Connect with Us

Arti i lashtë i tatuazheve/ Si lindën, dhe pse vazhdojnë të jenë kaq shumë në modë?

Blog

Arti i lashtë i tatuazheve/ Si lindën, dhe pse vazhdojnë të jenë kaq shumë në modë?

Publikuar

-

cna news, cna lajme, lajme cna, lajme flash cna, cna.al, cna lajme politike,

Nga Cody Cottier “Discover Magazine”

Prej mijëra vitesh, njerëzit kanë gdhendur në trupat e tyre simbole të ndryshme, për të treguar identitetin dhe statusin e tyre, thjeshte për zbukurim, apo edhe për të shprehur përkushtimin ndaj një kauze, për t’u mbrojtur nga diçka e mbinatyrshme dhe e keqe, apo edhe për t’u shëruar nga ndonjë sëmundje.

Ne i quajmë këto vizatime tatuazhe, një fjalë që rrjedh nga fjala tatau, që do të thotë “të godasësh” në disa gjuhë polineziane. Ndërsa kjo praktikë ka qenë e dhimbshme për pjesën më të madhe të kohës (në mungesë të anestezisë lokale që përdoret sot), njerëzit e kanë vizatuar lëkurën e tyre në thuajse çdo kulturë të njohur, për një arsye apo tjetrën.

Stiv Xhillbert shkruan në librin e tij “Historia e tatuazheve”,se në disa site të epokës paleolitike në të gjithë Evropën, arkeologët kanë zbuluar gjilpëra kockore dhe instrumente të tjera, që mund të jenë përdorur për të bërë tatuazhe dhjetëra mijëra vjet më parë.

Por janë të rralla rastet e zbulimit të kufomave të pa dekompozuara me lëkura në gjendje të mirë. Ndaj askush nuk mund të thotë me siguri kur filluan paraardhësit tanë të modifikojnë trupat e tyre.

Për njëfarë kohe, dëshmia në e vjetër na vinte nga Egjipti i lashtë, ku disa mumje femra që i përkasin fillimeve tëMbretërisë së Mesme, shfaqnin në trupat e tyre simbolet e pjellorisë. Ky rekord u thye vetëm në 1991, kur dy turistë zbuluan rastësisht mbetjet e mumifikuara të Ötzi, ose Njeriut të Akullit, në një akullnajë në Alpet Italiane.

Boja në trupin e tij – shkencëtarët numërojnë plot 61 tatuazhe – datonrreth 5.300 vjet më parë. Shumica e tatuazheve të tij ndodhet në shpatulla, në kyçet e dorës dhe ato të këmbës. Për shkak se imazhet me rreze X, tregojnë se ai vuante nga artriti dhe dhimbjet kronike të barku, disa studiues besojnë se tatuazhet e tij,ishin menduar të kishin një funksion terapeutik (shërues).

Pse përdorej boja në trup?

Në historinë e mëvonshme, tatuazhet nisën të nënkuptojnë asgjë dhe gjithçka. Grekët e lashtë i përdorën ato për të damkosur skllevërit dhe kriminelët, ndërsa romakët e zgjeruan këtë praktikë tek ushtarët. Por asnjë nga këto 2 qytetërime nuk ishte i kënaqur me tatuazhet e popullatës. Në përgjithësi romakët dhe grekët i lidhnin tatuazhet me britanikët, gotët, trakët dhe të ashtuquajturit “barbarë”, nga të cilët ata donin të dalloheshin.

Kafshët, të vërteta dhe ato mitike, ishin një burim i shpeshtë frymëzimi për këto grupe, dhe të tjerët në mbarë botën. Një komandant i luftëtarëve Skithianë nga Lugina Pazirik në Siberinë e sotme, i ruajtur në një varr që nga mijëvjeçari i parë Para Krishtit, u zbulua i mbuluar në trup me atë që Xhillbert e quan “një shumëllojshmëri kafshësh fantastike” që mbulojnë bustin dhe gjymtyrët e tij:një kalë, një dash, një peshk, dhe disa krijesa të tjera mitike monstruoze.

Kafshët janë një tematikë e zakonshme e tatuazheve në shumë kultura edhe sot, shpesh për shkak të një lidhjeje të perceptuar me shpirtin e kafshës. “Duket se tatuazhi në botën e lashtë,ka pasur shumë të përbashkëta me tatuazhet e sotme. Tatuazhet në mbarë botën, kanë një origjinë të thellë universale psikike”-shkruan Xhillbert.

