Connect with Us

Varfërohet Veriu/ “Pasurohet” Tirana dhe qendra

Ekonomi

Varfërohet Veriu/ “Pasurohet” Tirana dhe qendra

Publikuar

-

Rritja ekonomike e vendit në dekadën e fundit është shpërndarë në mënyrë të pabarabartë në rajonet e tij. Vit pas viti, qendra e vendit po fuqizohet ekonomikisht, kurse rajonet e Veriut dhe Jugut janë rritur nën mesataren kombëtare. Qarqet e Dibrës dhe Kukësit, që u vlerësuan si më të varfrat në vitin 2011, janë varfëruar më tej në dekadën e fundit. Politikat ekonomike dhe sociale nuk po sigurojnë kohezionin social dhe për shkak të kësaj dukurie, qarqet e vendit, sidomos Veriu, po shpopullohet me shpejtësi duke zgjedhur emigracionin kryesisht, edhe pse disponojnë burime natyrore të shumta.

Instituti i Statistikave publikoi së fundmi ndryshimet në Prodhimin e Brendshëm të Bruto të Rajoneve në të cilin u rezultoi se në tre qarqe ekonomia ishte me rënie në vitin 2019, Dibra me 3%, Kukësi me 2.8% dhe Berati me 2%%. Në të kundërt, qarqet me rritjen ekonomike të lartë ishin Durrësi me 4.3%, Gjirokastra me 4%, Fieri me 3.25 dhe Tirana mbi 2.5%.

Në rang vendi, ekonomia u zgjerua me 2.1% në vitin 2009. E ndarë sipas rajoneve, qendra ku bën pjesë Tirana dhe Elbasani u rritën mbi mesataren kombëtare me 2.2%. Rajoni i Veriut me qarqet e Dibrës, Kukësit, Durrësit, Lezhës, Shkodrës u rrit me 2.1% thuajse në mesataren kombëtare, kryesisht prej zgjerimit të ekonomisë së Durrësit, i cili në 2019-n u ndikua nga zhvillime pozitive në turizëm. Rajoni i Jugut me qarqet e Beratit, Fierit, Gjirokastrës, Korçës dhe Vlorës u rrit 1.78% me ritme më të ulëta se mesatarja kombëtare, për shkak të ndikimeve negative në ekonominë e Beratit.

Gjatë 10 viteve të fundit, ekonomia e rajonit të Qendrës është rritur mesatarisht me 3.4% në vit, Rajoni Veriut u rrit mesatarisht me 2.4%, ndërsa i Jugut me 2.6. Merita Toska, nga Co-Plan, njohëse e financave vendore, tha se, pabarazitë në vend janë të dukshme dhe thellohen çdo ditë më shumë, në disa nivele. Ajo pohoi se diferenca në nivelin ekonomik po theksohen në nivel rajoni, qarku, në nivel bashkie dhe në terma urbanë dhe ruralë. Shpërndarja e burimeve të rritjes në territor, sipas saj, është përcaktuese për këto diferenca, gërshetuar dhe me faktorë të tjerë. Politikat rishpërndarëse janë të vakëta dhe nuk po arrijnë të japin rezultate për t’i zbutur këto pabarazi.

Edhe pse qeveritë tashmë kanë një hartë të rajonalizuar dhe të detajuar për varfërinë që në vitin 2011 nuk kanë mundur të shpërndajnë në mënyrë t’i drejtë burimet ekonomike. P.sh., rajoni më i varfër i vendit, Kukësi, në vitin 2019 kishte një ekonomi më të vogël se në vitin 2009.

Sherefedin Shehu, ish-zv.ministër i Financave, ekspert për politikat rajonale, tha se arsyet kryesore të thellimit të varfërisë në qarqet e varfra janë mungesa e politikave efektive ekonomike dhe sociale. Politikat sociale në Shqipëri nuk garantojnë mbështetje reale për të varfrit, pasi ato ofrojnë një mbështetje simbolike financiare, e cila ka mbetur pothuajse e pandryshuar prej më shumë se 25 vitesh dhe indeksimi i saj është disproporcional krahasuar me rritjen e shumëfishtë të kostos së jetesës, tha Shehu.

10 vite ekonomia e Kukësit me rënie, qarku më i varfër, varfërohet më tej

Në vitin 2012, në një anketë të posaçme, INSTAT e mati nivelin e varfërisë në vend. Si kufi i varfërisë u përcaktua një konsum për frymë në 4891 lekë (39 euro) në muaj. Familjet dhe individët që konsumonin poshtë kësaj sasie u konsideruan të varfër, pasi me burimet e tyre të të ardhurave nuk mund të siguronin konsumin e 2200 kalorive në ditë.

