Connect with Us

Racizmi në sport/ Pse del në sipërfaqe kur humbin skuadrat?

Blog

Racizmi në sport/ Pse del në sipërfaqe kur humbin skuadrat?

Publikuar

-

Nga Rachel Anne Gillett “The Conversation”

Gjatë gjuajtjes së penalltive ku Italia mposhti Anglinë në finalen e “Euro 2020”, aftësia e portierëve u la në hije nga dështimi i perceptuar i lojtarëve anglezë, të cilët dështuan të shndërroni në gola gjuajtjet e tyre.

Tre lojtarë të rinj – Markus Rashford, Xhadon Sanço dhe Bukajo Saka – iu nënshtruan një abuzimi të madh racist. Një nga gjërat më të këqija në lidhje me këtë racizëm, ishte parashikueshmëria e tij. Racizmi është vërejtur prej kohësh në sportet evropiane, dhe intensifikohet sa herë që lojtarët me ngjyrë vendosen në qendër të vëmendjes gjatë garave të mëdha ndërkombëtare.

Një postim në Twitter në kundërpërgjigje të këtij fenomeni e përmbledh më së miri këtë gjë:“Kur shënon, je anglez. Kur nuk shënon, je një emigrant!”. Por nuk ishin vetëm lojtarët anglezë, ata që përjetuan një trajtim të tillë gjatë turneut.

Ylli i kombëtares franceze Klian Mbape u përball me një abuzim të ngjashëm racist në internet, kur portieri zviceran Jan Somer priti me sukses gjuajtjen e tij në ndeshjen e raundit të dytë që i dërgoi blutë të në shtëpi. Abuzimi racist rishfaqet vazhdimisht.

Rritja masive e dukshmërisë dhe popullaritetit të sporteve gjatë shekullit të kaluar, falë televizionit, radios dhe internetit, e ka intensifikuar mënyrën se si tifozët lidhen me lojtarët e klubeve apo kombëtare. Sportistët shndërrohen në fytyrën e një kombi, dhe shumë nga ne lidhim tek ata shpresat, frikën dhe frustrimet patriotike.

Shihni këtë citim të cituar shpesh nga historiani Erik Hobsbaum rreth fuqisë së futbollit për të prekur ndjenjat kombëtare:”Komuniteti i imagjinuar i miliona njerëzve, duket më i vërtetë si një ekip prej 11 personash me emra konkretë!”. Kur skuadra të ndryshme fitojnë botërorët dhe evropianët, ky shihet si një triumf anti-racist.

Kjo është arsyeja pse fitorja e Afrikës së Jugut në botërorin e regjit në vitin 1995 ishte kaq simbolike, pasi erdhi shumë shpejt pas shembjes së regjimit të Aparteidit. Kombëtarja franceze e futbollit frymëzoi një valë krenarie në multikulturalizmin francez pas fitoreve së
2 botërorëve në vitet 1998 dhe 2018.

Kjo u simbolizua tek parulla Black-Blanc-Beur (Zi-Bardhë-Afrikano-Veriorë) – një ndryshim i Bleu-Blanc-Rouge (Blu, E bardhë dhe e Kuqe) për ngjyrat e flamurit francez. Por ideja e arritjes së harmonisë racore përmes ekipeve të ndryshme sportive ka ngjallur shumë polemika.
Historiani Loren Dybua ka përshkruar në detaje në librin e tij “Perandoria e futbollit”, sesi gëzimi kombëtar nga fitimi i një kampionati, shkëlqen mbi historitë e vështira të racizmit dhe të përjashtimit. Po ashtu, festimet zgjasin vetëm për aq kohë sa zgjatin fitoret.

Studimet kanë treguar se kur ekipet humbasin, rrjedhat dalin në sipërfaqe ndjenjat ekzistuese përjashtuese raciste dhe nacionaliste, duke pretenduar se lojtarët me ngjyrë nuk i përkasin kombit të tyre. Nëse skuadra nuk është “ne”, atëherë “ne” nuk humbëm. Nuk ishte kombi, apo njerëzit “e mi” që dështuan, por ky ishte ai i huaji.

