Connect with Us

Nga Lorenc Vangjeli/ SHBA është me shqiptarët, “ndërhyrja” amerikane është jetike për ta

Opinione

Nga Lorenc Vangjeli/ SHBA është me shqiptarët, “ndërhyrja” amerikane është jetike për ta

Publikuar

-

Nga Lorenc Vangjeli/ Mjekut Edvin Prifti po i hedhin gurë dhe hunj, ai është aset publik

Diplomatja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, ka zhvilluar një takim me kreun e PD-së, Lulzim Basha ku i ka kërkuar që Berisha të mos jetë ne parlament në muajin shtator. Si e shihni lëvizjen e diplomates, 2 muaj pas shpalljes “non grata” të ish kryeministrit Sali Berisha?

Ngjarja e vërtetë ka ndodhur në maj, me vendimin e sekretarit Blinken, ajo që shohim tani është pasoja. Në fillim vetëtima përvëluese e pasur nga bubullima, që në thelb janë pjesë e të njëjtës dukuri. Deklarimi i ambasadores Kim bëri shumë bujë për mënyrën sesi u artikulua dhe gjetjen e jashtëzakonshme për të përcjellë mesazhin.

Paralelja me një nga sloganet më të famshëm të komunizmit ishte kujtesë për atë që mund t’i ndodhë partisë së parë antikomuniste në vend. Eshtë mënyra për ta ftuar atë për të zgjedhur mes Shteteve të Bashkuara dhe zotit Berisha, mes të nesërmes që jep shpresë dhe të djeshmes që duhet të përfundojë, mes marrëdhënies jetike me aleatin strategjik dhe izolicianizmit.

Mes logjikës dhe ndjesisë, llogarisë për të tërën dhe hesapin për pjesën. Eshtë kaq e qartë. Kaq pa ekuivoke dhe kaq direkte. Nuk ka diplomaci në kuptimin klasik të fjalës, por ka politikë. Në mënyrën sesi duhet folur me politikanët shqiptarë që shohin më shumë se 51 hije tek grija e deklaratave dy kuptimëshe.

Shumëkush nga shqiptarët e frustruar në vite nga mënyrat orientale të qeverisjeve që kanë kaluar në këtë vend dhe nga pamundësia e tyre për të kushtëzuar e ndëshkuar me votë atë qeverisje, i kanë parë Shtetet e Bashkuara si shkopin magjik që mund të ndëshkonte mëkatarët, busullën për të dëshmuar drejtimin e duhur dhe gardianin zemërmirë të lirisë.

Dhe ata janë habitur kur reagimi u superfuqisë nuk ka qenë ai që do të donin në moment. Kanë qenë si ata besimtarët patetikë që besonin se lutja e mbrëmjes ishte realiteti që do t’i zgjonte në mëngjes. Dhe kur nuk ndodhte kështu, fajësonin jo pritjen e gënjeshtërt, por besimin pa kushte në Zot.

Shpresat naive për ta parë SHBA-në si aleat të njërës palë kundër tjetrës, është një nga marrëzitë më qesharake që shpiket në Tiranë nga dëshirat e pamundura dhe nga pafuqia për të ndryshuar një të vërtetë të thjeshtë: SHBA është aleate e Shqipërisë dhe jo e individëve larushë që popullojnë korridoret provincialë të politikës në Tiranë.

Nuk do shumë inteligjencë për të kuptuar se edhe Hoxha po të ishte gjallë sot e të qeveriste Tiranën, do të sillej si prift i moralshëm përballë Uashingtonit. Ndaj kush mendon se ka aftësi të ndikojë për mirë a keq në këto marrëdhënie, thjesht do të ishte qesharak përpara një publiku thellësisht proamerikan.

Nga ana tjetër, ajo që e bën serioze situatën, është shtimi i konsiderueshëm i zërave të sovranistëve, që qoftë për modë, qoftë për interes, qoftë me frymëzim të hershëm komunist e qoftë nga barrikada arkaike e antikomunizmit, po injektojnë në publik helmin e rrezikshëm të antiamerikanizmit.

E bëjnë një gjë të tillë duke e parë si të ndarë politikisht Uashingtonin në raport me palët në Tiranë, e bëjnë kur konsiderojnë se interesat amerikane janë të ndryshueshme si humori në Tiranë, e bëjnë kur nga vogëlsia e tyre epike gjykojnë se në SHBA ngrysen e gdhihen atë që i ndodh mjekrës gjithmonë e më të bardhë të Edi Ramës apo habiten me flokët gjithmonë pa thinja të Lulzim Bashës; e bëjnë kur mendojnë se matanë Oqeanit flitet për individë dhe jo për parimet që drejtojnë individët. Edhe në këtë rast nuk është fjala për individin Sali, por për fenomenin që duhet trajtuar.

SHBA udhëheq botën në dy mënyra që janë të njëjta si kur bëhet fjalë për veten e saj, për marrëdhëniet me aleatët apo dhe ish-armiqtë e mundur: njëkohësisht nëpërmjet forcës së shembullit dhe shembullit të forcës. Nuk ka gjë më të pathyeshme se e drejta morale e thënë nga pozitat e të fortit!

Nga pikpamja e patriotizmit skajor shqiptar, nga pikpamja e interesit thelbësor të kombit dhe faktorit shqiptar kudo në rajon, duhet të pranohet si aksiomë fakti që SHBA ka të drejtë edhe nëse e ka gabim. Eshtë fati më i madh i mundshëm që interesat amerikane përputhen me synimet e një populli të vogël, i cili shpesh ka qenë armiku më i egër i vetvetes! Kush guxon të ngrihet kundër kësaj ligjësie, herët a vonë duhet të numërohet në armiqtë e tij.

 

-A do jetë në gjendje dhe a do e ketë te mundur kryedemokrati Basha te largojë nga parlamenti babain e tij politik?

Besoj se kjo është një nga legjendat urbane në Tiranë që do të kuptohet shpejt si e tillë. Nuk është Basha peng i Berishës, por është kryetari i ri i PD-së pengmarrësi i paraardhësit të tij tashmë të pafuqishëm. Forca e zotit Berisha është gjithmonë e më e vogël, aftësia e tij për të ndikuar në politikë është gjithmonë e më modeste. Tashmë ai është ashtu siç e ka pikturuar veten në këto vite: një antar i thjeshtë i PD-së dhe jo vendimmarrje në të.

Dukja gënjen, por thelbi është pikërisht kështu, me përjashtim të faktit që Doktori ka pushtetin vetjak moral, atë që nuk e jep posti, por e krijon individi.

Edhe ky “duel” i supozuar se ka me SHBA-në, duket se e fuqizon atë. Një njeri shpesh vlen sa shuma e armiqve të tij. Dhe ky ishte rasti i zotit Berisha deri para se, për hir të interesave vetjake, të vetëvihej në shërbim të Lulzim Bashës. Sepse në politikë, politikani shpesh vlen sa shuma e miqve të tij.

Basha e ka plagosur Berishën që në maj të 2017-ës dhe e ka vrarë me grupin e tij të ri parlamentar, me rizgjedhjen në post dhe kuvendin e jashtëzakonshëm. Ajo që u pa në kuvend si shenjë force, ishte në fakt dobësia e të mbyturit që shkul flokët e veta. Shumëkujt do t’i dukej përqafimi i tyre si puthja e Judës në Malin e Ullinjve, por as Basha nuk është dishepulli “tradhëtar” dhe as Berisha nuk është Jezu Krishti i tradhëtuar. I pari është politikani tradhëtar, i dyti është mëkati që duhet qortuar!

LEXO EDHE:  Vetëvritet një politikan i njohur/ Ja për çfarë ishte akuzuar

Ka dhe një pikturë tjetër banale të raportin mes të dyve; shumë individë, edhe me zë të fortë publik, pretendojnë se nëse do të donte, Berisha me ca “trima” që i ka nën urdhëra, është në gjendje edhe të mos e lerë Bashën të hyjë në seli. Dhe e besojnë një gjë të tillë sinqerisht, edhe pse ka gjasa teorike që kjo gjë do të ndodhë.

Me kusht që Shqipëria të ishte një ishull dhe pa marrë parasysh se Berisha është më i dobët se Basha edhe për shkak të një rrjeti shumë të fortë interesash okulte që i ve ata në raport varësie. Gjërat e dukshme zakonisht refuzohet të quhen me emrin e tyre te vërtetë.

Këtë ka pasur parasysh Basha, kur siç thuhet shpesh në korridoret e politikës, ankohej rregullisht në gjuhë të huaj për të kundërtën: forcën e Berishës për ta kërcënuar. Roli më i jashtëzakonshëm në politikë është t’i përshtatësh veten paragjykimit të të tjerëve, me kusht që ai t’i shërbejë qëllimit të aktorit. Në këtë pjesë, Basha padyshim është i pakrahasueshëm me askënd.

-Është hera e parë që një ambasador i SHBA-së kërkon largimin nga parlamenti të një deputeti para se sezoni i ri parlamentar, ndërkohë që kemi pasur personazhe të tjera që janë shpall “non grata” dhe nuk ka pasur kërkesa të kësaj forme.

Dekriminalizimi i politikës apo dhe ndëshkueshmëria e njerëzve të politikës është një sipërmarrje gjithmonë e më e fortë amerikane për Shqipërinë. Eshtë akt në vijimësi për të bërë atë që sistemi në Shqipëri ka dështuar ta bëjë për një mijë e një arsye.

