Connect with Us

Intervista/ Flet ish-agjenti i FBI:Ne e humbëm luftën në Afganistan që në vitin 2002

Blog

Intervista/ Flet ish-agjenti i FBI:Ne e humbëm luftën në Afganistan që në vitin 2002

Publikuar

-

cna lajme blog

“Der Spiegel”

Ish-agjenti i FBI-së amerikane, Ali Sufan, 50 vjeç, ishte i pari që mori në pyetje të burgosurin Abu Subaida, pas sulmeve terroriste të 11 Shtatorit 2001. Ai arriti të merrte prej tij informacione të rëndësishme në lidhje me personat që qëndronin pas sulmeve të 11 Shtatorit.

Saufan ka folur më vonë në publik lidhur me metodat e torturës që ishin përdorur nga qeveria amerikane.

Ai punon sot si konsulent dhe shkrimtar. Ditët e fundit,thuajse nuk ka fjetur pasi është përpjekur t’i ndihmojë miqtë, të njohurit, ish-bashkëpunëtorët dhe përkthyesit qëtë largohen nga Afganistani. Në një intervistë për “Der Spiegel” ai thotë se lufta kundër terrorizmit ka dështuar. Sufan beson se tërheqja e nxituar e SHBA-së nga Afganistani do të krijojë një valë frike dhe do të forcojë ekstremistët në të gjithë botën.

Luftëtarët talebanë po shihen përditë duke shëtitur nëpër Kabul me kamionçina, dhe po pozojnë me armë në duar në studiot televizive. A ju tingëllon një situatë e njohur?

Kjo është e vërtetë. Pas 20 vjetësh, talebanët kanë marrë sërish nën kontroll Afganistanin. Dhe ne duhet të jemi të vetëdijshëm se tërheqja e SHBA-së nga Afganistani, dhe mënyra se si ndodhi kjo gjë është frymëzuese për njerëzit në botë.

Ajo është një fitore e madhe jo vetëm për lëvizjen xhihadiste globale, por edhe për të gjithë militantët që veprojnë kundër SHBA-së, dhe kjo do të ketë pasoja serioze për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Kjo sepse tani që të gjithë këto grupe, do të jenë në gjendje të rigrupohen në Afganistan pa pasur asnjë pengesë apo jo?

Jo vetëm kaq. Ajo që ndodhi është frymëzuese edhe për grupet ekstremiste sunite si Hezbollahu në Liban apo Huthit në Jemen, dhe shumë grupe të tjera anti-amerikane në Lindjen e Mesme. Gjithashtu ajo mund të sigurojë hapësira për rigrupimin e Al-Kaidës.

Kjo e fundit ka sërish një shtab qendror ku të stacionohet, edhe pse ka shumë bashkëpunëtorë në vende të ndryshme në Lindjen e Mesme. Al-Kaeda ka njerëzit e saj në Somali, Jemen dhe Siri. Unë mendoj se do të jetë shumë e vështirë të frenohet kërcënimi i xhihadit në Afganistan.

A nuk është tani më e rrezikshme dega afgane e Shtetit Islamik (ISIS-K)?

ISIS Khorasan është një hyrje e re në Afganistan. Gjithsesi kjo organizatë është e rrezikshme, dhe jo vetëm kundër nesh dhe interesave tona. Por ajo është e rrezikshme edhe për talebanët dhe Al-Kaidën. Ky grup ka mbledhur të gjithë ata luftëtarë që u shkëputën nga Al-Kaida dhe talebanët, duke besuar se këta të fundit nuk janë aq rigorozë në aspektin fetar.

Dhe është interesant fakti që shumë fraksione brenda talebanëve u janë bashkuar atyre, duke besuar se ekziston mundësia e ngritjes së Kalifati të premtuar,dhe për të cilin ata duan të luftojnë.

Presidenti Xho Bajden deklaroi në fjalimin e tij javën e kaluar, se nuk kishte asnjë alternativë ndaj tërheqjes së SHBA nga Afganistani. Ju vetë pajtoheni me këtë qëndrim?

Le të jemi të qartë për një gjë:Sipas mendimit tim, ne e humbëm luftën në Afganistan që në vjeshtën e vitit 2002. Ai ishte momenti kur administrata e Xhorxh W.Bush nisi të zhvendoste shumë burime të rëndësishme për t’u përgatitur për luftën në Irak.

Kjo gjë po ndodhte pikërisht në kohën kur Al-Kaida dhe talebanët po rigrupoheshin në Afganistan. Ajo ishte një goditje e rëndësishme ndaj çdo lloj përpjekjeje konstruktive.

