Connect with Us

REPORTAZH- Edison Ypi në kërkim të “Pekmezit”/ Udhëtim në të gjithë Korçën

Në QYTETIN tim

REPORTAZH- Edison Ypi në kërkim të “Pekmezit”/ Udhëtim në të gjithë Korçën

Publikuar

-

cna news, cna lajme, lajme cna, lajme flash cna, cna.al, cna lajme politike, cna kronike, cna lajme bote, cna show

Nga Edison Ypi

Kam dy shishe me pekmez. Njërën e mora në Bishnicë. tjetrën në Krrabë. E para e ka pekmezin të hidhur. E dyta, të ëmbël. Kur i provoi një amvisë, tha: Nuk janë pekmez. Të kanë gënjyer. Flaki.

Ku të gjej Pekmez të mirë ?

Pse jo në Dardhë e tatëpjetë, Sinicë e përposhtë, nëpër një rrugë ku s’kam qënë kurrë. Me këtë rast, gjej pekmez, kullos dhe sytë.

Ja Dardha; E zhytur e tëra brenda një pishnaje të dendur. Hotele, bujtina, vila.

Traketruke mbi kalldrëm të ndonjë xitele për t’i dhënë fund të sforcuar beqarisë së zgjatur, a për të kombinuar ndonjë interes.

Ca burokratë të moçëm të vrenjtur të kohës shkuar, spiunë të regjur që po çlodhen nga zanati i vjetër, tradhëtohen nga vrragat e pashlyeshme të spiunllëkut mbetur mbi surrat. Ta kall datën ndonjë prej tyre kinse i qeshur. Spiun i qeshur. Kohë e vdekur.

Dardha ka Museum me foto. Ballo, Taksi, Teatër, qysh herët. Në Dardhë është lojtur “King Lear” që më 1912. S’ja kam ngenë Ballove dhe Shekspirit në Dardhë këtë herë. Jam nisur për Pekmez.

Ku gatuhen lakrorë të mrekullueshëm dhe raki me ta lujt çaçkën e kokës, s’ka pekmez.

Pse Dardha është lakuar aq shpesh për arratisje në Greqi ?

Përgjigja rrënqethëse vjen e mbytur nga copëza muhabetesh: Sepse, duke qënë larg dhe e panjohur, Sigurimi hapte fjalë se arratisja nga Dardha është e kollajtë. Garancitë dredharake që dilnin nga bodrumet e Sigurimit ishin si thërrimet e djathit të çarkut që i ha miu. Kandidatët për arratisje dhe burg, niseshin drejt Dardhës. Dardharët i spiunonin pa mbërritur.

Të rrish e të dëgjosh dënglat e dardharëve për Dardhën, bindesh se ajo që i ra Neëtonit mbi kokë, s’ka qënë mollë, ka qënë dardhë.

Lë pas Dardhën me pisha, kalldrëme, vipa, vila ndërtuar bythë më bythë për tu lumturuar me aromën e pordhëve të njëritjetrit.

Rrugë rurale me taban të fortë. Dikur ka qënë e shtruar me kalldrëm. Mbeturinat e kalldrëmit në dy a tre kilometrat e para e vështirësojnë kalimin. Por jo sa e bënë sedentarët skeptikë të udhëtimeve me gjithato këshilla, udhëzime, kërcënime. Patjetër fuoristradë e lartë, patjetër katër herë katër, kishin qënë teprime.

Sapo zbret nga Dardha, drejt lindjes, s’ka më pisha. Ka pyje me dushqe dhe përrua. Sinica ka dy mëhalla, përroi në mes. Dy mëhallat lidhen me ura. Makina, motorra, ruspa, betoniera, gjithandej. Sinicarët po ndreqin me shpejtësi shtëpitë e vjetra. Po i bëjnë të reja.

Gurë e gëlqere, llaç e tulla, Sinica është e tëra në ndërtim e sipër, apo “under construction”, si i thonë kurbetlinjtë sinicarë që Anglishten e kanë mësuar hezber.

Dikush ka ardhur nga Athina ku ka 29 vjet. Tjetri nga Peloponezi. Tjetri nga Italia.

Të gjithë punojnë me ngut. Pllakë përkumtimore pranë një ure:

“Ura e Sherifit, kontriboi Eshtrefi”. Si s’pashë një urë që edhe pronari edhe kontributori të jetë i njëjti, ose Sherifi, ose Eshtrefi.

