LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Heshtja vrasëse e Opozitës

27 Gusht 2021, 11:24, Politikë CNA

Sot një deputet i Partisë Demokratike, një intelektual, një personalitet dha dorëheqjen.

Dha dorëheqjen nga mandati i deputetit që kishte fituar në 25 prill si kryesues i listës së Lezhës dhe gjithashtu deklaroi se nuk do të ishte në Këshillin Kombëtar, për shumë arsye që kryesisht ai i përmblidhte me një fjalë ?tradhëtisë personale të Bashës dhe Berishës ndaj demokratëve?.

Në fakt ishte një dorëheqje e papritur, megjithëse edhe CNA.al dhe shumë media kanë raportuar shpesh se do të vazhdojë hemoragjia brenda opozitës. Pra, se do të vijojë të ketë largime. Mark Marku largimin nuk e kishte paralajmëruar, por kishte shpresuar tek Lulzim Basha dhe kishte besuar për shumë vite dhe muaj se ai mund të hapte PD-në dhe të ndryshonte.

Faktikisht u përball në Kuvend me një fyerje, sulm dhe akuza. Megjithëse mbajti një qëndrim të fortë, me të vërtetën.

Nga ana tjetër ai u zgjodh deputetet, duke qënë në ?konflikt interesi?, për shkak të faktit se kishte drejtuar një komision për vlerësimin e figurave. Një Komision i cili u neverit, u diskreditua, pasi shumë nga emrat që u hoqën, u rivendosën në listë dhe shumë nga emrat që komisioni i kualifikoi, u hoqën nga lista.

Ka një heshtje të turpshme. Një heshtje e neveritshme, e cila të çon deri në pështirosje të klasës politike që ka sot opozita dhe çfarë përfaqëson ajo.

Lulzim Basha me heshtje ka tentuar t’i kalojë të gjitha zullumet e tij. Edhe zullumin e Rrugës së Kombit, edhe zullumin e fotos me Trump në SHBA, edhe zullumet e kunatit dhe bizneseve të familjes së tij, edhe zullumin e pallatit në Vlorë, edhe pazaret me oligarkët. Edhe pazaret e shitjes së mandateve, përçarja e Opozitës, e të gjitha me radhë.

The time when Lulzim Basha is dragging Sali BerishaSot po heshtin të gjithë. CNA.al dhe shumë media kanë tentuar të marrin disa deputetë ose përfaqësues të Opozitës për të folur, sepse po iu largohej një intelektual. Po largohet një intelektual nga lista e qarkut të Lezhës. Po largohej përfaqësuesi politik i PD-së në këtë qark dhe po hynte në Kuvend një vajzë e cila në fakt kishte qënë kandidate e LSI-së, kishte mbështetur Aleancën Kuq e Zi, dhe më pas ishte vënë në listë në zonën jo fituese, nga Lulzim Basha.

Por, del Gaz Bardhi dhe tregon barcaletat e Bechettit. Apo paratë e humbura që i kemi dëgjuar dhe që janë tema të ezauruara.

Sot një deputet është larguar. Një drejtues qarku është larguar. Një personalitet politik është larguar dhe është i disati në radhë, pas hemoragjisë që ndodhi me drejtuesit lokal të PD-së së Korçës. Apo me largimet e mëdha që ndodhën menjëherë pas zgjedhjeve. Përfshirë këtu deri edhe në pozicione sekretarësh, siç ishte rasti i Sahit Dollapit apo edhe i Ervin Minarollit.

Sot, është larguar Mark Marku. Drejtues i Komisionit të Vlerësimit të Figurave, deputet i zgjedhur, i deleguar politik në këtë qark, një kryesues liste, një personalitet. Një nga zërat me opozitarë në media sot është larguar dhe askush nuk po flet.

Nuk hap gojën askush. Janë gati të hapin gojën për gjithçka. Vetëm për largimin e Mark Markut jo.

Pse heshtin Alfred Rushaj, Tomor Alizoti, Jorida Tabaku, Belind Këlliçi dhe disa të tjerë nga të cilët shpresohet të thonë ndonjë fjalë?

Pa shkuar më tej, sepse do dalin ?sharlatanë? dhe palaço të keqpërdorur për të sulmuar Mark Markun, kjo nuk diskutohet.

Por, emra nga të cilët pritet të japin diçka në politikë, fytyra që kanë një imazh pozitiv tek qytetarët, kur do të flasin?

Duke heshtur të gjithë në grup, përfshirë këtu edhe deputetë të vjetër, të cilët nxjerrin gjoksin si opozitarë, pse nuk dalin dhe të thonë një fjalë, jo vetëm për largimin e Markut por edhe të tjerëve?

Sepse Opozita kështu po shkatërrohet dhe po copëtohet.

Po copëtohet me servilizëm, me vasalitete, me mbylljen e gojës dhe heshtjen për të ruajtur karrigen e deputetit dhe për të marrë atë copë rrogë.

Shqiptarët vuajnë qeverinë, vuajnë marrëveshjen Rama-Basha. Ndërsa Luli rri në krye të PD-së dhe opozita mpaket, bëhet më e vogël, më e thatë, më pa energji, kur i ikin intelektualët, ka heshtje dhe vetëm heshtje.

Kur shpallen listat dhe kur ka fushatë?

Ndoshta dhe në forume. Sepse problemi tani është se edhe në forume tashmë nuk dëgjohet të flasë njeri. As në Kuvend dhe as në Këshillin Kombëtar.

Flasin disa, të tjerë ngrenë dorën. Partia mbushet me ushtarë dhe ec përpara.

Por, nuk e kuptojnë se me heshtjen e tyre po vrasin PD-në, po vrasin opozitarizmin, po vrasin të ardhmen.

Ikja e emrave si Mark Marku e shumë të tjerëve që kanë ikur më parë, ka vetëm një pasojë. Rrudhjen e opozitës dhe vazhdimin në një rrugë të gabuar e cila nuk sjell gjë tjetër. Por, thjeshtë dhe vetëm humbjet e saj të njëpasnjëshme, në shërbim të një klientele që ka kapur drejtimin e Partisë Demokratike, gjoja në emër të opozitarizmit dhe moralit në kundërshti me Edi Ramën. Por, që në fakt nga ana tjetër provat tregojnë që i shërben kryeministrit më mirë se askush tjetër.

Tashmë nuk ka më dyshime. Një parti që largon intelektualët dhe nuk flet e nuk reflekton për ta, si mund të jetë alternativë ndaj një qeverie të tillë?

Këtë mund ta bëjë vetëm Lulzim Basha. Këtë mund ta bëjnë vetëm vasalët e tij, të cilët sot turpësisht heshtin në mënyrë vrastare./CNA.al

Lajmet e fundit nga