LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Drejtuesit e Kuvendit në 30 vjet/ Cilat legjislatura kanë nisur me bojkot?

8 Shtator 2021, 12:03, Politikë CNA
Drejtuesit e Kuvendit në 30 vjet/ Cilat legjislatura kanë nisur me

Më 10 shtator do të hapet legjislatura e re parlamentare. Sipas të dhënave të përpunuara nga Institutit të Studimeve Politike (ISP) për herë të parë kemi një parti politike, e cila i ka fituar mandatin e tretë radhazi.

Mazhoranca aktuale ka të njëjtin numër mandatesh si më 2017, me dallimin se që në fillim ka mbështetjen edhe të 3 mandateve të PSD, duke pasur de facto 77 deputetë, 6 më shumë sesa mazhoranca e nevojshme për krijimin e qeverisë.

Në këtë legjislaturë vëmendje të posaçme merr debati mbi mandatin e ish Presidentit/Kryeministrit Berisha, i përfshirë në listën e zezë amerikane, ndërkohë që pesë deputetë, përfshirë dy emra në listën e zezë, kanë dhënë dorëheqje nga mandati përpara betimit në parlament.

ISP llogarit të ketë edhe emra të tjerë që do të dorëhiqen ndofta gjatë sesionit të parë dhe të dytë të legjislaturës. Interesant është fakti se në seancën hapëse nuk do të jenë 140 deputetë (nuk janë zëvendësuar nga KQZ disa nga ata që kanë dhënë dorëheqje), ndërkohë që deputetët duhet të deklarojnë përkatësinë në grupe parlamentare.

Në legjislaturën e 10-të në tri dekadat e fundit, PS do të ketë kryetarin e Kuvendit, i katërti pas Islamit (1991), Dokles (2001), Pëllumbit (2003) dhe Rucit (2017). Në dy legjislatura PS ia besoi drejtimin e Kuvendit aleatëve politikë, Gjinushi nga PSD më 1997 dhe Meta nga LSI më 2013. Drejtuese do të jetë Lindita Nikolla, e dyta grua drejtuese pas Jozefina Topalli (2005-2013).

Në dallim nga Topalli, e cila ishte kryetare e Komisionit të Ligjeve (1996) dhe zv/kryetare e Kuvendit në vitet 1997-2005, zonja Nikolla nuk ka përvojë drejtimi parlamentar në dy nivelet, në komisione dhe si institucion.

Po ashtu, edhe zv/kryetari i Kuvendit nga opozita, Enkelejd Alibeaj, nuk ka pasur rol drejtues në krye të komisioneve dhe as të Kuvendit. Zv/kryetari i parë nuk është caktuar ende (nga PS).

Sipas Rregullores së Kuvendit mbledhja e parë e parë e legjislaturës së Kuvendit, deri në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, hapet dhe drejtohet nga deputeti më i vjetër në moshë. Referuar të dhënave statistikore të deputetëve aktualë, deputeti më i vjetër është Luljeta Bozo (78), ndjekur nga Sali Berisha (77).

Sipas të dhënave të Institutit të Studimeve Politike, kështu ndodhi më 2013, kur vendin e Berishës e pasoi Namik Dokle, në atë kohë 67 vjeç. Në vite seancat janë hapur nga deputetët më të moshuar, përkatësisht Çarçani, Arbnori, Godo, Agolli, Pëllumbi, Xhuveli, Beja, Dokle dhe Bare. Kuvendi do të ketë edhe sekretarinë e tij, kryesisht të përbërë nga tre deputetët më të rinj (aktualisht janë Ulliri nga PD, Rakipi dhe emri pasues i Kokës që pritet në Durrës, Ana Dhamo nga PS).

Drejtimi i mbledhjes e sekretaria nuk kanë ndonjë vlerë të veçantë, përveç anës ceremoniale dhe memories parlamentare, kurse drejtimi i Kuvendit merr vlerë kryesore.

Tre prej tyre, ? Islami, Arbnori e Dokle kanë pasur mandate gjysmake (1991 dhe 1997 për shkak të zgjedhjeve të parakohshme, kurse më 2002 për shkak të dorëheqjes), kurse të tjerët kanë drejtuar me mandat të plotë.

Ruçi dhe Pëllumbi janë kryetarët e vetëm që refuzuan rizgjedhjen deputet, i pari duke dhënë dorëheqje pas zgjedhjeve dhe i dyti duke dhënë dorëheqje përpara zgjedhjeve.

Në aspektin statistikor të mbledhur nga ekspertët e Institutit të Studimeve Politike (ISP), nga dhjetë legjislatura, gjysma e tyre (5) janë bojkotuar në seancat e hapjes, (3 herë PD dhe 2 herë PS).

Kjo legjislaturë nis pa bojkot parlamentar. Lidhur me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, të dhënat e ISP dëshmojnë se në tre raste ka pasur votim me garë për kryetar parlamenti (1992, 1997, 2005), kurse në rastet e tjera ka pasur votim formal me një kandidat.

Vetëm më 1991 ka ndodhur që pas votimit për emrin e parë nuk u vijua me votim për emër tjetër pasues (Agolli) dhe se është i vetmi rast kur votimi për kryetarin ishte i hapur. Viti 1991 ishte ndofta i vetmi ku lejohej dhe u zhvillua debat për emrin e kryetarit, kurse me Rregulloren e re të Kuvendit, zgjedhja e tij bëhet pa debat.

Kjo është hera e parë që parlamenti mblidhet në një ditë të premte, pasi më 1997 dhe 2017 është mbledhur në fundjavë dhe në pesë raste të tjera është mbledhur ditën e hënë, pra në fillim të javës.

Sipas Rregullores, Presidenti mund të adresojë mesazh publik për parlamentin, por nuk pritet që kjo të ndodh edhe për shkak të konfliktit politik midis mazhorancës dhe presidentit. Pjesa tjetër e procedurave mund të lejojë mbledhje në ditët vijuese të parlamentit.

Tradicionalisht, parlamentet e reja në shtator nxitojnë të votojnë kryeministrin, programin dhe përbërjen e kabinetit të ri qeveritar përpara javës së tretë të shtatorit, kur kryeministri zakonisht udhëton për në mbledhjet e Asamblesë e Kombeve të Bashkuara (OKB), duke pasur kështu një legjitimitet të qartë për bisedime të ndryshme politike të nivelit të lartë.

Për shkak të COVID-19 dhe konfirmimit për herë të tretë nuk ka ende njoftim zyrtar nëse në OKB do të jetë Presidenti, Kryeministria apo Ministri i Jashtëm./CNA.al

Lajmet e fundit nga