Pastaj ne lamë pas dore shumë probleme të tjera që kanë të bëjnë me korrupsionin, dhe me respektimin në thelb të mënyrës sesi është ndërtuar Afganistani. Disa administrata amerikane kishin një ide se si duhet të jetë Afganistani, por nuk e kuptuan kurrë se si është në fakt Afganistani. Unë mendoj se ky ishte një nga problemet tona më të mëdha.

LEXO EDHE:  Pse Rusia ka dështuar të shndërrohet në një demokraci liberale

Pra, SHBA-ja dështoi sepse nuk bëri mjaftueshëm përpjekje për ta njohur më mirë armikun?

Absolutisht po. Afganistani është një vend fisnor i ndarë në shumë rajone, të populluara nga grupime të ndryshme etnike. Shumica e afganëve nuk i besonin qeverisë qendrore për shkak të korrupsionit. Kur kishin një problem ata nuk shkonin tek qeveria, por tek luftëtarët lokalë dhe pleqtë e fiseve për të zgjidhur shumë nga këto halle.

Ky ishte një shans që ne e humbëm. Ne kishim nevojë për një politikë të bazuar në kulturën e vendit, bazuar në kulturën e Kabulit, Heratit, Mazar-e-Sharif, dhe jo të bazuar në kulturën e Uashingtonit. Mendoj se ky ishte një nga problemet më të mëdha.

Misioni në Afganistan përfshiu 4 presidenca amerikane. A mbajnë të gjitha përgjegjësi të barabartë për atë që ndodhi?

Mendoj që mund të flasim për një dështim kombëtar, për një disfatë kombëtare. Kjo humbje është për shkak të dy administratave demokratike dhe dy administratave republikane. Çdo administratë bëri shumë gabime atje. Administrata Bush bëri shumë gabime me zhvendosjen e burimeve të nevojshme për t’u përqendruar tek Iraku.

Administrata Obama dërgoi më shumë trupa dhe për 8 vjet shpresoi se atje do të ndodhte  ndonjë mrekulli. Administrata Trump është përgjegjëse për moskuptimin fare të situatës dhe për nisjen e negociatave vetëm me talebanët, për shpërfilljen e qeverisë afgane dhe për lirimin e 5.000 luftëtarëve talebanë pa kërkuar asgjë në këmbim.

Bajden thotë se kaosi në fund ishte i pashmangshëm. Dhe këshilltarët e tij të sigurisë thanë se askush nuk mund ta dinte se qeveria dhe ushtria afgane do të kapitullonin brenda 11 ditëve…

Jo, kjo është e pakuptimtë. Nëse Bajden e dinte se do të largohej nga Afganistani, pse nuk i zbatoi politikat e tij që nga Dita e Parë, duke planifikuar një strategji për largimin? Të paktën kjo do të kishte qenë një ikje më e nderuar.

Ndërkohë ne u tërhoqëm në mesin e natës, pa u koordinuar me britanikët, me NATO -n, dhe madje as me qeverinë afgane. Amerikanët u zgjuan një ditë dhe panë se SHBA-ja ka braktisur bazat dhe e ka mbyllur ambasadën e saj. Kjo gjë krijon një frikë, e cila në thelb do të jetë e pamundur të frenohet.

Çfarë prisni të ndodhë në vazhdim?

Unë mendoj se talebanët nuk do të veprojnë ashtu si dikur. Besoj se ata do të kenë një stil të ndryshëm për t’i bërë gjërat, pasi këto 20 vite kanë mësuar shumë. Kanë mësuar se si të jenë më pragmatikë. Tashmë ata dinë të jenë më dioplomatë, dhe ata duan të jenë pjesë e kësaj loje të madhe gjeopolitike, e konkurrencës së fuqive midis SHBA-së dhe Kinës.

Talebanët po bashkëpunojnë tani me pakistanezët, teksa kanë hapur kanale komunikimi për iranianët. Ata po takohen me kinezët për të diskutuar në lidhje me investimet dhe programet e infrastrukturës. Por kjo është vetëm fasada. Në thelb ata nuk kanë ndryshuar. Qëllimet e tyre vazhdojnë të jenë të njëjta.

Çfarë do të thotë kjo për Perëndimin?

