Connect with Us

REPORTAZH/ Shkodra Jazz Festival “Andrra Vazhdon”!

Në QYTETIN tim

REPORTAZH/ Shkodra Jazz Festival “Andrra Vazhdon”!

Publikuar

-

Shkodra Jazz Festival përmbylli edicionin e 12-të me koncerte dhe aktivitete të tjera të zhvilluara. Po ashtu ky ishte viti i 5-të i Rrok Academy që është pjesë e Shkodra Jazz.

Rrok Academy funksionon si një klasë muzikore ku studentë nga shtete të ndryshme të Ballkanit dhe Europës marrin leksione nga maestro të muzikës shqiptare por edhe artistë ndërkombëtarë që vijnë si të ftuar edhe në Shkodra Jazz Festival. Edhe në vitin e 12-të të këtij aktiviteti ishin të ftuar artistë dhe grupe muzikore të ndryshme të njohura në Europë. Edhe këtë vit u zhvillua Shkodra Jazz On Tour duke shëtitur me koncerte në qytete të ndryshme. Ndalesa e parë ishte në Prishtinë në 15 gusht, për të vijuar në Fishtë të Lezhës tek “Mrizi i Zanave” në 16 gusht dhe e fundit tek “Kultura” në Shkodër në 17 gusht.

Florian Jakaj i cili drejton shoqatën “Rrok Jakaj” që mban emrin e vëllait të tij është organizatori dhe drejtori artistik për 12-të vite me radhë i Shkodra Jazz Festival, aktivitet i cili moto të tij ka “Andrra Vazhdon” duke nënkuptuar dëshirën e të ndjerit Rrok Jakaj, vëllai i Florianit, i cili kur ishte ende gjallë kërkonte një koncert të muzikës Jazz që të zhvillohej në qytetin e Shkodrës.

Familja Jakaj janë në Itali prej vitesh, por 12 vite më parë djali i Rrokut, Floriani u rikthye në Shkodër dhe nisi që të plotësojë ëndrrën e babait të tij duke krijuar kështu “Shkodra Jazz Festival”, i cili vijon për 12-të vite me radhë.

Ky është viti i 12-të i Shkodra Jazz festival por kemi diçka edhe më të rëndësishme që është Rrok Academy që bëhet për të 5-in vit me radhë. E veçanta është edhe Shkodra Jazz On Tour që për herë të parë këtë vit ishim edhe në Prishtinë dhe çdo vit shkojmë në vende të ndryshme“.-tha Florian Jakaj.

Pesë vite më parë lindi idea për të bërë edhe Rrok Academy duke ftuar studentë të muzikës nga vende të ndryshme të Ballkanit që t’i bashkohen këtij projekti për të marrë mësime nga maestro si Markelian Kapidani, Paçalin Pavaci, Bardh Jakova apo edhe nga të gjithë artistët e huaj të njohur që ishin pjesë e koncerteve.

Ajo që na e bën qejfin është se shumica e këtyre studentëve janë regjistruar vetë çka do të thotë se nxënësit e viteve të kaluara kanë folur mbi atë që kanë bërë në Shkodër dhe fati jonë i mirë që i kemi dhënë diçka përtej muzikës për t’u rikthyer dhe për të sjellë miqtë e tyre“.

Të rinjtë e Rrok Academy koncertin e parë e zhvilluan mbrëmjen e 18 gushtit në Shirokë, buzë freskisë së liqenit të Shkodrës.

Ky koncert u zhvillua nën drejtimin e maestro Bardh Jakova, mjeshtri i firzamonikës i cili ka bërë një karrierë të suksesshme në Itali por edhe disa shtete të tjera. Ai thotë se pasaporta e vetme që kanë studentët nga i gjithë Ballkani është muzika.

Mbrëmje e bukur në Shirokën e Shkodrës, liqenin e Shkodrës. Rrok Academy është një projekt që në thelb ka që të lidh studentët me muzikën pa asnjë lloj pasaporte se nga janë por vetëm me një emër e mbiemër dhe vetëm një firzamonikë. Kishim 11 firzamoniçistë që vijnë nga Italia, Mali i Zi, Serbia, Rumania, Bullgaria apo edhe Kosova e Shqipëria. Ishim gjithë bashkë për ta ndarë muzikën pa asnjë lloj paragjykimi. Nuk ka rëndësi nga jemi më tha një student por e rëndësishme është që të bëjmë muzikë bashkë. Muzika bashkon dhe për në nuk ekzistojnë pasaportat“.-shprehet Bardh Jakova.