Kjo mund të marrë forma të ndryshme tek kombet ku njerëzit e bardhë nuk janë shumica,
por skema themelore është e njëjtë. Për shembull, yjet myslimanë të sportit në Indi i nënshtrohen vazhdimisht një abuzimi të tillë në vendet e tyre, ashtu si edhe lojtarët japonezë me origjinë zezake.

LEXO EDHE:  Si do të sillemi pas vaksinimit?

Racizmi dhe realiteti

Një abuzim i tillë është një përzierje veçanërisht e shëmtuar e hidhërimit, patriotizmit, zemërimit dhe gjetjes së një fajtori për dështimin. Në rastin e lojtarëve anglezë, ai mohon realitetin e lindjes, shtetësisë dhe edukatës kulturore të tyre në Angli – dhe historinë që e ka bërë vendin dhe Evropën në përgjithësi, një hapësirë etnike thellësisht të përzier dhe të larmishme.
Kur tifozët përfshihen në abuzime raciste, ata vënë në shënjestër lojtarët, pasi ata shihen si “njerëz që nuk i përkasin kombit të tyre”. Ndoshta refuzimi i tyre përceptohet si më më vend sesa refuzimi i njerëzve që ndajnë një identitet imagjinar “origjinal” kombëtar të bardhë, dhe që e forcon ndjenjën e epërsisë.
Kjo kërkon edhe harresën edhe ri-shpikjen e identitetit, dhe sugjeron ekzistencën e një pasigurie të madhe për identitetin vetjak. Vlerësimi i Lilian Turam mbi racizmin që përjetoi nga të ashtuquajturit “tifozë” ishte më bujar.

Siç shkruan Dybua, Turam ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se problemi se këta njerëz janë peng i një mënyre të menduari, dhe nuk kanë pasur mundësinë t’i shpëtojnë asaj.
Sociologët, historianët, kritikët e artit, aktivistët kundër racizmit dhe studiuesit e medias do të pajtoheshin me Turam mbi shkallën e problemit.

Në Evropë ekziston një traditë e gjatë dhe e përhapur e përcaktimit të lojtarëve me ngjyrë si “të tjerët”, përveç etiketimit si më shumë “fizikë” dhe më pak “strategjike”. Nuk është rastësi që vetëm 3.9 për qind e trajnerëve në 14 ligat më të mëdha të Evropës kanë prejardhje nga pakicat etnike.
Studiuesja Irene Blum dhe aktivisti kundër racizmit Xhon Oliveira, vunë në dukje se kjo përsërit modelet historike të punëtorëve zezakë dhe pronarëve të bardhë, të mbështetur nga racizmi shkencor, skllavëria dhe kolonializmi.

Në këto kushte, a mund të lëvizim përtej mohimit abuziv të historisë në një krenari kombëtare më të pjekur? Një pikturë murale e Markus Rashford – e përdhosur nga racistët dhe e shndërruar më pas nga tifozët dhe mbështetësit në një vend pelegrinazhi – e dëshmon këtë potencial.

Mbetet të shihet nëse dhe si do të reagojë qeveria britanike. Kryeministri Boris Xhonson ka sugjeruar ndalimin e hyrjes në stadium të tifozëve që përhapin racizëm në internet. Kritikët e tij e kanë akuzuar atë për hipokrizi, duke thënë se ishte vetë Xhonson ai që ndihmoi në nxitjen e reagimeve të tilla, kur refuzoi të dënonte talljet ndaj lojtarëve që gjunjëzoheshin në fushë në mbështetje të lëvizjes kundër racizmit.
Ndoshta ngjarjet e fundit të shëmtuara mund të sjellin një transformim, nga raportet shkencore dhe strategjitë në letër, në veprime konkrete dhe ndryshime strukturore reale. Kjo do të kërkojë angazhimin e mediave sociale, biznesit, trajnerëve, lojtarëve, akademive të futbollit por edhe vetë tifozëve. Kjo mund të kërkojë edhe ndëshkime, por ato ia vlejnë
pasi flitet për një qëllim fisnik./Përshtatur nga CNA.al

Burimi: https://theconversation.com/racism-in-sport-why-it-comes-to-the-surface-when-teams-lose-164413 

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

Pse u humb lufta globale kundër terrorizmit?

