Connect with Us

REPORTAZH-Sarandopori/ Perla e Kolonjës, atraksion turistik që nuk duhet humbur

Në QYTETIN tim

REPORTAZH-Sarandopori/ Perla e Kolonjës, atraksion turistik që nuk duhet humbur

Publikuar

-

Llixhat e Sarandoporit ndodhen vetëm 10 minuta larg Leskovikut, ndonëse nga Korça duhen disa orë për të mbërritur në destinacion, mrekullia që gjendet në këtë vend nuk ka të krahasuar. E gjithë natyra në Sarandopor të jep qetësi, me gjelbërimin përreth, e me mënyrën e veçantë që natyra është krijuar me dhjetra gura në të gjithë sipërfaqen e me ujërat termale e kurative. Uji që del është shumë i pastër dhe mund të konsumohet, e ndërkohë më e rëndësishmja mbetet fakti se ky ujë kuron sëmundje të brendshme, ato të lëkurës, dhe ka një veprim çudibërës për sëmundjet e kockave.

 

Fillimisht llixhat janë përdorur në kohën e Turqisë, por edhe në kohën e viteve të pas çlirimit, ku çdo ditë 15 ditë kuroheshin rreth 100 – 150 persona. Vetë fakti që shumë turistë zgjedhin ta vizitojnë këtë kanion kaq te mrekullueshëm, do të thotë shumë për zhvillimin turistik që mund të ketë më shumë në të ardhmen Sarandopori. Është fat për Kolonjën të ketë këtë vend atraktiv me 300m lartësi mbi nivelin e detit, e po ashtu edhe me vlera të rralla kurative që çdo ditë e më tepër po afron vizitorët nga qytete të ndryshme të Shqipërisë.

 

Një grup prej 20 të rinjsh nga Korça janë bërë pjesë e një guide këtë fundjavë, dhe kanë zgjedhur pikërisht Sarandoporin, për shkak se nuk është vend i promovuar mjaftueshëm dhe që kërkon një vëmendje të madhe nga të gjithë për zhvillimin e turizmit në zonë. Gjatë bisedës me disa prej të rinjve, kemi marrë këto mendime lidhur me përshtypjet që kanë krijuar sapo kanë parë peizazhin e mrekullueshëm të llixhave.

Jemi rreth 20 të rinj që vijmë nga qyteti i Korçës dhe për herë të parë kemi dëgjuar para një jave për Sarandoporin. Shumë interesant vendi, nuk e di që në qarkun e Korçës ne e kishim këtë mrekulli, kështu që e kemi një eksperiencë të re në një habitat të ri le ta quajmë kështu, shumë bukur. Jemi kënaqur dhe do ua sugjerojmë edhe të tjerëve pa diskutim”, u shpreh njëri prej tyre.

LEXO EDHE:  Kalimi i kufijve në mënyrë të paligjshme/ Policia vë në pranga tre shtetas

 

Dëgjuam për Sarandoporin rreth një javë më parë dhe vendosëm që të organizoheshim si grup të rinjsh e ta vizitonim këtë perlë natyrore. Vendi është shumë interesant, madje nuk e dinim që e kishim këtë mrekulli në qarkun tonë. Është shumë bukur këtu, është një eksperiencë e re për ne, kënaqësia që po marrim është e madhe dhe ua sugjerojmë ta vizitoni” – tregon njëra prej pushuesve nga Korça.

Për mua llixhat e Sarandoporit janë realisht më të mirat në shtetin shqiptar. Kisha dëgjuar më parë për këtë zonë, po ashtu e kisha vizituar, dhe vendosa të rikthehem sërish sepse është një mrekulli të jesh këtu. Të gjithë jemi të kënaqur, por edhe pak të lodhur për shkak të infrastrukturës pak të keqe, megjithatë sërish ua sugjeroj të gjithëve të vijnë ta vizitojnë, vlerat që gjenden këtu s’mund ti gjesh askund tjetër” – shprehet një tjetër i ri nga Korça.