Nga Shiroka e bukur, Rrok Academy u ngjit në luginën e Vermoshit, vendin e legjendave të zanave si dhe një natyre të mrekullueshme në mes të alpeve shqiptare. Kësaj here ishte radha e klasës Jazz dhe Classic të drejtuar nga maestrot Markelian Kapidani dhe Paçalin Pavaci.

Drejtuesi i klasës Jazz të Rrok Academy Markelian Kapidani thotë se idea për të zhvilluar dy koncerte në Vermosh lindi në mënyrë spontane.

Ishte thjeshtë një sinergji që ndodhi duke bërë thjeshtë diskutime mes nesh dhe kjo qe edhe shtytja që na dha forcën për të ardhur këtu në maje të Shqipërisë dhe për të bërë një koncert simpatik në kushte jo të zakonta. Padyshim që në këto zona turistike të bukura duhet që të ketë më shumë koncerte dhe aktivitete. Kjo ka të bëjë edhe me entin turistik normalisht i cili duhet që të promovojë bukuritë natyrore që ne kemi dhe të ketë më shumë bashkëpunim mes këtyre institucioneve dhe ne që merremi me jetën artistike“.

Paçalin Pavaci i cili është violinë e parë në teatrin Real në Madrid dhe teatrin e Seviljas në Spanjë shprehet se është kënaqësi që koncertet e Rrok Academy u zhvilluan në luginën e Vermoshit.

Për mua është kënaqësi e madhe kemi mundur ta bëjmë në Vermosh një aktivitet të tillë. Ta sjellim muzikën në Vermosh nuk është e lehtë dhe shpresoj që ky bashkëpunim të vazhdojë. Është gjithmonë kënaqësi gjithashtu të punojmë me të rinjtë sepse ata na japin energjinë dhe ne mundohemi t’i japim eksperiencën tonë“.-thote ai.

LEXO EDHE:  REPORTAZH-Grupi muzikor “N’Gen”/ Sjell muzikën shkodrane përmes stilit modern

Gjatë koncerteve të Rrok Academy në Vermosh i ftuar ishte studiuesi i njohur Ardian Ndreca i cili mbajti dy tema; e para “Nga Eposi te Erosi. Si të afirmohemi si shoqëri” dhe e dyta “Hapësira Urbane: jemi ajo çka kemi ndërtue ne vetë”. Ndreca thotë se organizatorët e kanë parë të arsyeshme një diskutim filozofik në koncertet e muzikës klasike apo asaj më moderne jazz.

Organizatorët kanë ndjerë nevojën edhe të një diskursi filozofik në këtë kontekst muzikor të vetë vlerave muzikore si atyre klasike si atyre që i përkasin modernitetit më të vonë. Unë kisha si temë erosin dhe mninë dhe eposin. Nuk mungojnë në vetvete si cilësi, si shtysa por mungon një ekuilibër i tyre i cili pjesërisht është racional, pjesërisht i përket qënies tonë, strukturës tonë antropologjike. Ajo që mungon në shoqërinë tonë është koordinimi i këtyre dy shtysave. Nganjëherë aty ku duhet të reagojmë ndaj padrejtësive flejmë gjumë dhe herë të tjera kur duhet të realizojmë diçka që na përkryen jemi të mefshtë të dhe topitur. Ne na intereson në mënyrë të veçantë për të mbërritur që të gjejmë disa koordinata të tjera si individ dhe si shoqëri që të jemi më sensibël ndaj padrejtësive dhe të jemi më të gjallë në drejtim të asaj që na jep jetë, dritë dhe na ngjall dëshirat për diçka më të mirë, për një të ardhme më pozitive“.

Më 26 gusht rinisën koncertet e Shkodra Jazz Festival teksa në hollin e teatrit “Migjeni” ishte e ftuar artistja italiane Laura Ghirardi Trio.

Mbrëmjen e 27 gushtit, gjatë ditës u mësua lajmi për humbjen nga jeta të muzikantit të njohur Kujtim Alija i cili u nda nga jeta në moshën 60 vjeçare pas një sëmundje të rëndë. Ishte një vendimarrje e vështirë për ta ndërprerë apo jo koncertin e darkës të Shkodra Jazz Festival për organizatorët vendosën që ta zhvillojnë me mesazhin se i ndjeri Kujtim Alija i cili ishte një muzikant nuk do donte kurrë që muzika të ndërpritej.