Publikuar

-

Nga

cna lajme blog

Nga Julien Théron “Eu Observer”

Njëzet vjet pas sulmeve terroriste të 11 Shtatorit, Lufta Globale kundër Terrorizmit (GËOT) duket se është në rrugën e saj drejt humbjes. Koncepti, i shpikur për të kuruar traumën e shkaktuar nga sulmi terrorist ndaj Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju Jork, nuk përmbushi dot premtimet e promovuesve të tij.

Ndërhyrjet e ndryshme, të ndërmarra në emër të kësaj lufte, kanë qenë thuajse gjithmonë një katastrofë, pasi xhihadizmi iu përshtat situatës, u përhap dhe u rrit më tej. Njëkohësisht, konkurrentët politikë përfituan nga situata, duke sfiduar fort demokracitë liberale perëndimore.

Koncepti i përgjithshëm i “luftës kundër terrorizmit” përbëhet nga tre gabime themelore.

Së pari, “terrori” është një ndjenjë, dhe nuk ishte armiku fizik, Al-Kaeda.

Përdorimi i këtij termi ofroi mundësinë e zgjatjes së pafundme të luftës, duke nënkuptuar aktorë shtetërorë dhe jo-shtetërorë, por duke fshehur faktin se kush ishte në realitet armiku.

Së dyti, në kuptimin e zakonshëm“lufta” i referohet veprimeve të ndërmarra nga një ushtri e rregullt.

Anti-terrorizmi kërkon ndonjëherë veprime ushtarake, por vështirë se përputhet me një luftë tradicionale. Zgjedhjet politike, ku vendimmarrësit mobilizuan mjetet më të avancuara ushtarake në ndërhyrjet e huaja, rezultuan të ishin joefikase dhe nganjëherë edhe kundërproduktive.

Së fundi, përdorimi i termit “global”, nënkuptonte që zona e ndërhyrjes do të mbulonte të gjithë botën, edhe pse anti-terrorizmi është i kufizuar në luftimin e rrjeteve shumë konkrete.

A funksionoi kjo luftë? Objektivat e GËOT, të përcaktuara nga administrata e Xhorxh Ë. Bush në “100 ditët e para”, duke u përqendruar tek Al-Kaeda dhe Afganistani, dështuan që të gjitha.

As ndërhyrja në Afganistan, dhe as lista e gjatë e përfshirjeve komplekse që pasuan, duke e përjetësuar konceptin e kësaj lufte, nuk sollën një qëndrueshmëri globale. Të gjithë betejat lokale të kësaj lufte përfunduan në dështime.

Në Afganistan, Irak, Siri, Libi dhe Sahel, xhihadizmi sunit rezistoi, ishte elastik kur u gjend nën presion, dhe në fund u ri-ngrit dhe u përhap. Strategjia e papërshtatshme e zbatuar në Afganistan dhe Irak, imponoi zhvillimin e doktrinave të avancuara të kundër-kryengritjes. Strategë si Negl, Kilkullen, Petreus, Mekmaster, Hejms dhe Hofman, u detyruan të rivlerësonin atë që ishte në fakt Lufta Globale kundër Terrorizmit.

Në këtë mënyrë, ata theksuan se sa keq ishte hartuar strategjia e antiterrorizmit pas 11 Shtatorit.

