tetorit, se ç’forcë a mister qiellor deshi që të lindnin në atë datë të vjeshtës së dytë, do të desha të thosha se ka diçka përbashkuese në jetët e poetëve në përgjithësi. Elipset e jetëve kanë dhe pika takimi, ndonjëherë dhe përzierje.

Kur u shua Migjeni, fare i ri, as 27 vjeç, Taçi ishte vetëm 10 vjeç dhe Agolli 7 vjeç, pra bashkëkohësia e tyre është fare e pakët, si të thuash pak vite ajër të përbashkët përthithën në truallim amëtar. Taçi me Agollin u rritën si shkollarë dhe me poezinë e Migjenit.

Po risjell kronologjinë e tre jetëve, nxjerrë nga botimet e tyre, sepse sintetizon kohë dhe histori të re tonën…

1911- Kur Shqipëria e rropatur ende s’e kishte fituar mëvetësinë, aq e dashur dhe po aq rrezikshme, lindi Migjeni në Shkodër. (në këte vit lindi dhe im atë, Hekuran Zhiti, dramturg, poet satirik dhe aktor i përndjekur).

Migjeni arsimimin fillor e mori në vendlindje në një shkollë serbo-ortodokse. E çojnë të studiojë në Tivar. Daja i Migjenit, Jovan Kokoshi nga Kavaja, e dërgon në gjimnazin e Manastirit dhe po këtu, në vitin 1927 kryen Seminarin Ortodoks “Shën Joan Teologu”.

1917- Në Rusi shpërthen revolucioni bolshevik, që do të ndryshonte rrjedhën e historisë botërore, fatalisht dhe në Shqipërinë e vogël.

Lind Musine Kokalari, që do të jetë shkrimtarja e parë shqiptare dhe desidentaja e parë grua në perandorinë komuniste, themeluese e një partie opozitare e do të burgosej e më pas do të vdiste në internim.

1928- Parlamenti shqiptar shpall Mbret Zogun I. Shqipëria shpallet mbretëri.

Lind Pano Taçi në Gjirokastër, ku merr dhe mësimet e para, ndërsa gjimnazin do ta vazhdojë në Tiranë me mësues filozofin, shkrimtarin dhe poetin Isuf Luzaj, i ikuri politik, patrioti i dënuar me vdekje.

1931- Ndërsa vazhdonte të bëhej kryeqyteti i ri Tirana, pas bulevardit të madh u ndërtuan 6 pallatet e 6 ministrive, vendi po institucionalizohej ndërkaq, në Jug-lindje, në një fshat të Korçës, në Menkulas të Devollit, lindi Dritëro Agolli. I ati i tij, Rizai, kishte mërguar në Buenos-Aires dhe në Çikago (e dinte përmendësh Khajamin dhe Naim Frashërin, dy poetët më të mirë në botë, sipas tij).

1933- Migjeni emërohet mësues i gjuhës shqipe në shkollën “Skanderbeg” të Vrakës në Shkodër dhe boton në revistën “Illyria” prozën “Sokrat i vuejtun apo derr i kënaqun”. Dy vjet më vonë kërkon të shkojë në Slloveni për kurime, por kunsullata jugosllave në Shkodër nuk ia jep vizën, punë djajsh dhe ikën në Greqi. Kthehet dhe vazhdon mësuesinë në gjimnazin e Shkodrës.

 

1936- Shpërngulet në Pukë. Shtypshkronja “Gutenberg”  bën gati 1000 copë të librit ”Vargjet e lira”, por “censura ndalon qarkullimin e tyre”, shkruhej në botimet e mëparshme. (Nuk gjendet në arkiva ndonjë dokument që e dëshmon dhe nuk na duket aq bindës ky fakt diabolik. Sepse Migjeni po botonte dhe po çmohej në shtypin e kohës.) Në fund të vitit përgatit librin e ri “Novelat e qytetit të Veriut”.

