LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Absurditete ballkanike/ Kur një qen shkaktoi luftë midis Greqisë dhe Bullgarisë në vitin 1925

18 Shtator 2021, 07:43, Blog CNA
Absurditete ballkanike/ Kur një qen shkaktoi luftë midis Greqisë

Përgjatë historisë luftërat kanë nisur për shkak të tokës, burimeve natyrore, besimeve fetare apo politikës. Kur njerëzit thonë se ?luftërat janë zhvilluar edhe për shkaqe absurde?, ata zakonisht kanë të drejtë. Në fakt në vitin 1925, midis 2 vendeve në Ballkan shpërtheu një konflikt ushtarak, për shkak të një qeni…

Konflikti e kishte origjinën që në kohën e Perandorisë Osmane, e cila përfshinte shumë fe, kultura dhe grupe të ndryshme etnolinguistike. Midis tyre ishin grekët dhe bullgarët. Greqia fitoi pavarësinë e saj në vitin 1832, ndërsa Bullgaria bëri të njëjtën gjë vetëm në vitin 1908.

Perandoria Osmane kishte si fe kryesore Islamin, ndërsa grekët dhe bullgarët ishin të krishterë që i përkisnin Kishës Ortodokse Lindore.

Dhe megjithëse e fituan pavarësinë si shtete, u përballën me kërcënimin e një Perandorie Osmane ende të frikshme. Të dyja vendet kishin të gjitha arsyet për t?u bashkuar dhe për t?u pajtuar, por kjo gjë nuk ndodhi. Kur Lidhja Ballkanike ndau mes tyre pjesën evropiane të Perandorisë Osmane, u formua shteti shqiptar, duke lënë jashtë Maqedoninë dhe Trakinë Perëndimore, të cilat donin t?i merrnin Bullgaria dhe Greqia.

Në këtë mënyrë miqtë e vjetër u bënë armiqtë e rinj. Rezultati ishte një numër përplasjesh kufitare midis dy palëve, që çuan në Luftën e Dytë Ballkanike të vitit 1913. Pastaj shpërtheu Lufta e Parë Botërore. Bullgaria u bashkua në aleancë me Gjermaninë, Austrinë dhe Hungarinë dhe nisi një sulm kundër Serbisë.

Kur lufta përfundoi me fitoren e bllokut aleat, Greqia u shpërblye duke qenë në anën e palës fituese. Meqë Bullgaria ishte me palën humbëse, ajo u detyrua të heqë dorë nga Traka Perëndimore, duke i dhënë fund qasjes së saj të drejtpërdrejtë në Detin Egje.

Po ashtu Sofia duhej t?i lëshonte disa territore Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve (që më vonë u bë Jugosllavia). Për pasojë, tensionet midis Greqisë dhe Bullgarisë nuk u zbutën as me përfundimin e Luftës së Parë Botërore.

Më të zemëruar ishin bullgarët, që nuk i njihnin kushtet e traktatit të paqes. Ata nuk besonin se duhej të përfundonte konflikti. Ndaj nisën sulmet ndëshkuese kundër Greqisë dhe Jugosllavisë, por ato më shkatërrueset u kryen nga Organizata e Brendshme Revolucionare Maqedonase (IMRO) dhe Organizata e Brendshme Revolucionare Trake (ITRO).

Petriç, një qytet në Bullgarinë Jugperëndimore në kufi me Greqinë, drejtohej nga IMRO si një shtet de fakto i pavarur. Në vitin 1923, kryeministri bullgar Aleksandar Stamboliski u përpoq të zbuste disi tensionet me Greqinë, dhe të përmirësonte marrëdhëniet me pjesën tjetër të kontinentit.

Stamboliski u rrëzua nga një grusht shteti, më pas u kap nga IMRO, e cila e torturoi dhe më pas e vrau. Dhe tani le të vijmë tek historia me qenin. Një ushtar grek i vendosur me shërbim në kufirin greko-bullgar në Qafën Kemir Kapou në Belacicë, kishte një qen.

