LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

KPK: Shpërfillja ndaj jetëve njerëzore nuk përputhet me rolin e prokurorit

26 Korrik 2021, 10:50, Vetingu CNA
KPK: Shpërfillja ndaj jetëve njerëzore nuk përputhet me

Sipas KPK-së prokurori Agim Dalipaj ka cënuar besimin e publikut tek drejtësia pasi nuk ka hetuar disa aksidente në punë me raste humbje jete – duke përjashtuar nga përgjegjësia të punëdhënsat dhe dule ngarkuar me faj e viktimat.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më 17 qershor 2021 të shkarkojë nga detyra prokurorin e Lezhës, Agim Dalipaj pasi u konkludua i papërshtatshëm për profesionalizmin dhe se kishte bërë deklarim të pamjaftueshëm për kontrollin e pasurisë.

Në vendimin e arsyetuar të Komisionit evidentohen disa çështje të aksidenteve të punë, edhe me pasojë humbje jete, që janë pushuar nga prokurori Dalipaj pa kryer veprimet e nevojshme hetimore dhe duke fajësuar viktimat.

Për pasurinë konstatohet mungesë burimesh të ligjshme dhe deklarim i pamjaftueshëm, si dhe gjendje në konflikt interesi në hetimin dhe pushimin e një çështje ndaj një ndërtuesi, nga i cili ka deklaruar se ka blerë një apartament, por pa arritur të vërtetojë pagesat.  Ndërkohë, Dalipaj është vlerësuar pozitivisht për pastërtinë e figurës.

Agim Dalipaj e ka filluar karrierën në vitin 1992 dhe ka punuar në prokurorinë e Tropojës dhe të Lezhës.

Model pune i dobët

Ndryshe nga Prokuroria e Përgjithshme që e ka vlerësuar Dalipajn ?mirë? për vitin 2014 dhe ?shumë mirë? për vitet 2015 dhe 2016, Komisioni konkludon se ai është i papërshtatshëm për vazhdimin e detyrës.

Në vendimin e Komisionit analizohen disa çështje të hetuara nga prokurori Dalipaj për veprën penale ?Shkelja e rregullave në punë?, ku në disa raste ka vendosur mosfillim procedimi ose pushim, pa kryer hetime ose pa hetime të plota. Ka qenë verifikimi i dosjeve të shortuara prej nga është identifikuar se ai nuk kryer hetime për zbardhjen e rrethanave të vdekjes së një punëtori teksa ushtronte detyrën, që ka nxitur Komisionin të kryejë verifikime të mëtejshme.

KPK u ka kërkuar prokurorive të Lezhës dhe Tropojës ku ai ka ushtruar detyrën, që të vendosnin në dispozicion të gjitha dosjet e hetuara nga subjekti lidhur me këtë veprër penale, prej nga është konstatuar se Dalipaj i ka pushuar ose mosfilluar procedimet duke përjashtuar punëdhënësit nga përgjegjësia penale dhe duke i?ua kaluar atë viktimave ose duke i cilësuar si raste fatkeqe.

?Rezulton se subjekti i rivlerësimit, në cilësinë e prokurorit që ka hetuar këto dosje, në disa raste ka interpretuar gabim ligjin dhe gjithashtu vendimet e marra prej tij nuk janë arsyetuar plotësisht, sipas kërkesave të Kodit të Procedurës Penale?, konstaton KPK.

Sipas trupit gjykues, hetimi i rasteve që kanë të bëjnë me humbjen e jetës ose dëmtimin e rëndë të punonjësit nuk është i plotë, si dhe nuk rezultojnë përpjekje serioze nga prokurori Dlipaj për të zbuluar se çfarë ka ndodhur.

?Në fakt konstatohet se është mbërritur në përfundime të nxituara, të bazuara në akte të cekëta ekspertize teknike, që nuk mbështeten në prova për të mos filluar ose mbyllur hetimet dhe që kanë shërbyer si bazë e vendimeve të tij të arsyetuara në kundërshtim me ligjin?, argumenton Komisioni dhe shton se këto fakte tregojnë mungesën e kapaciteteve dhe aftësive të Dalipajt në aspektin e njohurive ligjore dhe arsyetimit ligjor.

Komisioni vëren se, në vend që Dalipaj të ndërmarrte veprime dhe për të pasur një rol aktiv në zbulimin e së vërtetës dhe detyrimin për të respektuar, mbrojtur dhe mbështetur dinjitetin njerëzor dhe të drejtat e njeriut, ka shfaqur neglizhencë e vazhdueshme në një seri të qartë dhe të vazhdueshme vendimesh.

?Një shpërfillje e tillë dhe neglizhim ndaj humbjes së jetëve njerëzore, nuk përputhet me rolin e prokurorit?, konstaton Komisioni.

Trupi gjykues vlerëson se subjekti i rivlerësimit përbën një model pune aq të dobët, saqë rrezikon ose shkel të drejtat e qytetarëve dhe se dështon së kryeri detyrën e tij për të respektuar, mbrojtur dhe mbështetur dinjitetin njerëzor dhe të drejtat e njeriut.

Gjithashtu, probleme janë gjetur në tre dosjet e përzgjedhura nga subjekti dhe në disa prej 14 denoncimeve nga publiku, nga ka rezultuar se Dalipaj nuk ka kryer veprime hetimore të plota, edhe kur janë urdhëruar nga gjykata.

Sipas Komisionit, të gjitha të metat e konstatuara në vlerësimin profesional cënojnë besimin e publikut tek një magjistrat.

Mungesë burimesh dhe konflikti interesi

ILDKPKI ka konstatuar fshehje në deklaratat periodike të një apartamenti me sipërfaqe 53 m2 në qytetin e Shëngjinit me vlerë 21 mijë 500 euro; deklarim të rremë dhe mungesë e burimeve të ligjshme financiare për blerjen e kësaj pasurie; si dhe paqartësi të përfshirjes së bashkëshortes së subjektit në procedurat e legalizimit. Kjo, pasi në prill të vitit 2014 bashkëshortja e Dalipajt ka kërkuar të bëhet pjesë e procesit të legalizimit të objektit pa leje të ndërtuar nga shoqëria e adminsirtuar nga L.Rr, ku gjendej edhe ky apartament i ndërtuar në vitin 2002.

Nga hetimi administrativ i KPK-së, është konkluduar se prokurori Dalipaj nuk ka deklaruar saktë burimet që kanë shërbyer për këtë apartament. Këtë pronë Dalipaj e ka deklaruar për herë të parë në vitin 2009 dhe si burim ka shënuar kursimet e tij dhe të bashkëshortes. Ai ka deklaruar vlerën e plotë të çmimit në shumën 21 mijë euro dhe nuk ka shënuar se i ka likuiduar shoqërisë së ndërtimit shumën 1.6 milionë lekë dhe detyrimin 600 mijë lekë të tjerë, ashtu si ka pretenduar më vonë.

Ndërkohë, nga verifikimi i deklarimeve periodike rezulton se subjekti nuk ka deklaruar kursime cash ndër vite, si dhe nuk ka pasqyruar ndonjë pagesë në favor të shoqërisë ?B. I? sh.p.k. Gjithashtu, ai nuk e ka deklaruar këtë pasuri në periudhën 2006 ? 2009, kur ishte nënshkruar kontrata e sipërmarrjes.

Gjatë procesit të rivlerësimit, Dalipaj ka ndryshuar qëndrim lidhur me burimin duke u shprehur se pjesa e paguar për apartamentin ka qenë shuma që bashkëshortja u ka dhënë hua ndërtuesit dhe bashkëshortes së tij deri në vitin 2003, sa herë që atyre u është dashur të kryenin veprime financiare, pasi kishin njohje miqësore midis tyre.

