Connect with Us

Përfaqësuesi i Lartë për Bosnje-Hercegovinën: Unë mbështetem te brezi i ri!

Bota

Përfaqësuesi i Lartë për Bosnje-Hercegovinën: Unë mbështetem te brezi i ri!

Publikuar

-

Përfaqësuesi i ri i Lartë për Bosnjë-Hercegovinën, politikani gjerman, Christian Schmidt dëshiron ta afrojë vendin më shumë me BE dhe të ndërpresë rrjedhjen e turit sidomos të të rinjve nga vendi.

DW: Zoti Schmidt, më 1 gusht ju morët detyrën e Përfaqësuesit të Lartë për Bosnjë dhe Hercegovinën në Sarajevë në një kohë, kur vendi është ndoshta më keq se kurrë, të rinjtë largohen, situata politike është e vështirë dhe ky post është dobësuar shumë vitet e fundit nga paraardhësit tuaj. Si mund t’i kundërviheni ju kësaj situate?

Christian Schmidt:  Mendoj se duhet të sqarojmë tri gjëra. Së pari: Unë vij si politikan, jo si diplomat. Ndonjë fjali mund të mos jetë shumë diplomatike, por e qartë, për atë që pres. Në rradhë të parë duhet ta bëjmë të qartë: Ideja e ndjekur vitet e fundit se zhvendosjet e territoreve do të ishin një formë për zgjidhjen apo qetësimin e konflikteve të mundshme në Ballkanin Perëndimor nuk është solide. Ndodh gjithmonë vetëm shkëmbimi i një pakice me një pakicë tjetër. Prandaj integriteti territorial i shteteve në Ballkanin Perëndimor mbetet i tejet i domosdoshëm.

E dyta është pyetja: Si mund të arrihet funksionimi i një shteti në një vend me madhësinë e Saksonisë së Poshtme, me më pak banorë se Berlini, por që ka 137 ministri – si mund të arrihet një qeverisje më e mirë atje? Ku duhet inkurajuar? Ku duhen thjeshtuar gjërat?

Dhe e treta: Nëse është kështu, si thonë shifrat, se 70 përqind e të rinjve nga Bosnje -Hercegovina preferojnë të shkojnë diku tjetër për të kërkuar të ardhmen e tyre, atëherë kjo nuk është gjë e mirë. Ne duhet të fokusohemi te brezi i ri, BE, Përfaqësuesi i Lartë dhe të gjithë me njëri-tjetrin. Sepse të fokusohemi vetëm te zotërinjtë me thinja, nuk do te jetë e mjaftueshme. Unë llogaris me brezin e ri!

Tani në fillim të detyrës i keni në një farë mënyre duart e lidhura. Fillimi juaj është vështirësuar, sepse Rusia vë në dyshim legjitimitetin e emërimit tuaj. Edhe Milorad Dodik nga Republika Srpska, të paktën për momentin, nuk ofron perspektivën e bashkëpunimit. Si doni t`i integroni këto forca? Apo si do t’i kundërviheni këtyre kundërshtimeve, në mënyrë që pozicioni juaj të mos jetë i destinuar të dështojë që në fillim?

Unë jam politikan prej 30 vjetësh – dhe jam mësuar të punoj dhe të veproj me kontradikta, me opozitë apo me mendime të tjera. Dhe do të thoja për të gjithë ata që po përpiqen të pozicionohen tani, se unë jam relativisht me përvojë dhe kam përjetuar shumë! Dhe kjo do të thotë, se nuk heq dorë nga vullneti im për të dhënë një kontribut në Bosnjë-Hercegovinë, për mua është më tepër një ftesë për të biseduar me të gjithë.

Vendimi i fundit i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (Rusia dështoi më 23 korrik 2021 me një mocion kundër zyrës së Përfaqësuesit të Lartë në Këshillin e Sigurimit të OKB -së – shënim i redaktorit) nënkupton forcim të pozitës së Përfaqësuesit të Lartë dhe kompetencave të tij. Kjo më jep mua një bazë të mirë për të zbatuar detyrën e Përfaqësuesit të Lartë sipas kompetencave, që më ka dhënë bashkësia ndërkombëtare.

Por unë kurrë nuk do të luaj rolin e të qenit atje për interesin e dikujt. Unë duhet të jem atje për të gjithë në mënyrë të barabartë. Kjo vlen edhe për serbët. Edhe serbëve u është dashur të durojnë dhe të përjetojnë në këtë rajon fate të këqija. Për këtë arsye disa gjëra nuk mund të shihen në mënyrë të njëanshme. Për të gjitha temat dhe të gjitha etnitë, domethënë për ata që nuk janë kroatë, nuk janë boshnjakë, nuk janë serbë, por që janë për shembull hebrenj ose drejtime të tjera – edhe për ata duhet të kujdesem.

Rusia dhe Kina kanë bërë të ditur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së se do të vazhdojnë të dobësojnë pozicionin e Përfaqësuesit të Lartë dhe se mund të mos e zgjasin vitin e ardhshëm. Si mendoni ta kundërshtoni këtë?