Llixhat e Sarandoporit janë monument natyror, me burimet termale që ndodhen në brigjet e Vjosës. Turistët këtu mund të gjejnë dy burime të mëdha dhe 40 burime të vegjël me vlera kurative. Synimi i të gjitha instancave është promovimi sa më i lartë i zonës, me vlerat natyrore dhe peizazhin e bukur si edhe të afrojnë turistët vendas por edhe të huaj. Mos e humbisni këtë perlë natyrore, me vlerat kurative për shëndetin e me qetësinë që të gjithë kemi nevojë gjatë ditëve të nxehta të verës dhe larg përditshmërisë./ CNA.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Në QYTETIN tim

REPORTAZH-Ekspozita e Pjetër Rraboshtës/ Dalin për herë të parë imazhet e fotografit të lëna në hije për 70 vite

Publikuar

-

Nga

REPORTAZH-Ekspozita e Pjetër Rraboshtës/ Dalin për herë të parë imazhet e fotografit të lëna në hije për 70 vite

Për herë të parë pas 70 vitesh Pjetër Rraboshta fotografi i harruar i Shkodrës do të vijë në një ekspozitë me fotografitë e tij pas një pune 6 mujore të muzeut kombëtar të fotografisë Marubi.

Drejtori i muzeut Marubi Luçian Bedeni thotë se për shkak të COVID-19 kjo është ekspozita e parë në këtë muze dhe që vjen me fotot interesante të Pjetër Rraboshtës.

“Çelim kalendarin artistik të këtij viti megjithëse jemi në muajin korrik. Kjo vjen edhe si rezultat i një ekspozite tjetër të mëpërparshme, e fotografit Dedë Jakova e cila u çel gjatë periudhës së pandemisë dhe kjo ekspozitë u la e hapur gjatë si pasojë e një kohe të vënë në dispozicion nga muzeu Marubi edhe për qytetarët në mënyrë që ata të kishin gjithë mundësinë për ta shikuar koleksionin e këtij fotografi që publikohej për herë të parë.

Që në krye të herës muzeu Marubi ka patur në politikën e tij që fotografët të cilët kemi në arkivën e muzeut Marubi koleksionet e tyre t’i digjitalizojmë sa më parë.

Kështu kishim para disa vitesh një ekspozitë të fotografit Shan Pici, Angjelin Nënshatit më pas të Dedë Jakovës dhe më në fund mbërritëm tek fotografi Pjetër Rraboshta.

Në ndryshim prej të gjithë fotografëve të tjerë koleksioni i tij ka qenë tërësisht i padigjitalizuar. Është digjitalizuar arkivi i plotë prej rreth 16 mijë imazhesh të Pjetër Rraboshtës”.

Kuratori i ekspozitës Zef Paci thotë se Pjetër Rraboshta është një prej thesareve të arkivit të muzeut Marubi.

“Vjen moment i Pjetër Rraboshtës i cili përbën një prej thesareve të arkivit të këtij muzeu për qasjen e tij, për qëndrimin e tij si fotograf dhe të bën që ta mendojmë arkivin e këtij muzeu të përbërë prej njërëzish të cilët shprehim botëkuptime, qëndrime dhe ide nepërmjet imazhit për mënyrën se si ato i qasen.

Kjo ekspozitë nuk kërkon ta shterojë prurjen interesante që sjell një fotograf si Pjetër Rraboshta por kërkon të japë një fragrancë se çfarë përmbajnë në këto mbi 80 imazhe të printuara dhe disa të projektuara të japë një shije të qëndrimit të tij, botëkuptimit të tij dhe për pasojë edhe të Shkodrës të periudhës ku ai operoi si fotograf”.

Kuratori Paci shprehet se Pjetër Rraboshta i cili fotografoi pasi ishte instaluar komunizmi më përpara kishte përjetuar artin e Idromenos, Marubit dhe sjell në fotot e tij pikërisht këtë gjendje duke realizuar foto me shumë vlera të jetës sociale, kulturore dhe historike të njerëzve të thjeshtë të qytetit, ushtarëve apo edhe fëmijëve. Në imazhet e Pjetër Rraboshtës është një pjesë e konsiderueshme e Shkodrës së vjetër dhe të bukur që në këto 30 vitet e fundit shumëçka ka humbur dhe i vetmi ngushëllim janë këto imazhe.

Pjetër Rraboshta u lind në Shkodër në vitin 1917, në familjen e një artizani që punonte petka tradicionale. U shkollua në Kolegjin Saverian të jezuitëve. Rininë e hershme e kalon si nxënës pranë Dritëshkrojës së Kel Marubit. Shërbimin ushtarak e kryen në Gjirokastër, ku vijon të ushtrojë profesionin e fotografit. Kthehet në Shkodër, e deri në vitet 1940, punon te Marubi bashkë me të birin e Kelit, Gegën. Në fillim të viteve ’40, hap në rrugën kryesore të qytetit studion e tij “Foto Rraboshta”.

