Connect with Us

Nga Andi Bushati/ Shtatë alibi të mbrojtësve të Bashës kundër Berishës

Opinione

Nga Andi Bushati/ Shtatë alibi të mbrojtësve të Bashës kundër Berishës

Publikuar

-

cna lajme politike

Që në ditën që Lulzim Basha vendosi personalisht të përjashtonte Sali Berishën, mbrojtësit e tij publikë kanë servirur një sërë argumentash që e përligjin këtë akt. Nisur nga fakti se kreu demokrat nuk ka dhënë asnjë shpjegim serioz, për shkak se ai ka dashur ta kalojë në heshtje edhe aktin më të rëndësishëm të karrierës së vet politike, i ka shtyrë avokatët e tij të prodhojnë një sërë alibish që janë njëra më e dobët se tjetra.

Le t’i analizojmë ato me radhë duke u përpjekur të kuptojmë më mirë atë që po ndodh.

Alibia e parë: Për të mos izoluar PD nga SHBA…

Shpëtimi i marrëdhënieve të partisë më të madhe të opozitës me Uashingtonin ka qenë kryeargumenti për të përligjur përjashtimin e Berishës. Por, më shumë sesa një arsye logjike, këtu kemi të bëjmë me një justifikim të sforcuar.

Në fakt, shantazhi nga ana e amerikanëve ka qenë i fortë. Sipas të gjitha gjasave ajo që thotë Basha për vizitën e ndihmës sekretarit amerikan të shtetit Philip Reeker, i cili nuk pranoi asnjë negocim për urdhrin e përjashtimit, është e vërtetë. Ne po ashtu i kemi dëgjuar me veshët tanë deklaratat e ambasadores Kim për një PD që do hante bar, nëse vazhdonte të mbronte interesin e një njeriu të vetëm.

Pra presioni vërtet ka qenë i fortë. Por pyetja që shtrohet është: Nëse PD do të vepronte ndryshe a do penalizohej edhe ajo nga SHBA?

Historia tregon të kundërtën. Diplomatët e Uashingtonit dinë vërtet të bëjnë shantazhe brutale dhe arrogante, por jo gjithmonë i zbatojnë ato, kur nuk e arrijnë qëllimin që kanë. Shembullin më të mirë e kemi shikuar, pak kohë më parë, me Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen. I thanë se do prisnin ndihmat amerikane, i thanë se do tërhiqnin trupat ushtarake, i nxorrën të bardhë e të zi ta godisnin si antiamerikan dhe ai jo vetëm që erdhi në pushtet, por sot është edhe partneri i SHBA-së në pritjen e refugjatëve afganë në Kosovë.

Të njëjtën gjë bëri shumë vite më parë edhe Edi Rama. Falë presionit popullor, ai, megjithëse i pati premtuar, i tha jo administratës së Obamës për të sjellë në Shqipëri armët kimike të Bashar Al Asadit. Pra ndonëse i doli fjale perandorisë, ai arriti t’i rekuperojë shpejt marrëdhëniet, duke u bërë sot një nga autokratët e rrallë në glob të mbështetur prej saj.

Alibia e dytë: Pa mbështetjen e SHBA, PD nuk vjen dot në pushtet.

Sipas kësaj logjike, PD duhet të hidhte baltë mbi trashëgiminë e saj për të mos u prishur me amerikanët, se pa ata nuk vjen dot kurrë në pushtet në Shqipëri. Kjo gjithashtu është një e pavërtetë e madhe. Madje në Shqipëri ka funksionuar e kundërta. Këtu asnjë nga liderët që janë ngjitur apo rikthyer në pushtet, nuk ka arritur ta bëjë këtë pa kaluar nga filtri i atij që ne i themi për lehtësi, “anti-amerikanizëm”. Fatos Nano nga burgu akuzonte diplomatët e SHBA në Tiranë për prangat në duart e tij. Ai ka një libër të tërë, “Çështja Nano”, ku flet për makartistët e rinj që ishin bërë njësh me pushtetin e Berishës. Për vite me radhë ambasadori i SHBA nuk shkelte në selinë e partisë me kryetar të dënuar si vjedhës ordiner. Por kjo nuk e pengoi aspak Fatos Nanon të rikthehej dy herë si kryeministër, madje të pritej në Shtëpinë e Bardhë edhe si një nga mbështetësit e koalicionit të luftës për rrëzimin e Sadam Hysenit.