Rezultatet e anketës treguan se qarqet Vlorë dhe Gjirokastër kishin shkallën më të ulët të varfërisë, ndërsa Qarku i Kukësit kishte shkallën më të lartë të varfërisë, pasi më shumë se 28% e popullsisë në këtë qark konsumonte poshtë kufirit 39 euro në muaj. Harta e varfërisë duhet t’u shërbente qeverive shqiptare më pas për të realizuar ndërhyrje me fokus pikërisht në zonat më të varfra. Por sot, mbas 10 vitesh prej këtyre rezultateve, ekonomia e qarkut më të varfër në vend është thelluar më tej.

Sipas të dhënave të INSTAT, ekonomia e Kukësit nga viti 2009 deri në 2019 ka pësuar rënie me 0.3% çdo vit, ndërkohë që ekonomia në tërësi, në këto dhjetë vjet, është zgjeruar mesatarisht me 2.9% në vit. Gjatë dekadës 2009-2019, Qarku i Kukësit ishte vetmi me rënie në shkallë kombëtare, teksa qarqet e tjera, dikush më pak e dikush më shumë, kanë shkuar drejt rritjes.

Ish-kryetari i Bashkisë së Kukësit, Sheqfet Bruka, ekspert i çështjeve vendore, tha se politikat ekonomike dhe sistemi i rishpërndarjes së të ardhurave kanë qenë në disfavor të Kukësit. Sipas tij, Qarku i Kukësit është i pasur me burime natyrore pasi ka minierat, prodhon më shumë se cilido tjetër energji elektrike, ka pyje dhe kullota pafund, resurse turistike, etj. Z. Bruka u shpreh se duhet ndryshuar politika e shpërndarjes së të ardhurave dhe duhen rindërtuar politikat ekonomike. Ai shtoi se, duhet decentralizim dhe njerëzit duhet të jenë pjesëmarrës në ndërtimin e politikave zhvillimit.

Kukësit i duhen 20 vjet të arrijë nivelin kombëtar dhe 37 vjet, Tiranën

Në vitin 2008, Prodhimi i Brendshëm për Frymë në Kukës ishte sa 67% e mesatares kombëtare, ndërsa në vitin 2019, PBB-ja për frymë në këtë qark ishte sa 60% e mesatares kombëtare. Diferenca në nivelin e jetës është thelluar për më keq.

Sikur ekonomia kombëtare të qëndrojë në vendnumëro, dhe ekonomia e Kukësit të rritet me 2% në vit, do të duhen rreth 20 vjet të arrijë nivelin kombëtar, ndërsa për të arritur nivelin e Tiranës, do të duhen rreth 37 vite. PBB për frymë në Tiranë është 74% më e lartë, se ajo e Kukësit.

Eksperti i ekonomisë, Sherefedin Shehu, tha se, rënia ekonomike në Qarkun e Dibrës në vitin 2019 dhe rënia më e thellë ekonomike në Qarkun e Kukësit ku Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) në vitin 2019 ishte më i ulët se në vitin 2009, tregojnë më qartë se, shkaku i saj është mungesa e politikave efektive ekonomike dhe sociale. Ndonëse këto dy qarqe kanë burime natyrore më të shumta krahasuar me qarqe të tjera, ato kanë nivelin më të lartë të migrimit të brendshëm dhe të jashtëm, si rezultat i thellimit të varfërisë, tha ai.

LEXO EDHE:  Nga Belind Këlliçi/100 vjet Tirana kryeqytet!

Vitet e fundit, Kukësi u përball me emigracion të pazakontë, ku mijëra qytetarë emigruan duke kërkuar azil ekonomik kryesisht në Francë dhe Gjermani. Ndërsa në vitin 2019, hyri tërësisht në fuqi vjelja e taksës në Rrugën e Kombit, 100 lekë për çdo automjet të qarkut dhe 5 euro për automjetet e tjera.

Në të gjithë dekadën, ekonomia e Kukësit, në pesë vjet pësoi rënie dhe në pesë të tjera, rritje. Rënia më e fortë ishte në vitin 2014 me -14.5%, si pasojë e ikjes masive në emigracion të mijëra qytetarëve, ku lagje të tëra u zbrazën.

Rritet numri i qarqeve me rënie ekonomike më 2019, emigracioni shkaktar

Në vitin 2019, numri i qarqeve që përjetuan rënie të ekonomisë u rrit, në tre gjithsej (Dibra, Kukësi dhe Berati) në raport me vitin 2018, ku ishin me rënie vetëm Dibra dhe Berati. Ekonomia e qarkut të Beratit shënoi rënie me 2% më 2019. Ky ishte viti i dytë me rënie. Megjithëse qarku ka potenciale për zhvillimin e bujqësisë dhe turizmit, duket se shkak për rënien është bërë emigracioni i lartë që po sjell rënie të konsumit. Qarku i Dibrës pësoi rënie me 2.8% më 2019, pasi një rritje sistematike nga 2012 -2019.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se ka një lidhje të drejtë ndërmjet emigracionit dhe ecurisë ekonomike të rajoneve. P.sh., në vitin 2019, qarqet me rënien më të madhe të ekonomisë kishin edhe humbjet më të mëdha në popullsi.