Ne kemi urgjentisht nevojë për një Plan B, për një strategji të re që të pengojmë Al-Kaidën ose xhihadistët, apo edhe talebanët që të planifikojnë apo kryejnë sulme terroriste kundër Perëndimit. Ne duhet të gjejmë hapësira ​​operacionale ku mund t’i kontrollojmë këto grupe terroriste. Unë mendoj se i vetmi vend ku mund të angazhohemi politikisht, diplomatikisht dhe, nëse është e nevojshme ushtarakisht është në Doha, pasi atje kemi bazën më të madhe ushtarake jashtë SHBA-së./CNA.al

 

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Blog

Marija Oktiabrskaja, gruaja që shiti gjithçka për të blerë një tank/ Mori hak për burrin e saj të vrarë në luftë

Publikuar

-

Nga

cna lajme blog

Në fazat e hershme të Luftës së Dytë Botërore, kur gjermanët po përdornin taktikat e tyre të Blitzkrieg-ut(Luftës Rrufe)për të pushtuar qytet pas qyteti, sovjetikët po pësonin humbje

të mëdha jo vetëm për shkak të mungesës së burimeve, për t’u mbrojtur përballë trupave të blinduara të armikut, por edhe për shkak të moralit të ulët. Shumë burra sovjetikë kishin rënë në fushën e betejës, duke bërë që shumë gra të mbeten të veja. Por disa histori dashurie nuk përfunduan këtu.

Dashuri dhe luftë

Historia në fjalë nisi në Gadishullin e Krimesë, në një zonë të ashpër lufte sa i përket numrit e betejave që u zhvilluan atje. Një gjë ishte e sigurt:banorët e Krimesë nuk donin që të humbnin shtëpitë e tyre, ndaj organizuan një rezistencë të fortë përballë ushtarëve gjermanë.

Përkundër të gjitha përpjekjeve, gjermanët ishin më superiorë,ndaj shumica e ushtarëve rusë mbetën të vdekur në fushën e betejës. Por humbja e një njeriut të zemrës,kishte zgjuar zemërimin dhe urrejtjen e madhe për gjermanët tek një grua ne veçanti.

Marija Oktiabrskaja, ishte bashkëshortja e njërit prej ushtarëve që kishte vdekur në frontin e Krimesë në vjeshtën e vitit 1941. Marija ndjeu një dhimbje aq të madhe nga humbja që pësoi, saqë ajo e shiti të gjithë pronën e saj, për të porositur blerjen enjë tanku model T-34, dhe për t’ia dhuruar më pas ushtrisë sovjetike me disa kushte të caktuara.

Kushti i parë ishte që tankut t’i vendosej emri “E dashura e luftëtarit”, dhe i dyti që të ishte ajo që ta ngiste tankun gjatë luftimeve. Kjo kërkesë iu dërgua vetë udhëheqësit të vendit Josif Stalinit,e shoqëruar me një çek prej 50.000 rublash,aq sa ishte edhe kostoja e ndërtimit të një tanku të madhësisë mesatare të modelit T-34.

Diktatori ishte shumë krenar kur pa që një civil, donte jo vetëm të luftonte për vendin, por edhe t’i blinte vetë armët që do të përdorte në luftë. Kërkesa e saj u pranua menjëherë. Marija nuk ishte inxhiniere mekanike, por ajo kishte fituar shumë njohuri nga bashkëshorti i ndjerë,jo vetëm për aspektet teknike dhe mekanike të tankeve, por edhe kishte kryer disa trajnime ushtarake bazë.

Një luftëtare e lindur

Marija Oktiabrskaja lindi më 16 gusht 1905, dhe vinte nga një familje e varfër me 10 fëmijë në Krime të Ukrainës. Në fillim ajo punoi në një fabrikë konservimi, dhe më pas si operatore telefonike. Në vitin 1925, ajo u martua me një oficer të ushtrisë sovjetike, që e nxiti atë të kishte shumë interes mbi çështjet ushtarake.

LEXO EDHE:  Një shtet brenda shtetit/ Kush ishte CHEKA, ”shpata dhe mburoja” e Revolucionit Bolshevik

LEXO EDHE:  Studimi/ Të folurit mund ta përhapë koronavirusin, po aq shumë sa edhe kollitja



Më vonë, falë nxitjes edhe të bashkëshortit ajo nisi punë si infermiere në ushtri. Për këtë arsye, iu kërkua t’i nënshtrohej një trajnimi ushtarak bazë. Por bashkëshorti e kishte mësuar sesi të ngiste një tank, dhe madje se si të gjuante me të.

Me regjimin komunist në fuqi, shumë gra të ushtarëve dhe oficerëve sovjetikë, u detyruan t’i bashkoheshin shërbimit ushtarak si infermiere ose në departamente të tjera. Vetëm pas luftës gratë u lejuan të rekrutoheshin si ushtare, për shkak të mungesave të mëdha që kishte shkaktuar lufta.