Në Gjirokastër lind Ismail Kadare, shkrimtari që do të merrte famë botërore.

1937- Mbreti Zog martohet, edhe pse i besimit musliman, me konteshën e bukur katolike hungareze, Geraldinë Appynoi, ndërsa At Gjergj Fishta nxjerr versionin përfundimtar të eposit të tij “Lahuta e Malcis”,  dhe në Pukë Migjeni, me rastin e festes kombëtare, 28 Nëntorin, mban një fjalim para popullit të Pukës. (Sot mbase nuk duket me aq rëndësi, hollësi e tepërt, se mbahen dëndshëm fjalime nga pushtetarët…)

1938- Migjeni niset për në Torino dhe shtrohet në sanatoriumin “San Luigi”. Vdes gjatë natës së 26 gushtit. Zi në botën shqiptare të letrave. Botohen proza dhe poezi të tij.

1939– Nis Lufta e Dytë Botërore. Shqipëria pushtohet nga Italia fashiste. Ajo qëndresë heroike e atyre pak njerëzve në bregdetin shqiptar do të shënonte fillimin e rezistencës me armë në Europë kundër djallit përbindëshëror nazi-fashist.

1941- Themelohet në Tiranë Partia Komuniste e Shqipërisë, të pranishëm në drejtim janë dhe dy demonë serbë…

1942– Pano Taçi, i përfshirë në lëvizjen antifashiste që 12 vjeç, futet në Debatik (Djemtë e bashkuar, antarë të ideve komuniste) dhe del malit partizan. Dy vjet më pas nxjerr poezinë e parë në “Bleta”. Ia botoi poeti i njohur Lasgush Poradeci.

1943- Dritëro Agolli, edhe ai 12 vjeçar, përfshihet në luftë, (diku shkruhet si 9 vjeçar), bëhet korrier batalioni, teksa i ati është partizan dhe lufton me armë në dorë për çlirim e vendit.

1944- Del libri “Vargjet e Lira” të Migjenit. Shqipëria, e vendosur në anën e drejtë të historisë, çlirohet… (por jo shqiptarët…).

1945- Mbaron Lufta e Dytë Botërore. Fitojnë Aleatët Perëndimore me Bashkimin Sovjetik kundër Boshtit Nazist. Humbjet ishin të mëdha, u vranë 60.754.000 njerëz në botë.

1946- Vendoset shërbimi i detyruar ushtarak. Nisin arrestimet e klerit katolik, Enver Hoxha shkon për vizitë zyrtare në Beograd, kurse Pano Taçi, i përjashtuar nga gjimnazi për “dashuri borgjeze”, i magjepsur pas një vajze të bukur, motër e njërit prej presidentëve të ardhshëm të Republikës në posdiktaturë, tundohet të arratiset në Greqi, që më pas të ikte në SHBA tek gjyshi. Panoja dënohet me 4 vjet burg, në kënetën e Maliqit njeh mes të dënuarve shkrimtarët Mitrush Kuteli, Arshi Pipa, etj. Pas dy vjetësh lirohet dhe e çojnë në internim.

1947- I kthehet Shqipërisë ishulli i Sazanit, qeveria refuzon planin Marshall, Enver Hoxha takohet me Stalinin në Moskë, djalli i vogël me Djallin e Madh dhe Dritëroi boton poezinë e parë “Vullnetari i hekurudhës” në gazetën “Rinia”.

1951– Bomba në ambasadën sovjetike në Tiranë, pretekst për arrestime intelektualësh, pushkatime, mes tyre dhe një grua, shkencëtarja e parë shqiptare, Sabiha Kasimati. Pano Taçit ia shtojnë internimin në Savër të Lushnjës, me akuzën se nuk kishte dashur të votonte.

1952- Hapet Kinostustudia “Shqipëria e re”, Dritëroi mbaron gjimnazin e Gjirokastrës, “akademinë e tij letrare¨, siç e quante dhe e nisin për studime në Lenigrad, Sant Petërsburgu i dikurshëm.