Shumë mirë bëjnë që i ngrenë shtëpitë e reja. Por nuk kuptohet gjithë ky ngut, dhe pse të gjithë njëherësh ?

Duro o i duruar. Përgjigja vjen pak më tutje. Ku rruga zgjerohet befas.Po ndërtohet rrugë e re. Rruga Miras-Arrzë, e gjërë dhe moderne, është pjesë e projektit “100 fshatra turistikë”.

Rruga e re shkon drejt e në Arrzë.Dardha, Sinica dhe të tjerë fshatra do lidhen me degëzime.

Ja pra pse nguten sinicarët llërëpërveshur punëmëdhenj të ngrenë shtëpitë e reja. Që kur të mbarojë rruga, shtëpitë e tyre të jenë pjesë e infrastrukturës turistike që do sjelli dollaro nga vendi dhe bota.

Qytezë, Çetë, dhe të tjerë fshatra këtej e përtej përroit, nuk mund të shihen në një ditë. Të kesh qënë një herë në këtë mrekulli, e pamundur rë mos vish përsëri t’i hedhësh një sy copëzës së shpirtit që aty të mbeti.

Shqiptarët ruralë s’para kanë qef t’i fotografosh apo filmosh. Ndonjëherë kërkojnë dhe pare. Devollinjtë nuk bëjnë naze. Janë të gjithë si lisa.

Në dallim nga vende të tjera ku nuk i kanë problem rrobat e varura, të çrregullta, kopsa e zinxhirë zbërthyer, këta kujdesen. Vishen thjesht dhe ngjeshur. Jo pak prej tyre përdorin triko leshi në mish pa mëngë edhe në gusht.

Nuk mbajnë qeleshe dhe qylafa.Katundet janë plot me data të shënuara historike me shkolla, kuvende të rëndësishme.Kanë vetëdijë qytetare të ngulitur thellë qysh herët.

Banorit të këtushëm, në lule të ballit t’ja mbash, nuk beson se mund të jetë sadopak inferior ndaj cilitdo banor të Korçës apo Tiranës.

LEXO EDHE:  Radha në pikat kufitare/ Lleshaj: Qytetarët të informohen para se të nisen për udhëtim

Megjithse është gusht, rrëke uji rrjedhin tërthor rrugës. Vend me ujë !Të përgatitesh për dimër, s’është kurrë herët.Zbresin tatëpjetë dy kuaj ngarkuar me dru zjarri.Ngjitet përpjetë autokolonë me pesë a gjashtë mushka dhe kuaj.

Nuk i presin më drutë me sëpatë. Sëpatës i ka humbur bishti. Bishtit i ka humbur i zoti. Mbi samarët e kuajve dhe mushkave duken moto-sharra të vogla që punojnë me karburant të lëngët. S’ka më pyll e përrua. Ka fshat.

Më këmbë para një porte metalike, devolli’ i moshur me kasketë:

-Si quhet ky vend ?

-Miras, thotë, me një zë energjik që të tromaks.

-Më gjej pak pekmez.

-S’ka pekmez. S’bëjmë pekmez. Kemi bërë dikur pekmez panxhari. Tani s’bëjmë më.

-Po çfarë bëni ?

-Bëjmë bujqësi, blegtori, rrisim derra.

-Derra në Devoll ? I dashur devolli’, derrat nuk rriten në Devoll. Derrat rriten në Mirditë.

Aty devolliu i sertë zbutet pak. Nis e rrëfen meselenë e derrave në Miras. Pas 90-ës, thotë, disa djem të Mirasit shtunë sevda me çupat e Mirditës. I morën për nuse. Nuset mirditore në Miras, nja 10 a 15, nisën një biznes fitimprurës, rritjen e derrave. Derrat u shtuan. Tani derrat janë pjesë e ekonomisë së Mirasit.

E hanë apo s’e hanë mishin e derrit devollinjtë e Mirasit, a therin mish derri nëpër dasma e gostira, energjiku me kapele nuk ma tha, as un’ nuk e zgjata.

Disa fshatra kristianë në ultësirën perëndimore dhe në jug, me rrugën mespërmes fshatit dhe shtëpi në të dy krahët e rrugës, janë të vetmit fshatra në Shqipëri që kanë një farë simetrie planimetrike.

Shumica e fshatrave tanë janë një shtëpi këtu një atje, pa asnjë simetri, rrethore, unazore, katrore, kuadratike, etj.