Herë pas here ka pasur paralajmërime për individë, por që nuk kishin ndonjë rëndësi te vecantë për publikun, por theksonin rëndësinë e parimit. Steka u ngrit me Prokurorin e Përgjithshëm dhe një numër mbreslënës gjyqtarësh e prokurorësh të lartë. Në rastin e zotit Berisha është vënë një stekë nën të cilën mund të kalojë cdo staturë më modeste se ajo e ish-presidentit dhe ish-kryeministrit shqiptar. Po kështu, ka të dhëna, por ende jo prova, për ekzistencën e një liste të gjatë me zyrtarë publikë që kanë llogari të frikshme bankare jashtë vendit.

Njëlloj si lista e famshme Lagarde për Greqinë e një dekade e ca më parë, ajo tregon pasuri të transferuara jashtë Shqipërisë në shifra të frikshme. Dyshon dot kush se ata që janë në gjendje të zotërojnë hapësirën, nuk mundin të gjejnë adresën e dyshekëve qipriote e italianë dje dhe britanikë e zviceranë sot ku pasanikët nga politika kanë fshehur paratë e grabitura???

 

-Kërkesa e ambasadores a është një ndërhyrje e hapur në punët e brendshme të një shteti apo subjekti politik siç komentohet nga “sovranistët”. Duket se Basha është në mëdyshje ku ka zëra se edhe mund të “dorëzojë” Berishën. Perse është kaq i shantazhueshëm Basha që në tetë vite në krye të PD vetëm ka humbur dhe “lëshuar” gjithcka?

Dhëntë Zoti që amerikanët të ndërhyjnë edhe më shumë në punët “e brendshme” të shqiptarëve. Nuk ka asnjë interes më të lartë jetik në Tiranë, Prishtinë apo Tetovë e kudo gjetkë që ka shqiptarë sesa siguria, stabiliteti dhe demokracia në hapësirën ku ata jetojnë.

Në një botë që është në një ndryshim dinamik dhe shpesh edhe problematik, marrëdhëniet me SHBA-në janë jetike për shqiptarët. Kështu që sovranistët janë të lutur kuptojnë se e kundërta, mban erë komunizëm dhe izolacionizëm. Dinjiteti i Tiranës nuk ruhet duke menduar se duhet të jetë vetë Tirana qendër vendimmarrjeje; mirë do të ishte nëse do të mundte të ecte me këmbët e saj ose të paktën të mos ishte qesharake në shartimin që i bën demokracisë me testikujt e tharrë të komunizmit feudal të hershëm. Ky është një problem shumë më i thellë sesa fati i një individi.

Ai ka të bëjë me raportin që shqiptarët kanë vendosur në vite me udhëheqësit e tyre. I adhurojnë si perëndi kur janë në pushtet, ju përmbysin varrin mbas vdekjes. Për të marrë shembuj që nga ish-mbreti komik Zogu i Parë, tek Hoxha që i dha fat tragjik këtij vendi dhe deri tek Berisha që ka hyrë në një duel tragjikomik me SHBA-në. Ajo që ata kanë bërë mirë apo keq kushtëzohet nga ajo që ata kanë bërë shumë keq në fund. Jetëshkrimi i një politikani kushtëzohet në qasje thelbësore nga mënyra sesi largohet nga pushteti dhe më pak nga mënyra sesi ka ardhur apo e ka mbajtur pushtetin.

Epilogu është më i rëndësishëm se prologu. Të tre këta individë e kanë kërkuar pushtetin si qëllim të vetëm dhe jo si një mjet për të realizuar qellime fisnike. Revolucionarë në fillim dhe autokratë më pas, të gatshëm të punojnë qindin për interes dhe të aftë t’i nënshtrohen interesave okulte, ata janë të tre viktimat perfekte të ëndrrës për pushtet të përhershëm. Që e kanë gjykuar dhe kërkuar si vendstrehim për t’u fshehur dhe për të mos u ndëshkuar nga mëkatet e kryera gjatë gjakimit për pushtet./ CNA.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Opinione

Nga Fatos Lubonja/ Si bashkëpunuan Rama dhe amerikanët për eleminimin e Berishës

Publikuar

-

Nga

Fatos Lubonja kritikon PD/ Pastrimi i partisë duhej bërë më herët

Lulzim Basha dhe mbështetësit e tij, pasi kanë shpalosur një çarçaf me meritat e mëdha të kapitenit “historik” të anijes PD, shtojnë në fund se ai duhet hedhur nga anija pasi lundrimi drejt pushtetit nuk mund të vazhdojë kështu, pasi me Berishën në anije na bombardojnë amerikanët.

“Nec plus ultra”, mos shko më tej, duket sikur i thonë ata mendimit të tyre. E kërkojnë amerikanët dhe pikë! Por a është vallë kështu? Absolutisht jo. Në këtë vendim të Lulzim Bashës ka që ç’ke me të një mendim kalkulues – fatkeqësisht të gabuar – që karakterizohet nga një hipokrizi alla shqiptarçe e katërfishtë: ndaj amerikanëve, ndaj Berishës, ndaj shqiptarëve dhe ndaj vetes.