1953– Shqipëria në zi për vdekjen e Djallit të Madh, Stalinit. Pano Taçi shkruan poemat për Kosovën “Treni i muhaxhirëve”, “Gryka e Kaçanikut”. E pranojnë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve, por një vit më vonë kritikohet ashpër për poemën “Kambanari”, si reaksionare që nxit kryengritje.

1955- Shqipëria e uritur nuk pranon një ndihmë ushqimore me vlerën 850.000 dollarë nga Presidenti Eisenhauëer, por bëhet anëtare themeluese e Traktatit të Varshavës. Dritëroi martohet në Bashkimin Sovjetik me një ruse të bukur, Nina Novikova, kurse Enver Hoxha takohet me Hrushovin, një tjetër djall, por më i zbutur dhe i rafinuar. Pano Taçi mbetet në internim, me kontroll të rreptë policor.

1956- Sillen eshtrat e Migjenit nga Italia në Shqipëri, nga Torre di Pelice në Shkodër, në Varrezat e Dëshmorëve. Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu shkojnë në Kinë. Djajtë ndërrojnë kah.

1957- Hapet universiteti i Tiranës. Dritëroi nis punën si gazetar në “Zërin e Popullit”. Ribotohet i zgjeruar libri i Migjenit “Vargjet e lira” dhe dekorohet me titullin “Mësuesi i Popullit”.

1960- Mbledhja e 81 partive në Moskë, kacafytje përbindshërore. Pano Taçi lirohet nga internimi.

1961- Ndëpriten marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, vdes Mbreti Zog në Francë, diku afër Parisit, del Vepra e plotë e Migjenit (nën kujdesin e Skënder Luarasit), i jepet “Urdhëri i Lirisë”, kurse Pano Taçi martohet.

1962- Fronti Demokratik në Shqipëri, siç ishte caktuar, i fiton përsëri zgjedhjet 99.99%, me një pjesëmarrje të zgjedhësve 99.99%. Lirika të Pano Taçit përgatiten për botim nga kritiku dhe shkrimtari Drago Siliqi, por befas cilësohen nga lart “pa frymën e kohës, ku zotëron grija kapitaliste”. Pano dënohet me burgim për agjitacion e propagandë, kur djali i tij ishte vetëm 3 muajsh.

LEXO EDHE:  Shqipëria me cilësinë e kombësisë më të ulët në rajon

LEXO EDHE:  Punime në rrjet/ OSHE: Ja zonat pa energji elektrike  

1964- Vjen për vizitë kryeministri kinez Çu En-lai, (demonë nga Azia), ndërkaq gruaja ruse e Dritëroit së bashku me djalin ikin përgjithmonë. Pas një viti Dritëroi martohet me gazetaren Sadije Kecaj nga Shkodra, e cila do ta shoqërojë me përkushtim e përkujdesje për më shumë se gjysme shekulli.

1967– Nis fushata kundër besimeve fetare, djalli arrin të mbyllë dhe të shembë të gjitha kishat dhe xhamitë në Shqipëri, ndalohen kopshtet/bahçet private, tërmet në Dibër dhe Librazhd, ndërsa Pano Taçi lirohet nga burgu dhe e internojnë në vendet e tërmetit. Dritëroin e çon shteti për vizitë në Kinë.

1970– Vendi shpallet i gjithë i elektrifikuar. Por mbetet siç kishte shkruar Imzot  Fan Noli: “Pranë dritës – i pa parë”. Pano Taçi vjen në Tiranë, bën punëra nga më të rëndat e më të vështirat ashtu si burg. Vendoset bashkëpunimi mes universiteteve të Tiranës dhe Prishtinës.

1971- Dritëroin e çojnë për vizitë në Kongo dhe nis botimi në revistën “Hosteni” i romanit të tij “Shkqimi dhe rënia e shokut Zylo”. Kthehet nga Parisi.

