LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Sundimi i Erdogan në Turqi po fillon të dobësohet

26 Korrik 2021, 06:23, Blog CNA
Sundimi i Erdogan në Turqi po fillon të dobësohet

Nga David Gardner ?The Financial Times?

Presidenti i plotfuqishëm i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan,u detyrua javën e kaluar të merrte një kthesë që zbuloi cënueshmërinë e tij politike. Ai shkarkoi nga detyra Melih Bulu, një militant partiak të cilin ai e imponoi në janar të këtij viti si rektor të Universitetit prestigjioz Bogaziçi në Stamboll.

Kundërshtarët e Erdogan organizuan 6 muaj protesta në kampusin e universitetit, të cilat bënë jehonë në të gjithë vendin për lëvizjen masive më të qëndrueshme, që nga rebelimi qytetar që përfshiu Turqinë urbane dhe bregdetare në mesin e vitit 2013.

Që nga ajo kohë, Erdogan ka lëvizur me vendosmëri drejt një sundimi autoritar, duke e zëvendësuar sistemin parlamentar të Turqisë me një presidencë të stilit rus, dhe duke uzurpuar institucione si gjyqësori, akademia dhe media.

Për më tepër, që nga përpjekja për grusht shteti 5 vjet më parë, ai i ka përdorur kompetencat emergjente për të larguar nga puna më shumë se 100.000 njerëz dhe arrestuar shumë të tjerë. Por ai nuk ia ka dalë të nënshtrojë gjysmën e popullsisë turke që e kundërshton ndërhyrjen e tij në hapësirën e tyre personale dhe politike, përmes unionit nacionalisto-populist të partisë së tij neo-islamike për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) dhe Lëvizjes Nacionaliste të ekstremit të djathtë (MHP).

Emërimi i Bulu u cilësua si një fyerje e rëndë nga akademikët dhe studentët e Bogaziçi, universiteti më i rëndësishëm dhe më laik në Turqi, që u themelua nga misionarët protestantë amerikanë që në shekullin XIX-të.

Erdogan e ka zgjeruar ndërhyrjen e tij në arsimin e lartë, duke trefishuar numrin e universiteteve në 2 dekadat e fundit, duke siguruar sasi por jo cilësi. I mësuar t`i zgjidhte vetë rektorët, Bogaziçi refuzoi të pranonte në krye një akademik mediokër, të akuzuar për plagjiaturë dhe i paaftë për t?u zgjedhur si deputet i AKP në vitin 2015.

Lëvizja kundër Bulu dhe në mbrojtje të lirisë akademike nuk pranoi të tërhiqet, edhe pse mbështetësit e saj u etiketuan si ?terroristë? dhe ?devijantë të LGBT? nga Sulejman Sojlu, ministri i Brendshëm i Erdogan. Është shumë shpejt për të shpallur këtë fitore.

Për shembull, pati shumë thirrje entuziaste të opozitës, kur Erdogan shkarkoi dhëndrin e tij Berat Albajrak nga posti i Ministrit të Financave nëntorin e vitit të kaluar. Por që nga ajo kohë, ky i fundit ika sulmuar menaxherët më ortodoksë dhe kompetentë të ekonomisë së Turqisë.

Shkarkimi i Bulu, të cilin edhe Erdogan e pa si një figurë të papërshtatshme, mund të jetë më shumë një tërheqje taktike, për ta bërë presidentin hakmarrës në frontet e tjera. Kur një luftëtar politik si Erdogan detyrohet të tërhiqet nga diku, duhet parë gjithmonë me kujdes kundërpërgjigja.

Megjithatë, ky rast që flet për një gjykim të dobët të udhëheqësit, është pjesë e një brishtësie më të gjerë të regjimit të tij. AKP, një nga partitë më të suksesshme në pushtet në kohët moderne, që ka triumfuar në më shumë se 6 gara elektorale, është dobësuar shumë. Erdogan i ka dëbuar ish-miqtë dhe bashkëthemeluesit e partisë, duke preferuar rreth vetes një oborr neo-sulltanor servilësh që i tregojnë atë që dëshiron të dëgjojë.

Në zgjedhjet lokale të vitit 2019, ai humbi Stambollin, qytetin ku nisi karrierën e tij politike si kryebashkiak, dhe që ka qenë gjithmonë në zemër të mistikës së tij, por edhe në kryeqytetin Ankara dhe shumicën e qyteteve të mëdha turke.

Këto shenja të rënies politike, janë forcuar edhe nga rënia e AKP-së në sondazhe. Partia është braktisur nga zonat elektorale, që tërhiqen më shumë nga zgjerimi i prosperitetit sesa ngushtimi i alternativave ideologjike.

Modeli i rritjes ekonomike të Erdogan, i bazuar tek kreditë e lira, konsumi dhe ndërtimi, kishte nisur të dështonte që para pandemisë. Ose më saktë për shkak të dështimit të Albajrak për të mbrojtur lirën turke, pavarësisht djegies së më shumë se 100 miliardë dollarëve në rezerva.

Këto dështime janë një lajm i mirë për një opozitë të fragmentuar dhe ende të pavendosur se si do të garojë në zgjedhjet e pritshme parlamentare të vitit 2023. Po ashtu, pohimet dhe zbulimet befasuese nga gangsteri turk në arrati Sedat Peker, një ish-simpatizant i AKP-së po i dëmtojnë akoma më shumë pozitat e Erdogan.

Për më tepër, përtej linjave ideologjike dhe kulturore, shumë gra në Turqi janë indinjuar nga tërheqja e Erdoganit nga Konventa e Stambollit e vitit 2011 për të parandaluar dhunën ndaj tyre, dokument që Turqia e nënshkroi e para.

Tekat e tij autokratike kanë grumbulluar shumë forca kundër tij. Jo vetëm Partia Republikane e Popullit (CHP) e Mustafa Kemal Ataturk, themeluesit të republikës, të cilën Erdogan e cilësonte si një opozitë të dobët.

Por ai ka kundër edhe ish-aleatët e tij si ish-kryeministri Ahmet Davutoglu, ish-presidenti Abdullah Gyl, dhe ish-Ministri i Ekonomisë Ali Babaçan. Ata kanë themeluar parti të reja, të cilat të vetme nuk mund të fitojnë, por mund t?i heqin votat AKP duke ia shtuar çdo lloj koalicioni kundër Erdogan.

Kryebashkiaku i Stambollit, Ekrem Imamoglu, nga radhët e CHP por me një profil të ngjashëm me atë të Erdogan, ndërtoi me sukses një koalicion të gjerë kundër AKP, duke treguar se Erdogan mund të ndalet. Presidenti po udhëheq një fushatë gjyqësore për të nxjerrë jashtë ligjit Partinë Demokratike të Popujve (HDP), një koalicion i majtë pro-kurd që është partia e tretë më e madhe e Turqisë.

Ai tashmë ka burgosur shumë nga udhëheqësit e kësaj partie, deputetë, kryetarë bashkish dhe aktivistë, duke e quajtur atë një aleate të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), që ka luftuar kundër Ankarasë për më shumë se 3 dekada.

Duke e trajtuar HDP-në si një organizatë terroriste, AKP shpreson që të rifitojë votuesit konservatorë kurdë që e mbështesnin atë dikur. Oportunizmi i Erdogan ka qenë shpesh efektiv për të. Por shumë njerëz në Turqi mendojnë se talenti i tij i padyshimtë nuk pi më ujë, dhe fati i tij mund të jetë duke mbaruar./Përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga