Connect with Us

Absolutizëm i fituesve në Afganistan/ I gjithë pushteti në duart e talebanëve?

Blog

Absolutizëm i fituesve në Afganistan/ I gjithë pushteti në duart e talebanëve?

Publikuar

-

cna lajme bote

Talibanët radikalë islamistë prezantuan qeverinë e re të përkohshme. Askush tjetër veç tyre nuk ka poste në këtë qeveri. Por totalitarizmi i tyre nuk ka për të sjellë paqen në vend, shkruan Sandra Petersmann.

Afganistani që tani është një emirat represiv islamik. Mjafton për këtë një emër, ministri i Brendshëm i emëruar, Sirajudin Hakani qëndron që nga viti 2007 në listën e terrorit të Kombeve të Bashkuara. FBI ka vendosur 10 milionë dollarë para për kokën e tij. Sirajudin Hakani konsiderohet i afërt me Al-Kaidën dhe bëhet përgjegjës për planifkimin e shumë atentateve terroriste vetëvrasëse në Kabul, ndër to edhe sulmin ndaj ambasadës gjermane në Kabul në maj 2017. Por çfarë nënkuptojnë këto vendime të talibanëve për jetën e përditshme të njerëzve në Afganistan?

Frika si shpata e Damokleut

Kur kam telefonuar me politikanen afgane, Habiba Sarabi në Katar, ajo më tha se ndjehet si “fije bari e thatë në ujë”, e lënë nga të shkojë rryma. Me zë të dridhur tha, se ka frikë të tmerrshme nga kthimi në vendlindje, sepse është një grua politikisht aktive dhe se është pjesë e pakicës shiite Hazara. Hazarët janë shpesh të përjashtuar në Afganistanin sunit. Qeveria e parë talibane (1996-2001) i përndiqte ata sistematikisht. Në Masar i-Sharif në vitin 1998 u krye një vrasje masive.

A do të kthehet tani Afganistani në një vend, ku gratë, pakicat dhe ata që mendojnë ndryshe do të bëhen të padukshëm që të mbijetojnë? Ndjesia e sigurisë së një njeriu nuk varet vetëm nga ajo, nëse dikush ushtron menjëherë dhunë, por edhe nga vetëdija, se dikush mund të ushtrojë dhunë në çdo kohë. Pa ndëshkim, sepse ka pushtetin absolut. Frika e shpatës së Damokleut rri pezull kudo.

Absolutizëm i fituesve

Habiba Sarabi, kjo “fije bari e thatë në ujë” ishte pjesë e shtetit afgan, që u ngrit me intervenimin perëndimor pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit. Ajo ka qenë guvernatorja e parë e një province, ministre e gruas dhe kandidate për zëvendëspresidente. Ajo bënte pejsë tek ato katër gra, që deri para pak javësh negociuan me talibanët për paqen pa sukses në Doha. Por talibanët fituan mbi Republikën Islamike të Afganistanit, për të cilën luftonte Sarabi dhe e shfuqizuan. Në emiratin e tyre islamik gratë nuk kanë më poste politike. Edhe përfaqësues nga rendi i mëparshëm afgan nuk gjenden në emiratin e rij, megjithë betimet e talibanëve, se duan të ngrenë një “sistem inkluziv islamik”.

Regjimi i ri taliban është një qeveri absolutiste e fituesve. Pa gra. Pa pakica. Pa të tjerë. Me këtë islamistët bëjnë të njëjtin gabim fatal si bashkësia ndërkombëtare. Edhe SHBA e aleatët e refuzuan në mënyrë arrogante në vitin 2001 të negocionin me humbësit, talibanët e rrëzuar.

Si qen të rrahur

Rezultati dihet: Lufta e Afganistanit u shkallëzua. SHBA dhe NATO e çuan atë në fshatrat afganë. Çmimin e pagoi popullsia civile. Trupat ndërkombëtare u tërhoqën si qen të rrahur pas 20 vjetësh nga fusha e betejës dhe talibanët tani dehen nga fitoja mbi superfuqinë. Por është ndryshe të fitosh në betejë dhe ndryshe të qeverisësh një vend multietnik të varfër me 38 milionë banorë në shekullin e 21. Që tani ka rezistencë të armatosur. Protesta të grave të guximshme dhe burrave. Luftëtarët dhe demonstruesit filmojnë veten me smartphone dhe i dërgojnë videot tek një publik global.