As Sali Berishën, që e shigjetonte në vitet e opozitës Mariza Linon si guvernatore të paemëruar, nuk e pengoi njeri të vinte në pushtet në 2005. Po ashtu dhe Edi Ramës, që “frymëzonte celulat anti amerikane” në vitet 2010 – 2011, askush nuk i përmend sot, në kohën e dashurisë me Yuri Kim, ato për të cilat e akuzonin një dekadë më parë.

Pra morali i fabulës është i thjeshtë: me SHBA, nuk ka “non grata” të përhershme, ato respektojnë atë që është i fortë dhe që ka mbështetje në vendin e tij.

Ndërsa përsa i përket të tashmes, opozita nuk e ka domosdoshmëri ruajtjen e një marrëdhënie perfekte me diplomatët amerikanë, të cilët, vitet e fundit, kanë qenë hapur në mbështetje të Edi Ramës. Ndonëse i ka besuar për reformën në drejtësi, ajo po sheh se si gjyqësori i ri po kontrollohet totalisht nga qeveria, ndonëse i besoi për marrëveshjen e 5 qershorit, ajo qe dëshmitare se si Yuri Kim u përkul para Ramës duke ia njohur ndryshimet anti kushtetuese. Po të shkojmë më tej, me gjithë qëndrimet që kanë mbajtur, diplomatët amerikanë nuk kanë qenë kurrë në krah të kauzave të opozitës edhe kur ato kanë rastisur të drejta.

Pra, fatkeqësisht e vërteta është se një forcë politike respektohet prej tyre, jo kur sillet si vasale, as kur shefi i saj bën yes man-in, por kur ka dinjitet për vete dhe mbështetet nga populli. Prandaj, tendenca për t’i thënë Amerikës “po” për gjëra që s’i beson as vetë, as e bën PD-në më të fortë, as nuk ia afron asaj pushtetin. Përkundrazi.

Alibia e tretë: për të mos përçarë PD.

Sipas kësaj teorie Lulzim Basha e mori vendimin personal për të përjashtuar Berishën pa u konsultuar me askënd dhe pa e votuar në asnjë forum, nga frika se mos në partinë e tij do krijohej një skizëm, mes atyre që mbronin trashëgiminë e doktorit dhe të tjerëve që donin të shihnin nga e ardhmja. Ky argument është absurd.

LEXO EDHE:  “Nuk e rrëzojmë dot vetëm”/ Opozita e pafuqishme ndaj Ramës?

Së pari se Berisha e kishte paralajmëruar disa herë, shumë kohë më parë, që nëse kjo ndodhte, ai do të niste një lëvizje për rikthimin e partisë në shinat e legjitimitetit dhe sovranitetit. Pra ky argument idiot nuk ka vlerë, pasi përplasja që gjoja duhej të shmangej po ndodh, madje me nota dhe tone më emocionale që nxiten nga shija e tradhëtisë dhe e një vendimi të marrë në kulisa.

Por, më e rënda ndodh në momentin kur këtë version e mbrojnë edhe njerëz me prirje intelektuale. Pra sipas tyre, demokracia, debati i brendëshëm, rrahja e mendimeve për çështje akute si kjo, i bëkan dëm një partie. Votimi, apo gara, e dobësokan atë. Më mirë qenka kur një kryetar vendos për gjithçka dhe të tjerët sillen si dele. Eshtë e vështirë ta besosh se Lulzim Basha ka nevojë për një mbrojtje të tillë.

Alibia e katërt: Duhet t’i hiqte Ramës retorikën e “dhëmballës së prishur”.