Pengesat nga feja

Duke pasur parasysh popullaritetin e tyre të madh, tatuazhet duket se janë të ngulitura thellë në natyrën njerëzore. Por disa vende janë përpjekur t’i nxjerrin ato jashtë ligjit në të kaluarën. Sipas Judaizmit dhe Krishterimit të hershëm, tatuazhet e ndotnin një trup të ndërtuar në mënyrë të përsosur dhe sipas imazhit të Zotit të tyre.

LEXO EDHE:  Historia e errët e Kullës së Londrës

Levitiku 19:28, jep një urdhër hyjnor mjaft të qartë:”Ju nuk do të bëni asnjë shenjë në mishin e afërmit tuaj të vdekur, dhe asnjë shenjë mbi trupin tuaj:Unë jam Zoti!”.Perandori Romak Konstandini shpalli të jashtëligjshme tatuazhet e bëra në fytyrë, kur u konvertua vetë në Krishterim në vitin 325 Pas Krishtit, ndërsa Papa Hadriani ndaloi krejtësisht tatuazhet në shekullin VIII-të.

Për mijëra vitet e ardhshme, lëkura e evropianë mbeti pak a shumë e pa tatuazhuar. (Edhe pse shumë pelegrinë në Tokën e Shenjtë i përkujtuan udhëtimet e tyre, me një kryq të tatuazhuar apo me ndonjë simbol tjetër).Ndërkohë, tatuazhet lulëzuan thuajse kudo tjetër.

Antropologu Lars Krutak thotë se për shumë popuj paganë, të cilët e identifikonin veten sipas simboleve që kishin në lëkurën e tyre, “do të ishte një sakrilegj të mos kishin  tatuazhe”. Në fakt, në shumë pjesë të Polinezisë, Azisë, Afrikës dhe Amerikës, tatuazhet nuk ishin zgjedhje individuale, por rite komunitare.

Në kontrast me idealet Abrahamike, Krutak thotë ato ishin të nevojshme për pranimin në një shoqëri:”Nëse nuk do të kishe tatuazhe, do të talleshe dhe poshtëroheshe vazhdimisht në komunitet”.

Me tatuazhet që bënin, disa përshkruanin prejardhjen e tyre, të tjerët shënonin kalimin në moshën madhore, dhe të tjerë akoma rrëfenin bëmat e tyre në fushën e betejës. “Tatuazhet thonë diçka për historinë e jetës, paraardhësve, arritjet dhe territorin tuaj”-thotë Krutak.

“Ato të gjitha flasin në një mënyrë a tjetrën për këto gjera”- thekson ai.

Kulturat aktuale

Ishin tradita të tilla, me të cilat u ndeshën eksploruesit evropianë vetëm disa shekuj më parë, të cilat e ringjallën interesin në Perëndim për tatuazhet. Kur eksploruesi britanik Xhejms Kuk dhe ekuipazhi i tij udhëtuan në Paqësorin Jugor në fund të viteve 1700, ata takuan popujt vendas të Tahitit, Zelandës së Re dhe ishujve të tjerë, shumë prej të cilëve i kishin trupat të mbuluar me forma gjeometrike dhe vija spirale.

Ndërsa disa marinarëve u bëheshin tatuazhe me forcë, të tjerët e pëlqyen këtë art ekzotik. Madje kur u kthyen në shtëpi, hapën sallone ku bëheshin tatuazhe. Me ndihmën e tyre, dhe bashkë me ndikimin e stilit më piktoresk të tatuazheve të përdorura në Japoni, kjo tendencë u kthye sërish në modë në Evropë.

Sot, sidomos në Shtetet e Bashkuara, tatuazhet janë zakonisht një mjet për të shprehur veten, apo një mënyrë për të nderuar kujtimin e të dashurve. Për disa, ato mbartin kujtimin e një rinie rebele.

Por edhe nëse bëjmë tatuazhe në forma të ndryshme, në kohë të ndryshme dhe për arsye të ndryshme, ne ende jemi pjesë e një rituali për shumë breza të paraardhësve tanë.“Padyshim që me tatuazhet ka diçka që synohet të thuhet, dhe që nuk mund të shprehet me metoda të tjera”-thotë Krutak.