Pse e them këtë? Pasi as ai dhe as mbështetësit e tij, duke menduar me dinakëri, s’kanë ndaluar asnjë çast tek argumenti që kanë dhënë amerikanët për të kërkuar largimin e Berishës nga Grupi Parlamentar i PD-së: “korrupsion i nivelit të lartë” që “ve në rrezik interesat amerikane”, – që do të thotë automatikisht edhe ato shqiptare.

Madje, tashmë argumenti amerikan i korrupsionit sikur është harruar edhe nga vetë amerikanët duke mbetur debati te vlerësimi i personit Berisha, aq sa Lulzim Basha ka bërë disa aludime, sipas të cilave informacione që i di vetëm ai, të bëjnë të mendosh se amerikanët kanë për Berishën prova shumë më të rënda sesa korrupsioni. Në këtë pikë vlen të shtrohet pyetja nëse vërtet korrupsioni përbën një shqetësim të vërtetë të opozitës shqiptare dhe të amerikanëve, apo është një pretekst për luftë politike – siç ka qenë këta tridhjetë vjet në Shqipëri?

Që në PD, me në krye Berishën, Bashën etj., nuk ka pasur e nuk ka impenjim të vërtetë në luftën kundër korrupsionit, kjo është provuar me kohë. Një nga karakteristikat kryesore të berishizmit (përveç shumë të tjerave, ku hyn edhe hipokrizia e shumëfishtë që po manifestojnë trashëgimtarët e tij) ka qenë pikërisht përdorimi i korrupsionit të kundërshtarit për të bërë korrupsion vetë.

Nuk ka person që e kupton më mirë këtë që sot po i bie mbi shpinë, sesa dora vetë Sali Berisha, sepse është ai që e inauguroi përdorimin e korrupsionit për korrupsion në vitet ‘90 me arrestimin (edhe me mbështetjen amerikane) të liderit të opozitës Fatos Nanos me qëllim dobësimin e opozitës. Për hir të së vërtetës, duhet thënë se ky moment shënon një pikë kulminante të berishizmit, si forma më e egër e luftës për eliminimin e kundërshtarit që kemi njohur.

Në periudhën e mëvonshme 1997 – 2013, ky mjet lufte mbeti në nivele retorike, pa arritur të bëhet agresiv deri në arrestime dhe konfiskime pronash të kundërshtarëve. Por me Ramën në pushtet, me kapjen e drejtësisë nëpërmjet së ashtuquajturës Reformë në Drejtësi, po arrijmë me shpejtësi në nivelet e berishizmit të fillimviteve ‘90, edhe pse në një trajtë më të sofistikuar dhe shumë më të vështirë për t’u luftuar. Dhe një nga vështirësitë është kontributi agresiv amerikan në këtë demagogji.

Po të lexosh analizat e përvojës së dështimit amerikan në Afganistan, siç është p.sh. shkrimi i “The Economist”, “Pse amerikanët vazhdojnë të ndërtojnë shtete klientelare të korruptuara?”, do të shohin se në vend që të çmontojnë sistemin e lidhjeve klientelare të korrupsionit, amerikanët i kanë paguar të pushtetshmit e korruptuar atje, për hir të paqes e stabilitetit.

Edhe atje amerikanët kanë ndihmuar në ngritjen e një institucioni që duhet të luftonte korrupsionin, por që në fakt u dobësua shpejt nga afganët e amerikanëve. Edhe atje, kur Karzai i fitoi për herë të dytë zgjedhjet me manipulim, gëzoi mbështetje amerikane. Si përfundim, doli se kishin ndërtuar një shtet fasadë “të ngjashëm me fshatin Potemkin”, që u shkërmoq sapo ata vendosën të ikin.

Pyetja në rastin tonë shtrohet nëse amerikanët – ose ai grup lobistësh amerikanë që po përdorin etjen e papërballueshme për protagonizëm të ambasadores Kim – janë të paaftë të mësojnë nga dështimet e tyre apo e përdorin edhe ata korrupsionin me të njëjtën metodë. Të vjen vetvetiu kjo pyetje duke parë se argumenti amerikan se Berisha po ndëshkohet pasi, nëpërmjet korrupsionit, ka vënë në rrezik interesat strategjike amerikanë çalon me të dyja këmbët: si mjet dhe si rezultat.

Çalon si mjet sepse, sikurse do të thoshte edhe vetë Rama i fushatës elektorale të 2013-tës, Berisha nuk ka bërë korrupsion vetë, por në sajë të ngritjes së një sistemi korruptiv, ku biznesi shqiptar, ndryshe oligarkët shqiptarë, nuk funksionojnë sipas rregullave të tregut të lirë, por si klientë të partive në pushtet – çka dora-dorës i ka shndërruar ose në kapës të shtetit duke i bërë deri deputetë e ministra, ose në të kapur prej shtetit.

