LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Nga Julian Bala/ Po për VKM Nr.19, çfarë thonë amerikanët?

23 Gusht 2021, 19:45, Opinione CNA
Nga Julian Bala/ Po për VKM Nr.19, çfarë thonë

Nga ark.urb. Julian Bala

Janë dakord që të mbrohen investitorët e vërtetë që qëndrojnë fshehur gjithë kohës që nga momenti kur pergatitën letra fallco, duke i quajtur banorët e pallatit si bashkë-pronarë dhe bashkë-investitorë?

(Pra, konkretisht, Alfred Bala, babai im, gjoja ka blerë tokën në shkurt 1990 me “bashkë-pronarët” e tjerë. Më pas, gjoja ka ndërtuar me “bashkë-investitorët” e tjerë një objekt 5-katësh që ka përfunduar së ndërtuari në shkurt 1991.)

Kështu kjo VKM, iu ngarkon banorëve barën e ndërtimit pa leje, sikur e kanë bërë ata fajin dhe tani të paguajnë për fajin e investitorit të vërtetë që fshihet dhe nuk figuron në asnjë letër. Për më tepër, metrat katrorë të apartamenteve, i shënon më pak se ato faktiket që objekti të pershkruhet në letra në rregull me distancat e urbanistikës, (për të justifikuar shtesa katesh, shtesë mbi shtesë të dikujt që ka mik të fortë në Lame-institucion) dhe duke nxjerrë banorë që nuk kanë bërë asnjë ndërhyrje, sikur aneksin e gatimit e kanë bërë shtesë…

Unë kam punuar 10 muaj te ish-Aluizni, deri në fund të vitit 2015. Kam qënë super-specialist që do të thotë që kam shqyrtuar 2400 dosje. Me qindra dosje që permbanin problematika të tilla me mosperputhje të faktit me “matjet” unë nuk i dixhitalizoja fare dhe i ktheja që të mateshin edhe njëherë. Tani, ish-Aluizni harron që një nga ata blerësit e apartamenteve është babai im, pra harron që ai baba ka pasur djalin specialist aty në atë institucion, pikërisht të specializuar për të mos toleruar parregullsitë dhe manovrat që krijojnë me dashje mospërputhjet fakt dhe matje, apo siç i quajnë në letër “përditësime”…

Atëherë, po e shkruaj posacërisht këtu këtë problematikë, me qëllimin që ta lexojnë sa më shumë nga shoqëria e vërtetë civile dhe të reflektojnë mbi keto lloj manovrash korruptive që quhen VKM…

Në atë paçavure “dokument te ri” që unë nuk e pranova, por që e fotografova dhe e fotokopjova për ta përdorur kundër tyre, thuhej: Alfred Bala, gjoja ka bërë vetëdeklarim në vitin 2006 tek ish-Aluizni, për të legalizuar objektin që në të vërtetë e ka ndërtuar ai qe i shiti apartamentin dhe që fshihet e s’figuron në asnjë letër si investitor. Ky njeri pergatit keto letra fallco me ndihmën e ish-Aluizni-t, në mënyrë që të mos paguajë detyrimet që i takojne atij t’i bëjë të gjitha një për një dhe për të gjithë banoret, të cilëve u ka shitur apartament dhe në genplanin e përgatitur nga sektori i hartografisë të Lame-institucion, i ka shënuar këta banorë si “posedues” të pronës ku është bërë ai ndërtim pa leje. Pra, atij që ka bërë ndërtimin pa leje, i takon të bëjë të gjitha pagesat e gjobave institucionale dhe jo të paguaje vetëm një faturë, sikur gjoja e ka kryer babai atë pagesë dhe te tjerat të vazhdoje t’i paguajë im atë dora vete; duke u përpjekur kështu, për ta futur babanë në lojën institucionale të pagesave të njëpasnjëshme…

Po bëj pak ironi që të kuptohet më qartë situata: Kesaj i thonë, sikur vërtet im atë paska kryer ndërtim pa leje si bashkë-investitor dhe pastaj ia ka shitur vetes së vet apartamentin. Më pas, fitimet për m2 ndërtim, të apartamentit që në “dokumentacionin e ri” të realizuar nga një “përditesues” pa matje faktike në vend, rezultojnë më pak metra se ç’ka në të vërtetë apartamenti dhe më pak metra se ç?është paraqitur në dokumentacionin e vjetër kur “babai ia shiti vetes atë apartament”, i tatohen nga Lame-institucion, duke u bazuar në atë “dokument të ri” dhe qëllimisht jo të saktë.

Më pas, Lame-institucion që shpëtoi katet e fundit të atij objekti pa leje nga kategorizimi si shtesë pa leje mbi shtesë pa leje, do planifikojë të bëjë një ekspertizë në të ardhmen për “shtesat pa leje”, duke u bazuar në këtë planimetri jo të sakte që tregon më pak metra dhe që cilëson aneksin e gatimit si shtesë. Kështu, pa qënë me hall, institucionet e këtij vendi që i shërbejne korrupsionit, kërkojnë të futin me pahir në një valle hallesh këdo, qoftë edhe babain tim, biri i të cilit i di shumë mirë këto dredhi…

Investitori i vërtetë që nuk figuron në letra, por përgatit letra fallco me firmën dhe vulën e drejtorëve te ish-Aluizni-t apo të Lame-institucion, me buzeqeshje i shpërndan letrat si të ishin të rregullta, duke qëne se janë me firmë dhe vulë institucionale, por nga ana tjetër për parregullsitë e paraqitura qëllimisht, bën sikur nuk e kupton përshkrimin shifror dhe pasqyrimin grafik të një planimetrie të deformuar sipas atyre shifrave të mangëta në m2. “Nëse ke pretendime”, – thotë ai, – shko ku i kanë zyrat “ata” dhe ankohu!.. Keshtu thotë edhe VKM Nr.19, që nëse dikush nga palët ka pretendime, atëherë cdo gjë zgjidhet nëpërmjet gjykatës… Pra, konkluzioni i drejtë profesional është se: VKM Nr.19 është një vendim kriminal dhe duhet hedhur poshtë!

Me pas, duhen hedhur poshtë edhe të gjitha VKM-të me radhe që favorizojnë vjedhjen dhe mashtrimin eksponencial që fshihet me anë të këtyre institucioneve të krijuara posaçërisht prej korrupsionit, në menyrë që t’i shërbejnë korrupsionit.

Nëse nuk e kuptuat këtë problematikë, fillojeni lexojeni përsëri nga fillimi historinë e mashtrimit me pronat dhe legalizimet… E di që u zgjata shumë, por e bëra që ta sqaroj lopka-lopka këtë cështje, e cila është më e rëndësishme, se vetë procesi “mish për top” për njërën palë, apo për palën tjetër./CNA.al

Lajmet e fundit nga