DW Kommentatorenbild Sandra Petersmann
Sandra Petersmann

Varfëri e thellë dhe uri

Gjendja në Afganistan është emergjente. Miliona vuajnë nga uria dhe vërdallisen si refugjatë në vendin e tyre, të çrrënjosur edhe për shkak të thatësirës së vazhdueshme dhe dhunës. OKB paralajmëron nga një katastrofë dhe një lëvizje e re e madhe refugjatësh. Ndihmat financiare ndërkombëtare nga të cilat Afganistani ka qenë plotësisht i varur pas katër dekadash luftë kanë ngrirë pas ardhjes në pushtet të talibanëve. Ekonomia është në kolaps, ndihmat humanitare vijnë me vështirësi. Prioriteti kryesor i një qeverie afgane do të duhej të ishte të ndihmonte dhe mbronte popullin e vet. Por çfarë bëjnë talibanët? Ata i përfundojnë demonstratat paqësore me dhunë të ashpër, kërkojnë luftën vendimtare në Luginën Panxhir, ndëshkojnë gazetarët, ndalojnë muzikën, dhe u shkruajnë studenteve, se si duhet të mbulohen. Mohojnë aktet vrasëse hakmarrëse që kanë ndodhur me prova.

Recetë për katastrofë

Islamistët militantë nuk mund ta qeverisin një vend për një kohë të gjatë me dhunë, shtypje dhe ndalime. As me injorancë, fjalë të zbukuruara dhe gënjeshtra. Këtë ta mësojnë së fundmi edhe dështimet e sovjetikëve dhe demokracive perëndimore në betejën afgane.

Përpjekja për demokraci në Afganistan dështoi, sepse ajo u zbatua në mënyrë të njëanshme, injorante u bë me gjysmë zemre dhe ishte etje për pushtet. Përpjekja e re e talibanëve për të bërë sërish një emirat totalitar është një recetë e sigurtë për ta keqësuar katastrofën aty. Uria, padrejtësia dhe dëshpërimi janë armiq të rrezikshëm, edhe për të ashtuquajturit fitimtarë abolutë./DW

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Blog

Nga Parajsa në Ferr/ Historitë e pabesueshme të miliarderëve që mbetën trokë

Publikuar

-

Nga

Dihet se në këtë botë gjërat ndryshojnë me kalimin e kohës. Nuk ka rëndësi se sa i pasur apo i varfër mund të jesh në një moment të caktuar. Situata mund të ndryshojë sa hap e mbyll sytë. Ne kemi parë jo pak fatlumë, që kanë punuar shumë, duke arritur ta ndryshojnë statusin e tyre financiar, por edhe shumë manjatë të biznesit që e shkatërruan perandorinë falë stilit të jetës, apo vendimeve të gabuara. Ja cilët janë disa prej tyre.

1. Xhoslin Uajlldenshtein

E njohur edhe si “Catwoman”, Xhoslin Uajldenshtein, shpenzonte çdo muaj 1 milion dollarë për blerje luksoze, dhe paguante 5.000 dollarë vetëm për faturat e telefonit. Ajo ishte e fiksuar pas operacioneve plastike, dhe donte patjetër që të kishte tiparet e fytyrës së maces. Në majin e vitit 2018, ajo paraqiti pranë organeve tatimore formularin e falimentimin, duke pretenduar se kishte 0 dollarë në llogarinë e saj bankare.

Në dosje thuhet se 77 vjeçarja nga Manhatani fiton jo më shumë se 900 dollarë në muaj, në formën e asistencën nga sigurimet shoqërore. Ajo pretendon se disa nga shpenzimet e saj paguhen tani nga miqtë dhe familja e saj. Dikur ajo zotëronte shumë prona, mes të cilave 3 apartamente në katin 51 të Kullës Trump, me një vlerë të përbashkët prej 11.75 milion dollarësh.

2. Berni Medof

Bernard Medof ngriti skemën më të madhe piramidale në histori, duke mashtruar mijëra investitorë për një shumë prej miliarda dollarë, gjatë një periudhe prej të paktën 17 vjetësh. Në vitin 2009, ai u dënua me 150 vite burg. Meqë ai ishte një financier me një reputacion të mirë; disa investitorë ia besuan atij paratë e tyre.

