Connect with Us

PERSONAZH/ Ardi Karanxha, artisti korçar mes pikturës dhe karikaturës

Në QYTETIN tim

PERSONAZH/ Ardi Karanxha, artisti korçar mes pikturës dhe karikaturës

Publikuar

-

Personazhi i radhës për lexuesit e CNA.al është Ardi Karanxha, i riu piktor dhe karikaturist, mjaft i veçantë për Korçën, e mbase nga mbiemri të gjithëve do t’u duket i njohur. Ardi është djali i piktorit të njohur korçar Roland Karanxha, por që në stilin profesional nuk janë aspak të ngjashëm si babë e bir. Ai është 33 vjeç, dhe ka studiuar pranë liceut artistik “Tefta Tashko Koço” në degën e pikturës, më konkretisht në vitin 2006, kur pas përfundimit të studimeve në lice ka vazhduar studimet e larta në degën e Filozofisë dhe Historisë.

E pyetja që na vjen natyrshëm në mendje është pse pikërisht në një degë ndryshe nga arti? Ardi përgjigjet kështu : “E shikoja zgjedhjen e këtyre degëve si një formë plotësuese në planin intelektual, i ndihmuar edhe nga fakti që ndërkohë që studioja, punoja paralelisht në atelienë e babait tim. Nga arti nuk heq dorë kurrë, por edhe filozofia është pjesë e tij, ndaj të dyja degët janë të ndërthurrura me njëra tjetrën.”

Arti i pikturës kërkon një talent të lindur tek çdo njeri, e këtë talent Ardi e kuptoi që në moshën 5 vjeçare, kur piktura u bë pjesë e pandashme e jetës së tij.

Duhet të kem qenë rreth 5 vjeç kur realizova portretin e gjyshit tim, duke kapur një pjesë të tipareve të tij. Kuptohet për aq mundësi teknike sa zotëroja në atë moshë. Zhgaravisja edhe përpara kësaj moshe si të gjithë fëmijët, por do evidentoja momentin e mësipërm si atë që më ndërgjegjësoi mua dhe të afërmit e mi për një lloj talenti të mundshëm në fushën e vizatimit. A ka qenë babai im shtysë për mua? Babai im në fakt është një tip jashtëzakonisht liberal dhe nuk ka tentuar kurrë të më imponojë apo orientojë të ardhmen time, por njëkohësisht ai ka qenë gjithmonë present për të më ndihmuar në planin teknik dhe profesional kur e ka vërejtur vullnetin tim për të ndjekur këtë rrugë. Karakteri liberal I babait tim vihet re edhe në faktin se mëgjithëse ai ka qenë mentori im për gjatë gjithë jetës, influenca dhe ngjashmëria e stilit të tij me timin është thuajse zero.” – tregon Ardi duke kujtuar me nostalgji fëmijërinë e tij të ndryshme nga fëmijët e tjerë.

Gjatë bisedës me Ardin, e pyesim me shumë kureshtje se sa vite ka tashmë që nuk i ndahet pikturës, dhe normalisht duam të dijmë edhe pikturat që ai i veçon nga të tjerat në bazë të vështirësisë apo kohës që marrin deri në realizimin përfundimtar. Duke qeshur ai thotë se ka filluar të pikturojë që në momentin që në dorën e tij u gjend lapsi i parë.