Ndërsa të ftuar ishin artistja Dagmar Segbers Organ Trio, në skenë u ngjit organizatori i Shkodra Jazz Festival Florian Jakaj duke vlerësuar figurën e të ndjerit Kujtim Alija.

Sonte është një natë e veçantë sepse familja humbi njeriun e përkushtuar, miqtë humbën mikun e mirë dhe kolegët humbën kolegun e përkryer. Qyteti humbi shpirtin krijues ndërsa Shqipëria humbi një përfaqësues të denjë edhe përtej kufinjve. Kur u krijua Rrok Academy në në 2017-ën Kujtim Alija na hapi dyert dhe na mikëpriti dhe me dëshirën e tij dhe me entuziazmin e tij të madh tha vazhdoni se kjo është rruga. Ëndrra jonë vazhdon dhe sonte si asnjëherë më parë i bashkohet edhe energjia e tij e pafund që i dha këtij qyteti, i dha të rinjve me dashurinë më të madhe. Bota që ai u mundua të krijojë dhe i dha formë ishte një botë e përkryer dhe mënyra më e mirë nga ajo që zgjodhi për ta nderuar dhe përkujtuar sonte është kënga What a Wonderful World që do këndohet në nder të tij“.

Mbrëmja e fundit që përmbylli koncertet dhe aktivitet e Shkodra Jazz Festival natyrshëm ishte më e ngarkuar emocionalisht pas përcjelljes për në banesën e fundit të artistit Kujtim Alija. Markelian Kapidani në emër të artistëve si dhe në bashkëpunim me drejtoren e teatrit “Migjeni” Rita Gjeka dhe universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” propozuan që Qendra Kulturore e Fëmijëve të marrë emrin e artistit të ndjerë Kujtim Alija që e drejtoi për 20 vite duke prodhuar breza të tërë këngëtarësh e muzikantësh ndër më të njohurit në ditët e sotme. Ky propozim solli edhe emocione tek familjarët e të ndjerit, bashkëshortja dhe vajzat e tij që ishin të pranishme në atë moment të rëndësishëm për por edhe për artin e kulturën në Shkodër.

Këtë natë e hapim në mënyrë të pazakontë sepse kemi përcjellë për në banesën e fundit, mikun, kolegun dhe dirigjentin Kujtim Alija. për Shkodrën është një humbje e madhe sepse Kujtimi ishte në zemrën e artit dhe kulturës të Shkodrës. Jemi jashtëzakonisht të tronditur nga kjo humbje sepse kemi patur shumë projekte të reja për të realizuar të cilat tashmë ngelen një detyrë e fortë për ne dhe si një dëshirë që Kujtimi na ka lënë të gjithëve ne. Unë propozoj bashkë me teatrin ‘Migjeni’, drejtoren Rita Gjeka dhe Roland Gulin si përfaqësues i universitetit të Shkodrës që qendra kulturore e fëmijëve në Shkodër të marrë emrin Kujtim Alija. Shpresoj që ky propozim të gjejë një mbështetje dhe jam i bindur që do ketë mbështetje“.

Në mbrëmjen përmbyllëse të Shkodra Jazz Festival të ftuar ishin Kejdi Barbullushi Kuartet, Alberto Marsico bashkë me Organ Logistics si dhe Daniele Coroisco të cilët sollën pjesë të njohura muzikore të muzikës Jazz për publikun e pranishëm./CNA.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Në QYTETIN tim

REPORTAZH-“Benvenuti in Calabria”/ Erion Lame sjell shijen e kuzhinës italiane në Korçë

Publikuar

-

Nga

Kulinaria korçare prej vitesh ka tërhequr vëmendjen e turistëve vendas e të huaj. Ky qytet i kulturës, traditës dhe mikpritjes, ka në tërësi një numër të madh baresh dhe restorantesh por javën e fundit, qytetit i është shtuar një tjetër restorant tepër i veçantë dhe që përcjell një risi për të gjithë qytetarët korçarë dhe vizitorët.