Medof u premtoi në këmbim fitime të qëndrueshme. Por në fund investitorët humbën në total 65 miliardë dollarë, dhe mashtrimi i tij mbeti i pazbuluar për dekada të tëra. Deri vitin e kaluar, vetëm 3.2 miliardë dollarë u ishin rikthyer viktimave të Medof nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë.

Medof ngriti që në vitin 1960 kompaninë e tij, e cila luajti një rol udhëheqës në fillimin e bursës së Nju Jorkut, NASDAQ. Përveç kësaj, ai ishte pjesë e bordit të Shoqatës Kombëtare të Tregtarëve të Letrave me Vlerë. Prandaj, shumë njerëzit besuan se ajo që po bënte ishte e drejtë. Por gjërat filluan të marrin tatëpjetën kur investitorët e tij kërkuan një pagesë totale prej 7.5 miliardë dollarësh, në një kohë që ai kishte gati vetëm 200-300 milion dollarë.

3. Elizabet Holms

Elizabet Holms kishte dikur një pasuri neto prej 5 miliardë dollarësh, dhe ishte një figurë

e shquar e Silicon Valley. Ajo zotëronte një laborator të madh të analizave të gjakut, “Theranos”, me vlerë 9 miliardë dollarë. Më vonë, u zbulua se testet e gjakut të “Theranos” ishin shumë të pasakta.

Në qershorin e vitit 2018, ajo u akuzua për mashtrim, teksa “Forbes” e uli në gati zero vlerësimin e pasurisë së saj. Afro 50 për qind e pasurisë së Holms vinte nga “Theranos”, të cilën ajo e themeloi në vitin 2003 për të revolucionarizuar testet diagnostikuese.

Sot aksionet e “Theranos” nuk tregtohen në asnjë bursë. Ato u blenë nga investitorët në vitin 2014 me një çmim të fryrë, që nënkuptonte një vlerësim prej 9 miliardë dollarësh për kompaninë.

Por kur u akuzua për kryerjen e testeve të pasakta, dhe u vendos nën hetim nga një sërë agjencish federale, “Forbes” bëri një vlerësim të ri, sipas së cilit të ardhurat e “Theranos” janë më pak se 100 milion dollarë.



4. Björgólfur Gudmundsson

Gudmundsson ishte dikur njeriu i dytë më i pasur i Islandës, me shumë aksione në bankën “Landsbanki”. Por banka e tij falimentoi gjatë krizës financiare të vitit 2008, dhe u ble në fund të atij viti nga qeveria Islandeze.

Deri në marsin e atij viti, Gudmundsson kishte një pasuri neto prej 1.2 miliardë dollarësh në, por “Landsbanki” dështoi vetëm pas 7 muajsh. Ish-miliarderi Islandez kishte pasur një karrierë të gjatë, si drejtues në një kompani birre dhe si pronar i një ekipi futbolli. Ai nisi të kishte probleme me drejtësinë që në mesin e viteve 1980 kur kompania e tij, Hafskip, falimentoi dhe ai u dënua me 1 vit e gjysmë burg për zhvatje.

Pas daljes nga burgu ai shkoi në Rusi për të rimarrë pasurinë e tij. Ai dhe i biri blenë një kompani të prodhimit të pijeve freskuese, të cilën e shndërruan në një fabrikë birre, duke pasur sërish sukses. Gudmundsson u bë sërish një miliarder. Por në dhjetor 2008, pasuria e tij ishte zhdukur. Në gushtin e vitit 2009, ai paraqiti formularin e falimentimit, duke deklaruar më shumë se 500 milion dollarë borxhe.

5. Eike Batista

Në vitin 2012, biznesmeni brazilian ishte njeriu i shtatë më i pasur në botë, dhe njeriu më i pasur në Brazil. Ai kishte një pasuri neto prej 35 miliardë dollarësh. Por në vitin 2014, ai e  humbi të gjithë pasurinë e tij, dhe madje kishte një borxh bankar prej 1.2 miliardë dollarësh.

Batista u bë i pasur nga minierat që zotëronte babait të tij, duke qenë milioner që në moshën 23 vjeçare.

Më vonë, ai ngriti kompaninë e tij të minierave të arit, që çoi në krijimin e “EBX Group”.

Në vitin 2000, ai kishte një pasuri neto prej 20 miliardë dollarësh, duke pasur në pronësi 8  miniera ari në Kanada dhe Brazil, dhe një minierë argjendi në Kili.

Ai ngriti 5 kompani të tjera, “MPX” në energjitikë, “MMX” në miniera, “LLX“ në logjistikë, “OGX” në naftë dhe “OSX” për industrinë e parajsave fiskale. Të gjitha kompanitë e tij lulëzuan, duke e çuar pasurinë e tij në 35 miliardë dollarë në vitin 2012.

Por prodhimi i naftës në zonat e blera prej tij, ishte shumë më i vogël nga sa ishte parashikuar. Kjo e zbehu  besimin e investitorëve, dhe ia vështirësoi financimet e mëtejshme. Në vitin 2013, kompania kishte 5.1 miliardë dollarë borxhe. Sot Brazili ka konfiskuar të gjitha pasuritë e Batistas, dhe ky i fundit është dënuar me 13 vite burg./ unbelievable-facts.com–Përshtatur nga CNA.al

(Pjesa e parë)

 

LEXO TE PLOTE

Blog

Ja se si Kina po e eksporton autoritarizmin kudo në botë

Publikuar

-

Nga

cna news, cna lajme, lajme cna, lajme flash cna, cna.al, cna lajme politike,

Nga Charles Edel & David O.Shullman “Foreign Affairs”

Gjatë një fjalimi para zyrtarëve të lartë të Partisë Komuniste Kineze (PKK) në korrik të këtij vit, udhëheqësi kinez Xi Jinping, deklaroi se Kina duhet të bëjë më shumë për ta ndarë “historinë e suksesit” të partisë me pjesën tjetër të botës. Ai nënvizoi se për të rritur ndikimin ndërkombëtar si të vendit po ashtu edhe të partisë, zyrtarët kinezë duhet të lartësojnë jashtë vendit virtytet e modelit të qeverisjes autoritare të Kinës.

Ndonëse disa analistë vazhdojnë të pretendojnë se Kina nuk paraqet ndonjë kërcënim ideologjik për normat demokratike dominuese, dhe se PKK nuk po e eksporton ideologjinë e saj, është e qartë se kjo e fundit ka filluar një përpjekje për të promovuar stilin e saj të autoritarizmit tek aktorët jo-liberalë rreth e rrotull botës.

Synimi i saj nuk është që të përhapë marksizmin apo të minojë demokraci të caktuara, por më tepër të arrijë epërsinë politike dhe ekonomike. Dhe përpjekjet e tij në funksion të këtij qëllimi – përhapja e propagandës, zgjerimi i operacioneve të informacionit, konsolidimi i ndikimit ekonomik dhe ndërhyrja në sistemet e huaja politike – po dëmtojnë institucionet demokratike dhe sundimin e ligjit në vende të ndryshme.

Xi e ka bërë të qartë se ai e konsideron modelin jo-liberal të qeverisjes kineze si superior ndaj të ashtuquajturve sisteme politike perëndimore dhe ai po tenton që ta popullarizojë atë model në të gjithë botën si një “kontribut për njerëzimin”.

Siç u shpreh Xi në Kongresin XIX-të të PPKK në vitin 2017, modeli qeverisës i Kinës ofron “një opsion të ri për vendet dhe kombet e tjera, që duan të përshpejtojnë zhvillimin e tyre, duke ruajtur pavarësinë”, duke injoruar presionin e jashtëm për t’u demokratizuar.

Ky mesazh është shumë tërheqës për udhëheqësit që shpresojnë të arrijnë suksesin ekonomik, pa iu përgjigjur kërkesave të qytetarëve të vendit të tyre. Mbrojtja e së drejtës së vendeve për t’u qeverisur nga regjimet jodemokratike, është qartazi e ndryshme nga instalimi me forcë i udhëheqësve autokratë në të gjithë botën, siç bëri Bashkimi Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë.

Por promovimi gjithnjë e më i plotë i autoritarizmit, si një model i qeverisjes “superiore” të PKK,paraqet një sfidë jo më pak serioze ndaj demokracisë sesa ndërhyrja sovjetike, sidomos kur shoqërohet me masat ekonomike dhe politike të Kinës,të cilat forcojnë regjimet autoritare dhe dobësojnë ato demokratike në të gjithë botën.