1972- Pleniumi IV i Partisë për letërsinë dhe artet, ku dënohet autorë dhe libra, festivali i 12-të dhe artistë. Dritëroi emërohet sekretar për letërsinë në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dhe pas një viti kryetar i saj dhe prapë pas një viti deputet dhe do ta vazhdojë karrierën paralamentare për 30 vjet gjithsej.

1976– Enver Hoxha kritikon Kinën në Kongresin VII të tij, me Kushtetutë shpallet Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë (një emërtim disi i gjatë për një vend tejet të vogël), kurse Pano Taçin e arrestojnë sërish. 10 vjet burg. Përpiqet të vrasë veten. Me bishtin e lugës pret damarët si Esenini. Ia shpëtojnë jetën me zor. Kafe dhe cigare do t’i dërgonte në burg dhe poeti qiellor Lasgush Poradeci.

1979- Dënimet vazhdonin gjithandej, si më parë. Arrestohet dhe dënohet me 10 vjet burg “për poezitë e tij kundër socrealizmit” dhe autori i këtij shkrimi, kur ende s’ishte bërë 27 vjeç, në moshën që vdiq Migjeni.

1980- Dritëronë e dërgojnë në Turqi. Botohet në Prishtinë, kur Kosova bënte pjesë në ish-Jugosllavi, “Vepra e Migjenit”, në katër volume luksoze dhe monografia për të.

1985- Vdes diktatori Enver Hoxha, djajtë ndihen pa kreun. Pano Taçi lirohet nga burgu dhe përsëri e çojnë në internim, sa më larg Tiranës, në rrethina të Peshkopisë. Lajmërohet se gjyshi i vdes në Amerikë, por dhe babai me nënën në Shqipëri, të cilët i ndjente ende më larg. Djalin nuk e takonte dot, se nuk i lejohej një “armiku të shpallur”.

1987- Vendosen marrëdhënie diplomatike me Kanadanë e R.F. Gjermane. Sipas lajmeve në gazetë, një grup shkrimtarësh, Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Nasho Jorgaqi, Androkli Kostallari, etj, i lejojnë të marrin pjesë në grup në një kongres në Itali, në Palermo, më pas Agolli e Kadare shkojnë në Beograd në konferencën për nacionalitetet.1989– Shëmbet Muri i Berlinit, që ndante jo vetëm Gjermaninë në dysh, por dhe botën, me një “luftë të ftohtë” e të gjatë mes tyre.

1990- Rënia e perandorisë komuniste, e diktaturave të saj në Europë. Mbi 100.000.000 numërohen viktimat, të vrarët e saj në të gjithë botën, disidentë, kundërshtarë, martirë. Shumë më tepër se të vrarët e Luftës së Dytë Botërore. Djalli në kohë paqeje qënkësh më i rrezikshëm se në kohë lufte.

Nisin protestat antikomuniste. Dyndjet e shqiptarëve nëpër ambasada, ikja e tyre jashtë. Vendosja e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik. Ramiz Alia (edhe ai ka lindur në tetor, në datën 18…), viziton SHBA. Kadareja kërkon strehim politik në Francë, vjen Nënë Tereza në Shqipëri. Botohet në frengjisht romani i shokut Zylo i Dritëroit, ftohet dhe autori. Mes trazirave kudo, themelohet në 12 dhjetor Partia Demokratike me kryetar mjekun kardiolog, Prof. Dr. Sali Berisha dhe në janarin e mëpastajmë amnisti për të burgosurit politikë.

1991- Dritëroi bën një vizitë në Rusi, kthehet në Shën Petërsburg, në Lendingradin e dikurshëm, ku kishte studiuar. Në Kongresin X të PPSH Dritëroi do të kritikonte hapur vijën partisë-shtet dhe kultin djallëzor të Enver Hoxhës për të cilin kishte kontribuar dhe ai si poet.