“Benvenuti in Calabria” është restoranti më i ri në qytet, të cilit sapo i dëgjojmë emrin menjëherë mendojmë për Italinë. E ju do të pyesnit çfarë lidhje ka Italia me Korçën? Pikërisht, gatimin! Atë gatim të shumëllojshëm, me receta krejtësisht italiane, e me produkte italiane. Me pak fjalë, në këtë restorant do të gjeni shijen italiane që mungon në qytetin e Korçës.

Restoranti është tepër i lehtë për t’u gjetur, mjafton të kërkojmë në maps emrin e tij dhe menjëherë del vendndodhja e saktë. Mikpritësit tanë ishin çifti i bashkëshortëve, Edvina dhe Erion Lame, të cilët janë pronarët e restorantit.

Gjatë bisedës me ta, mësuam risitë e të veçantat e këtij vendi, që do të donim ti ndanim me lexuesit e CNA.al.  Ndryshe nga restorantet e tjera, “Benvenuti in Calabria” në mënyrën e arredimit, ka ndërthurrje të tradicionales me modernen, me ngjyrat e ngrohta që të bëjnë të ndihesh i qetësuar, një projekt ky i cili u realizua nga një arkitekt grek.

“Vendosëm që për projektin të merrej një arkitekt grek i cili jeton në Korçë, dhe padyshim që ambjenti ka dalë shumë i bukur dhe i ngrohtë. Jo vetëm për mënyrën e arredimit por edhe me ngjyrat e lehta që nuk të “lodhin” syrin. Në restorant janë gjithsej 12 tavolina, dhe kapaciteti i klientëve shkon deri në 70 persona. Të gjitha tavolinat janë të bëra vetë, me dru arre dhe karriget që kemi zgjedhur janë mjaft të rehatshme për klientin. Gjithashtu, ajo çka bie në sy në ambjentin e restorantit është druri i bamboo-së që kemi vendosur ta bëjmë pjesë të arredimit.” – shprehet Erioni.

LEXO EDHE:  REPORTAZH-Grupi muzikor “N’Gen”/ Sjell muzikën shkodrane përmes stilit modern

LEXO EDHE:  REPORTAZH- Arti i gurgdhëndjes, pasqyrë e traditës korçare/ Dolor Bakalli, mjeshtri që bën mrekulli



Edvina, bashkëshortja e tij është pjesë mjaft e rëndësishme e kuzhinës së restorantit, për vetë faktin se ajo përgatit pizzat për klientët.

“Kuzhina është pasioni im, prej vitesh jam munduar që të mësoj receta të ndryshme, por si specialitet i imi mbeten picat. Në menunë tonë kemi 16 lloje picash, të gjitha napolitane, dhe jemi restoranti i vetëm me këto lloje. Ajo çka e bën të veçantë picën, është përgatitja me dorë, pra në mënyrë artizanale, me salca të ndryshme nga të cilat janë emëruar edhe picat. Ne përdorim vetëm mozzarella, jo djathin guda që përdoret zakonisht në pica, po ashtu salcat i përgatisim vetë, ndërsa proshutat janë të gjitha italiane. Disa nga picat më të veçanta janë Sos Pesta, Sos Pikante, Burata, Sos Crema Rosa etj. Krahas picave, primare mbetet edhe përgatitja e pastave në mënyrë artizanale, po ashtu edhe gatimet e kafshëve të egra dhe peshkut.” – tregon Edvina.

Inagurimi i restorantit u bë pak ditë më parë në qytetin e Korçës, ku të ftuar në fundjavë ishin këngëtarët e mirënjohur korçarë Endri dhe Stefi Prifti, të cilët krijuan një atmosferë tepër festive. Klientët kanë ngelur tepër të kënaqur nga mbrëmja fantastike, pjesë e tyre kanë qenë edhe turistë nga Tirana e Shkodra,  dhe më kryesorja është se organizimet do të vazhdojnë edhe gjatë fundjavave pasardhëse. Çdo fundjave në këtë restorant do të ketë organizim të muzikës live me këngëtarë të ndryshëm, dhe me dhjetra lloje verërash italiane që do t’iu shoqërojnë gjatë mbrëmjeve. Ndër të tjera, ky restorant do të ofrojë edhe shërbim delivery për të gjithë banorët e Korçës.

Adresa : Lagjia 7, Rr. “Don Gjon Buzuku” (pallati I Xhengove)

Nr tel 082211070 / 0695515020.