Ai mendon se tërheqja nga tatuazhet ka të bëjë shumë me qëndrueshmërinë e tyre. Një pikturë mund të digjet,një vazo mund të copëtohet, por tatuazhet zgjasin po aq sa edhe jeta e një njeriu./ Përshtatur nga CNA.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Blog

Jo vetëm meshkuj/ Njihuni me katër femrat më të bukura spiune

Publikuar

-

Nga

Jemi mësuar që të njihemi me spiunë meshkuj si  përshembull James Bond, por kur bëhet fjalë për spiunet femra, jo vetëm që nuk na vjen nëpër mend ndonjë emër por mendojmë se nuk ka.

Por e verteta është krejt ndryshe. Ka pasur disa “heroina” të jashtëzakonshme në spiunazh, ju thjesht nuk keni dëgjuar për to.

Këto janë katër emrat më të njohura të femrave më të famshme që kanë qënë pjesë e spiunazhit.

  1. Anna Chapman

Spiunja dhe modelja ruse Anna Chapman ishte pjesë e një rrjeti spiunësh rusë, duke u infiltruar në SHBA për vite me radhë, dhe kishte si detyrë të joshte informatorin e “NSA”, Edëard Snoëden. Ajo përdori statusin e saj si modele për të marë informacion nga sekretet e fshehta të qeverisë. Ajo u arrestua në NYC gjatë vitit 2019.



  1. Ana Montes

Montes ishte spiune për qeverinë Kubane dhe filloi punën për SHBA në vitin 1985, me “Agjencinë e Inteligjencës së Mbrojtjes”. Eksperte për gjithçka kubane, Ana kishte një kujtesë te jashtëzakonshme për të memorizuar memorizonte dokumente me lehtësi. Ajo madje kaloi testin e poligrafit për SHBA, por për fat të keq u dënua me 25 vjet burg në vitin 2002.

  1. Josephine Baker

Ky emër mund tju habisë. Josephine Baker ishte një valltare dhe këngëtare në vitet 1920. Ajo ishte gjithashtu spiune gjatë Luftës së Dytë Botërore në emër të “Rezistencës Franceze”, duke kontrabanduar mesazhe në muzikën e saj.

  1. Stephanie Rader

Stephanie Rader u bashkua me Trupat Ndihmëse të Ushtrisë së Grave në vitin 1942 para se të rekrutohej në Zyrën e Shërbimeve Strategjike. Duke shtirur identitetin e një gruaje që kërkonte anëtarët e humbur të familjes në luftë, ajo mori një punë në ambasadë. në këtë mënyrë ajo mblodhi informacione mbi lëvizjet e trupave ruse, statistikat politike dhe policinë./CNA.al

 

LEXO TE PLOTE

Blog

Cila është e ardhmja e terrorizmit global?

Publikuar

-

Nga

cna lajme blog

Nga Julio Rivera “News Max”

Presidenti Xho Bajden duket se po përjeton nga një krizë të madhe të përmuajshme, ndërkohë që ende nuk kanë kaluar as 8 muaj që nga marrja e detyrës. Shumë nga këto vështirësi janë shkaktuar nga veprimet e vetë shefit të Shtëpisë së Bardhë.

Të gjithë mund ta mbani mend se si që në ditën e tij të parë në detyrë, ai firmosi një mori urdhrash ekzekutivë, të cilat e goditën pavarësisë energjitike të vendit, integritetin e kufirit tonë jugor me Meksikën,dhe rindërtuan pa arsye marrëdhëniet e prishura midis Shteteve të Bashkuara dhe Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSH).

Këtu mund të përmendim edhe dështimet në ekonomi, që lidhen me të ashtuquajturin planin “Back Better” të administratës Bajden,apo sulmet e shumta kibernetike të kryera kundër kompanive të mëdha dhe që kanë një rëndësi strategjike, përfshirë atë mbi “Colonial Pipeline”, dhe një nga furnitorët kryesore të ushqim në SHBA, JBS.

Por, të gjitha këto dyshime të turpshme, të cilat normalisht do të mjaftonin për të fundosur çdo administratë, janë vërtet asgjë në krahasim me krizën humanitare të paparë që po ndodh në Afganistan, pasojë e qasjes miop edhe dëshpëruese të presidentit aktual, për të kërkuar atë që ai e konsideroi paraprakisht një fitore në prag të 20 vjetorit të sulmeve të 11 Shtatorit, të cilat ndryshuan përgjithmonë SHBA-në dhe botën.