Politika e ndërhyrjes direkte nuk funksionoi, ndërsa edhe pse ndërhyrjet e mëvonshme në Sahel dhe ato kundër Shtetit Islamik në Irak dhe Siri, u përpoqën që ta shpiknin këtë luftë nëpërmjet ndihmës së forcave të sigurisë dhe misioneve luftarake ajrore, efektet mbetën të paplota për të thënë më të paktën.



Në fund legjitimimi politik i koncepteve të tilla si “lufta parandaluese”, si dhe vrasjet specifike jashtë një kuadri ligjor, ngritën disa pikëpyetje legjitime. Po ashtu ato e forcuan narrativën e viktimizimit të xhihadistëve.

Ndërhyrja ushtarake në fushën e anti-terrorizmit është një opsion, por ajo kërkon dhënien e përgjigjes ndaj pyetjeve themelore si:Kur duhet të zbatohet në shkallë të gjerë kjo masë? Pse? Cilat janë shanset për të fituar? Si të veprojmë? Sa është kostoja (njerëzore, politike, ushtarake dhe financiare)?

LEXO EDHE:  Si do të sillemi pas vaksinimit?

LEXO EDHE:  Zgjedhjet e 25 prillit/ Zotohet Çuçi: Do angazhohem që policia mos njolloset nga politika dhe grupet kriminale 

A mund ta përballojmë atë? E duam vërtet atë kosto? A jemi të përkushtuar aq shumë ndaj fitores, sa ta sigurojmë atë në planin afatgjatë? Cilat janë alternativat? Rreziku i mos-përgjigjes së këtyre pyetjeve, do të sillte përfitime për konkurrentët strategjikë. Shoqëritë perëndimore janë sot më të dobëta se 20 vjet më parë. Koncepti u ofroi populistëve një mjet retorik fantastik për minimin e demokracisë, me një fasadë legjitimiteti.

Xhihadistët ia dolën mbanë në terren. SHBA-ja po tërhiqet nga Afganistani, teatri më i famshëm i ndërhyrjeve GËOT, duke qenë nën presion jo vetëm nga talebanët, por edhe nga Al-Kaeda dhe Shteti Islamik. Grupimet radikale po festojnë tashmë atë që Lister e quan “një fitore e madhe për lëvizjen xhihadiste globale”.

Xhihadistët e huaj do të ri-gjejnë bazën e tyre, edhe pse në fakt nuk e humbën asnjëherë plotësisht atë. Nga një perspektivë më e gjerë, rivalët si Irani, Kina dhe Rusia, edhe pse sigurisht që nuk janë të qetë me terrorizmin xhihadist sunit, do të përfitojnë po ashtu nga katastrofa perëndimore në Afganistan.

Talibanët janë mbi të gjitha autokratë dhe shtypës, gjë që është më e përshtatshme për ta sesa për një prani ushtarake amerikane. Humbja e Shteteve të Bashkuara atje i ka hapur rrugën autokracisë, dhe Uashingtoni i ka ofruar si një bonus legjitimitetin politik.

Talibanët nuk janë fitimtarë vetëm në Luftën Globale kundër Terrorizmit. Ata janë tashmë janë heronjtë e frontit anti-perëndimor. Një gjeneral amerikan më tha dikur se SHBA-ja, lejon të ndodhin dështime strategjike thjesht sepse e ka këtë luks. Tani nuk është më kështu. As amerikanët dhe as evropianët, nuk kanë më luksin të përballojnë gabimet strategjike që kanë ndodhur në 20 vitet e fundit.

Perëndimi kundërshtohet kudo dhe në çdo nivel nga lloje të ndryshme konkurrentësh të dhunshëm dhe autokratë, të cilët po komplotojnë hapur ose në heshtje për të minuar demokracitë liberale. Ka ardhur koha që Perëndimi të zgjohet, dhe të ri-hartojë një politikë strategjike më të kthjellët përballë këtij fenomeni./CNA.al

Shënim:Dr.Julien Théron, jep leksione mbi konfliktin dhe sigurinë ndërkombëtare në universitetin francez “Sciences Po” në Paris.

