LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

1 Shtatori duhet të jetë Ditë e Shënuar Shtetërore

1 Shtator 2021, 06:32, Opinione CNA
1 Shtatori duhet të jetë Ditë e Shënuar Shtetërore

Nga Ekrem Spahiu

Si sot 93 vjet më parë, më 1 Shtator 1928, në mëngjes, ora 9.12, ?Asambleja Konstituente shpalli Shqipëninë – Mbretni demokratike, parlamentare dhe të trashigueme?.

Mbretëria nuk është thjesht një regjim politik, por një etapë që homogjenizon shoqërinë, një mburojë e përbashkët kombëtare, të cilën e kanë kaluar pothuajse të gjitha shtetet moderne. Rreth dy dhjetëvjeçarë pas themelimit të shtetit shqiptar, Shqipëria ishte i vetmi vend i Ballkanit dhe shqiptarët ishin i vetmi komb që nuk e kishin këtë mburojë, ndërkohë që të gjitha shtetet dhe kombet e tjerë në këtë rajon, e kishin formësuar njësinë politike përkatëse pikërisht nga mbretëritë e tyre.

Për herë të parë në historinë shtetndërtuese të saj, me Mbretërinë Shqipëria u konsolidua si shtet i qëndrueshëm dhe funksionoi si i tillë për 11 vjet, në dallim nga 16 vjetët e mëparshëm gjatë të cilave ajo ose përjetoi vakum pushteti, ose qeveri të dobëta, të cilat nuk mbushnin as motin.

Institucioni i Monarkisë Shqiptare, sanksionoi me ligj plotshmërinë dhe përkatësinë e përbashkët të kombit shqiptar. Monarkia Shqiptare e qeverisi vendin përmes një parlamenti të zgjedhur në mënyrë demokratike, duke iu dhënë fund politikave fragmentariste nga të cilat ishte kërcënuar jo pak përgjatë kohës pas themelimit të shtetit shqiptar.

Për herë të parë nën Monarkinë, shteti shqiptar u njoh nga të gjitha shtetet perëndimore, më së pari nga SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar. Qeveritë e mëparshme, përgjithësisht nuk ishin njohur, sepse as nuk arrinin të institucionalizoheshin në nivel të mjaftueshëm për ta përfituar njohjen ndërkombëtare. Një vend që nuk i njihet ndërkombëtarisht qeverisja për 16 vjet, është absolutisht vend i rrezikuar. Nëse Shqipëria do të kishte vazhduar të mbetej në këtë gjëndje, pothuajse vakumi institucional, do kishte tërhequr mbi vete jo vetëm lakmitë e mbretërive përreth, por edhe indiferentizmin, shpërfilljen dhe deri edhe pikëpyetësimin nga fuqitë e mëdha. Nuk mund të mos vihet në dukje se, në jo pak raste të mëparshme, ishte rrezikuar edhe vetë Shqipëria shtetërore të diskutohej si entitet shtetëror.

Me shpalljen e Mbretërisë, Mbreti Zog e orientoi të gjithë strukturën dhe institucionet e qeverisjes për nga modelet më të mira perëndimore. Si rrallë herë në historinë e Shqipërisë, u thirr ekspertiza më e mirë juridike, ekonomike, ushtarake dhe diplomatike e shteteve perëndimore.

Statuti Themeltar, kodi civil, kodi tregtar, kodi penal, kodi i procedurës civile, etj, të hartuara nën këtë ekspertizë, shënuan shkëputjen e plotë nga legjislacioni i periudhës osmane dhe e orientuan Shqipërinë drejt ndërtimit dhe funksionimit të një shteti modern, me orientim të qartë perëndimor europian.

Ai shtet zgjati vetëm 11 vjet, por i la Shqipërisë një pasuri konceptesh, praktikash dhe institucionesh, standardi i të cilave, në shumë plane, zor se është arritur nga qeverisjet e mëpasme.

Prandaj shteti shqiptar, në kuadrin e rishikimit të historisë, duhet ta shpallë dhe ta kremtojë 1 Shtatorin si një nga ditët e shënuara shtetërore. Një Shtatori nuk është dita e një individi, familje apo një grupimi të caktuar, por një nga ditët e pakta jashtëzakonisht domethënëse për shtetin shqiptar, që nga themelimi i tij./CNA.al  

 

Lajmet e fundit nga