Me gjithë respektin Këshilli i Sigurimit i OKB-së nuk mund ta bëjë këtë, vetëm shtetet nënshkruese të Traktatit të Paqes së Dejtonit mund ta bëjnë. Fuqia që unë marr, nuk vjen vetëm nga drejtimi i përbashkët evropian, por nga fakti që Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë kthyer dhe mund të vijnë me një angazhim për Ballkanin Perëndimor. Unë e vlerësoj punën e Presidentit Biden prej vitesh, gati dekadash, në këtë kohë të gjatë që njihemi … Dhe pastaj unë mendoj se kemi një pikënisje shumë të mirë. Edhe që unë mund t’i raportoj Këshillit të Sigurimit dhe që ai mund ta përfundojë punën, kur ajo të mos jetë më e nevojshme, për shembull kur Bosnje-Hercegovina të jetë anëtare e Bashkimit Evropian.

Deutschland, Berlin | Adelheid Feilcke im Gespräch mit Christian Schmidt
Adelheid Feilcke duke intervistuar në Berlin

Një temë e rëndësishme është sigurisht gjenocidi, dhe tani aktual ligji kundër mohimit të gjenocidit i arritur nga Përfaqësuesi i Lartë në largim Valentin Inzko. Në Gjermani njihet ky debat dhe ka një zgjidhje të qartë për të. Cili është mendimi juaj?

Nëse e lexoj drejt direktivën e Bashkimit Evropian, atëherë Bashkimi Evropian kërkon pikërisht një ligj, që është etnikisht neutral. Nuk ka rëndësi, nëse dikush ka qenë kroat apo serb, por nëse ka bërë diçka, që mban faj. Kur e shoh këtë, atëherë gjatë rrugës për në Evropë kjo pyetje do të bëhet përsëri, dhe jo vetëm nga Përfaqësuesi i Lartë. Atë nuk mund ta fshish nga tryeza. Le të shohim se çfarë zhvillimi do të ketë. Nëse mendoni se mund ta ndryshoni shoqërinë me një ligj të tillë, atëherë gaboni. Duhet hyrë shumë më tepër në informacion, edhe në narrativën etnike, dhe si aleat në këtë veprim unë shoh brezin e ri, që aktualisht indoktrinohet, ndonjëherë në një mënyrë të papranueshme.

Ju jeni Përfaqësuesi i dytë i Lartë gjerman. A flet kjo për shtimin e angazhimit gjerman në Bosnjë-Hercegovinë? A sillni me vete mbështetje gjermane, angazhim gjerman, që shkon përtej personit tuaj?

Patjetër! Unë nuk do të jem atje vetëm me staf dhe eskpertë nga vendi ynë. Besoj se edhe qeveria gjermane do të angazhohet më shumë. Kjo mund të shihet në një lidhje të caktuar politike me procesin e Berlinit. Kancelarja ka idenë e qartë se ne duhet ta çojmë përpara rajonin me masa konkrete, të bashkëpunimit ekonomik rajonal evropian apo në çështje të tjera  Dhe sinjali duhet të jetë: Ne jemi atje! Ne ju mbështesim! Ne shohim të njëjtën përgjegjësi për ju bashkë-evropianët, ashtu siç shihni ju për ne.

Dua të them me këtë rast, se e vlerësoj si një gjest shumë fisnik dhe të respektueshëm faktin që qeveria e Federatës (shënim i redaktorit: etniteti i Bosnjë-Hercegovinës i populluar kryesisht nga boshnjakë dhe kroatë) i ofroi ndihmë Republikës Federale të Gjermanisë pas përmbytjeve. Ne nuk duam të arrijmë një marrëdhënie paternaliste, por një marrëdhënie të barabartë. Për këtë gjermanët janë të njohur se orientohen në këtë drejtim. I jam shumë mirënjohës kancelares dhe shpresoj që Procesi i Berlinit do të vazhdojë, sepse ka ende shumë për të bërë!

Sikur të ishit sot në përfundim të mandatit tuaj, për cilat arritje do të donit të krenoheshit?

Unë dua që ikja e trurit të ndërpritet, që të rinjtë e arsimuar mirë të shohin një mundësi, jo vetëm nga pikëpamja financiare, por nga kushtet e jetesës dhe rrethanat, që ata të mund të zhvillohen atje. Që diversiteti etnik, që ndonjëherë shihet si disavantazh në Bosnjë-Hercegovinë, të kthehet në avantazh. Dhe që vendi të përparojë ekonomikisht, shkencërisht dhe nga ana kulturore.

Përfaqësuesi i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Bosnje-Herzegovinën është përgjegjës për mbikëqyrjen e Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit. Christian Schmidt, CSU, ish-ministër federal i Bujqësisë (2014-2018), që nga viti 1990 anëtar i Bundestagut gjerman, është politikani i dytë gjerman, që merr këtë detyrë. Nga 2006-2007 këtë pozicion e mbajti Christian Schwarz-Schilling, CDU, ish-ministër federal i Postës.