Në raport me janarin 2020, në janar të këtij viti, uljet më të mëdha të popullsisë u shënuan në qarqet Gjirokastër (- 2,3%) si pasojë e plakjes, Berat (- 2,1%) dhe Dibër (- 1,9%) si pasojë e emigracionit.

Popullsia në numër shënoi rënien më të madhe në Berat, me një pakësim prej 2500 personash, ndërsa Tirana kishte shtesë më të lartë, me rreth 6 mijë persona plus në vitin 2021. Popullsia e vendit në tërësi, në fillim të vitit 2021, ishte 0,6% më e ulët se më 1 janar 2020.

Zoti Shehu tha se, nëse Qarqeve të Dibrës dhe të Kukësit apo edhe qarqeve të tjera do t’u lihet një përqindje e caktuar e të ardhurave që sigurohen nga koncesionet e hidrocentraleve dhe minierave apo resortet e mëdha turistikë, ato do të shndërroheshin në rajonet më të pasura të vendit.

Ndryshimet e një dekade

Gjatë 2008-2019, të ardhurat për frymë në raport me mesataren kombëtare u rritën më së shumti në Dibër për shkak se ekonomia e këtij qarku pësoi rritje të fortë në vitin 2015, ku për shkak të zgjedhjeve lokale u investua, duke ndryshuar për herë të parë drejtimin politik nga demokratët te socialistët.

Në vitin 2008, Dibra i kishte PBB-në për frymë sa 55% e mesatares kombëtare, ndërsa në vitin 2019, rreth 73% me një rritje 17 pikë përqindje gjatë dekadës. Fieri dhe Gjirokastra përmirësuan të ardhurat për frymë gjatë dekadës në raport me mesataren kombëtare, duke e ngushtuar hendekun me 19 dhe 29 pikë përqindje secili. Në të kundërt, Tirana shënoi përkeqësim me mesataren kombëtare në PBB për frymë.

Në vitin 2008, PBB për frymë e Tiranës ishte sa 165% e mesatares kombëtare dhe në vitin 2019 ishte sa 135% e mesatares kombëtare. Ky ndryshim ka ardhur si pasojë e rritje së popullsisë së kryeqytetit me ritme më të shpejta se sa ekonomia e saj. Tirana e Durrësi janë dy qarqet të vetme në vend me rritje pozitive të popullsisë gjatë tre dekadave të fundit. Siç shihet, shtesa e popullsisë nuk ka qenë aq produktive sa të mbajë nivelet e PBB-së për frymë në ritmet e mesatares kombëtare si para dhjetë viteve.

Ekspertja nga Co Plan, zonja Toska, thotë se hapi i parë për të sheshuar pabarazitë mes rajoneve është një studim i thelluar i pabarazive në vend, shkaqeve dhe parashtrimi i alternativave për ndërhyrje. Më tej duhet të aplikohet një programim i qartë i investimeve të paktën në terma afatmesëm (plan investimesh i qartë dhe i publikuar), për të ankoruar pritshmëritë e biznesit dhe për të ulur nivelin e paqartësive të krijuara nga luhatshmëria e politikave publike. Me vlerë do të ishte ndërmarrja e politikave ekonomike rishpërndarëse (por gjithmonë duke pasur një vizion afatgjatë), shtoi ajo.

Struktura e PBB-së, në Jug rritet pesha e bujqësisë, në Veri, industria

Struktura e PBB-së së rajoneve gjatë 2014-2019 nuk ka pësuar ndryshime të dukshme. Në Veri është rritur pesha e industrisë, në Jug pesha e bujqësisë dhe në qendër, aktivitetet profesionale. Sipas të dhënave të INSTAT, në rajonin e Veriut, bujqësia ishte sektori me peshën më të madhe në PBB-në e rajonit me 25,3% të totalit në vitin 2019. Pesha e sektorit të bujqësisë në PBB ra me 5 pikë përqindje që nga viti 2014. Pesha e shërbimeve në Veri u rrit me gati 3 pikë përqindje, për shkak të zhvillimit të turizmit në zonën e Valbonës. Në rajonin e Veriut, sektorët që dominojnë ekonominë janë bujqësia, shërbimet dhe industria.

Në rajonin e qendrës, sektorët me peshën më të madhe janë shërbimet me 22% të totalit të PBB- më 2019 dhe aktivitetet e administratës publike, me 15.4% të totalit, për shkak të përqendrimit të institucioneve të qeverisë qendrore dhe aktivitetit me të lartë të administratës publike. Në rajonin e Qendrës, struktura e ekonomisë ka mbetur pothuajse e njëjtë me atë të vitit 2015, me një ulje të lehtë të peshës së bujqësisë, rritje të lehtë të aktivitetit të administratës publike dhe industrisë.

