LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

REPORTAZH-Panariti në festë/ Kujtohet masakra dhe ngritja e flamurit të Pavarësisë

26 Korrik 2021, 13:08, Kulturë CNA
REPORTAZH-Panariti në festë/ Kujtohet masakra dhe ngritja e flamurit

Data 10 Korrik 1914!

Dita që çdo banor I fshatit Panarit e ka të ngulitur thellë në memorie. Në atë ditë, 374 banorë të fshatit janë masakruar barbarisht nga ushtarët grekë. Burra, të rinj e të moshuar, gra dhe fëmijë janë vrarë barbarisht brenda në fshat, e kjo ngjarje e njohur si ?Masakra e Panaritit?, ka sjellë shumë dhimbje për pasardhësit e fiseve të fshatit.

Ushtarët grekë, aq gjakftohtë, vrisnin e digjnin të gjallë anëtarët e disa fiseve panaritase, pa marrë parasysh se mes tyre kanë qënë edhe gra shtatzëna. E arsyeja që flitet se ka ndodhur kjo masakër është pikërisht mosnënshtrimi i popullsisë vendase ndaj grekëve, goditja e tyre e vazhdueshme, ngritja e flamurit të Pavarësisë në Panarit dhe së fundi, fakti që zona e Panaritit banohej kryesisht nga popullsi myslimane.

Festa e organizuar në Panarit, krahas qëllimit për të bërë bashkë banorët e zonës duke përfshirë Vithkuqin, Shtyllën, Treskën etj, ishte për të rikujtuar ngritjen e flamurit të Pavarësisë, e ku tjetër më mirë se në Panarit do të organizohej një aktivitet i tillë?

Pjesëmarrësit ishin të shumtë, atmosfera e ngrohtë dhe festive, dhe po ashtu ajri i pastër mes gjelbërimit dhe maleve përreth e bënin akoma më të veçantë qëndrimin në fshat. Është dashur më pak se dy orë që të mbërrinim në Panarit, pjesa më e madhe e rrugës e asfaltuar, e pjesa tjetër rrugë dheri, por që nuk ndihej e vështirë për faktin se na priste një festë e madhe.

Zona e Vakëfeve siç quhet ndryshe, ka mbledhur anëtarë të fiseve panaritase, të cilët me këngë e valle kanë festuar për dy ditë me rradhe, nën shoqërinë e njëri tjetrit, e me një organizim fantastik që vetë banorët kanë qenë iniciatorë. Jo vetëm burrat e fshatit, por edhe gra e fëmijë kanë kaluar natën e 24 korrikut deri pasditen e 25 korrikut në fshat, duke gatuar shqerrë në hell, gatimin tradicional të zonës, dhe me mjaltin bio të prodhuar nga vetë ata, me bletët që i mbanin në oborret e shtëpive.

Historiani Petrit Zeneli, njëkohësisht shkrimtar dhe organizatori i shumë festave në këtë zonë, në fjalën e tij ka përshëndetur të gjithë pjesëmarrësit duke sjellë në vëmendje historinë e Panaritit.

?Për herë të parë në historinë e qarkut të Korçës, është ngritur këtu në Panarit flamuri ynë kombëtar, në këtë tokë të pushtuar nga grekët. Një sakrificë e madhe e shumë patriotëve shqiptarë. Ka qenë koha kur djemtë e Panaritit luftonin rrugicave të Korçës për ta shpëtuar fshatin, ndërkohë që fatkeqësisht një pjesë e qytetarëve të saj mbyllnin qepenat të shpëtonin kokën ose pasurinë. Kjo luftë e bën me nder të madh Panaritin, ndaj duhet vlerësuar si zonë. Ky takim i sotëm është një moment shumë i bukur për tu bashkuar të gjithë, për të vlerësuar jo vetëm 135 patriotët e Rilindjes tonë Kombëtare, jo vetëm 271 partizanët që dolën nga Lufta e Dytë Botërore, por edhe ata njerëz që sistemi i la në harresë. E këtu dua të bëj një nderim të veçantë për katër panaritas, djem të rinj që u vranë në Lubonjë. I Paharruar Qoftë kujtimi i tyre!

Në 11 Janar flamuri u ngrit në Panarit, në 12 Janar në Trebickë, në 13 Janar në Treskë, në 14 Janar në Katund, në 15 Janar në Stratobërdhë, e në 16 Janar në Qesarakë e cila u bë vatra e nisjes së vendosmërisë para luftës së madhe. Mbi këtë bazë, kur panaritasit vepruan gjithmonë për flamurin, ndodhën ngjarjet e mëdha të djegieve, masakra e Panaritit. Të gjitha këto ngjarje po i kujtojmë sot, në këtë festë kaq të madhe, që na bashkoi të gjithëve.? ? u shpreh Petrit Zeneli.

Më tepër se 200 persona janë bërë pjesë e festës së Panaritit, me shpresën se zona e tyre do të mbetet gjithmonë në mendjen e çdo qytetari korçar, çdo banori të zonës së vakëfeve, e çdo vizitor që e do historinë të njihet me ngjarjet e këtij fshati./CNA.al

Lajmet e fundit nga