Ndonëse shumë nga analistët liberalë të establishmentit janë përpjekur ta shtrembërojnë realitetin, siç ndodhi për shembull me Daniel Smith, që tentoi ta kthejë këtë katastrofë të pafajshme në një skandal të Trump, shumica e amerikanëve nuk mashtrohen dhe e pranojnë se ky është një dështim i madh,dhe ku përgjegjësi ekskluzive ka administrata Bajden.

Kulmi i skandalit ditët e fundit ishte mesazhi kontradiktor në lidhje me statusin e amerikanëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre afganë.

Sidomos paaftësia e zëdhënësit të Departamentit të Mbrojtjes Xhon Kirbi për t’iu përgjigjur një pyetjeje të thjeshtë që iu bë disa javë më parë, që lidhet me numrin e amerikanëve ende të bllokuar pas linjave të armikut, krijoi një situatë që e portretizonte Amerikën si jo të gatshme për të qëndruar në krah të aleatëve të saj, apo edhe të siguronte transferimin e sigurt të qytetarëve të saj.

Këto zhvillime u kanë dhënë një mundësi armiqve të Amerikës, që të promovojnë idenë e rënies sonë si superfuqia më e madhe në botë. Për shembull, Kina, që është padyshim rivalja kryesore e Amerikës, shfrytëzoi menjëherë mundësinë që i dha ky moment i jashtëzakonshëm dobësie, për të përdorur median e saj të kontrolluar nga shteti dhe ndërmarrë një sulm të koordinuar kundër Shteteve të Bashkuara, teksa njëkohësisht po përpiqej që të frikësonte Tajvanin.

Ndërsa po bëhej më e qartë fotografia e vërtetë e asaj që po ndodhte në Afganistan, gazeta “Global Times” e kontrolluar nga Partia Komuniste Kineze, e quajti tërheqjen nga Afganistani “një goditje të rëndë për besueshmërinë e SHBA-së në botë”.

Për më tepër, javën e kaluar, Tajvani raportoi mbi një incident ku 19 avionë ushtarakë kinezë, midis tyre avionë të pajisur me bomba bërthamore, fluturuan në hapësirën e tij ajrore. Ndërsa Amerika duket më shumë e dobët në skenën botërore, sesa ka qenë në çdo moment tjetër që prej janarit të vitit 2017, këto ngjarje të fundit kanë sjellë forcimin e forcave shumë dashakeqe, për të cilat ne hymë 20 vjet më parë në luftë në përpjekje për t’i shkatërruar ato.

LEXO EDHE:  Në mbrojtje të historisë/ Ja detajet që jep Policia e Durrësit për protestën

LEXO EDHE:  “O burgun, ose nuk sheh 3 fëmijët”/ Historia e dhimbshme e të riut nga Kruja



Pavarësisht nëse na intereson ta pranojmë apo jo, administrata Bajden është përgjegjëse për dorëzimin tek talebanët të një sasie të madhe armësh me vlerë mbi 90 miliardë dollarë. Kjo gjë ka ndodhur kur SHBA e dinte se në Afganistan kishte një prani në rritje të Al-Kaidës.

Një raporti të de-klasifikuar të Kombeve të Bashkuara, i bërë publik vetëm disa javë përpara tërheqjes kaotike të SHBA-së nga Afganistani, pretendon se atje ekzistojnë celula terroriste të Al-Kaidës, të cilat veprojnë në të paktën 15 provinca.

Bashkëpunëtorët dhe financuesit e sulmeve të11 Shtatorit, zotërojnë tani armë shumë moderne,të cilat mund t’i përdorin për të forcuar dhe mbrojtur zinxhirët e furnizimit me opioide dhe metamfetaminë, që ishin burimi i tyre kryesor i të ardhurave para rivënies nën kontroll të Afganistanit.

Kjo do të shkaktojë humbje të tjera të jetëve njerëzore në të gjithë botën .Por aspekti ndoshta më pak i përfolur i kësaj situate, është fakti se fuqia globale e terrorizmit, Irani,ka tani një aleat të fuqishëm me një ushtri të pajisur mirë me armë, falë tërheqjes kaotike të Amerikës.