Eshtë e vertetë që Edi Rama e kishte kthyer në refren për sigmatizimin e PD-së edhe para zgjedhjeve edhe pas tyre, prezencën e Berishës. Gjatë gjithë kohës ai ka skicuar fabulën “Luli çun i mirë” që ia prishin imazhin Saliu dhe Iliri.

Në fakt, kjo ka një gjë të vërtetë. Prezenca e gjatë e Berishës në politikë dhe mëkatet e tij gjatë ushtrimit të pushtetit janë një minus për PD, sidomos për zgjerimin drejt elektoratit gri. Por, ndreqja e kësaj anomalie nuk bëhet në këtë mënyrë. Sepse, së pari, Basha ka mbrojtur çdo trashëgimi të paraardhësit të tij. Ai edhe fushatën e fundit u mburr me arritjet e qeverisë Berisha, ku vetë bënte pjesë. Pra nëse dikush nuk e do PD për të shkuarën, ai nuk e do njësoj si për Berishën, si për Bashën.

Ndërsa argumenti tjetër se po heqim ish kryetarin se na e sulmojnë kundërshtarët, ai është absurd. Me të njëjtën logjikë dikush mund të ngrihej në PD dhe të thoshte largojmë edhe Bashën se ai është problem për PD-në. Rama e ka sulmuar si ministrin e Brendshëm të 21 janarit, ministrin e Transportit të vjedhjes në rrugën e Kombit, ministrin e Jashtëm të nënshkrimit të marveshjes për shitjen e detit. Sot, po Rama e akuzon se ka punuar me fonde ruse dhe se ka spiunuar komandantët e UCK-së.

Pra, a mund t’i heqi PD-ja një nga një, të gjitha dhëmballët për arsye se kundërshtari i sheh ato si të prishura?

Alibia e pestë: Rinovimi i elitave.

Do të kishte qenë në nderin e Bashës që ndarjen me trashëgiminë e Berishës ta kishte bërë me kohë dhe si burrë. Duke u divorcuar jo me personin, por me mënyrën autoritare të drejtimit të partisë dhe të shtetit. Ai jo vetëm nuk zgjodhi këtë rrugë, por në të kundërtën e përdori mbështetjen e “babait” për të futur në kthetra PD. Edhe në ato pak fjalë që nxorri në shpjegimin e aktit të përjashtimit, ai i ngriti në qiell meritat e atij që përgatitej të vriste.

Pra është absurde ta shpjegosh aktin e Bashës me dëshirën për rinovim apo qarkullim elitash. Ai është thjeshtë një goditje pas shpine.

Alibia e gjashtë: Eshtë përjashtim i përkohshëm.

Këtë argument, që Basha e tha dhe me gojën e vet për të zbutur pak traumën e vendimit që kishte marrë, nuk e beson askush, madje as ai vetë. Nuk do të ketë kurrë shanc, madje edhe nëse Berisha fiton një gjyq të pamundur në Paris kundër sekretarit Blinken, që ai të detyrojë SHBA-në të zbrapset nga vendimi i saj. Kjo mund të ndodhte vetëm nëse ai rikthehej në ndonjë post shtetëror, gjë që për shkak të moshës dhe gjendjes së cfilitur të PD, ngjan me një iluzion.
Prandaj, shitja e përjashtimit të përkohshëm me opsion rikthimin pasi të dali i pastër është një mashtrim.

Alibia e shtatë: për t’i shpëtuar fëmijët.

Basha ka deklarauar në kryesinë e PD se ai ka parë fakte që do t’i ruajë konfidenciale dhe se duke u nisur nga to, ai ka vendosur ta marrë këtë vendim për të mbrojtur vetë Berishën dhe familjen e tij. Argumenti se hakmarrja e hiperfuqisë do të binte mbi fëmijët e Berishës, të lakuar shumë për përfitim të fondeve publike në kohën e pushtetit të të atit, është përmendur edhe më parë. Por nëse kjo arsye e mbrojtjes së ish bamirësit, që artikulohet edhe nga mbështetësit e Bashës do të qe e vërtetë, a nuk i takonte vetë Berishës të vendoste për këtë?