Përtej shakasë, gjithmonë e mbaj mend veten time duke zhgaravitur apo vizatuar diçka, diku, që nga muret e shtëpisë te librat e shkollës, telajot dhe për t’iu rikthyer mureve po kësaj here në formë më të organizuar. Më pëlqejnë më tepër tematikat që komunikojnë diçka përveç shkaktimit të një ndjenje. Nuk parapëlqej të punoj natyra të qeta ose peisazhe. Piktura ime zakonisht orientohet më tepër rreth tematikave simbolike ose portreteve dhe mimikës së tyre si një formë e shfaqjes së shpirtit . Gjithsesi kjo është një zgjedhje personale që varet nga secili artist, nuk ka të vërtetë apo të gabuar në të. Nuk besoj se pikturat mund të ndahen në të vështira dhe të lehta, por më tepër në vepra që të frymëzojnë më tepër dhe më pak. Të parat, sado të jenë të ngarkuara me detaje dhe të kërkojnë një përsosmëri teknike janë më të thjeshta pasi rëshqasin mbi dallgën e frymëzimit, e cila e bën gjithçka më të thjeshtë. Të dytat, ose veprat ku gjendesh më pak i frymëzuar kërkojnë një dozë më të lartë vullneti për t’u realizuar pashkas se teknikisht mund të jenë më të thjeshta.” – shprehet Karanxha.

LEXO EDHE:  Roland Karanxha prezanton ekspozitën “Vazhdimësi”

Ardi është i vetmi artist korçar që krahas pikturës, ka treguar talentin e tij të veçantë edhe në karikaturë. Një lloj tjetër arti që nxjerr në pah edhe mënyrën që ai i sheh personazhet, duke u vendosur nota humoristike, gjë që e bën shumë interesant artin e karikaturës në duart e artistit korçar.

Perfeksionimi im në gjininë e karikaturës ka qene rastesor. Fillimisht duke dashur të kthej në sa më humoristike tiparet e një shokut tim të ngushtë, i ekzagjerova ato dhe feedback-u i personave që e panë ishte shumë pozitiv. Në hapat e para e mora lehtësisht dhe në formë humoristike këtë gjini, por me kalimin e kohës fillova ta perfeksionoj dhe t’i vesh asaj një trajtë më të thellë dhe komunikative. Karikatura përfaqëson një nga format më të vështira të artit pasi veç zotërimit të aftësisë për të kapur tiparet e një portreti ti duhet dhe të fitosh aftësinë për të luajtur, imagjinuar dhe krijuar mbi to duke i deformuar, theksuar apo nënvlerësuar. Kam realizuar dy ekspozita në gjininë e karikaturës, një në ambient privat dhe tjetrën në ambientet e Shkollës së Parë Shqipe. Përshtypjet janë të formave dhe natyrave të ndryshme. Gjithsecili ka një mekanizëm krejt origjinal perceptues që filtron sipas mënyrës së vet atë që sheh ose kupton nga vepra. Ka pasur një pjesë shikuesish që kanë theksuar trajtën humoristike të veprave, një pjesë janë fokusuar tek mesazhet dhe simbolet që kanë evidentuar tek punimet e mija, ashtu si dhe një pjesë që ka pasur si fokus tiparet teknike të realizimit.” – tregon më tej Ardi.

Ndërsa e pyesim lidhur me vëmendjen që po merr arti i pikturës ditët e sotme, dhe me të rinjtë që mbase mund ta kenë lënë pas dore përfshirjen e tyre në art, Ardi shprehet se dëshira për të vizatuar apo pikturuar, lind me njeriun dhe me të do të vdesë. E mesazhi i tij për këta të rinj është pikërisht pak më poshtë.

Piktura dhe nëngjinitë e saj nuk besoj se janë të rrezikuara të zhduken, ato thjesht sot kanë marrë trajta të reja dhe i janë përshtatur ndryshimeve të kohës dhe teknologjisë. Ka një përhapje shumë të madhe të artit urban dhe pikturave murale në qendra të banuara apo objekte banimi ashtu si dhe të artit dixhital (sidomos në gjininë e karikaturës) . Unë nuk jam askushi për të dhënë mesazhe, por mund të them që do doja ta jetoja pjesën tjetër të jetës sime në një botë ku të rinjtë shprehin, mendohen dhe konsumojnë energjitë e tyre në gjëra më me thelb dhe me peshë se thjesht shfaqja e formave të trupit të tyre. Arti është një mjet shumë i fuqishëm nëse përdoret në mënyrën e duhur dhe rrjetet sociale mund të jenë arena ideale e përhapjes së tij.”