Që kur Xho Bajden ka marrë detyrën e presidenti, Irani është duke shkelur kufijtë e pasurimit të uraniumit, të vendosura në vitin 2015 nga bashkësia ndërkombëtare. Një raport i pranverës së këtij viti, tregonte se centrifugat në stacionin bërthamor të Iranit në Natanz po pasuronin uranium në masën 63 për qind, që është më shumë se sa 60 për qindëshi që dihej deri në momentin kur bisedimet për të ringjallur marrëveshjen e saj bërthamore me fuqitë botërore, kishin ngecur në fillim të këtij viti.

Për më tepër, një Iran sfidues pretendoi në korrik se ka mundësi që ta pasuronte uraniumin në shkallën e ndërtimit të një arme bërthamore, ose në një nivel pastërtie prej 90 për qind.

Ky paralajmërim paraqet rrezik të menjëhershëm jo vetëm për Shtetet e Bashkuara, por edhe për Izraelin dhe Evropën.

Pasi mundësia e bashkëpunimit të vazhdueshëm midis dy vendeve diktatoriale, mund të sjellë në fund një ringjallje tjetër të madhe të sulmeve terroriste në nivel global, ndoshta edhe duke përfshirë përdorimin e një arme bërthamore gjatë viteve të ardhshme.

Dhe kjo është shumë larg nga pozicioni ku ndodhej Irani pak më shumë se një dekadë më parë, Stuxnet i vitit 2010,kur një sulm kibernetik që u konsiderua si goditja e parë në luftën e vazhdueshme globale kibernetike, arriti të sabotojë programin bërthamor iranian.

Kjo situatë e vendos SHBA-në në qendër të vëmendjes të një sulmi tjetër shkatërrues, si ai apo ndoshta më të keq se sa sulmet e 11 Shtatorit 2001. Në kushtet kur kanë mbetur më shumë se 3 vite të presidencës Bajden, ne mund të supozojmë se ndoshta më e keqja duhet ende të vijë. Bazuar në krizat tashmë periodike, në të ardhmen Amerikën mund ta presë një periudhë vështirësish të jashtëzakonshme./CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Zgjedhjet ruse “alla Putin”: Persekutim, represion dhe blerje votash

Publikuar

-

Nga

cna lajme blog

Nga Max Seddon “Financial Times”

E vendosur buzë një liqeni në kufirin veriperëndimor të Rusisë me Evropën, statuja 20 metra e lartë dhe me peshë 50 ton, e përuruar nga Vladimir Putin të dielën e shkuar, përshkruan disa kalorës që mbajnë në duar shpatat, teksa përgatiten të zmbrapsin pushtuesit nga Perëndimi.

Mesazhi që jepet vështirë se mund të jetë më i qartë sesa kaq.

I rrethuar nga patriarku ortodoks, dhe një peshkop që thuhet se është këshilltari i tij shpirtëror, Putini u tregoi të pranishmëve sesi princi mesjetar Aleksandër Nevski kishte hedhur themelet për një “shtet rus të fortë dhe të centralizuar”, pasi arritur të zmbrapste kalorësit teutonë në një betejë të zhvilluar mbi akull.

“Asgjë nuk mund të prishë vazhdimësinë e shenjtë të kohërave dhe brezave!”- theksoi

Putin një javë para zgjedhjeve parlamentare. Rezultati në parim mund të ishte i pashmangshëm:partia e Putinit, Rusia e Bashkuar, pritet të ruajë shumicën e saj kushtetuese në Duma, dhomën e ulët të parlamentit prej 450 deputetësh, ndërsa vendet e tjera i takojnë një grupi partish që njihen si “opozita e kontrolluar”.

Por çmimet e larta të ushqimeve, dhe rënia e të ardhurave reale të rusëve, kanë bërë që popullariteti i partisë Rusia e Bashkuar të prekë nivelet më të ulëta historike, ndaj zgjedhjet e së dielës janë bërë një test për regjimin gjithnjë e më shumë autoritar të Rusisë, përpara se të përfundojë mandati aktual i Putinit në vitin 2024.

Reagimi i presidentit ndaj mbështetjes së vakët për Rusinë e Bashkuar, ka qenë shumë i fortë. Ai premtoi një fond shtesë prej 7 miliardë dollarësh për partinë e tij.