Komisioni konstaton se subjekti nuk ka depozituar asnjë dokumentacion provues për të provuar dhënien e shumave hua, por edhe konvertimin e tyre në vlerë apartamenti.

Nisur nga këto gjetje, KPK e ka kryer analizën vetëm për të ardhurat e vitit 2006 kur është lidhur kontrata e sipërmarrjes dhe pasi nuk është provuar detyrimi në shumën 600 mijë lekë i pretenduar si i pashlyer, është konsideruar si shpenzim e gjithë vlera e çmimit të apartamentit 21 mijë euro. Në përfundim të analizës financiare ka rezultuar pamjaftueshmëri financiare në shumën 2.3 milionë lekë për kryerjen e këtij investimi.

Komisioni ka konkluduar se Dalipaj është gjendur në kushte konflikti interesi në hetimin e një çështje në ngarkim të shitësit të apartamentit. Në funksion të verifikimeve të KPK-së, fillimisht Prokuroria Lezhë ka dërguar informacion të cunguar duke përfshirë të dhëna për çështjet e hetuara nga Dalipaj vetëm për periudhën 2011-2021, ku sqaronte se gjatë këtyre viteve subjekti nuk kishte hetuar ndonjë çështje për shitësin e apartamentit, shtetasin L.Rr..

Pasi përgjigja ishte e paplotë, Komisioni i ka kërkuar sërish informacion Prokurorisë së Lezhës, e cila këtë herë ka informuar se Dalipaj ka hetuar në vitin 2003 një çështje me të pandehur L.Rr dhe se ka vendosur pushimin e saj.

Dalipaj ka deklaruar gjatë hetimit administrativ se me ndërtuesin L.Rr kishin lidhje shoqërore, se në vitin 2002 kishte porositur apartamentin në objektin që ai kishte filluar të ndërtonte, si dhe se i ka dhënë hua në disa raste deri në vitin 2003.

Komisioni konstaton se subjekti ka qenë në kushtet e konfliktit të interesit në momentin që ka hetuar procedimin në ngarkim të z. L. Rr, pasi ka pasur marrëdhënie shoqërore me të, si dhe pretendon se i ka dhënë hua këtij shtetasi.

?Si rrjedhojë e rezultateve të mësipërme ngrihen dyshime të arsyeshme se subjekti nuk e ka blerë këtë pasuri (pasi siç rezulton nuk ka pasur të ardhura të mjaftueshme të ligjshme për blerjen e saj), por e ka përfituar nga z. L.Rr në kushtet e konfliktit të interesit?, konstaton Komisioni.

Komisioni konkludon se subjekti dhe bashkëshortja e tij nuk kanë pasur të ardhura të mjaftueshme të ligjshme edhe për mbulimin e shpenzimeve të mobilimit të një apartamenti me sipërfaqe 89 m2 në Lezhë, të blerë nga Enti Kombëtar i Banesave në korrik të vitit 2012. Nga analiza financiare ka rezultuar balancë negative në shumën 409 mijë lekë për përballimin e shpenzimeve të mobilimit. Gjithashtu janë konstatuar deklarime kontradiktore në lidhje me kohën e fillimit të jetesës në këtë apartament.

Për krijimin e një depozite në shumën 10 milionë lekë me krusimet ndër vite, Komisioni konstaton pamundësi vetëm për shtesat në vitin 2014 në shumën 190 mijë lekë.

Në përfundim, trupi gjykues vlerëson se subjekti i rivlerësimit ka bërë deklarim të pamjaftueshëm për kriterin e kontrollit të pasurisë

?Mënyra e veprimit të subjektit, si për përfitimin e pasurisë në kushtet e konfliktit të interesit, ashtu edhe paaftësia në kryerjen e procedurave hetimore, do të lexohej nga publiku si një sjellje që nuk ngjall besim te sistemi i drejtësisë?, konkludon trupi gjykues i kryesuar Lulzim Hamitaj, me relatore Genta Tafa (Bungo) dhe anëtare Alma Faskajn./BIRN

Lajmet e fundit nga