Me siguri që të gjithë mezi po prisni të shihni punimet e Ardi Karanxhës, dhe këtë gjë ai na e bëri të mundur nëpërmjet fotove të pikturave dhe karikaturave të realizuara kohët e fundit nga artisti korçar. Ju ftojmë ti shihni në galerinë më poshtë.

Kontakt Ardi Karanxha 0683012234/CNA.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Në QYTETIN tim

PERSONAZH/ Njihuni me mjeshtren Ardiana Handraj, “Artizania e Shqipes”!

Publikuar

-

Nga

Ardianën nuk e sheh asnjë herë duke pushuar, në dorë mban gjithmonë një çentro apo pjesë të kostumeve popullore që i punon deri në detajet më të vogla. Ardiana Handraj është një artizane nga Shkodra e cila bën punime me dorë. Pasioni i saj është punimi që i bën Shqiponjës duke e cilësuar atë si “Artizania e Shqipes”, emër me të cilin e njohin të gjithë.

Ardiana Handraj, artizane

Ardiana thotë se pasionin e saj e ka zbuluar që në moshën 7 vjeçare ndërsa shton se ka mbi 35 vite që merret me këtë punë.

Në fakt unë kam që 7 vjeçe që punoj me dorë, ndoshta duket e pabesueshme por atëherë e kam filluar për herë të parë.  E kam patur trashëgimi por nuk është vetëm ajo sepse e kam patur edhe dëshirë e pasion që e vogël.  Këto punimet ku unë jam fokusuar që është Shqija siç i themi ne ka 35 vite që e kam me shumë qejf. Unë ka 20 vite që punoj edhe me kostumet kombëtare dhe kur mërzitem ndonjëherë me to atëherë kaloj tek Shqipja sepse më duket sikur qetësohem. Të dy gjyshet e mia por më pas edhe tezet dhe hallat janë marrë me këtë punë dhe unë them se është pak edhe me gen. Vështiësi nuk mund ta quaj edhe pse ndoshta dikujt i duket ashtu por për mua është kënaqësi që e punoj“.-u shpreh për CNA.al Ardiana Handraj.

Emigrantët, të dashuruar pas simboleve kombëtare mbeten klientët më besnikë. Madje, shumë prej tyre e cilësojnë Ardjanën si “Artizanen e Shqipes”, duke iu referuar Shqiponjës në veshjet e saj.

Klientët e parë që i vlerësoj dhe falenderoj patjetër që janë shqiptarët që jetojnë në shtetet e tjera sepse këtu mua më vjen shumë keq që nuk e vlerësojnë Shqipen që është simboli ynë kombëtar. Unë e dua shumë Shqiponjën dhe e punoj me shumë dashuri dhe kudo ku kam shkuar në aktivitete më kanë quajtur artizania e Shqipes. Deri edhe tek maskat tani për pandemi kam arritur që ta punoj Shqipen.  Në Mal të Zi kanë publikuar gazetat Shqipen time dhe unë jam surprizuar sepse atje është vend i huaj sido që të jetë. Para dy vitesh u bë Sofra e Dukagjinit në Neë York. Organizatorit të atij aktivitet i kam punuar 18 xhubleta  dhe 13 kostume burrash për 20 ditë. Një ditë përpara aktivitetit i ka patur gati. Xhubleta merr shumë kohë por unë nuk e di ku e gjeta atë kohë dhe as mua nuk më besohet sot që i shoh se si i kam punuar vetë“.-thotë Ardiana Handraj.

Xhubleta, kostum femrash 

Vlera në treg nuk është edhe shumë e madhe e këtyre punimeve që unë bëj thotë Ardiana sepse nuk është materiali i dikurshëm sepse po të jetë ai shkon edhe 1500 euro apo 2000 euro kurse me këtë material që është nuk mund të marrë më shumë se 350 mijë lekë të vjetër. Normalisht që pëlqehen dhe ka porosi por edhe në ato raste kur sheh se ka pak heiztim përveç porosisë që kanë artizania shkodrane thotë se i jep edhe ndonjë gjë tjetër dhuratë vetëm për t’i nxitur dhe për t’i bërë që klientët të ndjehen mirë. Kam dëshirë që t’i ushqehet fëmijës xhubleta, Shqipja apo të tjera dhe ato ta dinë që i kanë patur gjyshet e tyre, nënat dhe t’i kenë sot edhe vetë fëmijët apo të rinjtë, ta kenë pra si ushqim traditën, thotë Ardiana.

LEXO EDHE:  Turqi/Gjykata dënon dy karikaturistë, vizatuan Erdogan

LEXO EDHE:  Roland Karanxha prezanton ekspozitën “Vazhdimësi”

Ardiana bën edhe një mbulesë që më shumë dikur e kanë preferuar korçarët. Në Shkodër kanë qenë dy tri gra zonja tipike që e kanë punuar kurse në Malësi të Madhe absolutisht që jo. Për artizanen tonë është i 36-ti vit që e punon dhe e mban mend dhe nuk kam nevojë as ta shohë fare dhe ndoshta dikush mund të çuditet.

Çentroja e Korçës

“Unë që punoj pak shpejt për një ditë e mbaroj një çentro të madhe ndërsa një komplet çentro i do tri ditë dhe nuk ka vlerë monetare sepse nuk e vlerësojnë, por unë e bëj për pasion. Unë përdor edhe rrjetet sociale”.-u shpreh artizanja shkodrane. 

Rrjetet sociale janë shumë të rëndësishme. Ardiana ka një llogari në Instagram por më shumë punon me facebook. Ka shumë këngëtarë shqiptar që jetojnë në SHBA, Australi, Angli, Gjermani dhe shumë shtete të tjera. U është përkushtuar shumë atyre dhe ka kryer detyra që ndoshta nuk i kanë takuar sepse përveçse ia ka punuar porositë e tyre, ka shkuar më tej edhe duke i postuar.

Ajo që mbetet problem është se për momentin nuk ka asnjë person që mund ta trashëgojë. Kishte nusen por ajo iku jashtë Shqipërisë. Ajo filloi dhe arriti të mësonte dhe nisi të ndihmonte vjehrrën e saj por u detyrua të lërë Shqipërinë. Duke mos patur dikënd që t’ia trashëgojë Ardiana ka marrë një nisëm dhe shpreson ta realizojë në shtator. Ka dëshirë që të marrë një grup të rinjsh vajza dhe djem dhe një orë në ditë dua t’ia kushtojë atyre. Ky kurs për qendistarinë do të jetë falas vetëm e vetëm që t’ia injektoj si ushqim punën e dorës dhe traditën dhe ta njohin se si bëhet dhe ta mësojnë që kjo traditë të mos humbasë.

Gjatë pandemisë kur shumë kush nuk ka punuar falë Zotit unë kam patur punë dhe nuk mund ta mohoj. Është shitur shumë maska me Shqipen që kam bërë. Unë e bëra thjeshtë për promovim fillimisht se nuk kisha çfarë të bëja por u pëlqeu dhe kisha kërkesa shumë. Ka qenë një detyrë e vështirë sepse u dontë gjithë ditën të qepja , në dark i laja dhe në mëngjes pastaj i hekurosja dhe dizinfektoja dhe më pas bëja shpërndarjen e tyre. Kam bërë vetëm nga dy-tri orë gjumë gjatë kulmit të pandemisë. Deri tani kam shpërndarë 8700 maska të bëra me dorë. Disa prej tyre edhe i kam falur sidomos për pensionistët apo ata në nevojë sepse një maskë një mijë lekë ishte shtrenjtë. Sa blen një maskë pensionisti mund të blejë një bukë“, shprehet artizania Handraj.

Në fund ka një mesazh për të gjithë artizanët:

Mesazhi që kam është që të punojmë gjithë bashkë dhe të kemi harmoni me njëri-tjetrin dhe kam një thirrje të vogël“, përfundon artizania Ardian Handraj./CNA.al

LEXO TE PLOTE

Në QYTETIN tim

REPORTAZH/ Shkodra, atraksion për turistët këtë sezon

Publikuar

-

Nga

Këtë vit Shkodra po pret një bum turistësh. Jo vetëm të ardhur nga vende të Bashkimit Europian, por risi janë vizitorët nga Egjipti dhe Pakistani. Në qendër të qytetit Bashkia Shkodër ka vendosur Qendrën e Informimit, e cila jep shërbim prej vitit 2016. Rina Xhuxha thotë se gjatë muajit korrik çdo ditë pranë kësaj qendre kanë kërkuar informacion të paktën 30-50 turistë.

Qendra e informimit jep shërbim që prej vitit 2016. Dy vitet e fundit kemi patur një rënie drastike te turistëve, siç dihet për shkak të pandemisë. Por këtë vit sezoni ka nisur mbarë. Shkodra po përballet me dy risi. Së pari është atraksioni në qytet. Nëse përpara dy vitesh turistët e shfrytëzonin më shumë si vend tranzit për të shkuar në Mal të Zi, këtë vit ata duan të qëndrojnë në qytet të paktën 2-3 ditë. Tek ne kërkojnë informacion mbi hotelet apo hostelet që ofron qyteti si dhe pikat turistike. Vijnë me qëllime te qarta, pra kanë informacione të shumta. Tek ne më shumë kërkojnë detaje, për shembull mbi rrugën sa orë bën për të shkuar në Theth, apo shtegun që mund të përshkruajnë. Risia e dytë është origjina e vizitorëve. Përveç vendeve të Bashkimit Europian, këtë vit kemi shumë turistë nga Egjipti dhe Pakistani. Mendoj që qyteti i Shkodrës së bashku me pikat turistike që ofron këtë vit ka një përmirësim të dukshëm në aspektin financiar nga turizmi.”-tha Rina Xhuxha.

Rina Xhuxha, Qendra e Informimit në Shkodër

Kjo është Hanna Wiktor, së bashku me djalin e saj Liann kanë ardhur nga Polonia. Së pari kanë vizituar jugun e Shqipërisë e tashmë turin e tyre po e mbyllin me veriun. Ata janë të kënaqur me njerëzit, shërbimin dhe panoramën që ofron vendi ynë. Hanna thotë se në Shkodër i ka bërë përshtypje arkitektura e banesave dhe pedonalës.

Ne sot pas jugut po nisim një turin e dytë të Shqipërisë. Kam ardhur sëbashku me djalin tim. Në Shkodër jam mahnitur nga arkitektura, pedonalja ishte e veçantë. Duam që sonte të qëndrojmë në Shkodër e më pas të nisemi drejt Thethit. Kemi dëshirë që të përshkojmë në këmbë shtegun Theth-Valbonë. Mendoj që keni vende të mahnitshme për të bërë turizëm. Kam dëgjuar shumë edhe për Shirokën, ndaj u ndalëm tek qendra e informimit për të pyetur nëse është larg pasi nuk u orientuam me sinjalsitikën në qytet”.-tha Hanna Wiktor, për CNA.al.

Hanna Wiktor, turiste nga Polonia

Edhe djali i saj Liann ka mbetur i mahnitur nga Shqipëria. Sapo e pyet mbi përshtypjet ai thotë fjalinë “Shqipëria është e mahnitshme”.

Shqipëria është e mahnitshme. Unë mora informacion në internet dhe pashë që vendi juaj kishte sezon turistik covid free. U informova mbi vendet turistike, nuk mundëm t’i ndajmë veriun me jugun, ndaj menduam që t’i eksplorojmë të dy. Kemi qëndruar një javë në jug, e tashmë tri ditët e fundit të qëndrimit tonë duam t’i përmbyllim me veriun. Shkodra na pëlqen shumë. Sot duam të vizitojmë Shirokën, muzeun e diktaturës, pasdite kalanë Rozafa dhe mbrëmjen ta kalojmë në pedonalen e qytetit tuaj. Nesër po nisemi drejt Thethit. Do të bëjmë në këmbë shtegun Theth-Valbonë. Keni vende të mrekullueshme dhe Shqipëria meriton të jetë internacionale”.-tha Liann.

LEXO EDHE:  Turqi/Gjykata dënon dy karikaturistë, vizatuan Erdogan

LEXO EDHE:  Roland Karanxha prezanton ekspozitën “Vazhdimësi”

Liann Wiktor, turist nga Polonia

Johan Buttler vjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për të është hera e parë që viziton Shkodrën. Ai kishte punuar me një emigrant nga Malësia e Madhe dhe vendosi që të vinte katër ditë në Shkodër. Pjesë e vizitave të tij ishte Kelmendi, qyteti i Shkodrës dhe do të përmbyllte vizitën e shkurtër me kryeqytetin.

Johan Buttler tha për CNA.al se “Kam ardhur prej katër ditësh në Shkodër. Së pari vizitova Kelmendin, një vend që m’u sugjerua nga një koleg i imi atje, ishte vend i mahnitshëm. Ushqimi bio, kishte një shije që vështirë ta gjesh kund. Në Shkodër erdha mbrëmë. Kam vizituar muzeun e dëshmisë dhe kujtesës. Më ka rrenqethur historia e së kaluarës tuaj. Mendoj që keni shumë për të treguar. Qyteti është një tjetër mrekulli. Unë tani po nisëm drejt Tiranës, edhe atje dua të vizitoj disa vende që i kam të shënuara. Pastaj do kthehem në USA. Po kthehem vërtetë me përshtypjet më të mira për ju si popull dhe si vend”.

Johan Buttler, turist nga USA

Shkodra ofron disa lloje të veçanta atraksionesh turistike të cilat janë unike për vendin dhe më gjërë. Hotelet në qytetin e Shkodrës ofrojnë mundësi akomodimi mjaft të diversifikuara. Hotelet që ofrojnë kushte të mira dhe çmime nga 30-60 euro. Përgjithësisht, të tjerët që ofrojnë kushte minimale për akomodim kanë çmim nga 10-20 euro. Kohët e fundit hotelet kryesore të qytetit janë renditur edhe në websitet e rezervimit dhe të agjencive turistike. Hotelet kryesore ofrojnë të gjitha facilitetet moderne të tilla si restorante me kuzhinë tradicionale dhe italiane, bare, salla konferencash, fitness, sauna, pishinë verore, internet, etj. Gjithashtu në qytet funksionon edhe akomodimi në hotele të vogla dhe akomodimi familjar. Kapaciteti i hoteleve të regjistruara është gjithsesi ende i vogël, rreth 300 shtretër.

Pamje Shkodra

Brenda qytetit ka disa vende historike për t’u vizituar që nga: Kalaja e lashtë Rozafa, muze te ndryshëm, shtëpi historike, monumente kulti, institucione të kulturës. Ndërsa në natyrë mund të shkoni në: liqeni i Shkodrës, Shirokë-Zogaj-Koplik, bregdeti Adriatik Velipojë, Ishulli Franc Jozef, Razëm, Tamarë, Theth, Bogë, Vermosh, Bjeshkët e Tërbunit etj./CNA.al

LEXO TE PLOTE

Në QYTETIN tim

REPORTAZH-Vithkuqi, thesari i paeksploruar i Korçës/ Qyteti i lashtë, legjenda, kultura dhe traditat

Publikuar

-

Nga

Destinacioni i rradhës për stafin tonë dhe për ju si lexues do të jetë Vithkuqi, pjesë e rrethit të Korçës, me vlera të mëdha kulturore e historike, dhe me njerëz mikpritës që do t’iu presin si të ishit në qytetin tuaj.

Vithkuqi është qyteti i hershëm i mbi 100 krojeve, 3 kalave, 24 kishave dhe 3 manastireve, duke u konsiferuar kështu si një nga vendbanimet më të veçanta që ka qarku juglindor. Dikur një “qytet”, e sot një fshat që sapo shkel në të, të jep ndjesinë e qetësisë shpirtërore, të një thesari natyror të paeksploruar më parë. I ndodhur vetëm 25 km nga qyteti i Korçës, në këtë zonë shohim ende stilin e veçantë arkitekturor me kalldrëme e banesat e ndërtuara prej guri. Dikur në këtë vend numëroheshin 331 shtëpi, ndërsa në atë kohë Korça kishte vetëm 31 shtëpi, pra në bazë të dokumentave historike, flitet për një vendbanim tepër të hershëm që prej vitit 1448.

Banorët e Vithkuqit janë fanatikë për sa i përket historisë, kulturës e traditave të zonës, duke u mësuar edhe të rinjve historinë e saj, me legjendat e gojëdhënat, me burrat e dijes dhe patriotët. Pas viteve 1500 Vithkuqi ka qenë një qytet i lulëzuar, me rreth 15 mijë banorë, me 24 lagje, 24 kisha e 3 manastire. Por sot kanë mundur të mbijetojnë vetëm 14 kisha, e ajo që e bën akoma më interesante historinë e kësaj zone është pikërisht besimi te Zoti. Ekziston një gojëdhënë e viteve më parë, për Vangjelin, një fëmijë për hir të të cilit u ngrit edhe “Kisha Vangjelizmo”.

Prinderit e Vangjelit duhet të shkonin në Kishë dhe të kryenin ritet për ngjalljen e Krishtit. Vangjeli sëmuret dhe bie pa ndjenja, dhe prindërit pavarësisht gjendjes së tij shkojnë në kishë dhe pranë të voglit në krevatin e tij lidhën një shqerrë. Shkojnë në kishë por nuk mund të qëndronin shumë, sapo trokitën vezët dhe thanë shprehjen “Krishti u ngjall ” prindërit e të voglit largohen. Kjo tërhoqi vëmendjen e besimtarëve ku një pjesë e tyre i ndjekin pas për të kuptuar çfarë i shqetësonte. Prindërit shkojnë në shtëpi dhe e gjejnë përsëri të voglin në gjendjen që e lanë. Me vezën e kuqe të Pashkës prindërit e rrotullojnë tre herë rreth fytyrës së fëmijës duke thënë e fjalët e ritualit:” Krishti u ngjall” , herën e tretë fëmja u zgjua e tha : ” Vërtet u ngjall”! Kjo besohet se është fuqia e mbinatyrshme e Krishtit.” – na tregon një banor i Vithkuqit.

Kisha me famë në Vithkuq është ajo e Shën Mëhillit të cilët banorët e quajnë “Kisha e Mikaelit” apo  “Kisha e Kryeëngjëjve”, një monument kulture i cili daton në vitin 1682, por sipas gojëdhënave të fshatit është e vitit “900”. Një objekt kulti tepër i veçantë pranë kishës së Shën Mëhillit është “Varri i Pagëzimit”.  Sipas një gojëdhëne, në këtë vend janë varrosur të gjithë pjesëtarët e familjes Thana nga lagjja Dukat.

