LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

REPORTAZH-MIK Festival rikthehet sërish në Korçë/ Nata e parë nis me “Miqtë e Operës së Berlinit”

23 Korrik 2021, 13:53, Kulturë CNA
REPORTAZH-MIK Festival rikthehet sërish në Korçë/ Nata e

MIK Festival rikthehet sërish në Korçë, me edicionin e tij të katërt, një eveniment i cili do të zgjatë katër ditë dhe do të zhvillohet jo vetëm në qytetin juglindor por edhe në Pustec, në ishullin e Maligradit dhe në fshatin turistik të Rehovës në Kolonjë.

Ky eveniment tepër i njohur në Shqipëri, do të sjellë për të gjithë banorët dhe vizitorët vendas e të huaj, disa mbrëmje ndryshe që do të falin kënaqësi për spektatorët, duke bërë pjesëmarrës artistë të njohur.

Inva Mula, sopranoja e njohur, e cila është edhe organizatorja e këtij evenimenti, me shumë kënaqësi ka treguar se ky vit do të jetë ndryshe nga vitet e kaluara, pasi do të shtrihet në 3 qytete të qarkut juglindor pas normalizimit nga pandemia.

?Ne jemi në edicionin e katërt dhe na mbushet goja kur themi që vijmë në Korçë sërish. Ky është një viti veçantë, pasi të gjithë ne kemi etje për art, pandemia dëmtoi shumë njerëzimin dhe gjunjëzoi artin. Sot jemi më shumë se kurdo herë tjetër për të thënë që pa muzikën, pa artin, pa skenën nuk ka jetë.

Jeta do të vazhdojë me optimizëm, me mbështetjen që duam ti japim njerëzimit dhe mbështetjen që ata na japin ne. Edicioni i katërt shpaloset me ngjyra, shtete, gjuhë dhe zhanre të ndryshme. Këtë mbrëmje ne e hapim me muzikën gjermane, për të vazhduar me aktivitete në zonat që duhen promovuar si në Kolonjë dhe Pustec.

Është një sërë aktivitetesh që nuk duhen humbur pasi do ti sjellin Korçës një pamje fantastike. Publiku do ta vlerësojë  shumë këtë lloj evenimenti, dhe finalja e festivalit do të jetë një grup nga Italia. Ky festival nuk do të bëhej nëse sdo të ishim të gjithë së bashku, nëse sdo të promovonim qytetin më të bukur që e do artin dhe e ka mbështetur gjithmonë atë, duke lënë trashëgimi, e ky qytet është Korça?, shprehet sopranoja Inva Mula.

Nata e parë e MIK Festival ka startuar me ?Miqtë e Operës së Berlinit?, ku nga anëtarët e kësaj opera janë luajtur për artdashësit korçarë melodi të famshme. Mes tyre, ka qenë edhe dirigjentia shqiptare Elda Laro e cila ka treguar kënaqësinë që është pjesë e këtij evenimenti.

?Është hera e parë për mua që marr pjesë në këtë festival dhe jam shumë e lumtur që jam pjesë e tij. Në këtë eveniment kam sjellë dy miq të mi, violinistë të mrekullueshëm të Berlinit. Jam shumë e emocionuar dhe shpresoj të japim rezultatin e duhur dhe të ekzekutojmë në mënyrë të mrekullueshme për publikun korçar. E kam të vështirë çdo herë që kthehem në Shqipëri, pasi kam emocione shumë të forta dhe e ndjej veten me shumë përgjegjësi por e gjitha është e lidhur me kënaqësinë time shumë të madhe që jam këtu?, tregon dirigjentia Laro.

I pranishëm në këtë eveniment, dhe në këtë aktivitet të zhvilluar pranë teatrit Andon Zako Çajupi ka qenë ambasadori gjerman Peter Zingraf i cili ka shprehur falenderimin e tij që ky koncert ka nisur si homazh për viktimat në Gjermani.

?Është një kënaqësi e jashtëzakonshme të vij në Korçë. Kam pritur shumë që të vij pasi më pëlqen shumë ky vend, ashtu edhe bashkëshortes time. Është bukur të rikthehemi këtu për art dhe kulturë. Faleminderit edhe orkestrantëve për muzikën gjermane, e cila është një dedikim dhe homazh ndaj atyre që kanë ndërruar jetë në vendin tim si pasojë e përmbytjeve?, është shprehur ambasadori Zingraf.

Gjatë tre ditëve pasardhëse, MIK Festival do të bëjë bashkë kolonjarët, banorët e Pusteci dhe korçarët, të cilët do të mund të shijojnë aktivitetet e ndryshme muzikore, dhe sigurisht që Korça do të kthehet edhe këto ditë në destinacionin kryesor të gjithë turistëve vendas dhe të huaj./ CNA.al

Lajmet e fundit nga