 

LEXO TE PLOTE

Blog

Absolutizëm i fituesve në Afganistan/ I gjithë pushteti në duart e talebanëve?

Publikuar

-

Nga

cna lajme bote

Talibanët radikalë islamistë prezantuan qeverinë e re të përkohshme. Askush tjetër veç tyre nuk ka poste në këtë qeveri. Por totalitarizmi i tyre nuk ka për të sjellë paqen në vend, shkruan Sandra Petersmann.

Afganistani që tani është një emirat represiv islamik. Mjafton për këtë një emër, ministri i Brendshëm i emëruar, Sirajudin Hakani qëndron që nga viti 2007 në listën e terrorit të Kombeve të Bashkuara. FBI ka vendosur 10 milionë dollarë para për kokën e tij. Sirajudin Hakani konsiderohet i afërt me Al-Kaidën dhe bëhet përgjegjës për planifkimin e shumë atentateve terroriste vetëvrasëse në Kabul, ndër to edhe sulmin ndaj ambasadës gjermane në Kabul në maj 2017. Por çfarë nënkuptojnë këto vendime të talibanëve për jetën e përditshme të njerëzve në Afganistan?

Frika si shpata e Damokleut

Kur kam telefonuar me politikanen afgane, Habiba Sarabi në Katar, ajo më tha se ndjehet si “fije bari e thatë në ujë”, e lënë nga të shkojë rryma. Me zë të dridhur tha, se ka frikë të tmerrshme nga kthimi në vendlindje, sepse është një grua politikisht aktive dhe se është pjesë e pakicës shiite Hazara. Hazarët janë shpesh të përjashtuar në Afganistanin sunit. Qeveria e parë talibane (1996-2001) i përndiqte ata sistematikisht. Në Masar i-Sharif në vitin 1998 u krye një vrasje masive.

A do të kthehet tani Afganistani në një vend, ku gratë, pakicat dhe ata që mendojnë ndryshe do të bëhen të padukshëm që të mbijetojnë? Ndjesia e sigurisë së një njeriu nuk varet vetëm nga ajo, nëse dikush ushtron menjëherë dhunë, por edhe nga vetëdija, se dikush mund të ushtrojë dhunë në çdo kohë. Pa ndëshkim, sepse ka pushtetin absolut. Frika e shpatës së Damokleut rri pezull kudo.

Absolutizëm i fituesve

Habiba Sarabi, kjo “fije bari e thatë në ujë” ishte pjesë e shtetit afgan, që u ngrit me intervenimin perëndimor pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit. Ajo ka qenë guvernatorja e parë e një province, ministre e gruas dhe kandidate për zëvendëspresidente. Ajo bënte pejsë tek ato katër gra, që deri para pak javësh negociuan me talibanët për paqen pa sukses në Doha. Por talibanët fituan mbi Republikën Islamike të Afganistanit, për të cilën luftonte Sarabi dhe e shfuqizuan. Në emiratin e tyre islamik gratë nuk kanë më poste politike. Edhe përfaqësues nga rendi i mëparshëm afgan nuk gjenden në emiratin e rij, megjithë betimet e talibanëve, se duan të ngrenë një “sistem inkluziv islamik”.

LEXO EDHE:  Si do të sillemi pas vaksinimit?

LEXO EDHE:  Ja emrat e kandidatëve të PD në qarkun Lezhë (në përditësim)

Regjimi i ri taliban është një qeveri absolutiste e fituesve. Pa gra. Pa pakica. Pa të tjerë. Me këtë islamistët bëjnë të njëjtin gabim fatal si bashkësia ndërkombëtare. Edhe SHBA e aleatët e refuzuan në mënyrë arrogante në vitin 2001 të negocionin me humbësit, talibanët e rrëzuar.



Si qen të rrahur

Rezultati dihet: Lufta e Afganistanit u shkallëzua. SHBA dhe NATO e çuan atë në fshatrat afganë. Çmimin e pagoi popullsia civile. Trupat ndërkombëtare u tërhoqën si qen të rrahur pas 20 vjetësh nga fusha e betejës dhe talibanët tani dehen nga fitoja mbi superfuqinë. Por është ndryshe të fitosh në betejë dhe ndryshe të qeverisësh një vend multietnik të varfër me 38 milionë banorë në shekullin e 21. Që tani ka rezistencë të armatosur. Protesta të grave të guximshme dhe burrave. Luftëtarët dhe demonstruesit filmojnë veten me smartphone dhe i dërgojnë videot tek një publik global.

Sandra Petersmann

Varfëri e thellë dhe uri

Gjendja në Afganistan është emergjente. Miliona vuajnë nga uria dhe vërdallisen si refugjatë në vendin e tyre, të çrrënjosur edhe për shkak të thatësirës së vazhdueshme dhe dhunës. OKB paralajmëron nga një katastrofë dhe një lëvizje e re e madhe refugjatësh. Ndihmat financiare ndërkombëtare nga të cilat Afganistani ka qenë plotësisht i varur pas katër dekadash luftë kanë ngrirë pas ardhjes në pushtet të talibanëve. Ekonomia është në kolaps, ndihmat humanitare vijnë me vështirësi. Prioriteti kryesor i një qeverie afgane do të duhej të ishte të ndihmonte dhe mbronte popullin e vet. Por çfarë bëjnë talibanët? Ata i përfundojnë demonstratat paqësore me dhunë të ashpër, kërkojnë luftën vendimtare në Luginën Panxhir, ndëshkojnë gazetarët, ndalojnë muzikën, dhe u shkruajnë studenteve, se si duhet të mbulohen. Mohojnë aktet vrasëse hakmarrëse që kanë ndodhur me prova.

Recetë për katastrofë

Islamistët militantë nuk mund ta qeverisin një vend për një kohë të gjatë me dhunë, shtypje dhe ndalime. As me injorancë, fjalë të zbukuruara dhe gënjeshtra. Këtë ta mësojnë së fundmi edhe dështimet e sovjetikëve dhe demokracive perëndimore në betejën afgane.

Përpjekja për demokraci në Afganistan dështoi, sepse ajo u zbatua në mënyrë të njëanshme, injorante u bë me gjysmë zemre dhe ishte etje për pushtet. Përpjekja e re e talibanëve për të bërë sërish një emirat totalitar është një recetë e sigurtë për ta keqësuar katastrofën aty. Uria, padrejtësia dhe dëshpërimi janë armiq të rrezikshëm, edhe për të ashtuquajturit fitimtarë abolutë./DW

LEXO TE PLOTE

Blog

Kamikazët japonezë/ Si përzgjidheshin dhe si trajnoheshin për t’u vetëflijuar në sulmet ndaj amerikanëve

Publikuar

-

Nga

cna lajme blog

(Pjesa e parë)

Fjala japoneze “kamikaz”, do të thotë “erë hyjnore”. Ajo i referohet stuhisë që e shpëtoi dikur Japoninë nga flota e madhe mongole e Kublai Khan. Dhe ishte po ky emër që iu vendos pilotëve të Forcave Speciale të Sulmit gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Forca, e njohur në japonisht si “Tokkotai”, kreu sulme vetëvrasëse ndaj flotës amerikane duke përplasur avionët e tyre të mbushur me eksploziv mbi anijet amerikane. Jeta e një piloti kamikaz ishte sa e vështirë aq edhe e shkurtër. Ata të rinj ishin rekrutuar në ushtri për të kryer sakrificën e fundit në emër të perandorit të tyre.

Grupi u drejtua nga nënadmirali TakijiroOnishi. Sipas vlerësimeve të SHBA-së, gati 2.800 pilotë kamikaz vdiqën gjatë luftës. Ata arritën të godisnin objektivat e tyre në rreth 14 për qind të rasteve, duke fundosur 34 anije të Marinës Amerikane dhe duke dëmtuar 368 të tjera.