Skuadrilja ushtarake ku ajo ishte caktuar, nuk ishte e sigurt nëse kjo grua ishte gati për t’u angazhuar në Frontin Lindor. Gjithsesi, ajo u kishte treguar atyre disa nga aftësitë e saj ushtarake të mësuara nga bashkëshorti i saj.

Meqenëse ishte larguar nga shtëpia për të luftuar në front me synimin kryesor hakmarrjen për burrin e saj, ajo ishte akoma shumë e pikëlluar, ndjenjë që iu shndërrua në zemërim. Marija u tregua jo vetëm një ushtare e aftë, por edhe një mekanike shumë e zonja.

Në betejën e saj të parë, tanku i saj u godit nga një predhë blind-shpues, që i dëmtoi motorin dhe sistemin hidraulik. Ajo doli nga tanku në mesin e një përleshje për ta rregulluar atë. Pasi e rregulloi, vazhdoi përpara duke gjuajtur sërish.

Marija Oktiabrskaja luftoi për një vit, dhe divizioni i saj arriti që t’i sprapsë gjermanët në Hungari. Me hyrjen e njësisë së saj në Hungari pasoi një betejë e ashpër, ku ajo pësoi disa plagë serioze nga një predhë mortaje që e goditi gjatë kohës që ishte jashtë tankut, për ta rregulluar nga një tjetër dëmtim që kishte pësuar.

Marija u promovua në gradën e rreshteres për trimërinë dhe aftësitë e treguar në beteja.

Në vitin 1944, në moshën 38 vjeçare, ajo vdiq për shkak të plagëve të marra. Pas vdekjes u shpall Heroinë e Bashkimit Sovjetik, që ishte në atë kohë medalja më e lartë për trimërinë e treguar në luftë./CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Tmerret e “Revolucionit Kulturor”/ Kur Garda e Kuqe e Mao Ce Dunit shtronte bankete me mishin e kundërshtarëve politikë

Publikuar

-

Nga

cna lajme blog

Qarku Vuxuan në rajonin autonom Guangxi Zhuang në Kinës Jugore, është sot një zonë relativisht e qetë e vendit komunist, e karakterizuar nga fushat e mëdha të fermave bujqësore dhe qytetet e vogla të zhurmshme.

Asgjë që ekziston sot atje, nuk tregon ndonjë shenjë të tmerreve të përjetuara gjatë viteve 1960, në kulmin e Revolucionit Kulturor të drejtuar nga Mao Ce Duni, kur Gardistët e Kuq i nënshtruan kundërshtarët e tyre në nivele makabre poshtërimi dhe dhune.

Por shkalla e atij terrori do të kishte mbetur e panjohur, po të mos ishte për dëshmitë e një shkrimtari kinez në fillim të viteve 1990, që zbuloi nivelet e pashembullta të mizorisë, shthurjes morale, madje edhe kanibalizmit gjatë asaj që ka hyrë në histori si Masakra e Guangxi.

Në vitin 1958, udhëheqësi kinez Mao Ce Dun nisi zbatimin e të ashtuquajturit Hapi i Madh Përpara, një fushatë e konceptuar shumë keq për të transformuar vendin e varfër në një fuqi të madhe industriale. Rezultatet ishin katastrofike:mbi 50 milionë njerëz vdiqën gjatë Zisë së Madhe të Bukës që e pasoi atë reformë, dhe dhjetëra e mijëra të tjerë humbën jetën në një seri fatkeqësish të lidhura me të.

Mao u detyrua ta pranonte hapur dështimin e tij në vitin 1962 dhe të largohej nga drejtimi i qeverisë, por ai e mbajti udhëheqjen e Partisë Komuniste. Ndërkohë udhëheqësi i poshtëruar nga dështimet filloi të planifikonte hakmarrjen e tij.

Ai e bëri këtë më 16 maj 1966, kur akuzoi publikisht disa udhëheqës të rangut të lartë se ishin “revizionistë kundër-revolucionarë”, që po komplotonin për të sabotuar nga brenda Partinë Komuniste. Menjëherë pas atij fjalimi, Mao dha bekimin e tij për formimin e Gardës së Kuqe, një grup studentësh militantë, idealistë, të cilët e adhuronin Maon dhe kundërshtuan dhunshëm cilindo që dyshohej për pabesi ndaj kryetarit.

Ndërsa qeveritë lokale u shkatërruan nën sulmet e vazhdueshme të Gardës së Kuqe dhe përleshjeve midis fraksioneve, qytetarët e zakonshëm e humbën besimin tek politika kombëtare dhe u kthyen plot tërbim kundër njëri -tjetrit.