LEXO TE PLOTE

Në QYTETIN tim

REPORTAZH-Ekspozitë me punime artizanale/ Korça, qyteti ku arti i punimit me dorë ruhet brez pas brezi

Publikuar

-

Nga

cna reportazh

Një ekspozitë mjaft e veçantë me punime artizanale është çelur në Bibliotekën “Thimi Mitko” në qytetin e Korçës.

Ndërthurja e të kaluarës me të tashmen vjen me shumëllojshmëri punimesh dore ku zonjat  korçare vijojnë të ruajnë traditën dhe kulturën shekullore.

Natasha Çapa ka shpalosur ekspozitën e saj, punimet e së cilës i janë dashur 5 vite për ta realizuar.

Artin e realizimit të punimeve me dorë si qëndisma, punime me grep, punime me shtiza apo thurrje të ndryshme, Çapa shprehet se e ka trashëguar nga nëna e saj dhe e ruan me fanatizëm.

Me siguri do të pyesni për se e kam quajtur ekspozitën “Edhe unë punoj”? Sepse jo të gjitha mund të reklamohen në internet. Nga dëshira e mirë për të punuar, unë kam 5 vjet që e kam filluar, dhe për të transmetuar mirësinë time në këto qëndisje.

E kam të trashëguar nga nëna ime e cila punonte dhe qëndiste shumë. Tematikat janë të ndryshme pasi unë I kam përshtatur sipas stinëve, dhe festave të ndryshme si Halloëeen, Pashkën, Krishtlindjen etj. Për vendosjen e punimeve më ka ndihmuar mbesa ime Natalia, e cila ka shumë dëshirë të mësojë këtë lloj profesioni,” – shprehet Çapa.



Ndër të tjera, ajo tregon vështirësitë për gjatë gjithë jetës së saj, e deri më sot që mundësitë për të punuar në këtë profesion janë të mëdha.

Të gjitha punimet janë funksionale, për shembull kemi pikturat, të stamposura dhe të qëndisura, që shërbejnë për arredimin e shtëpisë. Nuk kam vendosur që këto punime ti tregtoj, sepse mbeten si kujtim për t’ua lënë fëmijëve të mi dhe mbesës time.

Mendoj se është shumë e rëndësishme të rruhet kjo lloj tradite e punimeve me dorë, sepse e shoh që po humbet dita ditës. Jeta për ne nuk ka qenë kaq e lehtë, e kemi filluar nga hiçi, nuk kemi patur asnjë gjë në atë kohë dhe ka qenë mjaft e vështirë”, tregon Natasha.

LEXO EDHE:  REPORTAZH-Grupi muzikor “N’Gen”/ Sjell muzikën shkodrane përmes stilit modern

LEXO EDHE:  REPORTAZH- Pylli i Fazanëve, mundësia më e mirë e fundjavës/ Vizito Maliqin

Jorida Tollkuçi , drejtoresha e Bibliotekës “Thimi Mitko”,  thekson se kjo ekspozitë vjen në kuadër të muajit të trashëgimisë kulturore dhe synon promovimin e mëtejshëm të artizanatit.

Zona e Korçës njihet për një traditë të pasur të punimeve me dorë, me vlera historike të trashëguara nga gratë korçare brez pas brezi. Edhe në ditët e sotme, pasioni I disa grave janë punimet me dorë. Ekspozita organizohet në kuadër të muajit të trashëgimisë kulturore dhe po ashtu për të promovuar vlerat kulturore korçare.

Një tjetër synim është pikërisht për të theksuar rëndësinë e rolit të gruas në rruajtjen e traditave. Ekspozita ka ardhur si një ndërrthurrje e së shkuarës me të tashmen”, shprehet Jorida.

Korça mbetet një prej zonave ku artizanati ruhet brez pas brezi dhe ku zonjat korçare po përpiqen ta promovojnë çdo ditë e më tepër .

Ekspozita do të vazhdojë të jetë e hapur për të gjithë të apasionuarit e punimeve artizanale, dhe në të do të mund të gjejnë punë të ndryshme dore duke filluar nga qëndismat, jastëkët e thurrur, veshje çanta të ndryshme si edhe qilima. /CNA.al

LEXO TE PLOTE

Në QYTETIN tim

REPORTAZH-Kampionati i 30-të ballkanik i atletëve master, në Korçë/ Mbi 700 atletë veteranë pjesëmarrës

Publikuar

-

Nga

cna lajme sporti

Sporti nuk njeh moshë ndaj mbi 700 atletë të grupmoshave të ndryshme nga Ballkani dhe Europa u bënë bashke tek Zona Sportive e Korçës për të garuar.