Mirasi, apo Bozhigradi si i kanë thënë, nuk është as simetrik, as asimetrik. Në pikpamje planimetrike, Mirasi është një soc-fshat orëellian ku koha ka ndalur andej nga vitet ’70.

Mirasi, me një shtritje gjatësore tejet monotone, duket si një gjarpër i lodhur shtrirë nëpër fushë fill pasi ka gëlltitur një gic, dhe po e përtyp më nge’ me acidet e stomakut, dhe mijëra dhëmbët e vegjël.

Megjithse Mirasi është një monotoni planimetrike dhe arkitektonike rrënqethëse, banorët, miracakët, nuk janë të paduruar, nuk janë xerxele’. Janë të qetë, mikpritës, të muhabetshëm.

Duke kaluar nëpër Miras të duket sikur nga çasti në çast do takohesh me ca vajza të buzëqeshura me shata e lopata në sup që po shkojnë nga leximi i Zërit të Popullit në Vatrën e Kulturës, drejt e në fabrikë për të punuar për vitin 2050, drejt e në fushë për ta tejkaluar planin e prashitjeve, drejt e në stallë për të mjelë lopët me rendimente të larta, drejt e në zbor për ti derdhur armikut plumb në gurrmaz.

Devolli është absolutisht një Toskana e jonë, definitivisht më i bukur, më i ëmbël dhe më i begatë se Toskana e Italisë.

Fshatrat e tjerë deri në Bilisht janë ndryshe.

Kanë vila luksoze, kangjella, basene. Mes sysh, mu në mes të Toskanës tonë, i tillë është edhe Menkulasi, i famshmi katund i daullexhiut të baltës.

Bilishti është më i lëvritshëm, më i gjallë se kunata e tij, Erseka serioze, dhe dajua qefli, Leskoviku elegant.

Bilisht-Zëmblak, me fusha të mbjella, plantacione të pafund mollësh, rrugët e drejta të asfaltuara që të shpien nëpër fshatrat rrëzë kodrave, është një parajsë urbane-bujqësore frymëndalëse.

Nga me ja majt ? Drejt për në Korçë, apo djathtas rrëzë Malit të thatë për të dalë në Podgorie, Petrushë, autostradë ? Më mirë nga e djathta. Mbretëria e pllaqive dhe Mbret Pojani. Këtu bëhet ç’bëhet.

Ai me kasketë, ajo me shami, bujku me Zonjën mbi traktor venë e vinë nëpër ara. Benza, Opela, Mitsubisha, motorra, pompa, tuba, vegla. Shembin mure. Ndreqin çati. Sistemojnë avllira.

Pekmez kurrkund. Janë këta të përparuar që kanë harruar pekmezin, apo jam unë i prapambetur që vdes për pekmez ? Podgoria, kryeqyteti i  Fushës së Korçës, si Roskoveci i Myzeqesë, plot me shtëpi të reja.

-Pse në Podgorie ka më tepër shtëpi të reja se në çdo fshat tjetër të Fushës së Korçës ?

-Sepse punojmë më tepër.

-Ta besoj. Por nuk mjafton. Do keni ndonjë Kryetare si Majlinda e Roskovecit. Ndryshe nuk është e mundur.

Në autostradë, makinë e përplasur. Vaji derdhur në asfalt, si Pekmezi që kërkova por s’e gjeta./ CNA.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Në QYTETIN tim

REPORTAZH-Ekspozitë me punime artizanale/ Korça, qyteti ku arti i punimit me dorë ruhet brez pas brezi

Publikuar

-

Nga

cna reportazh

Një ekspozitë mjaft e veçantë me punime artizanale është çelur në Bibliotekën “Thimi Mitko” në qytetin e Korçës.

Ndërthurja e të kaluarës me të tashmen vjen me shumëllojshmëri punimesh dore ku zonjat  korçare vijojnë të ruajnë traditën dhe kulturën shekullore.

Natasha Çapa ka shpalosur ekspozitën e saj, punimet e së cilës i janë dashur 5 vite për ta realizuar.

Artin e realizimit të punimeve me dorë si qëndisma, punime me grep, punime me shtiza apo thurrje të ndryshme, Çapa shprehet se e ka trashëguar nga nëna e saj dhe e ruan me fanatizëm.