Përpjekjet ndërkombëtare të Kinës për të përmbysur demokracinë, klasifikohen në 3 kategori të mëdha. E para, përfshin përpjekjet e saj për të diktuar narracionin mbi Kinën në vendet e zhvilluara. Në vendet që variojnë nga Kanadaja dhe Gjermania, në Australi dhe Japoni, Pekini synon që t’u mbyllë gojën kritikëve të Kinës, dhe të përforcojë zërat e individëve dhe institucioneve që promovojnë lidhje më të ngushta me Pekinin apo që kanë një portretizim më pozitiv të Kinës.

Siç e pranoi ambasadori kinez në Suedi në vitin 2019:“Ne i trajtojmë miqtë tanë me verë të mirë, por për armiqtë tanë ne kemi armët e gjahut!”. Kina ofron një qasje preferenciale në treg për qeveritë, institucionet akademike dhe bizneset miqësore me të, por hakmerret në aspektin financiar kundër atyre që i sheh si armiqësorë ndaj interesave të Kinës.

Po ashtu, Pekini kërcënon disidentët kinezë dhe familjet e tyre, monitoron studentët kinezë jashtë vendit, përpiqet të censurojë ligjërimin akademik që cilësohet ofendues për Pekinin, dhe përpiqet të kontrollojë sesi edukohen të huajt mbi Kinën.



Ndërkohë, Kina është përpjekur të zgjerojë ndikimin e saj tek mediat e huaja, të kontrollojë mediat në gjuhën kineze jashtë vendit, dhe t’i kthejë qytetarët e diasporës kineze kundër partive apo kandidatëve që ajo i konsideron si kërcënues për interesat e veta.

Kategoria e dytë e veprimeve antidemokratike, janë ato që ndodhin në vendet në zhvillim. Në dallim nga bota e zhvilluar, ku presioni politik dhe ekonomik i Kinës, dhe diplomacia “Ujkut luftëtar” kanë shkaktuar një reagim në rritje, Pekini përballet me një pritje më të ngrohtë në shumë vende në zhvillim, ku elitat shpresojnë që të mësojnë nga një sistem politik që ka bërë të mundur transformimin e Kinës në ekonominë e dytë më të madhen në botë.

Në këto demokraci të brishta, Pekini ka korruptuar elitat dhe i ka ndihmuar ata të centralizojnë pushtetin, duke i izoluar nga kërkesat e shoqërisë civile, dhe duke përdorur teknologjinë kineze për të shtypur qytetarët e tyre, duke ndihmuar kësisoj për të qëndruar pafundësisht në pushtet.

Kjo është pra mënyra se si PKK po e eksporton autoritarizmin në të gjithë globin:jo përmes seminareve mbi ideologjinë marksiste, siç kanë pohuar disa analistë, por përmes një game të gjerë aktivitetesh antidemokratike.

Partnerët e saj të preferuar nuk janë përkrahës të zjarrtë të marksizëm-leninizmit, por zyrtarë, drejtues biznesi, manjatë të medias, dhe të tjerë që e konsiderojnë miratimin e një modeli qeverisjeje jo-demokratik, që e përqendron pushtetin në duart e pak njerëzve si rrugën drejt pasjes së një ndikimi afatgjatë.

Një numër vendesh në rritje janë frymëzuar nga Kina për të miratuar ligjet që kontrollojnë mediat sociale apo për të ndërtuar barriera mbrojtëse në internet, të modeluara sipas“Great Firewall” të Kinës.

Kategoria e trete dhe e fundit e veprimeve antidemokratike ndërkombëtare, përfshin ato që synojnë dobësimin e institucioneve ndërkombëtare që promovojnë normat demokratike, dhe krijimin e institucioneve të reja që nuk e bëjnë diçka të tillë.

Kina po e shfrytëzon ndikimin që ka fituar, duke konsoliduar ndikimin në agjencitë e OKB-së, për të siguruar përafrimin institucional me prioritetet kineze. Për shembull, ajo e ka përdorur autoritetin e saj në Unionin Ndërkombëtar të Telekomunikacioneve, për të promovuar politika që lehtësojnë përdorimin autoritar të teknologjisë me synim shtypjen e lirive të qytetarëve.

Po ashtu Pekini po promovon pikëpamjen e vet mbi të drejtat e njeriut, sipas së cilës qeveritë mund të citojnë kushte të supozuara unike lokale, për të justifikuar shpërfilljen e të drejtave individuale apo të pakicave, dhe në të cilat të drejtat civile apo ato politike janë dytësore përballë të ashtuquajturave të drejta ekonomike dhe sociale. 