Në një atmosferë aq të tensionuar, qytetarët e zakonshëm e shihnin njëri-tjetrin si armiq të klasës që duheshin asgjësuar. Ajo që pasoi ishte një përplasje civile me linçime publike, tortura dhe një dhunë të përhapur në të gjithë rajonin.

Mao cilësoi “Pesë kategoritë e zeza” si kundërshtarë të tij, dhe këtu përfshiheshin të djathtët, kundërrevolucionarët, “ndikimet e këqija”, fermerët e pasur dhe pronarët. Në të gjithë vendin, shpërthyen rebelime të dhunshme.

Të ashtuquajturat “sesione të luftës” u bënë një formë e njohur e ndëshkimit, gjatë së cilës anëtarët e Partisë Komuniste Kineze poshtëruan dhe torturuan publikisht kundërshtarët e tyre. Por jo rrallë këto seanca u bënë jashtëzakonisht të dhunshme, dhe në disa rajone degraduan në kanibalizëm.

Ndërsa kanibalizmi kishte ndodhur në Kinë gjatë Urisë së Madhe, nga fundi i viteve 1960, furnizimet me ushqim ishin kryesisht të garantuara. Prandaj, dëshmitë masive të kanibalizmit në Guangxi, nuk mund të ishin për shkak të urisë.

Shkaku i vërtetë ishte urrejtja politike. Sipas një dëshmitari okular “Kanibalizmi ndodhte për shkak të përplasjes së luftës së klasave, dhe u përdor për të shprehur një lloj urrejtje. Vrasja e njerëzve ishte e tmerrshme, më e keqe se kafshët”.Disa nga shfaqjet më makabre ndodhën në qarkun Vuxuan, ku zyrtarët komunistë hanin zemrat, mëlçitë dhe organet gjenitale të rivalëve të tyre.

Kjo praktikë e tmerrshme filloi në vitin 1968, kur studentët në shkollën e mesme të Vuxuanit, rrahën për vdekje mësuesen e tyre të gjeografisë,dhe e çuan trupin e saj në bregun e lumit Qian. Aty ata e detyruan një mësuese tjetër që t’i nxirrte nga trupi zemrën dhe mëlçinë. Pastaj nxënësit shkuan në shkollë ku gatuan dhe hëngrën organet e mësueses së tyre.

Thuhet se në “bankete me mish njeriu” morën pjesë edhe zyrtarë të lartë të Partisë Komuniste. Për ta rezervoheshin zemrat dhe mëlçitë më të buta të kundërshtarëve të tyre, të cilat konsumoheshin të përziera me erëza dhe mish derri. Ndërkohë qytetarëve të rangut më të ulët “u lejohej të konsumonin krahët dhe kofshët e viktimave”.

LEXO EDHE:  Si pastrohen paratë e mafias përmes tregut global të artit

LEXO EDHE:  Qeveritë po e përdorin pandeminë, si pretekst për të mohuar të drejtën e protestës



Një anëtare e Partisë Komuniste, e quajtur Uang Uenliu, u bë e famshme për ngrënien e organeve gjenitale mashkullore apo ruajtjen e tyre në pije alkoolike. Pasi u promovua në detyrë, Pekini mësoi mbi zakonin e saj kanibalesk, dhe kërkoi shpjegime pse ajo nuk ishte dëbuar nga Partia.

Një hetim i mëvonshëm zbuloi se në fakt ajo kishte ngrënë vetëm mish dhe mëlçi njeriu.

Uang u shkarkua nga postet e larta drejtuese edhe pse u lejua të mbante një post modest në Parti. Pastaj në majin e vitit 1968, në një rebelim shumë të dhunshme në Partinë Komuniste, një nga drejtuesit e partisë u rrëmbye, trupi iu copëtua dhe u var me kokë poshtë në një shesh publik.

Militantët e Gardës së Kuqe gjetën edhe vëllain e tij, të cilin e rrahën rëndë, dhe e hodhën në një gropë të ujëra të zeza ku i shkulën zemrën dhe mëlçinë teksa ishte ende gjallë. Të tjerët zhveshën mishin nga kockat, dhe eshtrat e tij u hodhën në lumë.

Për gati një dekadë, qytetarët e Guangxit u shokuan nga aktet mizore të“prerjes së kokave, rrahjeve brutale, varrimeve përsëgjalli, vrasjeve me gurë, përmes mbytjes, vlimit në ujë të nxehtë, therjeve në grup, copëtimit të kufomës, vrasjeve me dinamit, duke mos kursyer asnjë metodë”.