Varri përmban 5 pjesëtarët e familjes Thana. Thanas Thana dhe Afërdita u dashuruan kur vajza mbushte ujë në burim. Dashuria e tyre  kurorëzohet në martesë dhe çifti i ri sjellin në jetë një djalë. Vithkuqarët  gjatë kësaj kohe kishin vendosur që cdo ortodoks duhej të pagëzohej brenda 3 ditësh ose të largoheshin pasi në të kundërt do u pritej koka. Data ishte 27 dhjetor dhe kumbarja e çon fëmijën drejt Kishës së Shën Pjetrit të Vithkuqit, atje e pagëzuan dhe gjatë rrugës fëmija ndrron jetë nga i ftohti. Afërdita kur e pa fëmijën të vdekur nga dhimbja qau, bërtiti dhe vdiq. Dhimbja kaploi edhe gjyshërit e të voglit të cilët gjithashtu ndërruan jetë. Thana, babai i djalit të vogël luajti mendsh dhe u largua duke përfunduar në “Manastirin e Maqedonisë”. Atje ka qëndruar shumë vjet. Pasi i kthehet memorja dhe kujton pjesëtarët e familjes, vjen drejt fshatit, viziton varrin dhe largohet në pyllin e Sherës , pranë Vithkuqit. Atje ngre një kasolle dhe qëndron për vite të tëra si një “oshënar”. Në kohën e pleqërisë djemtë e Vithkuqit që dilnin për gjah e gjejnë Thanën dhe qëndruan një natë në kasollen e tij. Plaku Thanë i tregon historinë dhe më pas vdes . Djemtë e Vithkuqit e marrin dhe e varrosin në eshtrat e familjarëve të tjerë.Në Vithkuq nuk mund të ktheheshe dot në fenë muslimane.” – tregon një tjetër banor i zonës.

LEXO EDHE:  Turqi/Gjykata dënon dy karikaturistë, vizatuan Erdogan

LEXO EDHE:  Turqi/Gjykata dënon dy karikaturistë, vizatuan Erdogan

Secila kishë në këtë fshat është një muze arti më vete, duke u bërë pjesë e njësishme e peisazhit të Vithkuqit. Këto kisha veç arkitekturës së ndërtimit janë të pasura ne ikona, ikonostase dhe afreske të punuara nga mjeshtra të pikturës e druskalitjes, nga vëllezërit Zografi e shumë të tjerë.

“Kisha e Kozma Damjanit”  është ndër kishat e veçanta , pasi në katin e poshtëm në të ndodhen eshtra dhe kafka njerëzish të cilat vendoseshin në qeska dhe arka. Por cila është historia e saj? Banorët shprehen se kjo është e vetmja kishë e tillë në Shqipëri, duke treguar së për shkak të numrit të lartë të banorëve, eshtrat e të vdekurve do të zhvarroseshin pasi të kalonin 3 vjet për të krijuar vende. Eshtrat e banorëve mbështilleshin në qese, i lyenin me Miro (dezinfektant) , i murosnin sipas ortodoksëve dhe në të vendoseshin emrat, datat e lindjes e të vdekjes. Eshtrat e të vdekurve merreshin dhe vendoseshin brenda kishës. Janë të shumta këto objekte kulti të rëndësisë së veçantë në këtë fshat.

Banorët e këtij fshati në periudha të ndryshme, kur vendi ynë ra pre e pushtimeve barbare, qëndruan të palëkundur ndaj besimit ortodoks, pa e tjetërsuar besimin e Zotit që ata i luteshin e i besonin.  Midis dy luftrave botërore, Vithkuqi është djegur tre herë. Përpjekjet greke në luftën e parë botërore për ta joshur popullsinë ortodokse të rrethuar nga një tjetër popullsi e besimit mysliman, dështuan. Si pasojë, prej grekërve fshati u dogj e rrafshua krejt me masakra të papara. Vithkuqi promovon vlera të pamatshme, kulturë e histori të patjetërsueshme , peisazhe mbresëlënëse, njerëz mikëpritës, të dashur, dhe një kulinari mjaft të pasur./CNA.al

LEXO TE PLOTE