Sfida e Partisë Komuniste Kineze ndaj demokracisë, kërkon një përpjekje të koordinuar dhe me burime të shumta për të forcuar institucionet demokratike në vendet e cënueshme të botës. Kjo përpjekje duhet t’i japë prioritet mbështetjes për mediat e pavarura dhe shoqërisë civile, zbatimit të masave agresive kundër korrupsionit dhe pastrimin e parave, dhe investimit në teknologji që mund të depërtojnë në hapësirat digjitale të mbyllura, dhe të garantojnë transparencë për proceset politike.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj duhet të forcojnë mbrojtjen e tyre, dhe t’i kundërvihen Kinës përmes forcimit të demokracisë brenda dhe jashtë vendit. Dështimi për ta bërë këtë mund të rrezikojë rendin aktual ndërkombëtar, dhe ta bëjë të ardhmen të pasigurt për demokracinë./ Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Pas Merkelit, Franca mund të përpiqet t’i zërë vendin Gjermanisë si “superfuqia” e Evropës

Publikuar

-

Nga

cna news, cna lajme, lajme cna, lajme flash cna, cna.al, cna lajme politike, cna kronike, cna lajme bote, cna show

Nga Holly Ellyatt “CNBC”

Kur kancelarja gjermane Angela Merkel, të largohet nga posti që mban pas zgjedhjeve parlamentare të kësaj jave në Gjermani, shumë ekspertë politikë do të hedhin sytë nga Franca. Kjo pasi shumë analistë mendojnë se Franca dhe konkretisht, presidenti Emanuel Makron, mezi po pret rastin për të tentuar ta zëvendësojë Gjermaninë si udhëheqësja de fakto e Evropës, dhe padyshim si superfuqia e rajonit.

Makron ka të ngjarë që të përpiqet të bëhet një figurë qendrore e Evropës, sapo Merkel të largohet, thonë analistët, dhe ai është në pozitat e duhura për ta arritur këtë gjë.“Ne shohim që tani disa përpjekje paraprake për të marrë udhëheqjen e Evropës”- tha për CNBCKarsten Brzheski, kreu i kompanisë “ING”.

Ai vuri në dukje “ndërhyrjet e Makron në debatet evropiane mbi rregullat fiskale”. Franca i ka bërë thirrje BE-së që të lehtësojë rregullat në lidhje me defiçitet buxhetore të shteteve anëtare, dhe mbi nivelet e borxhit ndaj PBB-së, sidomos për shkak të pandemisë së koronavirusit, teksa Gjermania ka kundërshtuar tradicionalisht çdo lehtësim të rregullave, që synojnë frenimin e defiçiteve dhe borxhit publik.

Gjermania është aktualisht shumë e zënë me veten. Por një udhëheqje e fortë franceze, pa një kundërpeshë gjermane, vështirë se është vlerësuar ndonjëherë në Berlin”- shprehet Brzheski. Një gjë që e qetëson Gjermaninë, shton ai, është se ajo e di se edhe Makron ka betejën e tij presidenciale në prillin e vitit ardhshëm.

Ajo garë do t’i lërë atij më pak kohë për nismat e forta në kuadër të lidershipit evropian, edhe pse Franca do të ketë në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm presidencën e radhës të BE-së. Unë mendoj se testi i vërtetë do të vijë pas zgjedhjeve franceze, në rast se Makron rizgjidhet në detyrë. Atëherë ne mund të shohim një përpjekje të tij më të fuqishme për të marrë udhëheqjen e Evropës. Kjo i jep çdo kancelari të ardhshëm gjerman rreth 1vit kohë që të përgatitet”-thotë Brzeski.

Po cilin do të preferonte Makron si kancelar?

Ashtu si pjesa tjetër e Evropës, edhe Franca po e ndjek nga afër fushatën elektorale në Gjermani, dhe do të ketë parë po ashtu me interes edhe rritjen e popullaritetit të Partisë Socialdemokrate të qendrës së majtë.