Numri zyrtar i njerëzve, trupi i të cilëve u konsumua nga të tjerët në të gjithë rajonin

mendohet të jetë 137. Por numri realka të ngjarë të përfshijë edhe qindra të tjerë. Nga rastet e dokumentuara, të paktën 38 incidente të kanibalizmit ndodhën në Qarkun Vuxuan.

Siç pretendoi më vonë me krenari një pjesëmarrës në Masakrën Guangxi:“Në Vuxuan … hëngrëm më shumë njerëz se kudo tjetër në Kinë!”.

Faza më e dhunshme e Revolucionit Kulturor përfundoi në fundin e vitit 1968, kur Mao urdhëroi që mijëra Gardistë të Kuq të “dërgoheshin” me punë në fshat. Më 9 shtator 1976, Mao vdiq, dhe bashkë me të edhe Revolucioni Kulturor.

Por rastet e linçimit dhe dhunës politike vazhduan. Më pas nisi një periudhë spastrimi, në një fushatë që synonte të “eliminonte kaosin dhe rikthimin në normalitet”.Një pjesë e vogël e atyre që konsideroheshin përgjegjës për dhunën në Guangxi u dënuan me burg, dhjetëra të tjerë u përjashtuan nga Partia Komuniste, ndërsa shumë të tjerëve iu ulën rrogat.

Pas kësaj, qëndrimi zyrtar i Pekinit ishte të harronte dhe mohonte aktet e kanibalizmit në Guangxi. Megjithatë, qeveria qendrore kishte qenë në dijeni të rastit të Uang Uenliu, dhe studiuesit zbuluan 20 vjet më vonë, se ishte dërguar të paktën një letër në kryeqytet në lidhje me tragjedinë, ku thuhej:“Këtu njerëzit po hanë njëri-tjetrin”.

Ngjarjet e tmerrshme në Guangxi mund të ishin harruar, në rast se eseisti Zheng Ji nuk do të udhëtonte në Guangxi në vitin 1986 për të hetuar mbi këtë çështje. Duke qenë vetë një ish-gardist, që kishte kaluar disa muaj kohë në Guangxi gjatë Revolucionit Kulturor, Ji shmangu me sukses heshtjen zyrtare mbi atë masakër.

Ai pati qasje në regjistrat zyrtarë, të cilët vërtetuan se autoritetet vendore dhe kombëtare ishin në dijeni të makabriteteve gjatë dhe pas ndodhjes së tyre. I frikësuar për sigurinë e tij, Ji nisi të shkruante mbi ato ngjarje pasi u arrestua për pjesëmarrje në protestat e Sheshit Tiananmen në vitin 1989. Pasi qëndroi i fshehur për 2 vjet, ai shkroi një libër që fliste në detaje mbi dhunën në Guangxi, të cilin e botoi me një pseudonim, dhe më pas u arratis në SHBA përmes Hong Kongut./CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Zgjedhjet ruse “alla Putin”/ Persekutim, represion dhe blerje votash

Publikuar

-

Nga

cna lajme blog

Nga Max Seddon “Financial Times”

E vendosur buzë një liqeni në kufirin veriperëndimor të Rusisë me Evropën, statuja 20 metra e lartë dhe me peshë 50 ton, e përuruar nga Vladimir Putin të dielën e shkuar, përshkruan disa kalorës që mbajnë në duar shpatat, teksa përgatiten të zmbrapsin pushtuesit nga Perëndimi.

Mesazhi që jepet vështirë se mund të jetë më i qartë sesa kaq.

I rrethuar nga patriarku ortodoks, dhe një peshkop që thuhet se është këshilltari i tij shpirtëror, Putini u tregoi të pranishmëve sesi princi mesjetar Aleksandër Nevski kishte hedhur themelet për një “shtet rus të fortë dhe të centralizuar”, pasi arritur të zmbrapste kalorësit teutonë në një betejë të zhvilluar mbi akull.

“Asgjë nuk mund të prishë vazhdimësinë e shenjtë të kohërave dhe brezave!”- theksoi Putin një javë para zgjedhjeve parlamentare. Rezultati në parim mund të ishte i pashmangshëm:partia e Putinit, Rusia e Bashkuar, pritet të ruajë shumicën e saj kushtetuese në Duma, dhomën e ulët të parlamentit prej 450 deputetësh, ndërsa vendet e tjera i takojnë një grupi partish që njihen si “opozita e kontrolluar”.