Korça në ambientin e saj sportiv ka mirëpritur kampionatin e 30-të Ballkanik të Atletëve Master, i cili u zhvillua për herë të parë në Shqipëri.

Nga më të rinjtë deri tek 80 vjeçarët nisën garat e këtij eventi që erdhi për herë të parë në Korçë. E  veçanta e këtij kampionati ishin atletët veteranë të cilët ishin po aq në formë, energjikë, ku dëshira dhe pasioni për sportin nuk kushtëzohen kurrësesi nga mosha. Sporti u fal adrenalinë dhe kënaqësi.

Ivanov Mihail është 68 vjeç, dhe prej një jete të tërë, i është përkushtuar sportit të hedhjes së çekiçit, më konkretisht që prej vitit 1966.

Po marr pjesë me kënaqësi të vecantë ketu. Ka 3 vite që behem pjese e këtij aktiviteti dhe më pelqen shume duke marre ne konsiderate edhe moshen time dhe gjendjen time është vertet dicka e bukur.

Përfaqësoj Bullgarinë dhe do të marr pjesë në hedhje çekiçi. Jam stervitur thuajse gjithe jeten time qe nga viti 1966 dhe vazhdoj ende të stërvitem mjaftueshëm e bëj për të qenë i shëndetshëm. Këtu ka atletë më të vjetër se unë në moshë por edhe më të rinj, është bukur të jesh mes tyre.” – shprehet Ivanov.

Agron Mucaku vjen nga Kosova dhe i është bashkuar këtij kampionati me garën 400 metra me pengesë. Rekordmeni i 110 metrave dhe i 400 metrave në pengesë , titull i marrë para 35 vitesh , vijon të jetë i tillë pasi askush në këto vite nuk nuk ka mundur të arrijë kohën dhe tia rrëmbejë tiltullin.

LEXO EDHE:  REPORTAZH-Në shtëpinë ku qëndroi Nënë Tereza/ Monumenti i Kulturës i lënë në harresë

LEXO EDHE:  Reportazh/ Të jesh grua në Dibër

Ndjehem shumë mirë, vij nga Kosova dhe do të marr pjesë në një vrapim 400 metra me pengesa për grupmoshën 55 deri 59 vjeç. Ky është një shans që nuk e kam patur rastin të marr pjesë në gara ballkanike, dhe vendosa që në këtë moshë ta provoj dhe ja ku jam sot.



Është një kënaqësi e paparë, me njerëz shumë të mirë që marrin pjesë. Jam kampion i Kosovës, ku para 35 vitesh kam shënuar rekordin prej 15 sekondash në 110 metra dhe 58 sekonda në 400 metra me pengesa. Këto aktivitete duhet të përsëriten sa më shpesh”, tregon Mucaku.

Organizatori Rudi Bektashi tregohet entuziast që një kampionat i tillë zhvillohet për herë të parë në Shqipëri.

Pavarësisht situatës pandemike mbi 600 atletë të huaj janë pjesëmarrës dhe 100 atletë shqiptarë të ardhur nga të gjitha qytetet e vendit.

“Kampionati i 30-të Ballkanik i Atletikëve Veteranë që u bë për herë të parë në Shqipëri dhe në Korçë, ka një pjesëmarrje shumë të madhe, megjithëse është kohë pandemie.

Saktësisht janë 718 atletë të rregjistruar dhe që do të marrin pjesë në këtë kampionat. Mbi 600 prej tyre janë të huaj, por ka edhe atletë shqiptarë që kanë përfaqësuar të gjitha bashkitë e Shqipërisë. Ambjenti është shumë festiv, çdo gjë po shkon për së mbari e me një rritëm shumë të mirë”,  shprehet Bektashi.

Ballkanik i Atletëve Master ka sjellë një atmosferë ndryshe për qytetarët korçarë dhe për vetë qytetin e Korçës. Të interesuar për të parë garat, kanë qenë edhe banorët sportdashës të cilët kanë shijuar kampionatin e atletëve veteran, e arsyeja kryesore mbetet mosha e tyre./CNA.al

LEXO TE PLOTE