Kandidati i kësaj partie për kancelar, Olaf Sholc, është Ministri aktual i Financave dhe zëvendës/kancelar, dhe si i tillë, ai është shumë i njohur për zytarët e lartë të BE-së apo udhëheqësit e tjerë në Evropë. Makron e mirëpriti në takime të veçanta në fillim të këtij muaji në Elize, si Sholc ashtu edhe rivalin e tij kristiandemokrat Armin Lashet.

Në këtë rast ra në sy mungesa e një ftese për kandidaten e Partisë së Gjelbër, Analena Baerbok. Analistët thonë se Makron ka të ngjarë të preferojë më shumë bashkëpunimin me Sholc sesa me Lashet, që është kandidati i bllokut konservator CDU-CSU në pushtet si pasardhës i Merkelit.

“Nga dy kandidatët kryesorë për kancelarë, burimet në Elize sugjerojnë se Makron do të ishte i qetë me secilin prej tyre. Por presidenti francez ka një preferencë pak të madhe për Sholc, i cili si Ministër federal i Financave, ka punuar ngushtë me Parisin në institucionin novator të BE-së -Fondin për Rimëkëmbjen nga Koronavirusi.



Ndërsa Makron mund të zbulojë se ndan ide të njëjta me kancelarin e ardhshëm gjerman, kur bëhet fjalë për një qasje të përbashkët ndaj politikës së BE-së, një fushë ku Franca do ta ketë të vështirë ta rivalizojë Gjermaninë, është ajo në lidhje me peshën ekonomike në union.

Sipas Eurostat, në vitin 2019, pak para se të shfaqej pandemia Covid-19, gati¼ e Prodhimit të Brendshëm Bruto të BE-së (24.7 për qind) u krijua nga Gjermania, e ndjekur nga Franca (17.4 për qind) dhe Italia (12.8 për qind), përpara Spanjës (8.9 për qind) dhe Holanda (5.8 për qind).

Gjermania është Gjermani”-thotë Naz Masraf, drejtor i Evropës në “Eurasia Group”. “Edhe pse Franca e sheh këtë si një mundësi, unë nuk mendoj se do të kemi një zbehje të rolit të Gjermanisë. Ai mund të jetë më pak efektiv, por unë nuk mendoj se do të pakësohet.

Në mënyrë të pashmangshme, pas 16 vjetësh Merkel do të lërë pas një boshllëk shumë të madh për t’u mbushur. Por në fund të ditës, Gjermania është vendi kyç i Evropës, dhe kushdo që është Ministri gjerman i Financave, cilido që është kancelar gjerman, do të jetë edhe udhëheqës i Evropës“- thotë ajo.

Ekonomistët thonë se pavarësisht se kush do ta drejtojë qeverinë, ekonomia gjermane ka të ngjarë të mbetet konkurruese edhe në të ardhmen.“Fuqia dhe ndikimi i Gjermanisë, reflekton fuqinë e ekonomisë, gjendjen solide të financave të saj publike, dhe rolin e saj të padiskutueshëm si një ‘spirancë financiare’ e zonës së euros.

Fytyrat ndryshojnë, por situata do të mbetet e njëjtë si me Lashet apo Sholc. Nën drejtimin e Makron, Franca po bën shumë mirë. Por ajo është shumë larg arritjes së fuqisë ekonomike dhe financiare që ka sot Gjermania“- thotë Holger Shmiding, krye-ekonomist në Bankën Berenberg.

Për më tepër, nuk ka gjasa që Makron të gëzojë popullaritetin që ka pasur deri më sot Merkel, një udhëheqëse e cila po largohet nga detyra me dëshirën e saj pas 16 vjetësh. Merkel është parë si lidere që garantonte stabilitet dhe qëndrueshmëri në peizazhin politik në Gjermani dhe Evropë, pavarësisht krizave të ndryshme gjatë dekadave të fundit, nga ajo financiare tek kriza e emigranteve.

Sipas një sondazhi të kryer kohëve të fundit në 12 vende të BE nga Këshilli Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë (ECFR), shumica e evropianëve të anketuar ishin skeptikë në lidhje e aftësinë e Makron për të pasur aftësitë ngjashme drejtuese me Merkelin.

Kur ECFR pyeti të anketuarit se për kë do të votonin në një garë hipotetike midis Merkel dhe Makron për kreun e BE-së, shumica e evropianëve (41 për qind), thanë se do të votonin për Merkelin, dhe vetëm 14 për qind për Makron./ CNA.al

LEXO TE PLOTE