Qyteti që fotografoi nuk ishte kaotik, por gjithesi i larmishëm, me mpleksje shtresash e prurjesh të ndryshme shoqërore-edhe pse një shtresë e lartë duket se mungon. Imazhet përçojnë aromën e një qytetit intim mesdhetar që ndjell vegime e përjetime nostalgjike.

Dhuntia e Rraboshtës është ofrimi i një realiteti që shërbehet shqeto. Subjektet shfaqin shijen e një jetese të njëmendtë dhe ndaj problematikave. Prej atyre fotografive nuk përçohet aspak ndjesia e optimizmit të përuruar prej regjimit. Lumturia që ai përcjell nuk i përket atij lloji, është ajo e përhershmja e qenies njerëzore, që ka përbri trishtimin, brengën e shfrimin.

Te fotografia e Rraboshtës haste ajo thjeshtësi, në dukje anonime që nuk sajoi asgjë, por ndali çaste solemne të dhimbshme e hokatare prej jetës që i rridhte para syve. Ai thjeshtë gjendej aty e priste, jo vetëm atë çka pritej të ndodhte, herë vetvetiu e herë me nxitjen që shkaktonte drejtimi i aparatit fotografik. Në tipologjitë e zakonshme të mediumit, jeta që është ndalur shfaqet e patrukuar e, ndonjëherë kapet fluturimthi në shtjellën e saj.

LEXO EDHE:  Fshehën aksidentin në punë/ Nisin hetimet për mjekun dhe administratoren

LEXO EDHE:  Kalimi i kufijve në mënyrë të paligjshme/ Policia vë në pranga tre shtetas

Asokohe, ishte ai fotografi që e bënte albumin e familjeve, i takonte atij të shkonte aty ku ishin, në oborret dhe shtëpitë e tyre, gjatë punës, festave apo pushimeve. Njerëzit shfaqen me qëndrimet e petkat përkatëse në të njëjta kënde, bri një dere, para një muri, në shtëpi a në oborr, në kishë a para kazermës, në një shesh, në rrugë, në lulishte, në borë a në plazh. Pikërisht në këtë përsëritje, ndodhte e papërsëritshmja që sillte koha dhe subjektet. Historitë që na ofron janë histori të vogla, që vijnë nga poshtë. Ai nuk është jashtë tyre, përkundrazi, ndjehet se ai bën pjesë në to.

Një shërbim fotografik i këtij lloji, e ruajti disi prej molepsjes nga ideologjitë. Pa platformë paraprake politike e social-kulturore (që qenë të mirëpërcaktuara nga regjimi), imazhi më shumë shpall e akuzon sesa shpjegon.

Rraboshta punon në një situatë ku ndërgjegjësimi mendor e pamor është vënë në diskutim, por pikërisht ashtu, në zgrip, duke fotografuar, ai duket se ruan disa vlera që bartin jeta e ritet në atë kontekst, dhe posaçërisht, të atyre që regjimi monist kishte filluar t’i flakte tej.

Dëshmia e tij, e mbështetur në zhanret tradicionale të fotografisë, bën të ndjehet përgjegjësia morale dhe dinjiteti i një bashkësie që, përkundrejt ateizmit shtetëror, gjithnjë më kërcënues dhe shtypës, ngulmon të vijojë kremtimin publik të riteve fetare. Imazhet e tij përbëjnë feksjet e mbrame të këtyre riteve që do të ndalohen prerazi në vitin 1967.

Bashkëqytetarët e quanin, Rraboshta i fëmijëve. Kjo temë, me akorde herë fetare e herë profane, përshkon korpusin fotografik të Rraboshtës. Ajo përcjell çaste lumturie e parehatie sa prej të përditshmes aq edhe prej riteve të kalimit, ku spikasin krezmimet plot përshpirtni. Sidoqoftë, arkivi i tij ngërthen gjerësisht edhe moshat e tjera në një spektër temash mbi shoqërinë, mbi jetën, me ritmet e ritet e saj.

Ndër këto të fundit, të shumta janë imazhet e martesave që shtjellohen në të njëjtat itinerare: shtëpi-veturë-kishë-e anasjelltas. Këto skema martesash e krezmimesh, shfaqin një mlepkse të njerëzve me rroba ceremoniale bashkë me ato të përditshme, si pjesëmarrës e si spektatorë. Aty, ndonjëherë ndodh që spektatorët e ceremonive të kthehen në protagonist.