Ky është thelbi i berishizmit për sa i përket korrupsionit. Dhe problemi është se ky berishizëm gjatë tetë vjetëve të Ramës është fuqizuar dhe sofistikuar në nivele shumë më të larta, sepse oligarkët që akuzoheshin nga Rama për korrupsion me Berishën, sot punojnë të gjithë me Ramën, sipas të njëjtit sistem; sepse shumica e mediave të këtyre oligarkëve (apo të sponsorizuara prej tyre), deri edhe gazetarë që i kanë shërbyer berishizmit më të egër të viteve ‘90, sot i shërbejnë Ramës me të njëjtin stil.



Dhe, po t’u shtosh këtyre faktin se gjatë qeverisjes Rama, krimi i organizuar ka njohur një hop cilësor drejt kapjes së jetës politiko-ekonomike shqiptare, nuk mund të mos vijmë në konkluzionin e Ramës së viteve 2013 se në Shqipëri edhe një gjerman, po të vijë do të korruptohet. Në këto kushte, çështja shtrohet: çfarë ndodh në një vend ku zor të gjesh “gjerman”, të cilit, për shkak të sistemit, të mos mund t’i ngresh dot një akuzë për korrupsion dhe ku pushtetarët nuk punojnë për çlirimin e “gjermanit” nga ky sistem, por për sundim dhe përfitim korruptiv nëpërmjet kapjes së tij?

LEXO EDHE:  Si u vodhën zgjedhjet në SHBA

LEXO EDHE:  Si u vodhën zgjedhjet në SHBA

Përgjigjja është ajo që po ndodh sot me “gjermanin” Berisha: “gjermanin” e shantazhon, deri dhe e fut në burg po të doli kundër, për t’i hapur rrugë një abuzimi të pakontrolluar me pushtetin. Sulmi ndaj Berishës është bërë me këtë metodë që inauguroi Berisha në 1993.

I kthehemi edhe një herë pyetjes: a janë kaq miopë amerikanët sa Rama ka arritur t’i manipulojë apo po e përdorin edhe ata luftën ndaj korrupsionit si instrument për të mbështetur autokratin për interesat e tyre? Sa më shumë kalon koha, aq më shumë po provohet se kemi të bëjmë me një përdorim të ndërsjellë. Për sa i përket Ramës manipulator, vlen të kujtojmë se përdorimin e luftës ndaj korrupsionit për të eliminuar kundërshtarët, duke përdorur ndërkombëtarët, e ka zanat të vjetër.

Kujtoni “Mjaft” të Erjon Velisë, sesi lindi me mbështetje financiare ndërkombëtare ambasadash dhe fondacionesh si ai Soros, kundër ish-komunistëve të korruptuar Nano-Berisha, por që i mbajti sytë mbyllur ndaj supermekanizmit korruptiv me oligarkë ndërtues dhe pronarë mediash që kishte ngritur Rama në Bashkinë e Tiranës – aq sa i doli shprehja “një pallat, një votë”.

Se kush qëndronte prapa “Mjaft”-it, sot e kanë të gjithë të qartë. Edhe rezultatin po ashtu e kemi, po e shohim nëpërmjet masakrës që po i bën krimi i organizuar qytetit të Tiranës. Eliminimi i dyshes Berisha – Meta me dorën ndërkombëtare është stratagjemë së njëjtës mendje ku, paradoksalisht, vendin e Erjon Velisë sikur po kërkojnë t’ia ngarkojnë Lulzim Bashës. Për sa u përket amerikanëve, nuk gjykoj se kanë rënë pre e manipulimit të Ramës nga naiviteti.

Sepse duke parë veprimet e tyre, nuk mund të mos shtrosh disa pyetje parimore: nëse Shqipëria qenka vend kaq i pasigurt për interesat amerikane, saqë një ish-President, ish-Kryeministër shpallet armik i Amerikës, si ka mundësi që e trajtojnë këtë vend kaq të brishtë si vend të sigurt ku mund të depozitojnë armët kimike siriane për t’i çmontuar, ta bëjnë vendstrehimin e muxhahedinëve opozitarë të regjimit iranian apo të sjellin edhe afganët, ndërkohë që vende të tjera të NATO-s, shumë të konsoliduara e të fuqishme, hezitojnë për shkaqe sigurie të vendeve të tyre?