1992- Dritëroi me një grup kolegësh shkrimtarësh shqiptarë shkojnë në Gjermani me rastin e botimit të një antologjie të poezisë shqipe. Një vit më pas, në vazhdim të botimeve të tij, Dritëroi nxjerr vëllimin “Pelegrini i vonuar”, etj.1994 – Pano Taçi 66 vjeçar boton librin e tij të parë “Blerim i thinjur”, ku përfshin shumë poezi të shkruara fshehurazi nëpër burgje dhe internime. Mësuesi i tij i hershëm, filozofi dhe shkrimtari Isuf Luzaj, do t’i shkruante nga SHBA-ja: “Të paskëshe qenë italian, do të udhëtoje në enciklopeditë euro-amerikanë, me Borgesin dhe Kalderonin… Vazhdo të shkruash në gjirin e kombit tonë”…

1996– Tronditet “demokracia e brishtë” nga Djalli i Parave, nga firmat piramidale finaciare dhe të gjithë vendin fillojnë protestat e humbjes, dhuna e rikthimeve. Pano Taçi nxjerr librin tjetër “Dhe vdekja do paguar”, Dritëroi “Çudira dhe marrëzi”, etj, dhe shkon në Greqi. Në parlament qëllohet me armë dhe plagoset deputeti Azem Hajdari, udhëheqësi i protestave studentore. UÇK-ja në Kosovë sulmon forcat serbe.

2000– Pano Taçi boton dramat “Qirinjtë” dhe “Flakë në terr”. Vazhdon me poezitë dhe do të nisë memuaret e veta, të mbetura në dorëshkrim. Zgjedhjet vendore i fitojnë socialistët, Edi Rama – kryetar i Bashkisë së Tiranës.

2001- Bashkia e Pukës i jep Migjenit titullin “Qytetar Nderi”.

2009- Shqipëria futet në NATO. Ndërkaq Pano Taçi është bërë i njohur, ftohet në festivale poezie në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni, edhe kur andej bëhej lufta mes gueriljeve të shqiptarëve dhe forcave qeveritare, etj, ndërkaq ai do të bëhet më i dashur për lexuesin, sidomos pas botimeve me erotikë të hapur si “Hukama e Venusit”, “Lakuriq”, etj, edhe pse me pseudonimin letrar, Burgim Pata (“Burgim” përmbledh fatin e autorit, kurse “Pata” bashkon dy rrojket e para të emrit dhe mbiemrit të tij: Pa-no Ta-çi, por dhe flatrat e bardha te fluturimit). Do të marrë çmime letrare, por jo dëmshpërblimin e burgut, do t’i prishin befas shtëpinë për t’u ngritur një pallat në atë truall. Klani i djajve të ndërtimit, do të thoshin…

Pa shtëpi muze do të ishin dhe Migjeni, dhe At Gjergj Fishta, etj.

2011- Dritëro Agolli merr një tjetër “Honoris Causa”, këtë rradhë nga Universiteti Europian i Tiranës…

2012– Pano Taçi shtrohet në spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë, ndërron jete në 13 qershor, në moshën 84 vjeçare. Kryeministri i vendit, Berisha, do të ngushëllonte komunitetin e letrarëve dhe familjarët. Trupi i tij do të vendosej në hollin e Teatrit Kombëtar, ku do të bënin homazhe miqtë e shumtë, qytetarë e artistë si dhe Presidenti i Republikës.

2014- Botohet në 4 volume poezia e mikut të Dritëroit dhe të Pano Taçit e jo vetëm, Fatos Arapit, poetit që lëvroi një poezi qytetare, më evropiania në vitet e mbylljes të diktaturës komuniste.

2017- në 3 shkurt do të mbyllte sytë përgjithmonë Dritëro Agolli, në moshën 86 vjeçare. Do të përcillej me nderime të shumta, me homazhe e duartrokitje dhe me fjalën e kryeministrit Edi Rama. Librari e shkolla kishin marrë ndërkaq emrin e tij.

