LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Nga Hasan Bello/ Pse u “divorcua” Fan Noli nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1931?

13 Gusht 2021, 11:12, Kulturë CNA

Në protokollin e Komitetit Nacional Revolucionar (KONARE-së) lidhur me dorëheqjen e Fan Nolit nga kjo organizatë dhe largimin e tij drejt SHBA në shkurt të vitit 1931 tregohen shkaqet që e shtynë të merrte këtë vendim, duke nënvizuar se nuk shihte asnjë arsye për të qëndruar në një organizatë, që nesër do të gjendej pa mundësi për tu siguruar anëtarëve të saj një copë bukë.

Sipas Fan Nolit, pa furnizim dhe pa armë nuk mund të bëhej lufta, prandaj ai nuk besonte që KONARE mund të luante ndonjë rol në jetën politike të Shqipërisë.

Bashkëpunimi prej pesë vitesh me miqtë rusë kishte provuar se ata i kishin mbajtur ?me premtime fallco, me fjalë boshe, na gënjejnë, tallen me ne dhe, një ditë të bukur, do të na lenë në baltë. Duke qenë i bindur se “miqtë” tanë do të na braktisin një ditë në situatën më të vështirë, unë kam kërkuar një zgjidhje tjetër, deri sa nuk ishte akoma tepër vonë.

Pa këtë, unë do të isha i detyruar të shkonja t`i bija në gjunjë përpara Ahmet Zogut ose të vrisja veten?. Në vijim të këtij arsyetimi, ai shton: ?unë vendosa të shkoj në Amerikë për të gjetur një burim të ardhurash, që të më lejojë të jetoj sidokudo.

Meqenëse lufta e madhe që ne bënim kundër regjimit të Shqipërisë është në vigjilien e falimentimit, unë u ktheva në gji të shqiptarëve të Amerikës. Atje është fortifikata e fundit ku u tërhoqa unë dhe që ku mendoj të vazhdoj “një luftë partizane” (guerrile)?. Ajo që e bënte Fan Nolin skeptik ndaj mbështetjes ruse ishte se Stalini dhe shokët e tij kishin vendosur të shpenzonin të gjitha burimet për industrializimin e shpejtë të vendit, duke hequr dorë pak nga pak nga përkrahja materiale e lëvizjes revolucionare botërore.

Kjo nuk i detyronte ata të hiqnin dorë nga retorika ose frazeologjia mbi revolucionin botëror. Por në fakt, sipas Nolit, ata po pakësonin gjithnjë e më tepër ndihmën financiare që u jepnin organizatave revolucionare të vendeve kapitaliste.

Këtu qëndronte edhe arsyeja e pakësimeve të herë pas hershme të subvencioneve, të cilat një ditë do të pezulloheshin krejtësisht. Atëherë KONARE, vinte në dukje ai, do të mbetej “si peshku pa ujë”, dhe nuk do të ishin në gjendje të vazhdonin luftën. Ndërsa anëtarët e saj do të mbeteshin pa bukë.

?Duke parashikuar një përfundim të tillë,-deklaron Noli-,unë kërkova një qoshe ku të fus kokën?.

Këto fjalë ngjallën një pakënaqësi të madhe në radhët e emigracionit politik, sidomos tek pjesëtarët e KONARE-së dhe Grupit Komunist Shqiptar të Bashkimit Sovjetik. Por këta të fundit u treguan pragmatistë, duke menduar ta përdornin influencën që Noli gëzonte në radhët e emigrantëve ekonomikë në SHBA për interesat e tyre./CNA.al

Lajmet e fundit nga