Poende, nëse vërtet kanë hallin e popullit shqiptar që, për shkak të korrupsionit, po ikën masivisht në emigracion, aq sa në 10 vjetët e fundit 60000 fëmijë në moshën e adoleshencës janë braktisur qëllimisht nga prindërit nëpër Europë pasi nuk shohin të ardhme për ta në Shqipëri, si ka mundësi që nuk reagojnë fare ndaj korrupsionit të Ramës. Poende, si nuk reagojnë as ndaj Lulzim Bashës dhe mbështetësve e tij kur i shohin të vazhdojnë ta ngrenë në qiell trashëgiminë e Berishës në vend se të përqafojnë seriozisht argumentin amerikan të korrupsionit?

Madje, po t’i besojmë së dhënës që qarkullon nëpër media se kanë përdorur si presion ndaj Bashës kërcënimin se përndryshe do ta shpallnin edhe atë “non grata”, a nuk na çon edhe kjo, së bashku me çka rreshtova më sipër, në idenë se ata nuk kanë hallin e liderëve të korruptuar, por se si t’i përdorin liderët e korruptuar për qëllimet e tyre?

Megjithatë, tek e fundit, përtej qëllimeve e mjeteve, që mbeten të diskutueshme, rezultati është se amerikanët – gjithmonë në kuptimin e grupit të lobistëve amerikanë që po përdorin etjen e papërballueshme për protagonizëm të ambasadores Kim – po kontribuojnë në fuqizimin dhe sofistikimin e berishizmit si në partinë në pushtet, edhe në partinë më të madhe opozitare, të cilën e kanë çuar në pikën më të dobët historike për sa i përket forcës dhe kredibilitetit.

Me këto praktika, dështimi i tyre në Shqipëri është i garantuar. Madje, mund të them se tashmë ai është një realitet që nuk duan ta shohin sepse “talebanët” e kanë marrë tashmë pushtetin në Shqipëri, – kam parasysh me këta krimin e organizuar në pastrimin e parasë.

Prokurori i mirënjohur italian, Gratteri, autor midis të tjerash i librit “Si Ndrageta u bë klasë drejtuese” në një intervistë të dhënë kohët e fundit, thotë: “nëse askush (në Perëndim) nuk i kundërvihet mafies shqiptare në Shqipëri, këta do të bëhen shumë të fuqishëm shumë të pasur sepse kanë mbrojtje në të gjitha nivelet dhe do të shpërhapen e të hyjnë në Evropë…”.

Problemi amerikan është se ata po i trajtojnë talebanët tanë si “our son of the bitch” (birin tonë të kurvës) dhe siç e ka provuar historia, ka shumë rrezik të veprojnë kështu deri kur këta t’u bien ndesh interesave të tyre. Do të doja ta mbyllja këtë shkrim duke shtuar: prandaj është detyre e shqiptarëve të përveshin mëngët nëse nuk duan të jetojnë nën sundimin e “talebanëve” të tyre, por duke i parë shqiptarët kaq të nënshtruar dhe kaq të tradhtuar, po e mbyll duke uruar të ndodhë ndonjë mrekulli që t’i shpëtojë./ CNA.al

LEXO TE PLOTE

Opinione

Nga Flamur Kuçi/ Për një debat të vërtetë, të moralshëm dhe të dobishëm në PD

Publikuar

-

Nga

cna news, cna lajme, lajme cna, lajme flash cna, cna.al, cna lajme politike, cna kronike, cna lajme bote, cna show

Qëndrimi i Kryetarit të PD ndaj ish Kryeministrit Berisha për shkak të shpalljes ‘non grata’ të këtij të fundit nga Shtetet e Bashkuara ka marrë të gjithë vëmëndjen e një dueli në distancë brenda PD. Ndjeshmëria e mbështetësve të PD ndaj këtij debati është e kuptueshme dhe ndoshta e vetmja gjë e justifikueshme në këtë zhvillim.

Ndërkohë qëndrimet janë reduktuar në ‘pro’ apo ‘kundër’ pa u ndalur shumë në vërtetësinë, moralin dhe dobishmërinë e këtij dueli në distancë.

Shtrohet pyetja; Sa i vërtetë është ky duel? Përtej retorikës në dukje të ashpër (me të cilën PD ështe historikisht familiare) aksionet konkrete lënë vend për të qenë skeptik. Basha, duke u justifikuar publikisht me presionin e ndërkombëtarëve (pohim që në vetvete e asgjeson vlerën e qëndrimit të tij duke e kthyer atë veç në një xhest dhe jo aksion politik), ia ka dalë ta vërë në diskutim vërtetësinë e të vetmit veprim të tij në këtë situatë.

Nga ana tjetër, Berisha, këtij gjysëm veprimi i është përgjigjur vetëm me retorikë. Berisha e di mirë që përjashtimi i tij nga Grupi Parlamentar i PD adresohet, sfidohet apo konkretizohet brenda Grupit Parlamentar dhe jo në strukturat e partisë. Është interesant fakti që përtej retorikës, Berisha nuk ka marrë asnjë veprim sfidues ndaj aktit të Bashës brenda Grupit Parlamentar. Madje, në një situatë në dukje kaq dramatike, as në mbledhje të këtij grupi nuk ka marrë pjesë, megjithëse ka deklaruar që do merrte pjesë ‘kur t’i teket..’
Endja për të ndërmarrë një fushatë takimesh në bazë, edhe pse mund të jenë gjetje interesante për të prodhuar retorikë, nuk ka asnjë shans për të provokuar një vendimarrje politike efektive.