Me siguri do të pyesni për se e kam quajtur ekspozitën “Edhe unë punoj”? Sepse jo të gjitha mund të reklamohen në internet. Nga dëshira e mirë për të punuar, unë kam 5 vjet që e kam filluar, dhe për të transmetuar mirësinë time në këto qëndisje.

E kam të trashëguar nga nëna ime e cila punonte dhe qëndiste shumë. Tematikat janë të ndryshme pasi unë I kam përshtatur sipas stinëve, dhe festave të ndryshme si Halloëeen, Pashkën, Krishtlindjen etj. Për vendosjen e punimeve më ka ndihmuar mbesa ime Natalia, e cila ka shumë dëshirë të mësojë këtë lloj profesioni,” – shprehet Çapa.



Ndër të tjera, ajo tregon vështirësitë për gjatë gjithë jetës së saj, e deri më sot që mundësitë për të punuar në këtë profesion janë të mëdha.

Të gjitha punimet janë funksionale, për shembull kemi pikturat, të stamposura dhe të qëndisura, që shërbejnë për arredimin e shtëpisë. Nuk kam vendosur që këto punime ti tregtoj, sepse mbeten si kujtim për t’ua lënë fëmijëve të mi dhe mbesës time.

Mendoj se është shumë e rëndësishme të rruhet kjo lloj tradite e punimeve me dorë, sepse e shoh që po humbet dita ditës. Jeta për ne nuk ka qenë kaq e lehtë, e kemi filluar nga hiçi, nuk kemi patur asnjë gjë në atë kohë dhe ka qenë mjaft e vështirë”, tregon Natasha.

LEXO EDHE:  Benz e Audi, me linjë prodhimi për pjesë në Korçë/ Punësohen 1 mijë persona

LEXO EDHE:  Benz e Audi, me linjë prodhimi për pjesë në Korçë/ Punësohen 1 mijë persona

Jorida Tollkuçi , drejtoresha e Bibliotekës “Thimi Mitko”,  thekson se kjo ekspozitë vjen në kuadër të muajit të trashëgimisë kulturore dhe synon promovimin e mëtejshëm të artizanatit.

Zona e Korçës njihet për një traditë të pasur të punimeve me dorë, me vlera historike të trashëguara nga gratë korçare brez pas brezi. Edhe në ditët e sotme, pasioni I disa grave janë punimet me dorë. Ekspozita organizohet në kuadër të muajit të trashëgimisë kulturore dhe po ashtu për të promovuar vlerat kulturore korçare.

Një tjetër synim është pikërisht për të theksuar rëndësinë e rolit të gruas në rruajtjen e traditave. Ekspozita ka ardhur si një ndërrthurrje e së shkuarës me të tashmen”, shprehet Jorida.

Korça mbetet një prej zonave ku artizanati ruhet brez pas brezi dhe ku zonjat korçare po përpiqen ta promovojnë çdo ditë e më tepër .

Ekspozita do të vazhdojë të jetë e hapur për të gjithë të apasionuarit e punimeve artizanale, dhe në të do të mund të gjejnë punë të ndryshme dore duke filluar nga qëndismat, jastëkët e thurrur, veshje çanta të ndryshme si edhe qilima. /CNA.al

LEXO TE PLOTE

Në QYTETIN tim

REPORTAZH-Kampionati i 30-të ballkanik i atletëve master, në Korçë/ Mbi 700 atletë veteranë pjesëmarrës

Publikuar

-

Nga

cna lajme sporti

Sporti nuk njeh moshë ndaj mbi 700 atletë të grupmoshave të ndryshme nga Ballkani dhe Europa u bënë bashke tek Zona Sportive e Korçës për të garuar.

Korça në ambientin e saj sportiv ka mirëpritur kampionatin e 30-të Ballkanik të Atletëve Master, i cili u zhvillua për herë të parë në Shqipëri.

Nga më të rinjtë deri tek 80 vjeçarët nisën garat e këtij eventi që erdhi për herë të parë në Korçë. E  veçanta e këtij kampionati ishin atletët veteranë të cilët ishin po aq në formë, energjikë, ku dëshira dhe pasioni për sportin nuk kushtëzohen kurrësesi nga mosha. Sporti u fal adrenalinë dhe kënaqësi.

Ivanov Mihail është 68 vjeç, dhe prej një jete të tërë, i është përkushtuar sportit të hedhjes së çekiçit, më konkretisht që prej vitit 1966.