Por çmimet e larta të ushqimeve, dhe rënia e të ardhurave reale të rusëve, kanë bërë që popullariteti i partisë Rusia e Bashkuar të prekë nivelet më të ulëta historike, ndaj zgjedhjet e së dielës janë bërë një test për regjimin gjithnjë e më shumë autoritar të Rusisë, përpara se të përfundojë mandati aktual i Putinit në vitin 2024.

Reagimi i presidentit ndaj mbështetjes së vakët për Rusinë e Bashkuar, ka qenë shumë i fortë. Ai premtoi një fond shtesë prej 7 miliardë dollarësh për partinë e tij. Ndërkaq kundërshtarët janë përballur me një persekutim të paparë, dhe me një retorikë të zjarrtë në lidhje me rrezikun e ndërhyrjes së të huajve në punët e brendshme.

Qeveria ka akuzuar kompanitë amerikane të teknologjisë për “ndërhyrje”, kur ato refuzuantë fshijnë një aplikacion të “votimit të zgjuar”, të drejtuar nga interneti nga mbështetësit e kritikut të burgosur të Putinit, Aleksei Navalni.

Goditja e paparë e zërave kundër, tregon se Kremlini i cilëson kërcënimet e huaja si pengesën kryesore për mbijetesën e vazhdueshme të regjimit aktual.

“Jo të gjithë ata që janë kundër Putinit, janë njerëz të këqij. Por shërbimet e sigurisë mendojnë kështu”- më thotë një person që ka qenë dikur këshilltar i Putinit. Disa muaj para zgjedhjeve, zyrtarët e Putinit e kanë ndaluar organizatën e Navalnit, kanë penguar dhjetëra kandidatë që të garojnë në zgjedhje me akuzat për lidhje të dyshuara me Navalnin, si dhe kanë marrë në pyetje qindra mbështetës të zakonshëm, në një përpjekje të dukshme për t’i trembur ata, në mënyrë që të mos zhvillojnë më pas protesta kundër rezultatit.

Analistët thonë se synimi kryesor i presidentit, është të demonstrojë se nuk mund të ketë asnjë alternativë ndaj udhëheqje së tij. Vitin e kaluar, Putin ndryshoi kushtetutën për të zgjatur sundimin e tij potencialisht deri në vitin 2036, edhe pse ai nuk ka thënë nëse planifikon të kandidojë përsëri.

“Putini ka nevojë për një konfirmim personal të mandatit të tij dhe mungesës së alternativave ndaj tij. Zgjedhjet e të dielës janë një shans tjetër për të, që ai të bindë veten se njerëzit e mbështesin ende”-thotë Tatiana Stanovaja, themeluese e kompanisë së konsulencës politike “R.Politik”.

Pasi kandidatët e mbështetur nga Navalni fituan zgjedhjet për këshillin e një qyteti në Siberi vitin e kaluar, mbështetësit e opozitës planifikuan t’i shndërronin zgjedhjet parlamentare në objektivin e tyre kryesor. Navalni u arrestua në janar të këtij viti, kur u kthye nga Gjermania, pasi u kurua nga një helmim nga një agjent nervor, për të cilin ai akuzon direkt Putinin.

Por që atëherë, mbështetësit e opozitës që synojnë të shkaktojnë ndryshime përmes zgjedhjeve, kanë parë shuarjen e shpresave të tyre. Disa u ndaluan të mbanin lidhje me Navalnin, kur një gjykatë vendosi në qershor që Fondacioni i tij Anti-Korrupsion, të shpallej një organizatë “ekstremiste”.



Shumë nga aleatët kryesorë të Navalnit janë larguar nga Rusia. Ivan Pavllov, një avokat që e mbrojti në gjyq organizatën e Navalnit, u akuzua për dekonspirimin e informacionit nga një gjyq i mbyllur në lidhje me akuzën për tradhti kundër ish-gazetarit Ivan Safronov.

Edhe ekipi i tij i juristëve u shpërbë në korrik, kur Rusia e mbylli faqen e tyre të internetit, me pretekstin se kishin publikuar informacione nga një organizatë çeke “e padëshirueshme”. “Në Rusi po ndodh aktualisht një spastrim.

Ky proces ka të bëjë me zgjedhjet, apo me transferimin e pushtetit. Ata po përpiqen të heqin qafe këdo që mund të ketë ndikim tek opinioni publik”- deklaroi Pavllov gjatë një interviste

LEXO EDHE:  Pse Rusia ka dështuar të shndërrohet në një demokraci liberale

LEXO EDHE:  Obama: Trupat amerikane mbeten në Afganistan

Goditja është shtrirë edhe tek mediat e pavarura, shpesh të financuara nga grante të dhëna nga organizatat perëndimore. Dhjetëra media dhe stafi i tyre, janë etiketuar si “agjentë të huaj”. Presioni i regjimit ka prekur edhe zgjedhjet lokale mijëra kilometra larg Moskës.

