LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Humbja e mjekut korçar/ Miq, kolegë, e qindra qytetarë e përcjellin mes lotësh në banesën e fundit

13 Korrik 2021, 15:45, Sociale CNA

Mjeku Kujtim Shabani u nda tragjikisht nga jeta teksa ishte me pushime në Rradhimë të Vlorës. Një dhimbje e madhe e të gjithë familjes, të afërmve, miqve e kolegëve ka qenë e dukshme sot gjatë homazheve. Me qindra qytetarë, përfaqësues të institucioneve, pacientë që janë kuruar nga mjeku, i kanë dhënë lamtumirën e fundit mes lotësh.

Doktor Kujtimi la pas 2 fëmijët dhe bashkëshorten e tij, dhe preu në mes pasionin për degën e neurologjisë. Ai e nisi profesionin e tij direkt pas përfundimit të studimeve në degën e Mjekësisë së Përgjithshme në Tiranë, dhe prej 17 vitesh punonte në Spitalin Rajonal të Korçës. Kolegët e tij, mjekë, infermierë dhe personel i këtij institucioni e panë edhe njëherë për herë të fundit sot, por që do ta kujtojnë gjatë si shembullin e mjekut human dhe dashamirës. Në shenjë respekti e mirënjohje ata kanë vendosur dhjetra buqeta me lule brenda dhe jashtë sallës.

Pjesa më e madhe e bluzave të bardha, kanë qëndruar në heshtje, mes lotësh, duke mos mundur të flasin asnjë fjalë. “Nuk ka fjalë për atë njeri të mirë!” Këtë e thoshte kushdo gjatë homazheve. Ndërsa kryeinfermieri i urgjencës vendosi që të thoshte disa fjalë, ndonëse tepër i prekur për humbjen e doktor Kujtimit.

“Do të thoja fjalët më të mira për doktorin si njeri dhe si mjek. I papërtuar, i ndodhur në çdo moment, në çdo situatë dhe sidomos me situatën e Covidit arritëm së bashku ta përballojmë me sukses. Ishte i sjellshëm me të gjithë njerëzit, qoftë edhe me pacientët e rrëmbyer, qoftë edhe ata të qetët, nuk mungonte në asnjë moment pranë personelit për të zgjidhur çdo problem që dilte. Na kritikonte edhe ne atëherë kur nuk ecte puna. Ishte vërtet një njeri që do ti mungojë shumë urgjencës në çdo drejtim. Do ti mungojë Korçës! Do ti mungojë të gjithë njerëzve!” – shprehet Elton Koleci.

Humbja e parakohshme e doktor Kujtimit ka shokuar Korçën, qytetarët e saj, krahas të afërmve e kolegëve, edhe pacientët që kanë marrë ndihmë mjekësore nga ai. Kanë qenë të shumtë këta pacientë që i dhanë sot lamtumirën e fundit mjekut human. Mjeku Kujtim Shabani ishte një prej figurave më të dashura në juglindje, një nga mjekët që profesionin e shihte si mision, dhe falë tij qindra qytetarë të prekur nga Covid gëzojnë shëndet të plotë./CNA.al


Lajmet e fundit nga