Më 18 tetor 1925, për arsye ende të paqarta, qeni u largua me vrap drejt anës bullgare të kufirit. Me sa duket ushtari e donte shumë atë qen, pasi pavarësisht përleshjeve të shpeshta që kishin shkaktuar qindra të vdekur nga të dyja anët, nisi të vrapojë pas tij, me siguri duke harruar se ku po shkonte.

Ai hyri në territorin bullgar, ku u qëllua menjëherë nga një roje kufitare bullgare. Rojet kufitare greke qëlluan me breshëri në anën bullgare, dhe bullgarët u kundërpërgjigjën. Gjatë një pushimi të shkurtër, një kapiten grek dhe ndihmësi i tij ngritën një çarçaf të bardhë, vrapuan në pjesën midis 2 vijave kufitare dhe bënë thirrje për qetësi. Por bullgarët i qëlluan, duke vrarë kapitenin dhe plagosur ndihmësin e tij, që arriti të kthehej në anën greke.

Versioni zyrtar që arriti në gazetat greke të kohës, nuk përmendi historinë e qenit. Sipas shtypit, disa roje kufitare bullgare sulmuan pa asnjë arsye postën kufitare greke në Belacicë. Sa i përket qenit, fati i tij mbetet i panjohur, por Bullgaria dhe Greqia ishin tashmë në pragun e luftës.

Bullgaria shprehu keqardhje për incidentin, dhe tha se ai ishte një keqkuptim i tmerrshëm. Ata propozuan ngritjen e një komisioni greko-bullgar për të hetuar çështjen. Konflikti mund të kishte përfunduar atje, po të mos ishte për gjenerallejtënant Teodoros Pangalos.

Ky kishte rrëzuar nga froni Mbretin Kostandin I, themeluar Republikën e Dytë Helene dhe udhëhequr një grusht shtetit, që e instaloi atë si kryeministër të vendit, dhe më vonë, presidentin e saj. Në postin e kreut të shtetit, ai pezulloi lirinë e shtypit, zhvlerësoi monedhën greke, dhe madje diktoi sesa të gjata duhet të ishin fundet dhe fustanet e grave (jo më të larta se sa 30 cm mbi tokë).

Pangalos u dha bullgarëve një ultimatum. Ata duhej të ndëshkonin ata që ishin përgjegjës për vrasjet, si dhe të paguanin 2 milionë franga franceze si kompensim për familjet e viktimave. Ata kishin vetëm 48 orë për ta bërë këtë, përndryshe do të kishte pasoja.

Bullgaria refuzoi, ndaj më 22 tetor, Pangalos urdhëroi trupat e tij të sulmonin Bullgarinë.

Ato pushtuan qytetin Petriç dhe fshatrat përreth e tij. Bullgarët reaguan, por grekët e ruajtën kontrollin e tyre mbi qytetin dhe rajonin përreth. E dëshpëruar, Bullgaria i bëri thirrje Lidhjes së Kombeve (pararendësja e OKB-së).

Lidhja urdhëroi vendosjen e një armëpushimi, dhe kërkoi që Greqia të tërhiqej menjëherë, dhe të kompensonte Bullgarinë për pushtimin që kishte kryer. Ndërkohë Athina e akuzoi Lidhjen e Kombeve për hipokrizi, duke cituar Incidentin e Korfuzit të vitit 1923, kur Italia sulmoi ishullin grek të Korfuzit, dhe Lidhja u bë palë me agresorin.

Pangalos argumentoi se Lidhja kishte dy palë rregulla:një për kombet e fuqishme si Italia dhe një tjetër për ato më të dobëta si Greqia. Sidoqoftë, ai nuk kishte zgjidhje tjetër. Lidhja dërgoi atashe ushtarakë nga Franca, Italia dhe Britania për të mbikëqyrur tërheqjen e trupave greke. Rreth 50 bullgarë u vranë gjatë atij pushtimi të shkurtër, teksa Greqia u urdhërua t?i paguajë Bullgarisë 45.000 paund britanikë në formën e një kompensimi.

Nën drejtimin e Pangalos, Greqia u poshtërua. Ndaj disa muaj më vonë ushtria kreu një grusht shteti tjetër, duke e zëvendësoi atë me presidentin që vetë Pangalos kishte rrëzuar me herët./ WwarhistoryonlinePërshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga