LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Koreja e Veriut kritikon stërvitjet ushtarake të Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut

10 Gusht 2021, 10:49, Kosova & Bota CNA
Koreja e Veriut kritikon stërvitjet ushtarake të Shteteve të

Koreja e Veriut dënoi stërvitjet ushtarake të Shteteve të Bashkuara me Korenë e Jugut që fillojnë këtë javë, duke thënë se stërvitjet tregojnë për nevojën që Pheniani të zhvillojë më shumë aftësitë e tij ushtarake.

Agjencia e lajmeve Yonhap tha se Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut filluan të martën stërvitjen paraprake përpara stërvitjeve ushtarake të përvitshme verore.

Ushtrimet e simuluara me kompjuter po zvogëlohen mes pandemisë së koronavirusit dhe frikës se mund të shqetësojnë Korenë e Veriut, e cila kohët e fundit la të kuptohet se është e interesuar për dialog me Korenë e Jugut.

Por, pavarësisht përmasave ose formës, Koreja e Veriut i sheh stërvitjet ushtarake si një akt agresioni, tha të martën Kim Yo Jong, motra e udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un.

Sipas një deklarate të publikuar nga Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve, ajo tha se stërvitjet përkeqësojnë “situatën e paqëndrueshme” në Gadishullin Korean.

Për të përballuar “kërcënimet ushtarake gjithnjë në rritje nga Shtetet e Bashkuara, Koreja e Veriut do të avancojë më tej aftësitë e saj të “mbrojtjes kombëtare” dhe “goditjeve të fuqishme parandaluese”, shtoi ajo, pa dhënë më shumë hollësi.

Koreja e Veriut vazhdimisht ankohet për stërvitjet ushtarake vjetore, duke i parë ato si prova për pushtim.

Mesazhe të përziera

Përgjatë javëve të fundit, Koreja e Veriut ka dërguar mesazhe të përziera lidhur me qëndrimin e saj ndaj Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut.

Muajin e kaluar, dy Koretë njoftuan se Kim Jong Un dhe presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-in, kishin shkëmbyer letra kohët e fundit. Të dy burrat gjithashtu vendosën të rihapin disa linja telefonike ndër-koreane si një hap i parë drejt përmirësimit të marrëdhënieve.

Veprimet shtuan shpresat se Koreja e Veriut po lëvizte drejt angazhimit, pas gati dy vitesh refuzimi për të folur me Uashingtonin ose Seulin. Por vetëm disa ditë më vonë, Pheniani paralajmëroi se stërvitjet ushtarake SHBA-Kore mund të çojnë në tensione.

Nuk është një strategji e re për Korenë e Veriut, e cila është përpjekur prej kohësh të krijojë përçarje në aleancën ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut. Si pjesë e kësaj strategjie, Koreja e Veriut shpesh përdor si provokimet ashtu edhe premtimin për bisedime, shpesh në të njëjtën kohë.

Në qershor, Kim Jong Un, urdhëroi që vendi i tij të ishte i përgatitur për ?dialog dhe konfrontim? me Shtetet e Bashkuara.

Nën presidentin amerikan Joe Biden, zyrtarët kanë thënë vazhdimisht se janë të hapur për bisedime me Korenë e Veriut. Por si Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe Koreja e Veriut duket se mëdyshen të hedhin hapin e parë.

Përparësitë kundërthënëse të Koresë së Jugut

Situata është e ndërlikuar për presidentin e Koresë së Jugut, Moon, të cilit i ka mbetur më pak se një vit deri në fund të mandatit.

Duke vazhduar me stërvitjet, presidenti Moon rrezikon të dëmtojë shanset për bisedime ndër-koreane, të cilat janë një përparësi kryesore e administratës së tij të prirë nga e majta.

Por, presidenti Moon duhet të mbajë stërvitjet për të çuar përpara një tjetër nga qëllimet e tij kryesore: kalimin e kontrollit operacional luftarak të Koresë së Jugut nga Shtetet e Bashkuara te Seuli.

I ashtuquajturi kalimi OPCON nuk supozohet të ndodhë nëse nuk përmbushen standarde të shumta, përfshirë arritjet e Koresë së Jugut gjatë stërvitjeve ushtarake.

Shtetet e Bashkuara kanë 28 mijë e 500 trupa në Korenë e Jugut, një mbetje e e periudhës së luftës Koreane të viteve të 50-ta, e cila përfundoi me një armëpushim në vend se me një traktat paqeje. Sipas marrëveshjes aktuale, Shtetet e Bashkuara do të kontrollonin ushtrinë e Koresë së Jugut nëse shpërthente lufta.

Bisedimet e ngecura

Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut kanë zvogëluar ose anuluar stërvitjet gjatë pandemisë së koronavirusit, si dhe gjatë bisedimeve midis Kim Jong Un-it dhe ish presidentit amerikan, Donald Trump.

Ish presidenti Trump dhe Kim Jong Un, u takuan tre herë, përfshirë takimin e qershorit të vitit 2018, kur ranë dakord të punojnë drejt çarmatimit të plotë bërthamor të Gadishullit Korean.

Bisedimet u ndërprenë më vonë pasi Shtetet e Bashkuara refuzuan ofertën e Koresë së Veriut për të braktisur një pjesë të programit të saj bërthamor, në këmbim të lehtësimit të shumicës së sanksioneve amerikane kundër Phenianit.

Problemet e brendshme

Që atëherë, Koreja e Veriut është kërcënuar se do të rifillojë provat me raketa më rreze më të gjatë veprimi ose prova bërthamore.

Por, kohët e fundit Koreja e Veriut është përqendruar në çështjet e brendshme, të tilla si përmbytjet e mëdha, vala e të nxehtit dhe koronavirusi.

Koreja e Veriut vazhdon t’i thotë me këmbëngulje Organizatës Botërore të Shëndetësisë se nuk ka regjistruar asnjë infektim me koronavirus.

Në raportin e fundit, OBSH-ja tha se Koreja e Veriut ka gjetur zero raste te infektimeve në mesin e 35 mijë e 254 testeve për COVID-19.

Një shpërthim i koronavirusit mund të jetë shkatërrues për Korenë e Veriut, e cila është e varfëruar në shumë aspekte dhe ka një sistem të pabarabartë shëndetësor./VOA

Lajmet e fundit nga