Connect with Us

20 vjet më pas, familjet kujtojnë të dashurit që humbën më 11 shtator

Bota

20 vjet më pas, familjet kujtojnë të dashurit që humbën më 11 shtator

Publikuar

-

cna lajme bote

Më 11 shtator 2001, bota pa me tmerr se si dy avionë, njëri në orën 8:46 të mëngjesit dhe tjetri në orën 9:03 goditën Kullat Binjake në Nju Jork, në sulmet terroriste që shkaktuan vdekjen e mbi 2, 600 vetëve. Rreth 3 mijë vetë humbën jetën gjithsej, me gjithë sulmin në Pentagon dhe rënien e avionit të rrëmbyer në Pensilvani.

20 vjet më pas të afërmit e dy prej shqiptaro-amerikanëve që humbën jetën duke punuar tek Kullat, ndajnë me Zërin e Amerikës dhimbjet dhe kujtimet e asaj dite.

60-vjeçari Rrok Camaj vdiq në kullën jugore, ku kishte shkuar si çdo ditë në punë në “majë të botës” siç thoshte ai. Në një ditë me diell pothuajse 20 vjet më pas, djali i tij Vincent Camaj dhe gruaja Katrina Camaj, kujtojnë njeriun e tyre të shtrenjtë, në memorialin e 11 shtatorit në Nju Jork, ku emri i tij është vetëm njëri prej atyre që nuk u kthyen tek familjet e tyre atë ditë. Vincenti thotë se nuk i besohet që kanë kaluar 20 vjet.

“Duket sikur ishte dje. Është shumë e kthjellët në mendjet tona. Jam i sigurt se cilido që ka humbur dikë më 11 shtator, e ka të freskët në kujtesë se ku ishte dhe çfarë po bënte atë ditë”, thotë ai për Zërin e Amerikës.

Në orën 9:15, Rroku i telefonoi Katrinës nga kati i 105-të i Kullës ku ishte bllokuar me 200 vetë të tjerë.

“Më thirri ai vetë nga kati i 105-të. I thashë ku je? Në 105. Jo nuk mundet”.

“Të lutem tha, mos u bëj shumë me mërzi, mos i mërzit fëmijët, se kur të shohin ty, nuk e kalojnë dot. Por çfarëdo që të bëhet tha, jemi në dorë të Zotit, edhe na u këput linja, na u këput telefoni.”

“Babai im u nis për në punë herët në mëngjes dhe nuk u kthye më kurrë. Ai u mor nga ne në mënyrë tragjike. Jetët tona ndryshuan përgjithmonë”, thotë Vincenti.

Edhe jeta e Vitore dhe Marash Dedvukajt ndryshoi përgjithmonë kur humbën djalin e tyre Simonin, 26 vjeç, i cili punonte si mbikqyrës mirëmbajtjeje. Ai ishte në kullën veriore.

“Pas kaq vitesh, e njëjtja dhimbje është. Nuk kalon kurrë ajo dhimbje. Veç na dhimbset për ditë e më shumë, për ditë e më shumë e kujtojmë”, thotë nëna e Simonit.

Ajo dhe Marashi përshkruajnë ankthin dhe dhimbjen e asaj dite.

“U nisëm me ardhë, për të hyrë në Manhattan dhe na kanë ndaluar, as patëm mundësi të hyjmë në gjysmën e Manhattanit dhe këtej, se e kishim edhe djalin tjetër këtu, se kanë punuar afër me njëri-tjetrin. Edhe thirr njërin e thirr tjetrin në telefon, por as nuk binin telefonat nuk i merrte kush se nuk kishte kush me i marrë se të gjithë përpiqeshin të iknin se mendonin mos ndizej gjithë Nju Jorku”, thotë Marashi, babai i Simonit.

Dhimbja e pashlyeshme merr forma të ndryshme ndër vite.