Ndërkohë kamikazët japonezë vranë rreth 4.900 marinarë dhe plagosën 4.800 të tjerë. Por këto fakte mbi pilotët kamikaz janë vetëm një pjesë e historisë. Historia e vërtetë është se si ishte të shërbeje si një ushtar që ishe i urdhëruar të vdisje për vendin tënd.

Thuhej se të gjithë pilotët kamikaz ishin vullnetarë, por kjo nuk ishte e vërtetë

Ndërsa disa pilotë kamikaz dolën vullnetarë dhe ishin plot entuziazëm, kjo nuk ishte e vërtetë për të gjithë. Pilotëve që do të caktoheshin potencialisht si kamikaz, iu jepej një copë letër që kishte tri opsione; vullnetar me dëshirë, thjesht vullnetar, apo thjesht jo vullnetar.

Meqenëse letrat përmbanin edhe emrat e pilotëve, këta të fundit shumë rrallë refuzonin. Presioni për të qenë një “kamikaz vullnetar” ishte shumë i madh. Ligji ushtarak japonez i kohës e inkurajonte në çdo rast vdekjen para dorëzimit tek armiku. Dhe në fakt nuk ishin vetëm kamikazët ata që e zbatuan atë.

Ndërkohë, ushtarët japonezë do të përfshiheshin në akte vetëvrasjeje në stilin banzai kur përballeshin me një humbje të caktuar. Madje edhe civilët japonezë, zgjodhën vetëvrasjen mbi kapjen rob, siç ishin mijëra njerëz që u hodhën nga shkëmbinjtë e Saipanit.

Përveç këtij presioni, shpeshherë eprorët do t`i pyesnin ushtarët potencial për kamikaz se kush nuk donte që të dilte vullnetar. Është shumë më e vështirë të jesh i vetmi djalë që nuk dëshiron të sakrifikojë veten, sidomos kur kjo zgjedhje me shumë gjasa do ta bënte jetën shumë të pakëndshme.

Ekziston të paktën një dëshmi e një ushtari, i cili zgjodhi më pas qëtë tërhiqej nga regjistrimi si kamikaz. Emiko Ohnuki-Tierney shkroi ndër të tjera në librin e tij “Ditarët e një kamikazi”:Kuroda Kenjiro vendosi që të mos dilte vullnetar.

Por ai u befasua kur e pa emrin e tij në listën e vullnetarëve për trupat Tokkotai të Marinës Ushtarake. Eprori i tij kishte raportuar me krenari, se të gjithë anëtarët e korpusit të tij ishin kamikaz vullnetarë”.

Kapral Jukio Araki ishte vetëm 17 vjeç, kur si anëtar i Skuadronit të 72-të Shinbu, fluturoi

në një mision kamikaz në Betejën e Okinavës. Ai besohet se ka goditur luftanijen amerikane “USS Braine”, duke marrë me vete në botën tjetër edhe 66 anëtarë të ekuipazhit amerikan.



Ushtarëve japonezë u mësohej se si të vrisnin veten që të mos kapeshin robër

Një nga gjërat e para që u mësohej të gjithë rekrutëve në ushtri, dhe jo vetëm pilotëve kamikaz, ishte se si të vrisnin veten me armën e tyre. Ata mësoheshin se si të tërhiqnin këmbëzën me gishtin e tyre ndërsa e drejtonin tytën e armës në një pikë të caktuar nën mjekër, në mënyrë që plumbi të shkaktonte vdekjen e menjëhershme. Nëse ushtari dredhonte dhe përpiqej të arratisej, shokët e tij të njësisë udhëzoheshin që ta qëllonin nga pas. Urdhri i vdekjes para kapjes rob ishte shumë i prerë.