Në rajonin e Jugut, sektori më i madh në vitin 2019 ishte bujqësia, e cila zuri 40% të ekonomisë së këtij rajoni, me një rritje të peshës me 4.3 pikë përqindje në raport me vitin 2014.

Sektori i shërbimeve ishte i dyti më i madh në Jug me 14.6% të totalit, më pas industria me 14% të totalit dhe aktivitetet e administratës publike me 10%. Nga viti 2014-2019, pesha e sektorit të industrisë në ekonominë e Jugut ra me 6 pikë përqindje. Në Rajonin e Jugut të vendit, edhe pse ka potencial të lartë për turizëm, bujqësia mbetet dominuese për shkak të përqendrimit të lartë të prodhimit bujqësor në Lushnjë, Fier dhe Berat./Monitor

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekonomi

Çmimet e shtëpive në Tiranë, njësoj si në Milano/ Në 6 vjet pagat u rritën me 5%, ndërsa apartamentet me 43%

Publikuar

-

Nga

cna lajme eekonomi

Çmimet e apartamenteve në Tiranë po shtrenjtohen vazhdimisht, ndërsa pagat nuk po rriten me të njëjtin ritëm. Sipas Bankës së Shqipërisë, që nga viti 2013-2014, çmimet mesatare të apartamenteve janë rritur me rreth 43% deri në fund të vitit 2020.

Çmimi mesatar i një metri katror në kryeqytet në fund të 6-mujorit të parë 2021 arriti në 1102 euro/metër katror, sipas indeksit të “Keydata Albania”, një publikim nga Çelësi Media Group. Çmimet luhaten nga rreth 700-800 euro/m2 në periferi deri në 4 mijë euro/m2 në kullat në qendër të qytetit.

Të dhënat e tjera të INSTAT tregojnë se për të njëjtën periudhë (2014-2020) paga mesatare në vend është rritur me rreth 18% në vlerë nominale (nga 45.5 mijë lekë në muaj në 2014-n, në 53.7 mijë lekë në muaj për 2020-n). Por e indeksuar me inflacionin mesatar vjetor, rritja reale e pagave është rreth 5% (sipas përllogaritjeve të Monitor, bazuar në të dhënat zyrtare për inflacionin nga INSTAT).

Teksa pagat mesatare mujore reale janë rritur me vetëm 5% në 6 vitet e fundit, ndërsa çmimet e apartamenteve u shtrenjtuan me 40%, kjo ka ulur ndjeshëm fuqinë blerëse, duke bërë që një familjeje apo një individ shqiptar të duhet të punojë shumë më tepër se më parë, në mënyrë që të arrijë të blejë një shtëpi.

Një individ me pagën mesatare 45.5 mijë lekë në vitin 2014 i duhej të punonte rreth 50.6 vjet për të blerë një shtëpi 90 metra katror, e llogaritur me çmimin mesatar të vitit përkatës. Gjashtë vite më vonë, një individ me pagën mesatare 53.7 mijë lekë do të duhet të punojë rreth 69.3 vjet, ose gati 19 vjet më shumë (pa llogaritur marrjen e një kredie, krahasimi është bërë për të treguar se sa ka rënë fuqia blerëse nga shtrenjtimi i lartë i banesave në raport me ritmet e rritjes së pagës reale).

Në vitin 2014, paga më e lartë në vend ishte ajo e një drejtuesi komercial, me rreth 123 mijë lekë në muaj, ndërsa apartamenti më i shtrenjtë ishte rreth 2500 euro/m2. Për të blerë një banesë 100 metra katror, këtij drejtuesi do t’i duheshin 62 vjet punë. Në fund të 2020-s, paga më e lartë në vend ishte 152 mijë lekë, ndërsa apartamentet më të shtrenjta kanë arritur në rreth 4 mijë euro/m2. Si rrjedhojë, ky drejtues do të duhet të punojë 90 vjet për të blerë apartamentin më të shtrenjtë në kryeqytet, ose rreth 28 vjet më shumë!

LEXO EDHE:  “Kandidati i Skraparit u kërcënua”/ Patozi: Arben Skënderi modeli i duhur për Tiranën

LEXO EDHE:  Aksident i rëndë në Tiranë/ Taksia përplas këmbësorin

Vitet e fundit, rritja e shpejtë e çmimeve të apartamenteve është amortizuar disi nga zhvlerësimi i monedhës së përbashkët (shtëpitë kuotohen kryesisht në euro, që ka rënë nga rreth 138 lekë në 123 lekë) dhe nga ulja e normave të interesave për kredinë hipotekare në banka (nga 5.5%, në rreth 3.6%).



Apartamentet në Tiranë, njësoj si në Milano

Indeksi i pasurive të paluajtshme i publikuar nga Numbeo, sistemi i të dhënave (database) më i madh në botë për koston e jetesës, që mat raportin e çmimeve ndaj të ardhurave për pasuritë e paluajtshme, e vendos Tiranën ndër më të shtrenjtat në Europë. https://www.numbeo.com/property-investment/rankings_current.jsp

Numbeo rendit 267 qytete në botë, sipas raportit të çmimit mbi të ardhurat, që është treguesi më i mirë për të matur përballueshmërinë për blerjen e një apartamenti (sa më i ulët ky indeks, aq më mirë është).

Për kryeqytetin shqiptar, ky indeks është 16.2, njësoj si në Milano. Ndërsa apartamentet në Tiranë, sipas standardit të fuqisë blerëse janë më të shtrenjta se në Vjenë (12.9), Madrid (12.5), Stamboll (12.1), Zagreb (12.5), Stokholm (13.3) etj.

Më e shtrenjta në Europë është Moska (21.8), Parisi (19.7), Beogradi (19.3) etj.

Të dhënat e përpunuara nga Monitor bazuar në inflacionin dhe formulën e vlerës në kohë të parasë:

Të dhënat e përpunuara nga Monitor bazuar në inflacionin dhe formulën e vlerës në kohë të parasë:

LEXO TE PLOTE

Ekonomi

Sektori bankar, ende “oaz” në kohë pandemie

Publikuar

-

Nga

cna lajme ekonomi

Sektori bankar ka vijuar rritjen dhe përmirësimin e parametrave kryesorë të aktivitetit edhe në gjysmën e parë të këtij viti. Të dhënat paraprake nga Shoqata Shqiptare e Bankave, të mbështetura mbi Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (IFRS), tregojnë se sistemi ka rritur më tej aktivet, kreditë, depozitat, ndërsa rezultati financiar ka qenë më i larti për këtë periudhë të vitit në dekadën e fundit.

Ndërkohë, të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë ulje të mëtejshme të raportit të kredive me probleme, që ka prekur nivelet më të ulëta prej 12 vjetësh. Megjithëse pandemia ngelet ende një burim i madh pasigurie, sistemi bankar deri tani ka arritur të shmangë efektet serioze.

Sistemi u rrit me 7.7% në një vit

Në mesin e vitit, totali i aktiveve të sektorit bankar arriti vlerën e 1.67 trilionë lekëve. Me bazë vjetore, totali i aktiveve të sistemit është rritur me 7.7%, që në vlerë absolute përkthehet në pothuajse 1 miliard euro aktive më shumë. Rritja, edhe këtë vit, është mbështetur kryesisht në zgjerimin e investimeve në tituj, me afërsisht 9%. Portofoli i titujve dhe pesha e tyre në bilancet e bankave ka arritur në 37.5%, nga 37% një vit më parë.

Mbështetur në të dhënat financiare sipas IFRS, ato janë grupi kryesor i aktiveve në bilancet e bankave. Investimi në letra me vlerë mori një hov të shtuar sidomos pas shpërthimit të pandemisë. Qeveria shqiptare rriti ndjeshëm deficitin dhe sektori bankar ishte ndër financuesit kryesorë, përfshi këtu edhe Eurobondin prej 650 milionë eurosh të shitur në Bursën e Londrës. Megjithatë, edhe kreditimi ka dhënë një kontribut në rritje në zgjerimin e bilancit të sektorit, sidomos në tremujorin e dytë të vitit. Në fund të qershorit, portofoli i kredisë ishte në rritje me 6.2% me bazë vjetore.

Tregu po vijon të japë sinjale të një konkurrueshmërie në rritje, të shprehura sidomos në rënien e mëtejshme të pjesës së bankës më të madhe. Në mesin e këtij viti, Banka Kombëtare Tregtare zotëronte 25.8% të tregut, nga 26.8% një vit më parë.

Megjithëse BKT ka vijuar të rritet (rreth 3.6% me bazë vjetore), banka më e madhe në vend ka qenë ndër ato që kanë mbajtur një qasje të kujdesshme pas pandemisë, duke u orientuar kryesisht në administrimin e bilancit ekzistues, pa marrë përsipër shumë rreziqe. Banka e dytë më e madhe, Credins Bank, ka vijuar të rritet dhe në mesin e këtij viti zotëronte 15.7% të tregut, nga 15.4% një vit më parë.

Edhe Raiffeisen Bank e ka rritur lehtë pjesën e tregut në 14.8%, nga 14.7% një vit më parë, ndërsa Intesa Sanpaolo ka pësuar një rënie të lehtë në 11.9%, nga 12% që mbante një vit më parë. Shumica e bankave të mesme të sistemit po vazhdojnë të shfaqen aktive dhe të rrisin pjesën e tyre të tregut.

Banka me rritjen më të lartë në 12 muajt e fundit ka qenë Tirana Bank, që tashmë zotëron 5.5% të tregut, nga 5.1% një vit më parë. Pas blerjes nga grupi Balfin, Tirana Bank i është kthyer rritjes dhe po rimerr terren në tregun bankar. Deri në momentin e pandemisë, rritja u mbështet sidomos tek zgjerimi i huadhënies, ndërsa në 12 muajt e fundit ndikimin kryesor në rritje e kanë dhënë investimet në letra me vlerë.

Rritje të pjesës së tregut me 0.1 deri në 0.2 pikë përqindje kanë arritur edhe Union Bank, Fibank, ProCredit Bank dhe Banka e Bashkuar e Shqipërisë. OTP dhe ABI Bank janë afërsisht në të njëjtat pozita me një vit më parë, ndërsa në rënie me 0.1 pikë përqindje paraqitet Alpha Bank.

Në fillim të këtij viti, aksionerët e Alpha Bank vendosën ta nxirrnin filialin shqiptar në shitje dhe deri në finalizimin e këtij procesi është e pritshme që banka e vetme me kapital grek të orientohet kryesisht në menaxhimin e portofolave ekzistuese.

Investimi në prona po shtyn rritjen e kreditimit

Sipas statistikave të bazuara në Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar, portofoli neto i kredisë së sektorit bankar në fund të muajit qershor arriti në rreth 599 miliardë lekë, 6.2% më shumë krahasuar me mesin e vitit të kaluar. Pavarësisht goditjes që pandemia i dha ekonomisë reale, kreditimi ka vijuar të rritet, i mbështetur edhe nga masat e përkohshme lehtësuese të Bankës së Shqipërisë, skemat e garancisë sovrane dhe linja e menaxhimit të pandemisë pa rikthyer kufizimet drastike të aktivitetit shoqëror dhe ekonomik.

Statistikat paralele të Bankës së Shqipërisë, që japin informacion më të detajuar sipas segmenteve të tregut, dëshmojnë se rritja e kredisë këtë vit po mbështetet nga segmenti i individëve. Kredia për individë është rritur me 83% me bazë vjetore dhe kontributi kryesor ka ardhur pikërisht nga kredia për blerjen e banesave.

Për të gjithë 6-mujorin 2021, sektori bankar në vend ka disbursuar 19 miliardë lekë, ose rreth 155 milionë euro kredi të reja për shtëpi. Në segmentin e biznesit, kreditimi ka qenë më i ngadaltë, i ndikuar më shumë nga zhvillimet e lidhura me pandeminë.

Banka më e madhe kredituese e ekonomisë vazhdon të jetë Credins Bank, që në mesin e këtij viti mbante 19.1% të portofolit total të kredisë për ekonominë, nga 19% një vit më parë. BKT ka pësuar rënie të mëtejshme të pjesës së saj në tregun e kredisë, në 15.5%, nga 15.9% që mbante një vit më parë. Rënie edhe më të lartë ka pësuar Raiffeisen, që në mesin e këtij viti zbriti në 14.9% të totalit, nga 16.3% që zotëronte një vit më parë.

Edhe shifrat e këtij viti po konfirmojnë se huadhënia gjatë periudhës së pandemisë është mbështetur sidomos nga grupi i bankave të përmasave të mesme. Bankat me rritjen më të lartë janë OTP dhe ABI Bank, që në një vit kanë fituar gjysmë pikë përqindje në këtë treg.

OTP tashmë zotëron 10.3% të portofolit total të kredisë, ndërsa ABI Bank ka arritur në 5.5%. Banka të tjera që kanë vijuar të fitojnë pjesë në tregun e huadhënies janë Union Bank, Fibank, ProCredit Bank dhe UBA, ndërsa në rënie paraqiten Intesa Sanpaolo dhe Alpha Bank.

Kreditë me probleme, në nivelin më të ulët në 12 vjet

Një nga shqetësimet kryesore pas pandemisë ishte ruajtja e cilësisë së aktiveve të sektorit bankar dhe mbajtja nën kontroll e nivelit të kredive me probleme. Deri tani, ky objektiv është arritur, madje treguesi i kredive me probleme në pjesën e parë të këtij viti paraqitet në rënie të mëtejshme. Sipas statistikave të bazuara në standardet e mbikëqyrjes së Bankës së Shqipërisë, raporti i kredive me probleme në mesin e vitit ra në 7.1%, nga 8.1% që kishte qenë ky raport në fillim të vitit dhe në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ecuria e këtij treguesi është shfaqur dukshëm më e mirë se të gjitha parashikimet e Bankës së Shqipërisë, por edhe institucioneve financiare të specializuara, që parashikonin një rritje të raportit të kredive me probleme me disa valë. Në fillimet e pandemisë, Banka e Shqipërisë parashikonte në analizat e saj të brendshme se raporti i kredive me probleme mund të rritej deri në 15%.

Një gjë e tillë deri tani nuk ka ndodhur, edhe falë masave të përkohshme që banka qendrore miratoi për t’iu mundësuar bankave të ristrukturonin kreditë, pa përkeqësuar statusin e kredimarrësve. Më tej, mosmarrja e masave të rrepta kufizuese për menaxhimin e pandemisë bëri që efektet në ekonomi dhe në sektorin bankar të krizës të shfaqeshin të kufizuara.