Po marr pjesë me kënaqësi të vecantë ketu. Ka 3 vite që behem pjese e këtij aktiviteti dhe më pelqen shume duke marre ne konsiderate edhe moshen time dhe gjendjen time është vertet dicka e bukur.

Përfaqësoj Bullgarinë dhe do të marr pjesë në hedhje çekiçi. Jam stervitur thuajse gjithe jeten time qe nga viti 1966 dhe vazhdoj ende të stërvitem mjaftueshëm e bëj për të qenë i shëndetshëm. Këtu ka atletë më të vjetër se unë në moshë por edhe më të rinj, është bukur të jesh mes tyre.” – shprehet Ivanov.

Agron Mucaku vjen nga Kosova dhe i është bashkuar këtij kampionati me garën 400 metra me pengesë. Rekordmeni i 110 metrave dhe i 400 metrave në pengesë , titull i marrë para 35 vitesh , vijon të jetë i tillë pasi askush në këto vite nuk nuk ka mundur të arrijë kohën dhe tia rrëmbejë tiltullin.

LEXO EDHE:  Përplasi të moshuarin/ Arrestohet 47-vjeçari

LEXO EDHE:  I dënuar 5 muaj për vjedhje/ Arrestohet 26-vjeçari

Ndjehem shumë mirë, vij nga Kosova dhe do të marr pjesë në një vrapim 400 metra me pengesa për grupmoshën 55 deri 59 vjeç. Ky është një shans që nuk e kam patur rastin të marr pjesë në gara ballkanike, dhe vendosa që në këtë moshë ta provoj dhe ja ku jam sot.



Është një kënaqësi e paparë, me njerëz shumë të mirë që marrin pjesë. Jam kampion i Kosovës, ku para 35 vitesh kam shënuar rekordin prej 15 sekondash në 110 metra dhe 58 sekonda në 400 metra me pengesa. Këto aktivitete duhet të përsëriten sa më shpesh”, tregon Mucaku.

Organizatori Rudi Bektashi tregohet entuziast që një kampionat i tillë zhvillohet për herë të parë në Shqipëri.

Pavarësisht situatës pandemike mbi 600 atletë të huaj janë pjesëmarrës dhe 100 atletë shqiptarë të ardhur nga të gjitha qytetet e vendit.

“Kampionati i 30-të Ballkanik i Atletikëve Veteranë që u bë për herë të parë në Shqipëri dhe në Korçë, ka një pjesëmarrje shumë të madhe, megjithëse është kohë pandemie.

Saktësisht janë 718 atletë të rregjistruar dhe që do të marrin pjesë në këtë kampionat. Mbi 600 prej tyre janë të huaj, por ka edhe atletë shqiptarë që kanë përfaqësuar të gjitha bashkitë e Shqipërisë. Ambjenti është shumë festiv, çdo gjë po shkon për së mbari e me një rritëm shumë të mirë”,  shprehet Bektashi.

Ballkanik i Atletëve Master ka sjellë një atmosferë ndryshe për qytetarët korçarë dhe për vetë qytetin e Korçës. Të interesuar për të parë garat, kanë qenë edhe banorët sportdashës të cilët kanë shijuar kampionatin e atletëve veteran, e arsyeja kryesore mbetet mosha e tyre./CNA.al

LEXO TE PLOTE

Në QYTETIN tim

REPORTAZH-Paulin Preka, lamtumira e ‘kolosit’ të humorit shqiptar

Publikuar

-

Nga

cna news, cna lajme, lajme cna, lajme flash cna, cna.al, cna lajme politike, cna kronike, cna lajme bote, cna show

Mes lotësh e një dhimbje të madhe miq, familjarë, kolegë e shumë qytetarë të Shkodrës i dhanë lamtumirën e fundit “Mjeshtrit të Madh” të humorit, aktorit të shquar shqiptar e shkodran Paulin Preka.

Arkivoli me trupin e pajetë të aktorit 86 vjeçari mbërriti nga Italia ku jetonte me familjen në hollin e teatrit “Migjeni” ku u zhvilluan homazhet në nder të tij.

Kolegët të përlotur e kujtojnë humoristin Paulin Preka si një kolos të artit shqiptar. Mjeshtrja e Madhe Zyliha Miloti nuk i ndan për asnjë çast lotët kur flet për kolegun e saj të dashur Paulin Preka.