Kur aktivistja Violeta Grudina u tha miqve të saj në qytetin Murmansk, se donte të kandidonte për këshillin e qytetit, disa njerëz të panjohur shpërndanë fletushka në shkallëte pallatit të saj, duke e akuzuar atë për “çoroditje të fëmijëve”. Më pas plaçkitën dhe shkatërruan zyrën e degës lokale të fondacionit të Navalnit, të cilën Grudina e drejtonte deri pak kohë më parë.

Kur tentoi të regjistrohej si kandidate muajin e kaluar, një gjykatë e urdhëroi Grudinën të izolohej për shkak të koronavirusit, edhe pse ajo tha se ishte shëruar nga një formë e butë e Covid-19, dhe kishte rezultuar negativ në testin e bërë. Grudina nisi një grevë urie, dhe doli nga spitali disa ditë më vonë, ende në kohë për t’u regjistruar në zgjedhje.

Megjithatë ajo u hoq nga lista e kandidatëve, për shkak të lidhjeve të saj të shkuara me Navalnin. “Nëse ata do të donin të më përjashtonin, do ta bënin këtë. Por kjo që ndodhi ishte një shfaqje për njerëzit e tjerë, për t’i treguar banorëve vendas, se si është represioni politik”- thotë Grudina.

Ndërsa Putin si president, është në gjendje të qëndrojë disi mbi grindjet e zyrtarëve, zhgënjimi me standardet e dobëta të jetesës, infrastruktura e shkatërruar dhe korrupsioni i përhapur, ka bërë që rusët e zakonshëm ta drejtojnë zemërimin e tyre ndaj vasalëve të tij. Kremlini i ka detyruar zyrtarët lokalë të marrin përsipër kostot për bllokimet jopopullore dhe fushatat e vaksinimit të detyrueshëm.

“Putini është një pragmatist. Ai e di që disa njerëzve nuk u pëlqejnë mbylljet dhe mbajtja e maskave. Ndaj ai thotë gjërat që pëlqehen”- thotë njeriu që është pranë Putinit. Kandidatët kryesorë të partisë së tij janë ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes Sergei Lavrov dhe Sergei Shoigu.

“Putin po përdor Shoigu dhe Lavrov, pasi ata janë ministrat më të njohur. Ata po e mbrojnë atdheun tonë, si në arenën diplomatike ashtu në fushën e betejës nga sulmet hibride”- thotë Andrei Kolesnikov, kreu i programit të politikës së brendshme në Qendrën Karnexhi në Moskë.

Por problemi për Rusinë e Bashkuar, është nëse ndjenja patriotike mund të dalë apo jo mbi problemet e jetës së përditshme. Të ardhurat reale kanë rënë me 11 për qind që kur Rusia aneksoi Krimesë në vitin 2014, ndërsa 20 milionë njerëz – një e shtata e popullsisë – jetojnë nën kufirin e varfërisë.

Përfituesit më të mundshëm të pakënaqësisë së rusëve janë komunistët, partia e dytë më e madhe në parlament. Ata kundërshtuan rritjen e moshës së pensionit në vitin 2018, dhe ndryshimet kushtetuese të Putinit vitin e kaluar. Disa nga aktivistët më të rinj të komunistëve po kërkojnë ta sfidojnë Kremlinin në mënyrë direkte, madje duke kopjuar retorikën e Navalnit.

Gjithsesi pakënaqësia sociale në rritje, nuk ka gjasa të përkthehet në humbje për partinë e Putinit. Anketuesi shtetëror “Vtsiom” pret një pjesëmarrje prej rreth 48 për qind, 12 për qind më pak se në vitin vitit 2011. Vëzhguesit e zgjedhjeve janë ankuar se rregullat e reja, do ta bëjnë më të vështirë gjurmimin e shkeljeve të mundshme.

Moska dhe 6 rajone të tjera kanë miratuar votimin në internet, për të cilin kritikët thonë se është në thelb e pamundur të verifikohet. Në pamundësi për të regjistruar kandidatët e tyre, ekipi i Navalnit, po e fokuson strategjinë e tij në një aplikacion të “votimit të zgjuar”, që i nxit mbështetësit të përkrahin kandidatin me shansin më të mirë për të mposhtur partinë Rusia e Bashkuar./CNA.al

LEXO TE PLOTE