LEXO EDHE:  Aksident në Tiranë/ Makina përplas të miturin

LEXO EDHE:  Armë zjarri, drogë dhe trafik klandestinësh/ Policia e Tiranës bën “namin”me arrestime për 12 orë



Pavarësisht një ecurie pozitive në gjysmën e parë të vitit, rreziku i rritjes së raportit të kredive me probleme ende qëndron. Por, si Banka e Shqipërisë, ashtu edhe bankat tregtare, përputhen në projeksionet e tyre se në çdo rast, ky raport nuk pritet të arrijë më shumë se 10%.

Rritja mund të vijë duke filluar nga tremujori i tretë i vitit, kur do të testohet aftësia paguese e atyre huamarrësve, kryesisht biznese, që kanë ristrukturuar kreditë. Megjithatë, në përgjithësi bankierët janë optimistë se shumica e bizneseve do të jenë në gjendje t’i paguajnë rregullisht detyrimet e tyre, sidomos nëse turizmi gjatë sezonit veror do të shfaqë ecuri pozitive.

Zbutja e efekteve të pandemisë dhe përmirësimi i gjendjes së ekonomisë duket se kanë ndikuar pozitivisht aftësinë paguese të huamarrësve. Nga ana tjetër, edhe vazhdimi i rritjes së portofolit të kredisë po jep ndikim pozitiv në uljen graduale të peshës së kredive të këqija.

Ekonomia shqiptare dha shenja të mira rimëkëmbjeje në tremujorin e parë, me një rritje prej 5.53%, ndërsa Banka e Shqipërisë tha se rritja ka qenë edhe më e lartë në tremujorin e dytë. Pjesërisht kjo i detyrohet edhe efektit të bazës krahasuese, duke pasur parasysh se rënia e ekonomisë vitin e kaluar kulmoi pikërisht në tremujorin e dytë, kur u aplikuan edhe kufizimet më drastike. Rimëkëmbja e ekonomisë është parakushti kryesor që do të përcaktojë cilësinë e portofolit të kredisë në të ardhmen dhe pandemia është një faktor që ende kushtëzon pasiguri për parashikimet në të ardhmen.

6-mujori, sistemi arrin fitimin më të lartë në një dekadë

Për 6-mujorin 2021, rezultati agregat i 12 bankave të sistemit sipas IFRS ishte pozitiv në vlerën e 10.4 miliardë lekëve. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, fitimi i sektorit bankar është rritur me pothuajse 37%. Njëkohësisht, të dhënat historike tregojnë se ky është fitimi më i lartë i realizuar në gjysmën e parë të vitit gjatë dekadës së fundit. Njëmbëdhjetë prej bankave raportuan fitime, ndërsa vetëm njëra (Alpha Bank) e mbylli 6-mujorin me humbje.

Megjithëse të dhënat e detajuara të pasqyrës së të ardhurave dhe shpenzimeve sipas IFRS nuk janë të disponueshme, mbështetur në të dhënat paralele sipas standardeve të BSH (që tregojnë vlerë fitimesh dhe një tendencë të përafërt të tyre në kohë), rritja e fitimeve mund të shpjegohet me disa faktorë.

Bankat këtë vit e kanë rritur bazën e të ardhurave nga burimet kryesore, interesat dhe komisionet e tarifat. Për gjysmën e parë të vitit 2020, të ardhurat neto të sektorit bankar nga interesat arritën vlerën e 22.4 miliardë lekëve, në rritje me 8.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe me 9.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019.

Edhe më domethënëse është rritja e të ardhurave nga tarifat dhe komisionet. Ato ishin më të prekurat nga periudha e mbylljes së ekonomisë, për shkak të kufizimeve dhe rënies së volumit të aktivitetit të biznesit në tërësi. Për 6-mujorin 2020, të ardhurat nga komisionet arritën në 6.2 miliardë lekë, me një rritje prej 22% krahasuar me 6-mujorin 2020 dhe 17% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019.

Duke përjashtuar rënien e vitit të kaluar, e kushtëzuar nga pandemia, të ardhurat e sektorit bankar nga komisionet kanë një tendencë të dukshme në rritje në dekadën e fundit. Kjo ka ardhur nga shtimi i përdorimit të shërbimeve bankare, por edhe nga rritja e vlerës së komisioneve.

Megjithatë, përfitueshmëria e bankave, e matur sipas treguesve të rentabilitetit, është ende larg ditëve më të mira. Sipas raportimit IFRS, kthimi nga kapitali i sistemit bankar për 6-mujorin 2021 ishte 12.2% (11% sipas standardeve të Bankës së Shqipërisë). Rritja graduale e kërkesave për kapital, e lidhur kryesisht me shtesat makroprudenciale, duket se po ndikon në kthime më të ulëta, pavarësisht se fitimet në vlerë absolute janë më të larta.