E pranishme në një numër të konsiderueshëm fotografish është edhe tema e ushtrisë. Edhe pse foto mund të jenë shkrepur në kohën e lirë, para garnizionit ushtarak, subjektet në uniform pohojnë nepërmjet pozës disiplinën.

Punoi shumë në viset malore të veriut të Shqipërisë, posaçërisht për të realizuar fotografi letërnjoftimesh. Ata portrete subjektesh ngërthejnë urgjencën e një lloj vetëdeklarimi të brendshëm në cakun e një imazhi të vetëm.

Subjektet vijnë të binur (me urdhër, meqë pushteti po kryente një census) në vendin ku do të bëhej fotografimi, të gjithë pozojnë para ndonjë dere a pëlhure. Që prej asaj kohe, ata persona na shohin sot, bash në dritë të syrit.

Ai vështrim i ndërsjelltë mes fotografit e subjekteve na vjen sot pa praninë e tyre, por bart përfshirjen emocionale dhe empatinë e tij. Edhe fotografia e portretit të tij, e shkrepur me atë rast, u gjet midis tyre.

Rreth vitit 1963, me mbylljen e aktiviteteve private, hyn në repartin e fotografëve pranë Kooperativës Shtetërore të Artizanatit. Rraboshta, që kishte shëtitur pa reshetur nepër qytete e malësi, në vitet e fundit të punës në këtë repart nuk doli më në terren. Për shkak të problemeve shëndetësore që ia pengonin ecjen e gjatë, ai punoi në laborator ku lau filmat dhe fotografitë e kolegëve deri ditën e daljes në pension. Kishte nam si mjeshtër i dhomës së errët.

Në vitin 1970 i dorëzon shtetit arkivin e vet fotografik prej 16169 pozash të shkrepura në film 9të formateve 24×36 mm dhe 24×24 mm). Ky arkiv, i pashoqëruar nga diçiturat përkatëse mbështetet veç në fuqinë e pashoqe që ka si imazh. Pjetër Rraboshta vdiq në Shkodër në vitin 1987 në moshën 70-vjeçare por duke lënë pas një pasuri të madhe sa i përket fotografisë./ CNA.al

LEXO TE PLOTE

Në QYTETIN tim

REPORTAZH-MIK Festival rikthehet sërish në Korçë/ Nata e parë nis me “Miqtë e Operës së Berlinit”

Publikuar

-

Nga

REPORTAZH-MIK Festival rikthehet sërish në Korçë/ Nata e parë nis me “Miqtë e Operës së Berlinit”

MIK Festival rikthehet sërish në Korçë, me edicionin e tij të katërt, një eveniment i cili do të zgjatë katër ditë dhe do të zhvillohet jo vetëm në qytetin juglindor por edhe në Pustec, në ishullin e Maligradit dhe në fshatin turistik të Rehovës në Kolonjë.

Ky eveniment tepër i njohur në Shqipëri, do të sjellë për të gjithë banorët dhe vizitorët vendas e të huaj, disa mbrëmje ndryshe që do të falin kënaqësi për spektatorët, duke bërë pjesëmarrës artistë të njohur.

Inva Mula, sopranoja e njohur, e cila është edhe organizatorja e këtij evenimenti, me shumë kënaqësi ka treguar se ky vit do të jetë ndryshe nga vitet e kaluara, pasi do të shtrihet në 3 qytete të qarkut juglindor pas normalizimit nga pandemia.

Ne jemi në edicionin e katërt dhe na mbushet goja kur themi që vijmë në Korçë sërish. Ky është një viti veçantë, pasi të gjithë ne kemi etje për art, pandemia dëmtoi shumë njerëzimin dhe gjunjëzoi artin. Sot jemi më shumë se kurdo herë tjetër për të thënë që pa muzikën, pa artin, pa skenën nuk ka jetë.

Jeta do të vazhdojë me optimizëm, me mbështetjen që duam ti japim njerëzimit dhe mbështetjen që ata na japin ne. Edicioni i katërt shpaloset me ngjyra, shtete, gjuhë dhe zhanre të ndryshme. Këtë mbrëmje ne e hapim me muzikën gjermane, për të vazhduar me aktivitete në zonat që duhen promovuar si në Kolonjë dhe Pustec.

Është një sërë aktivitetesh që nuk duhen humbur pasi do ti sjellin Korçës një pamje fantastike. Publiku do ta vlerësojë  shumë këtë lloj evenimenti, dhe finalja e festivalit do të jetë një grup nga Italia. Ky festival nuk do të bëhej nëse sdo të ishim të gjithë së bashku, nëse sdo të promovonim qytetin më të bukur që e do artin dhe e ka mbështetur gjithmonë atë, duke lënë trashëgimi, e ky qytet është Korça”, shprehet sopranoja Inva Mula.