“Për dhjetë vjet nuk kam hyrë në odën e tij, sepse nuk mund t’i shihja rrobat e tij e odën e tij, se më dukej gazep i madh. Atëherë kur hyna, u çmallova mirë një herë. Edhe sot i kam rrobat e tij. Nuk kam mundur t’i hedh. Se kur mendoj për të, unë mendoj çdo ditë, por kur dua të çmallem, shkoj, i marr dhe i shoh të gjitha si i ka pasur”.

Trishtimi shtohet, sepse trupat nuk janë gjetur. Marashi thotë se kishte ardhur me ditë të tëra tek vendi i tragjedisë mos gjente diçka por më kot.

LEXO EDHE:  Pesë ditë pasi mbërrin në SHBA/ 12-vjeçari shqiptar gjen fundin tragjik

“Për çdo ditë e natë jam ulur këtu, vetëm duke parë mos po gjejmë diçka, po ku të gjenim, ai është djegur”, thotë Marashi.

“E dhimbshme boll… Shumë, shumë vështirë e kemi kaluar deri tani, tani e prapa nuk e di… As kaq nuk e kemi nxjerrë…”

“As nuk arritëm ta varrosnim siç duhej. Ai është këtu diku pas nesh. Hiri i tij është përhapur në këtë vend. E gjithë bota vajtoi me ne në 11 shtator dhe çdo vit më pas, por gjëja më e vështirë deri sot është që nuk kemi arritur t’i themi lamtumirë”, thotë Vincenti.

“E njëjta gjë. Sot kur vdes dikush I them ‘ti ke diku me I çu një tufë lule, veç shkojmë aty e nuk shohim asgjë veç një emër.”

Në memorialin dhe muzeun e 11 shtatorit, aty ku dikur ishin Kullat, njerëzit vijnë të reflektojnë apo të mësojnë. Një brez i tërë ka lindur dhe është rritur që nga ajo ditë, mes tyre edhe Camille Kelly 17 vjeç, nxënëse e shkollës së mesme në Nju Jork. Ajo e vizitoi muzeun për herë të parë para tre vjetësh dhe kur mësoi gjithë historinë e asaj dite i lindi dëshira të bëhej vullnetare dhe t’u tregonte të tjerëve historinë e ditës që ndryshoi botën.

“U përgjigjem pyetjeve të njerëzve ose shkoj unë tek ata, u them informacionin që di. Disa prej tyre ndajnë histori me mua. Kam mësuar shumë dhe ka gjithmonë më shumë për të mësuar, por është një institucion i mrekullueshëm”, thotë ajo për Zërin e Amerikës.

Familjet që humbën të dashurit e tyre më 11 shtator 2001, janë të lidhura përgjithmonë nga tragjedia e asaj dite. Familjet Camaj dhe Dedvukaj janë të lidhura edhe nga fakti se janë dy nga vetëm tre familjet shqiptare që humbën të dashurit e tyre. E treta ishte ajo e 66 vjeçarit Mon Gjonbalaj, i cili sipas gazetës New York Times kur goditën avionët kishte telefonuar shtëpinë dhe kishte thënë: “Jam bllokuar. Nuk besoj se do t’ju shoh dot më. Mbajeni familjen të bashkuar”.

Pas 20 vjetësh, ajo që u sjell lehtësim këtyre familjeve janë emri i mirë dhe gjurmët që lanë ata që ikën atë ditë.

“Ka qenë i dashur, ka qenë i mirë. Jo se është djali ynë, po në të gjithë familjen, tek të gjithë, ka lënë dashuri e lezet. Gjithkujt kishte qejf me i ndihmu diçka”, thotë Vitoria.

“Ai na la fizikisht, por jo mendërisht. Ai është me ne çdo ditë, në çdo hap”, thotë Katrina.

Vincenti thotë se trashëgimia më e madhe që ka lënë pas Roko, është familja, fëmijët, nipërit dhe mbesat që e duan po aq, në mos më shumë se sa kur u largua nga kjo botë.