Pra nuk mundet që Basha ta dojë familjen Berisha më shumë sesa shefi i saj dhe në emër të kësaj ndjenje të vendosë përjashtimin. Ky është ndoshta argumenti më absurd dhe më qesharak që vetëm lideri i PD-së dhe të ngjashmit e tij mund të guxojnë ta nxjerrin nga goja.

Pra, duke parë se sa pak koherencë, logjikë dhe seriozitet kanë alibitë që rreken të përligjin vendimin e Bashës për karshi Berishës, e ke më të lehtë të kuptosh se arsyet e vërteta janë krejt të tjera. Pikërisht tek ato duhet të fokusohemi, duke hequr mënjëanë shkopat nën rrota, që vënë gjithmonë në të tilla situata lakejtë që rrinë pranë krerëve të të gjitha partive.

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Opinione

Nga Astrit Patozi/ Tani e kuptoj më mirë Lulin…

Publikuar

-

Nga

Deri dje më dukej pak i çuditshëm guximi i Lul Bashës për të përjashtuar Sali Berishën, megjithë presionin e fortë amerikan për ta vrarë më në në fund “babain” e vet politik, si kushtin e vetëm që të shpëtonte lëkurën e vet.

Por sot jam i qartë se nuk ka pasur rrugë tjetër, ngaqë nuk dija këtë kërcënimin e tmerrshëm të Salianjit, që mund të jepte dorëheqjen në rast se Basha nuk do t’i bindej Uashingtonit. Sepse ai nuk të fal në këto raste, madje edhe kur brohoriti para dy vjetësh në krah të Lulit për djegien e mandateve, pikërisht këtë gjë kishte parasysh, besnikërinë e panegociueshme ndaj Shteteve të Bashkuara.

LEXO EDHE:  Armiqtë e mediave të Ramës si armiq të medias

LEXO EDHE:  Kriza në PD/ Dashamir Shehi paralajmëron Lulzim Bashën



Tani që e mora vesh, nuk kam më asnjë dilemë se Luli nuk ka pasur nga t’ia mbajë dhe ka marrë vendimin e duhur. Se çdo gjë mund të justifikohet sot për Partinë Demokratike dhe për opozitën, por dorëzimi i mandatit të deputetit nga Salianji do të ishte i papërballueshëm.

Para këtij fakti besoj që edhe vetë Sali Berisha mund te ndryshojë qëndrim dhe mund ta stopojë lëvizjen e vet kundër Bashës.

LEXO TE PLOTE

Opinione

Nga Andi BUSHATI/ Luli, nga çadra e berishizmit tek ajo e amerikanizmit

Publikuar

-

Nga

Vetëm pasi Lulzim Basha shpalli me gojën e tij se nuk ka ndërmend të lejojë procese demokratike brenda partisë, u bë e qartë se përse, prej një jave, mbështetësit e tij mediatikë u shndërruan në militantë “pro-amerikanë”.

Dikush nxitonte të thoshte se PD nuk ka luksin ti thotë jo SHBA-së, dikush tjetër se vendimi për përjashtimin e Berishës qe i imponuar nga “ata” dhe një i tretë se demokratët, as nuk mund të ëndërronin të vinin në pushtet pa ndihmën e hiperfuqisë. E gjithë kjo zallamahi kishte vetëm një qëllim, ti bënte lavazh truri popullit demokrat, ta zhvishte atë nga aftësia për të argumentuar dhe nga mundësia për të përdorur logjikën, duke i zëvendësuar këto me kauzën boshe të një “amerikanizmi” të pështirë.

Vetëm duke krijuar këtë atmosferë kafkiane, vetëm duke e shpënë debatin publik në këtë absurditet marramendës, ata mund ti përgatisnin Lulzim Bashës shtaratin për të thënë me plot gojën një nga mufkat më të rënda që një lider politik ka lëshuar në këto 30 vjet demokraci: Nuk do lejojmë nënshkrime, mbjedhje forumesh, diskutim demokratik dhe votim referendar, nga fika se mund të damkosemi si parti anti amerikane.