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Bota

Foto-Njerëz të alarmuar dhe ndërtesa të rrëzuara/ Pamjet pas tërmetit të fuqishëm në Australi

Publikuar

-

Nga

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 5.8 ballë të shkallës Rihter ka goditur Australinë juglindore, duke shkaktuar dëme të mëdha në ndërtesat e qytetit Melbourne.

BBC raporton se lëkundja ka ndodhur rreth orës 9:15, sipas asaj lokale dhe epiqendra e saj ishte Mansfield.



Po ashtu raportohet se tërmeti fillestar, u shoqërua dhe nga 2 pas goditje me magnitutë 4.0 dhe 3.1.

Në pamjet e publikuara, shihen dëmet e shkaktuara dhe momentin e lëkundjeve brenda një apartamenti.

LEXO TE PLOTE

Bota

Talebanët: Nuk ka al-Kaida apo Shtet Islamik në Afganistan

Publikuar

-

Nga

cna news, cna lajme, lajme cna, lajme flash cna, cna.al, cna lajme politike, cna kronike, cna lajme bote, cna show

Grupi taleban ka hedhur poshtë si “propagandë të pabazë” shqetësimet amerikane se al-Kaida, apo militantët e lidhur me grupin terrorist të Shtetit Islamik me bazë në Lindjen e Mesme, kanë një prani në Afganistan.

Zëdhënësi i talebanëve Zabihullah Mujahid i bëri pohimet në një konferencë shtypi në Kabul vetëm disa ditë pasi dega rajonale e Shtetit Islamik, ISIS-K, mori përgjegjësinë për një sërë sulmesh vdekjeprurëse me bombë gjatë fundjavës që kishin në shënjestër luftëtarët talebanë në provincën lindore të Nangarharit.

Zëvendësdrejtori i Agjencisë Qendrore Amerikane të Zbulimit David Cohen tha javën e kaluar se SHBA-ja “ka nisur tashmë të shohë disa nga shenjat e një lëvizjeje të mundshme të al-Kaidës në Afganistan”.

“Por janë ditët e para”, tha zoti Cohen në një panel diskutimi gjatë një samiti mbi çështje të zbulimit pranë Uashingtonit. Ai tha se Al-Kaida mund të ringrihej brenda një viti. “Ne padyshim do ta vëzhgojmë nga afërt këtë çështje”, shtoi ai.

Por zoti Muxhahidi i hodhi poshtë këto qëndrime.

Një kabinet qeveritar vetëm me burra



Zëdhënësi i talebanëve Zabihullah Mujahid foli gjatë konferencës për shtyp të së martës kryesisht për të njoftuar një zgjerim të qeverisë së përkohshme dy javore talebane, por ai nuk përmendi asnjë grua në kabinetin prej rreth 60 anëtarësh.

Zabihullah Mujahid këmbënguli se qeveria talebane përfaqësonte të gjitha etnitë afgane, duke thënë se gratë do të shtohen në kabinet në një fazë të mëvonshme, por pa thënë se kur. Ai i bëri thirrje Kombeve të Bashkuara, SHBA-së, Bashkimit Evropian si dhe fqinjëve të Afganistanit, që të njohin qeverinë e Kabulit.

Ndërkohë disa prej anëtarëve kryesorë të kabinetit taleban janë në listën e zezë të SHBA-së dhe OKB-së.

Uashingtoni dhe vendet e tjera pohojnë se do t’i gjykojnë talebanët bazuar në veprimet e tyre dhe se njohja e një qeverie të udhëhequr nga talebanët, do të lidhet me trajtimin e grave dhe pakicave, mes problematikash të tjera.

Kjo qasje rrjedh nga frika se talebanët mund të përpiqen të rivendosin sundimin e tyre të ashpër islamik, sikurse në vitet 1996 – 2001.

Sundimi taleban i asaj periudhe u shënua nga një sistem brutal i drejtësisë, ndalimi i grave të shkojnë në punë apo të jenë pjesë e jetës publike, si dhe ndalimi i shkollimit të vajzave./ VOA

LEXO TE PLOTE

Bota

Portugalia vaksinon plotësisht 80% të popullsisë

Publikuar

-

Nga

Portugalia ka vaksinuar 80% të popullsisë me dy dozat e vaksinës anti-COVID, sipas të dhënave zyrtare, duke u bërë kështu një nga kombet me shkallën më të lartë të vaksinimit.

Portugalia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë të njëjtën normë të vaksinimeve të plota, shkruan Reuters.



Kombi i Evropës Jugore ka vaksinuar rreth 8.2 milion njerëz nga popullsia e cila në total është pak më shumë se 10 milion.

Pothuajse të gjithë të rriturit mbi 65 vjeç dhe gjysma e të rinjve të moshës 12-17 vjeç tani janë vaksinuar plotësisht, ndërkohë që të gjithë ata mbi moshën 12 vjeç kanë të drejtë të marrin vaksinën në Portugali./euronews

LEXO TE PLOTE