“Partneri i 40 viteve me radhë. Sot Shkodra i jep lamtumirën e fundit artistit të madh, personalitet i artit shqiptar Paulin Preka. Ai lindi për të qenë artist i madh, i kompletuar në të gjitha drejtimet, jo vetëm aktor humori dhe i komedisë por edhe aktor i mrekullueshëm i dramës, një artist i mrekullueshëm edhe në filmat shqiptar si dhe ka mbajtur gjallë estradën e Shkodrës me shkrimet e tija të mrekullueshme. Është një humbje e madhe. Paulin Preka ishte një partner i mrekullueshëm. Unë e kam për nder dhe jam shumë krenare që kam interpretuar përkrah këtij artisti të madh i cili me plot gojë e them që mi ka shtuar shumë vlerat si artiste. Përveçse një artist i përkryer i kushedi sa karaktereve e roleve që asnjëherë nuk e bëri një rol dy herë, ishte edhe një shok shumë i mirë sepse më shumë kemi jetuar me njëri-tjetrin se sa në familjet tona. Më vjen keq sepse la pas shumë material të shkruara dhe ka patur shumë dëshirë që të vinte ta bënte edhe një shfaqje por familja i ka ato materiale dhe besoj do i sjellin për të përjetësuar edhe njëherë emrin e tij. Na ka ikur një artist i mrekullueshëm. Për mua duhen dekada e ndoshta edhe një shekull për të lindur edhe një Paulin Preka tjetër që nuk e di a lind. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij”, shprehet Zyliha Miloti.

Zef Deda, një tjetër kolos i skenës është i ngarkuar sëtepërmi emocionalisht për këtë humbje të madhe të artit shqiptar siç është Paulin Preka.

Paulin Preka është artisti që mori zemrën dhe e hodhi në skenë, e përpunoi aq bukur, e mbajti të pastër, ia hodhi spektatorit që mbeti gjithmonë i kënaqur. Paulin Preka erdhi shumë i ri në teatër dhe unë kam qenë fëmijë dhe ai ishte një risi në teatër. Ishte si një idhull për ne, kishte interpretim të pastër, të fuqishëm, të thellë në drama por edhe në estradë. Paulin Preka ishte një kolos jashtëzakonisht i madh për atë forcën interpretues, me atë humor të këndshëm e të bukur. Shpirti më dhemb por nuk ka dy jetë njeriu. Populli thotë një fjalë, i pavdekshëm dhe ashtu do jetë. Brezat patën fatin që ta shijojnë, ta dëgjojnë e po ashtu edhe ne si dhe nuk do të harrohet kurrë sepse ka lënë shumë vepra të bukura, role pafund, shkrime, artisti jonë vërtet një korife do mbetet për skenën e teatrit”, shprehet Zef Deda.

Besnik Çinari është një tjetër emër që ndau shumë vite e momente me mikun e tij të ngushtë Paulin Preka.

Sot po i japim lamtumirën e fundit Paulin Prekës, të cilin e kemi dashur shumë. E ka dashur populli në radhë të parë, ai ka lënë shpirtin dhe eshtrat në këtë teatër. Është krijuesi dhe ka hapur i pari estradën e Shkodrës bashkë me të madhin Tano Banushi. Paulin Preka e dishroi Shkodrën, artisti duhet të qëndrojë në vendin e vet por rrethat ekonomike, familjare e çuan në Itali por shpirtin e ka patur në Shkodër. Ne dhe populli i Shkodrës i japin lamtumirën. Paulin Preka ka shkruar shumë dhe ka mbajtur gjallë estradën e Shkodrës. Paulin Prekës ia shpërbleu me pagë Italia në vend që t’ia shpërblente Shqipëria”, thotë Besniku.

Për aktoren e humorit Drande Xhai por jo vetëm, kolosi Paulin Preka ishte edhe një mësues fantastik.

‘Një ditë shumë e vështirë. Së pari ditë e vështirë sepse humori shqiptar humbi një nga aktorët më të shquar të skenës dhe humorit shqiptar, ditë e vështirë për Shkodrën sepse humbi një artist dhe qytetarë të jashtëzakonshëm, e vështirë për familjen sepse humbi njeriun më të dashur, shumë e vështirë për ne kolegët, shumë e vështirë për mua që humba profesorin, humba kolegun, humba prindin sepse këshillat e tij do i mbaj gjatë gjithë jetës time. E vështirë sepse një aktor si Paulin Preka është i pazëvendësueshëm. Fati i madh për mua, për teatrin “Migjeni” për humorin shqiptar që Paulin Preka ka ekzistuar. Do mbetet në historinë e artit, vulosi përjetësinë.”

