LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Si u emërua Greta Koçi drejtoreshë kyçe e Flamur Nokës në Ministrinë e Brendshme/ Zbardhen kushtet dhe ‘orari i punës’

7 Gusht 2021, 07:08, Politikë CNA
Si u emërua Greta Koçi drejtoreshë kyçe e Flamur

Nga Adriatik Doçi

Është një nga rastet klasike të përdorimit dhe njësimit të Partisë Demokratike me administratën publike kur ishte në pushtet. Ende pa u mbushur një vit nga diplomimi për shkenca politike, këngëtarja Greta Koçi nisi karrierën në administratën publike.

Dhe jo duke ngjitur shkallët në bazë të konkurrimit dhe përvojës, por që ditën e parë të punës si drejtore e Drejtorisë së Marrëveshjeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Politikeve të Zhvillimit dhe Integrimit në Ministrinë e Brendshme.

Sot sjellim për herë të parë kontratën e emërimit që mban datën 9 prill 2013, dy muaj para humbjes së PD-së në zgjedhjet parlamentare dhe më pas largimin nga pushteti.

Dokumenti është firmosur nga Isuf Çelaj, i cili në atë kohë ishte Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Brendshme. Çelaj është zgjedhur deputet nën siglën e Partisë Demokratike në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021 dhe kësisoj do të jetë pjesë e Parlamentit të ri që do të konstituohet në shtator.

Ministër i Brendshëm ishte Flamur Noka, i emëruar nga Sali Berisha që në qershor 2012 në vend të Bujar Nishanit, i cili u zgjodh President. Në kontratën e firmosur për të filluar punë Greta Koçi si drejtoreshë në Ministrinë e Brendshme, mungon data e lindjes së këngëtares. Ndërkaq, data e fillimit të punës është shënuar katër ditë para datës kur është firmosur kontrata.

Dokumenti i punësimit parashikon 6 kushte që duhet të plotësojë këngëtarja. Një nga kushtet është edhe të respektojë orarin e punës, ndoshta më i vështiri për t?u përmbushur nga Greta Koçi, e cila kishte shumë angazhime artistike, por edhe politike.

Përpos koncerteve dhe publikimit të këngëve, Greta Koçi ishte edhe nënkryetare e Forumit Rinor të Partisë Demokratike, e zgjedhur që në tetor të vitit 2011. Pas vrasjeve të 21 Janarit 2011, ku nisi edhe izolimi i madh ndërkombëtar, Sali Berisha tentoi të ndryshonte imazhin, duke ofruar në parti edhe këngëtare.

Krahas Greta Koçit, ofroi edhe Çiljeta Xhilagën, e cila nisi të shfaqej gjithnjë e më shumë duke kënduar në mitingjet e PD-së. Pas largimit të PD-së nga pushteti dhe drejtimit të partisë nga Lulzim Basha, Koçi dhe  Xhilaga u larguan, si shumë edhe personazhe të tjerë.

Po si vijoi karriera e Greta Koçit në Ministrinë e Brendshme? Nuk ka të dhëna se si këngëtarja u larguar nga posti i drejtoreshës dhe as nëse është paraqitur ndonjë ditë në punë! Por, dihet tashmë se Partia Demokratike, menjëherë pas humbjes së pushtetit nisi të shqetësohej për fatin e njerëzve të saj në administratën publike.

Në vitin 2014, PD-ja kërkoi ngritjen e një komisioni hetimor për shkarkimet në administratë. Komisioni i u ngrit në janar të vitit 2015, por shumë shpejt u braktis nga anëtarët e PD-së./Shqiptarja.com

Lajmet e fundit nga