Në kushte normale, do të ishte e turpshme të merrje pjesë në këtë debat kaq idiot, që evokon atë shprehjen e atyre që se nxjerin dot gurin nga lumi. Por meqë gurëhedhësit janë shtuar shumë ditët e fundit, noshta pretendimet e tyre e duan një sqarim.

Qëndrimi i Bashës për të vrarë demokracinë në emër të SHBA-së ngërthen brenda vetes disa paradokse.

Së pari, ata që pretendojnë se e duan Amerikën, e justifikojnë këtë në emër të idealeve të lirisë që ajo ka eksportuar në këtë vend. Ata e shohin si tokën e fjalës, mendimit dhe votës së lirë, si ndihmësen kryesore të rikthimit të demokracisë tek ne, si garantuesen e dominimit të vlerave perendimore në Shqipëri. Ndonëse këto nuk janë të vërteta ekskluzive dhe të pa preksheme, ata duhen kuptuar në bindjen e tyre. Dhe deri këtu fabula mund të funksionojë. Por ama, të përdorësh këtë Amerikë imagjinare, për të shuar demokracinë e brendëshme të një partie, për të shkelur mbi të gjitha ato vlera për të cilat thua se e veneron SHBA-në, kjo është një logjikë që nuk kapërdihet kollaj.

Paradoksi i dytë ka të bëjë me damkosijen e antarësisë dhe votuesve të PD-së si “anti-amerikanë”. Duke pretenduar se nuk mbledh as kuvendin, nuk zhvillon as referendumin – që kërkojnë mbështetësit e Berishës – me pretendimin për të mos lejuar grupime kundër SHBA-së, Basha po tregon se ai i trembet një shumice kundër tij në PD.

Duke e etiketuar këtë shumicë si me prirje dhe vokacion kundër “aleatit tonë të madh”, kreu i PD ngulit përshtypjen se në pjesën më të madhe të kësaj partie gëlokan sentimente që duhen mbajtur të fshehta. Pra gjoja duke pretenduar se po e mbron partinë, ai vetëm e rrënon imazhin e saj.

Paradoksi i tretë i atij që në fakt duhej të qe thjeshtë “i pari mes të barabartëve”, është se duke ndaluar votimin dhe mekanizmin demokratik, me justifikimin se aty mund të ngadhënjejnë “anti- amerikanët”, Basha tregon se nuk është i bindur për legjitimitetin e tij në krye të PD-së. Pra, nëse ai është lideri atlantist i një force që voton kundër këtyre vlerave, minimumi, ai nuk do të kishte vend në krye të saj. Në këtë rast ai duhej të largohej nga kjo parti dhe të krijonte një tjetër, ku militantët ta votonin për atë që përfaqson dhe jo sepse arrin ti nënshtojë duke uzurpuar selinë.

LEXO EDHE:  Armiqtë e mediave të Ramës si armiq të medias

LEXO EDHE:  Armiqtë e mediave të Ramës si armiq të medias



Në fakt, ky debat është krejt i pavlerë pasi shqetësimi real i Lulzim Bashës nuk ka të bëjë aspak me ëndrrën e tij amerikane, por është shumë më utilitar dhe meskin sesa kaq. E gjitha ka të bëjë me kokfortësinë e tij për të qëndruar në krye të një partie që po e mpak si lëkura e Shagrenit.

Pikërisht këtë ka kuptuar edhe vetë ambasadorja amerikane në Tiranë që i dha një sinjal përmes VOA, për mos keqpërdorimin e Amerikës në debatin e brendëshëm partiak. E pyetur në mënyrë të drejtpërdrejtë nëse kishte ushtruar presion për përjashtimin e Berishës, Yuri Kim e kaloi topin direkt tek Basha. Ajo tha se Shqipëria është një vend i NATO-s dhe liderët politikë duhet ta mbajnë mbi supe peshën e akteve të tyre, pa u fshehur pas vendit që ajo përfaqëson.

Natyrisht, Yuri Kim nuk thotë të vërtetën. Presioni i diplomatëve amerikanë mbi Bashën dhe rrethin e tij të ngushtë, që ata ta përjashtonin sa më shpejt Berishën, ka qenë në kufijtë e të pa përballueshmes.