TRE ÇËSHTJE                                                                                                                                                               Tre poetë të një datëlindje. Të dashur të tre. Nga të ndryshëm me mënyra të ndryshme. Deri dhe me urrejtje…

Sipas meje mund të ngrihen dhe tre çështje, ku ngërthehen keqas konsolidime të mbartura si atavizmë dhe një ardhje e vështirë:

1- Keqpërdorimi i traditës duke u nisur jo vetëm nga keqkuptimi i saj. Së pari ajo u gjymtua në diktaturë, duke përdorur kriterin e “kufizimeve ideore” dhe të “luftës së klasave” edhe në kulturë, u ndaluan autorë të rëndësishëm, klasikë, gjithashtu dhe nga autorët që u lanë, u ndalua një pjesë e veprave, duke u përsëdytur ndryshe ky mëkat, duke himnizuar nga pjesa e mbetur. Pra tradita nuk shikohej pasuri kulturore e vendit dhe si përvojë e shekujve, por se sa i shërbente ideologjizimit dhe çimentimit të regjimit.

2- Diktatura përçau egërsisht letërsinë shqipe, e ndau më dysh, ku njërën pjesë e bëri të sajën, realizëm socialist, i dha kushte begatimi, duke e vënë në shërbimin të vetes, të propagandës “trushplarëse”, ndërsa pjesën tjetër e dënoi, duke pushkatuar autorë, duke burgosur sistematikisht e duke ndaluar vepra, pa u lodhur punoi me të gjitha mjetet diktatoriale, me qëllim që nga kjo pjesë të mos dalë asgjë, të bëhet e mosqenë.

3- Dukuria e daljes së “letërsisë tjetër” nga burgjet, e autorëve dhe veprave të tyre, që sollën realitete të munguara, duke zotëruar letrat shqipe të pas ‘90. Po sa janë përfshirë ato në jetën letrare kulturore të vendit, edhe zyrtarisht, deri tek tekstet shkollore?

Në një farë mënyre Letërsia Shqipe e gjysmës së dytë të shekullit XX i përket një metode të veçantë, “Realizmit të dënuar”, sipas meje, sepse i tillë ishte realiteti i tyre.                                                                                            Të dënuar ishin jo vetëm ata që u dënuan, që nuk lejoheshin të krijonin, por, tjetërsoj sigurisht dhe ata që u drejtuan të bënin letërsi të socrealizmit, pra s’ishin të lirë, u mashtruan, u përdorën dhe u keqpërdorën.

Sado absurde dhe e papranueshme të duket sot, është e habitëshme, por shpjeguese ajo që ka treguar Dritëroi për veten dhe Kadarenë në një intervistë, ku sipas tij, kryeministri i atëhershëm, Mehmet Shehu, ka thënë: “Ju jeni dy shkrimtarët kryesorë të vendit dhe jeni si dy qe që lëroni tokën. Ne, herë ngacmojmë njërin e herë tjetrin me hosten, në mënyrë që puna të shkojë mbarë”.         Ai “hosten” për shumëkënd në fakt ishte pushkë. Kur me shkrimtarët e vet veprohej ashtu apo dhe me ata si Pano Taçi që “devijuan”, mendoni se ç’është bërë me kundërshtarët, me ata që ishin kundër doktrinës komuniste qysh në krye e realizmit socialist.

Tre çështjet që përçika, duan studime serioze, profesionistët e kritikës, akademikët e letërsisë, etj, teksa duket se ecet zyrtarisht në udhën e lënë, por le të kthehemi për ta përmbyllur te tre autorët e sotshëm.      Poetët kanë dhe një jetë tjetër, atë të krijimeve të tyre, një poezi, që vazhdon. Mbetet vepra që, si të thuash nuk ka më as biografi dhe as rrethana, por vetëm vlera.