Kjo qasje madje është mjaft e ngjashme edhe me veprimin a atakimit të vendimit të Sekretarit të Shtetit në Gjykatën Korreksionale të Parisit, që njësoj, është gjetje interesante për të prodhuar retorikë, por nuk ka asnjë shans për një vendimarrje efektive.

Nga kjo pikpamje retorika e ngritur shërben për një galvanizim të qëndrimeve ‘pro’ apo ‘kundra’ palëve, por nuk ka gjasa të gjenerojë domosdoshmërisht një produkt apo vendimarrje politike. Palët nuk janë kaq të padijshme, ndaj është më racionale të dyshohet në vërtetësinë e qëndrimeve të palëve.

LEXO EDHE:  Frika nga COVID-19 në krye të listës së shqetësimeve të amerikanëve

LEXO EDHE:  Vaksinat anti-Covid/ Virologu: Dozat e para në Shqipëri do vijnë si ndihma

Për mbështetësin e ndershëm të PD duhet të jetë me interes të kuptohet edhe nëse dueli në distancë është apo jo i moralshëm.
Nga njëra anë Basha pretendon që vendimin e ka marrë zemërthyer, pasi Berisha nuk e meriton të përjashtohet nga Grupi Parlamentar, por është nën presionin e partnerëve ndërkombëtar.



Normaliteti e qetësia me të cilin Basha bën këtë pohim veçse tregon se sa apolitik është ky personazh.

Më shumë sesa dikotom, qëndrimi i Bashës është thjesht i pamoralshëm. Për të njëjtin lloj rasti (shpalljen ‘non grata’ të një deputeti të maxhorancës) PD dhe Basha kanë mbajtur qëndrime të kundërta, duke argumentuar heqjen e mandatit të deputetit si homologim të shpalljes ‘non grata’ me ‘dëbimin’ nga një shtet aleat, çka e bën deputetin subjekt të ligjit të dekriminalizimit.

Nga ana tjetër Berisha retorikën e tij e ka ndërtuar edhe mbi moralitetin e vendimit dhe qëndrimit të Bashës. Por kjo retorikë është veç simetrike me atë të Bashës, por jo domosdoshmërisht e moralshme.

Tashmë është ‘sekret publik’ fakti që Berisha ka qenë, jo thjesht me shkelje Syri, mbrojtësi më i madh i abuzimit, keqdrejtimit dhe bjerrjes së PD nga kasta sunduese e dy mandateve të fundit. Ndjesa me justifikimin se “nuk e paskam njohur Bashën” është po aq e pamoralshme sa kërcënimi ndaj kritikëve të Bashës, (pas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2017) për “mosnjohje të kontributeve brenda PD nëse nuk rreshtohen në mbështetje të kryetarit Basha”.

Por nëse debate është i pavërtetë dhe i pamoralshëm, si mund të jenë i dobishëm për PD? A do mund t’i shërbejë ky duel PD-së apo do limitohet në ‘larjen e hesapeve’ me Lulin deri në piketimin e Lulit të radhës? Ajo çfarë do të ishte e dobishme për PD është nxitja dhe përballimi i një debati mbi orjentimin politik pro-perëndimor të PD, qëndrimin kritik ndaj fenomenit të korrupsionit në qeverisjen e PD edhe pse 8 vjet në distancë dhe mbështetjen e procesve që synojnë ndërprerjen e ciklit të pandëshkueshmërisë.

Vetëm atëherë PD mund të shpresojë të rifitojë besimin e publikut.

LEXO TE PLOTE

Opinione

Nga Çim Peka/ Ky djalë nuk resht së surprizuari

Publikuar

-

Nga

cna news, cna lajme, lajme cna, lajme flash cna, cna.al, cna lajme politike,

‘Nuk ka për të patur kuvend të Partisë Demokratike që shqyrton vendimet e qeverisë Amerikane’. Kjo ishte shprehja që artikuloi Lulzim Basha sot.

Një mendje me thotë, ti përgjigjem siç e meriton, por prape frenohem për shkak të njëfarë raporti qe kam patur me të këto vite.

Po i përgjigjem nëpërmjet Arben Imamit.