LEXO EDHE:  Fshehën aksidentin në punë/ Nisin hetimet për mjekun dhe administratoren

Nata e parë e MIK Festival ka startuar me “Miqtë e Operës së Berlinit”, ku nga anëtarët e kësaj opera janë luajtur për artdashësit korçarë melodi të famshme. Mes tyre, ka qenë edhe dirigjentia shqiptare Elda Laro e cila ka treguar kënaqësinë që është pjesë e këtij evenimenti.

LEXO EDHE:  Xhim Belushit i refuzohet leja e shtëpisë

Është hera e parë për mua që marr pjesë në këtë festival dhe jam shumë e lumtur që jam pjesë e tij. Në këtë eveniment kam sjellë dy miq të mi, violinistë të mrekullueshëm të Berlinit. Jam shumë e emocionuar dhe shpresoj të japim rezultatin e duhur dhe të ekzekutojmë në mënyrë të mrekullueshme për publikun korçar. E kam të vështirë çdo herë që kthehem në Shqipëri, pasi kam emocione shumë të forta dhe e ndjej veten me shumë përgjegjësi por e gjitha është e lidhur me kënaqësinë time shumë të madhe që jam këtu”, tregon dirigjentia Laro.

I pranishëm në këtë eveniment, dhe në këtë aktivitet të zhvilluar pranë teatrit Andon Zako Çajupi ka qenë ambasadori gjerman Peter Zingraf i cili ka shprehur falenderimin e tij që ky koncert ka nisur si homazh për viktimat në Gjermani.

Është një kënaqësi e jashtëzakonshme të vij në Korçë. Kam pritur shumë që të vij pasi më pëlqen shumë ky vend, ashtu edhe bashkëshortes time. Është bukur të rikthehemi këtu për art dhe kulturë. Faleminderit edhe orkestrantëve për muzikën gjermane, e cila është një dedikim dhe homazh ndaj atyre që kanë ndërruar jetë në vendin tim si pasojë e përmbytjeve”, është shprehur ambasadori Zingraf.

Gjatë tre ditëve pasardhëse, MIK Festival do të bëjë bashkë kolonjarët, banorët e Pusteci dhe korçarët, të cilët do të mund të shijojnë aktivitetet e ndryshme muzikore, dhe sigurisht që Korça do të kthehet edhe këto ditë në destinacionin kryesor të gjithë turistëve vendas dhe të huaj./ CNA.al

LEXO TE PLOTE

Në QYTETIN tim

REPORTAZH/ Busti madhështor i Sali Butkës, heroit që la gjurmë në historinë e vendit tonë

Publikuar

-

Nga

Sali Butka ishte një nga udhëheqësit dhe luftëtarët e lëvizjes kombëtare shqiptare. Ai u lind në vitin 1852 në fshatin Butkë të Kolonjës dhe ishte më i madhi i pesë fëmijëve të Tahir Butkës. Në dekadat e fundit të shekullit të XIX, Sali Butka u lidh ngushtë dhe bashkëpunoi për shumë kohë me Petro Nini Luarasin, duke e ndihmuar atë për ngritjen e shkollës së parë shqipe në Kolonjë dhe duke e mbrojtur atë nga armiqtë e kundërshtarët e tij që e kercënonin vazhdimisht për ta eleminuar fizikisht.

Pas mbylljes së shkollave shqipe nga qeveria turke, Petro Nini e Sali Butka e vazhduan fshehtas veprimtarinë e tyre për përhapjen e gjuhës shqipe të shkrurar, duke menduar se vetëm prej sa mund të zgjohej ndërgjegjia kombëtare. Në atë kohë, Sali Butka filloi të sillte nga Manastiri dhe Selaniku libra dhe gazeta të shkruara në gjuhën shqipe, të cilat më pas i përhapte në krahinat e Kolonjës, Korçës e Përmetit.

Sali Butka u nderua sot në Kolonjë, në vendlindjen e tij, me një bust madhështor të punuar me aq mjeshtëri nga skulptori Agim Rada. Në fjalën e tij, Rada është shprehur mjaft i kënaqur për këtë vepër që ia kushtoi patriotit Butka, dhe ndihet mjaft i vlerësuar që këtë bust e realizoi ai me shumë përpjekje dhe kënaqësi.