Megjithatë, ajo që vërehet në tremujorët e fundit, është një rritje e numrit të bankave që po arrijnë të sigurojnë kthime nga kapitali në nivele dyshifrore. Si asnjëherë në të paktën 10 vitet e fundit, 7 banka tregtare nga 12 gjithsej raportuan kthim dyshifror nga kapitali aksioner.

Në terma të kthimit nga kapitali, banka më fitimprurëse deri tani këtë vit është Union Bank, me 21.65%, kthim ky rreth tre herë më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. OTP Albania renditet e dyta, me një kthim në nivelin 17.61%, nga 5.73% për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

BKT e ka rritur kthimin në 16.93%, nga 14.42% një vit më parë, ndërsa Fibank ka raportuar një kthim në nivelin 16.4%, në nivele të përafërta me një vit më parë. Vijojnë ABI Bank me 15.53%, Raiffeisen me 15.08% dhe UBA me 14.06%, të gjitha në përmirësim të ndjeshëm krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Bankat e tjera raportuan kthime më të ulëta, në nivele njëshifrore, ndërsa Alpha Bank ishte e vetmja me kthim negativ, në masën 3.39%.

Depozitat po rriten me ritme të larta edhe këtë vit

Pas pandemisë, në Shqipëri, si në shumë ekonomi të tjera, u vërejt një rritje e ndjeshme e depozitave bankare, e nxitur sidomos nga pasiguria për të ardhmen. Tendenca e rritjes së depozitave ka vijuar edhe në gjysmën e parë të këtij viti. Të dhënat e Shoqatës së Bankave tregojnë se në mesin e këtij viti, totali i depozitave bankare arriti në 1.384 trilionë lekë, në rritje me 4% që nga fillimi i vitit dhe me 8.5% krahasuar me një vit më parë.

Të dhënat paralele të Bankës së Shqipërisë tregojnë se depozitat po rriten si në Lek, ashtu edhe në valutë të huaj. Megjithatë, në pjesën e parë të këtij viti, depozitat në valutë paraqiten me një shkallë më të lartë të rritjes, që e ka çuar peshën e tyre në afërsisht 51% të totalit, me një rritje të lehtë që nga fillimi i vitit.

Banka më e madhe në vend, BKT, vazhdon të ketë një pjesë mjaft të lartë tregu kundrejt totalit të depozitave, me 24.8% të totalit, në rënie të lehtë nga niveli 24.9% i vitit të kaluar. Në rritje është pjesa e tregut të Credins, në 16.6%, nga 16.3% një vit më parë dhe e Raiffeisen, në 15.5%, nga 13.3% vitin e kaluar.

Rënie në pjesën e tregut kanë pësuar Intesa Sanpaolo (11.8% nga 12.1% një vit më parë) dhe OTP (6.4% nga 6.6% një vit më parë) dhe ABI Bank (5.1% nga 5.4% një vit më parë). Rritje ka shënuar Tirana Bank (5.5% nga 5.3% një vit më parë), Fibank (nga 2.2% në 2.3%) dhe UBA (nga 0.6% në 0.7%).

Duke qenë se depozitat janë burimi kryesor i mbështetjes së ndërmjetësimit financiar në Shqipëri, të pasurit e një pjese të lartë tregu është avantazh i konsiderueshëm konkurrues. Ndryshe nga sa ndodh në huadhënie, për sa u takon depozitave, fitimi i pjesës së tregut nga bankat e mesme duket më i ngadaltë.

Në kushtet e normave shumë të ulëta të interesit me hapësira të kufizuara për të konkurruar me çmime, duket se madhësia e bankës, rrjeti, marrëdhëniet e lidhura me produktet e tjera (sidomos te bizneset) luajnë rol domethënës në favor të bankave më të mëdha./Monitor

LEXO TE PLOTE

Ekonomi

Rritet numri i lejeve të dhëna për ndërtim/ Zbardhen shifrat

Publikuar

-

Nga

cna lajme ekonomi

Në tremujorin e dytë 2021 janë miratuar gjithsej 347 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 209 leje të miratuara në tremujorin e dytë 2020, duke shënuar një rritje prej 66,0 %

Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja, në tremujorin e dytë 2021, është 544.127 m 2 , nga 322.294 m 2 miratuar në tremujorin e dytë 2020, duke shënuar një rritje prej 68,8 %

LEXO EDHE:  “Kandidati i Skraparit u kërcënua”/ Patozi: Arben Skënderi modeli i duhur për Tiranën

LEXO EDHE:  Ankaraja i dërgon Tiranës listën e gylenistëve, prezentë deri në qeverinë e Ramës?



Në tremujorin e dytë 2021, vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike është 23,1 miliardë lekë, nga 14,8 miliardë lekë miratuar në tremujorin e dytë 2020, duke shënuar një rritje prej 55,8 % ./CNA.al

LEXO TE PLOTE