LEXO EDHE:  Liria e shtypit, një tjetër viktimë e vitit 2020 që nuk duhet harruar

LEXO EDHE:  Moti “sfidon” vjeshtën/ Si pritet të jenë temperaturat nesër

Pilotët shkruanin një letër që do t`u dërgohej prindërve të tyre pas përfundimit të misionit

Një nga aktet e fundit të një piloti kamikaz, ishte të shkruante një letër për prindërit e tij, e cila do të lexohej pas përfundimit të misionit të tij. Kijoshi Ogava,ishte një pilot letra e lamtumirës të secilit ka mbijetuar deri në ditët tona. Në të ai shprehej:

Baba dhe nënë!

Ata kanë vendosur që edhe unë të jem një anëtar krenar i Trupave të Sulmeve Speciale. Duke kthyer kokën pas në kohë, kur mendoj se më rritët në krahët tuaj për më shumë se 20 vjet, jam i mbushur me një ndjenjë mirënjohjeje ndaj jush. Unë besoj vërtet se askush tjetër nuk ka jetuar një jetë më të lumtur se unë, dhe unë jam i vendosur t’ia shpërblej Perandorit dhe babait tim për mirësinë që kanë treguar.

Përtej atyre reve të bardha të pakufishme, unë do ta kryej i qetë sulmin tim. Në mendje nuk do të më vijnë as mendime mbi jetën dhe as për vdekjen. Njeriu njëherë vdes. Do të jetë një ditë e nderuar për të jetuar për kauzën e përjetshme.

Baba dhe nënë, ju lutem të jini të lumtur për mua!

Mbi të gjitha ti nënë, të lutem kujdesu për shëndetin tënd dhe unë ju uroj të gjithëve shëndet. Ndërsa do të jetoj përgjithmonë në Faltoren Jasukuni, unë do të jem gjithnjë pranë jush, dhe do të lutem për lumturinë tuaj. Unë do të buzëqesh, si në ditën që u zgjodha si kamikaz”.

Ogava ishte piloti i aeroplanit të dytë që goditi “USS Bunker Hill”. Sulmi kamikaz vrau 393 marinarë, plagosi 264 të tjerë dhe e nxori aeroplanmbajtësin jashtë funksionit përgjatë gjithë kohës që zgjati lufta.

Ndëshkimi trupor ishte i shumë përhapur në ushtrinë japoneze

Një pilot kamikaz i quajtur Irokava shkroi në ditarin e tij:“Pasi kalova portën për në Bazën Ajrore Detare Tsushiura, “stërvitja”nisi të kryhej ditë pas dite. Ata më godisnin aq fort në fytyrë, saqë shpesh fytyra ime nuk ishte më e dallueshme. Më 2 janar 1945, Kaneko më goditi 20 herë në fytyrë dhe pjesa e brendshme e gojës u ça në shumë vende nga dhëmbët.

Mezi prisja të haja zoni (një pjatë e veçantë me ëmbëlsira orizi për Vitin e Ri). Në fakt po gëlltisja gjakun që rridhte çurg nga brenda gojës.

Më 14 shkurt, të gjithë u ndëshkuam pasi eprorët dyshuan se hanim fshehurazi në shtëpitë e fermerëve pranë bazës ushtarake për të na lehtësuar sadopak urinë që kishim. Në mesin e të ftohtit të dimrit, na detyruan të qëndrojmë ulur për 7 orë në një dysheme betoni të ftohtë, teksa ata na godisnin vitheve me një shkop.

Pastaj secili nga ne u thirr në zyrën e oficerit. Kur erdhi radha ime, sapo hyra në dhomë, ai më goditi aq fort sa që nuk munda ta shihja më dhe u rrëzova përtokë në dysheme. Sapo arrita të ngrihesha, u godita sërish me shkop në mënyrë që të rrëfeja.

Një shoku im u përplas me kokë në dysheme, humbi ndjenjat dhe u dërgua në spital. Ai nuk u kthye më. E gjithë kjo egërsi u orkestrua nga komandanti i korpusit Tsutsui. Unë jam ende në kërkim të shokut tim”./CNA.al

LEXO TE PLOTE