Por, kur vjen puna për të mbrojtur përzierien kaq flagrante brenda një familjeje politike, arogancën dhe brutalitetin e shkeljes të gjitha rregullave dhe ligjeve të funksionimit të saj, shpërfilljen e ndjenjave të militantëve në emër të interesave të kastës, këtë as Yuri Kim nuk ka guxim ta marrë përsipër.

Pikërisht këtë po bën Lulzim Basha: Ai po thotë se si demokrat do Berishën, por si pro amerikan mund ta “vrasë” atë.

Ky dyzim fatal, përbën në fakt edhe esencën e udhëtimit të tij fatkeq në krye të një partie, lideri i së cilës nuk u bë dot kurrë. Ai mbiu aty si prurje e Berishës, u bë pjesë e të gjitha mëkateve dhe krimeve të pushtetit të tij, e përdori atë për të fituar një garë të pabarabartë me Sokol Olldashin, për të spastruar më pas të gjithë kritikët dhe konkurentët dhe për të justifikuar disfatat e njëpasnjëshme.

Për tetë vite ai ishte lideri që ndejti në hije.

Ndërsa tani thjeshtë po ndryshon pemë. Po kalon nga sqetulla e Saliut tek ajo e Yurit, sepse nuk është dot në gjendje të mbrojë vendimet që i duhet të marrë. Kjo paaftësi është në fakt problemi real i partisë së tij. PD, gjendet sot para një dileme: pro apo kundër Bashës dhe kjo e vërtetë nuk mund të fshihet asesi duke i mbivendosur debatin e stisur, pro apo kundër SHBA-së./ Lapsi.al

LEXO TE PLOTE

Opinione

Nga Dritan Shano/ Partia jam unë! Pikë. Ju të tjerët hani m…!

Publikuar

-

Nga

cna news, cna lajme, lajme cna, lajme flash cna, cna.al, cna lajme politike, cna kronike, cna lajme bote, cna show

Nga Dritan Shano

‘Baza është me Berishën, por unë nuk do lejoj një kongres anti-amerikan’, thotë Basha. Pra, ai lejon ose nuk lejon. Pra, kur themi Partia kemi thënë Basha, dhe kur themi Basha kemi thënë Partia.

Ku e di ti si do votojnë demokratët ??? Sepse, sipas kësaj që thuhet se e ka thënë Basha, baza e Partisë Demokratike është anti-amerikane; i vetmi pro-amerikan në PD është Basha, dhe ai po e mbron Amerikën nga sulmi i Demokratëve me trupin e tij. Mendoj se ai që duhet të kërkojë konfirmim në detyrë, është vetë Basha.



Kjo sepse, nëse Basha është sot kryetar është prej oportunizmit të atyre demokratëve që morrën pjesë në votim, pjesa më e madhe e të cilëve transformuan në votë atë që lexuan si mbështetje të Berishës për Bashën, edhe pse humbës përballë kundërshtarit politik, duke penalizuar fort cilindo që u shfaq dhe ofroi alternativë. Basha sot nuk e ka mbështetjen e Berishës, pra nuk përfaqëson zgjedhjen e shumicës së demokratëve si kryetar i PD.

LEXO EDHE:  Dokumenti ekskluziv/ Basha bën rrush e kumbulla paratë e PD-së, mijëra dollarë të hedhura në kosh

LEXO EDHE:  “Nuk e rrëzojmë dot vetëm”/ Opozita e pafuqishme ndaj Ramës?

Thënë të gjitha këto, është evidente që kjo mbetet një derbi personal mes Berishës dhe Bashës, pasi askush nuk ka ndërmend të njohë borxhin që ka ndaj demokratëve.

Çfarëdoqoftë rezultati i këtij derbi personal, qoftë dhe një barazim në tavolinë, që do i linte amerikanët si leshko, Basha dhe Berisha dhe Rama e dinë se çfarë fitojnë, demokratët nuk e dinë se çfarë fitojnë ata vetë nga e gjithë kjo.

LEXO TE PLOTE