“Babai im ishte shtylla e familjes. Ai na mbante të bashkuar. Kur e humbëm ishte si të humbnim një pjesë tonën, por ai do të jetojë përmes nesh, gjithmonë në zemrat tona dhe është gjithmonë me ne”.

Sulmet e 11 shtatorit para 20 vjetësh, e ndryshuan përgjithmonë Amerikën dhe gjithë botën. Që nga ajo kohë ka pasur luftra, zhvillime dramatike politike dhe sociale dhe së fundmi një pandemic që po sfidon gjithë njerëzimin. Por për ata që humbën të dashurit e tyre atë ditë, çdo 11 shtator është një kujtesë e tragjedisë së jetëve dhe ëndrrave të këputura në mes, por edhe një shans për të reflektuar për trashëgiminë që ata lanë pas./VOA

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Kosova & Rajoni

Sulmi me armë në Jarinje/ Ndërpritet përkohësisht qarkullimi Kosovë-Serbi

Publikuar

-

Nga

cna lajme

Pas sulmit me armë, të ndodhur mbrëmjen e sotme rreth orës 19:00 në Jarinje, është ndërprerë përkohësisht qarkullimi Kosovë-Serbi.

Sipas mediave në Kosovë, përveç dëmeve në objekt nuk ka të lënduar në njerëz, ndërsa nuk dihet autori dhe motivi i këtij sulmi.



KP në Jarinë bën të ditur se policia ka dalë në vendngjarje dhe është duke zhvilluar hetimet, ndërsa komunikacioni është ndërprerë në drejtimin Kosovë-Serbi dhe anasjelltas derisa policia të përfundojë punën.

LEXO EDHE:  SHBA sjell ekspertë për vlerësimin e dëmeve/ Shpërndajnë artikuj jetikë për të prekurit

LEXO EDHE:  SHBA sjell ekspertë për vlerësimin e dëmeve/ Shpërndajnë artikuj jetikë për të prekurit

I kontaktuar më herët rreth këtij rasti, zëdhënësi i policisë për rajonin e veriut, Branisllav Radoviq, ka thënë se nuk ka një informacion të tillë dhe sapo të marrë ndonjë raport zyrtar, do të përgjigjet./ CNA.al

LEXO TE PLOTE

Kosova & Rajoni

Zgjedhjet lokale në Kosovë/ Mbyllet numërimi në komunën e Junikut

Publikuar

-

Nga

cna lajme politike

Juniku është komuna e parë e Kosovës ku është mbyllur procesi i numërimit të votave.

Fitues në këtë komunë është shpallur kandidati i AAK, Agron Kuçi, me 1.062 vota, ose e thënë ndryshe 47.26%.



Më pas ndiqet nga Ruzhdi Shehu (LDK), me 851 vota, ose 37.87%, Besart Tofaj (LVV) me 272 vota, apo 12.11% dhe nga Fatos Shala (PDK) me 62 vota apo 2.76%./ CNA.al

LEXO TE PLOTE

Kosova & Rajoni

Pacolli: Lëvizja Vetëvendosje do të fitojë bindshëm

Publikuar

-

Nga

Fitore Pacolli, anëtarja e kryesisë së “Lëvizja Vetëvendosje”, është shprehur në një prononcim për mediat se në këto zgjedhje do të fitojnë bindshëm.

Pacolli është shprehur se kjo parti do të dyfishojë rezultatet në krahasim me ato të vitit 2017.



Në krahasim e rezultatin e zgjedhjeve komunale të vitit 2017, nga partia e tretë do të jemi bindshëm partia e parë. Rezultatet finale do të do qartësojnë ngritjen e Vetëvendosjes në raport me zgjedhjet e fundit në nivel lokal. Numri i përgjithshëm i votave dhe besimit të qytetarëve presim të dyfishohet”, tha Pacolli./ CNA.al

LEXO TE PLOTE