Ndërkaq kundërshtarët janë përballur me një persekutim të paparë, dhe me një retorikë të zjarrtë në lidhje me rrezikun e ndërhyrjes së të huajve në punët e brendshme.

Qeveria ka akuzuar kompanitë amerikane të teknologjisë për “ndërhyrje”, kur ato refuzuan të fshijnë një aplikacion të “votimit të zgjuar”, të drejtuar nga interneti nga mbështetësit e kritikut të burgosur të Putinit, Aleksei Navalni. Goditja e paparë e zërave kundër, tregon se Kremlini i cilëson kërcënimet e huaja si pengesën kryesore për mbijetesën e vazhdueshme të regjimit aktual.

“Jo të gjithë ata që janë kundër Putinit, janë njerëz të këqij. Por shërbimet e sigurisë mendojnë kështu”- më thotë një person që ka qenë dikur këshilltar i Putinit. Disa muaj para zgjedhjeve, zyrtarët e Putinit e kanë ndaluar organizatën e Navalnit, kanë penguar dhjetëra kandidatë që të garojnë në zgjedhje me akuzat për lidhje të dyshuara me Navalnin, si dhe kanë marrë në pyetje qindra mbështetës të zakonshëm, në një përpjekje të dukshme për t’i trembur ata, në mënyrë që të mos zhvillojnë më pas protesta kundër rezultatit.

Analistët thonë se synimi kryesor i presidentit, është të demonstrojë se nuk mund të ketë asnjë alternativë ndaj udhëheqje së tij. Vitin e kaluar, Putin ndryshoi kushtetutën për të zgjatur sundimin e tij potencialisht deri në vitin 2036, edhe pse ai nuk ka thënë nëse planifikon të kandidojë përsëri.

“Putini ka nevojë për një konfirmim personal të mandatit të tij dhe mungesës së alternativave ndaj tij. Zgjedhjet e të dielës janë një shans tjetër për të, që ai të bindë veten se njerëzit e mbështesin ende”-thotë Tatiana Stanovaja, themeluese e kompanisë së konsulencës politike “R.Politik”.

Pasi kandidatët e mbështetur nga Navalni fituan zgjedhjet për këshillin e një qyteti në Siberi vitin e kaluar, mbështetësit e opozitës planifikuan t’i shndërronin zgjedhjet parlamentare në objektivin e tyre kryesor.

Navalni u arrestua në janar të këtij viti, kur u kthye nga Gjermania, pasi u kurua nga një helmim nga një agjent nervor, për të cilin ai akuzon direkt Putinin.

Por që atëherë, mbështetësit e opozitës që synojnë të shkaktojnë ndryshime përmes zgjedhjeve, kanë parë shuarjen e shpresave të tyre. Disa u ndaluan të mbanin lidhje me Navalnin, kur një gjykatë vendosi në qershor që Fondacioni i tij Anti-Korrupsion, të shpallej një organizatë “ekstremiste”.



Shumë nga aleatët kryesorë të Navalnit janë larguar nga Rusia. Ivan Pavllov, një avokat që e mbrojti në gjyq organizatën e Navalnit, u akuzua për dekonspirimin e informacionit nga një gjyq i mbyllur në lidhje me akuzën për tradhti kundër ish-gazetarit Ivan Safronov.

Edhe ekipi i tij i juristëve u shpërbë në korrik, kur Rusia e mbylli faqen e tyre të internetit, me pretekstin se kishin publikuar informacione nga një organizatë çeke “e padëshirueshme”. “Në Rusi po ndodh aktualisht një spastrim.

LEXO EDHE:  Historia e errët e Kullës së Londrës

LEXO EDHE:  “O burgun, ose nuk sheh 3 fëmijët”/ Historia e dhimbshme e të riut nga Kruja

Ky proces ka të bëjë me zgjedhjet, apo me transferimin e pushtetit. Ata po përpiqen të heqin qafe këdo që mund të ketë ndikim tek opinioni publik”- deklaroi Pavllov gjatë një interviste

Goditja është shtrirë edhe tek mediat e pavarura, shpesh të financuara nga grante të dhëna nga organizatat perëndimore. Dhjetëra media dhe stafi i tyre, janë etiketuar si “agjentë të huaj”.

Presioni i regjimit ka prekur edhe zgjedhjet lokale mijëra kilometra larg Moskës.