“U detyrova të koncentroja në mendimin tim figurën dhe po ashtu ta ndërtoja unë figurën e këtij njeriu të madh duke u bazuar pak në foto dhe në imazhin e tij, që për mendimin tim ska shumë rëndësi. Rëndësi ka që ky monument të jetë sintezë e tipareve që ka një patriot i madh dhe një luftëtar si Butka. Busti ka përmasa të mëdha, sic ka qenë vetë historia e Butkës, sidomos banorët e kësaj treve që dinë shumë detaje nga jeta e këtij patrioti, të cilat mi kanë treguar dhe kanë qenë një burim frymëzimi për mua.

Ne i kemi borxh jo vetëm kësaj toke shumë pjellore në kuptimin e heronjve, patriotëve, njerëzve që e kanë dashur vendin dhe që i kanë shërbyer me devotshmëri deri në gjakun e tyre. Nuk le dot pa përmendur sot humanistin e madh Muhamed Malon, i cili sa herë më takonte, më citonte ndonjë varg që ia citonte i ati, dhe unë i kam bërë pjesë të bustit “Për lirinë, për lirinë, lum kush vdes për Shqipërinë”.

Këto janë postulate të thëna nga njerëz që kanë sakrifikuar jetën për këtë vend, dhe këta njerëz meritojnë shtatore jo kaq por akoma më të mëdha. Kjo trevë ka nxjerrë pafund patriotë të penës, pushkës, atdhedashurisë dhe unë mendoj se nuk do të dalë bronxi I Shqipërisë për të derdhur figurat e kësaj treve”, shprehet skupltori Agim Rada.

LEXO EDHE:  Korçë/ Arrestohet kultivonte marjuane me ndricim

LEXO EDHE:  Xhim Belushit i refuzohet leja e shtëpisë

Kryetari i Bashkisë së Kolonjës, Erion Isai, ky bust është një vlerësim i munguar për një kolonjar që ka dhënë shpirtin e tij për atdheun, dhe ndihet tepër i lumtur që u realizua pikërisht në qendër të qytetit të Ersekës.

“Kontributi i Bashkisë në këtë event është modest në krahasim me kontributin e kolonjarëve si i ndjeri Muhamed Malo, është i jashtëzakonshëm dhe është pasha kryesore. Na takonte që në këtë copë tokë ti vlerësojmë të gjithë patriotët që kanë kontribuar jo vetëm për Kolonjën por për të gjithë Shqipërinë. Dhe Sali Butka është një figurë e tillë që e meriton këtë vëmendje.”, thotë Erion Isai.

Një tjetër figurë e njohur e Korçës që s’mund t’i mungonte këtij aktiviteti është dhe historiani Niko Kotherja, i cili në fjalën e tij ka shprehur rëndësinë e figurës së Sali Butkës i cili ka krijuar shkollat e reja dhe ka siguruar jetën e patriotëve të tjerë të Kolonjës dhe jo vetëm.

“Sali Butka është një personalitet i rëndësishëm i Rilindjes Kombëtare Shqipëtare dhe në periudhën e Pavarësisë. Ka kontribuar masivisht në krijimin e shkollave shqipe në zonën e Kolonjës, në të gjithë ato shoqërime që ai i ka bërë Petro Nini Luarasit pasi ka qenë njeriu më i besuar i tij, duke i siguruar jetën e duke e mbrojtur atë. Sot me rastin e inagurimit të një shtatoreje të tij, në zemër të Ersekës, unë mendoj se ka ardhur koha për ta risjellë përsëri  këtë personalitet në parametrat e tij të vërtetë.

Një personalitet që ka lënë gjurmë të mëdha në historinë e vendit, por duke mos e ngatërruar këtu emrin e tij me njerëz të cilët kanë patur akte vandalizmi që i janë veshur figurës së Sali Butkës.

Heroi i Kolonjës jo domosdoshmërisht duhet të mbajë përgjegjësi për ato veprime që ndodhnin në mes të zjarrit të Luftës së Parë Botërore. Mendoj se është e nevojshme të rikthejmë sytë për të ridimensionuar jo vetëm figurën e Sali Butkës por gjithë familjen e tij, pasi të gjithë janë hedhur në luftë me parullën Liri a Vdekje”, tregon Niko Kotherja.

Sot u vlerësua jo vetëm figura e patriotit të shquar Sali Butka, por edhe kontributi i tij së bashku me patriotë të tjerë kolonjarë që i sollën frymë të re Kolonjës, Korçës dhe gjithë Shqipërisë./ CNA.al

LEXO TE PLOTE