LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Sadriu: Do renditemi në "Top 5", dua të transferohem në një klub europian

25 Gusht 2021, 13:29, Sport CNA
Sadriu: Do renditemi në "Top 5", dua të transferohem në

Leard Sadriu rikthehet te Skënderbeu dhe është gati të marrë rolin e protagonistit në një sezon të ri, ku pretendimet e korçarëve janë krejt ndryshe nga ai i edicionit të kaluar. Në një prononcim të dhënë për ?Panorama Sport?, mbrojtësi kosovar i Skënderbeut flet me superlativa për sezonin e ri dhe grupin e konfirmuar të lojtarëve, si dhe tregon se për ekipin korçar ka refuzuar disa oferta të tjera.

Leard, sërish te Skënderbeu. I lumtur që do të jeni pjesë e korçarëve?

Të them të drejtën, ishte diçka që e doja dhe mezi prisja që të rikthehesha sërish në Korçë, pasi këtu kam kujtime të mira nga sezoni i kaluar. Kishim arritur marrëveshjen mes dy klubeve që të zgjatej huazimi edhe për një tjetër sezon dhe jam i lumtur që u konkretizua pas aventurës me Shkëndijën e Tetovës në Europë. Të jem realist, kam qenë në bisedime edhe me ekipe të tjera, mes të cilave edhe Prishtina, që më ka kërkuar me ngulm. Por dëshira ime ishte që të kthehesha sërish në Korçë te Skënderbeu dhe ja ku jam.

Si shkoi për ju aventura në Europë me Shkëndijën?

Në aspektin personal ishte diçka pozitive, pasi isha pjesë e ekipit për ndeshjet europiane. Por për Shkëndijën në Europë nuk është se shkoi mirë. Pritshmëritë ishin tepër të mëdha, madje synonim që këtë sezon të arrinim grupet e Europa Ligës, por fati nuk ishte në anën tonë. U eliminuam në ndeshjet e para dhe kjo nuk ishte diçka e mirë për ne dhe klubin.

Çfarë ka ndryshuar tek ekipi dhe ju ka rënë në sy pas rikthimit?

Gjëja e mirë që më ra në sy menjëherë sapo mbërrita te Skënderbeu, ishte fakti që nga sezoni i kaluar pjesa më e madhe e lojtarëve është ruajtur. Kjo është pozitive, pasi janë sërish pjesë e klubit lojtarë të rëndësishëm që e njohin mirë filozofinë e lojës së Skënderbeut. Plus kësaj, pozitiv mbetet fakti që jemi po të njëjtët në pjesën më të madhe dhe njihemi mirë me njëri-tjetrin dhe mund të sillemi më lirshëm në fushën e lojës.

Ky Skënderbe do të jetë më i fortë se një sezon më parë?

Unë mendoj se Skënderbeu i këtij viti do të jetë një skuadër mjaft e fortë dhe e organizuar në të gjitha aspektet. Jam i bindur se nuk do të jemi një ?kafshatë? e lehtë për asnjë ekip të Superiores, madje do të përballemi me ta si të barabartë, pasi cilësitë i kemi.

A mendoni se do të jeni të qetë për të shmangur rënien nga kategoria?

Pa dyshim që po. Nuk e mendojmë aspak pjesën e të luftuarit për mbijetesë, sepse nuk ka lidhje me ne dhe nuk na shkon përshtat ai pozicion. Skënderbeu i këtij sezoni do të jetë një ekip që do të luftojë për pesë vendet e para të kampionatit.

Çfarë pret Sadriu në këtë sezon në aspektin personal?

Unë personalisht do të jap maksimumin në çdo ndeshje, të ndihmoj klubin dhe të arrijmë suksese në këtë sezon. Më pas të shohim se si do shkojnë gjërat, pse jo ndonjë kalim në ndonjë klub europian.

Lajmet e fundit nga