Pas katrahurës së zgjedhjeve te 2017, dhe rrëmujës për rizgjedhjen e tij si kryetar (i vetë-ngrirë), në muajin shtator të atij viti, Basha mbledh kryesinë e partisë. Ndryshe nga parafolësit që i ulërinin dhe e fyenin, Imami u shpreh kështu:

‘Dëgjo mor djalë. E para, i vetmi konflikt që kemi ne si kryesi me ty si kryetar, është se ne kemi dashur që ti të bëhesh kryeministër, ndërkohë që ti nuk ke dashur. Së dyti, nëse i referohemi teorisë së probabilitetit, sikur ti të ishe një njeri me inteligjence zero, probabiliteti që ti të merrje vendime të drejta do të ishte 50/50. Por ti je një rast ekzemplar në botë, që ka nevojë për studim shkencor.

Sepse je njeriu i vetëm në botë, që 100% të vendimeve që ke marrë, i ke patur në dëmin tënd’.

Që goditja ndaj Berishës është një plan i mirë menduar midis Bashës dhe Ramës kjo është evidente. Po ju jap vetëm një fakt. Të nesërmen e 25 prillit, Lulzim Basha krijoi një slogan të ri. Pas çdo fjalie të shprehur në publik, ai shtonte fjalën; ‘Rama-Doshi-Rakipi’.

Kujtojmë që Doshi dha dorëheqjen menjëherë pas daljes së rezultatit, për shkak se ishte person i shpallur ‘non-grata’. Kjo histori zgjati tre javë. Derisa DASH shpalli dhe Berishën.



Nga ajo dite, slogani i Bashës u ndryshua. U hoq emri i Rakipit. U la vetëm dyshja ‘Rama-Doshi’. Rama si kryeministër, dhe Doshi si person i shpallur non-grata. Të njëjtën gjë bënë edhe rrethi i ngushte i Bashës në parti. Mesazhi qe Basha po kërconte ishte evident: Rama ka Doshin, i cili është non-grata dhe u detyrua te dorëhiqet. Unë kam Berishën.

Kjo është pjesa e ligësisë se tij. Për këtë pjese as Sali Berisha nuk ja vë veshin shume se ai është i mësuar me thika pas shpine. Basha është i ri në parti e nuk e di historinë e saj në 1990-2005. Ai nuk është as i pari e as i fundit. Ajo që më bën vërtet përshtypje është profecia e Arben Imamit.

LEXO EDHE:  Vaksinat anti-Covid/ Virologu: Dozat e para në Shqipëri do vijnë si ndihma

LEXO EDHE:  Frika nga COVID-19 në krye të listës së shqetësimeve të amerikanëve

Të dalësh si kryetari i partisë dhe të deklarosh se unë nuk lejoj mbledhjen e Kongresit, kur me statut nuk ke asgjë në dorë, dhe nuk të pyet njeri, vetëm një Bashë e bën këtë. Nuk ka të dytë. Të deklarosh në grup parlamentar se Berisha ka gjithë partinë me vete, por unë nuk lejoj mbledhjen e kongresit, prapë vetëm një Bashë mund ta thotë këtë. Të deklarosh se baza që mbështet Berishën është anti-amerikane, por unë si kryetari i tyre jam pro-amerikan, vetëm një Bashë e bën.

Sot doli dhe shqiptoi gomarllëkun e radhës: ‘Nuk ka për të patur kuvend të Partisë Demokratike që shqyrton vendimet e qeverisë Amerikane’. E para Lul, Kongresi nuk është për Amerikën, por për ty. Dhe ti e di mirë këtë punë. E dyta, kongresi do të mblidhet sepse as nuk të pyet kush ty dhe as nuk mund ta ndalosh. E treta, kongresi do të mblidhet e do të shkarkojë me një fishkëllimë, dhe ti përsëri e di këtë. E katërta do të shkarkohesh jo për Berishën, por për atë çfarë ti i ke bërë Partisë Demokratike. Me çadrën, me bojkotin, me faljen e pushtetit vendor, me shkopinjtë e gomës, me gazin lotsjellës, me burgimet e protestuesve.

Nga sot e tutje, teoria e Lulzim Bashës është se shkarkimi i tij nga Kongresi është anti-amerikane.

Në dy takimet e para të Berishës me bazën e partisë, një gjë është evidente. Më në fund Lulzim Basha ka arritur ta mund Ramën, duke zënë vendin e parë si njeriu më i urryer nga demokratët. Nëse vazhdon me këtë linjë edhe për ca ditë, jo pa parti, apo edhe pa Salianjin do të ngelet. Pasi ka përdhosur çdo demokrat, se fundi Basha ka vendosur t’u fyejë edhe inteligjencën me gomarllëqet e tij.

Askush nuk mund të ndalohet në budallallëkun e tij, por një gjë mund ta sigurojmë: nëse vazhdon në këtë rruge, atëherë demokratët do ti tregojnë se kush është anti-amerikani i vërtetë. Dhe kur të ndodhë kjo, shumë prej nesh do të na vije turp me veten.

Të paktën atyre që e mbështeten në kohë të ndryshme./ CNA.al

LEXO TE PLOTE