Kur aktivistja Violeta Grudina u tha miqve të saj në qytetin Murmansk, se donte të kandidonte për këshillin e qytetit, disa njerëz të panjohur shpërndanë fletushka në shkallët e pallatit të saj, duke e akuzuar atë për “çoroditje të fëmijëve”. Më pas plaçkitën dhe shkatërruan zyrën e degës lokale të fondacionit të Navalnit, të cilën Grudina e drejtonte deri pak kohë më parë.

Kur tentoi të regjistrohej si kandidate muajin e kaluar, një gjykatë e urdhëroi Grudinën të izolohej për shkak të koronavirusit, edhe pse ajo tha se ishte shëruar nga një formë e butë e Covid-19, dhe kishte rezultuar negativ në testin e bërë. Grudina nisi një grevë urie, dhe doli nga spitali disa ditë më vonë, ende në kohë për t’u regjistruar në zgjedhje.

Megjithatë ajo u hoq nga lista e kandidatëve, për shkak të lidhjeve të saj të shkuara me Navalnin. “Nëse ata do të donin të më përjashtonin, do ta bënin këtë. Por kjo që ndodhi ishte një shfaqje për njerëzit e tjerë, për t’i treguar banorëve vendas, se si është represioni politik”- thotë Grudina.

Ndërsa Putin si president, është në gjendje të qëndrojë disi mbi grindjet e zyrtarëve, zhgënjimi me standardet e dobëta të jetesës, infrastruktura e shkatërruar dhe korrupsioni i përhapur, ka bërë që rusët e zakonshëm ta drejtojnë zemërimin e tyre ndaj vasalëve të tij. Kremlini i ka detyruar zyrtarët lokalë të marrin përsipër kostot për bllokimet jopopullore dhe fushatat e vaksinimit të detyrueshëm.

“Putini është një pragmatist. Ai e di që disa njerëzve nuk u pëlqejnë mbylljet dhe mbajtja e maskave. Ndaj ai thotë gjërat që pëlqehen”- thotë njeriu që është pranë Putinit. Kandidatët kryesorë të partisë së tij janë ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes Sergei Lavrov dhe Sergei Shoigu.

“Putin po përdor Shoigu dhe Lavrov, pasi ata janë ministrat më të njohur. Ata po e mbrojnë atdheun tonë, si në arenën diplomatike ashtu në fushën e betejës nga sulmet hibride”- thotë Andrei Kolesnikov, kreu i programit të politikës së brendshme në Qendrën Karnexhi në Moskë.

Por problemi për Rusinë e Bashkuar, është nëse ndjenja patriotike mund të dalë apo jo mbi problemet e jetës së përditshme. Të ardhurat reale kanë rënë me 11 për qind që kur Rusia aneksoi Krimesë në vitin 2014, ndërsa 20 milionë njerëz – një e shtata e popullsisë – jetojnë nën kufirin e varfërisë.

Përfituesit më të mundshëm të pakënaqësisë së rusëve janë komunistët, partia e dytë më e madhe në parlament. Ata kundërshtuan rritjen e moshës së pensionit në vitin 2018, dhe ndryshimet kushtetuese të Putinit vitin e kaluar.

Disa nga aktivistët më të rinj të komunistëve po kërkojnë ta sfidojnë Kremlinin në mënyrë direkte, madje duke kopjuar retorikën e Navalnit.

Gjithsesi pakënaqësia sociale në rritje, nuk ka gjasa të përkthehet në humbje për partinë e Putinit. Anketuesi shtetëror “Vtsiom” pret një pjesëmarrje prej rreth 48 për qind, 12 për qind më pak se në vitin vitit 2011. Vëzhguesit e zgjedhjeve janë ankuar se rregullat e reja, do ta bëjnë më të vështirë gjurmimin e shkeljeve të mundshme.

Moska dhe 6 rajone të tjera kanë miratuar votimin në internet, për të cilin kritikët thonë se është në thelb e pamundur të verifikohet. Në pamundësi për të regjistruar kandidatët e tyre, ekipi i Navalnit, po e fokuson strategjinë e tij në një aplikacion të “votimit të zgjuar”, që i nxit mbështetësit të përkrahin kandidatin me shansin më të mirë për të mposhtur partinë Rusia e Bashkuar./CNA.al

LEXO TE PLOTE