LEXO EDHE:  Radha në pikat kufitare/ Lleshaj: Qytetarët të informohen para se të nisen për udhëtim



LEXO EDHE:  E pabesueshme/ Salianji themelon shoqatën VT për ringritjen e PD-së në Korçë

Aktori Sandër Ruçi gjithashtu ndau skenën me pjesë të pavdekshme humoristike.

Artistikisht ra perdja por nuk ka rënë miti i Paulin Prekës i cili na ka lënë pasuri të madhe mbrapa. Zakonisht këto njerëz shkojnë në përjetësinë e një kombi gjë që nuk e ka shansin çdokush. Unë e pata mik, mësues bashkëpunëtor. Ai e jetoj jetën, i vendosi vulën, u mishërua me teatrin, me spektatorin i cili do e ketë në ndërmendje shumë gjatë. Unë e kam quajtur Paulin Prekën kolona vertebrale e teatrit “Migjeni” dhe varietesë shkodrane. Ishte shumë planësh, ishte njerëzor, e ndihmonte elementin e ri, ka lënë kontribut të pashoq dhe një pasuri jashtëzakonisht shumë të madhe, është një shkollë në vete. Ishte aktor i dimensioneve me nivel të lartë dhe do i mungojë spektatorit, teatrit dhe do na mungojë të gjithëve. Paulin Preka për tekste ishte buka e teatrit “Migjeni”. Në një material që është “Andërr grash”, ai elementi kur çohet nga varri në kohën e demokracisë dhe Paulini kishte zakon dhe shkruante në fletoren me vija me laps, kishim kohë që bashkëpunonim bashkë dhe në dhomën e pushimit sjell materialin dhe ma lexon dhe më shihte në sy, unë po e dëgjoja por nuk bëra zë dhe më tha nuk të pëlqeu? I thashë si nuk më pëlqen, ti nuk e di se çfarë ke bërë, e gëzofsh më tha, pra ka qenë kaq altruist saqë nuk ka parë asgjë dhe nuk ka patur se çfarë të shohë se ka qenë kolos dhe unë do ta kujtoj gjithmonë. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij”, rrëfen Sandër Ruçi.

Ndonëse më i vogli në moshë në estradën e atyre viteve Edmond Halili gjithashtu iu bashkua asaj kaste të njohur aktorësh i cili ruan kujtimet më të bukura me Paulin Prekën.

“Është një humbje padiskutim e madhe jo vetëm për Shkodrën por për gjithë Shqipërinë . Është një artist i madh i humorit dhe ishte gjithë jetën një person i qeshur, i mrekullueshëm dhe me një humor të jashtëzakonshëm. Në publik kanë mbetur batutat e tija ndërsa ishte edhe një shkrues i një niveli të lartë të materialeve të ndryshme”.

Drejtoresha e teatrit “Migjeni” Rita Gjeka thotë se shfaqja e radhës në teatër do të jetë me një material të të madhit Paulin Preka i cili përveçse aktor ishte edhe një tekstshkrues i një niveli të lartë.

“Paulin Preka e nisi karrierën e tij si aktor dramatik dhe pastaj ka vijuar me estradën. Nuk është thjeshtë humbje por është me t’u këput krejt këmbët. Paulin Preka do mbesë gjithmonë në kujtesën e brezave sepse rolet e tij janë të pafundme. Unë i kam lënë një porosi familjes para se të vinte, i gjithë dorëshkrimi i tij do të merret në dorë, do të shihet dhe në esatradën e parë që do kemi do jetë një material i shkruar nga Paulin Preka”.

Djali i të ndjerit Paulin Preka, Sokol Preka thotë se kohët e fundit kolosit të humorit shqiptar i mungoi shumë publiku dhe kolegët ndërsa falenderon për nderimin e figurës së babait të tij.

Paulin Preka numëron shumë role me estradën e teatrit “Migjeni”, po ashtu është pjesë edhe e shumë filmave kinematografik si dhe autor i shumë komedive e skeçeve të ndryshme të cilat janë vënë në skenë për shumë vite me radhë. Humori dhe batutat e tij do mbesin gjatë ashtu siç Paulin Preka shënjoi emrin e tij në artin e kulturën shqiptare./CNA.al

 

LEXO TE PLOTE