 

Kur isha student në Shkodër, në kohën e diktaturës, shkoja në shtëpinë muze të Migjenit. Shikoja reliket e tij, fotot, i veshur hijshëm, me elegancë, me borsalinë, ja dhe stilografi mbi tryezë, që s’dihej çdo të shkruante më tej, aq sa dhe demoni i vdekja duket se iu tremb dhe e rrëmbeu aq të ri. Mes miqsh bisedonin se po të kishte qenë gjallë Migjeni, a do të ishte bërë shkrimtar i Realizmit Socialist? A do ta shmangte dot? Me siguri do të përfundonte në burg, thoshim ose do të kishte vrarë veten. Edhe mund ta vrisnin. Ja, i vranë kumtin e veprës. Po ai vetë e vrau më parë!?…

Gjithsesi vepra e tij është e vetëmjaftueshme dhe e pazëvendësueshme, me rëndësi e prijëtare. Tablotë e mjerimit dhe blasfemitë përsëriten. Dhe dhëmbja dhe protesta. Teatri “Migjeni” mund dhe duhej të dramatizonte nga vepra e atij.

Dritëroi – këngëtar i baltës së vendlindjes, fëshfërimë grunoresh në Jug, fjalë me shijen e bukës, të pjekur në kryqytet… Prozator dhe me humor thumbues, të cilat dëshmojnë një epokë që s’është, zhgënjimet dhe trishtimi i më pastajmë dhe është e ardhmja që do të gjykojë më shumë e do të vendosë më shumë.

Unë si lexues e kam dashur Dritëronë, e kam takuar me kënaqësi të veçantë kudo, në kafene, në parlament, në SHBA dhe kam venë lule pranë bustit të tij…

Dëgjoj fyellin e  drunjtë, elegjiak të Panit plak, të Panos tonë… shkoja andej nga ishte Kafe “Europa”, ku ai rrinte me orë të tëra, shkruante dhe me porosi të pronarit i çonin dy kafe falas çdo ditë. Po sikur atij t’i jepej në kohë dhe mjaftueshëm dëmshpërblimi i vërtetë dhe puna e pa paguar e 24 viteve burg, e internime, mbase do të kishte dhe ai një kafene të veten, një librari, një… ndarja e shkrimtarëve duket se vazhdoi si në diktaturë, suksesi dhe fama, mirëqenia dhe varfëria po kështu, ishin përcaktuar një herë nga djalli dhe s’kishte zot që t’i ndryshonte… ndërkaq nëpërmend një vegim që kam patur për një portret të Pano Taçit në Kafe “Europa”, pikturë ose skulpturë, me llullën mes dhëmbëve të zverdhur dhe kasketën mbi kryet e zbardhëllyer dhe në një nga qelqnajat e mëdha të dritareve të shkruhej një poezi e tij, që më mrekullonte me thjeshtësinë dhe kumtin, me universalizmin e saj, e dija përmëndësh, të denja për çdo antologji në botë, thosha.

Diçka i mungon tokës,/ nga qielli t’i zbresë./ Diçka edhe qiellit,/ nga toka t’i ngjitet ka shpresë./ Më bëhet i gjej te vetja/ ç’mungon te gjithësia:/ Qiellit: urrejtja,/ tokës: dashuria.

Mbetet një nga pengjet e mia, një dëshirë ende e vlefshme, që të vihen mureve, të gdhenden gurëve, shkëmbinjve, nëpër parqe e rrugë vargje nga eposi, nene nga Kanuni, lutje nga Shenjtja Nënë Tereza, poezi nga De Rada, Naimi, Fishta, Migjeni, pra nga Rilindja dhe të rilindurit e me radhë deri më tani. Ato do të sillnin më shumë estetikë urbane, jo vetëm të brendëshme, energji pozitive, siç i themi, kulturë, do t’i shërbenin mjedisit si pemët, ajrit si mendimet e bukura, të përbashkëta./CNA.al

LEXO TE PLOTE
Lajme të Rekomanduara: